VOAL

VOAL

Kuvendi nuk e miraton kërkesën e Vetëvendosjes për shkarkimin e Dërgutit

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e deputetes Aida Dërguti nga posti i nënkryetares së Kuvendit.

Nisma e Vetëvendosjes për shkarkimin e Dërgutit nga ky post, ka pasuar ndarjen e kësaj partie politike që ndodhi kohë më parë.

Gjatë fillimit të mandatit të kësaj legjislature, Dërguti ishte zgjedhur nënkryetare e Kuvendit, si deputete e Vetëvendosjes.

Ndërkaq pas ndarjes së partisë, Dërguti tani i përket Partisë Social Demokrate, e cila është formuar nga fraksioni i Vetëvendosjes.

Nismën për shkarkimin e Dërgutit e kishte prezantuar deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ndërkaq këtë nismë e ka kundërshtuar deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Sipas versionit të paraqitur nga Konjufca, posti i nënkryetarit, në këtë rast, i takon pikërisht Vetëvendosjes dhe jo PSD-së.

Si rezultat nga votimi doli që 16 vota ishin për, 26 kundër dhe 48 abstenime.

Kryesia e Kuvendit ka në përbërje, kryetarin e Kuvendit, si dhe pesë nënkryetarë, të cilët vijnë nga tri grupet më të mëdha parlamentare të shumicës si dhe dy nënkryetarë nga komunitetet pakicë.

Haradinaj: Pajtimi me Serbinë, vetëm në këmbim të njohjes

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova do të pranojë pajtimin me Serbinë në këmbim të njohjes. Sipas tij, kjo nuk do të thotë se do harrohen krimet e bëra, deklaron Haradinaj për RTK 2.
Haradinaj tha se pajtimi nënkupton të kalohet mbi të zhdukurit, të dhunuarit e të vrarët, por shpjegoi si duhet bërë kjo.
“Njohja.. çka mund të jep Kosova që të arrihet kjo marrëveshje, një pajtim, se tjetër nuk kemi çka japim. Pajtimi nuk është pak, do të thotë të kalohet mbi dhimbjen tonë, mbi të zhdukurit, mbi të vrarët, mbi dëmet, mbi dhunimet seksuale, me ekonomi të shkatërruar e të plaçkitur, e kur ne të pajtohemi, po japim shumë, më shumë se që dikush kish mujt me dhanë. Nuk po themi me harru, se nuk e bëjmë kurrë, por ne mund të pajtohemi ndonjëherë, për njohje. A është ky viti për këtë? Nuk mund të ngutem të them për këtë, por ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë dhe po ju tregoj që Kosova kur qëndron pas Amerikës, e bën për interesin e vet”, tha ai.
Ai nuk tha nëse këtë vit do të ndodh pajtimi dhe njohja, por tha se ky është viti kur Kosova duhet anëtarësohet në Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale INTERPOL.
Haradinaj u shpreh i bindur se do të ketë vende që do të kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Çdo vend që e pengon Kosovën të anëtarësohet ne INTERPOL është duke e ndihmuar luftimin e krimit trans-nacional. Është gabim. Kush do ta luftojë krimin trans-nacional e ndihmon Kosovën të anëtarësohet në INTERPOL. Këtë vit është koha kur duhet të vendoset kjo punë. Jam thellë i bindur që plotë vende do të kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL se ashtu luftohet krimi trans-nacional që është i rrezikshëm, është kërcënim”, tha ai.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga shtetet mike të ndihmojnë Kosovën të anëtarësohet në Interpol.
Haradinaj ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB, ku sipas tij, shpejt duhet mbyllet kjo çështje.

Haradinaj: Kosovës i duhet të shkojë në OKB, fakt që duhet ta njohë edhe Serbia

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj tha para delegatëve në kuvendin zgjedhor të kësaj partie në Suharekë, se kjo komunë udhëhiqet nga njeriu i duhur sikurse është Bali Muharremaj.

Nga Theranda, Haradinaj ka shprehur admirimin për dëshmorët, invalidët, veteranët e gjithë ata që kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës. Edhe para qytetarëve të Therandës, kreu i Qeverisë ka thënë se liberalizimit të vizave i ka ardhur koha që të bëhet sepse tanimë kanë lidhur një kontratë me BE-në, siç është MSA-ja, që do të thotë se rruga e Kosovës drejt BE-së është nisur.

Haradinaj tha se, “Kosovës i duhet gjithsesi që të shkojë në OKB”. E kjo sipas tij, është duke u njohur edhe shtetit fqinj, Serbia. Ai e ka quajtur jo të lehtë njohjen me Serbinë, duke kujtuar masakrat dhe atë çka ka bërë Serbia në Kosovë. Mirëpo, sipas tij, kjo do të ndodh për të ecur përpara Kosova, raporton KP.

“Gërministët” e Diasporës, nismë e mbarë apo mashtrim!? – Nga FLORIM ZEQA

Konferenca “Diaspora flet”, e mbajtur ditë më parë në Prishtinë ngjalli reagime të ndryshme në opinionin publik. Organizatorët e këtij aktiviteti, me ose pa qëllim e dështuan këtë nismë që në aktivitetin e parë!
Koordinimi i aktivitetetve me pushtetarët (politikanët) e korruptuar në të dyja nivelet e pushtetit (lokal e qendror), është pak më tepër se huqje e cakut.
Shprehja e pikëpamjeve të “Gërministëve” përmes mekanizmave të pushtetit (Parlament, Qeveri, Komunë) paraqet huqjen më kapitale.
Lënja menjëanë e takimeve dhe bashkëbisedimit me qytetarët e Kosovës, për më tepër se lëshim, konsiderohet dështim në hapin e parë të “Gërministëve”.
Përveqse ndryshimet e shumëpritura nuk arrihen përmes pushtetarëve, as investimet nuk realizohen përmes filtrave të pushtetarëve dhe politikanëve të korruptuar, ngase çdo investim do të ketë finalizim minimal në rrafshin praktik, për shkakun se pushtetarët e pangopshëm, pa e nxjerrur në fillim pjesën e tyre përmes haraçit nuk do i lënë të shkojnë tutje inestitorët shqiptar.
Për më tepër se kaq, kur është në pyetje hajnia dhe zhvatja e parave nga buxheti i shtetit dhe investimet e jashtme, pushtetarët e të dyja niveleve, dinë të bëhen bashk, sikurse u bënë bashk ditë më parë në Komunën e Prishtinës, për shtrimin e trasesë së rrugës prej 600 metrave në vlerë mbi 800 mijë euro!
Ky është vetëm një ilustrim i vogël, në krahasim me plaçkitjet qindra milionëshe nga shtrimi i autostradave më të kushtueshme në botë!
Të gjithë bashkatdhetarët që i duan të mirën vendit dhe popullit të tyre nuk bëhen një me politikanët e korruptuar dhe tejinkriminuar që ua nxinë jetën qytetarëve të Kosovës.
Elitat intelektuale në Diasporë që angazhohen për demokratizimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, duhet t’i bashkohen popullatës e jo pushtetarëve.
Ngase, joshja me ndonjë post apo privilegj pushteti mund t’ua vërbojë sytë dhe turbullojë mendjen sa për të mos e parë realitetin e hidhur jashta institucioneve të shtetit.

Jo projekteve diskriminuese

U bëjë thirrje publike të gjithë mërgimtarëve, intelektualëve dhe biznesmenëve që të bashkohen njëmënd me njëri-tjetrin për të realizuar ndryshimin substancial në Kosovë, jo përmes konferencave “ad-hoc” dhe pjesmarrjes në pushtetin e kalbur dhe të inkriminuar,…por përmes bashkërendimit të veprimeve për një strategji të pastër kombëtare, për ardhjen në shprehje të vlerave të mirëfillta kombëtare dhe heqjen e të gjitha barrierave byrokratike që stimulojnë dhënjen e haraçit, kusht ky i domosdoshëm për krijimin e kushteve të favorshme për investimet e mërgatës në vendlindje, gjegjësisht realizimin e të drejtave legjitime në shtetin e origjinës.
Thënë edhe më qartë, përfundimisht ka ardhur koha për një iniciativë të shëndoshë të mërgatë sonë, me qëllim të ikjes nga projeketet antikombëtare , cilat do qofshin ato; “Gërminiane”, “Ahtisariane” apo “Aikinsiane” të cilat për qëllim kanë promovimin e multietnicitetit në shtetin më etnik në Evropë!
Për këtë arsye, kemi të drejtë të mos u besojmë tutje projekteve që vijnë nga jashtë.
Përvojat e deritanishme kanë treguar se projektet ndërkombëtare në Kosovë, gjithnjë kanë prodhuar heterogjenitet e ndarje të shqiptarëve në dy pjesë; të privilegjuar dhe diskriminuar!
Një situatë e tillë u shfaq edhe në konferencën e parë të projektit “Germin”, ku të privilegjuarëve të pushtetit ju dha hapësirë mediatike, pa pasur ndonjë sukses personal. Ndërsa ata që ishin më largë zemrës së pushtetarëve, mbetën largë syrit të kamerave dhe mikrofonit të mediumeve publike.

Tendenca e hapur për manipulim

Monitoruesve të vatrave të krizave në Ballkan, siq duket u ka rënë në sy situata shpërthyese në Kosovë, shkaku i pakënaqësive të mëdha sociale, andaj me çdo kusht duan ta ruajnë vazhdimësinë e ndikimit përmes krijimit të një klase të re servilësh e puthadorësh, që s’janë gjë tjetër veqse sejmen të politikanëve të korruptuar dhe shantazhuar.
Këtë që ceka më sipër e dëshmon ekzaltimi i skajshëm i disa pjesmarrësve të konferencës së sipërpermendur, duke e trajtuar “Germin” si projekt hyjnor.
Vallë, pse u dashka ne shqiptarët t’u shkojnë prapa projekteve e të tjerëve, kur kemi potencial të bollshëm njerëzorë (intelektual) për hartimin e projekteve afatgjata kombëtare, për nxjerrjen e vendit nga kthetrat e uzurpatorëve.
Përderisa vitin e kaluar “Samiti i Diasporës” i kënaqi mafio-oligarkët dhe bosët e “Kanabisit shqiptar”, kësaj radhe “Diaspora flet” i kënaqi mafio-politikanët kosovar përmes “Garministëve” të rinjë të cilët nuk e dinë nga vijnë dhe ku shkojnë!?
Sikurse “Simitët” e Diasporës, edhe “Gerministët” janë lodra në duart e pushtetarëve për realizimin e maskaradave mashtruese të pushtetarëve të korruptuar dhe tejinkriminuar, kinse po reformohen, duke shpërndarë filizat e tyre gjithandej trojeve etnike dhe Diasporë.

Shfrytëzimi i Diasporës për nevojat e politikave ditore

Në dekadën e fundit, diaspora shqiptare, nga qeveria e Tiranës dhe Prishtinës u përdor dhe u bë pjesë e agjendave politike vetëm në raste krizash politike, duke u përdorur si dekor festimesh dhe për dekorim të ndonjë sekseri të tyre në Diasporë, gjoja për punën dhe veprimtarinë atdhetare. Zyrtar të lartë shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria, ministra dhe ambasadorë gjatë vizitave mërgatës sonë, takojnë vetëm individët dhe grupacione të afërta me ta, duke asistuar në hapjen e ndonjë shkolle të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, ndonjë aktiviteti të vockël kulturor, sa për të “mbajtur” lidhjet me sekserët e tyre, të cilëve ua hedhin nga një ashtë të fëlliqur në emër të financimit të ndonjë aktiviteti,…duke injoruar dhe anashkaluar shoqata dhe organizime të mirëfillta, duke injoruar në tërësi trurin e kombit shqiptar në Diasporë.

