VOAL

VOAL

Shala: Asociacioni do të formohet

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është përgjegjësi e Prishtinës dhe ne nuk guxojmë dhe nuk mund të ikim nga ky obligim, tha Blerim Shala, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai i bëri këto komente në një debat në Beograd me temën: “Dialogu diplomatik – gjendja dhe perspektiva e dialogut të Brukselit”.

“Shpresoj se shumë shpejt do të formojmë grupin punues dhe ky grup me ekipin menaxhues, që e përbëjnë katër serbë, dhe me OSBE-në do të nisë të punojë në Statutin e Bashkësisë apo Asociacionit, ndërsa fjala e fundit do të jepet në nivelin më të lartë në Bruksel, sepse kjo është një çështje politike. Ky Asociacion, kjo Bashkësi do të formohet”, tha Shala, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Shala po ashtu tha se është herët të flitet për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve, por shtoi se vetë koncepti i një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore sugjeron se ajo do t’i detyrojë ligjërisht Serbinë dhe Kosovën.

“Llogarisim se normalizimi duhet të jetë vetëm faza e parë e marrëdhënieve, e cila duhet të rrumbullaksohet me pajtimin midis popujve, pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Shala.

Haradinaj: Ju garantoj se nuk rrezikohet territori i Kosovës

Ramush Haradinaj, me të nisur seanca, ishte i pari që mori fjalën e tij. Ai tha se vota pro kësaj Marrëveshjeje është vota për të ardhmen e qytetarëve. Tha se duke votuar pro nuk rrezikohet territori i Kosovës

Ai e ka paraqitur para deputetëve Projektligjin për Marrëveshjen.

“Jam i bindur se marrëveshja mes dy presidentëve është që të korrektojnë gabimet e bëra.

Vota pro këtij ligji është votë për perspektivën dhe për liri të lëvizjes. Ju garantoj se ratifikimi i këtij ligji nuk e rrezikon territorin e Kosovës, vendimi është në dorën tuaj, sot vota juaj është e ardhmja e qytetarëve.

Sot është tentimi i katërt i Kuvendit të Kosovës, që brenda këtij viti të kalojë Marrëveshja për Demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Ndërsa të pranishëm në sallë janë 85 deputetë.

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Për miratimin e demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Ende nuk dihet nëse Kuvendi i Kosovës i ka siguruar votat e domosdoshme. Koalicioni qeverisës, me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga opozita, pretendon se i ka 78 – 79 vota, ndërkaq shpresohet se deri sot, do të arrihet të sigurohet edhe mbështetja e një apo dy deputetëve tjerë në mënyrë që të plotësohet numri i nevojshëm i votave për ratifikimin e demarkacionit.

 

Gjatë këtij viti, në tri raste Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seanca plenare për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, por nuk ka arritur të kalojë në procedurën e votimit, për mungesë të votave.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje, mbetet kusht i parafundit i vendosur nga Komisioni Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kontestohet roli prijës i Thaçit në dialogun me Serbinë

Përfaqësimi i Kosovës në dialogun e nivelit të lartë politik me Serbinë nga presidenti Hashim Thaçi, po kontestohet nga tabori i partive opozitare. Kuvendi i Kosovës, sipas deputetëve nga komisionet e ndryshme parlamentare, ka autorizuar Qeverinë dhe jo presidentin që ta përfaqësojë vendin në këtë dialog. Debatin rreth dialogut me Serbinë e ka organizuar Instituti Demokratik i Kosovës, i cili zakonisht, në fund mbledh konkluzione dhe ua përcjellë deputetëve për shqyrtim.

Aty, kryetarja e Komisionit për politikë të jashtme, Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi e ka konfirmuar para Komisionit parlamentar se Qeveria nuk është koordinuar dhe as dakorduar zyrtarisht me presidentin Hashim Thaçi në lidhje me rolin prijës të presidentit në dialogun me Serbinë.

“Ne kemi dy rezoluta të miratuara në Kuvend të cilat e autorizojnë Qeverinë për udhëheqjen e dialogut dhe jo presidentin”, tha Osmani.

Osmani kërkoi që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re e cila e qartëson rolin e Qeverisë, përkatësisht të konfirmonte rolin e Qeverisë në udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Kurse deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se shumë nga marrëveshjet tashmë të arritura në dialogun me Serbinë, nuk janë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj, andaj sipas Haxhiut, nuk mund të bëhet thirrje që ato të zbatohen.

Haxhiu tha se në dialog po përmendet hapja e temave të rrezikshme dhe të dëmshme, që nga themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe e deri te shkëmbimi i territoreve me Serbinë.

“Është komplet e papranueshme që presidenti Thaçi në mënyrë autoritare ka marrë udhëheqjen e këtij procesi, kur e dimë se përgjegjësi kryesor për gjithë procesin e bisedimeve, duke e shkelë edhe rolin dhe kompetencën e Kuvendit të Kosovës, është pikërisht Hashim Thaçi”, tha deputetja Haxhiu.

Haxhiu tha se bisedimet janë përcjellë me një mungesë transparence dhe kërkoi që procesi të kthehet për debat në Kuvendin e Kosovës. Ajo tha se për bisedimet me Serbinë, deputetët shpesh informohen përmes statuseve në facebook të përfaqësuesve të Kosovës në dialog.

Mirëpo, jo vetëm roli i presidentit, por deputetët kanë ngritur dyshime edhe te aftësia e delegacionit të ri qeveritar për përfaqësimin e Kosovës në nivelin teknik të bisedimeve me Serbinë.

Deputeti tjetër nga radhët e LDK-së në këtë komision, Driton Selmanaj tha se caktimi i koordinatorit të ri për bisedimet, Avni Arifi dhe delegacionit të ri për bisedimet, paraqet një zhvillim të ri.

“Për mua, qoftë Arifi apo delegacioni i ri është jokompetent për ta përfaqësuar Kosovën. Ky ekip më shumë i përngjanë një ekspedite turistësh sesa një delegacioni shtetëror për përfaqësimin e vendit. Aq më tepër kur tani procesi i bisedimeve po hyn në fazën finale”, tha Selmanaj.

Një paraqitje më të balancuar në raport me bisedimet kishte deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj e cila kërkoi nga deputetët që të mos nxitohen me vlerësime, por të kërkojnë dokumentet e nevojshme nga Qeveria për procesin e bisedimeve dhe më pas të njëjtat të paraqiten në Kuvend për shqyrtim.

Në ditën kur deputetët nga komisionet e ndryshme parlamentare po diskutonin çështjen e dialogut, në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë vazhduar bisedimet në nivelin teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Çështja e energjisë, ajo e lëvizjes së lirë dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vazhdojnë të dominojnë temat e këtyre takimeve.

Kurse të premten, më 23 mars, pritet që bisedimet të zhvillohen edhe në nivelin e lartë politik ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

BE-ja sikur është e kënaqur me rrymat politike të prodhimit të krizave në Ballkan?! Nga Skënder MULLIQI

Shtetet e Ballkanit jo që kan stagnim të proceseve , por kan tendenca të kthimit mbrapa në vitet e 90-ta .Ngjashmeria më atë kohë po shihet dhe po përjetohet si më kriza politike , kriza ekonomike, më kercnime për luftë nga sistemet e instaluara më shumë autokratike së sa demokratike. I ka goditur kriza e migrimeve duke mbajtur gjendje të tensionuar si më rastin e shpërbërjës së ish-Jugosllavisë.Bashkësia ndërkombëtare sikur po është e kënaqur më rrymat e tilla politike të prodhimit të krizave , sepse më këto struktura politike edhe më lehtë e kan të veprojnë .Edhe në Kosovë kemi një gjendje ku strukurat politike në pushtet janë struktura të cilat për shumë vite janë kompremetuar duke abuzuar më të madhe më të mirat materjale shoqërore , duke u implikuar në krim të organizuar e veqmas në korrupcion galopant.Brukseli sikur po shprehë gadishmëri që ti përqafojnë këta politikan kontravers të rajonit në emer të gjoja të mbajtjes së stabilitetit në këtë pjesë të Evropës.

BE-ja më shumë verbalisht së sa praktikisht po interesohet për sistemet autokratike të kurdisuara në Ballkanin Perëndimor.Njerëzit që janë instaluar në krye këtyre shteteve po shkelin rendin kushtetues dhe ligjet e shteteve të tyre . Mbajtja e dy arshineve të strukturës së BE-së karshi këtyre udhëheqjeve shtetërore , është duke i dëmtuar rëndë proceset demokratike zhvillimore dhe janë duke i varfëruar popullatën në mënyrën më brutale të mundshme. Në Ballkan janë krijuar rrjete të përbëshkëta kriminale, të cilat po bashkëpunojnë mirë më njera –tjetrën.Po shfrytëzohen pikat kufitare për shferce të ndryshme , për trafikim dhe kontrabanda duke i dëmtuar kështu rënd interesat shtetërore dhe interesat e qytetarëve .Ne shtetet e rajonit edhe në Kosovë , elitat po ngjasojnë shumë në diktatura, të cilat kanë instaluar “Stabilokracinë” duke lënduar kështu rëndë Demokracinë.

Partnerët politikë të cilët premtojnë stabilitet e sjellin autokracinë janë shumë të rrezikshem.Kështu që partnerë të BE-së në Ballkan ishte dashur të jenë demokratet e jo stabilokratet. Këta stabilokrat janë duke I trajtuar qytetarët si rob.Këto shtete të rajonit janë shëndrruar në shtete autokratike , ku elitat politike të tyre nuk po hezitojnë fare të sillën dhe të veprojnë brutalisht .Edhe Kosova bashkë më disa shtete të rajonit gjithnjë e më shumë është duke e humbur kuptimin e vendit të lirë .Politika pushtetare në vendin tonë është duke diktuar gjithqka dhe është infiltruar në qdo pore të jetës, e që nuk ndodhë në shtetet më demokracië të zhvilluar.Ne emer të pushteteve liberale e kan shëndrruar qytetarin në të dëgjueshem të slloganeve politike të tyre të rrejshme .

Shteti kur është i pavarur nga elitat gjoja demokratike, e kontrollon më mirë interesin e përgjthshem. Demokracia si sistem thirret në të drejtat e përgjithshme të qytetarëve .Zgjedhjet e ndershme dhe të lira janë elementet fundamentale te demokracisë , ku shteti funksionon për popull…

T’i largojmë rrënuesit e shtetit! – Nga Florim Zeqa

Në kohën kur shpërbërja e Parlamentit mund të jetë çështje ditësh dhe orësh e jo më gjatë, me ç’rast do t’u hapet dera zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pashmangshëm shtrohet pyetja, cila do të jetë alternativa më e mirë për qytetarët!?
Nga paslufta e deri në ditët e sotme, për qytetarët asnjëherë nuk ka qenë më e vështirë të përcaktohen për voten e tyre!
Të gjitha partitë aktuale politike, me përjashtim të VV-së janë sprovuar në pushtetin qendror. Partitë që qeverisën me vendin nga paslufta deri sot, qytetarëve nuk u sollen gjë të mirë, përveq vuajtje e mjerim, mashtrime e zhgënjim deri në thyerje të shpresave për largim nga vendlindja e tyre.
Katandisja e skenës politike kosovare ka rezultuar me degradimin e Parlamentit të Kosovës. Fjalori i ulët, gjuha denigruese dhe fyese mes deputetëve, e ka shndërruar Kuvendin e Republikës së Kosovës nga institucionin më të lartë ligjvënës në një cirk të qenieve pakurrizore, pa dinjitet, pa etikë dhe pa fije turpi.
Ka ardhur koha që pas 10 vjetëve të keqqeverisjes së vendit nga antivlerat, nga matrapazët politikë e të gjitha ngjyrave e llojeve, të vijnë në shprehje njerëzit me integritet moral, përgatitje profesionale, të guximshëm dhe atdhedashës.
Nga partitë aktuale të skenës politike kosovare, dy prej të cilave e kanë dominuar qeverisjen e vendit (LDK e PDK) nuk e meritojnë të qeverisin tutje shkaku i devalvimit në vlera, gjegjësisht të largimit nga vlerat në të cilat janë ngritur në majat e pushtetit.
-E para, LDK-ja është larguar aq shumë nga vlerat demokratike dhe vizioni rugovian, saqë më nuk ka mbetur asgjë nga trashëgimia e saj rugoviane. Pas shkuarjes në amshim të liderit historik Ibrahim Rugova, ambiciet për të marrë timonin e partisë prodhuan ndarjen në dysh të këtij subjekti politik.
Për më keq se kaq, ndarësit fatal të këtij subjekti politik për të kënaqur egon për pushtet në vend që ta luftojnë, vrapuan drejt e në shtratin e SHIK-ut. Sikurse në pushtet, ashtu edhe në opozitë LDK-ja u shndërrua në patericë të PDK-së, gjegjësisht në mbajtjen e “zhagut” keqqeverisjes, kapjes së shtetit, krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë në vend.
Në anën tjetër PDK-ja, si njëri nga fraksionet e dala nga lufta çlirimtare, gjegjësisht krerët e saj duke u thirrur në vlerat e luftës dhe gjakut të derdhur për lirinë e vendit, gjegjësisht familjen e madhe Jashari dhe sakrificen e tyre sublime, pa asnjë meritë personale në luftën çlirimtare u katapultuan në majat e pushtetit, sistemit të drejtësisë dhe gjitha institucioneve tjera shtetërore.
Pa dashur të amnistojë partitë e tjera ekzistuese, binomi LDK-PDK është binomi i cili bartë sikurse meritat minimale në shtetndërtim, ashtu dhe përgjegjësitë e mëdha në dështimin e zhvillimit ekonomik, rrënimin e sistemit shëndetësorë (jemi i vetmi vend pa sigurime shëndetësore), degradimin e sistemit arsimor, dhe gjitha segmenteve tjera të domosdoshme për jetën e qytetarëve.
Pas çdo dështimi të PDK-së qendron prapa LDK-ja, e cila për 10 vjet rresht i zgjati jetën dhe e mbajti në pushtet PDK-në me kredibilete të humbur politik.

Largimi nga vlerat dhe përcaktimet programore

Largimi i dy partive (PDK-LDK) nga vlerat dhe përcaktimet programore, ka bërë që të humbasin besimin në elektoratin e tyre tradicional. Sikurse PDK-ja, që është shkëputur totalisht nga vlerat e luftës çlirimtare, ashtu edhe LDK-ja është tretur shumë largë nga vlerat rugoviane, nga tradita e respektimit të rregullave demokratike, dialogut të brendshëm partiak, tolerancës, mirëkuptimit dhe transparencës në marrjen e vendimeve.
Sikurse PDK-ja, një fraksion i dalë nga lufta çlirimtare, e shndërruar në parti politike duke u thirrur në vlerat e luftës çlirimtare, në gjakun e derdhur për lirinë e vendit,…duke shkelur mbi gjakun e familjes Jashari dhe mijëra dëshmorëve të tjerë, nuk i ngjet PDK-së së dikurshme,…poashtu edhe LDK-ja e sotme nuk i ngjet më aspak formacionit politik rugovian.
LDK-ja, e cila deri dje kërkonte largimin e së keqës së madhe për vendin nga pushteti (PDK-në e Hashim Thaçit), ishte bërë pjesë e saj, duke i kthyer shpinën elektoratit të saj besnik për të harruar të gjitha akuzat kundër PDK-së për korrupsion, krim të organizuar, hajni, kapje të shtetit,…etj.
LDK-ja e kapur nga grupet e interesit, e bashkuar me kapësit e shtetit u shndërrua në uzurpatore të shtetit dhe thyerse e shpresave të qytetarëve.

