Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në atë që e ka përshkruar si “veprimtari kriminale të Mefail Shkodrës”.
Shkodra është shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan, që është raportuar më 10 gusht. Sipas Policisë, ai ka të kaluar kriminale.
Përveç Shkodrës, si i dyshuar kryesor, në kërkim janë edhe në dy persona tjerë.
“Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se cilat janë motivet e vrasjeve.
Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
“Presidentja kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore. Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.
Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke thënë se bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim vitin e kaluar për shkeljet e kryera.
“Sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Haxhiu përmes një postimi në Facebook.
Përveç këtyre tri vrasjeve, në Kosovë ka ndodhur edhe një tjetër vrasje po më 10 gusht, veçse në qytetin e Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ësht arrestuari i dyshuari dhe që gjatë bastisjes është gjetur edhe thika që dyshohet se është përdorur në rast.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dielën se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Haxhiu tha se dyshimet bazohen në informacionet që ajo ka nga institucionet e sigurisë së Kosovës.
Ajo tha se BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjetë burgim në Serbi në vitin 2011.
“Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, tha Haxhiu.
Ajo tha se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.
“Falë këtyre marrëdhënieve, ai ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve”, tha ajo.
“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, tha ajo.
Kush është Radomir Llaban?
Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.
Radomir Llaban.
Haxhiu, megjithatë, u kritikua nga disa për mënyrën se si njoftoi se Llaban mund të jetë bashkëpunëtor i shërbimit të sigurisë së Serbisë.
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, tha se “nuk i pëlqeu” konferenca për shtyp e Haxhiut.
“Thënë të vërtetën nuk e di nëse vërtet është agjent i BIA-së serbe, por gjërat e tjera që i tha zonja Haxhiu janë pak a shumë të vërteta. Megjithatë, konferenca pompoze për shtyp nuk është metoda e duhur për ta trajtuar problemin. Shteti serioz nuk operon me dyshime, por vetëm me fakte përtej dyshimit të bazuar, pra me ato që mundësojnë veprime konkrete”, tha Kryeziu.
Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave në Prishtinë, e kritikoi Haxhiun për trajtimin e çështjes së Llabanit përmes konferencës për shtyp, duke thënë se “bashkëpunëtorët e BIA-s zihen, nxjerrën para gjykatave dhe dënohen – me kaq mbaron kjo pune”.
“Mirëpo, pa vendim gjyqësor të bëjmë thirrje dhe të deklarohet dikush si rrezik për siguri kombëtare nga krerë të shtetit është një precedent shumë i rrezikshëm, i cili mund të na përplaset fytyrës”, tha ai.
Llaban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.
Llaban mori vëmendje pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – për shkak të Llabanit – e tërhoqi edhe kërkesën që në korrik ia kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar sqarim lidhur me hapat e mëtejmë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afat i caktuar më herët nga kjo gjykatë.
Si arsye për tërheqjen e kërkesës së saj, Osmani përmendi emërimin e gjyqtarit Llaban si gjyqtar raportues në këtë rast, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shqetësues dhe të rrezikshëm”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha ditë më parë se Llaban u emërua më 2018 pasi i ishte nënshtruar “të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore”, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Kosovës.
Kushtetuesja tha se Llaban ka qenë i punësuar në gjykatën më të lartë të vendit nga viti 2011, fillimisht si këshilltar juridik, para se të emërohej gjyqtar më 9 gusht 2018.
Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga presidenti i Kosovës vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.
Haxhiu tha Prokuroria duhet “të nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve” ndaj Llabanit.
“Sot i bëjmë thirrje Prokurorisë që menjëherë t’i trajtojnë lëndët që ndërlidhen me Radomir Llabanin, që menjëherë të nxjerrin aktvendim për fillim të hetimeve nëse nuk e kanë bërë deri tash”, tha ajo.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.
Haxhiu: Kushtetuesja i kaloi kompetencat e veta
Ministrja Haxhiu e komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila të enjten urdhëroi deputetët e Kuvendit të Kosovës ta zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.
“Për mua njoftimi i Gjykatës Kushtetuese përbën shqetësim serioz, sepse është tejkalim flagrant i kompetencave që ka Gjykata Kushtetuese”, tha Haxhiu.
E pyetur nëse partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, do ta respektojë vendimin, Haxhiu tha: “Se cili do të jetë veprimi jonë pas këtij njoftimi, pas aktvendimit, do ta kuptoni kur të vijë koha. Në fakt unë nuk e di cilin ta respektoj tani, atë të vitit 2014, atë të para një muaji”.
“Natyrisht se vendimet e Kushtetues duhet të respektohen, por ato duhet të komentohen dhe të kundërshtohen siç po bëjmë sot këtu, pra nuk duhet të heshtim përballë të këtij tejkalimi flagrantë të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.
Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.
Haxhiu është kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, por ajo ka dështuar të emërohet në votim të hapur, ndërsa edhe votimi i fshehtë për të është kundërshtuar nga deputetët prej se u thirr seanca konstituive më 15 prill, pas zgjedhjeve të shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi të gjatë e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si shkelje të Kushtetutës dhe ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Sipas partisë fituese në zgjedhjet e fundit, vendimi i kësaj gjykate pasqyron motive partiake dhe se ka sfiduar vullnetin popullor.
Sipas LVV-së, “njoftimi i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”. Ata theksojnë se Gjykata, si organ i pavarur, ka detyrë të interpretojë dhe kontrollojë përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën brenda juridiksionit të saj.
LVV-ja pretendon se njoftimi nuk ka sqaruar asgjë tjetër “veçse që Gjykata ka tejkaluar kompetencat kushtetuese” dhe ka shpikur “norma të reja juridike” pa bazë kushtetuese. Ata e akuzojnë Gjykatën për “ndërhyrje substanciale në kompetencat e Kuvendit” duke cenuar rendin kushtetues.
Në reagim thuhet se miratimi dhe ndryshimi i Kushtetutës bëhet vetëm nga Kuvendi ose përmes referendumit popullor, dhe se anëtarët e Gjykatës nuk kanë të drejtë të marrin këtë rol.
“Kur një organ që duhet të jetë gardian i Kushtetutës fillon të prodhojë norma të reja ose të plotësojë norma që nuk janë paraparë, atëherë transformohet në një organ jashtëkushtetues”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
LVV-ja pyet se në cilin dokument kushtetues, rregullore të Kuvendit, aktgjykim apo jurisprudencë ndërkombëtare bazohet norma e re e vendosur nga Gjykata, që e kufizon propozimin e të njëjtit kandidat vetëm në tre herë.
“Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë?”, pyesin ata, duke shtuar se gjykata ka shpikur arbitrarisht rregulla.
Partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e quan vendimin “rast të paprecedentë” dhe “ndërhyrje flagrante” në kompetencat e Kuvendit. Ata theksojnë se Gjykata nuk mund të uzurpojë funksionin e hartimit ose amandamentimit të Rregullores së Kuvendit, pasi kjo përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.
Sipas LVV-së, rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata nuk mund të jenë pjesë e asnjë aktgjykimi nëse nuk janë të përcaktuara në Kushtetutë ose në Rregulloren e Kuvendit. Ata pretendojnë se vendimi “pasqyron motive partiake”, dhe se sa herë që LVV-ja duhet të veprojë sipas rregullave të vendosura nga vetë gjykata në raste analoge, “ato rregulla po ndryshohen”.
Ata kritikojnë edhe përmendjen e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke e quajtur “fokus të panevojshëm” dhe “etiketim politik sipas fjalorit të partive opozitare”. Sipas LVV-së, kryesuesi nuk është subjekt kushtetues, por vetëm subjekt i Rregullores së Kuvendit.
LVV-ja ka thënë se nëse kryesuesi i seancës ka vepruar gabimisht në procedurat për votimin e komisionit për votim të fshehtë, “pse Gjykata nuk e konstatoi këtë shkelje në aktgjykimin e shpallur më 26 qershor”, pas datës kur ishin ndërmarrë këto veprime.
Në fund, Vetëvendosje e akuzon Gjykatën Kushtetuese se “ka zgjedhur të mbajë anë, duke prekur parimet demokratike dhe sfiduar vullnetin popullor”. Ata e quajnë vendimin “paralajmërim serioz për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale”.
Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit. /koha.net/
Lëvizja Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.
Këto ishin reagimet e para ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten vendosi që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin kryetarin e ri përmes votimit të hapur, ndërsa i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tri herë. Sipas Kushtetueses, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.
Hekuran Murati, deputet i LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, e cilësoi si të padrejtë vendimin e Kushtetueses.
Ai tha se në aktgjykimin e vitit 2014, Kushtetuesja “për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet”, vendosi se Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve dhe kryekuvendari i takonte vetëm partisë së parë. Ndërkaq, kësaj radhe Kushtetuesja “thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesja është Lëvizja Vetëvendosje”.
“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, shkroi ai në Facebook.
Saranda Bogujevci, deputete e LVV-së, tha se “demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më”.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se me këtë vendim të Kushtetueses, u vërtetuan qëndrimet e partisë së tij, që LVV-ja “e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë Kushtetutës”.
Sipas tij, ky vendim është fitore për rendin kushtetues.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar si “fitore të madhe për demokracinë”.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se me këtë vendim u vërtetua se LVV-ja shkeli Kushtetutën, për shkak se ndryshoi rendin e ditës dhe insistoi në votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
“Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje”, shkroi ai.
Ardian Gjini nga AAK-ja tha se me vendimin e Kushtetueses, “fitoi demokracia, u rrëzua diktati”.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozimin e vetëm një kandidati.
“Shteti nuk i nënshtrohet një individi”, shkroi ai.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.
Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.
Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.
Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.
Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.
Në vendimin e Kushtetueses konstatohet se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Po ashtu, në vendim thuhet se Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës – procedimi i votimit të kryeparlamentarit.
“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në vendim.
Gjykata ka urdhëruar të gjithë deputetët që të marrin pjesë në seancën e ardhshme konstituive, si edhe në votim.
VENDIMI I PLOTE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 7 gusht 2025 vendosi lidhur me kërkesat KO193/25 dhe KO196/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.”, të parashtruar nga KO193/25, Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO196/25, Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, vendosi:
TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme;
TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;
TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;
TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;
TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje për respektim të pavarësisë dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, thuhet në postimin e kësaj ambasade.
Gjykata Kushtetuese është duke trajtuar kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Kjo gjykatë në prag të skadimit të afatit të vendosur prej saj (26 korrik) për konstituimin e Kuvendit kishte vendosur një masë të përkohshme dy javore që nuk i lejonte deputetët të marrin asnjë veprim deri më 8 gusht.
Ndërkohë, më 5 gusht, presidentja Vjosa Osmani në një konference për media njoftoi se ka tërhequr kërkesën e saj për shqyrtim nga Kushtetuesja për seancën konstituive, pasi gjyqtar raportues në këtë çështje ishte caktuar gjykatësi serb Radomir Laban, e për të cilin presidentja tha se konsiderohet si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues. sn
Po po, vendi i parë në botë, për mua, për ne, e për Kosovën!
Fituese e çmimit Global Cybersecurity Woman of the Year në kategorinë “Barrier Breaker”.
Jam pafundësisht mirënjohëse për të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi, familja ime, miqtë, komuniteti dhe dashamirët, ju faleminderit nga zemra!
Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjithë ata që janë përballur me sfida, por nuk janë ndalur, kanë thyer heshtjen e kanë thyer barrierat.
Faleminderit ekipit të Cybersecurity Woman of the Year, veçanërisht Carmen Marsh, për krijimin e kësaj platforme ku gratë në sigurinë kibernetike jo vetëm njihen, por edhe fuqizohen. Faleminderit jurisë Cristina Dolan, Victoria Beckman, Bianca Lins, Darren Argyle, Jessica Robinson, Helen Oakley, e shumë të tjerë, për besimin që më dhatë!
Urime të gjitha fitueseve nëpër secilën kategori, është një nder i madh të jem mes jush!
