VOAL

VOAL

Sulmi më i madh që nga nisja e luftës, Rusia lëshon 273 dronë drejt Ukrainës

Ukraina ka përjetuar sulmin më të madh ajror me dronë nga Rusia që nga fillimi i pushtimit të plotë në vitin 2022, sipas një vlerësimi të Ushtrisë ukrainase. Sipas forcave ajrore të Ukrainës, gjithsej 273 mjete ajrore pa pilot u lëshuan nga Rusia gjatë natës, duke shënuar një shifër rekord.

Ky sulm ka tejkaluar rekordin e mëparshëm të regjistruar më 23 shkurt, kur ishin raportuar 267 dronë. Rajonet e Dnipropetrovskut dhe Donetskut ishin ndër më të shënjestruarat gjatë sulmeve të natës.

Ukraina njoftoi se kishte rrëzuar 88 dronë, ndërsa 128 të tjerë nuk arritën të realizonin objektivat e tyre.

Megjithatë, ushtria ukrainase nuk ka zbuluar detaje mbi dëmet e mundshme ose vendet e shkatërruara, në përputhje me protokollin e saj të zakonshëm të sigurimit.

Sulmi i fundit ndodhi vetëm disa ditë pasi Rusia dhe Ukraina zhvilluan bisedimet e para direkte për paqe në Stamboll, që nga fillimi i pushtimit. Gjatë bisedimeve, palët ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve dhe për negociata të mëtejshme për një armëpushim.

Megjithatë, Moska ka hedhur poshtë thirrjet e Ukrainës, SHBA-së dhe aleatëve evropianë për një ndalim të armiqësive, duke kërkuar një marrëveshje më të gjerë. bw

Liderët evropianë pajtohen me Trumpin se qëndrimi i Rusisë në bisedimet për armëpushim është i papranueshëm

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, dhe kryeministri polak Donald Tusk, bisedojnë me presidentin amerikan Donald Trump, përmes telefonit gjatë samitit në Tiranë, 16 maj.

 

Radio Evropa e Lirë

Liderët evropianë janë pajtuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se qëndrimi i Rusisë në bisedimet për armëpushim është i papranueshëm dhe kanë për qëllim ta përgatisin një përgjigje, tha të premten kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Starmer foli nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ku udhëheqës nga dhjetëra vende evropiane u mblodhën për samitin e Komunitetit Politik Evropian, në të cilin mori pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Sapo patëm një takim me presidentin Zelensky dhe më pas një telefonatë me presidentin Trump, për t’i diskutuar zhvillimet në negociatat e sotme, dhe qëndrimi i Rusisë është qartësisht i papranueshëm”, u tha Starmer gazetarëve.

“Pas takimit me presidentin Zelensky, dhe diskutimeve me presidentin Trump, tani po i përafrojmë dhe bashkërendojmë përgjigjet tona dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.

Ai tregoi se për vendimin e përbashkët me Trumpin u pajtuan edhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë.

Rusia dhe Ukraina zhvilluan të premten bisedime të drejtpërdrejta për paqe për herë të parë që nga viti 2022, në qytetin port të Stambollit në Turqi. Bisedimet përfunduan pas më pak se dy orësh, sipas Ministrisë së Jashtme turke dhe një zyrtari ukrainas.

Kievi akuzoi Kremlinin se ka paraqitur kërkesa të reja “të papranueshme” për tërheqjen e forcave ukrainase nga pjesë të mëdha të vendit, sipas një zyrtari, i cili foli për Associated Press në kushte anonimiteti.

Më herët, Zelensky tha se vendi i tij është i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por u bëri thirrje liderëve evropianë t’i ashpërsojnë sanksionet ndaj Kremlinit, nëse presidenti Vladimir Putin vazhdon t’i zvarrisë bisedimet për armëpushim.

“Ukraina është e gatshme t’i ndërmarrë të gjitha hapat për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Zelensky para liderëve të mbledhur në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

Por, ai theksoi se “nëse del se delegacioni rus është thjesht një shfaqje teatrale dhe nuk sjell asnjë rezultat sot, bota duhet të reagojë”.

Ai tha se reagimi duhet të përfshijë “sanksione ndaj sektorit të energjisë dhe bankave të Rusisë”.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, e mbështeti thirrjen e Zelenskyt, duke thënë në një fjalim në samit se “Rusia po zvarritet dhe po luan lojëra”.

“Ne duhet të jemi të gatshëm të veprojmë, sepse nëse Rusia nuk ulet në tryezën e negociatave, atëherë Putini duhet ta paguajë çmimin”, tha ai në samitin e mbajtur në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Liderët evropianë e kritikojnë Putinin për refuzimin e takimit me Zelenskyn

Zelensky i bëri këto komente pasi Putini nuk pranoi të takohet me të për bisedime ballë për ballë.

“Mendoj se Putini bëri gabim duke dërguar një delegacion të nivelit të ulët”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndërsa mbërriti në samit. “Topi është qartazi në fushën e tij tani. Ai duhet të veprojë. Duhet të jetë serioz nëse e dëshiron paqen. Prandaj, mendoj e gjithë trysnia është tani mbi Putinin”, shtoi Rutte.

Zelensky nuk foli derisa po ecte me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përgjatë tapetit të kuq pranë mediave të mbledhura.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se Putini “po luan lojëra, gjë që tregon se ai nuk është serioz për paqen”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se është e qartë se “presidenti Zelensky është i gatshëm për takim, por presidenti Putin nuk u paraqit kurrë, dhe kjo tregon qëndrimin e tij të vërtetë. Prandaj, ne do ta rrisim presionin”.

Von der Leyen tha se BE-ja po përgatit një paketë të re sanksionesh. Ajo deklaroi se masat do të synojnë flotën në hije të anijeve të vjetra të mallrave që Rusia po përdor për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, si dhe konsorciumin e gazsjellësit Nord Stream.

Ajo shtoi se edhe sektori financiar rus do të jetë në shënjestër. Të dërguarit e BE-së kanë punuar për javë të tëra mbi paketën e re të sanksioneve, dhe ministrat e Jashtëm të bllokut mund t’i miratojnë ato qysh të martën.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksoi se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për Ukrainën duhet të vazhdojnë.

“Mendoj se nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të këmbëngulim për një armëpushim të pakushtëzuar dhe një marrëveshje serioze për paqe që përfshin garanci sigurie për Ukrainën”, tha ajo.

Merz: Gjermania do të krijojë ushtrinë më të fuqishme në Evropë

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, premtoi të mërkurën, gjatë fjalës së tij para Bundestagut, se do të ndërtojë “ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë” përballë kërcënimeve të një Rusie armiqësore dhe luftës në Ukrainë.

Merz u shpreh se ky angazhim është i përshtatshëm për një nga shtetet më të populluara dhe ekonomikisht më të fuqishme të Evropës, duke theksuar se miqtë dhe partnerët e Gjermanisë presin një veprim të tillë nga ky vend.

“Ata e kërkojnë këtë gjithashtu në praktikë”, shtoi ai, shkruan Washington Post.

Në fjalimin e parë në parlament pas formimit të qeverisë së tij javën e kaluar, Merz u angazhua të shfrytëzojë çdo mundësi financiare për të forcuar ushtrinë e vendit.

Ai theksoi se qëllimi është që Gjermania dhe Evropa të jenë aq të forta sa të mos kenë më nevojë të përdorin armët e tyre, dhe për ta arritur këtë, duhet të marrin më shumë përgjegjësi brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian. sn

Von der Leyen i thotë Ramës se “Shqipëria e ka vendin në BE”

Radio Evropa e Lirë

Liderët e Bashkimit Evropian e kanë uruar të mërkurën kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të fundjavës, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e lartësoi “përparimin e madh” të Shqipërisë drejt bllokut.