Dëmi i pariparueshëm

Me një fjalë, kjo klasë e kusarëve të pangopshëm politik brenda këtyre dy subjekteve politike, për ruajtjen e pasurive të tyre milionshe, të krijuara përmes aferave korruptive, hajnisë dhe krimit të organizuar, janë shndërruar në binom shkatërrues të shtetit të Kosovës.
Në anën tjetër, drejtuesit e këtyre dy partive (Thaçi-Mustafa) janë përdorur si kuisling nga faktori ndërkombëtar (Brukseli në radhë të parë) për konçesione politike me Serbinë në dëm të vendit dhe interesave të qytetarëve të Kosovës.
“Unë sot kryeministër, ti nesër president”, ishte marrëveshje private, e pazarit politik mes dy njerëzve të padinjitetshëm, dy figurave të dështuara, sa të njëjta po aq të kundërta politike.
Arritja e “kurorës politike” mes dy liderëve partiak (Thaçi-Mustafa), duke u thirrur në emër të strukturave të partisë pa i pyetur fare ato, është injorimi dhe poshtërimi më i madhë që u bënë kryesive dhe këshillave të përgjithshme të të dyja subjekteve, duke instaluar masat më të tmerrshme të diktatit brenda këtyre dy partive politike.

Turpi më i madh dhe dëmi më i pariparueshëm që i bëri LDK-ja vendit ishte lidhja e kurorës qeverisëse me PDK-në e Thaçit në vitin 2014, për të kënaqur egon e sëmurë për pushtet të liderit të saj, me ç’rast i zgjati jetën keqqeverisjes së vendit dhe kapësve të shtetit,…dhe për më keq se kaq prodhoj dy marrëveshjet fatkqe për vendin, gjegjësisht, marrëveshjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel për Asociacionin e komunave serbe të nënshkruar nga ish kryeministri Isa Mustafa dhe marrëveshjen e një dite më pas në Vjenë me 26 gusht 2015 të nënshkruar nga presidenti Thaçi (i zgjedhur nga LDK-ja), pasojat e së cilës marrëveshje po i vuajnë qytetarët e vendit tonë.

Me qëllim nuk i permenda partitë e vogla, jo pse janë më pak mëkatare në degradimin e institucioneve shtetërore, por për faktin se fuqia e tyre politike në disa raste është e vogël dhe e papërfillshme.
Megjithatë, përgjatë muajve të fundit edhe shuma e partive të vogla shqiptare në krye me AAK-në janë bërë pjesë e pazareve të pista politike për rrënimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë.

Më e rëndë se degradimi i dy subjekteve të mëdha politike, mbetet heshtja qytetare kundrejt keqeverisjes,…e pajustifikueshme mbetet heshtja dhe indiferenca e popullatës kundrejt Asociacionit të komunave serbe (Zajednicës) dhe Demarkacionit me Malin e Zi!
Në Kosovën e sotme, me secilin që flet veq e veq, askush nuk pajtohet me situaten e krijuar, mirëpo kur është në pyetje bashkrendimi i forcave (organizimi), të gjithë hezitojnë, sikur mungon vullneti dhe guximi qytetar për t’u përballur me sfidat e kohës!
Duket, sikur të gjithë janë duke pritur rënjën e kësaj qeverie, për të triumfuar si “heronjë” të demokracisë.
Prandaj është momenti i fundit që zërat kundërshtues nga popullata të bëhen më aktiv, më të zhurmshëm dhe më sfidues në parandalimin e humbjes së territorit me Malin e Zi dhe krijimit të Asociacionit të komunave serbe në veri. Asociacion ky i cili krijon bazamentin e një shteti paralel në brendi të Republikës së Kosovës.
Deri të kjo situatë kemi ardhur për faktin se partitë politike në pushtet dhe opozitë për 10 vjet rresht në vend të interesit të shtetit, kanë mbrojtur interesat partiake dhe personale.
Përfundimisht shtrohet pyetja; ku është shoqëria civile, ku është populli që po e duron dhe mbanë në pushtet këtë klasë të pandërgjegjshme, të korruptuar dhe tejinkriminuar që e rrënuan shtetin dhe degraduan të gjitha instiucionet shtetërore dhe private në vend.

KUVENDI I KOSOVËS, PARA VOTIMIT TË DEMARKACIONIT, DUHET T’I VENDOSË DISA KUSHTE MALIT TË ZI – Nga Ramiz LUSHAJ

    Dita e marsit  2018, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës, shtetit ma të ri të botës, do të shkojnë  drejt Ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi lidhur me Demarkacionin, më duket se përban një “Ditë të zezë”, pasi i humbim mbi 80 km2 tokë etnike shqiptare, për pafuqinë dhe fajësinë shtetërore e politike të Kosovës euro-atlantike si dhe të Shqipërisë Londineze.

                Gjithato herë, tash pesë vite, kam shkrue për këtë çështje, që po mbyllet politikisht e juridikisht, por që do të mbesin një plagë e hapur për shqiptarët në Ballkan e në Botë.  Sidoqoftë, dihet, nuk kemi asnjë fuqi magjike, nuk kemi as firmë e vulë, për ta ndalë këtë votim në Kuvendin e Kosovës, po kemi me folë e me shkrue deri në ma të fundmen ditë të jetës ndaj padrejtësive të tilla që na i ndëshkojnë truallin e të parëve tanë dhe brezat e sotëm e të nesërm. Pra, nuk na ka shterrë fuqia e zërit dhe e shpirtit me folë për Demarkacionin edhe pas të “Ditës së Zezë” të miratimit të mundshëm të tij, po sot due me i bá një Apel Kuvendit të Kosovës, deputeteve e deputetëve të tij, që të mos e kalojnë këtë çështje bash lehtë, kaq nënshtrueshëm, etj., por t’i vendosin medoemos disa kushte shtetit të Malit të Zi, në të mirë të Shqiptarëve që jetojnë nën Malin e Zi, për të mirën e Kombit Shqiptar.

             Sigurisht, nuk e kam ndërmend me gjetë fjalë të bukura, as me bá komente të tepërta, etj., po due me i listnue në vargavijë disa çështje që mund të shqyrtohen në Kuvendin e Kosovës ma përpara ose bash në “Ditën e Zezë” të miratimit të Demarkacionit, të cilat mund të jenë disa nga kushtet që Kosova mund t’i vendosin Malit të Zi:

1.- Rruga  Ndërkombëtare Panshqiptare Plavë-Deçan.

2.-Pika kufitare e doganore Plavë-Tropojë (Vranicë-Çerem) sipas Marrëveshjes zyrtare të kryeministrave Berisha-Gjukanoviq e akteve të tjera të mavonshme.

3.- Ligji për Të Mirat Detare.

4.- Problemet e Kripores së Ulqinit.

5.- Hapjen de-facto të pikës kufitare Cemi i Trieshit-Grabom, që e lidh Kosovën e shqiptarët e Plavë-Gucisë, etj. me kryeqytetin e Malit të Zi.

6.-Zgjidhjen e problematikave lidhur me përdorimin e Simboleve Kombëtare Shqiptare në Malin e Zi si Flamuri Kombëtar Shqiptar, Gjuha Shqipe, etj.

7.-Çështje të arsimit shqip në shkollat e Malit të Zi si librat shqip, keqinterpretimet historike për çështje kombëtare shqiptare, etj.

8.-Zgjidhja përfundimtare e disa problematikave ende të hapura të komunës urbane të Tuzit në Podgoricë.

9.-Problematikat e krijuara nga Kisha Malazeze e Kisha Serbe në territoret etnike shqiptare.

10.-Zgjidhja e problematikave nga Parku Kombëtar i Paqes, që cënojnë të drejtat e shqiptarëve etnikë në Plavë, në Guci, etj.

11.- Caktimi i një nënkryetari shqiptar në komunën e Gucisë me mbi 40 për qind shqiptarë etnikë.

12.-Heqja e Deponisë helmuese në Martinaj të Gucisë, e cila po e përkeqëson gjendjen në krejt krahinën dhe do të ndikojnë në shpërngulje të shqiptarëve etnikë nga trojet e veta.

13.-Mos ndërtimi i mini-hidrocentraleve në krahinën e Plavë-Gucisë, si në Hot, etj.

14.-Kthimi i bjeshkëve të Martinajve (komuna Guci) që ua ka marrë para dy dekadave komuna e Andrejavicës në Malin e Zi.

                Këto e çështje të tjera kanë dalë si problematika dhe po mbeten të hapura prej vitesh, çka po ndikojnë në jetën e ardhmërinë e shqiptarëve trojenik nën Malin e Zi, po krijojnë probleme të zhvillimit ekonomik e kulturor në trevat etnike shqiptare në Ulqin e Tuz, në Tivar e Plavë, në Rrozhajë e Guci, etj., duke sjellë  shpërngulje të tyre në dhéra të tjera, braktisje të kullave, tokave, pronave, vendit të tyre të shenjtë. Shqiptarët nën Malin e Zi janë në tokën e vet, në shtëpinë e vet, ndaj duhet të ndjehen të tillë, duhet t’i ndihmojnë të ndjehen të tillë, si Kosova, edhe Shqipëria.

                Kuvendi i Kosovës në ditën e votimit të Demarkacionit nuk duhet të dorëzohet pa kushte, pasi duhet të ndjehen sado pak shqiptarë të vërtetë deputetet e deputetët e tij, të pakten e tekefundja, duke caktue disa nga këto kushte të lartcekura ndaj Malit të Zi. Ka ardhë koha politikanë të Kosovës  që në Çështjen e Demarkacionit të tregoheni sa ma pak tradhtarë e sa ma shumë shqiptarë.

 Kuvendi  i Kosovës nuk është mirë të dalin nga salla e seancës plenare për Demarkacionin pa një Rezolutë Parlamentare apo shumçka tjetër që i përcakton disa kushte për Shtetin e Malit të Zi, pasi këto do të jenë në të mirë të shqiptarëve etnikë në trojet e shtëpitë e tyre në Malin e Zi, do të jenë në interes të zhvillimit ekonomik e kulturor të treshtetshit ballkanik: Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri; do t’i shërbejnë sigurisë, paqes e ardhmërisë së përbashkët në Ballkan.

 Dardani, 17 mars 2018

Pacolli: Krejt Lista Serbe do ta votojë Demarkacionin

Zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli është i bindur se jo vetëm deputeti goran Adem Hodza, por e gjithë Lista Serbe do ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi, në seancën e së martës. Ai ndonëse aktualisht është jashtë vendit, thotë për Express se deri tani me gjithçka ka qenë në rregull me deputetët e pakicave

Ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq ka deklaruar për mediet serbe se Lista Serbe nuk do ta votojnë marrëveshjen e kufirit Kosovë- Mal i Zi. Por, kjo deklaratë nuk po ia mbush syrin, kreut të AKR’së Behgjet Pacollit. Krejt këto sipas tij, janë vetëm sipas medieve të Beogradit.

“Me Listën Serbe ka qenë pothuajse krejt në rregull unë besoj se kjo është vetëm për shkak të medieve të Beogradit sepse gjithçka ka qenë në rregull. Unë prapë po rezervohem që sot të flas më kryeministrin, ai di gjithçka unë nuk di asgjë”, thotë Pacolli për Express.

Megjithëse, zëvendësi i Ramush Haradinajt, duke i komentuar raportimet se njëri nga deputetët e Listës Serbe, Adem Hodza, do ta votojë marrëveshjen, tha se jo vetëm ai, por e gjithë partia serbe në Kosovë do ta jap votën pro.

“Unë besoj sa i përket Adem Hodzës se janë vetëm spekulime, sepse demarkacioni do ta votojnë krejt, jo vetëm ai. Unë besoj nesë ska ndryshu diçka radikale krejt në rregull ka qenë. Skom fol ende me askënd se jam jashtë”, ka shtuar ndër tjerash ai.

Seanca për Demarkacionin është caktuar që të mbahet të martën në ora 16:00. Koalicioni Qeverisës ka deklaruar se aktualisht i kanë 79 vota. Derisa janë në bisedime edhe për votën e 80’të. Lëvizja Vetëvendosje janë kategorikisht kundër votimit, sikurse edhe nga Krahu i Molliqajt.

Tri seanca të mëparshme dështuan të mbaheshin për marrëveshjen me kufirin. Shkak i këtij dështimi, ishin mungesat e votave. Partneri Qeverisës kishte deklaruar se seanca do të mbahej vetëm atëherë kur të siguroheshin votat e mjaftueshme për ta kaluar atë.

Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi Filip Vujanoviq.

Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Votimi i Demarkacionit me Malin e Zi do t’i liberalizonte vizat për kosovarët. Ky është kushti i fundit i BE’së për Kosovën, që çon drejt vizave. Ndërkohë, ndërkombëtarët vazhdimisht po u bëjnë thirrje ligjvënësve që ta votojnë sa më parë marrëveshjen dhe mos ta lënë popullin në izolim.

Avokatët e akredituar nga Specialja thonë se aktakuzat e para mund të nisin shumë shpejt

Dhomat e Specializuara të Kosovës, ditë më parë publikuan listat e mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarave, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo personi tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit.

Kjo listë përbëhet prej 40 juristëve që janë pranuar në Listat e Mbrojtësve dhe tashmë mund të përfaqësojnë të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik në procedurat para gjykatës.

Pjesë e kësaj liste janë avokatë të njohur në Kosovë,  por ka edhe mbrojtës që janë shtetas të Kosovës por që jetojnë jashtë.

Në mesin 40 avokatëve mbrojtës 15 janë me shtetësi të Kosovës, 7 nga SHBA-të,  5 nga Britania e Madhe, 8 nga Serbia,  një nga Holanda, 2 nga Kanadaja, një nga Mali i Zi dhe një nga Maqedonia.

Në mesin e avokatëve nga Kosova janë edhe avokatët Arianit Koci dhe Tahir Rrecaj.

Koci në një intervistë për emisionin “Përballje” ka treguar procedurat e përzgjedhjes së tij nga Gjykata Speciale.

“Kushtin e kam fituar dhe tashmë mbetet që të më angazhoj dikush prej klientëve në mënyrë private apo edhe sipas detyrës zyrtare, pra kush nuk ka mundësi me pagu avokatin gjykata e ka obligim me ja gjet avokatin”, ka thënë Koci, shkruan Telegrafi.

Koci ka theksuar se gjykata është funksionalizuar dhe se tashmë priten vetëm veprimet e Prokurorisë Speciale.

Ai tutje ka theksuar se ky proces nuk bënë më që të zvarritet.

“Nuk besoj që ka arsye që kjo mu zvarrit edhe më tutje, besoj që shpejt mund të ndodhin veprimet e para, mund të vijnë ftesat e para por edhe bastisjet e para”, u shpreh Koci.

Në anën tjetër avokati Tahir Rrecaj ka theksuar se ngritja e aktakuzave të para nga kjo gjykatë mund të ndodhin në verën më së largu vjeshtën e këtij viti.

“Gjatë verës së këtij viti eventualisht fillimi i vjeshtës së këtij viti Gjykata do të funksionalizohet, pasi që me akreditimin e avokatëve tashmë janë kryer të gjitha kërkesat e nevojshme që gjykata të jetë funksionale”, ka thënë Rrecaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Dhomat përkojnë me çdo nivel të sistemit të gjykatave në Kosovë.

Ato u formuan në bazë të Amendamentit Kushtetues dhe Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për gjykimin e pretendimeve të paraqitura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Dhomat janë të përkohshme dhe me mandat e juridiksion të përcaktuar, konkretisht për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera të përkufizuara në Ligjin e Kosovës, të cilat pretendohet se janë kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.