Këtë çmim e trofe e fitova me emrin tim, por do e mbaj për të gjithë bashkëkombësit e mi. Ky s’është fundi i rrugës, është vetëm hapi i radhës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për letrën që ai i ka dërguar së fundmi, ku shprehet përkrahja e vazhdueshme amerikane për Kosovën.
Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Osmani ka ndarë letrën publike dhe ka theksuar se Kosova do të mbetet e palëkundur në aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara.
“Jam mirënjohëse Presidentit Trump për mbështetjen e tij dhe për mesazhin e fuqishëm që nënvizon partneritetin tonë. Kosova do të qëndrojë përherë përkrah Shteteve të Bashkuara, si në sfida ashtu edhe në arritje. Do të vazhdojmë të punojmë bashkë për të forcuar edhe më shumë këtë lidhje në të ardhmen”, ka deklaruar Osmani.
Në letrën e Trump, ndër të tjera, theksohet se raportet mes Kosovës dhe SHBA-së janë të bazuara në vlera të përbashkëta demokratike, respekt të ndërsjellë dhe synimin për një të ardhme të qetë dhe të zhvilluar.
“Ju falënderoj për udhëheqjen tuaj të vendosur dhe për miqësinë e sinqertë ndaj Shteteve të Bashkuara. Me padurim pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në vitet në vijim”, shkruan Trump në mesazhin e tij.
Kujtojmë se disa javë më parë, Presidentja Osmani realizoi një vizitë zyrtare në SHBA, ku zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë amerikanë.
Vëmendja e opinionit publik në Kosovë është kthyer sërish te Radomir Llaban, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nga radhët e komunitetit serb.
Këtë herë, vëmendja është kthyer te Llaban në kulmin e një krize institucionale që po zgjat prej disa muajsh, si pasojë e pamundësisë për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – për shkak të Llabanit – të martën e tërhoqi edhe kërkesën që në korrik ia kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar sqarim lidhur me hapat e mëtejmë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afat i caktuar më herët nga kjo gjykatë.
Si arsye për tërheqjen e kërkesës së saj, Osmani përmendi emërimin e gjyqtarit Llaban si gjyqtar raportues në këtë rast, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shqetësues dhe të rrezikshëm”.
Ligji për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përcakton se gjyqtari raportues në një çështje caktohet nga kryetari i gjykatës dhe se ai është përgjegjës për hartimin e raportit që i paraqitet kolegjit për shqyrtim.
Radomir Llaban është i njohur për publikun në Kosovë që nga viti 2018, kur presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, refuzoi fillimisht t’ia dorëzonte dekretin për emërim derisa të verifikohej nga organet e drejtësisë. Disa muaj më vonë, megjithatë, Thaçi e dekretoi atë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e emëroi Radomir Llabanin (i dyti nga e majta) si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese në gusht të vitit 2018.
Llaban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.
Por presidentja Osmani tani thotë se ka informacione që gjyqtari Llaban “paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Në një konferencë për media më 5 gusht, Osmani deklaroi se Gjykata Kushtetuese është njoftuar për “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit në vitet 2018, 2021 dhe 2024.
Ajo nuk pranoi të japë detaje se në ç’mënyrë Llaban paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare, duke theksuar se ky është një vlerësim i besuar institucioneve të sigurisë.
Çfarë thotë Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ka ndonjë njohuri për pretendimet e presidentes Vjosa Osmani, sipas të cilave gjyqtari Radomir Llaban paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës, apo nëse është person i kërkuar në Serbi.
Po ashtu, nuk kanë dhënë përgjigje nëse, pavarësisht tërheqjes së kërkesës nga presidentja Osmani, do të shqyrtojnë apo jo atë rast.
Ky institucion reagoi më 6 gusht përmes një komunikate, duke theksuar se në bazë të nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës, “trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara” dhe se është e “drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara”.
Tutje thuhet se rastet u ndahen gjyqtarëve raportues dhe trupave gjykuese në bazë të procedurave të qarta, dhe se vendimet merren në përbërje të plotë të gjykatës.
Duke reaguar ndaj akuzave për gjyqtarin Llaban, Gjykata theksoi se ai që nga viti 2011 ka shërbyer si këshilltar ligjor, ndërsa që nga viti 2018 ushtron funksionin e gjyqtarit të Kushtetueses.
Në korrik të vitit 2024, kur Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emërojë Llabanin noter, pasi kishte marrë informacion për integritetin e tij nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), Gjykata Kushtetuese kishte deklaruar me shkrim për Radion Evropa e Lirë se vlerësimi i kandidatëve dhe përzgjedhja e gjyqtarëve të kësaj gjykate është përgjegjësi dhe kompetencë e Kuvendit të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës më 18 maj 2018, pasi ka vlerësuar kandidaturën e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhej ndër të tjera në përgjigje.
Llaban ishte propozuar për këtë post nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, dhe që e kishte vlerësuar atë si kandidat “me cilësi të larta morale dhe integritet”.
Mandati i tij në Gjykatën Kushtetuese është nëntëvjeçar.
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje edhe vetë gjyqtarit Llaban për të komentuar akuzat e presidentes Osmani, por deri më tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
A e ka injoruar Gjykata Kushtetuese kërkesën për shkarkimin e Llabanit?
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi më 6 gusht se Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar në vitin 2018 një kërkesë zyrtare drejtuar ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, për të nisur procedurën e shkarkimit të gjyqtarit Radomir Llaban, për shkak të së kaluarës së tij kriminale.
Sipas Haxhiut, përgjigjja kishte qenë se një kërkesë e tillë përbënte ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po ashtu më 6 gusht duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e quajti “absurde” që një person, i cili sipas informacioneve të institucioneve të sigurisë paraqet rrezik për rendin kushtetues, “të gjykojë tani për një çështje kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte sqaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se, sipas nenit 118 të Kushtetutës së Kosovës, një gjyqtar i kësaj gjykate mund të shkarkohet vetëm në rast të një vepre penale të rëndë ose të një shkeljeje të rëndë të detyrës gjatë ushtrimit të mandatit, dhe vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Kushtetueses.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ndërmerr vazhdimisht të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur pavarësinë, autoritetin dhe integritetin e saj, në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës, duke marrë parasysh edhe detyrimin kushtetues për t’iu përmbajtur parimeve që rrjedhin nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhej në përgjigje.
Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, ka deklaruar për KTV-në se Llaban është një jurist i mirë, por se emërimi i tij në vitin 2018 si gjyqtar i Kushtetueses ishte i paligjshëm dhe antikushtetues, për shkak të së kaluarës së tij kriminale.
Ajo ka shtuar se nuk është e qartë nëse Gjykata Kushtetuese ka qenë më herët në dijeni për raportin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), duke kujtuar se Llaban ishte përzgjedhur nga një komision parlamentar dhe se nuk kishte pasur nevojë të votohej në seancë plenare.
Mushkolaj ka theksuar se, edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk ka përjashtuar asnjëherë ndonjë gjyqtar, në të kaluarën ka ndërmarrë masa për largimin e përkohshëm të gjyqtarëve nga procesi vendimmarrës për shkak të shkeljeve të kodit etik. Sipas saj, rasti i Llabanit është më serioz për shkak të së kaluarës së tij në Serbi.
Llaban si “njeri i lirë” në Serbi më 2032
Gjykata Themelore në Kralevë ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, në fund të korrikut 2024, se parashkrimi absolut i ekzekutimit të dënimit ndaj Radomir Llabanit, sipas aktgjykimit të formës së prerë, do të ndodhë më 4 qershor 2032.
“Pas arritjes së parashkrimit, dënimi i shqiptuar nuk mund të zbatohet, dhe nëse ka nisur zbatimi i tij, ai ndalet me hyrjen në fuqi të parashkrimit, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal mbi parashkrimin e ekzekutimit të dënimit”, thuhet në përgjigje.
Në dënimin me burgim të Llabanit është përfshirë edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 28 nëntori 2006 deri më 3 prill 2009.
Gjykata Themelore në Kralevë kishte përcjellë më 2017 një kërkesë për arrestimin e Llabanit në misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, por ky mision kishte deklaruar se nuk ka mandat për të kryer një arrestim të tillë.
Gjykata po ashtu bëri të ditur për REL se më 2018, në përputhje me procedurat për ndihmë juridike, i ishte drejtuar edhe Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë me një kërkesë që kjo e fundit t’i drejtohej përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Prishtinë në lidhje me rastin Llaban.
Sidoqoftë, nga sektori për ndihmë juridike ndërkombëtare në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kanë kthyer përgjigje se ofrimi i ndihmës juridike ndërkombëtare vlen vetëm për format e saj, por jo edhe për ekstradimin e personave të akuzuar apo të dënuar.
“Në të njëjtën përgjigje është theksuar se fletarresti ndërkombëtar ndaj Llabanit mbetet në fuqi”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Themelore në Kraljevë, ku Llaban ka të regjistruar vendbanimin në sistemin juridik të Serbisë. Ai është me prejardhje nga Gjakova, Kosovë.
Lidhjet mes Llabanit dhe Listës Serbe?
Politikani serb nga Graçanica, Branimir Stojanoviq, kishte deklaruar në vitin 2021 se Radomir Llaban “nga prapavija” drejton Listën Serbe dhe ndikon në emërimet brenda kësaj partie.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në atë kohë, Stojanoviq kishte thënë se Llaban, sipas detyrës që ka, nuk do të duhej të merrej me politikë, “por që në mënyra të ndryshme po e keqpërdor pozitën dhe lidhjet e tij”.
Për këtë arsye, Stojanoviq – njëri nga themeluesit e Listës Serbe – kishte vendosur të garojë si kandidat i pavarur në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Lista Serbe kishte mohuar të gjitha akuzat e ngritura nga Stojanoviq, ndërsa vetë Llaban nuk kishte komentuar.
Në mbështetje të pretendimeve të tij, Stojanoviq kishte përmendur faktin se motra e Radomir Llabanit, Gordana Llaban, është anëtare e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës – gjë që mund të konfirmohet edhe më 6 gusht 2025 në faqen zyrtare të KQZ-së.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës me pyetje nëse posedon ndonjë informacion mbi akuzat që presidentja Osmani i ka bërë ndaj gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban, për kërcënim të sigurisë kombëtare, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se në kohën kur Radomir Llaban ishte dekretuar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese më 2018, partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar nga gjykata nisjen e procedurave për shkarkimin e tij.
Por një kërkesë të tillë, sipas Haxhiut, kryetarja e atëhershme e Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi, ishte cilësuar si “ndërhyrje në pavarësinë” e Gjykatës.
Ky reagim i Haxhiut vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka tërhequr një kërkesë drejtuar Kushtetueses në korrik, përmes së cilës kërkoi sqarim se çfarë do të ndodhte do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.
Presidentja Osmani tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj ishte gjyqtar raportues për këtë lëndë ishte caktuar gjyqtari Llaban.
Sipas Osmanit, institucionet e sigurisë më 2018, 2021 dhe 2024 kanë dorëzuar informacione lidhur me “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit.
Osmani tha se, sipas informatave “të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.
Shefja e shtetit nuk tregoi se çfarë rreziku përbën Llaban për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke argumentuar se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.
Kush është Radomir Llaban?
Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.
Radomir Llaban.
Shkarkimin e një gjykatësi të Kushtetueses e bën presidenti i Kosovës. Por, propozimi për shkarkimin e tij paraprakisht duhet të bëhet nga dy e treta e gjyqtarëve të Kushtetueses – që ka gjithsej nëntë gjykatës – dhe kjo kërkesë t’i dërgohet Presidencës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një seance konstituive në Kuvendin e Kosovës, korrik 2025.
Radio Evropa e Lirë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do ta pranojë vendimin e ardhshëm të gjykatës më të lartë të vendit në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të vendosë më së largu deri më 8 gusht lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Mendoj që duhet të presim edhe fare pak ditë, do të na njoftojnë se çfarë kanë menduar se do të ndodh pas 30 ditëve. S’e di cila do të jetë zgjidhja, natyrisht, por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Është dëm i madh që Kosova nuk ka Kuvend”, tha Kurti për gazetarë gjatë një vizite në një klinikë të QKUK-së.