“Le ta vazhdojmë punën së bashku në reformat evropiane. Shqipëria e ka vendin në BE!” shkroi von der Leyen në X.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e lartësoi fitoren e Ramës, duke shkruar në X: “Franca gjithmonë do t’i qëndrojë përkrah Shqipërisë në rrugën e saj evropiane”.

Partia Socialiste e Ramës i fitoi 52.1 për qind të votave të dielën, duke e lënë mbrapa aleancën opozitare të udhëhequr nga Sali Berisha, e cila doli e dyta me 34.2 për qind, sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

BE-ja i ndoqi nga zgjedhjet në Shqipëri, të cilat u cilësuan si një provë e pjekurisë demokratike të këtij vendit ballkanik.

Rama, 60 vjeç – i cili e fitoi mandatin e katërt – e përqendroi fushatën e tij tek integrimi evropian.

Premtimi i tij kryesor në fushatë ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.

Krerët e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, do të takohen me Ramën të enjten në Tiranë, ku të premten do të mbahet një mbledhje e Komunitetit Politik Evropian – një forum strategjik gjashtëmujor që mbledh 47 vende nga brenda dhe jashtë BE-së.

“Urimet e mia më të përzemërta, i dashur Edi Rama, për këto rezultate mbresëlënëse në zgjedhje. Mezi pres të të uroj personalisht në Tiranë nesër”, tha Costa, i cili kryeson këshillin që përfaqëson shtetet anëtare të BE-së.

Zgjedhjet e 11 majit- Kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE, David McAllister: Mbështetje e fortë për PD dhe Jorida Tabakun

Dy ditë nga zgjedhjet parlamentare, Zv. Presidenti i Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ka shprehur mbështetjen e tij për Partinë Demokratike dhe kandidatët e saj në këto zgjedhje vendimtare.

“Zgjedhjet parlamentare të kësaj së diele në Shqipëri shënojnë një ditë të rëndësishme për vendin, për njerëzit dhe për të ardhmen tonë të përbashkët Europiane,” – u shpreh McAllister.

Në një mesazh të posaçëm, ai ka vlerësuar veçanërisht kontributin e kandidates për deputete në listën e hapur të PD në Qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku, duke e cilësuar si një partnere të palëkundur në raportet me EPP dhe Parlamentin Europian.

“Gjatë viteve, Jorida Tabaku ka qenë një kontakt kyç për ne në Parlamentin Evropian dhe veçanërisht në EPP. Me punën dhe përkushtimin e saj, ajo ka ndërtuar ura dhe ka luajtur një rol thelbësor në forcimin e marrëdhënieve midis Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe EPP,” – theksoi ai.

McAllister e përmbylli mesazhin e tij me një thirrje për mbështetje ndaj Jorida Tabakut në 11 maj: “Jorida ka qenë gjithmonë një forcë e vërtetë nxitëse për integrimin evropian të Shqipërisë. Ju lutem sigurohuni që të dielën ajo të mund të vazhdojë punën e saj të madhe.”bw

Merz zgjidhet kancelar i Gjermanisë pas votimit të dytë

Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësi konservator, Friedrich Merz, është zgjedhur kancelar i ri i Gjermanisë nga Parlamenti të martën në një rundin e dytë të votimit, disa orë pasi kishte dështuar të emërohej në votimin e parë.

Merz pritej të emërohej pa telashe në votimin e parë për t’u bërë kancelari i 10-të i Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Deri para Merzit, asnjë kandidat për kancelar në Gjermaninë e pasluftës nuk kishte dështuar të zgjidhej në rundin e parë të votimit.

Megjithatë, në rundin e dytë, Merz i mori 325 vota.

Atij i nevojitej një shumicë prej 316 votash nga 630 në një votim të fshehtë, por mori vetëm 310 vota në rundin e parë — shumë më pak se 328 ulëse sa ka koalicioni i tij në Bundestag.

Koalicioni – i përbërë nga kristiandemokratët e Merzit (CDU), unikoni socialkristian i Bavarisë (CSU) dhe Partia Socialdemokrate e qendrës së majtë (SPD) – do ta qeverisë Gjermaninë për katër vjetët e ardhshme.

Të hënën, kristiandemokratët e Merzit nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, e cila kishte dalë me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4 për qind.

Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

“Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit”, tha ai.

Franca e dënon ashpër planin e Izraelit për pushtimin e Gazës

Radio Evropa e Lirë

Ministri i Jashtëm i Francës tha të martën se Parisi “e dënon shumë ashpër” fushatën e re ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi ushtria izraelite tha se operacionet e zgjeruara në Gaza do të përfshijnë zhvendosjen e “shumicës” së banorëve të saj, pasi kabineti i sigurisë i vendit miratoi një plan që, sipas një zyrtari izraelit, do të përfshijë “pushtimin e Rripit të Gazës dhe mbajtjen e territoreve”.

“Është e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot në një intervistë në radio, duke shtuar se qeveria izraelite është “në shkelje të ligjit humanitar”.

Vendimi i Izraelit vjen ndërsa Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë paralajmëruar vazhdimisht për një katastrofë humanitare në terren, me rrezikun e urisë që rikthehet pas më shumë se dy muajsh bllokadë totale izraelite.

Pothuajse të gjithë 2.4 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës, e cila nisi pas sulmit të militantëve të Hamasit mbi Izraelin në tetor 2023 raporton AFP.

Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

Radio Evropa e Lirë

Lideri konservator gjerman Friedrich Merz nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për t’u zgjedhur kancelar të martën, duke shënuar një pengesë të papritur për koalicionin e tij të ri me Socialdemokratët (SPD).

Merz, 69 vjeç, i cili udhëhoqi CDU/CSU-në drejt fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, mori vetëm 310 vota në Bundestag, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316 votash, njoftoi presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner.

Pas votimit, Kloeckner ndërpreu seancën parlamentare për t’u dhënë grupeve mundësinë të konsultohen mbi hapat e ardhshëm.

Parlamenti gjerman ka tani 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish edhe gjatë së martës, raporton Reuters.

Edhe pse konservatorët fituan zgjedhjet me 28.5 për qind të votave, ata kishin nevojë për një partner për të formuar qeveri shumice.

Të hënën, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, e cila kishte dalë me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4 për qind.

Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

“Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit”, tha ai.

Nënshkruhet marrëveshja e koalicionit qeverisës në Gjermani

Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz (në mes) dhe partnerët e tij në koalicionin qeverisës, fotografohet pasi nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje, 5 maj.

 

Radio Evropa e Lirë

Konservatorët e kancelarit të ardhshëm të Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe Partia Socialdemokrate e qendrës së majtë, e nënshkruan të hënën formalisht marrëveshjen për koalicion, në prag të fillimit të punës së Qeverisë së re gjermane të udhëhequr nga ta.

Merz, 69 vjeç, do të betohet të martën si udhëheqës i ri i vendit me ekonominë më të madhe në Evropë, duke i dhënë fund një ngërçi politik gjashtëmujor në Berlin.

Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, e përshkroi AfD-në – e cila, si Trump, ka bërë fushatë kundër emigracionit – si “partinë më popullore në Gjermani”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi veprimin e agjencisë gjermane të inteligjencës si “tirani të maskuar”.

Që nga zgjedhjet e shkurtit, AfD-ja ka qenë në garë të ngushtë me CDU/CSU-në në sondazhe dhe herë pas here në avantazh.

Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

“Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit”, tha ai.

