VOAL

VOAL

Trump do të takonte Rohanin pa kushte

Trump dhe Rouhani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është i gatshëm të takojë presidentin e Iranit, Hassan Rohani, “pa parakushte”, për të diskutuar mënyrat për përmirësimin e lidhjeve midis dy vendeve.

“Do të takoja secilin. Unë besoj në takime”, tha Trump në një konferencë për media në Uashington.

“Unë besoj në bisedime me njerëzit e tjerë, sidomos kur flitet për potencialet e luftës dhe vdekjes, urisë dhe shumë gjërave të tjera”, tha presidenti amerikan.

I pyetur nëse do të kishte kushte për takimin, Trump tha “jo”. “Nëse duan të takohen, do t’i takoj kur të duan. Do të ishte mirë për vendin, mirë për ta, mirë për ne dhe mirë për botën”, tha Trump.

Udhëheqësit iranianë nuk e refuzuan menjëherë ofertën e Trumpit, ashtu siç kanë bërë me një sugjerim të mëhershëm të tij, për negocimin e një marrëveshjeje të re bërthamore, e cila do të zëvendësonte paktin e vitit 2015, nga i cili Trump është tërhequr në muajn maj.

Një këshilltar i lartë i Rohanit, Hamid Aboutalebi, tha se një mënyrë për të rihapur bisedimet është rikthimi i SHBA-së në marrëveshjen bërthamore.

Aboutalebi tha se SHBA duhet të respektojë edhe të drejtat e popullit iranian dhe të zvogëlojë armiqësitë.

Trump, në javët e fundit, ka sugjeruar vazhdimisht negociata të drejtpërdrejta midis Uashingtonit dhe Teheranit, edhe kur ka shkëmbyer kërcënime me udhëheqësit iranianë.

“Jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje të vërtetë, jo marrëveshje siç e ka bërë administrata e mëparshme, që ka qenë një katastrofë”, ka thënë Trump javën e kaluar.

Asnjë president amerikan nuk është takuar me një udhëheqës iranian qysh para revolucionit të Iranit, më 1979, i cili ka rrëzuar shahun, aleat i SHBA-së.

Shtëpia e Bardhë e bëri të qartë, edhe pas ofertës së Trumpit, se presidenti nuk po i braktis kërkesat e SHBA-së për ndryshime të mëdha në Iran.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin veprime për t’iu dhënë fund sanksioneve, për të rivendosur marrëdhënie të plota diplomatike dhe tregtare, për t’i lejuar Iranit të ketë teknologji të përparuar dhe për të mbështetur riintegrimin e ekonomisë iraniane në sistemin eonomik ndërkombëtar”, tha Garrett Marquis, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

“Megjithatë, ky lehtësim është i mundur vetëm nëse ka ndryshime të prekshme dhe të qëndrueshme të politikave në Iran. Deri atëherë, goditja e sanksioneve do të ashpërsohet, nëse regjimi nuk e ndryshon drejtimin”, tha Marquis.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i tha televizionit CNBC se “presidenti dëshiron të takohet me njerëz për të zgjidhur problemet”.

“Nëse iranianët dëshmojnë se janë të angazhuar për të bërë ndryshime thelbësre në mënyrën se si i trajtojnë njerëzit e tyre, nëse e reduktojnë sjelljen keqdashëse, nëse pajtohen se është e vlefshme për të hyrë në një marrëveshje bërthamore që në fakt e parandalon përhapjen, atëherë presidenti është i gatshëm të ulet dhe të bisedojë me ta”, tha Pompeo.

Sanksionet e SHBA-së kanë bërë që ekonomia e Iranit të dobësohet dhe vlera e monedhës së tij kombëtare të bie. Rënia e shpejtë e rialit ka shkaktuar protesta në Teheran, muajin e kaluar.

Përgatiti: Valona Tela

Shpejtësi rekord në garën për Hyperloop

Një tren futurist që udhëton në një tunel special dhe përshkruan distancën nga qyteti Los Angeles për në San Françisko brenda 30 minutash… Kjo ishte ëndrra pesë vite më parë e zotit Elon Musk, themeluesi i kompanisë SpaceX. Me kalimin e viteve, ëndërra e tij po i afrohet realitetit. Para disa ditësh në Los Angeles u zhvillua gara e tretë vjetore për mjetin që do tëpërdorë tunelin që quhet Hyperloop. Në këtë garë u shënua një rekord tjetër shpejtësie.

467 kilometra në orë, ky është rekordi i ri i shpejtësisë nga ekipi gjerman WARR Hyperloop, i përbërë nga studentë të inxhinierisë. Kjo ishte gara e tretë vjetore që zhvillohet në qytetin Los Angeles. Më shumë se 600 ekipe nga e gjithë bota morën pjesë në gara. 20 prej tyre arriten finalen ndërsa vetëm tre ishin aq të shpejta, sa të provonin mjetet e tyre në një tunel special mbi 1 kilometër të gjatë. Kriteri kryesor ishte shpejtësia në tunelin me presion të kontrolluar.Florian Janke është përfaqësues i ekipit gjerman WARR Hyperloop.

“Provuam modele të ndryshme, një motor të madh, dy motorë të mëdhenj në të njëjtën shasi, që ishin ide të mira. Përfundimisht zgjodhëm motorë të vegjël që kanë raport të mirë mes fuqisë dhe peshës. Simulimi na tregoi se ky do të ishte varianti më i mirë.”

Inxhinierët thonë se u përballën me vështirësi të papritura, siç ishin pjesët elektronike që nuk ishin të përshtatshme për tunelin me presion të kontrolluar. Antoine Coppens është me ekipin EPFLOOP.

“Përdorëm bateri të tipit D dhe i përshtatëm së bashku në një kuti mbajtëse në një strukturë të bërë me printim 3D që e rrethon kutinë dhe bëmë të gjitha provat e efetshmërisë. Kjo të jep qëndrueshmëri sepse kur bateritë ekspozohen në mjedise me presion, mund të zgjerohen dhe rrezikojnë të shpërthejnë, apo të marrin zjarr. Ndaj kur i mban brenda një foleje, sigurohesh që kjo të mos ndodhë.”

Por ky nuk është i vetmi problem që duan të zgjidhin inxhinierët. Një ekip nga Holanda thotë se një sistem i plotë trasnporti me hyperloop do të eleminonte fluturimet e shkurtra, si dëmet që i shkaktohen mjedisit.Jelle Van Der Zon është me ekipin Delft Hyperloop.

“Këto mangësi ndikojnë tek fluturimet në distanca të shkurtëra deri në 1 mijë e 500 kilometra. Ne mendojmë se duhet rritur cilësia e transportit, pra do të përdoret sistemi me hyperloop. Mund të lidhim distancat prej 500 kilometrash si Amsterdamin, Brukselin, Parisin apo Berlinin.”

Shefi i kompanisë SpaceX dhe sponsorizues i hyperloop, Elon Musk, thotë se gara është për të thyer kufinjtë.

“Gara është për të nxitur njerëzit që të mendojnë për modele të reja transporti, që do të transformojnë rrënjësisht qytetet dhe lëvizjen. Besoj se do të ketë përmirësime rrënjësore.”

Gara e këtij viti tregoi se inxhinierët janë gjithnjë e më pranë kësaj zgjidhjeje.

Trumpi kërcënon me mbylljen e qeverisë, nëse Kongresi nuk miraton financimin e murit të Meksikës

Presidenti Donald Trump sot kërcënoi se do ta mbyllë qeverinë, nëse Kongresi nuk miraton financimin për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën, me synimin për të penguar emigracionin e paligjshëm.

Udhëheqësi amerikan tha se “demokratët e opozitës duhet t’i japin votat e nevojshme për sigurinë në kufi, ku përfshihet Muri!” dhe për ndryshime të tjera të politikës së emigracionit.

Por ligjvënësit republikanë kanë qenë të ndarë për ndryshimin e politikave të emigracionit, duke i hedhur poshtë dy herë javët e fundit propozimet e presidentit për këtë çështje, sikurse edhe opozita e unifikuar demokrate.

Në një koment në Twitter, Trump bënte thirrje që Shtetet e Bashkuara “më në fund të kenë një sistem imigracioni mbi bazën e meritave. Duhet që në vendin tonë të hyjnë njerëz të mirë”, shkruante në twittin e tij të së dielës Presidenti.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1023557246628900864

Ndërtimi i Murit ndarës me Meksikën ka qenë një premtim i fushatës së zgjedhjeve presidenciale të zotit Trump. Muri kushton 20 miliardë dollarë, por Kongresi deri tani ka miratuar vetëm 1,5 miliardë dollarë për sigurinë në kufi.

Bisedime Pompeo-Cavusoglu për çështjen Brunson

Departamenti i Shtetit tha të shtunën se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu kanë diskutuar për çështjen e pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili është ndaluar në Turqi, nën akuzat për spiunazh dhe terrorizëm.

Nuk u dhanë hollësi lidhur me bisedën, por zëdhënësja Heather Nauert tha se të diplomatët ishin “të përkushtuar për t’i vazhduar diskutimet për zgjidhjen e çështjes”.

Ndalimi i pastorit Brunson është bërë një çështje që administrata Trump i ka kushtuar vëmendje të veçantë, madje duke kërcënuar edhe me vendosjen e sanksioneve, si një formë presioni për lirimin e pastorit.

Brunson u mbajt në burg për 21 muaj në Turqi dhe të mërkurën e kaluar ai u vu në arrest shtëpie.

Ndalimi i Brunsonit, pastor evangjelist nga Karolina e Veriut, ka shkaktuar tension në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA, dy vende aleate në NATO.

E ardhmja e eksplorimit të hapësirës

49 vjet më parë, në muajin korrik astronautët amerikanë kryen ecjen e tyre të parë në Hënë. Gazetarja e Zërit të Amerikës Greta Van Susteren zhvilloi një diskutim në studio lidhur me eksplorimin e hapësirës dhe cila është perspektiva në këtë fushë, ndërsa propozimi i Presidentit Donald Trump për një forcë të re ushtarake të hapësirës, është ndeshur me pengesa në Kongres.

Ngjante si një sfidë e pamundur në ato vite, kur idenë e hodhi presidenti John F. Kennedy:

“Unë mendoj se vendi ynë duhet t’i përkushtohet një qëllimi, që para fundit të dekadës të çojmë njeriun e parë në Hënë, i cili të kthehet i sigurtë në Tokë”.

Tetë vjet më pas ndodhi hapi gjigant i njerëzimit.

“Pasi Presidenti Kennedy e filloi këtë sfidë, arritëm të përjetojmë për herë të parë hapësirën, për 15 minuta. Ishte e paimagjinueshme, por në fakt ne mundëm ta realizojmë dhe vitin e ardhshëm shënohet 50-vjetori I udhëtimit të parë të njeriut në Hënë.”- thotë Valerie Neal, drejtoreshë e Muzeut të Hapësirës.