Në fund të muajit të kaluar, Kushtetuesja i urdhëroi deputetët të mos marrin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht, në lidhje me bërjen e Kuvendit, derisa po shqyrton dy lëndë.
Kosova është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Deputetët kanë dështuar në 54 përpjekje që nga 15 prilli për ta bërë Kuvendin e ri – hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re – pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje e Kurtit i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e partisë fituese për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.
Në prag të vendimit të Kushtetueses, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të martën e tërhoqi kërkesën drejtuar në korrik Kushtetueses për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.
Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban.
Osmani tha se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm” për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.
I pyetur për këtë nga gazetarët, Kurti tha se presidentja Osmani “nuk ka qenë në dijeni se ai do të jetë kryesues i çështjes që do të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese”.
“Ne që nga viti 2018 kemi qenë të informuar për gjyqtarin Llabanin, atëherë kur ai pati aplikuar për t’u bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Asokohe, Albulena Haxhiu nga partia jonë i pati shkruar letër zyrës së presidentit, mirëpo as presidenti i atëhershëm më 2018 e as kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë parë të arsyeshme të ndalnin emërimin e tij”, theksoi ai.
Kurti shtoi se “është absurde që dikush, sipas informacioneve nga institucionet tona të sigurisë, është me rrezik për rendin tonë kushtetues, të gjykojë tani për një çështje kushtetuese”.
Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.
Kush është Radomir Llaban?
Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.
Emisari evropian, Peter Sorensen, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi në mars të zhvilluar në Prishtinë.
Radio Evropa e Lirë
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po qëndron në Prishtinë më 6 gusht, ku po zhvillon takime me krerët shtetërorë.
Viztën ai e nisi me një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit, ai u pa duke shkuar drejt Qeverisë së Kosovës, për një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Vizita e emisarit evropian vjen në kohën kur Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të ketë dialog me Kosovën, për normalizimin e raporteve, pa lirimin e një zyrtari të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Igor Popoviq u ndalua në Kosovë më 18 korrik. Ndaj tij, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.
Rundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ishte mbajtur më 10 qershor. Pas këtij takimi mes kryenegociatorëve të dy shteteve, Sorensen deklaroi se po bëheshin përgatitje për një takim të nivelit të lartë.
Takim të nivelit të lartë në dialog Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim, ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.
Kosova për këtë ngjarje fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të. Ndërkaq, BE-ja ka kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Takimi i Sorensenit me Osmanin vjen në kohën kur Kosova gjendet në një krizë politike, pasi që nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit, vendi nuk ka institucione të reja.
Shefja për diplomaci e BE-së, Kaja Kallas, gjatë vizitës në Kosovë të zhvilluar në maj, u bëri thirrje udhëheqësve politikë të zhbllokonin ngërçin politik, teksa njoftoi se blloku evropian ka nisur heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Këto masa ndëshkuese, BE-ja ja vendosi Kosovës verën e vitit 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Kallas po ashtu kanë thënë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë drejt një të “ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për popujt e këtij rajoni”.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Më 2023, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, por sikurse edhe marrëveshje të tjera, BE-ja thotë se ky pakt nuk po zbatohet në terren.
Emisarja Speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë bisedë, Dame Karen shprehu shqetësimin e saj për situatën aktuale dhe theksoi rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve të hapura përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar pret me padurim pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në takimet e Procesit të Berlinit që do të mbahen në tetor në Mbretërinë e Bashkuar.
Dame Karen do të zhvillojë gjithashtu një bisedë edhe me presidentin e Serbisë në kuadër të përpjekjeve për uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut konstruktiv. bw
Deputetë të opozitës në Kuvendin e Serbisë, në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, po punojnë aktivisht për formimin e subjekteve politike në Kosovë – veprim ky që është kritikuar nga pushteti në Beograd, por edhe nga Lista Serbe, që vepron në Kosovë me mbështetjen e autoriteteve serbe.
Bashkimi më i fundit i partisë opozitare serbe Fytyra e re e Serbisë, me nismën qytetare Drejtësia Popullore nga Leposaviqi, është cilësuar nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, si “zgjatje e dorës së Albin Kurtit”.
Fytyra e re e Serbisë dhe Drejtësia Popullore kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë nën emrin “Fytyra e Re – Drejtësia Popullore”.
Lideri i Fytyrës së Re të Serbisë, njëherësh deputet në Kuvendin e Serbisë, Millosh Parandilloviq, tha se bashkimi me partinë nga Leposaviqi është “luftë kundër regjimit të [presidentit të Serbisë] Aleksandar Vuçiqit dhe [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”.
Ai i është përgjigjur akuzave të Listës Serbe duke thënë se ajo, së bashku me Partinë Progresive Serbe dhe presidentin Vuçiq, janë “aleatët më të mëdhenj” të regjimit në Prishtinë dhe se “kanë frikë nga çdokush që u rrezikon pozitën”.
Fytyra e Re e Serbisë mori pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, në fillim të vitit të kaluar, si pjesë e listës “Serbia kundër dhunës”, e cila fitoi 65 nga gjithsej 250 ulëse në Kuvendin e Serbisë.
Më herët, Lëvizja Popullore Serbe dhe Demokracia Serbe të Aleksandar Arsenijeviqit kishin bërë thirrje për bashkim dhe krijimin e një platforme politike me të cilën serbët e Kosovës do t’i kundërviheshin politikave aktuale të qeverive në Prishtinë dhe Beograd.
Ndërkohë, me mbështetjen e deputetit në Parlamentin serb Zharko Ristiq, është themeluar edhe një subjekt i ri politik i serbëve në Kosovë, i quajtur Aleanca e Kosovës. Në Kosovë, këtë iniciativë e udhëheq Goran Marinkoviq nga Dobrotini i Graçanicës.
Megjithatë, Lista Serbe – që gëzon mbështetjen e Qeverisë aktuale të Serbisë – ka deklaruar se Albin Kurti po përpiqet të eliminojë “përfaqësuesit autentikë të serbëve dhe të uzurpojë institucionet e këtij komuniteti”.
Miodrag Marinkoviq, nga Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, vlerësoi se sulmet nga Beogradi ndaj aktorëve të rinj politikë në komunitetin serb në Kosovë tregojnë vetëm një gjë: që këta aktorë nuk janë nën kontrollin e Beogradit.
“Këto sulme nuk janë të reja, por përfaqësojnë një model të konsoliduar të sjelljes politike. Përmes dominimit në media dhe kontrollit të rrjedhave financiare, Beogradi arrin ta ruajë epërsinë politike brenda komunitetit serb në Kosovë, duke u imponuar kundërshtarëve narrativin ‘je me ne apo me Kurtin’”, tha Marinkoviq.
Takimi i opozitës nga Serbia dhe përfaqësuesve të serbëve nga Kosova
Në shtator të vitit të kaluar, në Beograd u mbajt një takim mes politikanëve dhe aktivistëve nga Kosova dhe përfaqësuesve të partive opozitare në Serbi. Takimi u organizua nga lëvizjet politike nga Kosova: Këshilli Kombëtar Serb, Forumi Kombëtar Serb dhe Lëvizja Popullore Atdheu.
Millija Bishevac, lider i Lëvizjes Popullore Serbe, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë atëkohë deklaroi se partitë opozitare në Serbi do të mbështesin një politikë “autoktone” të serbëve në Kosovë, e cila do të merret me “interesat e vërteta” të komunitetit të tyre, dhe se “qendra e tyre nuk do të jetë as në Beograd dhe as në Prishtinë”.
Partitë politike të serbëve në Kosovë kanë akuzuar Listën Serbe se nuk i mbron interesat e komunitetit serb, se nuk punon për përmirësimin e kushteve të jetesës, se i nënshtrohet presioneve nga Beogradi dhe se zyrtarët e saj janë të përfshirë në afera korruptive.
Disa liderë të opozitës në Serbi, atëbotë deklaruan se është e domosdoshme të krijohet një alternativë politike ndaj Listës Serbe dhe se takimi i 28 shtatorit 2024 ishte një paralajmërim në këtë drejtim.
Kush është “shërbëtor” i kujt?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 3 gusht deklaroi se në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës “qeverisin okupatorët dhe disa shërbëtorë serbë”.
“Prej katër vjetësh, okupatorët i drejtojnë ato komuna. Kanë gjetur disa shërbëtorë serbë… gjithmonë ka të tillë mes serbëve, por janë shumë pak”, tha Vuçiq gjatë ceremonisë për 30-vjetorin e operacionit “Stuhia” në Sremski Karlovci. Ai shtoi se shumica “e duan lirinë e tyre”.
Lista Serbe, e cila deri në nëntor 2022 kishte pushtetin në të dhjeta komunat me shumicë serbe në Kosovë, u tërhoq nga institucionet në veri në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për konvertimin e targave nga serbe në kosovare. Në prill 2023 ajo bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve lokale, ndërsa në prill 2024 edhe për bojkot të votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.
Si pasojë, në katër komunat të veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pushteti mbeti në duart e kryetarëve shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e prillit.
Millosh Parandilloviq nga partia opozitare Fytyra e Re e Serbisë vlerësoi se është thelbësore që serbët në Kosovë të angazhohen për të qëndruar në institucione dhe të mbrojnë komunat ku janë shumicë në zgjedhjet lokale që po afrohen.
“Ne nuk duam të flasim me fjalë boshe, por të kontribuojmë me angazhim aktiv për qëndrueshmërinë e serbëve në Kosovë dhe Metohi, sepse pa njerëz, ne nuk kemi asgjë në Kosovë”, deklaroi ai.
Ndërkaq, Nenad Radosavlleviq nga nisma Drejtësia Popullor”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se pushteti në Serbi po përpiqet ta diskreditojë Parandilloviqin duke i lidhur të gjithë ata që nuk janë në krah të Listës Serbe me Albin Kurtin – një taktikë që ai e quajti “truk i lirë”.
Radosavlleviq theksoi se Lista Serbe në Kosovë, me mbështetjen e pushtetit aktual në Serbi, ka në dispozicion mjete të mëdha financiare dhe “mund ta blejë çdo votë në Kosovë”.
“Ata ende kanë mekanizma shantazhi, edhe pse një pjesë e strukturës nuk është më në terren për të ushtruar presion klasik. Megjithatë, njerëzit janë të punësuar në institucione të kontrolluara nga pushteti serb”, theksoi ai. Sipas Radosavlleviqit, ndryshimet reale politike për komunitetin serb në Kosovë mund të ndodhin vetëm pas ndërrimit të Qeverisë aktuale në Serbi.
Në Serbi, që nga fundi i vitit të kaluar, janë mbajtur protesta antiqeveritare nga qytetarë dhe studentë të pakënaqur me situatën politike dhe shoqërore në vend. Që nga maji, një nga kërkesat kryesore të protestuesve ka qenë shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Njerëzit kanë frikë nga hakmarrja e Listës Serbe”
Goran Marinkoviq, udhëheqës i partisë Aleanca e Kosovës, e cila u themelua disa muaj më parë me mbështetjen e deputetit të Kuvendit të Serbisë, Zharko Ristiq, theksoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ua ka mohuar serbëve në Kosovë “çdo të drejtë për veprim politik” dhe se nuk ka asnjë të drejtë t’i quajë “tradhtarë” ata që nuk e mbështesin Listën Serbe.
“Pas deklaratës së tij se kurrë më nuk do të lejojë një ‘Stuhi’, unë kam frikë për ne. Pas deklaratave të tilla të bëra nga ai, gjithmonë na ndodh diçka e keqe”, tha Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Ai pretendoi se partia e tij është përballur me vështirësi gjatë procesit të regjistrimit për shkak të “presioneve” nga Lista Serbe, por se nuk do të heqin dorë nga synimi për të matur forcën në zgjedhjet lokale përballë partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
“Edhe tani, kur po përgatisim listën e kandidatëve për asambletë komunale, njerëzit që na mbështesin nuk dëshirojnë të dalin publikisht sepse kanë frikë nga hakmarrja”, deklaroi Marikoviq.