Marrëveshja e koalicionit, e cila ka 144 faqe dhe titullohet: “Përgjegjësia për Gjermaninë”, përshkruan një plan politik për katër vjetët e ardhshme të koalicionit ndërmjet dy partive më të mëdha tradicionale në vend.

Merz tha se Qeveria e re “është e vendosur të ecë përpara me reforma dhe investime” dhe gjithashtu premtoi “një Qeveri zëri i së cilës dëgjohet në Evropë dhe në botë”.

Qeveria në largim e kancelarit të SPD-së, Olaf Scholz, u shpërbë më 6 nëntor, në ditën kur Trump u rizgjodh president amerikan.

Vetë Scholz nuk do të jetë pjesë e kabinetit të ri, por do të qëndrojë në parlament si deputet.

Dhoma e ulët e Parlamentit të Gjermanisë do të mblidhet nga ora 09:00 të martën për një seancë në të cilën pritet që deputetët ta zgjedhin Merzin si kancelarin e 10-të të Gjermanisë moderne.

Pasi kreu i shtetit gjerman, presidenti Frank-Walter Steinmeier, ta ketë konfirmuar votimin, Merz pritet ta bëjë betimin në mesditë.

Zelensky akuzon “disa figura” në Evropë se po bllokojnë rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi “disa figura” në Evropë se po bllokojnë rrugën e vendit të tij drejt anëtarësimit në BE “për hir të vendeve më të mira në Sheshin e Kuq”.

“Na vjen keq që disa figura në Evropë po e bllokojnë këtë proces. Jo për hir të interesave të vendeve të tyre, por për hir të fitimit të një vendi më të mirë në podium në Sheshin e Kuq”, tha Zelensky gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin çek Petr Pavel në Pragë, pa zbuluar ndonjë figurë apo vend specifik.

Komentet e Zelensky-t vijnë përpara një parade ushtarake vjetore që do të mbahet në Sheshin e Kuq të Moskës më 9 maj, si pjesë e festimeve që shënojnë 80-vjetorin e Ditës së Fitores.

Dita e Fitores është një festë që festohet në Rusi dhe në vende të ndryshme ish-sovjetike më 9 maj në përkujtim të dorëzimit të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, një konflikt që Rusia zyrtarisht e quan Lufta e Madhe Patriotike.

“Dhe për të gjithë ne në Evropë, është e rëndësishme që vlerat evropiane të dominojnë vërtet. Vlerat, jo tekat e politikanëve individualë”, tha Zelensky, duke vënë në dukje gatishmërinë e Kievit për të hapur grupet e para në procesin e pranimit të Ukrainës në BE këtë vit. bw

Zelensky: Nuk do të luaj lojërat e Putinit me armëpushime të shkurtra

Radio Evropa e Lirë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e refuzoi armëpushimin treditor të shpallur nga udhëheqësi rus, Vladimir Putin, duke e quajtur atë një shfaqje teatrale, por theksoi se Kievi është i gatshëm për një armëpushim të plotë.

Rusia deri tani ka refuzuar një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, të propozuar nga Kievi dhe Uashingtoni, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë dhënien fund të pushtimit trevjeçar rus të Ukrainës.

“Kjo është më shumë një shfaqje teatrale nga ana e tij. Sepse në dy apo tre ditë është e pamundur të hartohet një plan për hapat e ardhshëm për t’i dhënë fund luftës”, tha Zelensky.

Zelensy i bëri këto deklarata të premten për një grup të vogël gazetarësh, deklarata që ishin nën embargo deri të shtunën.

Zelensky tha se Ukraina nuk do të “luajë lojëra për të krijuar një atmosferë të këndshme që t’i mundësojë Putinit të dalë nga izolimi më 9 maj”, kur disa udhëheqës të huaj pritet të shkojnë në Moskë për të marrë pjesë në ngjarjet kushtuar fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë Naziste më 1945.

Propozimi i Rusisë shihet në Ukrainë si një përpjekje për të penguar Kievin të godasë Moskën gjatë festës, e cila përfshin një paradë madhështore ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës dhe një fjalim të udhëheqësit rus drejtuar kombit.

Ukraina ka goditur Moskën disa herë gjatë pushtimit, si dhe ka shënjestruar objektiva të tjera në mbarë territorin rus.

Sipas Kremlinit, udhëheqës të rreth 20 vendeve, përfshirë presidentin kinez, Xi Jinping, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë në kremtimin e këtij viti.

Zelensky tha se disa vende i janë drejtuar Kievit duke paralajmëruar se do të udhëtojnë drejt Rusisë dhe kanë kërkuar garanci për sigurinë e tyre.

“Qëndrimi ynë është shumë i thjeshtë ndaj të gjitha vendeve që kanë udhëtuar apo do të udhëtojnë në Rusi më 9 maj, ne nuk mund të marrim përgjegjësi për atë që ndodh në territorin e Federatës Ruse”, u përgjigj ai.

“Ata po kujdesen për sigurinë tuaj”, shtoi Zelensky, duke paralajmëruar se Rusia “mund të ndërmarrë hapa të ndryshëm nga ana e saj, si zjarrvënie, shpërthime e të tjera, dhe më pas të na fajësojë neve”.

Zyrtarët rusë kanë premtuar festime madhështore për 9 maj, gjatë të cilave pritet që Putin të kërkojë mbështetje për trupat e tij që luftojnë në Ukrainë që nga viti 2022, kur nisi pushtimi në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Trupat ruse kanë bërë përparime në disa pjesë të vijës së frontit, ndërkohë që Moska dhe Kievi kanë intensifikuar sulmet ajrore.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mund të heqin dorë nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim nëse nuk shohin përparim konkret.

Uashingtoni po synon “një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm, si dhe përfundimin e konfliktit”, dhe jo thjesht “një moment treditor” deklaroi këtë javë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.

Rubio e kritikoi për “tirani të maskuar”, Gjermania mbron klasifikimin “ekstremist” të AfD-së

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka mbrojtur vendimin për ta klasifikuar partinë Alternative për Gjermaninë (AfD) si ekstremiste të krahut të djathtë, pas kritikave të ashpra nga Shtëpia e Bardhë.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, akuzoi “burokratët” për rindërtimin e Murit të Berlinit, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e kritikoi këtë përcaktim si “tirani e maskuar”.

Në një veprim të pazakontë, Ministria e Jashtme iu përgjigj drejtpërdrejt Rubios në X, duke shkruar: “Kemi mësuar nga historia jonë se ekstremizmi i krahut të djathtë duhet të ndalet.”

Agjencia e inteligjencës që bëri klasifikimin zbuloi se “kuptimi mbizotërues i AfD-së për njerëzit bazuar në etni dhe prejardhje” shkon kundër “rendit të lirë demokratik” të Gjermanisë. bw

Anëtari i PE-së mbështet PD- Kols: Populli meriton udhëheqje që forcon ekonominë dhe ndërton besim tek institucionet

Mbështja për liderin demokrat Sali Berisha nga ndërkombëtarët sa vjen e rritet. Pas shumë emrave të eurodeputetëve të PE dhe jo vetëm që e kanë mbështetur fuqimisht kryedemokratin Sali Berisha në këto zgjedhje parlamentare të 11 majit, në krah të tij ka dalë edhe Rihards Kols, anëtar i Parlamentit Europian, i cili përmes një video-mesazhi shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

Sipas Kols, Shqipërisë i nevojiten vlerat e demokracisë dhe intergimi evropian, dhe jo një gjyqësor që përdoret për interesa politike dhe jo për vetë drejtësinë.