Pasojat e politikanëve të papërgjegjshëm

Politikanët e papërgjegjshëm, Kosovën nga një vendi i shpreses dhe i ardhmërisë e kanë kthyer në një vend ku ënderrat shndrrohen në iluzione, ku shpresat vdesin akoma palindur, ku vdekja të shoqëron çdo kund dhe në çdo hap të jetës.
Shqiptarët e Kosovës në të kaluarën e afërt identifikoheshin me heroizmin, trimërinë, krenarinë, atdhedashurinë, solidaritetin, humanizmin, toleranacën,…tani janë kthyer në njerëz që urrejnë njëri-tjetrin, nga besnik në tradhëtar, nga besimtar në fanatik fetar, nga politikanë në biznesmen matrapaz, nga mbrojtës të pasurisë shoqërore në shkatrrues të ardhmërisë !
Pushtetarët aktual, përveqse janë shndrruar në thyerës të shpresave për jetë të popullatës shumicë shqiptare në Kosovë, kanë vënitur edhe ëndërrat e qindramijëra mërgimtarëve për kthim të shpejtë në vendlindjen e tyre.
Nga paslufta e këndej, të gjithë pushtetarët pa dallim, e kanë injoruar mërgatën, me të gjitha kapacitet intelektuale të saj nga frika e humbjes së pushtetit.
Në anën tjetër, edhe mërgimtarët, deri më tani i kanë provuar të gjitha mundësit për ta bindur këtë klasë të papërgjegjshme për ndrrim të kursit qeverisës në vend.
Intelektualët nga mërgata, përmes shkrimeve analitike, kërkesave për ndryshim, peticioneve dhe formave të ndryshme i bënën thirrje edhe popullatës për ndërgjegjësim dhe vetëdijësim, por të gjitha na dolë të ishin të pamjafteshme!

Multimilionerët sfidojnë popullatën e varfër e të pashpresë

Paradoksalisht përballë njëra-tjetrës ndodhen dy shtresa të skajshme të popullsisë; oligarkët e pushtetit, oligarkët ekonomik dhe politikanët multimilionerë përballë një popullate të varfër, madje skajshmërisht të varfër, të harruar dhe nëpërkëmbur nga pushteti.
Jemi i vetmi vend në Ballkan dhe Evropë, që nuk kemi sigurime shëndetësore për qytetarët, përderisa në vendet për rreth nesh edhe kafshët i kanë të siguruara.
Siguria e jetës së qytetarëve është nën pikën zero, ku jeta e njeriut në Kosovë vlenë më pak se 30 cent!
Aq e rëndë dhe e padurueshme është bërë jeta e qytetarëve në vendin për të cilin u sakrifikua gjatë, sa që secili qytetar i lutet zotit për largimin pa kthim nga vendi i bekuar, i larë me gjak ndër shekuj.
Ata që ikin nga vendi, ikin duke mallkuar tokën që i rriti, shkaku i një grushti të vogël kusarësh politik, që ua thyen të gjitha shpresat për jetë në vendin e tyre.
Andaj, zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret si kushtrim në ndërgjegjën e atdhetarëve me gjak të pastër shqiptar, për bashkim të mendjeve dhe zemrave edhe njëherë sikurse në fillimvitet e ’90-ta, për ta nxjerr Kosovën nga kthetrat e uzurpatorëve, matrapazëve dhe zhvatësve të buxhetit të shtetit, nga rrënuesit e vlerave dhe traditave tona kombëtare.
Ndryshimet substanciale në skenën politike dhe shoqërore të vendit tonë, mund të arrihen vetëm me bashkimin e kapaciteteve intelektuale të mërgatës sonë, me bashkimin e të gjitha forcave progresive, të resurseve të shëndosha dhe të padjallëzuara njerëzore të vendit tonë.

Levizja e re politike nga mërgata, shpëtim për vendin

Krijimi i një levizje të re politike nga elita intelektuale nga mërgata, konformë rrethanave kohore dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare është imperativ i ngutshëm kohor dhe i vetmi shpëtim për vendin.
Levizja e re politike nga mërgata nuk guxon të jetë vazhdimësi dhe as levë e asnjë subjekti politik ekzistues. Ngase secila nga subjektet aktuale politike, për të mirë apo për të keq e kanë kryer të vetën,…pragmatizmi dhe patrioztizmi i tyre përfundon tek “URA” mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Levizja e re politike nga mërgata duhet t’i bashkoj të gjitha forcat progresive pa dallime rajonale, partiake, ideologjike apo fetare për ta shpëtuar vendin nga katandisja në humnerë dhe për ta shpëtuar shtetin nga zhbërja fizike.
Lënja e fatit të vendit në duart e liderëve të korruptuar politik, është më tepër se heqje dorë nga shtetësia dhe sovraniteti politik.
Ardhja në pushtet e një klase të përgjegjshme politike, e aftë për ndryshime pozitive, do të krijonte kushtet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenje qytetare.
Me forcimin e sistemit të drejtësisë jo vetëm që do të luftohen dukuritë negative, do të krijohet siguri për investime dhe shpresë për ardhmëri në vendin tonë.

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë në dëm të liberalizimit të vizave

Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka miratuar një rezolutë përmes së cilës kërkohet që të hiqen kontrollet në pikat kufitare me Shqipërinë. Megjithatë, sipas njohësve të integrimeve evropiane, kjo rezolutë është në kundërshtim me rekomandimin e Komisionit Evropian për kontrolle të dyfishta kufitare të dhënë në vitin 2015 në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

Në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave në korrik të vitit 2015 Komisioni Evropian (KE) pati rekomanduar që të bëhen kontrolle në të dyja anët në pikëkalimet kufitare me Shqipërinë. Por në kohën kur Kosova po i afrohet çdo ditë e më shumë vendimit për heqjen e vizave Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila është në kundërshtim më rekomandimin e ekspertëve të Bashkimit Evropian të dhënë në vitin 2015. Në rezolutën e miratuar të mërkurën kërkohet që ta bëhet hapja e plotë, pra të hiqen kontrollet në pika kufitare në Vërmicë, Qafë-Prush dhe Qafë-Morinë.

Njohësit e integrimeve evropiane thonë për “Zërin” se kjo rezolutë është në kundërshtim me rekomandimin e vitit 2015, ndërsa thonë se BE-ja do ta kundërshtojë heqjen e kontrolleve kufitare. Megjithatë sipas tyre, kjo rezolutë e sikurse edhe ajo për heqjen e roamingut me Shqipërinë, që janë miratuar në të njëjtën ditë, do ta kenë fatin e rezolutave të mëhershme të Kuvendit, pra nuk do të zbatohen.

Njihuni me policen serbe të Kosovës që flet rrjedhshëm gjuhën shqipe: Raportet e mia me qytetarët (Video)

Në stacionin e Policisë së Kosovës në Graçanicë, janë 41 policë serbë dhe 12 shqiptarë. Svetlana Kapetanovic, është police serbe e cila ka 13 vite që punon në Policinë e Kosovës, ndërsa e veçanta e saj është se ajo flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, transmeton Telegrafi.

Ajo thotë se ka qenë një rast në fillim të punës së saj që e ka kuptuar se duhet ta mësojë gjuhën shqipe pasi me punën që bën është tejet e nevojshme. Svetlana tregon se raportet e saj me shqiptarët janë normale.

 

Reagim…! – Nga Reshat Nurboja

Sot u mbajt mbledhja e Kuvendit të Komunës së Pejës ku në mes të shumë shqetësimeve të tjera, pasqyrova, së paku nga këndveshtrimi im, papergjegjësinë e këtij pushteti ndaj parasë publike, për çfarë i dokumentova dhe argumentova me këto të dhëna…!

Pushteti i Gazmend Muhaxherit, në mandatin e tij të parë si kryetar të Komunës së Pejës gjatë viteve 2014 – 2017 rezulton se vetëm në 5 kategori të shpenzimeve siq janë:

  • Meditjet për udhëtime jashtë vendit………………….. 917 euro
  • Dreka zyrtare…………………………………………243 euro.
  • Me fol me telefon …………………………………… 160 euro
  • Mirëmbajtje dhe karburant për vetura………………. 000 euro
  • Denime nga gjykatat……………………………….620.474 euro

qytetarëve të Pejës i ka kushtuar 3.832.794 euro (tre million e tetqind e tridhjet e dy mijë e shtatqind e nëntdhjet e katër euro). Nëse këtyre shpenzimeve ia bashkangjesim edhe shpenzimet në këto kode të lartcekura pë tre muajtë e parë (janar-mars) të vitit 2018 prej 562.104 euro, dokumentojmë se kjo qeverisje “qiellore” për dreka e darka, me fol me telefon, meditje, karburant për vetura e denime nga gjykata Komunës së Pejës i kanë kushtuar: 4 milion e 394 mijë e 901 një euro (4.394.901) e nëse ketij shpenzimi ia bashkangjesim edhe mbi një million euro(1.000.000) që i kanë shpenzu për angazhimin e militantëve e tyre partiak me të ashtuaquajtura kontrata në vepër që nënkupton angazhimin e ekspertëve për sherbime të veçanta, të profilit që komuna nuk i ka në stafin e saj të rregulltë prej 2235 zyrtarëve, të cilët paguan për një vit 13 milion e dyqind e nëntmbdhjet mijë e treqind e pesdhjet e tre euro (13.219.353), konstatojmë se qeverisja e Gazmend Muhaxherit, padrejtësisht, tatim paguesëve të Kosovës, në veçanti atyre të Pejës, prap po e potencoj, për: dreka e darka, me fol me telefon, meditje, mirëmbajtje e karburant për vetura dhe për denime nga gjykatat, Pejës së varfër, ku me qindra familje nuk kanë kulm mbi kokë e ku mbi 50% të të rinjëve janë të papunë i ka kushtuar 5.394.838 euro.

Sa për ilustrim, ky pushtet vetem me fol me telefon për vitin 2017 ka shpenzuar shumen prej 71.252 euro(shtatëdhjetë e një mijë e dyqind e pesdhjet e dy euro) edhe kur e kemi parasysh faktin në në ketë kohë të teknologjisë informative, komunikimi është falas përmes: viberit, messenger, etj. etj.

 

 

Reshat Nurboja, anëtar i Kuvendit të Komunës së Pejës

                                                         nga rradhët e subjektit politik Alternativa

Kosova e njofton zyrtarisht Malin e Zi për ratifikimin e demarkacionit

Vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, fotografi nga arkivi

 

 

Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë njoftuar të enjten zyrtarisht Malin e Zi për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit.

Lajmin e ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë, kabineti i Qeverisë së Malit të Zi.

“Ne e kemi pranuar informacionin zyrtar nga Republika e Kosovës për ratifikimin e demarkacionit”, ka thënë Qeveria malazeze.

Të martën, Radio Evropa e Lirë, raportoi se si institucionet e Kosovës ende nuk e kishin njoftuar Malin e Zi për këtë çështje.

Njoftimi përmes rrugëve diplomatike parashihej përmes marrëveshjes së arritur ku qeveritë e kishin obligim që të njoftonin njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të brendshme sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit.

Sipas marrëveshjes, Komisionet për Kufirin Shtetëror midis Malit të Zi dhe Kosovës, pritet të formojnë një trup punues të përbashkët, i cili do të jetë përgjegjës për të kryer shënimin e kufirit shtetëror mes të dyja shteteve.

Kosova dhe Mali i Zi, kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015, derisa Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar të njëjtën më 21 mars të këtij viti.