“Serbët po përpiqen të artikulojnë politikën e tyre”
Aktivisti civil, Miodrag Marinkoviq, vlerësoi se shfaqja e koalicioneve dhe përpjekjeve të reja për bashkim politik në mesin e serbëve të Kosovës është “shprehje e nevojës së komunitetit për të artikuluar politika të veta, reale, të drejtuara nga problemet e përditshme të qytetarëve, e jo nga interesa që vijnë jashtë Kosovës dhe që shpesh janë treguar të kundërta me interesat e vërteta të njerëzve të zakonshëm”.
“Sapo këto përpjekje janë autentike, ato bëhen objekt i diskreditimit nga ana e Beogradit zyrtar dhe Listës Serbe. Megjithatë, duhet theksuar se Beogradi në këtë strategji ka ndihmë të paçmuar pikërisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Politika e tij agresive, e cila rrezikon drejtpërdrejt jetën e përditshme dhe ndjenjën e sigurisë së serbëve në Kosovë, paradoksalisht e forcon pozitën e Listës Serbe, duke e kthyer atë në opsionin e vetëm politik që një pjesë e qytetarëve e sheh si pengesë ndaj margjinalizimit të mëtejshëm”, vlerësoi Marinkoviq.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka thënë se ka nisur procesi i aplikimit për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme lokale, i cili do të zgjasë deri më 13 gusht.
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare për subjektet politike serbe në Kosovë
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt morën pjesë gjashtë subjekte politike serbe. Ndër to, Lista Serbe doli bindshëm fituese, duke siguruar pothuajse 40.000 vota dhe nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” e Nenad Rashiqit fitoi rreth 4.000 vota dhe një ulëse në Kuvend.
Partia “Demokracia Serbe” mori rreth 3.200 vota, Lëvizja Popullore Serbe rreth 1.800, Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore” 620 vota dhe Partia e Serbëve të Kosovës 462 vota.
Pas shpalljes së zgjedhjeve lokale për 12 tetor nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarë të lartë të Listës Serbe nisën të numërojnë ditët deri në atë që e quajtën “çlirimi i komunave në veri”.
Që nga dalja e Listës Serbe nga institucionet në nëntor 2022, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka punuar në vendosjen e autoritetit institucional në veri të vendit – një proces që ka shkaktuar tensione të larta në disa raste. Situata kulmoi në shtator 2023, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një zyrtar policor.
Sipas raportit të organizatës joqeveritare Aktiv, të titulluar “Riintegrimi thelbësor – si të shmanget ‘qeverisja zombi’ në veri të Kosovës”, qytetarët serbë i perceptojnë kryetarët aktualë shqiptarë në komunat në veri si të huaj, gjë që ka thelluar edhe më shumë shkëputjen midis popullatës lokale dhe institucioneve të Kosovës.
Raporti thekson se zgjedhjet e ardhshme lokale përbëjnë një “mundësi konkrete për rikthimin e serbëve të Kosovës në strukturat politike dhe institucionale në veri të vendit”, si dhe mund të shënojnë “fundin e boshllëkut politik të krijuar pas dorëheqjeve masive të përfaqësuesve të komunitetit serb në nëntor 2022”.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj zyrtarit serb Igor Popoviq.
Ai akuzohet për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
“I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, tha Prokuroria Speciale përmes një njoftimit.
Pesë javë pas vënies së gur themelit nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe bashkëpunëtorët e tij, njëra nga dy urat e reja që po ndërtohen mbi lumin Ibër – i cili ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut, ka marrë formë të dukshme.
Më 4 gusht, aty u panë punëtorë dhe makineri të rënda, përfshirë buldozerë që po vazhdonin punimet.
Qeveria në detyrë premton se ndërtimi i urës do të përfundojë deri në muajin shtator.
Deri vonë, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, synonte hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Ditën kur u vendos gur themeli, Kurti tha se urat e reja synojnë ta lehtësojnë qarkullimin dhe të nxisin bashkëpunim mes qytetarëve në të dyja anët e lumit.
Ura për këmësorë ende larg ndërtimit
Në të njëjtën ditë, më 1 korrik, gur themeli iu vendos edhe një ure tjetër, e cila parashihet të jetë më e vogël dhe vetëm për këmbësorë.
Por, punimet në këtë urë nuk kanë ecur me ritmin e njëjtë, si ato në atë të dedikuar edhe për trafik.
Përveç këtyre anësoreve të betonit, aty nuk është ndërtuar asgjë tjetër.
Edhe për këtë urë, Qeveria ka premtuar se do të finalizohet në shtator.
Por, zhvillimi i punimeve për projektin e ndërtimit të urave të reja, që kap vlerën e rreth tre milionë eurove, është shoqëruar me reagime të ashpra politike dhe hetime ligjore.
Projekti është vënë nën hetim nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse.
Më 10 korrik, Prokuroria konfirmoi zyrtarisht se autorizoi Policinë e Kosovës për të hetuar mënyrën e lidhjes së kontratës për këtë projekt, por nuk ka ndarë informacione të tjera.
Urat, një për automjete dhe tjetra për këmbësorë, janë pjesë e një projekti të infrastrukturës publike që synon të forcojë lidhjen ndërmjet Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.
Video nga arkivi: Si e pritën qytetarët ndërtimin e urave të reja?
Projekti ka ngjallur reagime edhe në nivel lokal, veçanërisht nga komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut.
Lista Serbe ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë për “mungesë konsultimi me qytetarët lokalë”.
Ky subjekt politik organizoi një peticion, në të cilin u nënshkruan mbi 3.500 qytetarë serbë të komunave veriore të Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, më herët i tha REL-it se, megjithëse projekti është i domosdoshëm në aspektin urban, sipas tij, “momentumi nuk ishte i duhur”.
Marina nga Mitrovica e Veriut kishte thënë për REL se ky është “një vendim i nxituar nga autoritetet e Kosovës për të demonstruar pushtetin e tyre mbi qytetarët e veriut”.
“Të gjithë e dimë se ato dy ura nuk i nevojiten aspak qytetit dhe nuk mund të kontribuojnë në asnjë ‘përafrim’ ose ‘forcim të komunikimit’ midis qytetarëve në dy anët e Ibrit, por shërbejnë ekskluzivisht si mjet për të mbjellë paranoja te popullata serbe e veriut”.
Marina kujton se ka ura funksionale për qarkullim dhe se qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut mund të kalojnë në këmbë edhe përmes urës kryesore mbi Ibër.
Për Anën, ideja e ndërtimit të dy urave mbi Ibër, përveç kryesores, është “krejtësisht e pakuptimtë”.
“Më shumë më duket si premtim parazgjedhor dhe mesazh për elektoratin, sesa kujdes i vërtetë për qytetarët dhe mënyrën se si ata funksionojnë. Komuna e Mitrovicës së Veriut duhet të merret me çështje të tjera, e jo me ide që nuk kanë thelb”, thotë ajo.
Një këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Dushan Millunoviq, beson se këto ura janë të panevojshme.
Ai thotë se askush nuk u konsultua me qytetarët për nevojën e tyre dhe se çështja nuk u diskutua as në seancat e Kuvendit Komunal.
Sipas tij, ka çështje shumë më të rëndësishme që autoritetet lokale në veri të Mitrovicës duhet t’i adresojnë.
Ndërtimi i këtyre urave “do të ndikojë negativisht në situatën e përgjithshme”, thotë Millunoviq.
“Nëse do t’i kishim zgjidhur të gjitha problemet e qytetit, siç janë rrugët, kanalizimet, infrastruktura… Nëse do të ishte koha për të ndërtuar ura, do ta kuptoja. Por, për fat të keq, situata në terren nuk është e tillë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë mbetet e mbyllur për qarkullim, pavarësisht se ishte rikonstruktuar vite më parë.
Rivitalizimi ka qenë pjesë e marrëveshjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe ka pasur për qëllim rivitalizimin e urës si një hap simbolik dhe praktik drejt normalizimit të situatës në Mitrovicë të veriut dhe lëvizjes së lirë.
Edhe sot, mbi urë qëndron pandërprerë një automjet me pjesëtarë të karabinierëve italian.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Mitrovica është përballur me tensione dhe ndasi të thella etnike ndërmjet komunitetit shqiptar në jug dhe atij serb në veri.
Shumica e ndërhyrjeve infrastrukturore që prekën zonat ndarëse apo të përziera etnikisht kanë nxitur tensione si në jug ashtu edhe në veri.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të shtunën se Kosovës i janë miratuar aplikimet në Kornizën për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe që vendi do t’i përfitojë mbi 2 milionë euro.
Korniza për Investime e BE-së për Ballkanin Perëndimor synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit.
“Përkundër faktit që vendi ynë ishte nën masa të padrejta të BE-së, vitin e kaluar aplikuam në thirrjet e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) me katër projekte në fushat e energjisë dhe digjitalizimit”, ka shkruar Bislimi në Facebook, si referencë për masat që pati vendosur blloku evropian ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023.
Sipas Bislimit, për projektet e energjisë shuma e granteve të asistencës teknike do të shkojë në mbi 800 mijë euro, ndërsa për ato të digjitalizimit në mbi 1 milion e 200 mijë euro.
Masat ishin vendosur si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Përveç fondeve të bllokuara nga Korniza e Investimeve, Kosova ishte suspenduar edhe nga programi i fondeve në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit), si dhe nga takimet e ekipeve të angazhuara në kundër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) – paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian.
Kosovës kanë nisur t’i hiqen disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian në maj të këtij viti. Dëmet, sipas njohësve të këtyre çështjeve arrijnë në qindra miliona euro.
Sipas raportit të Institutit GAP, masat përgjatë dy viteve kanë prekur rreth 395 milionë euro mjete në kuadër të WBIF-së, dhe rreth 218 milionë euro në kuadër të programit IPA – program që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në.
Sipas raportit, sektori i mjedisit ka pësuar më së shumti nga masat ndëshkuese të BE-së për Kosovën, kur merret parasysh vlera e projekteve të pezulluara – rreth 350 milionë.
Kosova është mbështetur nga Korniza e Investimeve që nga viti 2009. Deri në vitin 2021, në Kosovë ishin mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh. Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.
Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.
Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po vazhdon vendosjen e shenjave të reja përgjatë vijës kufitare.
Shenjat e tilla, të vendosura në zonat malore dhe pyllëzuese, shënojnë qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale.
“KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet e tilla për promovimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë përmes patrullimeve të rregullta në veri të Kosovës dhe pranë vijës kufitare”, thuhet në njoftimin e KFOR-it. bw
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka konfirmuar përgjimet e kryera nga zyrtarë të lartë serbë brenda takimeve në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kurti tha se ky veprim shfaq një formë të re të qasjes minuese dhe sabotuese të Serbisë. .
Në emisionin “Five” të televizionit Dukagjini, janë publikuar këtë javë përgjime që Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, kishte bërë në takimin e datës 17 shtator 2020 në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Këto përgjime ilegale të bisedave me zyrtarë evropianë, këtë të premte, i konfirmoi edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë.
“Rasti i fundit ku dëshmohet audioincizimi ilegal dhe i fshehtë i bisedave në Bruksel, është rast jashtëzakonisht serioz që shpërfaqë në një formë që nuk e kemi hasur më herët të qasjes sistematike, destruktive, minuese dhe sabotuese të Serbisë, në raport me palët, ndërmjetësuesin dhe vet procesin e ndërmjetësuar nga Brukseli”, ka thënë Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës.
Popoviqi u arrestua më 18 korrik të këtij viti në Kosovë pasi e kishte quajtur UÇK-në terroriste.
Kurti shtoi se Serbia po vazhdon të punojë për destablizimin e Kosovës, ndërkaq tha që organet e sigurisë janë duke iu kundërvënë sukseshëm. bw
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të premten se Kosova do ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane.