‘Nuk ka të bëjë vetëm me procesin politik, kjo ka të bëjë me drejtimin që merr një komb që ka punuar shumë për të lënë pas të kaluarën autoritare dhe për të përqafuar vlerat e demokracisë dhe të integrimit evropian. Por shqetësimet mbeten. Korrupsioni, përqendrimi i pushtetit, erozioni i pavarëisë institucionale, një gjyqësor nqë duhet t’i shërbejë drejtësisë dhe jo politikës dhe zgjedhjet që duhet të jenë vërtet të lira dhe të ndershme. Sepse pa besim te vota, demokracia nuk mund të funksionojë’, thuhet në video-mesazhin e Kols.

‘Sundimi i ligjit, përgjegjshmëria, liria ekonomike, dhe respekti për normat demokratike. Potenciali ekziston’, janë disa prej mesazheve që anëtari i PE-së jep në prag të zgjedhjeve në Shqipëri, duke shtuar se populli shqiptar, meriton një udhëheqje që e pasqyron këtë potencial.

‘Europa po ju vështron me shumë vëmendje dhe me shpresë. E ardhmja e Shqipërisë në BE, varet jo vetëm nga reformat e shkruara në ligje, por nga reformat e zbatuara në praktikë: sundimi I ligjit, përgjegjshmëria, liria ekonomike, dhe respekti për normat demokratike. Potenciali ekziston. Populli i Shqipërisë meriton një udhëheqje që e pasqyron këtë potencial. Një qeverisje që I shërben interesit publik, forcon ekonominë dhe ndërton besim tek institucionet. 11 maji nuk eshtë fundi i procesit, por një provë përkushtimi. Shpresoj për një Shqipëri të fortë, demokratike, që i përket plotësisht familjes europiane”, përmbyll mesazhin e tij, anëtari i PE-së, Richard Kols. sn

Lordi britanik deklaron mbështetjen për PD-në në zgjedhje: Është koha për ndryshim në Shqipëri

Kryetari demokrat, Sali Berisha, publikoi një video të Daniel Hannan, lord britanik, i cili deklaron mbështetjen e tij për PD-në dhe opozitën në këto zgjedhje.

“Daniel Hannan, anëtar i Dhomës së Lordëve në Parlamentin Britanik, mbështet Partinë Demokratike dhe Aleancën opozitare për një “Shqipëri Madhështore”.

Mesazhi i tij është i qartë: “Duhet të ketë zero tolerancë ndaj lidhjeve midis politikanëve dhe grupeve të krimit të organizuar.”

Bota na sheh. Koha për t’u ngritur dhe për ta pastruar politikën nga krimi. VOTO 1 – PD dhe ASHM!” shkruan Berisha.

MESAZHI

Unë quhem Daniel Hannan dhe jam anëtar i Dhomës së Lordëve në Parlamentin Britanik.

Kam pasur kënaqësinë të vizitoj Shqipërinë në disa raste dhe gjithmonë ky vend më ka lënë mbresa për historinë mrekullibërëse të rimëkëmbjes nga tirania komuniste.

Pak vende kanë vuajtur nga ndonjë diktaturë më e egër se kjo dhe pak vende janë rimëkëmbur në mënyrë kaq mbresëlënëse.

Por që kjo mrekulli të vazhdojë, tani është e nevojshme që të ndodhë një ndryshim.

Duhet të ketë zero tolerancë ndaj lidhjeve midis politikanëve dhe grupeve të krimit të organizuar.

Duhet të theksohen të drejtat e pronësisë dhe kontratat e lira, tregjet e lira dhe të drejtat e njeriut.

Dhe kjo do të ndodhë vetëm nëse ka një ndryshim të vërtetë politik.

Prandaj për këtë arsye unë e mbështes Partinë Demokratike dhe koalicionin.

Është koha për ndryshim në Shqipëri.

sn

Francë, zbulohet depozita më e madhe e hidrogjenit në botë, me vlerë 92 trilionë dollarë

Një zbulim i madh në Francë mund të ndryshojë të ardhmen e energjisë. Shkencëtarët kanë zbuluar një depozitë masive natyrore hidrogjeni nën tokën e Folschviller, një qytet në rajonin e Moselle. Kjo rezervë e fshehur, e vlerësuar në 46 milionë tonë hidrogjen, ka potencialin të transformojë tregun global të energjisë.

Zbulimi, i cili mund të riformësojë tranzicionin energjetik, u bë nga studiues të laboratorit GeoRessources dhe CNRS . Fillimisht ata po kërkonin metan, një nënprodukt të zakonshëm të qymyrit, kur hasën në një burim edhe më të vlefshëm: hidrogjenin e bardhë .

Ky hidrogjen, që gjendet natyrshëm nën tokë, është krejtësisht i ndryshëm nga hidrogjeni i gjelbër dhe gri i njohur zakonisht . Studiuesit zbuluan se ky hidrogjen natyror është varrosur në një thellësi prej 1,250 metrash, shumë poshtë sipërfaqes. Për ta vënë këtë në perspektivë, madhësia e depozitës përfaqëson më shumë se gjysmën e prodhimit vjetor botëror të hidrogjenit gri.

Megjithatë, ndryshe nga hidrogjeni gri, ky burim natyror nuk çliron emetime të dëmshme karboni. Kjo e bën atë një mundësi më të pastër dhe më efikase krahasuar me metodat tradicionale të prodhimit të hidrogjenit.

Hidrogjeni është konsideruar prej kohësh një pjesë thelbësore e zgjidhjeve për energjinë e pastër. Ndryshe nga lëndët djegëse fosile, kur hidrogjeni digjet, ai nuk prodhon dioksid karboni (CO₂), gazin kryesor serrë përgjegjës për ndryshimet klimatike.

Megjithatë, prodhimi i hidrogjenit të gjelbër nëpërmjet elektrolizës është i kushtueshëm dhe kërkon shumë energji, duke u mbështetur shumë në energjinë elektrike të rinovueshme. Nga ana tjetër, hidrogjeni gri , i prodhuar nga lëndët djegëse fosile, krijon emetime të konsiderueshme të CO₂.

Hidrogjeni i bardhë , forma e hidrogjenit e zbuluar në Lorena, nuk i ka këto të meta. Ai formohet natyrshëm thellë nën tokë dhe është i disponueshëm pa kërkuar ndonjë prodhim industrial.

Kjo mund të eliminojë nevojën për infrastrukturë të kushtueshme dhe procese që kërkojnë shumë energji, duke ofruar një alternativë me kosto të ulët dhe miqësore me mjedisin ndaj hidrogjenit tradicional.

Zbulimi në Lorena mund të jetë çelësi për të hapur një valë të re të prodhimit të hidrogjenit në mbarë botën, duke anashkaluar potencialisht kostot dhe ndikimin mjedisor të hidrogjenit të gjelbër dhe gri. Nëse depozita të ngjashme ekzistojnë në pjesë të tjera të botës, ky zbulim mund të ndikojë ndjeshëm në peizazhin global të energjisë.

Ky zbulim mund ta vendosë Francën në ballë të revolucionit global të hidrogjenit . Dikur një fuqi industriale e njohur për industritë e saj të qymyrit dhe çelikut, rajoni i Lorenës tani e gjen veten me një mundësi unike.

Rezervat natyrore të hidrogjenit mund ta bëjnë atë një lider në prodhimin e hidrogjenit, duke nxitur ekonominë lokale dhe duke krijuar vende të shumta pune të reja. Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi Franca synon të zvogëlojë varësinë e saj nga lëndët djegëse fosile të importuara dhe të udhëheqë tranzicionin e Evropës drejt energjisë së rinovueshme.