EULEX mbetet në Kosovë deri në vitin 2020

EULEX-i do të jetë i pranishëm në Kosovë edhe dy vjet, të paktën pasi BE-ja tashmë e sheh si punë të kryer vazhdimin e misionit të vet për sundim të ligjit, deri më 2020.

Madje, Brukseli e mirëpret këtë zhvillim edhe në draft-dokumentin e rekomandimeve të Këshillit të BE-së për Kosovën, që pritet të publikohet muajin tjetër.

“Këshilli mirëpret marrëveshjen e arritur për vazhdimin e misionit të EULEX-it deri në qershor 2020”, thuhet në këtë draft, një kopje të të cilit e ka siguruar “Klan Kosova”.

Po ashtu, në lidhje me këtë, Këshilli i BE-së i kërkon Kosovës të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë dhe efektivisht me EULEX-in në mënyrë që ky mision ta përfundojë në mënyrë të plotë mandatin e vet.

Operacion në lokalet e natës në Kosovë, 122 femrave nga Shqipëria u konfiskohen dokumentet

Në zbatim të Planit Operativ “Maji 2018”, marrjes së masave dhe verifikimin e informatave nga terreni, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e Policisë së Kosovës në bashkëpunim dhe në mbështetje të inspektorëve komunal, zyrtarëve të ATK-së dhe njësive tjera të profilizuar në kuadër të PK-së, ka realizuar kontrolle dhe inspektime rutinë ne 28 bare dhe lokale të ndryshme. 7 nga këto lokale janë mbyllur nga inspektorë kompetentë, raporton “Zëri.info”.

Në këtë operacion policia u ka marrë dokumentet e identifikimit 183 femrave, mes të cilave 122 janë nga Shqipëria të cilat mendohen se punonin në këto lokale

“Në këto lokale policia ka hasur njëqind e tetëdhjetë e tri (183) femra (122 shtetase të Shqipërisë, 56 shtetase të Kosovës, 2 shtetase të Serbisë, dy shtetase të Maqedonisë dhe 1 shtetase Bullgare). Të gjitha shtetaseve të huaja u janë konfiskuar dokumentet (në mungese të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit) dhe u janë lëne ftesat për t’u paraqitur në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj”- thuhet në komunikatën e policisë.

Polica gjatë kontrollit në lokale ka gjetur dhe konfiskuar një revole me 8 copë fishek, një thikë, një shufër metali dhe gjësende tjera relevante.

Policia e Kosoves mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja kushtetuese e ligjore për të ofruar rend dhe siguri publike, luftuar aktivitetet kriminale, përfshirë trafikimin me qenie njerëzore.

Kosovë, nisin procedurat e azilit për Veliun

Autoritetet e Kosovës kanë nisur procedurat për azil për Albert Veliun, nga Shqipëria, i njohur ndryshe dhe si “Dëshmitari X” ”, njeriu i cili deklaroi se ka biseduar me vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për të siguruar prej tij kalimin në Itali të një sasie marijuane. Veliu së bashku më të birin u ndalua pak ditë më parë nga autoritetet policore në Kosovë, nën dyshimet se ai kishte hyrë ilegalisht në territorin e saj. Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, i thanë Zërit të Amerikës se Veliu ka kërkuar azil me motivin se në Shqipëri atij i kërcënohet jeta. Të njejtat burime shpjeguan se “do të konsultohen edhe me autoritetet e Shqipërisë” para çdo vendimi ndërsa theksuan se “do të respektohen të gjitha procedurat për azil”

Veliu, një ish i dënuar për trafik droge, pranoi publikisht se zëri në audio përgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike, ishte i tij, por deklaratat për rastin ishin kontradiktore. Ai mohoi të kishte patur dijeni se biseda po përgjohej, por më pas gazetari Jetmir Olldashi, autor i përgjimit si pjesë e një investigimi gazetaresk, bëri të ditur se kishte qenë ai vetë që i kishte vënë pajisjen e përgjimit Veliut.

Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë që të ketë zhvilluar ndonjë bisedë me Veliun. Prokuroria ka bërë ndërkaq të ditur se materiali audio është dërguar për ekspertizë në një laborator jashtë Shqipërisë.

Në fundjave, ministri Xhafaj, deklaroi se ishte i gatshëm të merrte përsipër cdo përgjegjësi ligjore, politike e morale, përfshirë dhe largimin nga posti, nëse do të vërtetohej se në materialin audio të përgjuar, do të rezultonte zëri i të vëllait. “Nëse provohet e kundërta, atëherë duhet që Lulëzim Basha të dorëhiqet dhe të përballet me ligjin. Pyeteni: A është ai i gatshëm për këtë sfidë?”, u shpreh zoti Xhafaj përmes një postimi në Twitter.

Opozita po kërkon prej shumë ditësh largimin e ministrit të Brendshëm, të cilin e akuzon se i ka dhënë mbrojtje të vëllait. Kjo çështje u bë shkak dhe i protestës që ajo zhvilloi të shtunën në Tiranë, ku u rregjistruan momente të forta tensioni mes manifestuesve dhe policisë pranë ministrisë së Brendshme. Opozita ka deklaruar se për të “dorëheqja e ministrit të Brendshëm, është një çështje e panegociueshme”.

Kohë e hipokritëve dhe maskarejve! – Nga Florim Zeqa

Nëse deri dje morali njerëzor ishte vlera absolute e shoqërisë sonë, sot maskarallëku dhe poshtërimi njerëzor kanë njollosur imazhin dhe mjegulluar të ardhmën e saj.

“Dita e Presidentit” ishte një mundësi e mirë për oponentët politikë të presidentit historik Ibrahim Rugova që të manipulojnë edhe një herë (sikurse herave tjera) me emrin dhe vepren madhore të njeriut që bëri historinë.
Pas shkuarjes në amshim, është bërë retorikë e oponentëve të dikurshëm politikë të “vizitojnë” në çdo përvjetor varrin e tij,…të cilët me përulje të pasinqertë janë shndërruar në lëpirësit më të mëdhenj të mermerit mbi trupin e presidentit!
Mirëpo kësaj radhe në ditën e presidentit, cak nuk ishte varri i tij, por të gjallët e vdekur për t’i manipuluar me plot hipokrizi me rastin e hapjes së ekspozitës nga Muzeu i Kosovës me titull; “ Kontributi i Presidentit Historik Dr.ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”.
Eksozita shpërfaqi edhe një herë degradimin e skajshëm të familjes Rugova, ku pjestarët e saj i janë bashkangjitur të keqës në pushtet, duke u larguar nga rruga dhe vizioni i zotit të shtëpisë.
Sikur familja Rugova ta ndiqte shembullin e familjes Jashari për mbylljen e derës për politikanët e inkriminuar, jo vetëm se do të ruante imazhin e saj si familje emblematike e presidentit historik,…dhe LDK-ja nuk do të ishte katandis keq, por kishte për të mbetur zonjë e politikës kosovare dhe shpresdhënëse e qytetarëve të Kosovës.
Emërtimi i kësaj ekspozite paraqet tendencën për minimizim të veprës madhore të presidentit, me tërheqjen e një paralelje mes Ibrahim Rugovës dhe disa figurave të vogla dhe të papërfillshme kombëtare.
Ekspozita do duhej emërtuar kësisoji; Ibrahim Rugova Arkitetkt i Pavarësisë dhe Themelues i Shtetit të Kosovës”.

Dallimi me vlerave dhe antivlerave

Sot ka plot të atillë që thirren në emrin e presidentit. Ata që thirren në emrin e tij, do ti veqoja në tri kategori:
1). Në kategorinë e parë hyjnë adhuruesit e vërtetë të tij, të cilët për asnjë çast nuk e harrojnë idolin e tyre shpirtëror, andaj me gjithë shpirtë mundohen të ruajnë vazhdimësinë dhe konceptin politik të Ibrahim Rugovës.
2). Kategoria e dytë, janë gjithë ata që për të gjallë të Rugovës nuk arriten në asnjë rrethanë të pershtatën me lidershipin e tij, dhe tani pas vdekjes është një mundësi e mirë perfitimi nga emri, nga vepra e të bëmat e tij, për realizimin e ambicieve të vjetra karrieriste për interesa personale apo grupore.
3.Ndërsa kategoria e tretë, janë kategoria e atyre njerëzve që për së gjalli jo vetëm që nuk e kanë dashur e respektuar, e kan mbajtur në shënjestër të likuidimit moral e fizik.
Pas vdekjes së rivalit të tyre, sa herë që e ndjejnë vetën ngushtë apo të rrezikuar nga ndonjë “furtunë”, si shpëtim e gjejnë po atë emër ( Ibrahim Rugova ), si mburojë, si forcë mbrojtëse.
Pas shkuarjes në amshim të Presidentit Historik Ibrahim Rugova, na ka rënë shpesh t’i shohim oponentët e dikurshëm politikë, të shkojnë të varri i tij me përulje duke u shndërruar në lepirësit më të mëdhenjë të mermerit mbi varrin e tij.
Më i dhimbshëm se abuzimi me figurën madhore të presidentit, është manipulimi me familjen e Rugovës nga ana e oponentëve të tij politikë. Janë pikërisht ata që për së gjalli e luftuan me të gjitha mjetët, duke filluar nga shpifjet dhe akuzat për tradhëti kombëtare e deri të atentatet për likuidimin e tij fizik.
Shënjtërimin e Ibrahim Rugovës nuk e bënë kisha e as xhamia, por të shenjtë e bëri vepra e tij madhore. Ai më urtësinë e tij, paqësisht e më plot dashuri, hyri në zemrat e gjithë shqiptarëve të Kosovës, për të mbetur përjetësisht në kujtesën e popullit si shënjtor i historisë më të re, simbol i demokracisë, lirisë, pavarësisë dhe arkitekt i shtetit të Kosovës.
Po ashtu edhe profetizimin e tij nuk e bënë kisha as xhamia, por e bënë largpamësia, pragmatizmi, vizioni dhe atdhedashuria, urtësia dhe sinqeriteti, karakteri i fortë, vendosmëria dhe përcaktimi i tij në arritjen e cakut final, që ishte liria e vendit dhe pavarësia e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Në njërën i thurin lavdata, në tjetrën e përçmojnë

Njëri nga oratorët kryesorë në ekspozitën “ Kontributi i Presidentit Historik Dr.ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, në librin e tij autobiografik (super të kushtueshëm, të botuar me paratë e buxhetit të shtetit), presidentin historik Ibrahim Rugova e paraqet si; “pijanec, i nënshtruar, defetist, frikacak, njeri që pinte vazhimisht konjak, politikan pasiv, i lodhur, si kritik letrar që merrej me letersinë e shekullit 16 dhe i papërshtatshëm për udhëheqjen e negociatave në Rambuje,…etj!
Pas këtyre fjalëve poshtëruse, vetëm një njeri hipokrit dhe pa dinjitet njerëzorë mund të kalojë në anën tjetër të medaljes, nga përçmues në adhurues në mbështetës të filozofisë politike të Ibarhim Rugovës!