“Tani e tutje, të gjitha produktet me orgjinë nga Shtetet e Bashkuara do të kenë tarifë 0 për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë Kurti në nisje të mbledhjes.
Kurti ka thënë se përmes këtij hapi dëshmohen marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe tregohet se Kosova dëshiron të ketë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara.
Ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ka thënë se në katër vjetët e fundit, marrëdhëniet me SHBA-në kanë arritur transformim substancial, çka, sipas saj, ka ndikuar në forcim të marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë dhe diplomaci.
“Këtë vendim e shohim si vazhdimësi të politikave të pandara të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara, jo vetëm në forcimin e miqësisë, por në krijimin dhe forcimin e një partneriteti të mirëfilltë, me një shtet që ka qenë gjithmonë përkrahës ndaj shtetësisë sonë”.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në X iu drejtua presidentit amerikan, Donald Trump, dhe popullit amerikan, duke iu thënë se Kosova “është partnerja juaj e besueshme në përpjekjet për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj të fuqishme, të sigurt dhe më prosperuese”.
Lajmi për heqjen e tarifës është mirëpritur edhe nga odat ekonomike në Kosovë.
Oda Ekonomike Amerikane tha se muaj më parë kishte bërë thirrje për heqjen e kësaj tarife.
“Ky hap i rëndësishëm pasqyron një demonstrim të fortë dhe strategjik për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik që ka Republika e Kosovës”, ka thënë Oda amerikane, duke shtuar se ky vendim hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare dhe investimet në sektorët kyç.
Ndërkaq, Oda Ekonomike e Kosovës tha se vendimi do të mundësojë rritjen e shëmbimeve tregtare.
“Ky vendim, i marrë sot, do të mundësojë rritjen e shkëmbimeve tregtare, tërheqjen e më shumë investimeve amerikane në Kosovë dhe anasjelltas, por mbi të gjitha, dëshmon miqësinë e sinqertë dhe të përhershme që ekziston mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne kërkojmë që hapi i radhës të jetë njohja e statusit të privilegjuar për çdo investitor amerikan në Kosovë”.
Tarifat e reja të Trumpit
Vendimi i Kurtit ka ardhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i ka prezantuar tarifat e reja ndaj 69 vendeve me të cilat bën tregti SHBA-ja, me arsyetimin se ato kanë qenë të padrejta ndaj ekonomisë amerikane.
Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë është thënë se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit.
Në atë urdhër, Kosova ishte goditur me tarifë reciproke prej 10 për qind, ashtu sikurse Shqipëria dhe Mali i Zi.
Me vendimin e ri për tarifat, që do të zbatohet prej 7 gushtit, vendet tjera të Ballkanit janë goditur me tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut 15 për qind, Bosnje-Hercegovina 30 për qind dhe Serbia 35 për qind.
Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat janë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa që shkojnë deri në 41 për qind.
Trump, fillimisht, i pati bërë publike tarifat në prill, por më pas i ka pezulluar ato për 90 ditë, që të mundësojë zhvillimin e negociatave me palët e interesuara.
Kur tarifat ishin përmendur për herë të parë, ekspertët në Kosovë patën vlerësuar se ato do të kenë shumë ndikim për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati kërkuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës pezullimin e taksës, por ajo kishte mbetur në fuqi.
Osmani pati thënë se zyra e saj e ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave amerikane, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri – diçka që nuk ka ndodhur ende, as pas mbi 50 tentimesh.
Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë (2022).
Produktet që i eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajin qershor të këtij viti, produktet e importuara nga SHBA-ja përbëjnë më pak se 1 për qind të importit në Kosovë.
Ditë më parë, Ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara besojnë se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik me Kosovën në disa sektorë strategjikë dhe se heqja e barrierave tregtare do t’i forconte më tej këto lidhje.
“Ne i inkurajojmë sektorët publikë dhe privatë në Kosovë që të vazhdojnë të kërkojnë mundësi ekonomike dhe investime në tregun amerikan dhe që Qeveria të promovojë një mjedis transparent dhe të qëndrueshëm për bizneset amerikane që kërkojnë të zgjerohen në Kosovë”, është thënë mes tjerash në përgjigje.
Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, ka zyrtarizuar ministrin Hajrullah Çeku si kandidat për kryetar të kryeqytetit.
Në ngjarjen ku u bë prezantimi zyrtar, mori pjesë edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili garën për Prishtinën e cilësoi si “detyrë historike”.
Çeku, përmes një postimi në Facebook, tha se ky nuk është vetëm një hap formal, por një zotim i qartë për një drejtim të ri për kryeqytetin.
“Një Prishtinë që funksionon, që zhvillohet dhe që nuk lë askënd pas”, shkroi ai.
Ajo që nuk kaloi pa vëmendje ishte gjesti i Çekut në skenë – i cili, pasi mori fjalën si kandidat, ia zgjati dorën Mefail Bajqinovcit.
Ky i fundit ishte përmendur më herët si një prej të interesuarve për kandidaturën, megjithëse këtë interes e kishte shprehur në mënyrë të tërthortë.
Por në fund, partia vendosi për Çekun – ndërsa Bajqinovcit, të paktën për tani, i mbetet vetëm vendi në sallë dhe duartrokitja për kandidatin që nuk ishte ai. bw
Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë me terma të prerë mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe të tregojë se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit nuk është konsumuar.
Kështu vlerëson Zahir Çerkini, profesori i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Ai pret që Gjykata Kushtetuese ta ritheksojë se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur të deputetëve.
“Kështu edhe e tha Gjykata (më 26 qershor), por e tha me terma më kushtetues. Pres të jetë më e hapur, më e artikuluar në drejtim të obligimit që institucionet të ulen dhe të votojnë në mënyrë të hapur për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, thekson Çerkini për Radion Evropa e Lirë.
Për t’i sqaruar çështjet kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese i janë drejtuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ata janë në pritje të një vlerësimi të ri të Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi i saj i 26 qershorit nuk arriti të sqaronte në mënyrë të prerë rrugën për konstituimin e Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese, më 26 qershor, u dha 30 ditë afat deputetëve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e Kuvendit.
Presidentja e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.
Kërkesa është regjistruar si lëndë e veçantë nga ana e gjykatës.
Çerkini shpreh mendimin se Gjykata Kushtetuese duhet ta konfirmojë se ky afat duhet të rikthehet në pikën e rrjedhjes, aty ku rendi i ditës së seancës ka devijuar.
“Pres nga Gjykata Kushtetuese që të tregojë se afati 30 ditësh nuk është konsumuar ende, për faktin se nuk është shkuar në atë që ka thënë Gjykata, pra që të shkohet në votim për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit, pra për konstituimin e Kuvendit, por vazhdimisht është tentuar që të votohet Komisioni (për votim të fshehtë)”, thotë Çerkini.
Sipas tij, kjo nënkupton që afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, të rikthehet në proces e sipër, në ditën kur kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka ndryshuar rendin e ditës, duke kërkuar votimin e Komisionit për votim të fshehtë.
Idenë e Komisionit për votim të fshehtë, Dehari e propozoi më 1 maj, duke u kërkuar partive politike nga një anëtar për komisionin për votimin e fshehtë.
Deri atëherë, në vazhdimet e seancës konstituive të Kuvendit, e cila nisi më 15 prill, e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, disa herë nuk arriti t’i marrë 61 votat e nevojshme të deputetëve për këtë post, përmes votimit të hapur.
Partitë tjera kryesore, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në vazhdimësi kanë refuzuar votimin e fshehtë dhe propozimin e anëtarëve për Komisionin për votim të fshehtë.
Më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme, që nënkupton se nga 27 korriku deri më 8 gusht deputetët nuk duhet të veprojnë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Veprimet e Deharit dhe kandidatura e përsëritur
Në fillim të korrikut, PDK-ja i është drejtuar për vlerësim Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për propozime për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; si dhe ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.
Po ashtu, LDK-ja i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershori, pas aktgjykimit të 26 qershorit. Kjo parti beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës, si dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se nga Gjykata Kushtetuese pritet që të vlerësojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e veprimit të kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit.
“Duhet sqaruar në mënyrë të prerë edhe veprimet e zotit Dehari, në cilësinë e kryesuesit të seancës së Kuvendit, për të përcaktuar dhe elaboruar shkeljet e bëra nga ana e tij deri më tani”, thekson Shala.
Ai shton se Gjykata Kushtetuese duhet ta elaborojë çështjen e të drejtës së propozimit të mandatarit për kryetar të Kuvendit, përkatësisht nëse Lëvizja Vetëvendosje, si parti me më së shumti vota, ka keqpërdorur këtë të drejtë duke propozuar në vazhdimësi të njëjtin emër, pavarësisht se nuk i ka siguruar votat e nevojshme për miratim.
“Gjykata Kushtetuese e ka theksuar se në këto raste kërkohet që të ketë kompromis për të vazhduar tutje dhe thjesht, Gjykata tash duhet të tregojë se si duhet proceduar tutje nëse nuk ka kompromis”, thekson Shala.
Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Çerkini, i cili thotë se Gjykata Kushtetuese duhet të përcaktojë qartë se çfarë ndodh në rast se kandidati i njëjtë për kryetar të Kuvendit nuk i merr votat në disa tentime radhazi.
“Për të dalë nga kjo situatë, është mirë që Gjykata Kushtetuese mbase të tregojë edhe me enumeracion pozitiv (përshkrim konkret, me fakte dhe hollësi të numëruara njëra pas tjetrës) se sa herë një kandidat mund të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit… të tregohet një numër i caktuar se sa herë, brenda sa ditësh, një emër mund të vendoset në kandidaturë”, thekson Çerkini.
Ai shtoi se sqarimi i tillë nuk nënkupton humbjen e të drejtës së partisë së parë fituese për ta propozuar kryetarin e Kuvendit.
Kushtetuesja “t’i përjashtojë zgjedhjet”
Në pamundësi për të siguruar votat për kryetare të Kuvendit, deputetja e Lëvizjes vetëvendosje, Albulena Haxhiu, qysh në muajin qershor hodhi idenë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, bashkë me ato lokale, më vonë këtë vit.
Kjo ide u përsërit edhe nga kolegia e saj partiake, Mimoza Kusari-Lila, e cila duke potencuar hezitimin e partive të caktuara për bashkëqeverisje, ka thënë se zgjidhje mund të jenë zgjedhjet e parakohshme.
Ajo, gjithashtu, e ka përmendur mundësinë e marrjes së mandatit të deputetëve të Kuvendit, si pasojë e pamundësisë që ta konstituojnë Kuvendin.
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak të bllokimit të konstituimit të Kuvendit, ëshët parë si opsion i mundshëm edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Por, lideri i saj Memli Krasniq, ka përjashtuar mundësinë që ato të mbahen bashkë me ato lokale këtë vit.
LDK-ja nuk e ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ndërkaq AAK-ja ka thënë se nuk i kërkon ato, por është e gatshme, nëse zgjedhjet mbahen.
Profesor Çerkini thekson se Gjykata Kushtetuese nuk duhet fare të merret me këtë ide.
“Idenë se a mund t’iu merret mandati deputetëve nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duke e dërguar vendin në zgjedhje… unë mendoj se Gjykata nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë. Nuk i takon Gjykatës Kushtetuese që të ndërhyjë në pushtetin politik për të dërguar vendin në zgjedhje”, thotë Çerkini.
Me këtë pikëpamje pajtohet edhe Shala nga IKD-ja. Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit nuk është rrethanë e paraparë në Kushtetutën e Kosovës, e cila do të përcaktonte marrjen e mandateve të deputetëve.
Edhe pse nuk dihet saktësisht se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Shala thotë se praktikat nga vendimmarrjet e kaluara të kësaj Gjykate tregojnë se nuk mund të ketë zgjedhje të reja përmes aktgjykimeve të saj.