Ligji mundëson që proceset gjyqësore të mbahen jashtë Kosovës. Dhomat e Specializuara e kanë selinë në Hagë, Vendet e Ulëta (Holandë), dhe punësojnë gjykatës, prokuror dhe punonjës ndërkombëtare .

KUR TRAUMA BËHËT PJESË E JETËS SONË!! – Nga SKËNDER MULLIQI

Varrtë e çelura, traumat, dhembjet nga e kaluara e hidhur nuk po përfundojnë edhe sot kur nuk e kemi Serbinë mbi kokë. Për 90 vite nuk e kishim lirinë , të drejtën për të jetuar në shtetin tonë. Por, megjithate gjetëm forcë që të vazhdojmë rrugën deri të liria dhe pavarësia. Kjo histori e dhembjës , e padrejtësive historike të cilat i përjetuam edhe më humbje të shëndetit , vrasjëve , burgosjëve, represionit të eger politik të njerëzve tanë më të mirë , u harruan , dhe çka është më keq shumë nga këto të këqija sikur po na përseritën nga njerëzit tanë. Ky represion dhe kjo torturë politike dhe ekonomike nuk është pritur në kushte të paqës, kur I kemi organet tona të shtetit, kur vete po qeverisim më vendin .Trauma sikur po bëhët gjithnjë e më shumë pjesë e jetës sonë , aq më keq që po bëhët edhe pjesë e sistemit tonë .Dhuna e ushtruar politike mbi masën po na abrogon nga jeta normale, na po na lënë mbrapa nga bota e civilizuar.

Nga kjo logjikë traumatike po rrezikohen edhe gjenaratat e reja , po rrezikohet e mbarë shoqëria.Trauma , pasiguria dhe frika për të nesermen shumicës ju ka hy thellë në palcë.Trupi dhe truri kan mbamendje kurse shpirti rënkon.Të gjithë kemi menduar së nuk do ti kemi këto fenomene aq vrastare për shtetin dhe kombin , së nuk do të pëballemi në mënyre të terbuar më njeri-tjetrin sikur të ishim armiqë e jo vëllëzer të një gjaku.Kemi ecur të zbathur të veshur keq për ti mbaruar shkollimet në kushte të okupimit klasik ,dhe kurrë nuk jemi ndalur as nuk jemi dorëzuar para sfidave të kohës, para armiqëve shekullorë të cilët janë përpjekur pa rreshtur për të na zhbër nga sipërfaqja e dheut .Kemi qëndruar vertikalisht, të pa lëkundur deri në fitorën përfundimtare .

Është qudi e madhe kjo heshtje varri para këtyre hileqarëve të cilët janë katapultuar lartë në politikëbërje.Kjo heshtje varri deshëm ne ose nuk deshtëm na bën pjesmarrës i të keqës .Po bëhemi rob i vetëvetës, kemi mbetur pa vullnet për ndryshime pozitive , kemi mbetur pa ide dhe pa koncepte , pa vullnet politikë, kemi mbetur të pa përgjegjshem për të ardhemen tonë .Erëra dhe fortuna të forta janë duke e goditur pa mëshirshem trupin dhe shpirtin tonë .Një shumicë janë duke përjetuar ditë dhe netë të veshtira për mbijetesë që është apsurditeti më i madh i shekullit 21.Demoralizmi, humbja e vullnetit na ka futur në rrethin vicioz.Sikur jemi pajtuar më pesimizmin së “Nuk do të bëhët mirë, së kurrë, kurrë nuk bëhët mirë në këtë vend”.Po e pranojmë faktin e rremë”Së kjo elitë politike nuk janë të mirë, por kush do të vjen më I mirë së këta”?

Kjo është logjika dhe ilustrimi më i mbrapsht i mundshem , e fatkeqësisht një shumicë e kan këtë logjikë të te menduarit që është logjikë fataliste. Dhe, në menyrë permanente jemi duke jetuar në frikë së mos po bëhën ndryshime, dhe po na vijnë në pushtet njerëz edhe më të pa zot .Sikur jemi mësuar më të keqën , sikur gjendja e abnormalitetit që e kam theksuar disa herë po shëndrrohet në gjendje të normalitetit.Sikur nuk jemi mësuar të kemi gjendje më të mirë .Jeta shpejtë kalon , dhe pajtimi më të keqën, është sikur mos më jetuar fare…

Abdixhiku: “Qeveria të largohet nëse demarkacioni me Malin e Zi nuk kalon të martën”

Lumir Abdixhiku, deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, deklaroi se po presin nga shumica që të sigurojë votat nga radhët e veta për demarkacionin. “Gjithsesi na vjen mirë që një kauzë po shkon drejt fundit, dhe do të donim që të martën të kryhet kjo që na ka mbajtur peng në këto tri vite”, ka thënë Abdixhiku në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se “si duket njerëzit e AAK-së kanë problem të lexojnë marrëveshjet e arritura”, duke aluduar në debatin në mes të kësaj partie dhe LDK-së rreth asaj nëse duhet të përfshihet “Raporti Bulliqi” në Ligj. “Ligji tashmë është procedurë shtetërore, sepse ka kaluar si dokument në të gjitha procedurat e Kuvendit, e nuk është më çështje e LDK-së. Çdo përpjekje tjetër për ta ndryshuar atë është tentim për të blerë kohë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka përsëritur qëndrimin se Kosova është para dy alternativave, të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit dhe të hapen mundësitë për procedura për liberalizim të vizave për kosovarët, e në të kundërtën Qeveria duhet të dorëhiqet, ngase me këtë kauzë, sipas tij, kishte ardhur në krye të shtetit. “Në fakt, unë mendoj se kjo Qeveri duhet të bie për shumë arsye”, ka thënë Abdixhiku.

A ishte mishi i dyshimtë nga Belgjika pjesë e tryezave në Kosovë?

Kualiteti i dyshimtë i mishit të firmës VEVIBA nga Belgjika, ka nxitur reagime të shumta edhe në Kosovë, pasi që dyshohet se ky mish mund të ketë depërtuar edhe në tregun e Kosovës.

Nga java e kaluar në Belgjikë po trajtohet si një lloj skandali çështja e kualitetit të mishit, të cilin e konsumojnë qytetarët, pasi që është zbuluar se firma VEVIBA, e cila është një nga furnizuesit më të mëdhenj, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, si dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit dhe me etiketat për afatin e përdorimit.

Mediet belge kanë intervistuar punëtorët e kompanisë, të cilët i përshkruajnë kushtet e këqija higjienike të punës, si dhe manipulimet e qëllimshme nga ana e pronarit të kompanisë.

Kjo kompani dyshohet se në vitin 2016 ka eksportuar këtë produkt edhe në Kosovë.

Në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), është autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari i cili është edhe përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve duke siguruar nivel të lartë të sigurisë së ushqimit.

Por, edhe pse të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarët të këtij institucioni nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Doganave, Kosova ka importuar mish nga Belgjika.

Zëdhënësi i Doganave Adriatik Stavileci bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në vit nga Belgjika importohen deri në 200 mijë kilogramë lloje të ndryshme të mishit.

“Nëse shikohet në aspektin e importit apo sasisë Belgjika nuk është një ndër importuesit më të mëdhenj. Kosova brenda një viti importon mbi 40 milionë kilogram mishi. Pjesa më e madhe e këtyre 40 milionë kilogramëve importohet nga SHBA, Brazili, Argjentina dhe Holanda, kurse nga Belgjika importohen 200 mijë kilogram brenda një viti që cila paraqet 0.5 për qind të krejt sasisë që importohet mish në Kosovë. Sidoqoftë, është mjaft shqetësuese fakti që ka një rezultat të kësaj mostre për rastin e mishit nga Belgjika”, thotë Stavileci.

Organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit disa herë kanë paraqitur shqetësime e tyre për cilësinë e dyshimtë të produkteve. Ato kanë raportuar në vazhdimësi për produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar në tregun e Kosovës.

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, thotë për Radion Evropa e Lirë se në tregun në Kosovë në vazhdimësi mund të gjesh produkte të dyshimta e që paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.

“Janë gjetur tonelata mish i prishur belg, por nëse janë gjetur 20 sa kanë mundur të kalojnë brenda në treg dhe në dorë të konsumatorit. Përveç kësaj ne në tregun e brendshëm në markete kemi mish të cilësisë së dyshimit kemi peshq të llojeve të ndryshme që duken me sy që janë me afat të skaduar. Institucionet e Kosovës nuk po tregohen të vëmendshëm karshi kësaj dukurie. Po rrezikohet shëndeti i qytetarit nga cilësia e dyshimtë e produkteve që konsumojmë”, thotë Kaçaniku.

Ndërkohë, edhe qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen mjaft të shqetësuar dhe thonë se nuk janë të sigurt në atë që konsumojnë.

Hasan Sylejmani qytetar thotë se dyshon në cilësinë e produkteve të konsumit në veçanti tek produktet e importit.

“Po dyshoj shumë në kualitetin e produkteve. Në të kaluarën këto produkte kanë qenë më cilësore, po importohen lloj lloj produkte të cilët po paraqesin problem edhe në shëndetin tonë”, thotë ai.

Skandali me mishin belg ka nxitur reagime të shumta në Kosovë nga përfaqësues të shoqatave ekonomike.

Në një komunikatë për media Oda Ekonomike e Kosovës thekson se skandali me “mishin belg” do të duhej të ishte alarmi i fundit për veprim institucional për mbrojtje të konsumatorit dhe konkurrencës së lirë në treg.

“Shumica e vendeve të BE-së, por edhe BE si treg unik, ndër prioritet kryesor të politikave të tyre e kanë sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konkurrencës të lirë në treg dhe këtë e trajtojnë edhe si pjesë të sigurisë së tyre nacionale. Në Kosovë 19 vite të pasluftës kanë dëshmuar që hapja e tregut për shumë institucione dhe biznese, nënkupton edhe tregti me produkte pa asnjë standard, me cilësi të dyshimtë dhe përdorim të metodave joligjore në dëm të konkurrencës në treg”, thuhet në komunikatën e OEK.

Skandali me “mishin belg”, thuhet mes tjerash në komunikatën e OEK ka ekspozuar shumë qartë rrezikun e vazhdueshëm nga prodhimet që shiten në Kosovë.

Oda Ekonomike e Kosovës, apelon që kjo çështje urgjentisht të trajtohet në Qeveri dhe Parlament.

Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar ishte kërkuar si nga mekanizmat vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë.

Në raporte të ndryshme theksohet nevoja për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi – Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Haradinaj: Të martën parlamenti voton për kufirin me Malin e Zi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se seanca për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, pritet të mbahet të martën e ardhshme ndërsa shfaqi bindjen se deputetët do ta përmbyllin këtë çështje.

“Edhe për mua nuk ka qenë një proces i lehtë dhe vazhdon të mos jetë një proces i tillë. Por nuk po mund ta shoh popullin tim të izoluar, duke pasur parasysh se megjithatë kemi arritur ta ruajmë tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës”, tha zoti Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj nuk dha hollësi nëse janë siguruar votat e nevojshme për të votuar marrëveshjen.

Partitë shqiptare në pushtet dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë vazhdojnë të përkrahin votimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, por votat e tyre nuk janë të mjaftueshme, meqë nevojiten dy të tretat e 120 deputetëve.

Autoritetet janë vënë në përpjekje për të siguruar edhe vota nga disa deputetë tjerë të opozitës apo nëpërmjet ndonjë marrëveshjeje me Listën Serbe e cila deri më tani ka kundërshtuar çdo mundësi të votimit.

Kundër votimit është shprehur lëvizja Vetëvendosje, e cila që nga dje është ndarë zyrtarisht në Parlamentin e Kosovës. Një grup prej 12 deputetësh të kësaj lëvizjeje zyrtarizoi ndarjen duke themeluar Grupin e Pavarur të deputetëve, ndërsa lanë të hapur mundësinë për krijimin e një force të re politike. Një deputetë e kësaj lëvizjeje, Donika Kadaj Bujupi u rikthye në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke shtuar kësisoj numrin e deputetëve në koalicionin në pushtet.

Vëzhguesit pohojnë se kërkimi i votave të munguara mund të shtrihet në ish deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, megjithëse edhe grupi i ri ka ritheksuar kundërshtimin ndaj marrëveshjes.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.

E nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015, ajo është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Muajin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç u pajtuan për shqyrtimin e gabimeve të mundshme në marrëveshje, duke rihapur diskutimet për ratifikimin e mundshëm të saj nga parlamenti i Kosovës.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane, ndërsa është edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.

13 vjet nga atentati ndaj Presidentit Ibrahim Rugova (video)

Në mëngjesin e 15 marsit 2005, derisa eskorta e Presidentit Ibrahim Rugova po bënte rrugën e zakonshme nga rezidenca në Velani drejt ndërtesës së Kuvendit ku gjendet Zyra e Presidentit, Rugova i kishte shpëtuar një atentati

Pak minuta më pas, Rugova duhej të takohej në zyrën e tij me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, i cili kishte ardhur në Prishtinë për të biseduar me liderët politikë për situatën pas largimit të Haradinajt dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për qeverinë që do ta pasonte atë.

Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë kishte thënë se rreth orës 8 e 20 minuta, sipas kohës lokale, kishte dëgjuar një shpërthim të fuqishëm në rrugën “Ramiz Sadiku”, prapa Teatrit Kombëtar.

Kryesit e këtij atentati nuk janë gjetur asnjëherë.

Duda Balje: Donika ka gjak boshnjaku, e duam në VAKAT

Deputetja boshnjake e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, i ka dalë në mbrojtje deputetes Donika Kadaj – Bujupi lidhur me ofendimin që i ishte bërë asaj nga Daut Haradinaj pak kohë më parë dhe u riaktualizua edhe sot pas kthimit të saj në AAK

Përmes një postimi në Facebook, deputetja Balje ka kërkuar që të lihet rahat ajo, duke shtuar se nuk ka asgjë të keqe nëse nëna e saj i takon komunitetit boshnjak.

“Mirë de, nëna e Donikës është boshnjake, çka ka të keqe këtu. A keni diçka kundër që Donikën ta marrim në VAKAT. Lëreni gruan rehat”, ka shkruar Balje në Facebook.

Haradinaj e kishte ofenduar atë, duke e porositur që të mos i fyente komunitetet, ngase ashtu siç thoshte ai, do të “hidhërohej nëna e saj”.

“Duhet të ruhesh mos po idhnohet nëna jote. S’po e bën askush avokatin, por që organet e drejtësisë merren për të gjitha rastet. Mos të na shesin mend se të gjithë i njohim”, pati thënë Haradinaj.

Ndërkohë sot gjatë seancës së Kuvendit, po i njëjti ka uruar kthimin e saj në AAK.

Të vetëlarguarit nga Vetëvendosje bëjnë edhe zyrtarisht kërkesë për Grup të ri Parlamentar GDP

Grupi i deputetëve të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, tanimë edhe zyrtarisht është ndarë nga Grupi Parlamentar i kësaj partie.

Ky grup  ka dorëzuar para pak minutash në administratën e Kuvendit të Kosovës,  kërkesën për grup të ri parlamentar.

Në bazë të kërkesës së dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës e të cilën e posedon Gazeta Blic, të 12 deputetët e nënshkruar, kanë kërkuar që grupi parlamentar të quhet “Grupi i Deputetëve të Pavarur- GDP”.

Në dokument, e para në këtë listë është Aida Dërguti, deputetja më të cilën edhe filloi “zhurma” brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa kërkesa është drejtuar në emër të Dardan Sejdiut i cili është caktuar edhe si kryesues i Grupit të ri parlamentar, shkruan Gazeta Blic.