Hipokrizia nuk përfundon me kaq

Pafytyrësi dhe hipokrizi akoma më e madhe se kjo, është ta mbash një njeri për vite të tëra në pushtet dhe ta ngritesh atë në majat e pushtetit (president), kurse më pastaj në vend të pendimit, t’i vërsulesh me sharje e fyerje…
Më tepër se hipokrizi është të akuzosh subjekte të caktuara për rrënim të rendit kushtetues, korrupsion e krim të organizuar dhe më pas të bëhesh pjesë e tyre.
Këta janë lakmitarët e pushtetit, të cilët derisa janë së bashku i thurin lavde njëri-tjetrit, ndërsa kur ndahen shahen e kungjohen pa fije turpi.
Vërtetë nuk ka ku shkon më keq, kur bëren bashk e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, besa dhe tradhëtia!
Kur bëhen bashk maskarenjët dhe hipokritët, njerëzit më shumë gjasojnë në njëri-tjetrin për të përvetësuar çdo gjë të gjallë dhe të vdekur!
Maskarenjë janë ata që pështyjnë e lëpijnë, hipokrit janë ata që pohojnë e mohojnë dhe anasjelltas.
Është e kuptueshme dëshira e disave për t’u pajisur me vlera që ju mungojnë, por fillimisht duhet t’i kerkojnë falje publike popullit të Kosovës për të gjitha të bëmat gjatë dhe pas luftës, për përçarjet e popullatës shqiptare, për obstruksionet që i bënë në vazhdimësi vizionit rugovian për shtetin e Kosovës deri në djegëien dhe përdhosjen e simboleve rugoviane të shtetit të Kosovës.
Është i kuptueshem qëllimi i disa maskarenjëve, por një gjë e kanë të pa mundur ta bëjnë, ta ndryshojnë-historinë, e cila një ditë do të jetë e pamëshirshme për ta!
Ngjarjet e idhëta të ndodhura në këtë vend nuk kanë qënë të shkruara në akull, por janë të shkruara mirë në kujtesën e popullit përmes vuajtjeve e sakrificave të panumërta, përmes mundit e djersës, flijimit e gjakut të derdhur ndër vite e dekada për këtë LIRI që e gëzojmë sot.
Zoti i mallkoftë maskarenjët dhe hipokritët!
Zoti i bekoftë njerëzit e mirë e të dëlirë!

Kosovë: Diplomatët amerikanë reagojnë ndaj incidentit të së hënës në Klinë

Ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott dhe ai në Prishtinë, Greg Delawie, thanë të martën se ripajtimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm.

Komentet e tyre pasuan zhvillimet e një dite më parë në fshatin Poterq të komunës së Klinës, rreth 50 kilometra në perëndim të Prishtinës, gjatë një proteste të banorëve shqiptarë kundër vizitës së një grupi qytetarësh serbë në këtë fshat.

Policia e Kosovës ndërhyri për të shpërndarë një grup prej rreth 50 protestuesish që kishin bllokuar hyrjen në fshatin ku një grup prej 50 qytetarësh serbë qëndroi për të shënuar një kremte fetare. Driton Rugova, nga policia rajonale e Pejës, i tha Zërit të Amerikës se tubimi i serbëve kishte qenë i paralajmëruar më herët, prandaj policia ndërhyri për ta mundësuar mbarëvajtjen e tij.

Banorët shqiptarë thonë se në atë fshat në luftën e vitit 1999 janë vrarë 15 shqiptarë, prandaj vizitën e cilësuan si një provokim që përsëritet nga viti në vit.

Policia tha se një pjesëtar i grupit serb është goditur më një mjet të fortë gjatë protestës dhe “është dërguar me autoambulancë në spitalin rajonal në Pejë për trajtim mjekësor”. Gjendja e tij është e qëndrueshme, sipas policisë.

Banorët shqiptarë, sipas policisë, kanë identifikuar një pjesëtar të komunitetit serb “si të dyshuar për masakrën e 29 marsit të vitit 1999”. Ai është shoqëruar në polici për “verifikim të mëtutjeshëm” dhe më pas është liruar.

Zyrtarë të Beogradit por edhe të Listës serbe, që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, e dënuan incidentin në fshatin Poterq, duke kërkuar nga autoritetet e Prishtinës që të mos lejojnë raste të tilla në të ardhmen.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie shkroi në rrjetin social twitter se “qytetarët e Kosovës duhet t’i përkushtohen të ardhmes. Të kthyerit duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë të sigurt. I kënaqur që policia e Kosovës e menaxhoi incidentin, por ai nuk ishte i nevojshëm. Dhuna nuk është përgjigje. Përpjekjet serioze për ripajtim janë të nevojshme për të përmbushur synimet e Kosovës”, thuhet në postim.

Ndërsa ambasadori Scott shkroi se “incidenti i djeshëm në Poterq vë në pah nevojën për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do t’u siguronte banorëve serbë lirinë e pjesëmarrjes në jetën politike, shoqërore e fetare në Kosovë pa frikë për sigurinë”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur dhjetë vjet ë parë, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane.

Kriza financiare në Telekom shtyn zbatimin e kodit telefonik +383

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka marrë vendim që zbatimi i kodit telefonik +383 të shtyhet deri më 31 tetor të këtij viti.
Zbatimi i plotë i këtij kodi ka qenë e paraparë të nisë më 30 qershor.
Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEP-it, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për shtyrje është marrë pas kërkesave të operatorëve të telefonisë mobile dhe fikse që veprojnë në tregun e Kosovës: Vala dhe Ipko.
“Telekomi i Kosovës nuk ka pasur mundësi, sipas tyre, të realizojë zbatimin, për shkak të mungesës financiare që ka. Operatori Ipko e ka përfunduar një pjesë të madhe të zbatimit, por ka kërkuar më tepër kohë për heqje të plotë të kodit +386 nga funksioni”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, operatorët që nuk e kanë përfunduar zbatimin e kodit +383 në rrjetet e telefonisë fikse, obligohen që brenda afatit kohor prej 30 ditësh të përfundojnë këtë proces.
Kodi shtetëror telefonik i Kosovës është ndarë në dhjetor të vitit të 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU).
Ky kod ishte rezultat i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ndryshe, kodi shtetëror i Kosovës +383 ka filluar të zbatohet nga aplikacione të ndryshme.
Aktualisht në Kosovë operojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.
Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381).

Haradinaj: Rruga Deçan – Plavë nuk është brenda zonës së mbrojtur

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me punimet që po zhvillohen në rrugën Deçan – Plavë, e cila lidh Kosovën me Malin e Zi.

Reagimi i tij pasoi “denoncimin” e Kishës Ortodokse e cila pretendonte se punimet po zhvillohen në zonën e mbrojtur që i takon Manasitirit të Deçanit dhe solidarizimeve që kishin shprehur OSBE dhe disa diplomatë ndërkombëtar, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve.

Haradinaj ka thënë se ekziston një keqinformim lidhur me këto punime.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka ftuar diplomatët që të shkojnë në vend të ngjarjes, të shohin situatën, dhe të binden se rruga që po renovohet ka ekzistuar edhe më parë, për t’iu shmangur kështu deklarimeve të ngutshme.

“Populli i Kosovës gjithmonë ka jetuar në harmoni me komunitetet pakicë, duke respektuar trashëgiminë religjioze dhe kulturore të të gjithëve pa dallim”, ka shkruar Haradinaj.

“Qeveria e Kosovës e ka për obligim riparimin dhe menaxhimin e rrugëve në tërë territorin e Kosovës”, ka vijuar ai.

Gjatë vikendit Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, ka deklaruar se ka ndjekur me shqetësim, siç ëshët thënë, “atë që duket të jetë ndërtim i paligjshëm i rrugëve, që po vazhdon brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtjes të Manastirit të Deçanit”

Deklaratën e OSBE-së e ka mbështetur edhe ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie dhe shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova.

Ndërprerjen e punimeve fillimisht e ka kërkuar përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq. Sipas tij, ndërtimi i kësaj rruge është i pa ligjshëm.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, kanë thënë se punimet në këtë rrugë janë duke vazhduar.

Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kjo rrugë ka ekzistuar me shekuj dhe si e tillë është duke u renovuar.

Kadriu, ka thënë se punimet në këtë rrugë janë krejtësisht ligjore.

Edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar duke mohuar se punimet po zhvillohen brenda “zonës së mbrojtur” të Manastirit të Deçanit. Ai ka siguruar qytetarët e të gjitha komuniteteve se punimet do të kryhen pa e cenuar atë zone.

Ministri Lekaj, po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve vendor e ndërkombëtar, që të kontribuojnë që kjo temë humane të mos përkthehet në diçka tjetër, sepse krejt kjo po bëhet në shërbim të zhvillimit të komunitetit të atjeshëm dhe mundësisë së lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe bashkimit e jo ndarjes së tyre.

Fillimi punimeve të rrugës Deçan-Plavë, rrugë kjo që e lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë, ka filluar në fund të muajit të kaluar. Ndërtimi i kësaj rruge pritet të përfundojë në vitin 2020. Shuma për këto punime kap një vlerë prej 12 milionë eurosh.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Albert Veliu arrestohet në Kosovë bashkë me djalin

Policia e Kosovës e ka vënë nën pranga Albert Veliu, të njohur ndryshe si “dëshmitari X” në rastin e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj.

Pas publikimit të videos Veliu është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa më pasi ai ëhstë larguar drejt Kosovës.

Sipas mediave në Prishtinë, Veliu ka qenë duke qëndruar në Shtime, së bashku me djalin e tij. Pas arrestimit janë njoftuar autoritetet shqiptare.

Javën e kaluar Prokuroria për Krimet e Rënda njoftoi se ka dërguar për ekspertim në laboratorë të huaj materialin e përgjuar të bisedës që Albert Veliu ka deklaruar se ka kryer me vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndaj të cilit ka nisur gjithashtu verifikimi i pasurisë.

Digjet makina e pjesëtarit serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Pjesëtarë e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një parakalimi

Një makinë, pronë e një pjesëtari serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është djegur në rrethana të pasqaruara në veriun e banuar me shumicë serbe.

Policia e Kosovës tha se incidenti ka ndodhur në Zupç të komunës se Zubin Potokut, një nga katër komunat me shumicë serbë ne veriun e vendit.

Policia tha se është duke hetuar rastin, që ka kaluar pa dëme në njerëz por nuk ka dhënë hollësi të tjera.

Gjatë këtij viti janë shënuar disa raste të kërcënimeve ndaj pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë nga radhët e komunitetit serb.

Në muajin shkurt në komunën e Zubin Potokut, qenë shpërndarë trakte nëpërmjet të cilave qenë kërcënuar pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë, pak ditë pas parakalimit të kësaj force në Prishtinë me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në traktet që mbanin emrin “Armata e Veriut”, një grup për të cilin autoritetet thonë se nuk kanë njohuri, por kanë filluar hetimet, thuhet se pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë “do t’ua thyejmë eshtrat”.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Forca e Sigurisë është forcë shumë-etnike me mbi 10 për qind të përbërjes së saj nga komunitetet jo shumicë.

Në pranverën e vitit të kaluar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi nismën për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë nëpërmjet një ligji duke nxitur reagimin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që kërkojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Por këto ndryshime varen nga vota e deputetëve të pakicave kombëtare dhe tash për tash duken të pamundura për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës ndaj themelimit të ushtrisë së saj.

Intervista – Selmani: Kemi mungesë të mjekëve, ata po ikin nga Kosova

Xhemajl Selmani kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se mosha mesatare e mjekëve në Kosovë është mbi 50 vjeç, e që sipas profesionistëve shëndetësorë është mjaft shqetësuese për faktin se shumë mjekë të rinj janë duke ikur nga Kosova.

Janë mbi 400 mjekë specialistë të lëmive të ndryshme, prej kur është bërë studimi i fundit në Kosovë, që tashmë e kanë lëshuar vendin për kushte dhe punë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Selmani, cila është gjendja aktuale e punëtorëve brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovë. Cilat janë kërkesat e tyre që ua adresojnë juve?

Xhemajl Selmani: Gjendja e punëtorëve shëndetësorë në përgjithësi në Republikën tonë nuk është e mirë, e sidomos në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e cila nuk dallon as për nga paga, por vetëm nga vëllimi i punës pasi është shumë i madh në QKUK.