“Vetë Gjykata Kushtetuese, më 2014, ka thënë se askund në Kushtetutë nuk thuhet se moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit e çon vendin në zgjedhje. Mirëpo, nuk e dimë nëse Gjykata Kushtetuese do ta ndërrojë praktikën”, thekson Shala.
Të dy njohësit e çështjeve juridike – kushtetuese vlerësojnë se mbetet e pasigurt se kur Gjykata Kushtetuese mund të dalë me sqarime lidhur me kërkesat e parashtruara në adresë të saj nga PDK-ja dhe LDK-ja, si dhe nga presidentja Osmani.
Megjithtatë, marrë parasysh që më 8 gusht skadon afati i masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon veprimin e deputetëve në drejtim të konstituimit të Kuvendit, ata presin që një vendimi i kësaj gjykate mund të shpallet para kësaj date.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të enjten Millosh Pleskoviqin me 15 vjet burgim, nën akuzat për krime lufte në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Pleskoviq bashkë me një grup serbësh të armatosur, i kanë vrarë tre civilë shqiptarë dhe i kanë plagosur disa të tjerë në qytetin e Prizrenit, raporton Betimi për Drejtësi, medium i specializuar raportime në fushën e drejtësisë.
Gjykatësi Rrahman Beqiri ka thënë të enjten se vendimi do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh ngë hyrja në fuqi e aktgjykimit. Pleskoviq veçse ka qenë nën masë të paraburgimit.
Sipas aktakuzës, Pleskoviq ka gjuajtur me armë të tipit ‘Kallashnikov’, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.
Mes tjerash në dokument është përmendur se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i merrnin trupat e viktimave pas një jave nga vrasja, dhe që trupat e R. dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F.B, nuk e kishte kokën në trup.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende të zhdukur.
Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.
Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.
Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Burimet brenda ZRRE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se juristët e tyre konsiderojnë se ky aktgjykim vlen vetëm për kompaninë që e ka paditur ZRRE-në, por shtuan se presin sqarime shtesë nga gjykata.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit u detyruan të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Kompanitë që nuk kanë arritur të lidhin kontratë me një furnizues, po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), si mundësi e fundit për sigurimin e energjisë elektrike, për një periudhë 60-ditore. Kjo periudhë, për ata që kanë lidhur kontratë me KEK-un, skadon më 31 korrik.
Për këtë datë është paralajmëruar se të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.
Por, në aktgjykimin e publikuar më 30 korrik, lidhur me padinë e ngritur nga kompania Proex kundër ZRRE-së, Gjykata Komerciale vendosi që të anulojë njoftimin e lëshuar nga ZRRE-ja më 12 mars, përmes së cilit njoftonte kompanitë për dalje në tregun e lirë, duke e cilësuar si të kundërligjshëm.
“Të gjithë konsumatorët që sipas njoftimit të paditurës [ZRRE-së] do të dalin ne treg të lirë për t’u furnizuar me energji elektrike, janë njoftuar për një ndryshim me rëndësi kaq të lartë vetëm 2 muaj e gjysmë paraprakisht. E paditura, përveç faktit që ka dështuar qe këtë çështje ta rregullojë përmes aktitadministrativ, duke ju ofruar palëve arsyetimin, bazën ligjore, këshillën juridike si dhe çështjet e tjera me rendësi për një tranzicion të tillë, ka dështuar që fillimisht të ju ofroj konsumatorëve informata të nevojshme dhe jetike për këtë proces”, u tha në vendimin e Gjykatës.
Gjykata Komerciale tha se vendimi i ZRRE-së për të nxjerrë të gjithë konsumatorët në treg të lirë, të “bazuar në një interpretim të gabuar” të dispozitave ligjore, përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi sipas gjykatës ZRRE-ja i ka trajtuar në mënyrë të padrejtë konsumatorët, që sipas ligjit, plotësojnë të paktën një nga kriteret e kërkuara për dalje në treg të lirë.
“Rrjedhimisht, vendimi dhe njoftimi i të paditurës janë të kundërligjshme, si për nga përmbajtja ligjore ashtu edhe për nga forma procedurale, duke u bazuar në interpretim të pasaktë të dispozitave dhe zbatim të gabuar të normave në dëm të konsumatorëve”, tha Gjykata Komerciale, e cila po ashtu ka anuluar pikën 4 të vendimit të ZRRE-së, me të cilin, konsumatorët fundorë kanë të drejtë të furnizohen me energji elektrike në tregun konkurrues.
Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale, duke e vlerësuar si vendim të rëndësishëm dhe që konfirmon shqetësimet e ngritura nga komuniteti i biznesit dhe nga kjo odë “lidhur me mënyrën e njëanshme dhe jo transparente të zbatimit të këtij procesi”.
“Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRRE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike. ZRRE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës, dhe moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale”, u tha në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës.
Ndërkaq, Oda Ekonomike Amerikane i bëri thirrje ZRRE-së që “të shfuqizojë menjëherë vendimin e saj të kontestuar për liberalizimin e tregut të energjisë”.
“Aktgjykimi i sotëm, por edhe ato të para disa javëve, konfirmojnë shqetësimet e ngritura nga bizneset dhe Oda Amerikane, duke theksuar më tej të metat procedurale dhe substanciale në procesin e liberalizimit. Pasiguria juridike e krijuar muajve të fundit ka shkaktuar konfuzion të jashtëzakonshëm në mesin e bizneseve, duke minuar parashikueshmërinë rregullative dhe duke cenuar planifikimin operativ”, tha Oda Ekonomike Amerikane.
Më shumë se 1.300 biznese private tashmë janë pjesë e këtij tregu.
Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Kurse në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar koordinimin mes misionit të KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin e kërkim-shpëtimit të RR.L, që ishte zhdukur në liqenin e Ujmanit në Zubin Potok.
Përmes një deklarate, Ambasada Britanike thekson se ky operacion është dëshmi e aftësive të shkëlqyera të FSK-së në kërkim dhe shpëtim dhe se bashkëpunimi me KFOR-in është në përputhje me marrëveshjet ndërmjet dy institucioneve.
Ambasada Britanike ka përgëzuar KFOR-in për sigurimin dhe mbështetjen gjatë tërë operacionit dhe ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës.
“Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është thelbësor për suksesin e këtij misioni”, thuhet në reagim.
Edhe Ambasadori i Francës në Kosovë ka shprehur mbështetjen e plotë të shtetit francez për KFOR-in dhe Komandantin e tij.
“Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë ta mbështesë plotësisht, sidomos në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, shkroi ambasadori Olivier Guerot në platformën X.
Ai gjithashtu ka vlerësuar mediat që kanë raportuar saktë për rolin e KFOR-it në përpjekjet për gjetjen e trupit të personit të zhdukur në liqenin e Ujmanit.
Një ditë më parë, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, tha se është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar angazhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit.
“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë moment i pikëllimit kolektiv dhe jo rast për të fituar pikë politike”, u tha në reagimin e Ambasadës gjermane.
Operacioni i kërkim-shpëtimit nisi me 27 korrik, por Agjencia për Menaxhim Emergjent kërkoi asistimin e FSK-së, për nxjerrjen e trupit të RR.L, i cili dyshohet se kërceu nga lartësia e një ure në Ujman.
Dislokimi i FSK-së u bë i mundur vetëm pas dhënies së pëlqimit nga komandanti i KFOR-it.
FSK-ja, brenda pak orësh, arriti ta identifikojë dhe nxjerrë nga thellësia trupin e 33-vjeçrit.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.
Ky zotim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.
Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.
Pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) afër Liqenit të Ujmanit.
Radio Evropa e Lirë
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka thënë të martën se është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar angazhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit, për gjetjen e trupit të një 33-vjeçari që dyshohet se ka kërcyer nga ura e liqenit dy ditë më parë.
Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Disa orë pas angazhimit të FSK-së është gjetur trupi i pajetë. Paraprakisht, operacioni i FSK-së e ka marrë dritën e gjelbër nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, me arsyetimin se ka të bëjë me qëllime humanitare.
“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë moment i pikëllimit kolektiv dhe jo rast për të fituar pikë politike”, ka thënë Ambasada gjermane.
Sipas saj, deklaratat e aktorëve politikë se ky mision i FSK-së është “i pari në veri të Kosovës”, vetëm se e keqinterpretojnë qëllimin e angazhimit.
“Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, është thënë mes tjerash në reagim.
Ambasada ka thënë se mbështet plotësisht misionin e KFOR-it dhe vlerëson përpjekjet e këtij misioni, si dhe të FSK-së, për kërkim-shpëtim.
“Profesionalizimi i tyre dhe bashkëpunimi janë në të mirë të publikut dhe shërbejnë si përkujtim se çfarë mund të arrihet kur institucionet punojnë së bashku në shërbim të dinjitetit njerëzor”.
Përmes një postimi në Facebook, FSK-ja ka thënë se operacioni është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
“Trupi u është dorëzuar autoriteteve për procedurat e mëtejme hetimore”, është thënë mes tjerash në Facebook.
Pjesëtarë të FSK-së në operacionin e kërkim-shpëtimit.
Operacioni është realizuar me urdhër të komandantit të FSK-së, Gjenerallejtnant Bashkim Jashari.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.
Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.
Pjesëtarë të FSK-së në operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit.
Radio Evropa e Lirë
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur në pasditen e së martës se është gjetur trupi i pajetë i një 33-vjeçari në Liqenin e Ujmanit, i cili kishte kërcyer në të dy ditë më parë.
Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Përmes një postimi në Facebook, FSK-ja ka thënë se operacioni është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
“Trupi u është dorëzuar autoriteteve për procedurat e mëtejme hetimore”, është thënë mes tjerash në Facebook.
Operacioni është realizuar me urdhër të komandantit të FSK-së, Gjenerallejtnant Bashkim Jashari.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Më herët gjatë ditës, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Ndërkaq, gjatë një prononcimi për media në Ujman, drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Genc Metaj, tha se kjo agjenci një ditë më parë ka parashtruar kërkesën për angazhimin e FSK-së në operacionin e kërkimit.
KFOR-i: Operacioni zhvillohet nën kushte specifike
Një ushtar i KFOR-it dhe pjesëtarë të FSK-së qëndrojnë mbi njërën nga urat në Liqenin e Ujmanit, ku më 29 korrik 2025 po zhvillohen kërkime.
Nga misioni i KFOR-it konfirmuan se komandanti i saj, gjeneralmajor Enrico Barduani, autorizoi FSK-në të dislokojë ekipe të kërkim-shpëtimit në zonën e liqenit të Ujmanit.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se autorizimi është dhënë për arsye humanitare, në përputhje të plotë me kompetencat e komandantit të KFOR-it.
“Operacioni zhvillohet nën kushte specifike të vendosura nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të sigurojë mbarëvajtjen e tij”, thuhet në njoftim.
“Angazhimi i FSK-së në këtë rast është në përputhje me mandatin e saj fillestar, që përfshin ndihmë për komunitetet lokale në raste katastrofash natyrore dhe operacione të kërkim-shpëtimit”.
Pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.
Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.
Automjete të FSK-së në veri të Kosovës më 29 korrik 2025.
Radio Evropa e Lirë
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkërendim me KFOR-in, kanë nisur operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës, pasi dy ditë më parë nga ura në këtë liqe dyshohet se një person kërceu dhe nuk doli më nga uji.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të një mërgimtari, që kërceu nga ura në Liqenin e Ujmanit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Një 33-vjeçar dyshohet se kërceu nga ura në Ujman pasditen e së dielës. Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Operacionet e kërkim-shpëtimit deri më tani i kanë realizuar pjesëtarët e Policës së Kosovës së bashku me ata të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. Ndërkaq, pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.
Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të bëra. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.
Analisti Shkëlzen Gashi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, komentoi zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Gashi pohoi se Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës ka sjellë zhgënjim te qytetarët, pasi për 3 muaj e gjysmë nuk u arrit asnjë gjë.
Sipas Gashit, faji kryesor bie mbi partitë politike opozitare, pasi në vitin 2014, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, ishte obligim zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe kryesisë së saj.