Më poshtë kërkesa dhe nënshkrimet:

Donika Kadaj kthehet paturpësisht në AAK

U pa t’i qëndrojë afër Albin Kurtit, gjatë seancës së të mërkurës në Kuvend të Kosovës, por Donika Kadaj-Bujupi ia ktheu shpinën kreut të VV-së, për t’u kthyer në shtëpinë e vjetër. Deputetja i është bashkuar sërish AAK-së

Lajmin për kthimin e Kadaj-Bujupit në partinë e tij e ka dhënë vetë kryeministri Ramush Haradinaj.

“Me deputeten e Kuvendit, Donika Kadaj-Bujupi, bashkëbiseduam për zhvillimet aktuale politike në Kosovë. Nga sot, Donika i rikthehet Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Rrugëtimin nëpër proceset politike në vend do ta vazhdojmë bashkërisht”, ka shkruar kreu i AAK-së në Facebook.

Donika Kadaj-Bujupi ishte konsideruar për vite të tëra personi më besnik i Ramush Haradinajt, por ajo në prill të 2016-ës ishte larguar nga AAK-ja për t’iu bashkuar VV-së.

Kadaj që dikur derdhte lot për Haradinajn, kur ky u bë kryeministër, deri më sot, ka qenë e zëshme në kundërshtime ndaj tij si shef i ekzekutivit, madje edhe e ka konsideruar disa herë si pjesë e “Klanit Pronto”.

Reformat çojnë në zëvendësimin e 22 diplomatëve të Kosovës

Qeveria e Kosovës planifikon që brenda pak ditësh të zëvendësojë 22 diplomatë, prej tyre 12 ambasadorë të cilat aktualisht janë të akredituar në shtete të ndryshme, ku Kosova ka ambasadat dhe përfaqësitë e veta diplomatike.

I gjithë procesi, pritet të zhvillohet përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli tha për Radion Evropa e Lirë se në kuadër të reformave që po behën do të ndodhin edhe ndryshimet në shërbimet diplomatike.

“Ne jemi duke ecur përpara me reformat tona. Ne kemi tani në proces ndërrimin e 22 diplomatëve kosovarë dhe diku të 12 ambasadorëve. Krahas kësaj, ne jemi duke punuar me hapa të përshpejtuar në Ligjin e ri të Ministrisë së Jashtme dhe në reformat e vetë ministrisë”, tha Pacolli.

Sipas ministrit të Jashtëm të Kosovës, për emërimet të reja, ministria nuk do të lejojë ndikimet politike dhe se sipas tij, as gradimet nuk do të bëhen për ata që nuk e meritojnë.

“Ai që meriton mund të bëhet edhe ministër, ambasador… . Ai që nuk e meriton, praktikisht duhet të formohet. Ju them se për ketë një vlerësimin që kemi bërë brenda, ne jemi duke pritur edhe përgjigje nga tri burime apo institucione nga jashtë që të vinë dhe t’i verifikojnë përzgjedhjet tonë. Do të thotë, pa ndodhur kjo përzgjedhje dhe pa qenë të sigurt se kemi bërë përzgjedhje të mirë, nuk do të ketë gradime nga kjo ministri”, tha Pacolli.

Ndërkohë, deputetja Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se në misionet diplomatike të Kosovës ka persona të cilët bëjë punë të mirë, por sipas saj, ka edhe të atillë që me prezencën e tyre i kanë dhenë imazh të keq vendit.

Osmani thotë se në faza të caktuar, kur janë bërë emërimet diplomatike ka dominuar militantizmi politik, si kriter për emërime pa meritë dhe përgatitje profesionale.

“Është momenti i fundit që diplomacia kosovare të drejtohet drejt profesionalizimit dhe të eliminojë militantizmin. Kjo është esenciale nëse duam të ndërtojmë një politikë të jashtme e cila shikon vetëm interesat e Kosovës dhe një politikë të jashtme e cila do t’i rezistojë kohës dhe nuk do të ndryshojë njerëzit të cilët shërbejnë në shërbimin diplomatik, varësisht se kush vjen në pushtet”, tha Osmani.

Ajo i sheh vetëm si retorikë politike paralajmërimet nga kreu i diplomacisë kosovare për reforma në Ministrinë e Jashtme dhe ndërprerejen e gradimeve mbi baza partiake.

“Kjo është vetëm në fazën e retorikës se sa po e kuptoj unë edhe në të kaluarën shumë herë kemi dëgjuar nga ministrat e PDK-së këtë, sepse kjo ministri është udhëhequr kryesisht nga PDK-ja, përveç një periudhe kohore kur është udhëhequr nga Skënder Hyseni [LDK]. Pra, vazhdimisht kemi dëgjuar premtime se do të reformohet sistemi dhe se do të kthehen njerëzit të cilët nuk i plotësojnë kriteret. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur edhe tani është shumë herët që të thuhet që vetëm se kemi një deklaratë një gjë e tillë do të ndodh”, tha Osmani.

Rritja e numrit të njohjeve dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mbetet një prej synimeve kryesore të Qeverisë aktuale, ngjashëm me ato parapraket.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli tha për Radion Evropa e Lirë se njohjet e reja për Kosovën janë një proces i pandalshëm. Ai tha se ka një angazhim të vazhdueshëm për të arritur rezultate konkrete.

Më 17 shkurt, Kosova ka shënuar jubileun e parë të pavarësisë. Për 10 vjet të shtetësisë, Kosovën e kanë njohur 116 shtete.

Por, shteti më i ri evropian ende nuk e ka siguruar ulësen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe nuk e ka fituar mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Haradinaj: Krijimi i ushtrisë nuk e ndryshon balancën e sigurisë në rajon

Prishtinë, 13 mars 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti të martën në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Karl Erjavec.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj tha se “ekziston një klimë e mirë mes Kosovës dhe Sllovenisë për bashkëpunim në shumë fusha”.

“Sllovenia është një ndër investitorët më të mëdhenj në vend dhe Kosova është e interesuar që ta vazhdojë këtë partneritet ekonomik”, tha Haradinaj, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes së Sllovenisë në planin ndërkombëtar.

“Përkrahja juaj për njohjet e reja, anëtarësimin në INTERPOL, UNESCO, në procesin e integrimit euroatlantik ka domethënie të madhe për ne”, tha Haradinaj.

Me këtë rast, ai shtoi se krijimi i ushtrisë së Kosovës me mandat kushtetues, nuk e ndryshon balancën e sigurisë në rajon, porse për më tepër kontribuon në të.

Ministri slloven, në anën tjetër, vlerësoi, siç tha, arritjet dhe progresin e madh që është bërë në Kosovë në këta 10 vjet të shtetësisë, duke shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e vendit të tij për bashkëpunimin dypalësh.

Pacolli: Demarkacioni ratifikohet këtë javë

Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të ratifikohet gjatë kësaj jave, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Jemi lodhur me deklaratat e politikanëve ‘sot, nesër’. Unë ju kam thënë, në javën e dytë të marsit, që moti. Java e dytë e marsit do të jetë java kur do të kalojë, do të miratohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Pacolli.

Megjithatë, ai nuk ka sqaruar nëse për ratifikimin e kësaj marrëveshje është arritur ndonjë pajtim me partneren e koalicionit qeverisës, Listën Serbe. Kjo e fundit, më herët ka thënë se çështja e Demarkacionit nuk ekziston për këtë subjekt dhe për të nuk paraqet kurrëfarë interesi.

Limaj: Serbët nuk kanë kërkuar asgjë në këmbim të votës për demarkacion

PRISHTINE– Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka ndarë optimizmin me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për ratifikimin e Projektligjit për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi gjatë kësaj jave.

“Unë pres që këtë javë kjo çështje të mbyllet. Do të doja që këtë javë të mbyllet”, ka thënë Limaj në një debat në televizionin publik.

“Kjo javë, besoj, është shumë e rëndësishme për ta mbyllur këtë temë”, është shprehur kryetari i Nismës Socialdemokrate.

Ai ka thënë se koalicioni qeverisës i vendit po angazhohet për t’i siguruar votat për ratifikimin e Projektligjit për demarkacionin.

“Kemi punuar fort këto ditë për t’i siguruar votat”, ka deklaruar Limaj.

Ai ka thënë se, përkundër raportimeve në media, Lista Serbe nuk ka kërkuar asgjë në këmbim të votave për demarkacionin.

Haradinaj: Jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të

“Mbështetja që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike, është jetike për Republikën e Kosovës”, tha Haradinaj

PRISHTINË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në një njoftim nga Kryeministria e Kosovës thuhet se gjatë takimit Haradinaj- Mitchell në fokus të bisedës kanë qenë zhvillimet politike në vend, mbështetja që SHBA-të po japin në ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Haradinaj i ka shprehur falënderimet Ndihmës Sekretarit Mitchell për ndihmën e pakursyer të SHBA-ve, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset integruese të Kosovës, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

“Mbështetja që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike, është jetike për Republikën e Kosovës. Ne jemi mirënjohës për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën, e po ashtu të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se në takim, poashtu është biseduar për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe për dialogun me Serbinë, për të cilin kryeministri është shprehur se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-ve ndaj Kosovës në të gjitha fushat, duke inkurajuar që të punohet më shumë në forcimin e sundimit të ligjit por edhe në rritjen ekonomike.

Në takim të pranishëm ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiq, zëvendës ambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Ndihmës sekretari amerikan Mitchell gjatë ditës është takuar edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Në kuadër të turneut në shtetet e Ballkanit Perëndimor të filluar nga Prishtina, Mitchell do të vizitojë edhe Maqedoninë, Greqinë, Serbinë dhe Qipron greke.

Wess Mitchell: Rusia po luan rol destruktiv në Ballkan

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Vess Mitchell, tha të hënën në Prishtinë se Rusia po luan një rol destruktiv në Ballkan duke shpërndarë dezinformata dhe duke dëmtuar institucionet demokratike. Ai tha se u është bërë e qartë rusëve se kjo nuk është në interesin e tyre dhe as në interesin e popujve të rajonit.

Ai i bëri këto komente në fillim të vizitës së tij në rajon, të cilën e hapi me Kosovën ku siç thuhet në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, po qëndron për të inkurajuar qeverinë e Kosovës “që të përparojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të forcojë sundimin e ligjit, të nxisë rritjen ekonomike dhe të kapërcejë sfidat rajonale në të mirë të qëndrueshmërisë dhe integrimeve perëndimore”.

Zoti Mitchell tha se fakti që udhëtimi i tij i parë në rajon fillon me Kosovën dëshmon se Shtetet e Bashkuara kanë miqësi me Kosovën dhe do të vazhdojnë ta thellojnë atë.

“Dua ta ritheksojë në këtë ndalesë të parë se Shtetet e Bashkuara janë për një Kosovë sovrane, shumetnike e demokratike dhe për t’u ri angazhuar për të mbështetur rrugën euroatlantike për Ballkanin Perëndimorë”, tha zoti Mitchell.

Ai tha se Kosova ka përpara hapa me rëndësi përpara përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmbylljen e çështjes së kufirit me Malin e Zi dhe transformimin e Forcave të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese. Ai theksoi se askush nuk ka të drejtë vetoje në çështjet e sigurisë së Kosovës.

Zoti Mitchell tha se këtë do t’ua bëjë të qartë edhe bashkëbiseduesve të tij në Beograd, ku ai pritet të qëndrojë të mërkurën për të inkurajuar qeverinë serbe “që të çojë përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të bëjë reformat e duhura për të përmbushur synimin për anëtarësimin në BE dhe të mbështesë qëndrueshmërinë rajonale”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan për rrugët e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por do tu bëj thirrje të dyja palëve që të punojnë së bashku në rrugën perëndimore.

Zoti Mitchell të martën do të qëndrojë në Maqedoni, në një kohë kur janë shtuar shpresat për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar rreth emrit dhe integrimin e pritshëm të këtij vendi në strukturat euro-atlantike.

Diplomati Mitchell që mori detyrën në nëntor të vitit 2017 më pas do të vizitojë edhe Greqinë dhe Qipron.

SBASHK shpall grevë në të gjitha shkollat në Kosovë

PRISHTINË – Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK) sot mbanë grevë njëditore në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës.

SBASHK-u përmes një komunikate ka njoftuar se më 12 mars 2018, ka shpallur grevë në të gjitha institucionet arsimore të vendit, gjegjësisht në shkollat fillore, të mesme të ulëta, të mesme të larta dhe universitet duke përjashtuar çerdhet.

Sipas komunikatës greva zgjat ora 9 deri në orën 12.

SBASHK-u poashtu ka bërë të ditur se përmes dialogut me Qeverinë është duke punuar që të arrihet plotësimi i kërkesave të mësimdhënësve dhe që Ligji mbi statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta të marrë dritën e gjelbër dhe të shkojë në Parlament.

Kujtojmë se SBASHK-u pret që të miratohet Ligji mbi statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës për vitet e 90-ta në Parlament, me qëllim që mësimdhënësit e kohës në vitet e okupimit të arsimit në gjuhën shqipe 90’ dhe 99’ të shpërblehen.

Organizatorët e grevës kanë kërkuar që të gjithë arsimtarët të jenë nëpër vendet e tyre të punës nga ora 9 deri në 12 për të mbajtur grevën, ndërsa nxënësit nuk duhet të shkojnë në shkollë.

Haradinaj paralajmëron kompromisin me Listën Serbe, i gatshëm të gjejë gjuhën e përbashkët për Demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se seanca për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi duhet të mbahet javën e ardhshme.

Ai në një intervistë për RTK2,  ka bërë të ditur se janë duke vazhduar bisedimet me Listën Serbe.

“’Lista Serbe’ tani për tani po refuzon të flasë për këtë temë, por janë duke diskutuar për mundësinë që të mbështesin këtë proces. Unë e respektoj Listën, janë persona të zgjedhur nga populli, kanë autoritetin e tyre dhe janë qytetarë të Kosovës. Do të diskutoj me ta që të na ndihmojnë në lëvizjen e lirë te qytetarëve tanë. Unë jam i gatshëm të gjej një gjuhë të përbashkët me Listën Serbe dhe besoj se kjo është edhe në interes të serbëve të Kosovës, sepse edhe ata nuk kanë një pasaportë pa viza dhe nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, sipas tij, liria e lëvizjes nuk mund të bëhet me humbje të territorit apo koncesioneve. Haradinaj është shprehur i bindur se një numër i mjaftueshëm i anëtarëve të Listës Serbe do të votojnë pro demarkacionit.

Kurse, gjatë një intervistë të dhënë mbrëmë Kryeministri Haradinaj është shprehu optimist se javën e ardhshme do të kryhet çështja e demarkacionit me Malin e Zi

“Janë ndërtu shumë argumente që të kemi një votë të mjaftueshme për demarkacionin. Kemi diskutu me deputetët në radhë të parë të partive tona dhe jemi në biseda me Listën Serbe dhe mendoj se ka bazë që të votohet nga të gjithë. Besoj se javën që vjen do e përmbyllim këtë temë”, tha Haradinaj.

Mbipesha, shkaktar i shumë sëmundjeve te fëmijët

Mbipesha te fëmijët po shkaktohet nga kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Mbipesha te fëmijët vlerësohet të jetë një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare, të diabetit, si dhe të disa llojeve të kancereve, thonë profesionistë shëndetësorë

Në Kosovë nuk është bërë ndonjë hulumtim lidhur me atë se sa fëmijë obezë janë në vend, por thuhet se numri i tyre është në rritje. Kjo si pasojë e kequshqyerjes, apo marrjes së kalorive të tepërta përmes ushqimit të shpejtë.