Valerie Neal, drejtoreshë e Muzeumit Kombëtar të Hapësirës, kujton emocionet dhe admirimin që përjetoi kur pa ecjes së parë në Hënë. Por tani, 5 dekada më pas, ajo shqetësohet për mundësinë që hapësira të përdoret si arenë luftrash:

“Çaktivizimi i satelitëve të komunikimit, apo i sistemit të navigimit, do ta paralizonte jetën në Tokë. Nejemi të varur tek kjo teknologji. Jemi shumë vigjilentë që kjo të mos ndodhë, por mbetet një kërcënim i pranishëm,”-thotë ajo.

Presidenti Trump, në qershor, i dha urdhër Pentagonit të krijojë një “forcë të re ushtarake të hapësirës”:

“Kur është fjala për të mbrojtur Amerikën, nuk është e mjaftueshme të kemi praninë tonë në hapësirë, duam që Amerika të jetë dominuese në hapësirë”.

Kongresi, institucioni përgjegjës për krijimin e një dege të re të ushtrisë, nuk është ende i bindur për këtë ide të presidentit. Në fillim të javës, Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit nuk përfshinë fonde për një forcë të hapësirës në buxhetin e mbrojtes për vitin e ardhshëm, megjithë shtysën nga sektori privat për komercializimin e eksplorimit të hapësirës.

“Ne mendojmë se duhet ta shfrytëzojmë hapësirën për njerëzit.”– tha një përfaqësues biznesi.

Aktualisht gjashtë kompani private janë duke u përpjekur për zhvillimin e turizmit në hapësirë dhe ndoshta vetëm pak muaj na ndajnë nga dërgimi i qytetarëve të thjeshtë në orbitë.

“50 vitet e para udhëtimi në hapësirë lidhej me qeverinë, ishte i kushtueshëm dhe i rrezikshëm. Në 50 vitet e ardhshme ka për të qenë ndryshe.”- thotë Terry Virts, ish komandant i Stacionit të Hapësirës.

Virts mendon se e ardhmja e industrisë së hapësirës është në dorë të partneritetit publik me atë privat.

Por prirja mund të jetë drejt shtimit të investimeve për biznes, thotë Peter McGrath, i kompanisë “Boeing’.

“Unë do të thoja se zakonisht qeveria është e para dhe pastaj idenë e zhvillon më tej biznesi.”– thotë Peter McGrath, i kompanisë Boeing.

Me afrimin e 50-vjetorit të vizitës së parë në Hënë, fokusi kalon tani tek drejtimi që do të marrë shkenca e hapësirës në 50 vitet e ardhshme.

Rritja më e madhe e ekonomisë amerikane në katër vjet

Presidenti Donald Trump thotë se shifrat pozitive të bëra publike për rritjen e ekonomisë amerikane janë “shumë të qëndrueshme”. Komentet e tij u bënë pasi u bë e ditur rritja me 4.1% e GDP-së gjatë tremujorit të dytë. Por analistët ngrenë pikëpyetje nëse kjo rritje do të jetë e qëndrueshme.

Presidenti Trump nuk humbi kohë për të marrë meritat e shifrave “mahnitëse” të ekonomisë, siç i quajti ai, duke parashikuar se ky është vetëm fillimi.

“Po shkojmë drejt nivelit më të lartë të rritjes në mbi 13 vjet. Po e theksoj këtu sot, se ndërsa do të na ofrohen marrëveshjet e reja të tregtisë, këto shifra do të rriten shumë më tepër”, deklaroi Presidenti Trump.

Duke u rritur me 4.1%, GDP-ja e Shteteve të Bashkuara arriti për herë të parë në katër vite të thyejë tavanin e rritjes prej katër përqind.

“Konsumatorët blejnë më shumë shërbime – diçka pozitive kjo. Shohim gjithashtu investime të forta në biznes gjatë tremujorit të dytë. Bizneset investojnë në paisje. Gjithashtu, shohim një rritje të madhe me gati 10% në eksporte”, thotë ekonomisti Gus Faucher.

Një ndër arsyet kryesore për rritje të eksporteve është se fermerët amerikanë po shesin produktet e tyre për t’i paraprirë tarifave të Presidentit Trump. Kjo do të ishte një arsye përse nuk do të ishte e qëndrueshme kjo lloj rritjeje.

“Kur rriten të ardhurat nga taksat, kemi rritje të fortë të pagave, vendeve të punës, si dhe investime të biznesit që mendoj se do të qëndrojnë edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, e cila ndoshta nuk do të jetë aq mirë sa tani, por do të jetë solide”, parashikon zoti Faucher.

Për momentin, mbështetësit e zotit Trump thonë se kjo është një fitore dhe se shifrat dëshmojnë për zgjuarsinë e përqasjes së tij kategorike ndaj tregtisë.

“Votuesit kërkojnë siguri për të ardhmen dhe për familjet e tyre. Duan që të gjejnë punë kur kërkojnë, si dhe të kenë lëvizshmërinë ekonomike. Pra, njerëzit do të shkojnë tek kutitë e votimit duke gjykuar nga gjendja e kuletës”, thotë Chris Garcia, ish-zyrtar i administratës Trump në Departamentin e Tregtisë.

Ndërsa po afrojnë zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, këta janë treguesit se perspektiva politike e Presidentit Trump mund të jetë më e mirë se ç’mendohet.

Trumpi komenton strategjinë e tij për tregje të lira

Ndërsa vazhdojnë shqetësimet lidhur me mosmarrëveshjet ekonomike me partnerët e kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Donald Trump foli për strategjinë e tij të tregjeve të lira, në takimet që pati këtë javë në shtetet amerikane Ajova dhe Illinoi.

Presidenti Trump u përpoq t’i bindëte pjesëmarrësit në takimin e Ajovës, ku fermerët, shumë prej të cilëve e mbështesin atë, janë prekur nga tarifat e reja ndaj sojës dhe produkteve të tjera. Tarifat u vendosën nga Kina, si përgjigje ndaj tarifave të reja të vendosura ndaj mallrave kineze nga presidenti amerikan.

“Ne e hapëm tregun europian dhe kjo ka për të qenë diçka shumë e mirë për ta e për të gjithë ne, për fermerët tanë, sepse ka vetëm një treg të madh për të gjithë,” – tha Presidenti.

Zoti Trump tha se Europa “ka rënë dakord, thuajse menjëherë, të blejë sasi të mëdha të sojës, ngaqë Kina u përpoq ta dëmtonte fermerin amerikan.

Presidenti nuk dha hollësi për atë që ai tha se ishte një letër me një objektiv të caktuar e Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, ndërkohë që Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin e cilësoi paktin “marrëveshje në parim”.

Një ditë para takimit në Zyrën Ovale mes Presidentit Trump dhe zotit Juncker, Departamenti amerikan i Bujqësisë njoftoi se ka caktuar një fond prej 12 miliardë dollarësh për t’u ardhur në ndihmë fermerëve amerikanë të prekur nga tarifat.

“Është pikëpamja e administratës, që bujqësia ka qenë objekt hakmarrjeje, si rezultat i veprimeve tona me synimin për të zbutur pabarazitë në tregti. Kjo është arsyeja që Presidenti dhe Sekretari i Bujqësisë e krijuan këtë program.”– tha një zyrtar i tregtisë.

Megjithatë, disa fermerë thonë se ndihmat financiare nuk do të mund të lehtësojnë ndikimin afatgjatë që do të kenë tarifat e reja ndaj të ardhurave të tyre.

“Për mua, kjo është një humbje e madhe, jo vetëm se ka rënë çmimi i produkteve tona, por ngaqë do të humbin tregjet”,- tha një fermer.

Presidenti Trump u takua edhe me punëtorët e uzinës së çelikut në Granite City, të Illinoit, të cilëve u tha se administrata e tij kishte marrë “masat më të ashpëra në vite, si përgjigje ndaj praktikave tregtare abuzive të Kinës.”

Trump: Nuk e dija për takimet mes rusëve dhe personelit të fushatës

Donald Trump Jr.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të premten se nuk kishte qenë në dijeni të takimit në vitin 2016 në Kullën Trump mes rusëve dhe anëtarëve të personelit të fushatës së tij, përfshirë të birin etij, Donald Trump Jr.

Në takim, rusët ofruan që të japin informacion që do të dëmtonte rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton.

Zoti Trump shkruante në Twitter se nuk dinte gjë për takimin. Komenti I tij erdhi pas një njoftimi të CNN-it se ish-avokati i tij, Michael Cohen ka thënë se Presidenti Trump ishte në dijeni të takimit që më parë.

New York, protestë me valixhe në mbështetje të emigrantëve

NEW YORK – Në New York u organizua protestë me valixhe në mbështetje të emigrantëve të deportuar.

Protesta u organizua nga një grup aktivistësh të cilët kritikuan procesin e deportimit të emigrantëve dhe politikat e zbatuara, duke u shfaqur me valixhe në shenjë proteste ndaj praktikës që u lejon emigrantëve të marrin me vete vetëm nga një valixhe.

“Nëse të dashurit ose të afërmit tuaj do të ngelnin të detyruar të ndaheshin prej jush, çfarë do të vendosnit në një valixhe të vetme të cilën do ta merrnin?”, ishte shprehja me të cilën reaguan protestuesit. aa

Mijëra të evakuuar nga zjarret në Kaliforni, arrestohet piromani

LOS ANGELES – Zjarri në pyjet në rajonin San Bernardino të Kalifornisë në SHBA akoma nuk është vënë në kontroll.

Departamenti Zjarrfikës Riverside County bëri të ditur se është arrestuar një person për të cilin dyshohet se ka shkaktuar zjarrin në të cilin u dogjën 5 shtëpi dhe u evakuua e tërë lagjja.

Zyrtarët thonë se 32-vjeçari Brandon N. McGlover ka shkaktuar më shumë se një zjarr në rajonin e Revrside.

Prandaj, është dhënë urdhri për evakuimin e rreth 12 mijë personave. Mediat lokale thonë se për shuarjen e zjarrit, i cili ka përfshirë rreth 19 kilometra katrorë, janë angazhuar rreth 500 zjarrfikës. Po ashtu njoftojnë se stuhia e zjarrit akoma nuk është vënë nën kontroll.

Gjithashtu si pasojë e zjarreve është mbyllur dhe Parku Kombëtar Yosemite.

Zjarret që kishin kapluar Lake County në vitin 2015 morën katër jetë njerëzish dhe dëmtuan rreth 2.000 objekte banimi. aa

Pompeo: Çdo ndërhyrje e Rusisë do të ketë pasoja

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se personalisht u ka deklaruar zyrtarëve më të lartë rusë se çdo ndërhyrje në zgjedhjet e SHBA apo në procesin demokratik amerikan do të shoqërohet me “pasoja të rënda”, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi i dytë Trump Putin është shtyrë për në vitin 2019.