Nëse vendi përfiton nga ky zbulim, ai mund të sigurojë vendin e tij si një lojtar dominues në sektorin e energjisë së pastër, duke u pozicionuar përpara kombeve të tjera që ende varen nga metodat e shtrenjta të prodhimit të hidrogjenit.

Zbulimi i kësaj depozite të madhe hidrogjeni ngre gjithashtu një pyetje të rëndësishme: sa rezerva të tjera të pashfrytëzuara të hidrogjenit ndodhen nën sipërfaqen e Tokës? Studiuesit tani po eksplorojnë mundësinë që rajone të tjera, si në Evropë ashtu edhe më gjerë, të përmbajnë depozita të ngjashme.

Ndërsa kombet anembanë botës investojnë në studime gjeologjike, ato mund të zbulojnë rezervat e tyre natyrore të hidrogjenit. Kjo mund të çojë në një ndryshim në ekuilibrin e fuqisë energjetike, duke përshpejtuar largimin global nga lëndët djegëse fosile drejt burimeve më të pastra dhe më të qëndrueshme të energjisë.

Hulumtimet janë duke vazhduar për të përcaktuar mënyrat më efikase për të nxjerrë dhe ruajtur hidrogjenin e gjetur në Lorena. Shkencëtarët po punojnë gjithashtu në zhvillimin e teknologjive për të matur dhe eksploruar rezerva të ngjashme në thellësi më të mëdha, të cilat mund të ofrojnë depozita edhe më të mëdha të hidrogjenit natyror.

Rezoluta e PPE-së: Zgjedhjet po minohen nga manipulimi e abuzimi me pushtetin! Drejtësia, e kapur

Ndërsa Shqipëria i afrohet zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Partia Popullore Evropiane (EPP) ngre shqetësimin për situatën politike në vend.

Rezoluta e miratuar sot, 30 prill 2025, nga Partia Popullore Europiane shpreh shqetësimin se zgjedhjet po minohen nga manipulimi dhe abuzimi me pushtetin; se pluralizmi politik po shtypet përmes presionit institucional dhe se shteti ligjor nuk garantohet për shkak të kapjes së drejtësisë dhe pandëshkueshmërisë.

“Duke marrë parasysh vullnetin e fortë dhe aspiratat evropiane të popullit shqiptar, si dhe të partisë sonë anëtare shqiptare brenda EPP-së;

Duke iu referuar Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Vendore në Shqipëri (2023) dhe për Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2021;

Duke u mbështetur në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2023; Indeksin e Projektit Botëror për Drejtësinë për vitin 2024; dhe Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri për vitin 2023;

Duke përshëndetur vendimin e Këshillit Evropian për të hapur negociatat për Kapitujt me Shqipërinë, të kushtëzuara me zbatimin e reformave demokratike të nevojshme;

Ndërsa Shqipëria i afrohet zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Partia Popullore Evropiane (EPP) shpreh shqetësimin e saj për situatën aktuale politike. Raportet e përmendura më sipër kanë evidentuar shkelje serioze, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, blerjen e votës, cenimin e fshehtësisë dhe lirisë së votimit, si dhe njëanshmërinë mediatike. Vëzhgimet më të fundit dhe burimet e sipërpërmendura mbërrijnë në përfundimin se zgjedhjet po minohen nga manipulimi dhe abuzimi me pushtetin; se pluralizmi politik po shtypet përmes presionit institucional dhe se shteti ligjor nuk garantohet për shkak të kapjes së drejtësisë dhe pandëshkueshmërisë.”

PD, evidentohet në raport, ka depozituar mbi 100 ankesa zyrtare në KQZ, përfshirë blerje votash, punësime selektive, përdorim të pasurive publike dhe manipulime në administratë.

Më shumë se 100 ankesa zyrtare janë paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke dokumentuar shkelje të dyshuara sistematike dhe të qëllimshme, përfshirë:
⦁ Blerje votash përmes shpërblimeve në para dhe kultivimit të kanabisit;
⦁ Punësime dhe praktika prokurimi elektorale në favor të mbështetësve të Partisë Socialiste;
⦁ Abuzim me funksionet publike dhe median;
⦁ Emërim i paligjshëm i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt, pa një proces demokratik, me qëllim kontrollin e burimeve bashkiake për fushatën e vitit 2025;
⦁ Kërcënime dhe ndjekje penale ndaj kandidatëve të opozitës

Shkarko dokumentin: Rezoluta e PPE-së për Shqipërinë, 30 prill 2025

Shqipëria pranohet si vend pjesëmarrës i asociuar në nismën e “Tri Deteve”- Presidenti Begaj: Prania jonë konsolidon më tej krahun juglindor të kësaj iniciative

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri të ditur sot nga Varshava pranimin e  Shqipërisë si vend pjesëmarrës i asociuar në Nismën e “Tri Deteve”, një platformë e përbërë nga shtetet e BE-së që ndodhen midis Detit Baltik, Detit të Zi dhe Adriatikut.

 

Gjatë Samitit të “Three Seas Initiative” të mbajtur sot në Poloni, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në këtë platformë strategjike.

“Prania jonë brenda Iniciativës së Tri Deteve do të konsolidonte më tej krahun juglindor të kësaj iniciative dhe do të shtonte rolin e saj në perspektivën strategjike, veçanërisht në çështjet e bashkëpunimit për siguri, qëndrueshmërisë demokratike dhe koordinimit transatlantik”, – deklaroi Presidenti Begaj para liderëve të vendeve anëtareve dhe partnerëve strategjikë të nismës.

Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe në negociata të frytshme për anëtarësim në BE, me praninë e saj i garanton Iniciativës së Tri Deteve konsolidim dhe sjell përparim të përbashkët.

Presidentit Begaj theksoi edhe një herë rolin e Shqipërisë si kontribuese e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe një urë lidhëse midis Evropës Juglindore dhe hapësirës Euroatlantike.

Gjatë fjalës së tij në samitin, Presidenti Begaj deklaroi se Shqipëria është e qartë dhe e vendosur për të qenë pjesë e Iniciativës së Tri Deteve, pasi beson fort në vlerat themelore të këtij projekti dhe një aspiratë e tillë bazohet në bindje dhe kontribut.

Ndërsa e cilësoi Iniciativën e Tri Deteve si një shtyllë të domosdoshme për qëndrueshmërinë kontinentale përballë pasigurive gjeopolitike, Presidenti i Republikës u shpreh: “Ne besojmë se kjo platformë ofron mundësi konkrete për përparim të përbashkët dhe po ashtu jemi më se të bindur se Shqipëria do të ishte një vlerë e shtuar për iniciativën, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik”.

Kreu i Shtetit renditi hapat e fundëm të Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke rikonfirmuar vullnetin e Shqipërisë për mbylljen e tyre brenda dy viteve dhe anëtarësimin e plotë në Union në vitin 2030.

Duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes përmes projekteve, Presidenti Begaj nënvizoi gjatë fjalës në samit se Shqipëria është e angazhuar në zhvillimin e infrastrukturës në sektorët e energjisë, transportit dhe digjitalizimit.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e shfrytëzoi këtë samit për të patur takime dy palëshe me homologë të tij si edhe me personalitete të larta të vendeve pjesëmarrëse. Panorama

“Shqipëria sot, ndër eksportuesit kryesorë të krimit”, Berisha në Kongresin e EPP në Valencia: Narkoshteti është kthyer në makineri zgjedhore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane (EPP), i cili u mbajt në Valencia, Spanjë, ku mbajti një fjalim të ashpër ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama.