Sami Uka, ekspert për shëndetin e nënës dhe fëmijës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasojat e fëmijëve me obezitet, në disa raste ndihen menjëherë, e në disa të tjera shfaqen më vonë, si sëmundjet kardiovaskulare e të tjera.

“Obeziteti si problem i shëndetit publik, është në rritje edhe në Kosovë. Është në rritje te moshat e reja dhe faktorët janë ushqyeshmëria e keqe, si ai i shpejtë, kalorik e që i është rrek shëndetësia publike kudo në botë për kufizimin e përdorimit të tyre, si dhe jeta dembele e fëmijëve”.

“Nga kjo dominojnë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti tip 2 si dhe sëmundjet kanceroze. Këto do të paraqiten në fazën e mëvonshme, derisa sa i përket diabetit kjo shfaqet në fazat e hershme të fëmijërisë”, thotë Uka.

Në anën tjetër, Ramush Beiqi, pediatër- kardiolog, thotë se ndonëse Kosova nuk ka bërë ndonjë hulumtim për fëmijët me obezitet, vendet e tjera dëshmojnë faktin se ka rritje të numrit të fëmijëve me obezitet ndër vite. Ai tregon edhe pasojat që shkakton obeziteti.

“Obeziteti lidhet me sëmundje kardiovaskulare. Pesha e rritur trupore dhe mosaktiviteti fizik, në kohë të mëvonshme mund të prodhojë probleme kardiovaksulare. Dhe, e dyta, yndyrat në gjak, e që kanë ndikim në provokimin e sëmundjeve kardiovaskulare”.

“Ne nuk kemi bërë ndonjë studim në Kosovë për obezitetin, por janë bërë hulumtime në vende tjera dhe gjithkund ka të dhëna se ka rritje të numrit të fëmijëve obez . Mendoj se fajin kryesor e ka prindi, pasi insiston që fëmija ta zbrazë pjatën duke i dhënë sasi të madhe ushqimi, si dhe mbyllja në dhoma e tyre me pajisje elektronike, pa aktivitete fizike e që ka ndikuar në rritjen e kësaj problematike”, vlerëson Beiqi.

Edhe Muharrem Avdiu, pediatër në Klinikën e pediatrisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se ndonëse fëmijët obezë po shtohen, ndihma e mjekut nuk kërkohet me kohë, për t’i ikur këtij fenomeni. Sipas tij, fëmijët paraqiten te mjeku atëherë kur fillojnë problemet shëndetësore, e që më së shpeshti hasin në diabet.

“Kur fëmijët marrin kalori të tepërta, sigurisht ndodh obeziteti. Trendi i ushqimit të shpejtë dhe shumë kalorik, ka hyrë tashmë në meny ditore. Mendoj se duhet pasur kujdes, dhe mjekët mendoj se janë ata që duhet ta proklamojnë këtë problematikë. Mendoj se mjekët në këtë vijë janë të fundit , e që do duhej të ishin të parët në vetëdijesimin e prindërve sidomos për fëmijët e tyre. Te ne, në klinikë, kur i sjellin fëmijët, ata veçse janë në faza të sëmundjes. Mosaktiviteti fizik dhe racioni kryesor darka janë problemet kryesore”, konsideron Avdiu.

Në krahasimet afatgjate, thuhet se përderisa në vitin 2007, numri i fëmijëve që ishin https://www.evropaelire.org/a/semundja-e-diabetit-femijet-/28606412.htmldiagnostikuar me diabet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka qenë 12 raste, tre vjetët e fundit janë shfaqur nga rreth 50 raste të reja në vit me diabet. Këta fëmijë, janë të varur nga insulina.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli – Selani

    Ariana Kasapolli – Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Lista Serbe: Nuk na intereson demarkacioni, çështjen ta zgjidhin partitë shqiptare

Përfaqësuesit e Listës Serbe

Për Listën Serbe, tema e demarkacionit nuk ekziston dhe nuk paraqet kurrëfarë interesi, thuhet në reagimin e subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës. Sipas këtij reagimi, i cili u është drejtuar mediave, çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet nga partitë shqiptare të Kosovës.

Po ashtu, Lista Serbe i drejtohet edhe koalicionit qeverisës, pjesë e të cilit është edhe vet, duke kërkuar që të tregohet në mënyrë korrekte.

“Lista Serbe nuk dëshiron që të instrumentalizohet në asnjë mënyrë dhe nuk e ka ndërmend që të tërhiqet nga parimet dhe qëllimet e saj, mbi të cilat edhe është formuar në mënyrë që të garantojë mbrojtjen e të drejtave të popullatës serbe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

A po fillon një epokë e re post kësaj klase politike? Nga Skënder MULLIQI

 

Kosova po hyn  në epokë të re të post kësaj klase politike .Një klase politike e cila nuk i realizojë  gadi as kerkesat elementare të qytetarëve, dhe besimin dhënë ,një klase politike e cila u zhyt në krim të organizuar dhe korrupcion , në keqpërdorime , në pasurim të pa ligjshem…Gjatë këtyre viteve të fundit partitë  janë duke përjetuar kriza të thella edhe strukturore .Qendruan gjatë në pushtet dhe shumë gjatë  nuk punuan mirë  .Bëhët fjalë për keqpërdorim të pozitës, për keqperdorime të buxhetit, për mos zhvillim ekonomik, për mos avansim të proceseve demokratike.Përsonat e caktuar në hiearkinë më të lartë shtetërore e partake u pasuruan në menyrë marramandese në kurriz të qytetarëve ,të cilët po përjetojnë ditë dhe netë shumë të vështira ekonomike -sociale , të sigurisë ,  krizë morale e kriza të tjera.Praktikisht këta u tregun lojtarë të dobët politikë, u treguan së janë  lakmitarë për pushtet apsolut si në komunizem.Punuan më shumë për vete, për familjët e tyre , për militanë partiakë …Këta nuk e meritojnë më  të jenë në eshalonin e parë politik.Disa duket së shpejt do të  largohen nga pozitat e larta qe i kan .Shumë kënd e ka kapur frika së kur të largohen të fuqishmit nga pushteti, nuk do të kënë më mundësi të qendrojnë në pozitat e larta shteterore e partake .Si pozita ashtu edhe opozita ia ruajtën mirë shpinën njera -tjetrës.Opozita në fakt është për ta kontrolluar punën e pozitës për këtë gjë nuk e bëri mirë .Dhe, natyrisht kur nuk kemi opozitë të fortë pushteti vrapon pas keqpërdorimeve ,pas realizimit të interesave  individuale.Këta nuk besuan në demokraci dhe as në pluralizëm. Gjendja në shoqëri dhe rruga nëpër të cilën po kalon është bërë rrugë e mbushur më plotë rreziqe. Nuk është veshtirë më deshifru situaten pse kemi një shumicë që po jetojnë në varfëri.

Votuesit nuk i kan menduar mirë punët , duke i votuar rregullisht strukturat e njejta partiake të cilat struktura si bartëse të pushtetit që ishin, qytetareve si kundëshpërblim për  besimin e dhënë , u dhan pak më shumë së një kore bukë! I lanë shumë familje më kuleta të zbrazëta, më frizhidera të zbrazët, I lanë më valigje të gatshme për ta braktisur vendin, duke mos i llogaritur këtu afër 20 përqind të popullatës të cilët po jetojnë sikur të ishin në Etiopi,  e jo në zemer të Evropës.Nuk kemi drejtësi dhe as ligje të cilat po e mbrojnë ashtu si duhet  njeriun e thjesht të këtij nënqielli.Ata të cilët kan menduar së do të kemi shtet të rregulluar, të zhilluar,  jetë më të mirë , shumë keq janë mashtruar.Kjo gjendje mund të zgjat më shumë që dikush ka mundësi të prêt. Askush nuk po mendon që këtë klasë politike  ta dergon në Allkatrazin famkeq , por që të skajohën duke iu lëshuar rrugë forcave progresive sigurisht së po. Largimi i tyre vullnetarë    do të ishte akti më moral i tyre .Pushteti nuk është i përjetshëm për askënd në këtë botë, siq nuk është e përjetshme  as vet jeta. Shumë  nga këta njerëz në krye të politikës  i ka shkelë koha.Shpjegimi  për këtë është i panevojshem.Veprimet për të shpëtuar demokracia e cila po vdes janë bërë të ngutshme, sikur që janë  bërë të ngutshme ndryshimet për të mirë në këtë vend. Demokracia  dhe sistemi shumpartiakë pluralist janë  garë politike, e jo luftë, ku dominojnë para së gjithash vlerat, ku dominon e mira karshi të keqës …

Arbër Zaimi: Shpend Ahmeti u betua para varrit të Astrit Deharit se nuk do ta lëshojë kurrë Vetëvendosjen

Një prej figurave të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbër Zaimi ka zbuluar një detaj interesant për Shpend Ahmetin, gjatë një intervistë dhënë për ABC News. Ai tha se zhgënjimi me largimin e Ahmetit nga Vetëvendosje është e madhe. Sipas tij, Kryetari i Prishtinës ishte betuar para varrit të Astrit Deharit se kurrë nuk do ta lëshojë Vetëvendosjen.

Arbër Zaimi ka goditur Shpend Ahmetin që dy ditë më parë dha dorëheqje nga gjitha funksionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“Shpendi ka zhgënjyer thellësisht aktivistët tanë”, deklaroi Zaimi për televizionin tiranas, ABC News.

Ai shtoi se është e çuditshme kjo dorëheqje, pasi sipas tij, Shpend Ahmeti kishte dhënë garanca publike se nuk do të vepronte kurrë kështu.

“Z. Ahmeti para disa muajsh ishte betuar para varrit të aktivitetit Astrit Dehari se nuk do ta braktiste kurrë Vetëvendosjen”, tha ai.

Arbër Zaimi shtoi se i mbetet tashmë Lëvizjes Vetëvendosje se si do të veprojë; a do të dalë në opozitë në Komunën e Prishtinës apo si të veprojë me tej.

Ai ka zhvlerësuar politikisht nismën e Ahmetit dhe të tjerëve që pritet të formojnë një parti të re politikë.

“Unë nuk besoj se këta që po dalin mund ta dëmtojnë elektoralisht Vetëvendosjen. Kjo pasi që po të kishin ata peshën që pretendojnë që e kanë, do të garonin brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe z. Kurtit konkretisht”.

Presidenti Thaçi i ka mbetur borxh 500 mijë euro avokatit Geoffrey Nice

Gazeta Express e ka siguruar një letër që avokati britanik Geoffrey Nice i ka nisur Qeverisë së Kosovës, ku ai e tregon një histori skandaloze në të cilën është i përfshirë Presidenti Thaçi dhe ekipi i tij. Në këtë letër del në pah e vërteta edhe për librin biografik të Thaçit, ku shihet se atë Presidenti e ka paguar.

Njëra prej figurave më të dashura publike për shqiptarët e Kosovës menjëherë pas luftës, ka qenë prokurori i Tribunalit të Hagës, Sir Geoffrey Nice. Ai, po udhëhiqte gjyqin e Sllobodon Millosheviqit, personit me të urryer në Kosovë.

Nice kishte vazhduar të ishte “very nice” me shqiptarët edhe kur në një fjalim të tij të mbajtur në vitin 2011 e kishte goditur raportin e senatorit zviceran Dick Marty, që akuzonte direkt kryeministrin Thaçi, dhe gjithë hierarkinë e UÇK’së, për trafikim të organeve dhe akuza tjera mjaft bizare.

Në artikullin e tij, Nice i kishte cilësuar si të pabazuara akuzat e senatorit zviceran dhe raportin e tij si të paqëndrueshëm.

Ky kishte qenë shkaku që shefi i Qeverisë së atëhershme, Hashim Thaçi, ta kërkonte për të bashkëpunuar. Petrit Selimi, atëbotë zëvendësministër i Jashtëm, me porosi të shefit të tij, e kishte kontaktuar Sir Geoffrey’n për të punuar me Qeverinë e Kosovës, më saktësisht për Thaçin, që ishte figura kryesore e akuzuar nga Marty për trafikim organesh.
Prej asaj kohe, prej kohës kur ka ndodhur ky komunikim, gjërat në mes të Qeverisë së Kosovës, në mes të Hashim Thacit, dhe z. Nice nuk kanë rrjedhur shumë ‘nice’. Në pyetje janë pagesat. Hashim Thaci i ka mbetur borxh avokatit të njohur nga Britania e Madhe.
Gazeta Express ka siguruar një komunikim që Nice e ka bërë me Qeverinë aktuale të Kosovës. Ish prokurori i Tribunalit të Hagës duket mjaft i mllefosur nga mënyra se si e kanë injoruar atë institucionet e Kosovës, ndonëse, ai thotë, i kanë borxh mbi gjysmë milioni euro.

Geoffrey Nice

“Nuk kisha asnjë bashkëpunim profesional me Qeverinë e Kosovës, derisa më kontaktoi Petrit Selimi dhe më e pyeti nëse do të punoja për Qeverinë. U pajtova me kushtet financiare që m’i ofroi Selimi”, shkruan Nice në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës, respektivisht Avni Arifit, shef i stafit të Kryeministrit, të cilin e njofton se për këtë cështje e ka informuar edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës.

Por, çfarë thuhet në këtë letër që Nice i dërgon Arifit?

Aty mësohet se Nice, me ekipin e tij, kishte bërë marrëveshje me Presidentin Thaçi, atëherë shefi i Qeverisë dhe i sulmuari kryesor nga Marty. Për disa vjet, avokati anglez ishte angazhuar ta këshillonte Thaçin, kishte ndihmuar në krijimin e një materiali të nevojshëm kur Gjykata Speciale të jetësohej, si dhe e kishte ndihmuar në një pjesë të librit biografik të Presidentit, i cili u botua tash së fundmi me titullin “Shteti i ri – burrështetas modern”.

Nice vazhdon të rrëfejë në letrën e tij së pasi ishte paguar për një kohë, papritmas i janë ndalur pagesat nga Qeveria, duke i mbetur borxh gjysmë milionë euro, të cilat tash po i kërkon.

Ai thotë se nëse kjo pagesë nuk do të kryhet, sipas marrëveshjes, ai do të flasë publikisht në media për një gjë të tillë.

Nga ky komunikim nuk dihet se sa i ka kushtuar Qeverisë së Kosovës kontrata e Thaçit me dy juristët, megjithatë në të dhënat që i dërgon Nice Qeverisë, prej nëntorit të vitit 2015 deri në fund të korrikut të vitit 2016, duhej t’i paguheshin Nice’it 327,445.86 euro, ndërsa Trompit 162.975.01 euro.

Duke mos iu bërë pagesat, Geoffrey Nice i ka shkruar Qeverisë së Kosovës dhe vetë Presidentit Thaçi, që disa herë i kishte premtuar se i paguan paratë, por kjo, siç ankohet Nice, nuk ka ndodhur edhe më tutje.

Nice shkruan se bashkë me Nevonka Tromp, që ishte hetuese në rastin e Millosheviqit, ishin angazhuar për t’i dhënë këshilla Thaçit, për t’i përgatitur fjalime, aranzhuar intervista, madje duke kontribuuar në librin autobiografik të Thaçit, për të cilin Nice thotë se ka menduar që ishte për Kosovën dhe jo vetëm për Thaçin.

Avokati tregon se kanë përgatitur një material voluminoz sekret për Qeverinë, kur Gjykata Speciale të fillonte aktakuzat e para.