Zoti Pompeo u tha të mërkurën anëtarëve skeptikë të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se ai e kishte bërë paralajmërimin të qartë ndaj Rusisë në takime dhe biseda të shumta.

Ai e bëri komentin në përgjigje të pyetjeve konkrete në lidhje me hollësitë e takimit kokë më kokë të Presidentit Donald Trump me udhëheqësin rus Vladimir Putin javën e kaluar në Finlandë.

Si anëtarët republikanë edhe ata demokratë të komisionit kërkuan nga zoti Pompeo hollësi rreth takimit të nivelit të lartë, për të cilin Shtëpia e Bardhë ka ofruar vetëm deklarata të paqarta.

Kryetari republikan i komisionit, Bob Corker e hapi seancën duke thënë se Pompeo do të fliste përpara senatorëve që kanë “dyshime serioze” ndaj Presidentit Trump dhe politikës së tij të jashtme.

Sekretari Pompeo tha po të mërkurën se SHBA nuk ka ndërmend të njohë aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe nuk do të heqë sanksionet ekonomike kundër Moskës derisa Krimeja të jetë kthyer nën kontrollin e Ukrainës.

Ai tha se me pushtimin e Krimesë rusishtfolëse, Moska “u përpoq të minojë një parim ndërkombëtar bazë të mbështetur nga shtetet demokratike, sipas të cilit asnjë vend nuk mund të ndryshojë kufijtë e një tjetri me forcë”.

Diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara shtoi: “Ndërsa shtetet demokratike përpiqen të ndërtojnë një botë të lirë, të drejtë dhe të begatë, ne duhet ta mbështesim angazhimin tonë ndaj parimit ndërkombëtar të barazisë sovrane dhe të respektojmë integritetin territorial të shteteve të tjera. Rusia, me veprimet e saj, veproi në një mënyrë të padenjë për një vend të madh dhe zgjodhi të izolojë veten nga bashkësia ndërkombëtare”.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi i dytë Trump Putin është shtyrë dhe nuk do të mbahet përpara vitit 2019.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton njoftoi se Presidenti Trump dëshiron të presë derisa të përfundojë hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Volker: “Asnjë dhuratë për Rusinë në kurriz të Ukrainës”

Kryenegociatori amerikan për Ukrainën rikonfirmoi garancitë e dhëna nga Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë se Presidenti Donald Trump nuk ka arritur ndonjë marrëveshje për Ukraininën gjatë takimit privat prej dy orësh me homologun rus në Helsinki të Finlandës.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të mërkurën në një takim me diplomatët në Moskë se ai dhe zoti Trump diskutuan mundësinë e një referendumi të mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare për rajonet seperatiste pro-ruse të Ukrainës lindore. Pohimi në fjalë u përsërit më vonë nga ambasadorit i Kremlinit në Shtetet e Bashkuara.

((https://www.bloomberg.com/news/articles/2018-07-19/putin-said-to-have-made-trump-a-new-offer-on-ukraine-at-summit ))

Në një intervistë ekskluzive me Myroslava Gongadze, shefe e shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës, Kurt Volker, përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për negociatat në Ukrainë, tha se komentet e Kremlinit rreth referendumit nuk ishin vetëm çorientuese, por edhe të pambështetura.

“Nuk pa patur përpjekje drejt njohjes së aneksimit të Krimesë nga Rusia. Nuk ka mbështetje për një referendum. Asnjë lëvizje ndaj pozicionit të Rusisë për një forcë mbrojtëse për vëzhguesit e OSBE, që do ta ndanin në mënyrë efektive vendin”,tha zoti Volker duke iu referuar propozimit të debatueshëm të Moskës në Kombet e Bashkuara në shtator të vitit 2017.

(( https://www.euractiv.com/section/europe-s-east/news/russia-asks-un-to-set-up-mission-for-east-ukraine/ ))

Referendumet nuk janë pjesë e marrëveshjes së Minskut të vitit 2015, që synon t’i janë fund konfliktit, të sigurojë një armëpushim dhe hapë rrugën për zgjedhje rajonale, tha zoti Volker. Çdo votim i drejtpërdrejtë për shkëputjen nga Kievi, tha ai, nuk do të kishte korrnizën e nevojshme ligjore.

“Pra, shumë gjëra për të cilat shqetësoheshin njerëzit apo kishin parashikuar se mund të ndodhnin (në Helsinki), nuk ndodhën. Prandaj nuk mendoj se ka ndonjë bazë reale për shqetësim”, tha ai duke vënë në dukje se administrata ka vazhduar mbajtjen e sanksioneve ndaj Rusisë në bashkëpunim me aleatët evropianë dhe miratimin e shitjes së armëve për Kievin.

Pentagoni, shtoi zoti Volker, kohët e fundit ka shpalosur planet për një paketë të re ushtarake financimi për vendin e pushtuar të Evropës Lindore.

“Më lejoni të them këtë, se në të gjitha çështjet që ukrainasit i cilësojnë të rendësishme, asgjë nuk është premtuar”, tha ai. “Asnjë dhuratë për Rusinë në kurriz të Ukrainës.”

Komentet e zotit Volker mbështeten reagimet e para nga Garrett Marquis,zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare amerikane, i cili tha se Shtëpia e Bardhë nuk po “shqyrton” mbështetjen për referendum në Ukrainën lindore, dhe një deklerarë nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert, e cila tha se një referendum në Ukrainën lindore “nuk do të kishte legjitimitet”.

Komentet nga tre zyrtarët e lartë amerikanë vijnë pas spekulimeve disa ditore rreth atyre që u diskutuan gjatë një takimi të veçantë kokë më kokë mes Presidentit Trump dhe homologut rus Vladimir Putin në prezencë vetëm të përkthyesve.

Që nga kthimi nga Helsinki, Presidenti Trump ka vazhduar të mbrojë takimin, kryesisht një moment kyç kur ai u pyet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016 ndërsa përbri tij qëndronte udhëheqësi rus.

(( https://www.voanews.com/a/trump-defends-putin-summit-as-poll-shows-high-disapproval/4495141.html ))

Konferenca e shtypit Trump-Putin, si u shmang një shkëmbim kyç?

Një shkëmbim kyç në konferencën e përbashkët të shtypit të javës së kaluar mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, nga ana e dokumentimit zyrtar as Uashington as në Moskë

Ndërsa qëndronin pranë njëri-tjetrit pas takimit të tyre të lartë në Helsinki, presidentët Trump dhe Putin iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve amerikanë dhe rusë, ku një nga pyetjet më të rëndësishme u shtrua nga gazetari i agjencisë së lajmeve Reuters, Jeff Mason, lidhur me çështjen e debatueshme nëse Putini donte që Trump t’i fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe nëse ai kishte ndërhyrë për ta ndihmuar zotin Trump që të arrinte në Shtëpinë e Bardhë.

Gazetari amerikan i bëri këtë pyetje udhëheqësit rus, “President Putin, a keni dëshiruar që Presidenti Trump të fitonte zgjedhjet dhe a keni urdhëruar një nga zyrtarët tuaj që ta ndihmonte atë në këtë përpjekje?”

Putin u përgjigj: “Po, e bëra. Po, e bëra sepse ai foli për normalizimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi”.

Por Kremlini e ka përjashtuar të gjithë shkëmbimin nga transkripti i konferencës së shtypit dhe Shtëpia e Bardhë eliminoi pjesën e parë kyçe të pyetjes së gazetarit Mason, nëse Putin donte që Trump të fitonte kundër rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Presidenti Trump me ngurrim e ka pranuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, por ai gjithashtu e ka quajtur atë një “mashtrim të madh”. Ai ka hedhur poshtë me forcë çdo akuzë se fushata e tij kishte bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë, çështje e cila është duke u hetuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller. Prokurori Mueller është duke hetuar edhe çështjen nëse Trump ka penguar drejtësinë, duke u përpjekur të shmangte hetimin.

Të martën, Presidenti Trump tha, pa ofruar asnjë provë, se Rusia po ndërhyn në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit për Kongres, që do të zhvillohen në nëntor, por për të ndihmuar ligjvënësit demokratë të opozitës, e jo kandidatët republikanë që mbështet ai.

Chicago, “Porta e Qiellit” tërheq turistë të shumtë

CHICAGO – Qytetin amerikan Chicago vitin e kaluar e kanë vizituar 55.2 milionë turistë, të cilët interesim të madh kanë treguar për “Portën e Qiellit”.

Kjo skulpturë e bërë nga çeliku i pandryshkshëm në vitin 2006, peshon rreth 110 ton. Faqja e internetit për turizëm “TripAdvisor” e radhiti atë midis dhjetë simboleve turistike më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vitin 2014.

Skulptura e projektuar nga skulptori indiano-britanik, Anish Kapoor njihet gjithashtu edhe si “The Bean” për shkak të dukjes së saj. aa

Presidenti Trump dhe avokati i tij flasin për një pagesë në një inçizim sekret

Presidenti Donald Trump reagoi pasi rrjetet televizive amerikane transmetuan një inçizim të martën, ku ai dhe ish-avokati i tij, Michael Cohen diskutojnë një pagesë të mundshme për të drejtat e historisë së një modeleje për një marrëdhënie që thuhet se ajo ka pasur me zotit Trump.

Zoti Cohen e kishte regjistruar fshehtas bisedën në shtator 2016, kur zoti Trump po kandidonte për postin e presidentit. Avokati i zotit Cohen, Lanny Davis, ia vuri në dispozicion inçizimin CNN-it për transmetim.

Presidenti Trump komentoi në Twitter, duke thënë “Çfarë lloj avokati do të inçizonte një klient?” dhe duke sugjeruar se inçizimi ishte ndërprerë, aty ku ai mund të ishte duke thënë gjëra pozitive.

“Kam dëgjuar se klientë të tjerë dhe shumë gazetarë janë inçizuar. A mund të jetë e vërtetë? Sa keq”, shkruante ai.

Zoti Trump ka mohuar vazhdimisht se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me modelen Karen McDougal, që ia shiti historinë e saj, kompanisë botuese të tabloideve, American Media për 150 mijë dollarë. Asnjë artikull për marrëdhënien e mundshme nuk u pagua.

Në inçizimin e shkurtër, zoti Cohen flet për nevojën e “hapjes së një kompanie për transferimin e gjithë informacionit për mikun tonë, David”, thotë ai dhe ka gjasa që të jetë duke iu referuar mikut të zotit Trump dhe Presidentit të kompanisë “American Media”, David Pecker.

Në një moment zoti Trump pyet se sa duhet paguar: “150 (mijë)”?

Ai përmend gjithashtu një pagesë me para në dorë, por nuk dëgjohet qartë nëse po sugjeron që të paguhet me para në dorë apo jo.