Shkëlzen Gashi: “Moskonstituimi i Kuvendit ka sjellë zhgënjim te qytetarët e Kosovës. Për mendimin tim, faji kryesor bie mbi partitë politike opozitare, pasi në vitin 2014, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, ishte obligim zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe kryesisë së saj. Dhe normalisht nuk ka pasur ngërç, ndërsa tani këto parti që deri dje kanë qenë në pushtet po bojkotojnë dhe arritëm në këtë situatë që jemi sot. Vetëvendosja mund të ketë plot mëkate, por jo në këtë rast.
Kryetari e Kuvendit i takon VV dhe normalisht duhej të ishte zgjedhur, pastaj nëse Albin Kurti brenda dy javësh nuk formonte dot Qeverinë, atëherë presidentja ia kalon stafetën partisë së dytë e kështu me radhë. Në rast se nuk formohet qeveria, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakoshme.”
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë Millun Millenkoviq – Llunen, Aleksandar Vllajiqin dhe Dejan Pantiqin për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022.
Millenkoviq – Llune dhe Vllajiq janë dënuar me nga pesë vjet burgim, ndërsa Pantiqi me dy vjet burgim.
Millenkoviqit dhe Vllajiqit do t’iu llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.
Pantiq dhe Miomir Vakiq, i cili është liruar nga akuzat, sepse nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale, janë mbrojtur në liri.
Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj këtyre katër personave dhjetor të vitit 2023 për veprën penale “akt terrorist”.
Ata akuzoheshin se kanë sulmuar zyrat e KQZ-së me bomba dore dhe mjete shpërthyese, me qëllim – siç thuhet në aktakuzë – “destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”. Sipas prokurorisë, nga ky sulm janë rrezikuar seriozisht jetët e zyrtarëve të KQZ-së dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në seancën e parë, të mbajtur në fund të janarit 2024, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Kush është Millun Millenkoviq – Llune?
Ai përmendet si organizatori kryesor i sulmit ndaj zyrave të KQZ-së. Pas arrestimit të tij më 13 qershor 2023 në Mitrovicën e Veriut, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Policia kishte arrestuar “njërin nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’, i cili ka drejtuar grupe kriminale që për vite me radhë kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si terroriste.
Sveçla, po ashtu, e ka lidhur Millenkoviqin me organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan, kur tensionet shpërthyen pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Nga përplasjet u plagosën mbi 100 persona nga të dyja palët.
Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka mohuar që Millenkoviq të jetë kriminel, duke e quajtur “luftëtar të shquar për interesat kombëtare serbe në veri të Kosovës”. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte reaguar pas arrestimit, duke thënë se ka biseduar me zyrtarë ndërkombëtarë për këtë çështje.
Procesi gjyqësor dhe dëshmitë e Prokurorisë
Deklaratat përfundimtare të mbrojtjes u dhanë të premten, ku u theksua se aktakuza pjesërisht bazohet në komunikime të përgjuara përmes aplikacionit Viber. Avokatët i mohuan akuzat ndaj klientëve të tyre.
Portali “Betimi për Drejtësi”, që ndjek rregullisht proceset gjyqësore në Kosovë, raportoi se avokati Lubomir Pantoviq deklaroi se të gjitha provat e përfshira në aktakuzë mbështeten në raporte dhe dokumente policore, pa ndonjë përshkrim konkret të veprimeve të pretenduara të të akuzuarve.
Kush janë të akuzuarit për terrorizëm?
Më 6 dhjetor 2022, në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut u hodhën dy mjete shpërthyese, nga të cilat njëra eksplodoi.
Për këtë rast, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës u arrestua Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, veprim që nxiti krizë në veri dhe vendosjen e barrikadave nga serbët lokalë. Barrikadat u hoqën më 29 dhjetor, pasi një vendim gjyqësor e lejoi Pantiqin të mbahej në arrest shtëpiak.
Më 13 qershor 2023, në Mitrovicën e Veriut u arrestua Millun Millenkoviq – Llune. Arrestimi i tij u pasua nga ndezja e sirenave të alarmit në qytet, çka solli grumbullime të qytetarëve. Gjatë periudhave të tensionuara në veri, këto sirena janë përdorur për të mobilizuar popullatën – dyqanet, barnatoret dhe hapësirat komerciale mbylleshin, ndërsa grupe të organizuara dilnin në rrugë ose vendosnin barrikada.
Nuk dihej kush i menaxhonte këto sirena, por në dhjetor 2023, Policia e Kosovës njoftoi se kishte konfiskuar në Mitrovicën e Veriut një sirenë alarmi me gjashtë altoparlantë.
Aleksandar Vllajiq u arrestua nën dyshimin se kishte mbledhur dhe transmetuar informacione konfidenciale për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA). Ai u akuzua më pas në një rast të veçantë për spiunazh dhe në fillim të qershorit u dënua me pesë vjet burg. Vllajiq e pranoi fajësinë për rastin e spiunazhit, por e mohon përfshirjen në sulmin ndaj KQZ-së.
Gjatë gjykimit, prokuroria paraqiti prova se edhe Miomir Vakiq ka qenë i përfshirë në sulm. Janë prezantuar mesazhe që ai ka shkëmbyer me të akuzuarin Dejan Pantiq, në të cilat Pantiq shkruan: “Këtu po bien dardhat”, ndërsa Vakiq i përgjigjet: “hidhuni ndonjë mollë”.
Sipas prokurorisë, kjo gjuhë e koduar nënkuptonte vendndodhjen e policisë dhe përdorimin e bombave./REL
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se katastrofa humanitare dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm në Gazë duhet të marrin fund.
Sipas saj, Kosova mbështet përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për armëpushim dhe lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve.
“Në ndërkohë, sigurimi i qasjes në ushqim, ujë dhe ilaçe për personat më të cenueshëm duhet të mbetet prioritet për të lehtësuar vuajtjen e shkaktuar te të pafajshmit nga dhuna”, tha Osmani përmes një reagimi në X.
Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Edhe disa pengje ende mbahen në territorin palestinez.
Si pasojë e ofensivës izraelite, më shumë se 59.000 palestinezë janë vrarë dhe vendi me mbi 2 milionë banorë po përballet me krizë të thellë humanitare. Organizatat ndërkombëtare kanë ngritur alarmin për raste të shumta të kequshqyerjes në Gazë.
Presidentja Osmani tha se Kosova vazhdon të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare që synojnë një të ardhme të drejtë, të qëndrueshme e paqësore, ku “izraelitët e palestinezët mund të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë, me një përkushtim të përbashkët për mbrojtjen e jetës së njerëzve”.
“Derisa të arrihet kjo e ardhme, duhet bërë çdo përpjekje për të parandaluar humbjen e mëtejme të jetës së pafajshme dhe të lehtësohen vuajtjet e të gjithë njerëzve”, tha Osmani.
Reagimi i Osmanit vjen disa ditë pasi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një letre drejtuar asaj dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kërkuan që ata të reagonin lidhur me krizën humanitare në Gazë.
“AGK-ja i kërkon presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë Kurti që të marrin qëndrim të qartë rreth kësaj krize, dhe të bëjnë thirrje publike për ndaljen e vrasjes së civilëve dhe gazetarëve nëpërmjet metodës së urisë, të orkestruar nga shteti i Izraelit”, tha AGK-ja.
Një ditë më parë, Izraeli – që ka synim ta shkatërrojë Hamasin – njoftoi për një “pauzë të kufizuar taktike” të operacioneve të tij ushtarake, me qëllim që të lejojë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë për të dërguar ndihma në territorin palestinez.
Ndërkaq, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën thanë se kanë hedhur nga ajri 25 tonë ndihma në Gazë, për të lehtësuar krizën e thellë të urisë.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre.
Agjencia njoftoi se një zjarrfikës është lënduar në Ferizaj gjatë intervenimit për shuarjen e zjarreve.
“Raporti i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, tha Osmani.
Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, ka pasur edhe intervenim me helikopter nga KFOR-i.
Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.
Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.
Edhe pse Agjencia e Menaxhimit Emergjent nuk ka treguar se në cilat zona janë përhapur zjarre, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur për zjarre në disa fshatëra të kësaj komune.
“Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje per shuarje të zjarrit, le të ndihmoj në hapësirën Dubravë – Sallagrazhdë – Mushtisht”, shkroi në Facebook, ku publikoi një video.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent raportoi edhe dje për gjithsej 23 zjarre, prej të cilat shtatë kishin qenë aktive deri në orën 15:00.
Ende nuk dihet se sa dëme janë shkaktuar, por më parë gjatë këtij muaji janë publikuar shumë video në rrjete sociale që tregonin se si arat e mbjella me drithëra si grurë kapeshin nga zjarret.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, që do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, periudhë në të cilën deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.
Më 24 korrik, Kushtetusja tha se ekzistojnë rrethana të interesit publik, që e përfshijnë rendin kushtetues të Kosovës, që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.
“Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, u tha në vendim.
Vendimi për vendosjen ex officio të masës së përkohshme, Kushtetuesja tha se e mori pas pranimit të dy lëndëve në fillim të korrikut nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy lëndë janë bashkuar, tha Kushtetuesja, duke shtuar se Gjykata po ashtu ka pranuar komente nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këto lëndë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) më 3 korrik i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojë kushtetutshmërinë veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të mbajtur më 29 qershor, dhe vazhdimeve të saj, më 1 dhe 3 korrik.
Në kërkesën e saj, PDK-ja konteston: kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; dhe, ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.
PDK-ja beson se këto veprime janë ndërmarrë “në kundërshtim të hapur” me Kushtetutën e Kosovës, dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.
Kjo parti kërkon nga Kushtetuesja ta shpallë “antikushtetues” vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, dhe ta shpallë “antikushtetues” vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive, si dhe ta urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 4 korrik i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershori, pas aktgjykimit nga gjykata më e lartë e vendit.
LDK-ja beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.
Kushtetuesja doli me një aktgjykim për ngërçin politik më 26 qershor, duke obliguar deputetët që ta konstituonin organin ligjvënës brenda një muaji.
Megjithatë, edhe pse vazhdime të seancës konstituive janë mbajtur çdo 48-orë, deputetët nuk kanë arritur deri tani pajtim për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri e as për mënyrën e votimit për të.
Teksa afati 30-ditor po afrohej, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.
Gjykata në vendimin e 24 korrikut përmendi edhe faktin që Osmani, i është drejtuar me kërkesë për sqarime, e cila është regjistruar si lëndë e veçantë.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i tha më herët gjatë ditës Radios Evropa e Lirë se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për masë të përkohshme dhe sqarim të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është “qartazi e pabazuar” dhe, si e tillë, e papranueshme për Kushtetuesen.
Ai tha se Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim mbi këtë çështje në bazë të kërkesave të paraqitura nga deputetët e dy partive politike dhe jo mbi kërkesën e presidentes.
Njoftimi i Kushtetueses vjen një ditë para se deputetët të mblidhen për vazhdimin e 52-të të seancës konstituive. Nëse edhe të premten partitë nuk lëvizin nga qëndrimet, atëherë seanca e radhës mund të thirret vetëm pas 8 gushtit.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) tha se emri i Lulzim Halilit, që raportohet se u arrestua në Serbi një ditë më parë, nuk është gjetur në arkivat e veteranëve të luftës e as në listat e disa brigadave të UÇK-së. Lidhur me këtë rast ende nuk kanë reaguar institucionet zyrtare të Kosovës.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i OVL UÇK, Gazmend Syla.
Mediat në Serbi kanë raportuar se Halili dyshohet për krime lufte kundër njerëzimit. Ai pretendohet se ka qenë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka vepruar në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe pretendohet se ka marrë pjesë në një sulm ndaj një posti ushtarak jugosllav në Koshare.
“Në fakt, as nuk ka status të veteranit luftëtar, as status të veteranit pjesëtar, as nuk ka status të veteranit pjesëmarrës”, tha Syla.