“Kemi punuar që qeveria e Kosovës të mund të përgatiste materiale ku askush s’do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale”, ka shpjeguar Nice.

Edhe pasi pagesat nuk i janë kryer, Nice thotë të ketë vazhduar ta ndihmojë Thaçin, sidomos në pjesën e librit të Thaçit, ku flitet për akuzat rreth trafikimit të organeve.
“Unë, duke m’u kërkuar, kam ndihmuar shkrimtarët e librit biografik të Hashim Thaçit, me historinë e akuzave të trafikimit të organeve, duke menduar se historia nuk ishte vetëm për Hashim Thaçin, por për popullin e Kosovës”, ka shkruar Nice.

Ai thotë se e ka takuar tri herë vetëm për vetëm Hashim Thaçin, madje edhe në Presidencë dhe, sipas Nice, presidenti është zotuar se do t’i kryhen pagesat.

Në këtë letër të tij shihet se Nice është lodhur nga papërgjegjësia e udhëheqësve të vendit, e posaçërisht nga mënyra se si ata po e hidhnin topin sa të njeri sa të tjetri. Për këtë arsye ai kishte vendosur që t’u shkruante të gjithëve përnjëherë.

“Duke ju përfshirë të gjithëve, më nuk do të jetë e mundur që t’i ikni përgjegjësive vazhdimisht” u ka thënë Nice, Enver Hoxhajt, Petrit Selimit, Abelard Tahirit, ambasadorit Lirim Greiçevci, Aridan Arifajt dhe Bashmir Xhemajt.

“Gjithashtu po i dërgoj edhe ambasadorit Ruairi O’Connell, i cili ka bërë përpjekje, që në emër tonë, ta zgjidhë çështjen”, thotë më tej Nice.

Express ka kontaktuar të premten ambasadorin O’Connell për ta pyetur nëse këtë çështje e ka adresuar te Qeveria e Kosovës. Ambasadori ka thënë se kjo nuk e përfshinë atë.

“Kjo është një çështje mes Qeverisë së Kosovës dhe z. Geoffrey Nice”, ka thënë shkurt O’Connell.

Nice zbulon që sipas marrëveshjes me Qeverinë, kishte punuar me persona të tjerë, madje edhe me një nga shkrimtaren e librit biografik për Thacin, Suzy Jagger, që po ashtu është dashur të paguhej.

Në bazë të këtij letërkëmbimi mësohet se, ajo cfarë Presidenti Thaci ka dashur ta paraqes si një libër biografik të shkruar nga dy gazetarë të huaj, në fakt ka qënë një libër i porositur dhe i paguar nga ai.

“Për të kryer punën për Qeverinë, sipas marrëveshjes, ne kemi bashkëpunuar me palë tjera si Alan Donnelly dhe Suzy Jagger dhe gjithashtu Pleurat Halilin”, i kishte shkruar avokati presidentit.

“Ne besojmë se ata janë paguar. Nëse kjo ka ndodhur, ne duam të dimë pse me ne është vepruar ndryshe, kur ne kemi pasur rol kyc në punën që është kryer me këta individë”, shkruan më tej Nice.

Në këtë pikë Nice aludon që Thaci dhe ekipi i tij e kishin anashkaluar atë, duke i kryer pagesat për libër në rrugë të tjerë. Nuk dihet se në cfarë rrugë janë kryer ato pagesa.

Ndërsa, Pleurat Halili, siç shkruan Nice, do të angazhohej që të siguronte një sistem të mbyllur me anë të të cilit do të barteshin materialet që Nice dhe Tromp i kishin mbledhur e të cilat do t’i duheshin Kosovës kur Gjykata Speciale të fillojë me akuza. Mirëpo, Halili papritmas kishte shkëputur kontaktet dhe më nuk u ishte përgjigjur atyre.

“Ishim duke pritur për një njoftim nëse ishte siguruar hapësira e sigurt për të bartur materialin, por ne kurrë nuk u njoftuam nga Pleurat Halili për dhe pas një kohe z. Halili shkëputi komunikimin me ne pa na dhënë asnjë shpjegim”

Nice beson që Thaçit do t’i duhet edhe njëherë. Pas raportit të Dick Martyt, avokati pret që Presidenti ta kontaktojë kur Gjykata Speciale të ngreh aktakuzat e para.

“Unë e kuptoj se Hashim Thaçi mund ta ketë qëllim që të bashkëpunojë me mua kur të bëhet e ditur se kush do të akuzohet nga Gjykata Speciale”, i ka shkruar Nice qeverisë së tanishme.

Avokati i ka shkruar për herë të fundit edhe Presidentit Thaçi, ku i ka treguar se në një gjykatë të Kosovës ka nisur rasti për faturat e papaguara dhe ku e informon se po e prishë e kontratën.

“Prej 2016’ës ne jemi duke shkuar nëpër një proces për të marrë borxhin sipas ligjit të Kosovës”, i ka shkruar Nice, Thaçit.

Madje, Nice, në fund të letrës e kërcënon, duke thënë se edhe pse ka heshtur deri më tani,  në rast se nuk i bëhet pagesa, do të detyrohet ta bëjë publike, e kjo sipas tij, do të dëmtojë imazhin e Kosovës.

Gazeta Express ka kontaktuar Avni Arifin për të pyetur nëse Qeveria i është përgjigjur kërkesave të avokatit britanik.

Arifi thotë se edhe përkundër që Geoffrey Nice i është drejtuar Qeverisë, për çështjen që ka të bëjë me marrëveshjen e Thaçit me avokatin, përgjigjen Presidenca dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Presidenca për javë të tëra nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express rreth angazhimit të Nice nga Thaçi, ndërsa Jetlir Zyberaj  nga Ministria e Punës së Jashtme ka thënë se nuk ka informacione rreth çështjes në fjalë. /Express/

Asociacioni, temë e radhës në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit

Maja Kocijançiq

Zyrtarët e Bashkimit Evropian u kanë kërkuar institucioneve të Kosovës që pa vonesa ta themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Maja Kocijançiq, zëdhënse e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit ka thënë se dialogu në nivelin teknik, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të vazhdojë pas 10 ditësh.

“Marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen. Puna në këtë drejtim po vazhdon. Presim rol konstruktiv nga të dyja palët”, ka thënë Kocijançiq.

“Nga fillimi kemi qenë të qartë ndaj dyja palëve që marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet pa asnjë vonesë”, ka deklaruar ajo. Njëherësh, Kocijançiq ka rikujtuar edhe marrëveshjet tjera që nuk janë implementuar, duke veçuar atë për energjinë.

Ajo ka konfirmuar edhe mbajtjen e raundit të ri të bisedimeve në Bruksel, nga 19 deri më 21 mars.

Ditëve të fundit, zyrtarët në Beograd kanë deklaruar se vazhdimi i dialogut pa themelimin e Asociacionit është i pakuptimtë.

Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin paralajmëron se Lista Serbe mund ta rrëzojë qeverine

Ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka kërkuar nga Lista Serbe që ta rrëzojë qeverinë e Kosovës, nëse nuk formohet bashkësia e komunave me shumicë serbe.

Ai në TV Pink tha se marrëveshja e Asociacionit është arritur në Bruksel, dhe nga ajo nuk do të ndryshohet asnjë pikë.

“Nëse Prishtina nuk është në gjendje ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, atëherë Lista Serbe duhet ta rrëzojë qeverinë”, tha Vulin, transmeton lajmi.net

“Nëse ata nuk janë në gjendje ta mbajnë fjalën, atëherë duhet të ketë zgjedhje. Asociacioni është marrëveshje e Brukselit, dhe nuk mund të rinegociohet”, tha ministri serb.

Sipas Vulinit, nëse ndërkombëtarët nuk reagojnë atëherë Serbia duhet ta shqyrtojë pozicionin e saj.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq gjatë ditës së djeshme tha se Asociacioni duhet të themelohet.

Madje paralajmëroi që nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, do të shqyrtohet edhe dialogu Kosovë-Serbi./B92

LIBRI i Madeleine Albright: Millosheviçi vrau 10 mijë shqiptarë, si e ndalëm konfliktin në Kosovë

Albright: Millosheviçi vrau 10 mijë shqiptarë, si e ndalëm konfliktin në Kosovë

Dyshja Clinton-Albright do të kishin një rol vendimtar në mbylljen e konfliktit në Kosovë, që shkaktoi sipas Albright 10 mijë të vrarë dhe qindra mijë të ndjekur nga shtëpitë e tyre. Zgjidhja e këtij konflikti, përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Kosovë, është padyshim pjesë e këtij libri, ku ishSekretarja e Shtetit amerikan merr përsipër të rrëfejë dhe të trajtojë tema delikate. “Gjatë kohës që Madeleine Albright ishte Sekretare e Shtetit, bota mësoi atë që unë ndërkohë e dija: ajo nuk druhet të marrë përsipër çështje të vështira apo të thotë atë që mendon. Në librin “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, ajo shkruan me një sinqeritet të pazakontë dhe një logjikë të shëndoshë për rolin ndërkombëtar të Amerikës, për fenë, etikën dhe gjendjen aktuale të përçarjes dhe pështjellimit të botës.

Madeleine Albright me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova
Madeleine Albright me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova

Në dijeninë time, asnjë Sekretar i mëparshëm Shteti nuk ka shkruar diçka të ngjashme me të. Është një libër befasues, i shkruar mes këshillave të miqve të shqetësuar se mos tema të tilla nuk mund të diskutohen pa shkaktuar dhimbje. Në përvojën time, e vetmja mënyrë për të mos shkaktuar dhimbje është të rrish duarkryq. Madeleine Albright është mishërimi i lëvizjes përpara”, shkruan Clinton në parathënien që shoqëron librin. Duke iu përmbajtur temave që trajton, libri është konceptuar në tri pjesë.

Së pari “Zoti, liria, vendi”, për të vijuar me “Kryqi, gjysmëhëna, ylli”, ku gjejmë “Iraku: pasoja të pamenduara”, “Përballja me Al Kaedwn”, “Dilema saudite”, “Demokracia arabe”, “Islami në Perëndim” etj. Ndërsa pjesa e tretë i është rezervuar “Reflektimeve të fundit”. al.mi

MADELEINE ALBRIGHT

Gjatë viteve të fundit, Shteteve të Bashkuara u është dashur të përballen me çështjen e “luftës së drejtë” në Afganistan dhe Irak. Si Sekretare Shteti jam ndeshur me një sfidë të ngjashme në Ballkan. Në fillim të viteve ‘90, diktatori serb, Sllobodan Millosheviç, kish nisur tri luftëra të pasuksesshme: kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë dhe kundër Bosnjës. Në vitin 1999, ai e drejtoi armiqësinë e tij kundër shumicës etnike shqiptare në Kosovë, provincë e Serbisë.

Gjatë një viti studiova çdo rrugë të mundshme për të siguruar një zgjidhje diplomatike që të respektohej nga të dy palët. Shqiptarët më në fund e pranuan propozimin tonë; Millosheviçi e refuzoi, duke ndërsyer forcat e tij të sigurimit kundër popullsisë civile. Interesi i tij ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre, duke djegur fshatrat e tyre dhe duke përhapur terror. Qëllimi i tij ishte që problemin e Kosovës “ta zgjidhte” një herë e përgjithmonë. Duke qenë se provinca ishte pjesë e Serbisë, krimet e Millosheviçit nuk mund të karakterizoheshin si agresion ndërkombëtar. Asnjë anëtar i NATO-s nuk po sulmohej, kështu që Aleanca nuk mund të pretendonte të përdorte të drejtën e vetëmbrojtjes.

Nga eksodi kosovar ne 1999
Nga eksodi kosovar ne 1999

Serbia nuk kishte kërcënuar të pushtonte një vend tjetër, kështu që nuk kishte arsye për një goditje parandaluese. Megjithatë, ne e kishim për detyrë “të mbronim tjetrin e pambrojtur”. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë, e cila kërkonte tërheqjen e trupave plaç- kitëse serbe, por diplomatët rusë, historikisht në anën e vëllezërve të tyre sllavë, premtuan se do të vinin veton për çdo masë që autorizonte përdorimin e forcës për ndaljen e serbëve. Kjo gjë e vuri administratën e Clinton-it dhe NATO-n përpara një zgjedhjeje të vështirë. Ose të lejonim Rusinë të përdorte veton me të cilën na kish kërcënuar, duke mos na lënë të vepronim, ose të përdornim forcën për të shpëtuar popullin e Kosovës edhe pa lejen e shprehur të Kombeve të Bashkuara. Punova tej mase shumë dhe ia dola mbanë për përdorimin e variantit të dytë.

Arsyet e mia ishin pjesërisht strategjike: Europa nuk do të ishte asnjëherë plotësisht në paqe, për sa kohë që Ballkani të ishte i pastabilizuar dhe Ballkani nuk do të ishte i stabilizuar për sa kohë që Millosheviçi do të ishte në pushtet. Gjithsesi, motivi im kryesor ishte moral: Nuk doja të shihja të vriteshin njerëz të pafajshëm. Prania e NATO-s në Europë na dha mjetet për të ndalur spastrimin etnik në atë kontinent, ndërsa unë shpresoja se duke bërë këtë, do të ndihmonim që krime të tilla të mos ndodhnin edhe gjetiu.

Kjo ishte realisht një nga ato kohë kur, për t’u bërë jehonë fjalëve të Martin Luther King-ut të Ri, qëndrimi ynë do të bazohej jo në atë që ishte e sigurt, por në atë që ishte e drejtë. Nisur nga fakti që ne nuk kishim një mandat të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për veprime ushtarake, u përpoqëm veçanërisht shumë të provonim drejtësinë e kauzës sonë. Së pari, administrata e Clinton-it siguroi mbështetjen unanime të NATO-s.

libri i albright

Së dyti, unë mbaja kontakte të vazhdueshme me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i cili u dakordësua publikisht me ne se veprimet e serbëve ishin moralisht të papranueshme.

Së treti, objektivat e NATOs gjatë luftës kontrolloheshin nga avokatë ushtarakë, të cilët e krahasonin secilin prej tyre me standardet e përcaktuara nga Konventat e Gjenevës. Në çdo rast bëhet një vlerësim për të parë nëse vlera e objektivit ishte më e madhe se risqet potenciale ndaj civilëve. Teksa lufta përparonte, ne shtuam presionin ushtarak ndaj Beogradit, por ndërkohë bënim kujdes për të minimizuar numrin e viktimave në njerëz dhe plagosjet e panevojshme të tyre.

Tri objektiva civile (Ambasada kineze, një tren pasagjerësh dhe një kolonë me refugjatë) u goditën gabimisht. Vlerësimet për numrin e civilëve të vrarë nga bombardimet tregojnë se ata ishin nga 500 deri në 2000. Ndërsa Serbët, përpara se të arrinim t’i ndalnim, vranë rreth 10.000 shqiptarë të Kosovës dhe përzunë qindra mijëra të tjerë nga shtëpitë e tyre. Gjatë gjithë luftës, ne vazhduam përpjekjet diplomatike për të vendosur paqen. Më në fund, këto përpjekje u kurorëzuan me sukses. Millosheviçi kapitulloi; serbët i tërhoqën forcat e sigurimit nga Kosova; refugjatët u lejuan të ktheheshin; në vend u vendos një forcë paqeruajtëse e kryesuar nga NATOja dhe Kombet e Bashkuara arritën të kontribuonin në rindërtimin e vendit, i cili që atëherë ka organizuar disa raunde zgjedhjesh demokratike.