Në prill, FBI-ja bastisi zyrën dhe shtëpinë e zotit Cohen dhe konfiskoi disa inçizime që iu dërguar prokurorëve federalë javën e kaluar.

Presidenti Trump ka shprehur pakënaqësinë e tij me hetimin e zotit Cohen.

Ai shkruante në Twitter javën e kaluar: “E paimagjinueshme që qeveria të hyjë me force në zyrën e një avokati (herët në mëngjes) – pothuajse e padëgjuar. Edhe më e paimagjinueshme se si një avokat inçizon një klient, e padëgjuar dhe ndoshta e paligjshme. Lajmi i mirë është se presidenti juaj i preferuar nuk ka bërë asnjë gabim”.

Shtete të ndryshme kanë rregulla të ndryshme se kur është e ligjshme të inçizosh një bisedë që në thelb kërkojnë ose njërin ose të dy bashkëbiseduesit, që të japin miratimin e tyre. Në shtetin e Nju Jorkut, ku u bë biseda vetëm njëra palë duhet të japë miratimin, kështuqë Cohen ishte i lejuar ligjërisht që të inçizonte bisedën.

Zoti Cohen i pagoi 130 mijë dollarë për të mos folur aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, më pak se dy javë para zgjedhjeve të vitit 2016 , lidhur me një marrëdhënie jashtëmartesore që ajo thotë se pati një natë me zotin Trump në vitin 2006, pak pasi bashkëshortja e zotit Trump, Melania lindi djalin e tyre, Barron.

Muajt e fundit, zoti Cohen ka thënë se e bëri pagesën me iniciativën e vet. Presidenti Trump ka mohuar që të kishte një marrëdhënie me zonjën Daniels dhe ka thënë se pagesa u bë për të ndalur akuza të rreme nga ana e saj.

Kongresi: “Putini nuk është i mirëseardhur në Uashington”

Liderët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke cituar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, thonë se nuk do të ftojnë presidentin rus Vladimir Putin për t’ju adresuar Kongresit nëse pranon që të organizohet samiti i radhës në mes dy presidentëve në Uashington.

Më 24 korrik, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe lideri i Senatit Mitch McConnell, refuzuan të kenë qasje miqësore ndaj Putinit dhe shprehën mospajtim për përkrahjen e Trumpit ndaj Putinit pas samitit në Helsinki.

Ryan dhe McConnell thanë se nuk kanë plane t’i kërkojnë Putinit t’i adresohet Kongresit – nderim që u bëhet liderëve të huaj.

“Ne natyrisht nuk do ta ftojmë atë për një fjalim të përbashkët”, tha Ryan. “Këtë e rezervojmë për aleatët”.

“E kemi bërë të qartë se Putin nuk është i mirëseardhur në Capitol”, tha McConnell.

Këto komente vijnë pas deklarimeve të Putinit që tha se është duke u menduar nëse duhet të zhvillojë një takim të ri me Trumpin.

Trumpi thotë se sërish mund të arrihet marrëveshje e re bërthamore me Iranin

Dy ditë pas polemikave e “kërcënimeve” të dyanshme nga ana e presidentit iranian Hassan Rouhani dhe presidentit amerikan Donald Trump, ky i fundit thotë se është i gatshëm për të negociuar një marrëveshje të re bërthamore me Teheranin.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por jemi të gatshëm për një marrëveshje të re, jo marrëveshjen që është arritur nga administrata e kaluar, që ishte një katastrofë”, tha Trumpi gjatë një fjalimi në Missouri.

Trumpi, disa ditë më parë kishte kërcënuar Teheranin me “pasoja të cilat janë vuajtur shumë pak në histori” pas kërcënimeve nga presidenti iranian ndaj Trumpit i cili i tha “të mos luajë me bishtin e luanit”.

Retorika e ashpër në mes dy presidentëve është rikujtim i kërcënimeve në mes të presidentit Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, vitin e kaluar. Pas përplasjeve të dyja palët negociuan një marrëveshje të re në një samit gjatë pranverës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis, ka refuzuar të komentojë kërcënimet e Trumpit ndaj Teheranit, por ka ngritur zërin ndaj veprimeve ttë Iranit në Lindjen e Mesme, duke përfshirë përkrahjen ndaj presidentit Bashar al-Assad.

Trump: Rusia do të ndihmojë demokratët në zgjedhjet e ardhshme

Presidenti i SHBA, Donald Trump, tha të martën se Rusia “do të përpiqet shumë për të ndihmuar demokratët” në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin, kundër kandidatëve republikanë të favorizuar prej tij.

Zoti Trump shkruante në Twitter se ai është “shumë i shqetësuar se Rusia do të luftojë fort për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme”.

Presidenti shkruante se bazuar në faktin që asnjë President nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se ai, “ata do të përpiqen shumë në favor të demokratëve. Ata në asnjë mënyrë nuk e duan Trumpin!”

Deklarimet e Presidentit Trump se Moska do të favorizonte demokratët në garat e 6 nëntorit për Kongresin, bie në kundërshtim me përfundimet e komunitetit të zbulimit amerikan se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të 2016-s për të ndihmuar kandidatin Trump të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Në samitin e javës së shkuar në Helsinki me Presidentin rus Vladimir Putin, Presidenti Trump duket se mbështeti mohimin e udhëheqësit rus që Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje dhe ia kundërvuri deklaratën e Putinit përfundimeve të zbulimit amerikan që thotë se Moska kishte ndërhyrë.

Pasi u kthye në Uashington, zoti Trump tha se ai mbështeste zyrtarët e tij të inteligjencës dhe përfundimin e tyre, shpesh duke i shtuar kësaj deklaratën e tij të zakonshme se fushata e tij nuk bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me rusët dhe se ndërhyrja ruse nuk pati efekt në rezultatin e zgjedhjeve.

Të dielën, megjithatë ai fajësoi ish-Presidentin Barak Obama për mos ndalimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, duke e quajtur këtë një sajesë të madhe.

Zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit thonë se Rusia po përpiqet përsëri të ndërhyjë në procesin zgjedhor amerikan në nëntor edhe pse zyrtarët e administratës Trump kanë premtuar se do të përpiqen ta ndalojnë këtë.

Republikanët kanë tani shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, por analistët politikë thonë se demokratët mund të marrin kontrollin e njërës ose të dyja dhomave në nëntor. Demokratëve u duhen dy vende për të patur shumicën e Senatit dhe 23 për Dhomën e Përfaqësuesve kur Kongresi i ri të fillojë punën në janar.

Edhe me kontrollin që kanë tani, republikanët kanë pasur vështirësi në miratimin e agjendës legjislative të Presidentit Trump dhe me gjasë do ta kenë edhe më të vështirë nëse demokratët fitojnë më shumë vota.

Nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës, kundërshtarët e Presidentit Trump mund të fillojnë hetime të shumta për administratën e tij dhe të hapin seanca dëgjimore për ta hequr atë nga Shtëpia e Bardhë.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller po vazhdon hetimin e tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s, duke hetuar gjithashtu nëse fushata Trump ka bashkëpunuar fshehtazi me Moskën.

Zoti Mueller ngriti akuza së fundmi ndaj 12 zyrtarëve të inteligjencës ushtarake ruse për piraterimin e kompjuterave të komitetit demokrat kombëtar.

Përdorimi i internetit nga agjentët rusë

Në epokën para Internetit, spiunët përballeshin me më shumë sfida se tani në përpjekjet e tyre për të depërtuar në qarqet politike perëndimore, për të mbledhur informacione, për të identifikuar rekrutë potencialë, për të marrë ndihmën e simpatizantëve dhe për të ngritur operacione aktive, si ndërhyrja në zgjedhjet e një vendi të huaj.

Tani ata përfitojnë nga mediat sociale si Facebook dhe LinkedIn për të zgjeruar kontaktet e tyre, thonë ish-zyrtarët dhe zyrtarët e shërbimeve inteligjente amerikane dhe britanike.

Qeveritë perëndimore akuzojnë shërbimet e zbulimit rus për shfrytëzim të gjerë për qëllime propaganduese të platformave të mediave sociale, ku ata mund të përhapin “lajme të rreme”, acarojnë grindjet politike në shtetet kundërshtare dhe ndërmarrin fushata të ndikimit në përpjekje për të ndryshuar opinionin publik perëndimor. Por spiunët rusë, në krahasim me trollët (përdoruesit e internetit që bëjnë komente për të avancuar synimet e tyre), janë duke përdorur faqet e rrjeteve në mënyra shumë më të sofistikuara për të depërtuar në qarqet politike perëndimore.

Maria Butina, që dyshohet se është spiune ruse, të cilën prokurorët amerikanë besojnë se e kanë demaskuar, është një mësim se si mediat sociale mund të ndihmojnë operacionet e fshehta të ndikimit, jo vetëm në platforma propaganduese që synojnë të lëkundin ose të shtrembërojnë opinionin publik, tha një zyrtar amerikan i kundër-zbulimit i cili kërkoi që emri i tij të mos identifikohej në këtë artikull.

Në epokën para Internet-it, agjentët rusë kishin për objektiv organizatat dhe ambasadat të cilat organizonin konferenca, diskutime dhe prezantonin raporte dhe analiza mbi çështje të ndryshme politike, ekonomike etj. Por tani ata mund të kombinojnë praninë fizike me atë virtuale. “Butina po përdorte metodën e vjetër, duke u paraqitur në ngjarje politike, duke vendosur kontakte dhe pastaj duke u miqësuar me ta në Facebook ose LinkedIn dhe anasjelltas. Platformat e mediave sociale janë të dobishme në krijimin e rrjeteve të miqësisë,” shton ai.

Butina, 29 vjeç, u akuzua javën e kaluar se ka vepruar si agjente për Kremlinin në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë pohon se ajo ishte në kontakt të rregullt me shërbimet e inteligjencës ruse. Ajo është akuzuar për komplot për të vepruar në emër të qeverisë ruse dhe mos regjistrim si agjente e huaj. Ajo nuk është akuzuar zyrtarisht për spiunazh, pasi ka shumë të ngjarë që roli i saj nuk ishte vjedhja e sekreteve shtetërore dhe ushtarake, por krijimi i kontakteve në qarqet politike amerikane në mënyrë që ato t’i shërbenin qëllimeve të politikës së jashtme të Rusisë, duke përfshirë thellimin e ndarjeve partiake në vendet perëndimore dhe krijimin e rrugëve për ndikim.

Prokurorët federalë akuzojnë Butinën për komplot me dy shtetas amerikanë, me njërin prej të cilëve ajo ka bashkëjetuar, dhe një zyrtar të lartë rus për të ndikuar në politikën amerikane ndaj Rusisë duke infiltruar grupin që promovon të drejtën e armëmbajtjes, Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me ndikim në administratën e Presidentit Trump.