Kërkesat tona në vazhdimësi janë rritja e mirëqenies sociale për punëtorët shëndetësorë dhe furnizimi më i mirë i spitaleve me material hargjues dhe pajisje mjekësore. Ky është qëllimi dhe synimi ynë.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni pasur premtim nga Qeveria e Kosovës për rritje pagash. Deri ku kanë arritur punët në këtë drejtim, keni ndonjë informacion?

Xhemajl Selmani: Realisht rritjen e pagave e kemi pasur nga marrëveshja parazgjedhore me koalicionin që tashmë ka fituar për rritje pagash prej 30 për qind. Por në fillim vit, e kemi kuptuar gjegjësisht na është thënë që Qeveria e kaluar ka miratuar një ligj me të cilin nuk mund të rriten pagat mbi rritjen mesatare ekonomike.

Ne edhe ashtu kemi pasur marrëveshje shtyrjen para të ligjit për pagat, i cili është kusht edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit nga viti 2010. E kemi shty para në bisedime me kryeministrin aktual dhe na është premtuar që do të miratohet ligji për pagat. Premtimet i kemi që në fillim të qershorit të përfundoj kjo punë, dhe me rishikim të buxhetit të kemi edhe paga dinjitoze sipas përgatitjes shkollore dhe gradave.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka deficit të kuadrit mjekësor, dhe cilat janë fushat që më së shumti lëngojnë nga ky fenomen?

Xhemajl Selmani: Në Republikën tonë ka shumë deficite sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në asnjë njësi funksionale që është brenda shërbimit shëndetësorë, nuk ka as mjekë as infermier sa duhet për kokë banori sipas numrit të popullatës. Në të gjitha njësitë që shërbejnë në shëndetësi ka deficite, jashtë QKUK së dhe ka aso pozita që të mbylen klinika të caktuara për shkak se kolegët kanë shkuar në pension, dhe nuk ka staf të ri.

Në Qendrën Klinike situata është pak më ndryshe për shkak se janë koncentruar një pjesë më e madhe e specialistëve këtu.

Radio Evropa e Lirë: Sa mbetet shqetësues fakti që një numër i konsiderueshëm i mjekëve vazhdon të largohet nga Kosova?

Xhemajl Selmani:Ky fakt na ka shqetësuar në vazhdimësi, dhe në vitin 2014 kemi bërë studim me një organizatë nga Zvicra dhe rezultatet kanë dalë se rreth 400 mjekë kanë ikur nga Kosova.

Për katër vite të tjera ky numër është shumë i madh. Mos të flas për infermier që numri i tyre që ikin është shumë më i madh derisa nevojat brenda sistemit janë shumë të mëdha. Ata po i ndjekin kurset e gjuhëve të huaja dhe përgatiten për tregun evropian.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës për të parandaluar ikjen e mjekëve?

Xhemajl Selmani: Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë shumë shpejtë për ta ndaluar këtë fenomen, të investohet në shëndetësinë publike sepse kjo është në të mirë të popullatës.

Në qoftë se nuk ndërrmeren hapa të shpejtë por e shohin sistemin e shëndetësisë për të përfituar nga ai ashtu siç është bërë qe 20 vjet, realisht shëndetësia mund të mbetet keq.

Radio Evropa e Lirë: Nëse iu referohemi disa statistikave, edhe mosha e mjekëve në QKUK po paraqitet si një fenomen shqetësues. Cila është mesatarja e moshës së mjekëve, nëse keni ju të dhëna?

Xhemajl Selmani: Mosha mesatare është mbi 50 vjeç, e që është dëm i madh. Menjëherë pas luftës mosha mesatare e mjekëve specialist ka qenë 35 vjet. Gjatë politikave menaxheriale nuk është bërë planifikimi si duhet, as të specializimeve si dhe ka ikur truri nga Kosova. Kem kushte të vështira për punë dhe paga jo dinjitoze.

Është e vështirë të mbajmë familje me këto paga. Nëse nuk punojnë dy anëtarë të familjes me një pagë nga shëndetësia nuk mund të kujdesesh për familjen tënde. Po besoj që Qeveria e Kosovës do të reflektojë dhe ashtu siç i kemi premtimet, dhe kjo besoj do ta ndal ikjen e mjekëve nga Kosova.

Radio Evropa e Lirë: Pas miratimit të Ligjit për Prishtinën, është hapur edhe njëherë debati rreth mundësisë që Prishtina të ketë spitalin e vet. Sa do ta lehtësonte një spital i tillë punën e stërngarkuar në QKUK?

Xhemajl Selmani: Me këtë numër të popullatës që e ka Prishtina, lind nevoja ta ketë Prishtina një spital, aty ku do të merreshin shërbime edhe specialistike. QKU- ja është aq e ngarkuar sa shpesh na ndodhë të merremi me probleme të nivelit primar, e jo terciar për çka është i dedikuar institucioni i QKUK-së.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli – Selani

    Ariana Kasapolli – Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Humb jetën një ushtar amerikan në Kosovë

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se një ushtar amerikan ka humbur jetën derisa po shërbente në kuadër të forcave paqeruajtëse në Kosovë.

Rreshteri Conrad Robinson, 36 vjeçar, ka humbur jetën në një incident jo ushtarak në kampin Bondsteel në Kosovë, thuhet në një njoftim. Incidenti është duke u hetuar, thuhet në njoftim, por pa u dhënë hollësi të tjera rreth tij.

Komandanti i batalionit në të cilin shërbente ushtari Robinson, koloneli Kevin Kelly, shprehu ngushëllimet e tij. “Jemi jashtëzakonisht shumë të mërzitur me vdekjen e rreshterit Conrad Robinson. Ai ishte i njohur për buzëqeshjen e tij ngjitëse, për humorin dhe zemrën e tij të butë. Ishte përkufizimi i shërbimit të pashoq dhe çdo ditë u kushtonte kohë ushtarëve t’i dëgjojë e t’i udhëzojë. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjen dhe miqtë gjatë kësaj periudhe të vështirë”, citohet të ketë thënë koloneli Kelly.

Ai la prapa gruan dhe dy vajzat e tij, të moshave 5 dhe 10 vjeçe. E ëma e tij Synthia Robinson u ka thënë mediave amerikane se ai u gjet në një karrige pa shenja jete të enjten në mëngjes para ushtrimeve të rregullta.

“Ende s’po mund të besoj”, tha ajo për NBC 7. “Nuk po mund të besoj se ai ka shkuar”.

Ky është rasti i dytë brenda këtij viti që një ushtar amerikan humb jetën në Kosovë.

Në janar ushtria amerikane tha se Robert W. Jones nga Arizona, 21 vjeçar, që ishte pjesë e policisë ushtarake amerikane, humbi jetën në kampin Bondsteel.

Disa qindra trupa amerikane shërbejnë në kuadër të forcave të KFOR-it në Kosovë. Aktualisht rreth 4 mijë e 400 trupa të NATO-s shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës.

Rreth 50 mijë trupa të NATO-s qenë në vendosur në Kosovë në qershor të vitit 1999 duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare që çoi në çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Nëntë vjet pas asaj lufte që la prapa mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur, Kosova shpalli pavarësinë e sak që ka mbushur dhjetë vjet dhe është njohur nga mbi 110 vende të botës, ndërsa kundërshtohet nga Serbia.

Rreth 160 ushtarë të KFOR-it kanë humbur jetën në incidente e aksidente të ndryshme gjatë shërbimit në Kosovë që nga qershori i vitit 1999. /VOA/

Gazeta ruse “Sputnik”: Favori që dëshiron Kosova në këmbim të Asociacionit

Kosova është duke përgatitur një provokim të radhës duke kërkuar favore në këmbim të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kështu shkruan gazeta ruse, “Sputnik”.

 

Duke u thirrur në burime të saja, ky medium raporton se shqiptarët janë duke kërkuar që Gazivoda dhe Trepça të kthehen tërësisht në pronësi të Kosovës dhe më pastaj të themelohet Asociacioni.

 

“Vetëm dy ditë pasi Hashim Thaçi njoftoi vazhdimin e dialogut me Beogradin në Bruksel, shefi i ekipit negociator nga Prishtina, Avni Arifi, deklaroi se diskutimi i mëtejshëm për Asociacionin është humbje kohe”, shkruan Sputnik, transmeton Indeksonline

Poashtu, mediumi rus ka cituar edhe ish-shefen e ekipit negociues të Kosovës, Edita Tahiri, e cila deklaroi se krijimi i  Asociacionit do të ishte hap i rrezikshme.

“Nëse ka një humbje kohe të Prishtinës, pse atëherë Serbia të vazhdojë negociatat në Bruksel? A humbet vërtet çdo gjë kuptim?”, citohet të ketë shkruar kjo gazetë.

Politika në Kosovë po vdes? – Nga Skënder MULLIQI

Nuk ka mundësi qe secili njeri ta ketë të njejtin profesion. Sigurisht së për profesionin e zgjedhur jetësor duhet menduar mirë .Të gjithë nuk i kan mundësitë të jenë qoban dhe as politikan.Jo, nuk është lehtë të jesh sidomos në kohën e kompjuterizmit njeri i politikës., Sikur të ishte ashtu secila gjyshe e jona do të ishte politikane, edhe pse dorën në zemer disa nga to më shumë marrin vesh nga politika së sa këta politikan që I kemi.Paramendoni ndonjë amvise të mirë e cila më njërin sy merret me punët shtepiake dhe më tjetrin sy , në një farë mënyre e shikon televizionin dhe sigurisht së qeshet më këtë klasë politike amatore , gjysem analfabete, të cilët e kan pru gjendjën politike dhe gjendjen ekonomike në pikën zero.Politika në Kosovë po vdes , se ata që do të duhej të merren më këtë profesion fisnik dhe shumë të rendësishem për një shtet, po qendrojnë largë politikës. Duke I shikuar skenat e qdo ditshme në kuvendin e cirkusit , po bindemi secilen ditë e më shumë , së kuvendi është shëndrruar arenë maskaradash dhe zënkash politike nga ata që nuk e kan vendin në ulësen e kuvendarit, dhe as qe I përfaqësojnë interesat e popullit.

Kuvendi dhe qeveritë tona janë bërë turpi ynë që vështirë lahet. Rrugaqeritë politike moti kan zënë vënd në parlament dhe në mbarë sistemet . Nuk jemi ka dimë dhe nuk jemi ka deshirojmë të bëjmë shtet, edhe pse e kemi rastin historic .Na ndihmuan mbarë bota demokratike që ta kemi shtetin e dytë në Ballkan, e po ja falim dreqit në të kater anët, më këtë garniturë të njerëzve të paditur , të njerëzve lakmitarë për pushtet apsolut, lakmitarë të pasurimit në mënyrë jo ligjore …Mashtrohen të gjthë nese mendojnë së kjo klasë politike do të bënë diqka të mirë , kur për gjithë këto vite ka punuar mbrapsht më të gjitha forcat.Në Kosovë është bërë shumë vështirë të jesh politikan më qendrime parimore dhe më intigritet. Vetëveten e kemi pru në një pozitë të tillë shumë të vështirë.Është vështirë sot të jesh politikan I formatit të lartë qfarë I kemi sot në botën demokratike.Gjerat kan shkuar aq largë për të keq në Kosovë , sa do të jetë shumë vështirë të riparohen dhe kristalizohen edhe për shumë vite.Secili njeri është I rëndësishem për Kosovën .Kjo elitë këtë nuk po e merre në considerate ketë.