Në deklaratat e tij, Berisha e cilësoi Ramën si një “narkodiktator”, duke e akuzuar për shtypje të lirisë së fjalës, përndjekje të opozitës dhe lidhje me krimin e organizuar.

“Ai bllokoi TikTok-un për ta kthyer Shqipërinë në një version të Terehanit apo Kabulit. Tre kryetarë opozitarë janë arrestuar vetëm sepse janë kundërshtarë politikë. Fredi Beleri u ndëshkua sepse refuzoi t’i jepte tokë familjes së Ramës,” tha Berisha para delegatëve të EPP-së.

Ai përmendi gjithashtu çështjen McGonigal, duke akuzuar Ramën se ka korruptuar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së për të vepruar kundër opozitës shqiptare. “Nuk ishte i vetmi që mori ryshfet për këtë qëllim,” shtoi ai.

Berisha ngriti alarmin edhe për situatën sociale dhe demografike në vend, duke deklaruar se Shqipëria ka sot një nga normat më të ulëta të lindjeve në botë, dhe është shndërruar në një eksportues të krimit ndërkombëtar.

Sa i përket zgjedhjeve, ai akuzoi qeverinë për mbylljen e debateve televizive dhe shpërndarje dhuratash për pensionistët, duke e quajtur këtë një “makineri zgjedhore të narkoshtetit”. bw

Gjermani, ky është ekipi i CDU-së i Friedrich Merzit

Johann Wadephul, pro-ukrainas, do të jetë përgjegjës për Punët e Jashtme – Alexander Dobrindt i CSU-së do të jetë përgjegjës për Punët e Brendshme

VOAL- Lista e ministrave të zgjedhur nga kancelari gjerman në detyrë Friedrich Merz dhe kreu i CDU-së është zyrtare. Siç ishte parashikuar tashmë nga media gjermane ditët e fundit, Johann Wadephul është zgjedhur për Ministrinë e Jashtme, duke e bërë atë përfaqësuesin e parë të CDU-së që mban këtë rol në gati 60 vjet. Wadephul është pro-ukrainas dhe njihet për thirrjet e tij për më shumë ndihmë ushtarake për Kievin. Alexander Dobrindt i CSU-së është caktuar në Ministrinë e Brendshme. Ish-deputetja e CDU-së, Katherina Reiche, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë. Patrick Schnieder do të jetë përgjegjës për transportin, Nina Warken do të jetë përgjegjëse për shëndetësinë, Thorsten Frei do të jetë ministër i kancelarisë dhe Karin Prien do të jetë ministre e arsimit. Do të ketë edhe pesë ministra shteti: botuesi Wolfram Weimar për Kulturën, Christiane Schenderlein për Sportin, Michael Meister për bashkëpunimin midis shtetit dhe shteteve federale, Serap Gueler dhe Gunther Kirchbaum për Punët e Jashtme.  ATS/RSI

FOTO/ Funerali i Papa Françeskut, Vjosa Osmani shtrëngon duart me presidentin e SHBA Donald Trump para ceremonisë

Presidentja Vjosa Osmani është takuar shkurtimisht me presidentin amerikan Donald Trump dhe Zonjën e Parë Melania Trump dhe kanë shtrënguar duart para fillimit të ceremonisë së varrimit të Papës.

Nga Kosova, përveç Osmanit atje është edhe kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti.

Të dy ata arritën më herët në sheshin Shën Pjetri në Vatikan.

Vjosa 3 479x600

Në këtë shesh arritën më shumë se 50 liderë shtetesh dhe mijëra besimtarë për nderimet e fundit të Papa Françeskut.

Në Romë janë mbledhur liderë botërorë për funeralin e Papa Françeskut. bw

Zelensky kërkon nga Rusia t’i kthejë fëmijët ukrainas

Një kolazh fotografish që përfshijnë militarizimin e fëmijëve ukrainas në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë.

 

Radio Evropa e Lirë

Vladyslav Rudenko ishte 16-vjeçar kur u kap nga forcat ruse dhe u mbajt për nëntë muaj në kampet për fëmijë në Krimenë dhe Hersonin e pushtuar nga Rusia.

Për dallim nga 20.000 të rinj të tjerë ukrainas, Rudenko u shpëtua nga organizata joqeveritare “Save Ukraine” dhe u kthye në territorin e kontrolluar nga Ukraina pas nëntë muajsh në robëri.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë të tjerë ukrainas, thonë në qendër të vëmendjes së tyre tani është fati i atyre mijëra fëmijëve, shumë prej të cilëve mbesin në zonat e pushtuara nga Rusia, në ato që Moska i quan “qendra rehabilitimi”.

Ky krim duhet të hetohet plotësisht dhe përgjegjësit duhet të japin llogari”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha gjatë fundjavës, si pjesë e nisjes së fushatës #ChildrenAreNonNegotiable.

“Paqja e drejtë dhe e qëndrueshme kërkon kthimin në shtëpi të të gjithë këtyre fëmijëve ukrainas”, shtoi ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka bërë përfundimin e konfliktit më të gjatë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore ndër synimet kryesore të politikës së tij të jashtme prej se e mori detyrën tre muaj më parë.

Derisa bisedimet zhvilluar në lidhje me çështje të ndryshme dhe ndjeshme, çështja e riatdhesimit të të gjithë atyre që janë marrë nga Ukraina ka qenë ndër temat kryesore të negocimit nga zyrtarë ukrainas.

Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Moskën për orkestrimin e atij që disa grupe e kanë quajtur “dëbim sistematik” të fëmijëve nga Ukraina drejt pjesëve të vendit të kontrolluara nga Rusia, apo edhe përtej, në Rusi dhe aleaten e saj, Bjellorusi.

Prova të mbledhura vitin e kaluar nga Shërbimi bjellorus dhe ai ukrainas i Radios Evropa e Lirë sugjeruan se kampet po përdoren për t’i mësuar të rinjtë ukrainas ta identifikojnë veten me koncepte që promovohen nga Moska dhe Minsku.

Kjo erdhi pas një studimi të nëntorit 2023 nga Laboratori i Kërkimeve Humanitare i Shkollës së Shëndetit Publik të Yale, i cili gjeti se udhëtimet e shoqëruara të nxënësve ukrainas në Bjellorusi po koordinoheshin nga Bjellorusia dhe Rusia si pjesë e të ashtuquajturit Shtet i Bashkuar mes dy vendeve.

Studimi gjeti se ky proces përfshin “riarsimim”, apo “promovim i mesazheve ose ideve kulturore, historike, shoqërore dhe patriotike që i shërbejnë interesave politike” të dyja regjimeve.

Sipas raportit, stërvitje ushtarake, përfshirë nga trupa të Ministrisë së Brendshme, janë zhvilluar me “të paktën gjashtë grupe fëmijësh”.

Rudenko i tha Shërbimit ukrainas të REL-it në fillim të këtij muaji se gjatë kohës sa ishte mbajtur nga autoritetet ruse, rutina e tij e përditshme kishte orientim të qartë.

“Zgjoheshim me himnin rus, ngrinim flamurin, dhe bënim ushtrime. Pas mëngjesit, na tregonin çfarë kishte ndodhur gjatë natës në Rusi. Fjalë për fjalë. Pastaj shikonim filma rusë”, tha ai, duke përshkruar regjimin gjatë qëndrimit në kampe.

Sipas Laboratorit Humanitar të Yale, më shumë se 8.400 fëmijë nga Ukraina janë zhvendosur sistematikisht në të paktën 57 qendra: 13 qendra në Bjellorusi dhe 43 qendra në Rusi apo në territore të pushtuara nga Rusia.