Prokurorët amerikanë pohojnë në një memorandum të dorëzuar në gjykatë në mbështetje të kërkesës për ta mbajtur në paraburgim Butinën, se aktivistja ruse për të drejtat e armëve “ka ruajtur informacionet e kontaktit të individëve të identifikuar si punonjës të FSB-së (shërbimit rus të zbulimit) ruse”. Përveç kësaj, prokurorët pretendojnë se FBI-ja kishte vëzhguar Butinën kur ajo ishte takuar për darkë private me një diplomat rus, të cilin qeveria amerikane e dëboi në mars të vitit 2018 për dyshimin se ishte oficer rus i kundërzbulimit.

Në dokumentet gjyqësore të dorëzuara nga prokurorët amerikanë javën e kaluar nuk është e qartë nëse operacioni i saj ishte nisur nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë, FSB-ja, apo nga miku i saj, Aleksandër Torshin, një bankier rus, si një mënyrë për të promovuar veten brenda administratës së Kremlinit, me një përfshirje të mëvonshme të FSB-së.

Një ish oficer britanik i kundërzbulimit thotë se ky është një dallim i pa rëndësishëm në administratën e Kremlinit të mbushur me të ashtuquajturit policë siloviki, oficerë të inteligjencës ruse, të cilët kanë lënë zyrtarisht agjencitë e sigurisë por që ende konsiderohen si të aktivizuar nga zyrtarët e inteligjencës perëndimore. Shumë prej tyre mbajnë poste të larta në qeverinë e udhëheqësit rus Vladimir Putin, i cili vetë dikur ka qenë oficer i KGB-së.

Ndër teknikat më tradicionale që pohohet se Butina përdorte është edhe ofrimi i marrëdhënieve seksuale me politikanët dhe lobistët e Uashingtonit, në një rast, sipas prokurorëve amerikanë, në përpjekje për të siguruar një vend pune në një organizatë amerikane me interes të veçantë për të. Ajo jetoi dy herë me një operativ politik republikan të moshës së saj. Sipas mediave amerikane bëhet fjalë për lobistin Paul Erickson. Megjithatë, ajo hoqi dorë nga bashkëjetesa, dhe sipas prokurorëve ajo e trajtoi marrëdhënien “thjesht si një aspekt të domosdoshëm të aktiviteteve të saj”.

Butina nuk ka pranuar fajësinë. Avokati i saj, Robert Driscoll, thotë se ajo thjeshtë po përpiqej të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë së Vladimir Putinit. Dhe ai e mohon se ajo është spiune, duke i thënë kanalit televiziv CNN të premten se shumica e veprimeve të saj “është marrë tërësisht jashtë kontekstit”.

Butina, e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara në 2014 me një vizë studentore, krijoi një grup për promovimin e armëmbajtjes në Rusi të quajtur “E drejta për armëmbajtje”. Sipas prokurorëve amerikanë, krijimi i këtij grupi ishte planifikuar me durim nga bankieri Torshin për të infiltruar Shoqatën Amerikane të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me synim përfundimtar depërtimin në qarqet politike amerikane.

Gazetari Michael Isikoff i agjencisë Yahoo News ka studiuar metodat e përdorura nga Butina. Ai së bashku me autorin David Corn kanë shkruar librin “Ruleta ruse: Lufta e Putinit në Amerikë dhe zgjedhja e Donald Trump-it” dhe ka ndjekur nga afër aktivitetet e Butinës.

Isikoff thotë se Butina dhe Torshini po bënin përpjekje për të ndikuar organizatat politike konservatore amerikane. Në një intervistë për radion publike amerikane, NPR ai tha: “Siç e kemi përmendur edhe në libër, një lobist republikan tregon se si iu afrua Butinës në një konferencë të grupit Konferenca e Veprimit Politik Konservator, CPAC, dhe ishte befasuar nga mënyra se si ajo ishte e kujdesshme, se si ajo donte të qëndronte në kontakt me të dhe donte të bëhej mike e tij në Facebook. Ky është një zotëri disi i moshuar, i pastër, nuk ishte mësuar me këtë vëmendje nga një grua e bukur ruse”.

Përdorimi i platformave të mediave sociale mund të shoqërohet me rreziqe. Nëse jeni shumë aktiv në Facebook, ju mund të rrisni mundësinë e tërheqjes së vëmendjes së agjentëve të kundërzbulimit dhe të gazetarëve. Në një shkëmbim elektronik me Zërin e Amerikës, Isikoff vuri në dukje se ai u bë mik i Butinës në Facebook në mënyrë që të mund ta kontaktonte atë për një intervistë.

Një zyrtar amerikan i kundërzbulimit thotë se Butina tërhoqi vëmendjen e të tjerëve si me praninë e saj në mediat sociale ashtu edhe me praninë e saj fizike. Ajo madje u thirr për të dëshmuar më parë këtë vit nga Komisioni Senatit për Inteligjencën, ku, sipas kanalit televiziv CNN, ajo zbuloi se aktivizmi i saj për armëmbajtjen kishte marrë fonde nga miliarderi rus Konstantin Nikolaev, një oligark tjetër i lidhur me Kremlinin.

Rasti i Butinës po hedh më shumë dritë mbi fushatën e sofistikuar dhe shkatërruese të ndikimit rus në Shtetet e Bashkuara dhe në Perëndim, dhe se si Kremlini ka vënë në shënjestër të dyja anët e spektrit politik, thonë zyrtarët perëndimorë. Në kohët e Bashkimit Sovjetik, Moska përqëndrohej në partitë e ekstremit të majtë dhe në grupet e çarmatimit bërthamor, por siç theksohet në raportin e vitit 2014 të organizatës Political Capital me seli në Budapest, Kremlini në vitet e fundit është bërë më i sofistikuar, duke vënë në shënjestër si lëvizjet populiste të spektrit të djathtë ashtu edhe atij të majtë në vendet perëndimore.

Natyra politikisht dinake e fushatave të zbulimit dhe ndikimit rus u shfaq në mënyrë dramatike gjatë kremtimit të 10 vjetorit të transmetuesit RT (Russia Today ose Rusia Sot) të financuar nga Kremlini në dhjetor të vitit 2015. Në këtë aktivitet mori pjesë Jill Stein, kryetarja e Partisë së Gjelbër në Shtetet e Bashkuara. Në këtë ceremoni, në të njejtën tavolinë ku ishte ulur Presidenti rus Vladimir Putin, ishte ulur edhe gjenerali amerikan Mike Flynn, i cili shërbeu shkurtimisht si këshilltar i sigurisë kombëtare për Presidentin Donald Trump. Më vonë ndaj Gjeneralit Flynn u ngritën akuza se kishte gënjyer FBI-në për kontaktet që kishte me zyrtarët rusë gjatë fazës së tranzicionit presidencial të zotit Trump.

SHBA, Konferencë mbi lirinë e besimit në DASH

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka organizuar konferencën e parë të Shteteve të Bashkuara mbi lirinë e besimit, duke mbledhur në Uashington zyrtarë qeverish, udhëheqës fetarë, aktivistë për të drejtat civile dhe pjesëtarë të shoqërisë civile nga e gjithë bota.

Zoti Pompeo tha për faqen elektronike të Vatikanit se misioni i takimit që filloi të martën është “shumë i drejtpërdrejtë dhe i rëndësishëm”. Ai tha se synimi është “të përhapet fjala për rëndësinë e lirisë së besimit për çdo individ në botë”.

“Njerëz të të gjitha besimeve duhet të kenë të drejtën të ushtrojnë besimin e tyre ashtu si zgjedhin, ose të mos ushtrojnë një besim fetar nëse nuk duan,” tha zoti Pompeo.

Sekretari i Shtetit tha se në Uashington janë ftuar 40 ministra të jashtëm për konferencën tri-ditëshe. Ky është numri më i madh i shefave të diplomacisë të mbledhur ndonjëherë në Departamentin e Shtetit.

Siç u shpreh zoti Pompeo, administrata Trump sheh një lidhje të thellë mes lirisë së besimit, të drejtave të njeriut dhe interesave ekonomike.

“Kur njerëzve u jepet mundësia të veprojnë lirisht për sa i përket besimit, ata kanë aftësinë të arrijnë vepra madhore. Investitorët preferojnë vende ku ka liri të gjerë feje. Ata i shohin vendet me liri fetare si vende më të hapura dhe më pak të rrezikshme,” tha Sekretari i Shtetit, Pompeo.

Në një intervistë për Rrjetin e Transmetimeve të Krishtera, zoti Pompeo tha se konferenca do të dalë me një numër nismash që do të njoftohen gjatë punimeve.

Trumpi shqyrton t’ua heqë autorizimin formal ish-zyrtarëve të Obamës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është duke shqyrtuar t’ua heqë autorizimin formal gjashtë ish-zyrtarëve të inteligjencës dhe të sundimit të ligjit, të cilët kritikojnë shpesh presidentin, tha Shtëpia e Bardhë.

Të gjashtit i përkasin administratës së ish-presidentit Barack Obama dhe përfshijnë: ish-drejtorin e CIA-s, John Brennan, ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, ish-drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, ish-drejtoin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Michael Hayden, ish-këshilltaren e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Susan Rice, dhe ish-zëvendësdrejtorin e FBI-së, Andrew McCabe.

Brennan ka kritikuar ashpër takimin e Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin, javën e kaluar, duke e cilësuar konferencën e tyre të përbashkët për media si “asgjë më pak se tradhti”.

Kjo, pasi Trump ka hedhur dyshime mbi konstatimet e agjencive amerikane të inteligjencës se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, dhe ka pranuar mohimin e Putinit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se Trump është duke shqyrtuar mekanizmat për t’iu hequr autorizimin të gjashtë zyrtarëve.

Ajo tha se ish-zyrtarët kanë bërë akuza të pabaza për kontakte të papërshtatshme me Rusinë.

Autorizimi zyrtar është një status që u mundëson individëve qasje në informacione të klasifikuara.

Reagimi i Trumpit ndaj kritikëve është njëjtë si “totalitarizmi”, shkroi senatori demokrat, Mazie Hirono, në Twitter.

Luftë fjalësh ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi presidentin iranian, Hassan Rouhani, që “asnjëherë të mos kërcënojë Shtetet e Bashkuara”, në një koment në twitter, pak kohë pasi që sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, mbajti një fjalim kritik ndaj udhëheqësve të Iranit.

“Për presidentin iranian, Rouhani: Kurrë më mos i kërcënoni Shtetet e Bashkuara, ose do të përballeni me pasoja çfarë kanë pësuar shumë pak deri tash në histori. Nuk jemi më vendi që do të rrijë duarkryq përballë fjalëve tuaja të marra të dhunës e vdekjes. Kujdes”, shkroi presidenti Trump të dielën vonë.