Farat e konfliktit në Kosovë, sikurse edhe në luftërat e kahershme që kishin ardhur si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë, kishin qenë të mbjella në historinë fetare të rajonit. Duke mbrojtur kauzën e Serbisë, Millosheviçi do të më thoshte se populli i tij kishte mbrojtur “Europën e Krishterë” për shekuj të tërë. Historia kombëtare epike e Serbisë është një rirrëfim i betejës së Kosovës, e zhvilluar kundër turqve otomanë në Fushën e Mëllenjave më 1389. Sipas legjendës, Princit Lazar të Serbisë i ishte shfaqur Profeti Elia në ditën fatale.

Elia i kish ofruar princit të zgjidhte midis fitores në betejë (dhe një perandorie në tokë) dhe disfatës (kompensuar me një vend në parajsë).Princi zgjodhi fitoren e përjetshme në parajsë. Është një histori frymëzuese, një histori që ka luajtur një rol në vendimin e guximshëm të serbëve për t’u rezistuar nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Problemi është se disa serbë vazhdojnë të jenë të vendosur të hakmerren për disfatën e pësuar në Kosovë më shumë se 600 vjet më parë, të motivuar nga një ndjenjë e egër nacionalizmi dhe besimi se kanë një marrëdhënie të veçantë me Zotin. Ndërsa në Kosovë lufta vazhdonte, Václav Havel-i do ta karakterizonte me këto fjalë: Nëse mund të thuash se një luftë është etike apo se ajo po zhvillohet për shkaqe etike, atëherë kjo është një prej atyre luftërave.

Clinton mes refugjatëve kosovarë në Shkup
Clinton mes refugjatëve kosovarë në Shkup

Kosova (ndryshe nga Kuvajti) nuk ka puse nafte për t’u lakmuar; asnjë nga kombet anëtare të Aleancës nuk ka ndonjë pretendim territorial ndaj saj; Millosheviçi nuk kërcënon integritetin territorial të ndonjërit prej anëtarëve të Aleancës. E megjithatë, Aleanca hyri në luftë. Ajo lufton sepse është e shqetësuar për fatin e të tjerëve. Ajo po lufton, sepse asnjë njeri i mirë nuk mund të rrijë e të bëjë sehir vrasjet sistematike të popujve të tjerë nën drejtimin e qeverisë…

Kjo luftë i vendos të drejtat e njeriut mbi të drejtat e shteteve. Shumica jonë do të pajtoheshin me faktin se morali, ndonëse shpesh i vështirë për t’u përcaktuar, është thelbësor për të shkuar mirë me njeri tjetrin. Ne do të ndiheshim më të sigurt në një botë, ku ndërgjegjja do të shërbente si udhërrëfyesi kryesor i veprimeve të kombeve dhe të individëve. Po feja? Feja është ndoshta ndikimi i vetëm më i madh në formimin e ndërgjegjes njerëzore, e megjithatë, ajo është njëherazi edhe një burim konfliktesh dhe urrejtjeje. Pas asaj që pamë të ndodhte në Ballkan dhe në rajone të tjera të shkatërruara nga konflikte me bazë fetare, a mund të themi se feja është diçka që duhet ta kemi më me bollëk?

Si përdoret besimi fetar për pushtet personal

NGA WILLIAM J.CLINTON

Si përdoret besimi fetar për pushtet personal

Gjatë kohës që Madeleine Albright ishte Sekretare e Shtetit, bota mësoi atë që unë ndërkohë e dija: ajo nuk druhet të marrë përsipër çështje të vështira apo të thotë atë që mendon.

Në librin “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, ajo shkruan me një sinqeritet të pazakontë dhe një logjikë të shëndoshë për rolin ndërkombëtar të Amerikës, për fenë, etikën dhe gjendjen aktuale të përçarjes dhe pështjellimit të botës.

Në dijeninë time, asnjë Sekretar i mëparshëm Shteti nuk ka shkruar diçka të ngjashme me të. Është një libër befasues, i shkruar mes këshillave të miqve të shqetësuar se mos tema të tilla nuk mund të diskutohen pa shkaktuar dhimbje. Në përvojën time, e vetmja mënyrë për të mos shkaktuar dhimbje është të rrish duarkryq.

Madeleine Albright është mishërimi i lëvizjes përpara. Pas bisedës sonë të parë rreth këtij projekti, i telefonova Madeleine-s për të diskutuar më tej për të, duke mos e ditur se ku ndodhej në atë çast. Doli se ishte në Gdansk të Polonisë, duke kremtuar njëzetë e pesë vjetorin e Solidaritetit, lëvizjes për demokraci që i dha fund Luftës së Ftohtë dhe solli lirinë në Europën Qendrore dhe Lindore. Kur i rashë telefonit, Madeleine ndodhej në mesin e një turme ku ishte edhe ish-presidenti çek, Vaclav Havel, dhe presidentët aktualë të Ukrainës dhe Polonisë.

Ajo ua kaloi telefonin atyre dhe kështu pata rastin e paparashikuar, por të mirëpritur, të bisedoja me disa miq të vjetër. Ndërkohë, Madeleine vendosi një buqetë me lule në përkujtim të Solidaritetit dhe mori pjesë në një meshë të hapur në kremtim të lirisë, që zgjati tri orë. E kisha kapur në një moment dhe në një vend kur Zoti dhe demokracia ndodheshin përkrah njëri-tjetrit, në qendër të vëmendjes.

Një nga temat e këtij libri dhe burim polemikash të vazhdueshme në jetën publike, ka të bëjë me marrëdhënien midis tyre. “Elementi fetar është themeli i demokracisë”, do të shkruante Walt Whitman, “Të gjitha fetë, të vjetra dhe të reja, janë aty”. Unë besoj se të gjithëve na ka ndodhur që të takojmë njerëz që do të ishin të gatshëm të përqafonin fjalinë e parë të Whitman-it dhe të shpërfillnin të dytën, duke i bërë kështu të dyja fjalitë të pakuptimta. Në më të mirën e tyre, të dyja, feja dhe demokracia, respektojnë barazinë dhe vlerën e çdo qenieje njerë- zore: ku të gjithë jemi shëmbëlltyra të Krijuesit, ku secili është pajisur me të drejta të patjetërsueshme. Këto doktrina rrinë mirë përbri njëra-tjetrës; ato janë njëjtësuese dhe përfshirëse. Problemet dalin kur interpretimin tonë orvatemi ta vëmë përpara atij të Whitman-it, duke argumentuar se ata që kanë të njëjtën ide të caktuar si ne rreth universit, janë më me vlerë se të tjerët. Të kesh një fe, është të besosh në ekzistencën e të vërtetës absolute.

Por, të pohosh se qeniet njerëzore, sikundër janë, të papërsosura, mund ta zotërojnë plotësisht këtë të vërtetë apo se ideologjia jonë politike është plotë- sisht e vërtetë dhe na lejon të penalizojmë, shtypim, apo abuzojmë ata që kanë një besim të ndryshëm prej nesh, është një gjë krejtësisht tjetër. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara krijoi diçka vërtet të re: një sistem qeverisjeje, në të cilin besimi më i madh nuk u jepet zyrtarëve të lartë, pushteti i të cilëve kufizohet nga një sistem mjeshtëror kontrollesh dhe ekuilibrash, por popullit, si një i tërë. Ndër kufizimet që etërit tanë u vendosën atyre që janë në pushtet, është pamundësia për të vendosur një fe zyrtare shtetërore apo për të kufizuar të drejtën e gjithkujt për të qenë i lirë në zgjedhjen e besimit. Etërit themelues e kuptuan nga historia se përqendrimi i autoritetit politik dhe fetar në të njëjtat duar mund të ishte helmatisës. Sigurisht, ne e dimë se shpesh, pushteti i fesë shfrytëzohet nga ata që kërkojnë të forcojnë pushtetin e tyre personal në dëm të të tjerëve.

Në Ballkan, Slobodan Millosheviçi fliste shumë për mbrojtjen e Europës së krishterë, por interesi i tij i vërtetë ishte ta përdorte fenë dhe përçarjen ekstreme për forcimin e pushtetit të tij. Osama bin Ladeni hiqet si mbrojtës i Islamit, por gatishmëria e tij për të vrarë njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe myslimanë të tjerë, nuk është një interpretim i drejtë i Kuranit dhe nuk është besnik ndaj atij besimi. Në duar të gabuara, feja shndërrohet në një levë që përdoret për të armiqësuar një grup njerëzish ndaj një grupi tjetër, jo për shkak të ndonjë besimi të thellë shpirtëror, por sepse mund të ndihmojë këdo që kërkon të ngjallë armiqësi. Mos vallë kjo do të thotë se politikëbërësit duhet të përpiqen që fenë ta mbajnë të izoluar nga jeta publike?

Sikundër argumenton Madeleine Albright, përgjigja e kësaj pyetjeje është një “Jo” kumbuese. Ne duhet jo vetëm të mos e bëjmë këtë, por edhe nëse do ta provonim ta bënim, nuk do t’ia dilnim mbanë. Bindjet fetare, kur janë bindje, nuk mund të vishen e zhvishen si të ishin një palë galloshe. Ne i mbartim ato me vete ngado që shkojmë, skeptikë dhe ateistë, përkrah besimtarëve. Një president apo një sekretar shteti duhet të marrë vendime, duke pasur parasysh besimet e tij fetare dhe ndikimin që këto vendime kanë te njerëzit e besimeve të ndryshme. Gjithsesi, sikurse Madeleine Albright vë në dukje, vlerësimi i këtij ndikimi nuk është punë fort e lehtë. Gjatë vizitës sime në Indi në vitin 2000, disa radikalë të zemëruar do të shfrenin tërbimin e tyre, duke vrarë me gjakftohtësi tridhjetë e tetë sheikë.

Nëse nuk do ta kisha ndërmarrë atë udhëtim, viktimat me siguri do të ishin ende gjallë. Nëse nuk do ta kisha bërë atë udhëtim nga frika e asaj që mund të bënin ekstremistët, nuk do të kisha kryer detyrën si President i Shteteve të Bashkuara. Natyra e Amerikës është e tillë që shumë njerëz e përcaktojnë veten – ose një pjesë të saj – në lidhje me të, ose pro ose kundër. Kjo gjë është pjesë e realitetit, në të cilin ne si udhëheqës duhet të veprojmë.

Kur imamët radikalë orvaten të shkatërrojnë mënyrën e të menduarit të disa të rinjve të tjetërsuar, të pakënaqur, ndër të cilët jo të gjithë janë të varfër dhe të paarsimuar, përmes ofrimit këtyre besimtarëve një udhëtim të ashtuquajtur të menjëhershëm në parajsë, në këmbim të gatishmërisë së tyre për të vrarë civilë dhe njëherazi për të hedhur në erë edhe vetveten, si duhet të reagojmë ne? Ne mund të përpiqeshim t’i kapnim ose vrisnim ata, por gjithsesi, të gjithë nuk do të mundnim t’i zinim. Mund të përpiqeshim t’i bindnim të hiqnin dorë nga dhuna, por kur argumentet tona nuk kanë asnjë lidhje me përvojat e tyre, nuk do të mund t’ia dilnim dot mbanë.

Mundësia më e mirë që kemi është të punojmë së bashku me ata njerëz në botën myslimane, të cilët përpiqen të kapin mendjet e të njëjtëve njerëz si edhe radikalët, duke predikuar një Islam më të plotë dhe jo një Islam të shtrembëruar, të copëtuar, me thepa. Unë besoj vërtet se një gjë e tillë mund të bëhet jo duke dobësuar besimet shpirtërore, por duke u futur në thellësi të këtyre besimeve.

Të tre besimet e Abrahamit kanë më shumë ngjashmëri se sa dallime, ku secili bën thirrje për nderim, zemërgjerësi, modesti dhe dashuri. Asnjë prej tyre nuk është i njohur plotësisht prej nesh. Sfida e udhëheqësve tanë është të përdorim atë që kemi të përbashkët si bazë për të mposhtur elementët më ekstremistë dhe për t’i hequr mbështetjen terrorizmit. Kur njerëzit e pranojnë humanizmin e tyre të përbashkët, atëherë bëhet më e vështirë të dejonizojnë dhe shkatërrojnë njëri-tjetrin.

Është shumë më e lehtë të gjesh kompromise parimore me njërin nga “ne”, se sa me njërin nga “ata”. Besimi fetar mund të na ndihmojë të zhdukim vijën ndarëse të vjetër sa koha. Nuk ka detyrë më të rëndësishme, por siç e bën të qartë edhe libri i Madeleine Albright-it, kjo është një detyrë që – katër vjet e gjysmë pas 11 shtatorit – ne pothuaj as që e kemi zënë me dorë.

Pacolli: Kosova në agjendë për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka thënë për Gazetën Express se Kosova tanimë është në agjendë për t’u pranuar në INTERPOL. Edhe pse kryeministri Ramush Haradinaj, me të marrë mandatin, kishte vendosur që Kosova të heqë përkohësisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë, Pacolli thotë se tani janë pjekur kushtet dhe se Kosova s’ka qenë asnjëherë më afër që të jetë pjesë e INTERPOL-it

Zv. kryeministri Pacolli, njëherësh edhe ministër i Jashtëm, pohon se Kosova ka lëvizur para në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Në një bisedë të shkurtër me Express, Pacolli ka thënë se Kosova veçse është pjesë e agjendës për t’u bërë pjesë e kësaj organzate.

Kryeministri Haradinaj kishte çuditur e ishte kritikuar jo pak kur kishte vendosur që të tërhiqte kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, para gjashtë muajve. Megjithatë, nga atëherë, Pacolli thotë se është bërë punë në anëtarësimin e Kosovës.

“Kosova në agjendë për t’u pranuar në INTERPOL. Kjo është shenja e parë se Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL, për çka ne kemi punuar shumë”, ka thënë Pacolli për Gazetën Express.

Kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur që të shtynte aplikimin për anëtarësim në INTERPOL, me arsyetimin se Kosovës do t’i mungonin votat nga disa shtete dhe se nuk dëshironte të përsëritej e njëjta histori si me anëtarësimin në UNESCO.

Ishte raportuar se një gjë e tillë kishte ndodhur pasi aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, i kishin kërkuar Haradinajt të mos aplikonte sepse Kosova nuk e kishte përkrahjen e nevojitur dhe se nuk do të siguronte votat pro anëtarësimit.

Procedura me të cilën VV-ja mund ta largojë Shpend Ahmetin nga pozita e kryebashkiakut

Ata kanë nisur të shpërndajnë nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale ku precizohet largimi i kryetarit të Komunës.

Sipas këtij ligji, “qytetarët e Komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës”.

Bazuar në këtë ligj edhe më tej, një kërkesë e tillë për largimin e kryetarit të Komunës duhet të nënshkruhet nga njëzetë (20) përqind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të Kuvendit të Komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.

“Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi Zgjedhjet”, thuhet në pikën e tretë të Nenit 72.

Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale

Ndryshe, Shpend Ahmeti në letrën e dorëheqjes nga funksionet e tij në Vetëvendosje ka thënë se javëve të fundit ka kuptuar shumë gjëra për të cilat ka thënë se nuk i ka ditur më parë.

“Javëve të fundit kam kuptuar shumë gjëra për organizatën të cilat nuk i kam ditur më parë. Këto gjëra nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo, kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më”, shkruan në letrën e Ahmetit.

Ai ka thënë se mospajtimet kanë dëmtuar frymën dhe rrjedhimisht dhe kauzën e VV-së.

“Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia. Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mirë, e të tjerët e kanë keq”, thuhet më tej në letrën e Ahmetit.

Vetëvendosja ka kohë që është futur në “telashe” të cilat kanë rezultuar me largimin e dhjetëra anëtarëve të kësaj partie, përfshirë zyrtarë të lartë dhe drejtues të këtij subjekti politik.

