Qeveria e Kosovës ka miratuar dhënien e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik.
Në mbledhjen e Qeverisë, më 30.03.2026, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë dhënë detaje se kujt do t’u ndahet kjo pagë.
“Ky vendim është një shprehje konkrete e mirënjohjes për kontributin e tyre [punëtorëve të sektorit publik] në funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Siç kemi premtuar, po e realizojmë këtë zotim duke dëshmuar se përgjegjësia ndaj punëtorëve përkthehet në veprime konkrete. Pagesa e 13-të synon të mbështesë mirëqenien e familjeve të tyre dhe të lehtësojë barrën financiare.” – tha Kurti.
Sipas tij, Qeveria mbetet e përkushtuar të vazhdojë me politika që e forcojnë administratën publike dhe mbështesin ata që u shërbejnë qytetarëve me punë.
Hekuran Murati, ministri i Financave tha se kjo pagë do t’u ndahet të gjithë personave që kanë së paku 12 muaj të plotë në sektorin publik.
“Kemi hasur në raste kur ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt. Për të qenë sa më korrekt, jemi dakorduar me Thesarin dhe kemi siguruar fondet e mjaftueshme që për këta persona që nuk i kanë të përmbushur 12 muaj të plotë, të ipet pjesa e pjesshme. Pra, për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, proporcionalisht, u takon edhe një pjesë e pagës së 13-të.” – ka thënë ministri Murati.
Ai ka shtuar se janë përkujdesur edhe për gratë që kanë qenë në pushim të lehonisë në këtë periudhë 12-mujore. Muajt e kaluar në pushim të lehonisë, sipas tij, do t’u njihen sikurse muajt që kanë punuar në orar të plotë, në mënyrë që edhe ato ta marrin pagën e 13-të të plotë.
“Njëkohësisht është paraparë edhe personat që figurojnë të suspenduar këtë muaj apo që kanë qenë të suspenduar më herët dhe ende vazhdon suspendimi i tyre, pra të mos përfshihen në pagën e 13-të. Vendimi parasheh që pavarësisht pozitave shtesë që mund të ketë një person, paga e 13-të ipet vetëm njëherë.” – ka treguar Murati.
Kryeministri Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 01.03.2026, kishte paralajmëruar se paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik do të shpërndahet në fund të muajit mars.
Ky premtim pastaj është përsëritur gjatë fushatës për zgjedhje të parakohshme.
Kurti pati premtuar se ndarja e pagës së 13-të do të ishte ndër vendimet e para të Qeverisë në mandatin e tij të tretë. Kallxo.com