Ai u është përgjigjur kësisoj raportimeve të së dielës që citonin presidentin iranian Rouhani të ketë paralajmëruar presidentin Trump, “që të mos luaj me bishtin e luanit”.

“Amerika duhet ta kuptojë mirë se paqja me Iranin është nëna e paqes dhe lufta me Iranin është nëna e të gjitha luftërave”, citohet të ketë thënë ai.

Sekretari Pompeo, tha gjatë një fjalimi në Kaliforni se qeveria e Iranit është shndërruar në makth për qytetarët e Iranit.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë frikë që të ushtrojnë trysni mbi qeverinë iranianë në nivelin më të lartë, duke u bërë thirrje aleatëve të Shteteve të Bashkuara që t’i bashkohen trysnisë financiare mbi qeverinë e Teheranit.

“Kjo vlen posaçërisht për aleatët në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, qytetarët e të cilëve janë terrorizuar nga veprimtaritë e dhunshme të regjimit për dekada të tëra”, tha sekretari Pompeo.

Ai tha se administrata e presidentit Trump, nuk do të heshtë përballë, siç tha ai, krimeve dhe shkeljeve të shumta të qeverisë iraniane.

Kjo përfshinë kleptokracinë, thaë sekretari Pompeo, duke nënvizuar se ata në krye kanë shpenzuar mirëqenien e njerëzve në terrorizëm e vjedhje dhe në zellin për të përhapur revolucionin islamik në vende të tjera.

Sekretari Pompeo tha se ekonomia e Iranit “është e shkëlqyer”, por vetëm për elitën, duke akuzuar ajatollahët dhe udhëheqësit e lartë për mbushje të xhepave të tyre me miliarda dollarë, ndërsa një e treta e iranianëve jetojnë në varfëri.

“Gjykuar nga pasuria e tyre e madhe, ata duken më të shqetësuar me pasuritë sesa me besimin”, tha ai. “Këta njerëz të shenjtë hipokritë kanë ngritur të gjitha llojet e skemave mashtruese që të bëhen disa prej burrave më të pasur në botë, ndërsa njerëzit e tyre vuajnë”.

Derisa sekretari Pompeo po fliste për mungesën e lirisë së shprehjes në Iran, ndërpre nga një protestues. Sekretari qëndroi i qetë para se të theksonte se iranianët duhet të kenë të njëjtën liri të shprehjes.

Sekretari njoftoi gjithashtu se BBG, që mbikëqyrë Zërin e Amerikës, po ndërmerr hapa të rinj për t’i ndihmuar iranianët të shmangin censurën e internetit. BBG gjithashtu po hap një kanal të ri 24 orësh në gjuhën farsi në televizion, radio dhe rrjetet sociale.

Ai tha se synimi i Shteteve të Bashkuara është që të shohë iranianët të jetojnë brenda vendit të tyre njësoj sikurse edhe iranianët ne Shtetet e Bashkuara.

Me vështrim nga Marsi, kujtohet 50-vjetori i vizitës së parë në Hënë

Në Qendrën e Hapësirës Kennedy, në Florida u mbajt një ceremoni që shënoi fillimin e festimeve me rastin e 50 vjetorit të zbritjes së njeriut të parë në Hënë.

Në ceremoni folën një numër astronautës dhe më pas ajo vijoi me dhënien e medaljeve për punonjës të NASA-s dhe njerëzit më të shquar të fushës së hapësirës.

Pjesë e festimeve këtë 50-vjetor të vizitës së parë në Hënë, është edhe një ankand për artikuj të hapësirës, që i përkasin astonautëve amerikanëç në këta 50 vjet histori të industrisë së hapësirës.

Në mesin e qindra pjesëmarrësve në ceremoni ndodheshin emra të njohur të hapësirës dhe të shkencave që e studjojnë atë, si fizikani i njohur britanik Brian Cox.

Ish drejtori i qendrës së hapësirës Kennedy Gerry Griffin, i cili pati drejtuar të gjitha ekipet e misioneve Apollo, U nderua me medaljen e pinonierit në fushën e hapësirës. Ai tha se hapi i ardhshëm për NASË-n ka për të qenë kthimi i amerikanëve në Hënë dhe vizita në planetin Mars.

Trumpi shpreh përsëri bindjen se fushata e tij më 2016 ishte përgjuar

Presidenti Donald Trump tha të dielën se dokumetet e bëra publike kohët e fundit lidhur me origjinën e një hetimi ndaj një ish ndihmësi të tij për lidhje të mundshme me Rusinë e përforcojnë më tej thënien e tij se hetuesit e qeverisë amerikane përgjonin fushatën e tij elektorale të vitit 2016.

Në një koment në Twitter, presidenti shkruante se dokumentet provojnë se “Departementi i Drejtësisë dhe FBI-ja e çorjentuan gjykatën, një “gjueti shtrigash me mashtrime”, – shkruante presidenti.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1020978929736265729

Nuk është e qartë arsyeja përse Trump mendon se Gjykata e Survejimit të Zbulimit të Huaj ishte çorjentuar në përgjimet e qeverisë në vitin 2016, dhe vitin e kaluar, me ardhjen e tij në pushtet, për të regjistruar dhe përgjuar ish ndihmësin e tij Carter Page.

Senatori republikan Marco Rubio, rivali i zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2016, i tha CNN-it se nuk mendonte që FBI-ja kishte bërë diçka të gabuar, duke survejuar zotin Page.

FBI pati thënë në tetor të vitit 2016 se “dyshohej që Page kishte qenë objekt rekritimi nga qeveria ruse”.

Ndaj zotit Page, i cili prej një kohe të gjatë ka mohuar të ketë qenë agjent rus, nuk janë ngritur akuza kriminale.

Të dielën ai pranoi në një intervistë për CNN-in, se i kishte dhënë këshilla Kremlinit për energjinë në një konferencë të vitit 2013 në Rusi dhe se pati mbajtur atje një fjalim në vitin 2016, me rastin e diplomimit të studentëve.

Por ai hodhi poshtë si “qesharake” çdo akuzë se ai i kishte shërbyer si agjent Moskës. “Është qesharake, unë nuk kam qenë kurrë agjent i ndonjë shteti të huaj”, tha Page.

Përgjimet nga FBI-ja u provuan në katër raste nga gjykatësit e emëruar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë të SHBA, John Roberts. Trump dhe aleatët e tij republikanë në Kongres, thonë, se vendimi i FBI-së për të kryer përgjimet ishte mbështetur tek një dosje mbi lidhjet e zotit Trump me Rusinë, e hartuar nga Christopher Steele, një ish agjent britanik, i paguar nga fushata e rivales demokrate të Donald Trumpit, Hillary Clinton.

Por dokumentet e publikuara të shtunën me kërkesën e disa mediave, zbulojnë se FBI-ja nuk ishte bazuar shumë tek dosja e zotit Steele.

Pushteti presidencial, çështje kyçe në betejën për postin e Gjykatës së Lartë

Kandidati i Presidentit Donald Trump për Gjykatën e Lartë, gjykatësi Brett Kavanaugh, mund të përballet me pyetje të ashpra në seancën për konfirmimin e tij në javët e ardhshme. Një nga drejtimet ku pritet që t’i bëhet më shumë presion, është pikëpamja e tij për kompetencat e Presidentit që ai mendon se duhet të jenë shumë të gjera. Është një aspekt ku pritet që demokratët të përqendrohen në lidhje me hetimin për Rusinë.

“Është nder dhe privilegj të njoftoj se do të emëroj gjykatësin Brett Kavanaugh për postin e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara”.

Kur u emërua nga Presidenti Trump, zoti Kavanaugh premtoi se do të sillte në gjykatë një mënyrë të menduari të pavarur.

“Unë besoj se një sistem gjyqësor i pavarur është gur themeli në republikën tonë kushtetuese. Nëse konfirmohem nga senati, do të mbaj një mendje të hapur në çdo rast dhe gjithmonë do të përpiqem që të respektoj kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe shtetin ligjor amerikan”.

Megjithatë demokratët kanë premtuar që ta kundërshtojnë emërimin e zotit Kavanaugh, të shqetësuar se pikëpamjet e tij konservatore mund ta ndyshojnë prirjen e Gjykatës së Lartë nga e djathta për një brez të tërë:

“Zoti president, ndjehem i nderuar që ju kam shërbyer ju dhe presidencës për pesë vjet e gjysëm”.

Demokratët në veçanti kanë shprehur shqetësim për pikëpamjen e zotit Kavanaugh për kompetenca të gjera presidenciale, që e ka burimin tek puna e tij për Presidentin George W. Bush.

Udhëheqësi i demokratëve në senat, Chuck Schumer:

“Zoti Kavanaugh jo vetëm që ka thënë që presidenti nuk mund të detyrohet të merret në pyetje, por që një president nuk duhet të hetohet. Zoti Kavanaugh, a është presidenti mbi ligjin?”

Zoti Kavanaugh ka shkruar se presidentëve nuk duhet t’u tërhiqet vëmendja nga hetime civile ose penale.

Eksperti ligjor Jonathan Turley ka një pikëpamje të gjerë për kompetencat presidenciale:

“Qëndrimi që i vjen më natyrshëm zotit Kavanaugh është neni II i Kushtetutës për kompetencat e Presidentit. Ai ka prirjen që të mendojë se presidentët duhet të kenë shumë pushtet. Kjo vetëm do ta ndihmonte Presidentin Trump nëse çështja shkon para gjykatës. Por kjo është filozofia e tij. Nuk do të thotë se është i njëanshëm”.

Pikëpamja e zotit Kavanaugh i shqetëson aktivistët liberale si Drew Courtney:

“Brett Kavanaugh ka një këndvështrim të frikshëm për pushtetin presidencial dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme po të kesh parasysh hetimet që po bëhen aktualisht”.

Nuk ka dyshim që zoti Kavanaugh do të pyetet intensivisht për këtë çështje gjatë seancës së konfirmimit, veçanërisht duke pasur parasysh hetimin për lidhjet me Rusinë, thotë analistja ligjore, Kate Shaw.

“Prandaj, nëse për shembull presidenti vendos që të mos e bëjë intervistën dhe prokurori i posaçëm, Mueller përpiqet ta detyrojë ligjërisht presidentin, është një pyetje e hapur nëse mund ta bësh një gjë të tillë me një president në detyrë dhe kjo çështje mund të përfundojë shumë shpejt në Gjykatën e Lartë nëse ka një luftë ligjore lidhur me të”.

Aleatët republikanë të zotit Kavanaugh thonë se janë të përgatitur për një sërë sulmesh lidhur me karrierën e tij, përfshirë udhëheqësin e shumicës në Senat, Mitch McConnell.

“Kjo përpjekje e ulët politike për nxitje frike është ofendim për zgjuarsinë e popullit amerikan sepse amerikanët e kuptojnë ndryshimin mes një posti politik dhe një posti juridik”.