Ky popull nuk e ka merituar gjithë këtë përqmim , nuk e ka merituar ta bëjnë këtë jetë kaq të keqe. Lufta për mbijetesë është bërë e tmerrshme.Ata që janë katapultuar në krye të shtetit janë duke grabitur qdo të mirë materjale. Janë duke I varfëruar secilën ditë e më shumë ata të cilët moti janë bërë të uritur…Është shumë vështirë të durohet kjo gjendje e rëndë sociale –ekonomike .Është shumë vështirë të vuash për një kore bukë , ose qdo ditë ti vizitosh kontenjerët. Raportet shoqërore gjithnjë e më shumë po bëhën të zorshme , askush nuk po merre përgjegjësi në këtë vend për dështimet e shumta. Mos të flasim për moral njerëzor dhe moral politikë së moti nuk ka mbetur asgjë nga kjo punë .Kur bëhët fjalë për raportet e kësaj klase politike , nuk ka më të mbrapshta. Vlerat shoqërore në Kosovën e sotme kanë rënë në shkallën më të ulët.A është kështu apo jo lexues të nderuar? Ka në këtë vend njerëz më moral , më principe parimore , ka njerëz të cilët duan dhe dinë të punojnë për shtet dhe komb. Po, ia që nuk e kan rastin deri diku edhe për fajin e vet të mos inkuadrimit në rrjedhat shoqërore politike të vendit.Kur flasim për sindikatat , më mirë të mos ekzistonin fare. Asgjë të hajrit nuk kemi parë nga sindikatat tona gjatë këtyre viteve, kur dihet së roli I tyre nuk është I vogel për secilin shtet demokratik. Jo, nuk është lehtë siq po mendojnë disa që pa meritë janë inkuadruar në politike të jesh politikanë e as pushtetarë, në kuptimin e plotë të fjalës…

Haradinaj: Vatikani do ta njohë Kosovën

Takimi i kryeminsitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, me Papa Françeskun në Vatikan.

Pas kthimit nga Vatikani, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka kërkuar njohjen nga Papa Françesku.

Kryeministri Haradinaj ka treguar se njohja i është kërkuar nëpërmjet një letre, e cila kishte një mbulesë të dhjetëvjetorit të pavarësisë së vendit.

“Për kohë nuk mund të flas se kur mund të ndodhë, edhe përgjigja pra e Papës, Atit të Shenjtë, se e kam në zemër popullin e Kosovës, e ndiej që do të jeni bashkë me popujt e tjerë, mendoj se është një pozicion shumë i qëndrueshëm dhe domethënës, por të mos e teprojmë me paralajmërime nga ana jonë”, është shprehur kryeministri.

Haradinaj ka thënë se i ka shpjeguar Atit të Shenjtë rëndësinë që ka njohja e Kosovës nga Vatikani. Sipas kryeministrit, Kosova po shkon drejt njohjes nga Vatikani, pasi, siç është shprehur ai, kjo vizitë ka ndikuar në realizimin e këtij synimi.

Kosovë, shënohet Dita Olimpike 2018, vrapojnë Fëmijët e Pavarësisë

“Besoj se sot janë 5-6 mijë fëmijë që vrapojnë. Një ditë do t’i kemi 20 mijë sepse sipas informatave që i kam supozohet se rreth 30 mijë fëmijë kanë lindur në vitin 2008 kur është shpallur pavarësia e Kosovës”, tha Hasani

PRISHTINË – Me rastin e Ditës Olimpike 2018 e cila shënohet çdo vit në Kosovë, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) organizoi një aktivitet në qendër të Prishtinës ku vrapuan rreth 2.400 fëmijë të lindur në vitin e 2008 që është edhe viti kur është shpallur pavarësia e Kosovës.

Gara e vrapimit për Ditën Olimpike në Kosovës këtë vit shënohet për të shtatën herë me radhë. Në Prishtinë kjo garë filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek Teatri Kombëtar i Kosovës. Ndërsa aktiviteti i njëjtë, gara e vrapimit të fëmijëve u mbajt edhe në sheshet e qyteteve të tjera të Kosovës, si në Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj.

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani në një prononcim për AA tha se Komiteti Ndërkombëtar Olimpik i themeluar më 23 qershor 1894, që nga viti 1948 i ka autorizuar komitetet olimpike ndërkombëtare të organizojnë aktivitete për promovimin e sportit nëpër gjenerata të ndryshme.

Hasani tha se e veçanta e fëmijëve të cilët kanë marrë pjesë në garën e vrapimit është se këta fëmijë kanë të lindur në vitin 2008 kur është shpallur pavarësia e Kosovës. Ai tha se këta fëmijë kanë vrapuar nga viti 2012 që nga fillimi i organizimit të garave të vrapimit nga KOK-u për Ditën Olimpike të Kosovës. Duke bërë të ditur se këta fëmijë në atë kohë kanë qenë 4 vjeç Hasani tha se ata sot janë 10 vjeç dhe vrapojnë si më të rritur.

“Besoj se sot janë 5-6 mijë fëmijë që vrapojnë. Një ditë do t’i kemi 20 mijë sepse sipas informatave që i kam supozohet se rreth 30 mijë fëmijë kanë lindur në vitin 2008 kur është shpallur pavarësia e Republikës së Kosovës”, u shpreh Hasani.

Ndërsa, fituesi i garës, Engjëll Shehu, i lindur në vitin 2008 për Ditën e Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) tha se është një ditë e veçantë për gjithë popullin.

“Në këtë olimpiadë nuk kam menduar që do të fitoj vendin e parë por sipas të tjerëve kam fituar dhe nuk jam shumë i gëzuar sepse kjo nuk do të thotë që jam më i miri”, tha ai.

Kujtojmë se Komiteti Olimpik i Kosovës është themeluar më 27 maj 1992 ndërsa nga dhjetori i vitit 2014 është anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Serbia i ka kërkuar EULEX-it arrestimin e Radomir Labanit vitin e kaluar

Misioni i EULEX-it ka thënë se kishte pranuar një kërkesë nga autoritetet serbe në nëntor të vitit të kaluar për arrestimin e Radomir Laban, të cilin Parlamenti i Kosovës e ka emëruar në pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kërkesa në EULEX për arrestimin e tij ishte bërë nga Gjykata Themelore e Kralevës në Serbi. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, misioni i EULEX-it ka thënë se e kishte të pamundur që të ndërmerrte një veprim të tillë për shkak të mandatit që ka.

“Misioni EULEX-it ka pranuar një letër nga kryetari i Gjykatës Themelore në Kralevë duke kërkuar asistencë për të ekzekutuar vendimin final. Misioni nuk ka kompetenca që të procedojë kërkesën nën mandatin aktual. Ky fakt tashmë i është komunikuar përmes një letre Gjykatës Themelore (Kralevë)’’, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Radomir Laban u propozua nga subjekti politik, Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Presidenti i Kosovës ka dy javë kohë për të miratuar një vendim të tillë.

Laban është dënuar nga autoritetet serbe me gjashtë vjet burgim nën akuzën për marrje ryshfeti.

Besohet se në vitet e fundit ai ka qëndruar në Kosovë duke iu ikur autoriteteve të Serbisë.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga presidenti, Hashim Thaçi që të mos dekretojë Radomir Laban në pozitën e gjyqtarit.

Kërkesë të tillë ka bërë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut duke kërkuar një verifikim të së kaluarës së tij.

Lista Serbe insiston në ndryshime kushtetuese për Asociacionin

Për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, kërkohen ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës dhe të akteve ligjore, thonë përfaqësuesit e Listës Serbe.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja e Brukselit për formimin e Asociacionit nuk mund të realizohet pa këto ndryshime dhe kjo sipas tij është pjesë e planit zbatues për formimin e Asociacionit.

“Absolutisht është e nevojshme që të ketë ndryshime jo vetëm kushtetuese, por edhe të gjitha aktet tjera ligjore, në mënyrë që të mundësohet përshtatja e kornizës ligjore të Prishtinës, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Kjo është mënyra e vetme që Bashkësia e komunave serbe të formohet ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel. Gjithçka tjetër, nëse nuk e kemi këtë hap të parë, nënkupton zvarritje të sërishme dhe probleme për formimin e saj”, theksoi Simiq.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë çdo mundësi që ajo të iniciojë ndryshime kushtetuese, të cilat siç thonë zyrtarët e Listës Serbe, do ta mundësonte themelimin e Asociacionit.

Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se që në marrëveshjen e parë të Brukselit për themelimin e Asociacionit, është arritur pajtimi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta bëj vlerësimin nëse marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën, si dhe të bëj vlerësimin e përputhjes me Kushtetutën edhe të statutit të Asociacionit, e më pas të nis themelimi i tij.

“Sa i përket Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, konstitucionalizmi i Kosovës, përkatësisht në aspektin kushtetues juridik, kjo çështje tashmë është e kryer. Këtu, më duket që çdo pretendim më tepër ose për t’i kushtëzuar institucionet e Kosovës, mund të quhet vetëm një shantazh politik, përkatësisht një kërkesë, e cila vetëm sa e neglizhon krijimin e këtij Asociacioni dhe nuk e përshpejton atë”, tha Matoshi.

Por ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, thotë se marrëveshja e parë për Asociacionin, e arritur në Bruksel në vitin 2013, nuk mund të zbatohet pa ndryshime kushtetuese dhe ligjore.

“Në rastin konkret, ata (Lista Serbe) kanë të drejtë kur thonë se pa ndryshime kushtetuese dhe ligjore, pa e ndërruar kuadrin kushtetues dhe ligjor, nuk mund të zbatohet marrëveshja e parë. Po e them qëllimisht marrëveshja e parë, sepse marrëveshja e dytë ka qenë marrëveshje administrative, siç quhet në të drejtën ndërkombëtare, e cila zbaton një marrëveshje bazike. Marrëveshja e parë apo bazike, është marrëveshje, e cila e detyron Kosovën, sepse është obligim ndërkombëtar i zbatimit në mirëbesim të atyre detyrimeve që Kosova i ka marrë përmes përfaqësuesve të vet në dialog”, u shpreh Hasani.

Ai ka shtuar se deputetët e Listës Serbe kanë të drejtë legjitime që t’i iniciojnë ndryshimet kushtetuese, duke i respektuar procedurat që parashohin numrin e caktuar të mbledhjes së nënshkrimeve, të 30deputetëve të Kuvendit, për një çështje të tillë.

Por, Matoshi shpreh mendimin se marrë parasysh numrin prej 10 deputetësh të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, ky subjekt e ka të pamundur mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme nga deputetët tjerë të Kuvendit, për të iniciuar ndryshimet kushtetuese.

“Lista Serbe në asnjë version nuk mund t’i mbledhë (nënshkrimet e nevojshme). Përveç kësaj, për ndryshime kushtetuese duhen dy të tretat e votave, përkatësisht shumica e kualifikuar, që nënkupton shumicën e përgjithshme të Kuvendit dhe shumicën e votave të pakicave. Kështu që, del se duhet t’i kenë 81 vota dhe për këtë arsye, realisht, nuk mund të ndodhë”, tha Matoshi.

Megjithatë, sipas profesor Hasanit, përfaqësuesit politik të serbëve, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe formimit të Asociacionit mbi këto baza, po përpiqen që brenda rendit kushtetues të futen si kategori speciale.

“Gjykata Kushtetuese ka thënë se Asociacioni duhet të formohet sipas marrëveshjes (së Brukselit). Sipas marrëveshjes nënkuptohet Asociacioni me autorizime, siç quhen, nga e drejta publike. Nuk është problemi nëse ka kompetenca nga e drejta publike apo jo. Por, problemi është se cili është statusi i komunitetit serb dhe i kuvendit të tyre (të Asociacionit) në rendin kushtetues të Kosovës. A është ai Kuvend kushtetues? Po të jetë ashtu, atëherë edhe komuniteti serb, si kolektivitet, ka të drejta speciale kushtetuese, të veçanta, që në një fazë të mëvonshme nënkupton edhe të drejtën për vetëvendosje të jashtme”, theksoi Hasani.