“Komuniteti serb i pakënaqur nga politika e Serbisë ndaj Kosovës”

Trajkoviç theksoi se serbët në Kosovë kanë nevojë për secilin pushtet në Beograd, por që duhet të ketë një presion politik pozitiv ndaj qeverisë për të bërë më të mirën

LLAPNASELLË – Në tryezën e rrumbullakët në Llapnasellë, në afërsi të Graçanicës, me temën “Kosova dhe ndryshimet politike apo…”, disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë paraqitën një sërë kundërshtimesh ndaj politikës që shteti i Serbisë po udhëheq ndaj Kosovës, me ç’rast theksuan problemin e marrëdhënieve të këqija serbo-serbe.

Në tryezën e rrumbullakët të cilën e organizoi Forumi Kombëtar Serb, morën pjesë Sekretari i Shtetit të Serbisë, Nikola Selakoviç, Zëvendës drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Dushan Kozarev, kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç, Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Komuniteteve dhe Kthimit Dalibor Jevtiç, kryetari i Graçanicës Srdjan Popoviç, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë të Serbisë, Branimir Stojanoviç dhe shumë përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile nga komuniteti serb në Kosovë.

Në pjesën e parë diskutimit tre orësh, i cili ishte e hapur për opinionin, Momçillo Trajkoviç, një nga themeluesit e Forumit Kombëtar Serb, tha se tryeza e rrumbullakët nuk ka të bëjë me dialogun e brendshëm mbi Kosovën që momentalisht po zhvillohet në Serbi me iniciativën e presidentit serb Aleksander Vuçiç, por për gjendjen e komunitetit serb në Kosovë.

Trajkoviç bëri një vërejtje se në terren në Kosovë ndërmjet serbëve zbatohet politikë partiake. Ai paraqiti tezën e tij se duhet të krijohet një politikë autentike serbe në Kosovë, e cila do të jetë një faktor në marrjen e vendimeve.

Ai gjithashtu kritikoi listat e përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë, të cilat siç tha, nuk e kanë fuqinë politike dhe intelektuale për t’u marrë me politikë. Në të njëjtën kohë, ai theksoi problemin e territorit, duke thënë se Strategjia e re e Serbisë për Kosovën duhet të udhëhiqet me logjikën e shqiptarëve që mendojnë më shumë për territorin se sa për pushtetin.

Trajkoviç theksoi se serbët në Kosovë kanë nevojë për secilin pushtet në Beograd, por që duhet të ketë një presion politik pozitiv ndaj qeverisë për të bërë më të mirën.

Anëtarët e tjerë të Forumit Kombëtar Serb, përmes Zhivorad Laziç dhe Aleksandar Stojanoviç, nënvizuan problemin e presioneve dhe kërcënimeve ndaj të gjithë atyre serbëve të Kosovës që nuk janë pjesë e Partisë Përparimtare Serbe, duke kritikuar autoritetet aktuale serbe dhe Listën Serbe.

Folës të tjerë në tryezë potencuan gjithashtu problemin që për letërnjoftimet serbe duhet të udhëtojnë në Nish, që në Kosovën qendrore nuk kanë më fakultete në gjuhën serbe si dhe problemin e shitjes së përhershme të pronës serbe në Kosovë. Më tej është potencuar mungesa e transparencës në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel dhe heqja e institucioneve serbe në Kosovë si dhe gjyqësori.

Pas paraqitjes së 17 serbëve të Kosovës, Nikola Selakoviç, Sekretari i Shtetit i Presidentit serb, tha se për Serbinë është një çështje strategjike mbrojtja e interesave të popullit serb në Kosovë. Ai gjithashtu kujtoi se që nga viti 1999, “Kosova është nën protektoratin ndërkombëtar” dhe se Beogradi e ka maksimalisht hapësirën e ngushtuar për të vepruar.

Duke iu përgjigjur kritikave të shumta, Selakoviç theksoi se problemi në rritje i Serbisë është se popullsia e saj po zvogëlohet nga viti në vit, ndërsa popullsia shqiptare, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, po rritet, dhe se serbët nga Serbia duhet të ndihmojnë Kosovën dhe të gjithë serbët e tjerë.

Ai tha se shqiptarët kur ishin në situatën në të cilën sot janë serbët, nuk bënin mosmarrëveshje mes vete. Selakoviç thotë se liria e lëvizjes për serbët në Kosovë sot është shumë më e mirë se pesë vite më pare. Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk sheh arsye për frikë në mesin e serbëve nga serbët e tjerë. Sipas tij, qeveria aktuale në Beograd në skenën ndërkombëtare lufton për çdo serb. aa

Shpend Ahmeti largohet nga lëvizja Vetëvendosje

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri të ditur të mërkurën se është larguar nga lëvizja Vetëvendosje.

Shpend Ahmeti, një nga figurat më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, u zgjodh kryetar i Prishtinës në vitin 2013, që ishte edhe pozita e parë e lartë e fituar nga lëvizja Vetëvendosje. Ai u rizgjodh vitin e kaluar, ndërsa në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, zoti Ahmeti doli si anëtari i dytë më i votuar nga kjo lëvizje.

Në letrën e tij ai thekson se “motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në lëvizjen Vetëvendosje nuk është më. Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia. Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mire, e të tjerët e kanë keq. Thjesht kjo qasje dhe kjo mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve nuk më përfaqësojnë mua”, thuhet në letër.

Zoti Ahmeti thotë se është munduar të luajë një rol të ndërmjetësuesit për tejkalimin e problemeve, por sipas tij kjo ishte e pamundur.

“Kjo nuk do të thotë se Albini, Visari, e Dardani e krejt të tjerët nuk kanë të drejtë në mendimin e tyre. Sigurisht se ata do të luftojnë për të vërtetën e tyre. Secilit i dëshiroj sukses në ndjekjen e qëllimeve të veta, në qoftë se i kanë të mira. Ndoshta rrugët na bashkohen prapë, por për mua tashmë me arsye, kushte e metoda tjera”, thuhet në letrën e tij.

Ai thotë se e ardhmja e tij do të lidhet me punët e kryetarit të Prishtinës, ndërsa nuk përjashton vështirësitë në këtë punë, pasi një pjesë e madhe e Kuvendit Komunal të Prishtinës përbëhet tashmë nga anëtarët e lëvizjes Vetëvendosje, të cilët gjatë ditës votuan kundër raportit buxhetor të tij.

Dorëheqja e Shpend Ahmetit, pasoi krizën në lëvizjen Vetëvendosje, nga e cila që nga viti kaluar një numër i madh i anëtarëve përfshirë ish kryetarin Visar Ymeri dhanë dorëheqje.

Përplasjet pasuan publikimin e bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes në të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004 nga Albin Kurti. Deri në vitin 2010 kur u përfshi për herë të parë në zgjedhje për pushtetin qendror, kjo lëvizje nëpërmjet protestave dhe aksioneve ka kundërshtuar misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit. Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të këtij viti Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në parlamentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë ndërsa në zgjedhjet për pushtetin komunal fitoi tri komuna përfshirë dy kryesoret Prishtinën dhe Prizrenin. Kjo lëvizje tashmë ndodhet në krizën më të thellë që nga themelimi i saj dhe sipas vëzhguesve një ndarje brenda saj do të zbehte edhe forcën e saj në të ardhmen.

Pacolli: Do të kemi njohje të reja pavarësisht ofensivës diplomatike serbe

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli. Foto nga arkivi

Rritja e numrit të njohjeve dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mbetet një prej synimeve kryesore të Qeverisë aktuale, ngjashëm me ato parapraket.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli tha për Radion Evropa e Lirë se njohjet e reja për Kosovën janë një proces i pandalshëm. Ai tha se ka një angazhim të vazhdueshëm për të arritur rezultate konkrete.

“Praktikisht ne jemi duke punuar, të shtrirë në të gjitha anët e botë, në të gjitha kontinentet. Jemi duke punuar pandërprerë me gjithë potencialin që posedojmë. Besoj se rezultatet nuk do të mungojnë. Ne tani kemi pasur dy njohje këtë vit dhe besojmë se deri në fund të muajit do të kemi edhe një njohje tjetër. Njohjet nga shtetet e mëdha ku jemi duke punuar, nuk mund të them se mund të vijnë brenda një apo dy muajve, por janë shënjestrime të cilat duhet të ndodhin këtë vit”, tha Pacolli.

Ai tha po ashtu se si rezultat i punës dhe përpjekjeve intensive, shteti i Madagaskarit e ka njohur Kosovën në nëntor të vitit 2017, Guinea-Bissau e ka rikonfirmuar njohjen e saj dhe së fundmi, Kosovën shtet e ka njohur edhe Barbadosi.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka dy detyra kryesore sa i takon lobimit: një është që të hapë dyer të reja dhe veprimi tjetër është që t’i mbajë dyert e hapura. Pra, ato dyer që janë hapur një herë, t’i mbajë hapur. Do të thotë të bëjë përpjekje që ato shtete qe nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë, kurse me ato që e kanë njohur të kultivohen marrëdhëniet “, tha Pacolli.

Nga ana tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se politika e jashtme e Kosovës, vazhdon të jetë e çakorduar dhe pa një strategji të qartë. Labinot Greiçevci, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës që nga kohë kur është dhënë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë, kanë humbur shumë mundësi për lobim e njohje të reja.

 

“Në marrëdhëniet ndërkombëtare kur humbet momenti, atëherë normalisht që duhet një kohë që ai të kthehet. Me sa kam parë, deri tani nuk po vihet re që kemi ndonjë lëvizje strategjike e përmbajtjesore nga Ministria e Punëve të Jashtme, qoftë në këtë Qeveria apo në Qeverinë e kaluar, që të shtohet numri i njohjeve të reja dhe gjithashtu të rritet anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha Greiçevci.

Po ashtu, për ndaljen apo ngadalësimin e procesit të njohjeve, sipas Greiçevcit, ka ndikuar në masë të madhe edhe lobimi agresiv i Serbisë. Së fundmi, ky shtet po angazhohet edhe në planin diplomatik, duke u kërkuar shteteve të caktuara ta tërheqin njohjen e Kosovës.

“Kosova ka dështuar edhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siç është rasti UNESCO-s, dhe vihet re edhe një lloj, mbase plogështie, edhe nga ana e aleatëve tanë ndërkombëtarë për ta shtyrë përpara procesin e njohjeve të mëtejme ndërkombëtare. Me gjasë, gjithë ky proces po ndërlidhet me atë që mund të quhet si marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Edhe ministri i Jashtëm Pacolli thotë se është plotësisht i vetëdijshëm që Serbia po angazhohet në pengimin e njohjeve, e madje edhe në tërheqjen e këtyre njohjeve. Por, ai beson në kapacitetet e shtetit të Kosovës për t’i përballuar këto ofensiva diplomatike të shtetit serb.

“Serbia është zgjuar disi prej gjumit këtë vit dhe është duke punuar shumë të ato shtet të cilat e kanë njohur Kosovën, sidomos ata kanë në shënjestër shtete që janë ekonomikisht të dobëta dhe aty janë çdo ditë me diplomacinë e tyre, me potencialin që kanë krijuar enkas për këtë qëllim. I dimë lëvizjet e tyre ditore, ata janë në lëvizje dhe siç e shihni ata kanë pasur deri diku suksese, mirëpo, në thonjëza”, tha Pacolli.

Më 17 shkurt, Kosova ka shënuar jubileun e parë të pavarësisë. Për 10 vjet të shtetësisë, Kosovën e kanë njohur 116 shtete.

Por shteti më i ri evropian ende nuk e ka siguruar ulësen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe nuk e ka fituar mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kosovë, shfaqje teatrale për Sllobodan Millosheviçin

Një grup teatror serb, shfaqi të martën në mbrëmje në Graçanicë afër Prishtinës, një muzikal për ish presidentin serb Sllobodan Millosheviç.

Shfaqja me titull “Tregimi i Sllobodanit”, fillon me luftërat dhe përfundon me procesin gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviçit në Gjykatën për krime lufte në Hagë.

Ish udhëheqësi Jugosllav Sllobodan Millosheviç ishte përballur me më shumë se 60 akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konflikteve ballkanike të viteve 90-ta, gjatë të cilave u vranë më shumë se 130 mijë njerëz. Dënimi nuk u arrit të jepej pasi që vdiq në Gjykatën e Hagës në vitin 2006 derisa po përballej me këto akuza, përfshirë edhe përgjegjësinë për mizoritë e forcave serbë gjatë luftës së viteve 1998 – 1999 në Kosovë.

Autorja e shfaqjes Jelena Bogavac, tha se me gjithë reagimet që kishte ngjallur kjo shfaqje, puna e trupit teatral nuk paragjykon figurën e Sllobodan Milosheviçit.

“Ndoshta në shoqërinë tonë ekziston ky hendek i pakryer, një konsensus i pazgjidhur për fajësinë ose drejtësinë e Millosheviqit, dhe ne si të zakonshëm nuk jemi përpjekur që në punën tonë ta vendosim atë në asnjë mënyrë”, tha zonja Bogavac.

Paralajmërimet për shfaqjen kishin nxitur edhe thirrje që ajo të mos lejohet në Kosovë, meqë, siç thuhej, “ringjallja e Millosheviçit” provokon familjet e viktimave të luftës.

Nenad Todoroviç, regjisori i shfaqjes, tha se me gjithë paralajmërimet për rrezikun, shfaqja shkoi shumë mirë.

“Unë jam i mahnitur nga pritja e audiencës, pasi tensioni para shfaqjes ishte i madh dhe unë kam pritur ose do të na mbrojë KFOR-i ose do të mbrojnë ekipi i të dashuruarve në Sllobodan Millosheviçin. Falë Zotit gjithçka ka mbaruar siç duhet, dhe për herë të parë pas premierës dhe pas 20 vjetësh pune i them faleminderit Zotit, ishte e mrekullueshme dhe nuk jemi gjuajtur me vezë apo domate”, tha regjisori Todoroviç.

Në shfaqje nuk mori pjesë asnjë udhëheqës i komunitetit serb dhe duke shprehur zhgënjimin me këtë, regjisori Todoroviç tha se Ballkani ende përballet me politika nacionaliste.

“Dëshmia se kolegët tuaj në media dhe politikanët kryesorë që udhëheqin edhe njëherë treguan se sa frikacakë janë dhe se si janë arratisur nga arti. Arti fitoi politikën e mjerueshme nacionaliste që sonte priste që të na qëllonin sepse po luajmë një pjesë të historisë dhe një të personi gjatë viteve të nëntë dhjeta në Ballkan”, tha regjisori Todoroviç.

Salla nuk ishte e mbushur e tëra dhe qytetarët e komunitetit serb kanë mendime të ndryshme për shfaqjen.

“Nuk kishte rëndësi, nuk kishte asgjë atje, ishte thjesht një manipulim i madh. Një teatër i zakonshëm politik i cili në të vërtetë na mashtroi”, tha Zhivojin Rakoçeviç.

Shfaqja paraqet jetën e Millosheviqit jo vetëm ndërmjet kundërshtarëve të tij në Serbi, por edhe në mesin e viktimave të luftërave në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë në mes të viteve 1991 dhe 1999.

Sllobodan Millosheviç, mbeti një figurë popullore në mesin e një pjese të qytetarëve serb. Partia e tij u rikthye në pushtet, katër vjet pas rrëzimit të tij në vitin 2000 dhe vazhdon të qëndrojë edhe sot e kësaj dite.


Send this to a friend