Konfirmimi i zotit Kavanaugh kërkon një shumicë votash në Senat ku republikanët kanë një epërsi të lehtë 51 me 49.

Strategjia amerikane për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e ardhshme

Zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara janë më pak se katër muaj larg. Zyrtarët po marrin masa për të parandaluar një përsëritje të ndërhyrjes ruse, të diktuar nga shërbimet amerikane të zbulimit gjatë zgjedhjeve të 2016-ës. Siç njofton korrespondentja Carrolyn Presutti, ndër këto masa është edhe një sistem që lajmëron publikun për ndërhyrjet e huaja:

Asgjë nuk është më e shenjtë për demokracinë, se sa zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Votuesit vijnë me besimin se vota e tyre ka rëndësi. Por, kjo premisë është sulmuar që kur u zbulua se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e 2016-ës. Ligjvënësit thonë se pjesa e parë e strategjisë është fillimi i sanksioneve.

“I kemi vendosur sanksione Rusisë, si një mënyrë që të mbajë përgjegjësinë. Për më tepër, po sigurohemi që mos ta përsërisin dot”, tha Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Por, koha nuk premton. Po afrohen me shpejtësi zgjedhjet e mesmandatit që mbahen në muajin nëntor, kur votuesit gjykojnë për punën e një presidenti të ri, duke ruajtur, apo duke zëvendësuar ligjvënësit në Kongres.

“Ky amendament është reagimi ynë, në partneritet me shtetet amerikane, për t’i përplasur derën në fytyrë ariut rus, apo çdo rreziku tjetër që synon të godasë integritetin e zgjedhjeve tona”, tha Ligjvënësi demokrat Steny Hoyer.

Departamenti i Drejtësisë po paralajmëron tashmë publikun për ndërhyrjen e huaj në procesin zgjedhor. Në thelb të strategjisë është vigjilenca e votuesve. Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein, thotë se keqbërësit kibernetikë vendosën në objektiv 21 shtete amerikane gjatë zgjedhjeve të fundit.

“Nuk kemi prova se ndonjë qeveri e huaj ja doli mbanë të ndryshojë votën, por rreziku është real”, deklaroi zoti Rosenstein.

Ndërkaq, kritikët e administratës fajësojnë Presidentin Trump për faktin që nuk krijoi një task force të posaçme, apo që nuk emëroi një drejtor të sigurisë kibernetike. Analistja Elaine Kamarck flet për rreziqet që sjell mosveprimi…

“…Do të na kontrollonte Rusia. Duke patur njerëz të cilët, me apo pa ndërgjegje, i janë mirënjohës një fuqie të huaj që nuk beson tek demokracia”, thotë ajo.

Presidenti Trump thotë se administrata e tij po bën gjithçka të mundshme për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet që vijnë. Kanë mbetur, megjithatë vetëm 100 ditë për të ndërtuar strategjitë për këtë qëllim.

FBI publikon dokumentet rreth hetimeve për përfshirjen ruse në zgjedhje

Byroja e Hetimeve Federale (FBI) ka publikuar dokumente që lidhen me përgjimet e fushatës së këshilltarit të Donad Trumpit për dyshimet mbi ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.

Raporti voluminoz me 412 faqe,i referohet Carter Page, që dyshohet se kishte bashkëpunuar me qeverinë ruse. Dokumentet u bën publike pas presionit nga shumë media.

FBI po ashtu raportoi se beson që Page ishte cak i rekrutimeve nga qeveria ruse.

Page ka mohuar deklarimet se ishte agjent rus dhe nuk është dënuar për asnjë krim. Ai la fushatën e Trumpit në shtator të vitit 2016 pas raportimeve të takimeve të tij me rusët.

Steve Bannon: Në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, një fondacion për të promovuar “një kryengritje populliste” në Evropë

VOAL – Steve Bannon, ish-strateg i Shtëpisë së Bardhë i Donald Trumpit, ka një plan për të ndikuar në zgjedhjet e Parlamentit Europian pranverën e ardhshme dhe votimin e ardhshëm në vende të ndryshme të BE-së: ndërtimin e një fondacioni në kontinentin e vjetër me qëllim promovimin e një “kryengritje populiste”. Ish-mbrojtësi i revistës së krahut të djathtë Breitbart e zbuloi atë tek “Beast Daily”, duke shpjeguar se si Matteo Salvini është një model për të ndjekur partnerët e ardhshëm të organizatës së tij jofitimprurëse. Kjo do të quhet Lëvizja dhe do të ketë detyrën për të mbështetur grupe të ndryshme anembanë Evropës që janë ende të paorganizuara.
“Italia është zemra rrahëse e politikës moderne”, tha Bannon, “dhe nëse punon këtu mund të punojë kudo”. ansa

Vritet mjeku i ish presidentit George H Bush

VOAL – Shok në Houston, Texas, ku ish-mjeku i presidentit të SHBA Xhorxh H. Bush u vra ndërsa ngiste biçikletën e tij me dy të shtëna me armë të gjuajtura nga një çiklist që erdhi në drejtimin e kundërt.
Incidenti ndodhi pikërisht në rrugën e biçikletës përballë Qendrës Mjekësore të Teksasit, ku Bush është shtruar disa herë.
Kardiologu Mark Hausknecht, 65 vjeç, do të shkonte në punonte si zakonisht kur takoi një çiklist tjetër në një biçikletë malore që, sipas përshkrimit të parë, është një rreth 30 vjeçar hispanik. Vrasësi, me kapelë bejsbolli, pastaj mori kthesë dhe u largua menjëherë. Motivi për vrasjen është ende i panjohur. Policia ka shpjeguar se po heton në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe atë të një grindjeje. Ndërkohë, familja Bush ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së mjekut të vrarë. Ansa

SHBA: Drejtori i Inteligjencës mbron deklarimet e tij ndaj presidentit Trump

Drejtori i Intelegjencës së Shteteve të Bashkuara, tha se nuk ka menduar të mos tregojë respekt ndaj vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Shtëpinë e Bardhë. Dan Coats, më 21 korrik, lëshoi një njoftim për media pas raportimeve se Trumpi ishte zemëruar me një intervistë të tij, në të cilën ai qeshte dhe gjuante me fjalë presidentin.

“Disa media kanë shtrembëruar qëllimet e mija gjatë intervistës sime. Qëllimi ime nuk ka qenë të jem i pasjellshëm ose të kritikojë veprimet e presidentit”, thuhet në njoftim.

“Unë dhe gjihe ekipi jemi të vendosur për të ofruar inteligjencën më të mirë në përkrahje të presidentit Trump, e sidomos tani në ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhje”, tha Coast.

Në intervistën televizive, 75 vjeçari tha se shpreson që Trumpi nuk do të takohej sy më sy me Putinin dhe shprehi dëshpërim që Trump publikisht injoroi agjencitë e inteligjencës në SHBA. rel

A duhet të dëshmojë përkthyesja e Presidentit?

Në SHBA, ligjvënësit demokratë po përpiqen të detyrojnë një përkthyese të qeverisë për të dëshmuar rreth asaj që është diskutuar gjatë takimit kokë më kokë të Presidentit Donald Trump me udhëheqësin rus Vladimir Putin në Helsinki, megjithëse analistët ligjorë thonë se kjo nuk ka gjasa të ndodhë – përveç rastit nëse vetë presidenti e lejon këtë.

Trump dhe Putin u takuan privatisht për më shumë se dy orë të hënën në Helsinki.

Në takim ishin të pranishëm vetëm përkthyesit dhe hollësitë e asaj që u diskutua mbeten të panjohura.

Demokratët duan ta detyrojnë përkthyesen e qeverisë, Marina Gross, të dëshmojë përpara ligjvënësve, ndërkohë që republikanët po e bllokojnë përpjekjet e tyre.

Thirrja që përkthyesja të dëshmojë ngre pikëpyetje në lidhje me ligjshmërinë, privilegjin ekzekutiv dhe kodin etik për përkthyesit, të cilët krenohen me konfidencialitetin dhe me besimin që u jepet.

“Nuk ka asnjë precedent për të kërkuar që përkthyesja të detyrohet të dëshmojë,” tha për Zërin e Amerikës studiuesi William Pomeranz.

Pomeranz, i cili është zëvendës drejtor i Institutit Kennan për Studimet e Avancuara Ruse të Qendrës Woodrow Wilson në Uashington, tha se ai nuk pret që përkthyesja të merret në pyetje nga Kongresi “veçanërisht për shkak se vetë synimi i takimit Trump-Putin ishte që të ishte një bisedë jashtë protokollit”.

Rosenstein mbron ndjekjen penale të agjentëve të huaj

Zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara, që po mbikëqyr hetimin lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, i ka dalë në mbrojtje procesit të ndjekjes penale të agjentëve të huaj, të cilët mund të mos dalin kurrë përpara një gjykate amerikane.

Duke folur të enjten në një forum për sigurinë në Kolorado, zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein tha se shtrirja e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara nuk duhet të nënvlerësohet.

Ka shumë njerëz që mendonin se ishin të sigurt nën mbrojtjen e qeverive të huaja, kur kryen krime kundër Amerikës, por më vonë e kanë gjetur veten në burgjet amerikane”, tha ai.

Një javë më parë, zoti Rosenstein njoftoi akt-padinë e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller ndaj 12 shtetasve rusë për akuza që lidhen me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

SHBA: Jo referundimit në Ukrainën lindore

Ukraine

Zëdhënënësi i Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Shtëpinë e Bardhë Garrett Marquis tha se administrata nuk e ka marrë në konsideratë propozimin e Moskës për mbajtjen e një referendumi në Ukrainën lindore.

Marrëveshjet e Minskut janë procesi për zgjidhjen e konfliktit në Donbas dhe këto marrëveshje nuk përfshijnë ndonjë mundësi për referendum. Për më tepër, organizimi i një të ashtuquajturi referendum, në një pjesë të Ukrainës që nuk është nën kontrollin e qeverisë, nuk do të kishte legjitimitet“, tha Garrett Marquis.

Komemente vijnë pasi të premten ambasadori rus në Uashington tha se Presidenti rus Vladimir Putin i kishte bërë një ofertë konkrete për Ukrainën homologut të tij amerikan Donald Trump.

Ky problem është diskutuar dhe janë bërë propozime konkrete për mënyrën e zgjidhjes së kësaj çështjeje“, tha Anatoli Antonov, duke iu referuar konfliktit katër-vjeçar.