Sipas portalit zyrtar të Qeverisë ukrainase childrenofëar.gov.ua, numri është shumë më i madh – rreth 20.000 – ndërsa vetëm 1.300 fëmijë janë kthyer me sukses.

Ngërçi në Kuvend, BE: Është thelbësore për Kosovën të formojë qeverinë e re me shpejtësi

Bashkimi Evropian ka thënë se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

“Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës”, tha Zyra e BE-së në Prishtinë në një përgjigje të shkruar për Radion Evropa e Lirë të premten.

Ajo tha se BE-ja po i ndjek nga afër zhvillimet lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe shpreson se ky proces do të përfundojë së shpejti.

Kosova dështoi ta konstituojë Kuvendin e ri dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Por, kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi.

Të enjten, ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Prishtinë u bënë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare.

Kurti i kishte takuar javën e kaluar edhe liderët e 10 partive të pakicave joserbe në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por nuk është e qartë ende nëse e ka mbështetjen e të gjitha atyre.

Zyra e BE-së tha se blloku është i gatshëm për të punuar ngushtë me qeverinë e ardhshme, sapo të formohet ajo, dhe për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian./ REL

Kosova përfshihet në listën e vendeve “të sigurta” të BE-së

Radio Evropa e Lirë

Kosova është përfshirë në listën e Bashkimit Evropian prej shtatë vendesh që konsiderohen “të sigurta”, në përpjekje për të përshpejtuar kthimin e emigrantëve, dhe duke e bërë më të vështirë për qytetarët e atyre vendeve të kërkojnë azil në bllok, raporton AFP.

Komisioni Evropian tha se po propozon që Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia të shpallen si “vende të sigurta të origjinës”.

“Shumë shtete anëtare po përballen me një numër të madh aplikimesh të papërpunuara për azil, ndaj gjithçka që mund të bëjmë tani për të mbështetur marrjen më të shpejtë të vendimeve për azil është thelbësore”, tha Magnus Brunner, komisioneri i BE-së për migracionin, teksa e paraqiti listën e shteteve.

Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të bien dakord për këtë propozim.

Azilkërkuesit që shkojnë në BE nga këto shtatë vende mund të përballen me refuzimin e kërkesave të tyre dhe potencialisht me një urdhër kthimi, sipas rregullave të reja të BE-së.

Numri i azilkërkuesve nga Kosova në BE është rritur pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024.

Më shumë kërkesa për azil ka pasur vetëm në vitet 2015/2016 kur dhjetëra mijëra kosovarë kanë emigruar drejt BE-së përmes rrugëve ilegale të Hungarisë.

Franca ka qenë destinacion kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE qysh nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.

Brukseli ka qenë nën presion që të frenojë migrimin e paligjshëm dhe të lehtësojë procesin e dëbimit, teksa përkeqësimi i opinionit publik sa i përket migracionit ka nxitur rritjen e të djathtës ekstreme në disa shtete.

Të udhëhequr nga shtete me qëndrim të ashpër si Suedia, Italia, Danimarka dhe Holanda, udhëheqësit e BE-së në tetor kërkuan hartimin e një legjislacioni të ri me qëllim që të rriten dhe përshpejtohen dëbimet e migrantëve, por edhe kërkuan nga Komisioni që të vlerësojë mënyra “inovative” për të luftuar migracionin e paligjshëm.

Si përgjigje ndaj këtyre kërkesave, muajin e kaluar Komisioni prezantoi një reformë të në sistemin e dëbimeve, reformë që i hapi rrugën që shtetet anëtare të krijojnë qendra për kthimin e migrantëve jashtë BE-së.

Aktualisht, më pak se 20 për qind e personave që janë urdhëruar që të largohen nga blloku janë kthyer në vendet e tyre të origjinën, thuhet në të dhënat e BE-së.

Edhe presidenti i Këshillit Europian rrëzon fushatën e Ramës: Këto janë ambicie…

Edhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa rrëzon fushatën propagandistike të Edi Ramës për integrimin.

Kryeministri flet me data konkrete, por Costa tha në Bruksel gjatë një prononcimi për mediat se këto janë thjesht ambicie.

Më herët, kryediplomatja e BE, Kaja Kallas tha të njëjtën gjë, që reformat janë të vështira dhe duhet të jenë gjithëpërfshirës. Sipas saj, pretendimet e Ramës janë ambicie.

“Sot po çelim një grup-kapitull tjetër dhe ambicia është që të çelim edhe më tej grup-kapituj për të negociuar gjatë këtij viti, sepse kemi një kalendar shumë konkret dhe duam që ta realizojmë.

Kjo është shumë e rëndësishme për BE, për Shqipërinë, shenjë mjaft e rëndësishme edhe për të gjithë rajonin sepse mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është anëtarësimi në Bashkimin Europian,” tha Costa. sn

Kallas: Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten

Radio Evropa e Lirë

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, andaj kërkoi që të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut.

“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”, tha Kallas para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme që mbahet në Luksemburg.

Kallas nuk përmendi shtetet, që sipas saj po rriten tensionet. Por, së voni në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë ndërmarrë disa veprime, që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për shkëputjen e mundshme të këtij entiteti serb nga Bosnja.

NATO ka thënë se nuk do të lejohet që të rrezikohet paqja në Bosnje, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po shqyrtojnë disa opsione veprimi, duke theksuar se nuk duhet të ndodhë “shpërbërja e vendit dhe një konflikt i ri”.

Po ashtu, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë – që dialogojnë për normalizim të raporteve që nga viti 2011 në Bruksel – janë të larta qysh në vitin 2023, kur kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Ndërkaq, kryediplomatja evropiane tha po ashtu se një natë më parë ka pasur “darkë shumë të mirë me miqtë tanë” nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë darkë, Kosova është përfaqësuar nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Përveç pjesëmarrjes në darkë, Gërvalla dhe Kallas kanë zhvilluar edhe një takim të ndarë.

Kryediplomatja Gërvalla tha se i ka kërkuar Kallasit që të trajtohet si “partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese”.

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – Kosova është e fundit sa i përket rrugëtimit të saj drejt BE-së.

“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin”, tha Gërvalla përmes një postimi në Facebook.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar nga autoritetet në Bruksel. Kosova po ashtu është e vetmja në rajon që nuk e ka statusin e shtetit kandidat.

Përdhunues, drogaxhinj, të rrezikshëm për shoqërinë: Ja kush janë 40 migrantët që ka marrë Rama nga Italia

Zbulimet mbi identitetin e emigrantëve të paligjshëm të dërguar në Shqipëri nga anija Libra e Marinës Ushtarake, raportojnë mediat italiane.

Njëri prej tyre është i parregullt që prej vitit 2016 dhe nuk ka dashur kurrë të marrë leje qëndrimi.

Kush janë 40 emigrantët e paligjshëm që janë subjekt i një urdhri dëbimi për shkak se përbëjnë rrezik për shoqërinë dhe për këtë arsye janë transferuar në qendrën e pritjes në Gjader të Shqipërisë me anijen Libra të Marinës Ushtarake?

Sipas informacioneve të para të dala në dritë, të paktën 60% e këtyre migrantëve kanë precedentë penalë për vepra të shumta penale: ka nga ata që janë dënuar për tentativë vrasjeje, pesë prej tyre janë shpallur fajtorë për dhunë seksuale, shumë të tjerë kanë vendime gjyqësore të formës së prerë për joshje të të miturve, trafik droge dhe krime kundër personit ose pasurisë, sipas të dhënave nga baza kombëtare e të dhënave të policisë.