Profesor Hasani ka theksuar se në rast se Kuvendi i Asociacionit nuk do ta ketë statusin e kuvendit kushtetues, atëherë ndryshimet kushtetuese mund të bëhen brenda rendit dhe frymës kushtetuese që ekziston sot në Kosovë.

Sidoqoftë, në vitin 2015, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e dytë për Asociacionin. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës./rel

Thaçi: Do të punojmë për kompromis me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shfaqi shpresën se në të ardhmen e afërt do të nisë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se do të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për pajtim mdis dy vendeve.

“Bashkimi Evropian kërkon nga të gjithë ne që t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura dhe mendoj se marrëveshja për normalizim është kruciale edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, por edhe për rajonin”, tha Thaçi.

Ai bëri këto komente për gazetarët në Budvë të Malit të Zi, ku me ftesë të Këshillit Atlantik dhe Qeverisë malazeze mori pjesë në Forumin e Sigurisë “To be secure”.

“Për Kosovën, dialogu nuk ka alternativë, do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që për Kosovën nënkupton anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe njohje reciproke (midis Kosovës dhe Serbisë)”, shtoi Thaçi.

Ai po ashtu tha se Kosova dhe Mali i Zi kanë “raporte strategjike të shkëlqyera, të interesit të përbashkët, pa asnjë çështje të hapur”.

Kompania ajrore që barti turqit e deportuar gënjeu autoritetet kosovare

Drejtori i Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj ka bërë të ditur se kompania ajrore me të cilën u deportuan gjashtë shtetasit turq kishte gënjyer institucionet e kosovare për qëllimin e fluturimit.

Gjonbalaj tha se leja ishte kërkuar për fluturim komercial duke thënë se institucioni që ai drejton nuk është i përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë proces.

“Ne e dimë se kërkesa për fluturim është bërë në Ministri të Infrastrukturës si fluturim komercial, kompania ka gënjyer për qëllimin e fluturimit”, ka deklaruar Gjonbalaj gjatë raportimit për vitin 2017 para Komisionit Parlamentar për Mbikqyrjen e Financave Publike.

Expose: Kosova të japë llogari

Gjonbalaj po ashtu tha se janë duke shikuar mundësinë e ndërmarrjes së masave ndaj kompanisë e cila bëri transportimin e gjashtë qytetarëve turq që jetonin në Kosovë të cilët e deportuan më kërkesë të Turqisë, pasi akuzoheshin për pjesëmarrjen në tentim grushtshtetin e vitit 2016.

Gjonbalaj tha se kompania Birlesik Insaat mund të përballet me një dënim deri në një milion euro.

Më 29 mars, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë ishte mjek turk.

*Familjarët e turqve të deportuar kërkojnë azil në Kosovë

Për këtë deportim, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën deklaruar se nuk kanë qenë të informuar paraprakisht.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë, ndërkaq, i kishin deportuar ata nën arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fillimisht ua revokuan të njëjtëve të drejtën e qëndrimit dhe më pas i deportuan nga Kosova për në Turqi, në bashkëpunim me inteligjencën turke.

Pas deportimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte liruar nga ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, në pozitën e të cilit pak javë më vonë u emëruar ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan. Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.

Arta Rama-Hajrizi fiton edhe një mandat në krye të Gjykatës Kushtetuese

Arta Rama-Hajrizi ka fituar edhe një tjetër mandat në krye të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Në seancën administrative të mbajtur më 22 maj 2018, në përputhje me Nenin 114, pika 5, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë votuar kryetaren aktuale të Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi, për një mandat të dytë në krye të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Mandatin e dytë në krye të Gjykatës Kushtetuese, Rama-Hajrizi do ta fillojë më 26 qershor 2018, kur edhe përfundon mandati i saj i parë.

KMDLNJ kërkon nga Thaçi që të mos e dekretojë gjyqtarin Radomir Laban

Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kërkuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të mos e dekretojë Radomir Laban, si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një letre drejtuar presidentit Thaçi, KMDLNJ thotë se Laban duhet të kalojë nëpër një proces të verifikimit të së kaluarës.

“Sqarimi i së kaluarës së z.Llaban është lehtësisht i verifikueshëm nëse ka vullnet dhe nëse ky proces nuk i nënshtrohet ndikimeve politike”, thuhet në letrën e KMDLNJ-së drejtuar presidentit Thaçi.

KMDLNJ thotë se përzgjedhja e kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese duhet të depolitizohet sikur që duhet të kërkohet një mundësi tjetër e mënyrës së intervistimit.

Të premten, Laban u zgjodh gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Por pak kohë pas votimit u ngritën dyshime rreth të kaluarës së tij.

Thaçi thotë se po përgatitet faza e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë

Kosova dhe Serbia nuk mund të mbesin pengje të së kaluarës dhe se të dyja vendet duhet të lëvizin përpara në agjendën evropiane, deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Samiti i Sofjes.

Gjatë një konference për media, Thaçi tha se në Sofje ka zhvilluar takime të rëndësishme si me liderët e vendeve të rajonit, ashtu edhe me ata të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ai përmendi se nga këto takime ka marrë mbështetje nga liderët evropianë, duke veçuar edhe takimin që ai ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të iniciuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ai tha se bashkë me presidentin e Serbisë ka marrë mesazhin e politikës evropiane se pa një fqinjësi të mirë ndërmjet dy shteteve, nuk mund të ketë lëvizje përpara, sidomos drejt Bashkimit Evropian.

“Ne nuk mund të mbesim peng i së kaluarës e as i opinioneve ngufatëse për të lëvizur më shpejt në perspektiven evropiane. Ne duhet të mendojmë për të sotmen dhe të ardhmen. Jemi zotuar para Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, dhe më pas edhe para kancelares gjermane, Angela Merkel, që të dyja vendet të punojmë me përgjegjësi për ta përmbyllur këtë proces të dialogut me një marrëveshje historike, ligjërisht obligative për të dyja vendet, e që do të nënkupton anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjet reciproke”, theksoi Thaçi.

Ai para gazetarëve përsëriti se në fazën finale të dialogut me Serbinë, do të nevojitet që Kosova të ketë një unitet të forcave politike e institucionale.

“Gjithashtu, një nga konkluzionet më të rëndësishme apo edhe qëndrim, mund të themi lirisht që na është dhënë në në Samitin e Sofjes nga liderët e BE-së, është se pa fqinjësi të mirë asnjë vend i rajonit të Ballkanit nuk ka perspektivë evropian”, tha Thaçi.

Ai theksoi se për procesin e dialogut, që sipas tij, do të vazhdojë shpejt është duke u konsultuar me të gjitha subjektet politike, duke përfshirë edhe ato të opozitës.

“Dialogu me Serbinë nuk është proces i një individi apo partie politike, është proces i vështirë e nuk do të jetë i lehtë, as për ne, as për Serbinë”, u shpreh Thaçi.

Shpallen të pafajshëm Fuad Ramiqi dhe 4 imamët e akuzuar

Fuad Ramiqi, foto nga arkivi

Gjykata Themelore Prishtinës ka liruar Fuad Ramiqin dhe katër imamët Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami, të cilët akuzoheshin për kryerjen e veprave penave thirrje për rezistencë dhe për veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste.

Sipas gjyqtarit Vesel Ismaili, gjykata nuk ka gjetur fakte ashtu siç ka pretenduar Prokuroria e Shtetit.

Në mungesë të provave të gjithë të akuzuarit janë liruar nga aktakuza.

Lideri i Lëvizjes “LISBA”, Fuad Ramiqi akuzohej për kryerjen e veprës penale thirrje për rezistencë.

Kurse imamët Bedri Robaj dhe Idriz Billibani akuzoheshin se me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste.

Përderisa Enes Goga dhe Mazllam Mazllami akuzoheshin për kryerjen e veprës penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit, kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Hetimi ndaj tyre kishte nisur në shtator 2014, kur kishin ndodhur edhe arrestime të imamëve tash të akuzuar.

Kosovë: Nëntë të dënuar për planifikim sulmi në një ndeshje futbolli në Shqipëri

Nga një gjykim i mëhershëm në Kosovë

Një gjykatë në Prishtinë i shpalli fajtorë dhe i dënoi me heqje lirie dhe gjoba, nëntë persona, nën akuzën se në vitin 2016 kishin planifikuar të kryenin një sulm gjatë një ndeshjeje futbolli ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë.

Visar Ibishi, u dnëua me 10 vjet heqje lirie, Lulzim Gashi me 6 vjet, Burim Istrefi me 3 vjet, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga 5 vjet, Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga 1 vit e gjysmë dhe Leotrim Musliu me 3 vjet e gjysmë, ndërsa Besart Peci u dënua me një gjobë prej 2500 eurosh.

Në vjeshtën e vitit 2016, policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë, arrestoi 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti islamik dhe planifikim sulmi në Shqipëri por edhe në Kosovë.

Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.

Sipas aktakuzës, katër nga të akuzuarit “me qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste, ashtu që pasi që i njëjti përmes kontakteve të rregullta me të pandehurin V.I., me anë të internetit – aplikacionit Telegram, këtij të pandehurit i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen futbollistike mes ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor 2016”

Në akuzë thuhet se dy të pandehur, “gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes me të njëjtin, kanë planifikuar ta bëjnë sulmin terrorist – atentat në ndërkombëtarët ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë”.

Në pranverën e vitit 2017, familjarët dhe autoritetet e policisë thanë se Lavdrim Muhaxheri është vrarë në Siri.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme.

Thaçi: Nga marrëveshja finale do të fitojnë edhe Kosova, edhe Serbia

Sofje: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar gjatë qëndrimit të tij në Sofje të Bullgarisë ku po merr pjesë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, se ka pajtueshmëri me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për përmbylljen e dialogut me një marrëveshje ligjërisht obligative.

Është dakordim i përbashkët i dy presidentëve që dialogu të vazhdojë në një të ardhme të afërt me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe akterëve tjerë që duan të ndihmojnë. Tha Thaçi.

“Ky është një momentum i ri, që kërkon mobilizimin e të gjitha forcave dhe energjive të skenës politike institucionale, të shoqërisë civile dhe medieve në Kosovë”, tha Thaçi, duke besuar se epilogu i bisedimeve do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe sigurimi i ulëses për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Nuk do të jetë proces i lehtë për Kosovën, por as për Serbinë. Nuk do të jetë një ‘100 përqindësh’ as për Kosovën dhe as për Serbinë. Por, si Kosova ashtu edhe Serbia, me këtë marrëveshje do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”, theksoi Thaçi.

Ai tha se me marrëveshjen finale do të ruhet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës.

“Jam i sigurt që procesi do të përmbyllet me një konkluzion ‘win-win’, që nënkupton se edhe Kosova edhe Serbia do të kenë të ardhme konkrete evropiane pas zbatimit të asaj marrëveshje. Pra, nuk do të ketë humbës dhe nuk do të cenohet njëri apo tjetri shtet, por do të gjinden modalitete bashkëpunimi sipas standardeve evropiane për akomodimin sa më afirmativ të komunitetit serb të Kosovës”, tha Thaçi.

Gjatë qëndrimit në Sofje, ai ka takuar presidentin serb Vuçiq, si dhe liderët e shteteve tjera të Ballkanit dhe ata të Bashkimit Evropian.

Ndërron jetë ish-deputeti i parlamentit të Kosovës, Kujtim Paçaku

Kujtim Paçaku, ish-deputet i parlamentit të Kosovës nga radhët e komunitetit rom, ndërroi jetë të enjten në moshën 59 vjeçare.