Zoti Antonov foli pasi kompania mediatike Bloomberg njoftoi të enjten se në takimin e nivelit të lartë të Helsinkit zoti Putin kishte bëri thirrje për mbajtjen e një referendumi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në rajonet e shkëputura të Ukrainës ato të Donetskut dhe Luganskut (pjesë e rajonit të Donbasit) , të cilat kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Duke cituar zyrtarët që morën pjesë në takimet e mbyllura të zotit Putin me diplomatë rusë të enjten, Bloomberg raportoi se zoti Trump i kishte kërkuar presidentit rus të mos e publikonte idenë e referendumit pas samitit të së hënës, për t’i dhënë kohë udhëheqësit amerikan ta vlerësonte atë.

Megjithatë zoti Antonov mohoi që zoti Putin të kishte bërë ndonjë marrëveshje sekrete me zotin Trump në samitin që ka krijuar një stuhi politike në Shtetet e Bashkuara.

Coats: Kërcënimi i Rusisë ndaj SHBA vazhdon

Drejtori i Zbulimit Kombëtar amerikan, Dan Coats tha se kërcënimi i Rusisë ndaj Shteteve të Bashkuara vazhdon dhe se duhet të ndërmerren masa për të parandaluar një ndërhyrje ruse në zgjedhjet e këtij viti për Kongresin.

Duke folur në Kolorado, zoti Coats tha se është e pamohueshme që rusët qëndrojnë në krye të sulmeve kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara si dhe të përpjekjeve për të përçarë SHBA nga aleatët, duke minuar vlerat bazë të vendit.

Ai tha gjithashtu se nuk ka dyshim që presidenti rus Vladimir Putin është drejtpërdrejt përgjegjës për këto veprime.

Zoti Coats pranoi se ishte befasuar nga lajmi se zoti Putin ishte ftuar të vizitonte Shtëpinë e Bardhë.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar tha se agjencitë amerikane të inteligjencës do të shohin se çfarë rreziqesh të mundshme do të paraqiste një vizitë e tillë dhe do t’ia ofronte informacionin presidentit Trump.

Pompeo: Rusia do të përpiqet t’i minojë demokracitë perëndimore

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se beson që Rusia do të përpiqet t’i minojë demokracitë në gjithë botën në të ardhmen e afërt.

“Është përgjegjësia jonë si udhëheqës të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të bëjmë gjithçka të mundur për ta penguar ndërhyrjen e saj, jo vetëm në zgjedhjet tona, por edhe më gjerë”, tha Pompeo në një intervistë për Fox News.

Komentet e tij vijnë pak ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, takoi presidentin rus, Vladimir Putin, në Helsinki.

Trump shkaktoi zemërim në Uashington pasi në konferencën e përbashkët për media me Putinin, ai refuzoi të mbështesë vlerësimin e agjencive amerikane të inteligjencës se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Trump më pas tha se është keqinterpretuar.

“Presidenti e di se çfarë ka bërë Rusia në zgjedhjet tona më 2016 dhe ai ka kërkuar nga secili prej nesh që të sigurohemi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë sërish në zgjedhjet e vitit 2018 apo 2020, këtu në SHBA”, tha Pompeo, i cili ka shërbyer si drejtor i CIA-s përpara se të dilte në postin aktual, disa muaj më parë.

Trumpi thotë se mirëpret një takim të dytë me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cilësoi samitin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, si “sukses të madh” dhe tha se e mirëpret “takimin e dytë” me të, për të zbatuar disa nga idetë e diskutuara në Helsinki.

Trump, me disa postime në Twitter, kritikoi edhe shtypin për mbulimin e perceptuar negativ të takimit të tij me liderin rus.

“Samiti me Rusinë ka qenë sukses i madh, përveç armikut të vërtetë të njerëzve: lajmeve të rreme”.

“E mirëpres takimin tonë të dytë, në mënyrë që të nisim zbatimin e shumë gjërave të diskutuara, përfshirë ndalimin e terrorizmit, sigurinë për Izraelin, çështjen bërthamore”, tha Trump, duke përmendur edhe “sulmet kibernetike, tregtinë, Ukrainën, paqen në Lindjen e Mesme e të tjera”.

“Ka shumë përgjigje, disa të lehta, disa të vështira, për këto probleme, por të gjitha mund të zgjidhen”, tha presidenti amerikan.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dalë me deklarata zyrtare për takimin e dytë të mundshëm të Trumpit me Putinin.

Dy liderët janë takuar më 16 korrik në Helsinki të Finlandës.

Trump është përballur me kritika të fuqishme nga ligjvënësit amerikanë, pas paraqitjes së tij në konferencën për media me Putinin, ku ka refuzuar ta fajësojë liderin rus për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Trump më vonë ka thënë se është keqinterpretuar.

DASH, kundër marrjes së amerikanëve në pyetje nga Rusia

Departamenti i Shtetit ka denoncuar kërkesën e Rusisë për të marrë në pyetje disa shtetas amerikanë në këmbim të lejimit të një hetuesi amerikan që të marrë në pyetje 12 zyrtarë rusë të paditur nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e tyre në zgjedhjet amerikane.

Njëri nga amerikanët që Kremlini dëshiron ta marrë në pyetje është ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi. Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se presidenti amerikan nuk ka përjashtuar mundësinë e lejimit të zyrtarëve rusë për të marrë në pyetje amerikanët.

Gjatë samitit të Helsinkit mes Presidentit të amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, udhëheqësi rus ofroi një marrëveshje. Ai tha se Prokurori i Posaçëm amerikan Robert Mueller mund të vijë në Rusi dhe të hetojë 12 rusët e paditur nëse Kremlini mund të marrë në pyetje 11 amerikanë që dyshohet se kanë bërë veprime të paligjshme në Rusi.

Synimi kryesor i Moskës është investitori me qendër në Londër, Bill Browder, i cili i ka prishur marrëdhëniet me Kremlinin. Vladimir Putin pretendon se bashkëpunëtorët e zotit Browder kanë realizuar fitime të mëdha në Rusi pa paguar taksa dhe se disa nga paratë janë transferuar jashtë vendit me ndihmën e oficerëve amerikanë të zbulimit.

Departamenti i Shtetit të mërkurën hodhi poshtë pohimet e Rusisë, duke i quajtur ato “absolutisht absurde”.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve ruse që të punojnë me Departamentin amerikan të Drejtësisë për të ndjekur ata në Rusi të cilët në fakt kanë kryer skemën mashtruese të cilës i referohet Rusia dhe që kishte në shënjestër jo vetëm zotin Browder, por edhe kompaninë e tij dhe të tjerët, si dhe popullin rus në përgithësi”, tha Heather Nauert, Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.

Por Shtëpia e Bardhë nuk e ka hedhur poshtë ofertën e Putinit.

“Ka patur disa biseda për këtë, por Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmarrë asnjë angazhim. Presidenti do të punojë me ekipin e tij dhe ne do t’ju njoftojmë nëse do të ketë ndonjë zhvillim mbi këtë çështje”, tha Sarah Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Prokurorët rusë duan të marrin në pyetje disa ligjvënës amerikanë, oficerë të sigurisë dhe diplomatë, duke përfshirë ish-ambasadorin e amerikan në Rusi Michael McFaul. Zoti McFaul i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë të dënojë në mënyrë kategorike atë që ai e quajti “kërkesë qesharake nga Putini”. Por edhe para samitit të Helsinkit, McFaul shprehu shqetësimin rreth qëndrimit të Presidentit Trump ndaj Rusisë.

“Frika ime më e madhe është se Presidenti Trump do të jetë shumë miqësor dhe lavdërues me Vlaidmir Putinin”, tha ish ambasadori amerikan në Ukrainë.

Trump të mërkurën i hodhi poshtë këto kritika.

“Asnjë president nuk ka qenë më i ashpër se sa unë kundër Rusisë. Ju duhet të shikoni se çfarë kemi bërë, shikoni sanksionet, shikoni ambasadorët që ne kemi tërhequr”, tha Presidenti Trump.

Në një zhvillim tjetër, një grua që dyshohet se është agjente e Rusisë është arrestuar në Shtetet e Bashkuara. Ministria e jashtme ruse thotë se arrestimi i së dielës ishte një përpjekje për të minuar suksesin e samitit Trump-Putin para se ai të ndodhte.

Shefi i FBI-së: Rusia vazhdon të nxisë përçarje në SHBA

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ka thënë se Rusia vazhdon të përdorë lajmet e rreme, propagandën dhe operacionet fshehta për të nxitur mosmarrëveshje në Shtetet e Bashkuara.

Duke folur në punimet e Forumit për Siguri në Kolorado më 18 korrik, Wray ka qëndruar mbrapa përfundimeve të agjencive amerikane të inteligjencës se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe ka kundërshtuar pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin se Rusia nuk ka qenë e përfshirë.

“Ai ka pikëpamjen e tij. Unë po ju tregoj qëndrim tim”, ka thënë Wray.

“Pikëpamjet e komunitetit të inteligjencës nuk kanë ndryshuar. Qasja ime nuk ka ndryshuar”.

Wray po ashtu ka hedhur poshtë ofertën e Putinit për të krijuar qasje në 12 zyrtarët ushtarakë të inteligjecës ruse, të cilët janë paditur nga autoritetet amerikane për ndërhyrje në zgjedhje, në këmbim të intervistimit të disa qytetarëve amerikanë që Rusia i ka akuzuar për krime të paspecifikuara.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke konsideruar ofertën, mirëpo Wray e ka hedhur poshtë të njëjtën.

Deklaratat e shefit të FBI-së kanë ardhur pas konfuzionit në Uashington rreth asaj nëse presidenti amerikan, Donald Trump pranon përfundimet e agjencive amerikane të inteligjencës dhe nëse ai beson se Moska është duke synuar ende të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane dhe të kërcënojë infrastrukturën kombëtare.

Shtëpia e Bardhë: Trumpi ende beson se Rusia përbën rrezik

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders

Shtëpia e Bardhë ka insistuar se beson që Rusia vazhdon të përbëjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara, në mesin e konfuzionit që është krijuar pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump fillimisht duket të mos jetë pajtuar me agjencitë amerikane të inteligjencës kur është përgjigjur “jo” në pyetjen nëse Rusia vazhdon të shënjestrojë zgjedhjet amerikane.

Më vonë Sekretarja për Media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka thënë se Trump është përgjigjur me “jo” kur i janë kërkuar më shumë pyetje.

Në ditët e fundit lideri amerikan është përballur me kritika rreth komenteve të tij të fundit për Rusinë.

“Presidenti dhe administrata e tij janë duke punuar vazhdimsht për t’u siguruar që Rusia të mos ndërhyjë në zgjedhjet tona, ashtu siç kanë bërë në të kaluarën”, ka thënë Sanders në një konferencë për media.

Të martën, Trump ka thënë se është keqkuptuar gjatë samitit të së hënës me homologun e tij rus, Vladimir Putin, kur ka mohuar ndërhyrjen ruse.

Samiti i së hënës në Helsinki ka shënuar takimin e parë mes liderit të SHBA-së dhe atij të Rusisë nga viti 2010.


Send this to a friend