Ai shtoi se shumë veteranë nuk kanë aplikuar fare për status, prandaj OVL UÇK është interesuar dhe ka biseduar me luftëtarë të tjerë në Pejë, prej nga është Halili, nëse e njohin atë, nëse kanë qenë pjesëmarrës në ndonjë betejë me të, apo nëse kanë shkuar për furnizime me armë në Shqipëri. Por, ata nuk kanë pohuar se kanë takuar Halilin gjatë luftës së UÇK-së.
Duke qenë se në Serbi është pretenduar se Halili kishte marrë pjesë në betejën e Koshares, Syla tha se me qëllim që të hulumtohet nëse ai ishte pjesë e kësaj beteje, OVL UÇK ka shikuar në brigadën 138 Agim Ramadani që ka operuar në Koshare.
“Edhe aty nuk ka figuruar emri si veteran, as si pjesëmarrës i kësaj beteje, e as në listat e ushtarëve të UÇK-së”, tha ai.
“Ne si organizatë kemi dyshimet tona se ky skenar është rregulluar e përgatitur nga shteti serb për të dërguar ndonjë mesazh këtu në Kosovë. Ose ndoshta ka qenë edhe hakmarrje për atë që ndodhi me përfaqësuesin e Zyrës së Kosovës në Serbi, siç i thonë ata, i cili u arrestua pas deklarimeve të tij në Rahovec”, shtoi Syla.
Radio Televizioni i Serbisë tha se Halilit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe më pas ai pritet të dërgohet në prokurorinë përkatëse për t’u përballur me kallëzim penal.
Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.
Arrestimi i fundit vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi më 18 korrik në Kosovë u arrestua Igor Popoviq, ndihmësi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”.
Serbia ka kërkuar lirimin e tij dhe ka paralajmëruar për “pasoja të paparashikueshme”, ndërkaq kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin përmes Serbisë, pasi ka thënë se ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
Ndryshe, në Koshare, – në vendin ku Halili akuzohet nga Serbia se ka kryer krime – ishte një post kufitar i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i vendosur në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në shpatet e Pashtrikut. Më 9 prill 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, aty shpërtheu një betejë e përgjakshme, që zgjati 67 ditë, mes forcave të ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, në betejën e Koshareve u vranë 108 ushtarë të ushtrisë jugosllave, ndërsa sipas zyrtarëve në Kosovë, në këtë betejë janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave kishin deklaruar po ashtu se NATO-ja kishte bombarduar zonën e Koshares në maj të vitit 1999.
Beteja në Koshare përfundoi më 14 qershor 1999, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova, në përputhje me marrëveshjen që i dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershme.
Fushata ajrore e NATO-s ndaj Jugosllavisë filloi më 24 mars 1999. Sipas NATO-s, ndërhyrja ushtarake u ndërmor për shkak të shtypjes dhe dëbimit të shqiptarëve nga Kosova nga forcat serbe të sigurisë. Kjo fushatë ajrore zgjati për 78 ditë.
Teuta, bija e Presidentit historik Ibrahim Rugova, do të martohet të shtunën më 25 korrik 2025. Ajo do të kurorëzohet në Katedralën Nënë Tereza në Prishtinë, raportojnë mediat.
Ajo do të martohet me Agron Gjeloshin, birin e aktivistit të njohur, Nik Gjeloshi.
Xhevahire Izmaku dhe Famir Limaj nga Nisma Socialdemokrate në njërën prej seancave për konstituim të Kuvendit.
Radio Evropa e Lirë
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se takimi mes kryetarit të kësaj partie, Famir Limaj dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të zhvillohet në pasditen e së shtunës, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Seanca e re për konstituim të Kuvendit do të mbahet të shtunën në orën 11:00. Deri më tani, 48 përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.
“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Izmaku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, deri tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë nga Lëvizja Vetëvendosje se mund të arrihet një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, por “ekziston një ambient pozitiv”.
“Por, nuk mund të them se si do të jetë vendimmarrja. Situata është e paparashikueshme”, ka thënë mes tjerash ajo.
Më herët gjatë ditës, Limaj është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.
Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, por ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet brenda këtyre ditëve.
Situata është bllokuar pasi Partia Demoratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nga kryesuesi i seancës Avni Dehari është jokushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.
Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.
Kush sa vota i ka?
Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.
Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.
Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.
Deri tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Radio Evropa e Lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar të premten takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pak para seancës parlamentare të së shtunës për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Deri më tani, 48 përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.
“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.
Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
Presidentja Osmani është cituar të ketë thënë se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe e ka potencuar rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit.
Palët janë takuar një ditë pasi deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.
“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, ka thënë Izmaku për gazetarë.
Sipas saj, temë e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.
Kush sa vota i ka?
Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.
Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.
Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.
Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre.
Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet brenda këtyre ditëve.
Situata është bllokuar pasi Partia Demoratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nga kryesuesi i seancës Avni Dehari është jokushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.
Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është bërë objekt i një kërcënimi të drejtpërdrejtë përmes emailit, të dërguar në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Emaili, i dërguar nga një person me emrin Betim Ibrahimi nga adresa [email protected], kishte për subjektin “Punoni pak ma shumë/shpejt”, por përmbajtja e tij kalonte çdo kufi të komunikimit institucional.
Në mesazhin kërcënues, i cili i është dërguar adresës zyrtare të Zyrës së Presidentes, përveç fjalëve ofenduese dhe gjuhës përçmuese, këshillohen veprime hakmarrëse edhe ndaj familjes së presidentes, për “tradhëti” dhe vendime të pretenduara politike si ndërrimi i flamurit apo zbatimi i gjuhësisë në komunikimin zyrtar.
“”Edhe familja jote. Për tradhti. Për ndërrimin e flamurit tonë. Për ndjekjen e njerëzve dhe marrjen e vendimeve bazuar në mendimet e tyre… A janë shenjat në Serbi në të dyja gjuhët, shqip dhe serbisht?””, shkruhet ndër të tjera në emailin e dërguar më 16 korrik në ora 00:15.
Mesazhi është shoqëruar edhe me një paralajmërim automatik të sistemit informativ të presidencës që e cilëson emailin si të ardhur nga jashtë organizatës.
Ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Presidenca apo Policia e Kosovës, por pritet që rasti të hetohet dhe personi në fjalë të merret në përgjegjësi ligjore./Telegrafi
Krizës së gjatë për formimin e institucioneve në Kosovë së fundmi iu shtua edhe një sfidë e re: vendimi i Gjykatës Supreme që e konsideron nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë, si të kundërligjshme dhe shkelje të dispozitave kushtetuese.
Vendimi i datës 15 korrik lidhet me shfuqizimin e udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve fiskale, të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati – i cili është edhe deputet – e që Gjykata Supreme e shpalli të paligjshëm.
Ky aktgjykim u pasua me reagime të ashpra: Qeveria në detyrë e cilësoi si “arbitrar” dhe “të pabazuar në ligj” – duke argumentuar se Ligji për Qeverinë nuk i ndalon shprehimisht ministrat në detyrë të nxjerrin akte nënligjore – ndërsa Gjykata Supreme paralajmëroi se çdo ndërhyrje në vendimet e saj gjyqësore është e papranueshme.
“Ndërhyrja në gjyqësor është e papranueshme”, tha edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se vendimi i Supremes është i drejtë dhe i detyrueshëm për zbatim, duke theksuar se çdo mospërfillje e tij mund të përbëjë shkelje penale.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe ministrin në detyrë, Murati, se çfarë hapash do të ndërmarrin pas këtij aktgjykimi, por nuk mori përgjigje.
Qeveria nuk dha qëndrim as lidhur me pyetjen nëse po shqyrton mundësinë që ministrat, të cilët janë njëkohësisht edhe deputetë, të ndalin ushtrimin e funksioneve ekzekutive.
Lidhja Demokratike e Kosovës iu drejtua Prokurorisë Speciale më 16 korrik për të kërkuar hetime penale ndaj Qeverisë në detyrë, duke dorëzuar si provë vendimin e Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale.
Sipas deputetëve të kësaj partie, Besian Mustafa dhe Alban Zogaj, ky vendim konfirmoi se Qeveria në detyrë ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme pas certifikimit të ministrave si deputetë, më 27 mars.
KDI: Vendimi i Supremes thekson shkeljet dhe hap rrugë për kontestime ligjore
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili përcjell punën e Kuvendit, vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me Udhëzimin Administrativ të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, është i drejtë dhe i plotfuqishëm.
Ai thekson se çdo mosbindje ose mosrespektim i këtij vendimi përbën shkelje penale.
“Konkretisht, në rastin në fjalë, ministri Murati, nëse vazhdon ta mbajë në fuqi – përkundër që Gjykata (Supreme) e ka anuluar ligjshmërinë apo përmbajtjen e këtij Udhëzimi Administrativ – atëherë ai nuk e zbaton këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme dhe bën shkelje penale”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se vendimi i Supremes, aktualisht, ka efekt vetëm mbi Udhëzimin Administrativ të ministrit në detyrë, Murati. Të gjitha aktet tjera të ministrave në detyrë, që janë njëkohësisht edhe deputetë, mbesin në fuqi, përderisa nuk janë kontestuar në gjykatë.
Megjithatë, thotë Bugaqku, ky vendim lë të kuptohet se edhe vendimet tjera të ngjashme – të nxjerra nga zyrtarë me funksione të dyfishta – mund të jenë të paligjshme dhe të sfidohen juridikisht.
“Ky vendim i Gjykatës Supreme mund të shërbejë si një precedent i mirë ose si një bazë e mjaftueshme ligjore për të gjitha ato palë që janë të afektuara në kuptimin negativ nga vendimet e zyrtarëve publikë. Pra, ta përdorin këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme si provë për t’i kontestuar [vendimet e ngjashme] në gjykata dhe, pastaj, edhe ato të anulohen”, thotë Bugaqku.
Ai shton se vendimi i Gjykatës Supreme e ka sqaruar mirë konfliktin që lind nga ushtrimi i njëkohshëm i funksioneve në ekzekutiv dhe legjislativ nga zyrtarët publikë, por shpreh shqetësimin se ai mund të përdoret nga partitë parlamentare për thellimin e përplasjeve politike.
“Situata e tillë veç i ashpërson dhe i betonizon edhe më tepër qëndrimet e palëve, në këtë rast të partive të mëdha parlamentare, që të mos bashkëpunojnë me njëra-tjetrën”, vlerëson Bugaqku.
Pasojat ligjore në duar të Prokurorisë
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se vendimi i Supremes për ta shpallur të paligjshëm udhëzimin në fjalë është i drejtë, por thotë se u takon organeve të ndjekjes të vlerësojnë nëse ekzistojnë kushte për nisjen e procedurave penale.
“Madje, edhe vetë ministrat në detyrë… unë besoj se e kanë të qartë se nuk duhet të veprojnë me konflikt interesi, sepse jo vetëm që mund të shkelin dispozita që janë përmendur në aktgjykim, por mund të gjendet edhe bazë juridike që dikush t’i ndjekë. Ajo që i ndjek, është Prokuroria e vendit dhe ne nuk mund të paragjykojmë se a do ta bëjë këtë”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.
Ai shpjegon se Kosova nuk ka sistem gjyqësor që thirret në precedentë, ndaj vendimi i fundit i Gjykatës Supreme nuk zbatohet automatikisht për raste të tjera.
Sipas tij, qytetarët apo bizneset mund të kërkojnë drejtësi nëpërmjet padive, nëse mendojnë se janë dëmtuar nga ndonjë vendim i ministrave në detyrë që mbajnë edhe mandat deputeti.
“Pra, mund të iniciojnë (padi) patjetër, sepse parimi i analogjisë në drejtësi është parim që vlerësohet lart dhe është parim standard funksional”, thotë Baraliu.
Ministrat në detyrë përballen tashmë me së paku 17 kallëzime penale, të ngritura nga LDK-ja.
Kosova vazhdon të mbetet me qeveri në detyrë, pasi, pas zgjedhjeve të shkurtit, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mosmarrëveshjeve të thella politike.
Përpjekja e radhës për konstituim, e 48-a, do të bëhet më 17 korrik.