Zoti Paçaku njihej për angazhimin e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom në Kosovë.

Ai lindi në mars të 1959, në Prizren. Para se të përfshihej në politikë, punoi si arsimtar në një shkollë fillore ndërsa më vonë punoi edhe si gazetar, ndërsa ishte i njohur si poet.

Së fundmi zoti Pacaku ishte shpallur ambasador i paqes në një konferencë për kulturë dhe paqe në Ballkan.

Duke dhënë lajmin për vdekjen e zotit Paçaku, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “me angazhimin e tij të sinqertë politik, me kulturën e pasur prej poeti që posedonte, Kujtimi ishte zëri më autentik i qytetarëve romë të Kosovës dhe na ka nderuar të gjithëve”.

Presidenti Thaçi merr pjesë në Samitin e Sofjes

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Bullgari. Thaçi do të marrë pjesë në punimet e Samitit të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Sofje.

Përmes një njoftimi të Zyrës së Presidentit, bëhet e ditur se Thaçi do të marrë pjesë në takimin dhe konferencën e përbashkët të liderëve të shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

Pas arritjes në Sofje, presidentit Thaçi do t’i organizohet pritje zyrtare nga presidenti bullgar, Boyko Borisov.

Ai po ashtu do të marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik Botëror, që organizohet në kryeqytetin bullgar.

Zyrtarët evropianë e vlerësojnë këtë samit si jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi është i pari që nga Samiti i Selanikut, i cili ishte zhvilluar para plot 15 vjetësh.

Pjesë e Samitit të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Sofje do të jenë mbi 30 liderë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Apeli e shpall të pafajshëm ish-rektorin Enver Hasani

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani është liruar nga akuzat për mashtrim.

Në njoftimin e Gjykatës së Apelit thuhet se “kolegji penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i kësaj gjykate, ka gjetur se nuk është provuar se ai ka kryer ketë vepër penale të mashtrimit në kohën sa ishte rektor i Universitetit të Prishtinës”.

Për dy të akuzuarit e tjerë, Hakif Veliu dhe Albert Rakipi, Gjykata e Apelit e ka aprovuar kërkesën e prokurores dhe dy të akuzuarit do të dërgohen në vuajtje të dënimit prej një viti burgim efektiv.

Ish-rektori Hasani ishte gjetur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ishte dënuar me një vit burg me kusht. Po ashtu, gjykata kishte shpallur fajtorë edhe dy të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Albert Rakipi dhe Hakif Veliu.

Enver Hasani, Hakif Veliu si shef i prokurimit dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare, akuzoheshin për bashkëkryerje të veprës penale të mashtrimit në detyrë.

Ata dyshohej se kishin bërë keqpërdorime kur kanë lidhur kontratë për përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevoja të Universitetit të Prishtinës.

Kosova shënon 70-vjetorin e pavarësisë së Izraelit

Pllaka përkujtimore për hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka kërkuar nga institucionet izraelite që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se në të ardhmen, Kosova dhe shteti i Izraelit do të thellojnë bashkëpunimin në mes vete.

Veseli i bëri këto komente me rastin e shënimit të 70-vjetorit të pavarësisë së Izraelit, ngjarje e organizuar nga Bashkësia Hebreje “Best Israel Kosova”.

Kryetari i kësaj bashkësie, Ruzhdi Shkodra, ka thënë se këtë përvjetor e bënë më madhështor pikërisht pasi në këtë ditë, Shtetet e Bashkuara kanë hapur ambasadën në Jerusalem, pasi Uashingtoni më herët gjatë këtij viti, e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Ndër të tjera, Shkodra ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që të ushtrojë autoritetin e tij tek institucionet kompetente për ndërtimin e një sinagoge në Prishtinë.

Veseli, ndërkaq, ka premtuar se shumë shpejtë në qendër të Prishtinës do të ndërtohet sinagoga e re, “në mënyrë që edhe qytetarët hebrenj të kryejnë ritet e veta në mënyrë dinjitoze në shtetin e Kosovës”.

Në Prishtinë, deri në vitin 1963, ka qenë Sinagoga e Prishtinës në lokacionin në mes ndërtesës se Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Pikërisht në këtë lokacion, në shenjë përkujtimi për hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit, tashmë është ngritur një memorial, në të cilin shkruan :“Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”.

Prishtinë, shërbehet bakllavaja më e madhe në vend

Në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit, disa të rinj në sheshin Nëna Tereza në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, kanë bërë shpërndarjen e bakllavasë me 4.500 copë

PRISHTINË – Në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit, disa të rinj në sheshin Nëna Tereza në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, kanë bërë shpërndarjen e bakllavasë prej 4.500 copëve, e cila është bakllavaja më e madhe e shërbyer në Kosovë deri tani.

Qytetarë të shumtë u mblodhën në vendin ku shërbehej bakllavaja falas nga disa të rinj të cilët ishin ideatorët e këtij organizimi në prag të muajit të Ramazanit.

Në emër të organizatorëve, Asdren Bytyqi në një prononcim për AA tha se që pesë vite me radhë në vigjilje të muajit Ramazan janë duke e bërë shpërndarjen e kalendarit të ramazanit, bakllavasë ose ëmbëlsirave të ndryshme në Prishtinë. Ai theksoi se janë të rinj vullnetarë dhe për qëllim kanë që t’i ëmbëlsojnë njerëzit në vigjilje të këtij muaji që sjell paqe, mirësi dhe më shumë solidaritet në mes të njerëzve.

“Andaj, dëshirojmë të fusim në psikologjinë e qytetarëve të rinj dhe të vjetër që ky muaj është i veçantë dhe duhet të dallohet nga të tjerët për nga simbolika e ushqimit, por edhe për nga simbolika e ëmbëlsimit, meqë ashtu siç fillon, ashtu edhe mbaron”, tha Bytyqi.

Ai përmendi rekordin për bakllavanë më të madhe në botë të cilin e mban Anakaraja, duke thënë se me këtë bakllava që servohet sot, kanë arritur 40 përqindëshin e bakllavasë në Turqi. Ai tha se janë të përgatitur që vitin e ardhshëm ta thyejnë rekordin e bakllavasë prej 11.800 copëve.

“Për vitin e ardhshëm synojmë që të futemi në regjistrat e Librit Guinness, ngase këtë vit kemi përgatit një bakllava me 4.500 copë, kurse vitin e ardhshëm synojmë t’ia thyejmë rekordin Turqisë në një ngjarje e cila është mbajtur në Ankara”, shtoi Bytyqi.

AKI verifikon imamët për deradikalizimin e burgjeve

Foto ilustruese

Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës ka dërguar për verifikim në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, listën me emrat e imamëve të autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, të cilët do të angazhohen në procesin e deradikalizimit brenda burgjeve të Kosovës, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Lidhur me angazhimin e rreth 20 imamëve për t’iu qasur deradikalizimit të personave të caktuar, të cilët janë duke vuajtur dënimet në burgjet e Kosovës për veprat që kanë të bëjnë me terrorizmin, Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, ditë më parë kanë nënshkruar marrëveshjen e përbashkët.

Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, theksoi se imamët e Bashkësisë Islame të Kosovës nuk do ta zëvendësojnë punën e psikologëve dhe sociologëve, të cilët janë të angazhuar nga qendrat korrektuese. Por, sipas tij, bashkëpunimi ka të bëjë me atë që nga qendrat korrektuese të evitohen literaturat fetare të paautorizuara, të cilat kanë depërtuar në këto qendra, dhe aty të dërgohet literaturë e autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“Pasi që të përfundon procesi i verifikimit, atëherë imamët do ta vazhdojnë punën nëpër qendrat korrektuese. Duhet ta bëj të qartë për opinionin publik se nuk flitet për organizime masive, qoftë të ligjëratave, qoftë të organizimit të riteve fetare. Janë vetëm për ata persona, të cilët janë të radikalizuar dhe për personat tjerë që shprehin interesimin e tyre që të jenë pjesë e organizimit të këtyre riteve fetare brenda qendrave korrektuese, gjithmonë pa e cenuar asnjëherë sigurinë dhe funksionin e qendrave korrektuese të Kosovës”, tha ministri Tahiri.

Në anën tjetër, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora thotë për Radion Evropa e Lirë, se përvojat e vendeve evropiane që kanë angazhuar imamë në procesin e deradikalizimit të personave të dënuar, janë treguar të suksesshme. Sipas tij, Bashkësia Islame e Kosovës, bazuar në marrëveshjen me Ministrinë e Drejtësisë, tashmë ka caktuar imamët që do të jenë të përfshirë në zbatimin e programit të paraparë në marrëveshje.

“Në këtë rast, imamët që janë përzgjedhur, janë shumë meritorë, që kanë një kualifikim të mirë, imam që janë dëshmuar me punën dhe përkushtimin e tyre, deri më tash, në Bashkësinë Islame. Andaj, shpresojmë që edhe puna e tyre do të jetë e suksesshme, qoftë në ligjërimet për të cilat kanë nevojë të burgosurit, qoftë edhe me programet që janë për deradikalizimin e atyre që janë të burgosur”, tha Bajgora.

Ndërkaq, ministri Tahiri thekson se zbatimi i marrëveshjes ka të vetmin qëllim që t’i dilet përballë fenomenit të radikalizmit fetar në qendrat korrektuese, në mënyrë që personat e që vuajnë dënimin për radikalizëm fetar, pas përfundimit të dënimit të mos paraqesin rrezik për shoqërinë dhe për shtetin.

“Padyshim që në formën se si është tani, ata paraqesin rrezik për shoqërinë tonë. Mirëpo, ne në asnjë rrethanë, nuk do të tolerojmë që një gjendje e tillë të vazhdojë dhe do të marrim masa, në secilin rast që është i nevojshëm, që ky rrezik i mundshëm të evitohet. Këta njerëz, në momentin që do të përfundojnë dënimin e tyre, në momentin që dalin nga qendrat korrektuese, duhet të jenë të gatshëm që të mos paraqesin rrezik për shoqërinë tonë dhe të jenë të gatshëm që të inkuadrohen në punën e tyre ditore, të jenë pjesë e shoqërisë tonë”, tha Tahiri.

Kryeimami Bajgora ka shprehur bindjen se në rast se të gjitha palët e angazhuara në procesin e deradikalizimit të personave të caktuar, që vuajnë dënimet në qendrat korrektuese, e kryejnë punën e tyre si duhet, sukseset do të jenë të pashmangshme.

“Ne ende nuk kemi qasje në atë se sa është përqindja e radikalizmit të tyre nëpër burgje. Andaj, së pari neve na duhet ta bëjmë një regjistrim nëpër burgje se si qëndron situata dhe pastaj të fillojmë me programet përkatëse, për të cilat tashmë janë trajnuar imamët tanë nëpër seminare dhe konferenca të ndryshme që janë mbajtur vitin e fundit, por edhe të një trajnimi që është kryer në Angli, përkitazi me këtë çështje”, theksoi Bajgora.

Në qendrat korrektuese të Kosovës tashmë gjendet një numër i qytetarëve të vendit, të cilët po e vuajnë dënimin për pjesëmarrje në luftërat e huaja, në Irak dhe Siri, por edhe për tentimin për të shkuar në luftërat e huaja.

Më herët, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, patën theksuar se është vërejtur prania e radikalizmit në mesin e të burgosurve, madje edhe tek ata të cilët po mbajnë dënimin për vepra penale krejtësisht tjera dhe që nuk ndërlidhen me terrorizmin.

Sipas autoriteteve të Kosovës, rreth 316 persona nga Kosova kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Besohet se në zonat e luftës ende gjenden 140 persona, ndërkaq që në Kosovë janë kthyer 117 prej tyre.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.


Send this to a friend