Një gjë kanë të përbashkët: të gjithë, të paktën një herë, kanë dhënë identitet të rremë. Sipas ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, këta emigrantë janë përzgjedhur për t’u mbajtur në qendrat e pritjes (CPR) duke u dhënë përparësi atyre që, përveçse janë të paligjshëm sepse nuk kanë leje qëndrimi, janë të rrezikshëm për shoqërinë për shkak të precedentëve të tyre penalë.

Ligji e përcakton qartë: midis atyre që duhet të mbahen në qendrat e pritjes para dëbimit, duhet të ketë përparësi ata që konsiderohen kërcënim për rendin dhe sigurinë publike, ose që janë dënuar, edhe me vendim jo përfundimtar, për vepra penale për të cilat parashikohet arrestimi i detyrueshëm në flagrancë ose që shkaktojnë shqetësim të madh shoqëror – sqaroi ministri në një konferencë shtypi në Napoli pas një takimi me vendet partnere të Mesdheut (Spanja, Greqia, Malta dhe Qipro).

Prej këtu vjen edhe nevoja për transferimin e tyre me pranga plastike, pasi bëhet fjalë për “persona të transferuar në një gjendje të kufizimit të lirisë personale, edhe si rezultat i një vendimi të marrë nga autoriteti gjyqësor”.

Ndër migrantët e dërguar në qendrën e pritjes në Shqipëri, ka të paktën katër që janë të konsideruar veçanërisht të rrezikshëm për shoqërinë. Njëri prej tyre, me origjinë nga Afrika Veriore, ishte liruar nga burgu më 30 mars për një bashkim dënimesh që përfshinte 1 vit, 5 muaj e 27 ditë burg për armëmbajtje pa leje, vjedhje dhe rezistencë ndaj punonjësit të policisë.

Ai ka disa dënime për vjedhje, grabitje, armëmbajtje pa leje dhe dhunë fizike. Mësohet se ka përdorur disa identitete të ndryshme dhe nuk ka tentuar asnjëherë të legalizojë qëndrimin e tij përmes kërkesës për leje qëndrimi – në thelb, ai ka qëndruar krejtësisht në ilegalitet që nga hyrja e tij në territorin italian.

Image

Gjermania furnizime të reja me armë për Ukrainën: Na duhet një Kiev i fortë!

Edhe pse vazhdimisht flitet për paqe të mundshme, luftimet në Ukrainë vazhdojnë. Për të mbrojtur më mirë vendin nga sulmet ruse, Gjermania planifikon të dërgojë një furnizim të ri të madh me armë.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) njoftoi një tjetër paketë furnizimesh me armë për Ukrainën nga Gjermania në një takim të Grupit të Kontaktit të Ukrainës në Bruksel (11.04.). Nuk ka asnjë provë për ndonjë rënie të luftimeve, tha Pistorius. Prandaj është plotësisht e qartë se duhet një Ukrainë e fortë ushtarakisht dhe që të ketë mbështetje. Vetëm atëherë do të hapet rruga për një zgjidhje paqësore.

Sipas informacioneve në media, Gjermania do të dërgojë brenda këtij viti në Ukrainë katër sisteme të tjera armatimi “IRIS-T” dhe 300 raketa, dhe 100 radarë vëzhgimi tokësor. Priten furnizime me dronë zbulimi, automjete luftarake këmbësorie Marder, sisteme artilerie etj.

Probleme me armët gjermane në Ukrainë?
Pasi SPD dhe Unioni ranë dakord për marrëveshjen e koalicionit, Pistorius foli për një fuqizim masiv të Bundeswehr-it. “Jemi në fillim të një epoke të re dhe do të duhet ta dëshmojmë veten në vitet e ardhshme”, tha ai. “Varet nëse do të arrijmë të bëhemi të aftë për parandalim dhe mbrojtje – dhe ta bëjmë këtë në unitet e në një kohë të shkurtër.”

Pistorius shprehu po ashtu habi për raportimet se ka probleme me armët gjermane në Ukrainë. “I lexova me habi raportet”, tha ai në margjinat e takimit në Bruksel. Ai shtoi se ishte në kontakte të rregullta me partnerët ukrainas dhe “nuk kam marrë asnjë raport si ky apo ankesa për materialet tona”. NDR, WDR dhe Süddeutsche Zeitung kishin raportuar, duke cituar një dokument të brendshëm të Bundeswehr-it, se ushtria ukrainase kishte probleme të mëdha me pajisjet ushtarake gjermane./DW

Koalicioni qeverisës në Gjermani hedh në erë propagandën e Ramës me pasaportën

Ndërsa Edi Rama është futur në fushatën elektorale të radhës pa program qeverisës për të disatën herë, dhe po përdor një super mashtrim për shqiptarët duke u premtuar se do u japë pasaportën europaine, koalicioni i ri i formuar në Gjermani, vendit kryesor të BE-së, rrëzon përrallat e Edi Ramës në Shqipëri, raporton media gjermane BILD, përcjell Syri.net.

Në marrëveshjen e lidhur mes CDU dhe SPD në Gjermani për qeverinë e re, një ndër pikat kryesore të marrëveshjes është bllokimi i zgjerimit të BE-së deri në një reformë të thellë brenda unionit.

Siç dihet, premtimi i Ramës është një tallje me shqiptarët të cilët i përze nga vendi prej 12 vjetësh nga keqqeverisja e tij dhe korrupsioni galopant, ndërsa për vete dhe taborin e tij ka krijuar narkoshtetin e vetëm në Europë. Propaganda e tij me pasaportën europiane ka rënë ende pa filluar zyrtarisht fushata, dhe premtimi i tij kryesor e nxjerr atë si një supermashtrues, duke premtuar gjëra që nuk i ka aspak në dorë. Sipas marrëveshjes së koalicionit të ri në Gjermani duket se zgjerimi i BE-së do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, të paktën deri në një reformi të thellë të BE-së. Edi Rama kishte në dorë të ndërtonte një Shqipëri të jetueshme në 12 vjet, por zgjodhi shpopullimin e vendit, vjedhjen e plaçkitjen e shqiptarëve duke menduar se mashtrimet e tij do të ecin edhe në këtë fushatë.

Më poshtë pika e marrëveshjes se koalicionit të ri gjerman publikuar nga gazeta BILD, ku edhe përmendet specifikisht Ballkani:

Asnjë zgjerim i BE-së pa ristrukturimin e BE-së

Kjo do të shkaktojë pakënaqësi, veçanërisht në Ballkan: qeveria e re në thelb po ndalon zgjerimin e BE-së. SEPSE: E bën një reformë thelbësore të BE-së dhe mekanizmave të saj vendimmarrëse kusht për pranimin e shteteve të reja anëtare si Kosova, Serbia apo Shqipëria, të cilat janë në listën e pritjes.

Në marrëveshjen e koalicionit thuhet: “Zgjerimi i BE-së dhe kapaciteti i saj për të thithur anëtarë të rinj duhet të ecin paralelisht. Prandaj, më së voni me zgjerimin e radhës, duhet një konsolidim i brendshëm dhe reformë e BE-së që e forcon atë institucionalisht”./BILD – Syri.net sn

Zelensky denoncon përfshirjen e Kinës në luftën me Rusinë, presidenti ukrainas: Ne kapëm disa ushtarë kinezë!

Presidenti ukrainas, Voldymyr Zelensky, thotë se dyshon se Kina është përfshirë në luftën Rusi-Ukrainë.

Dy shtetas kinezë u kapën gjatë luftimeve në Ukrainën lindore, tha sot Volodymyr Zelensky.

Forcat e Ukrainës luftuan me gjashtë ushtarë kinezë, me dy prej tyre që u morën peng, shtoi ai.

Për rrjedhojë Zelensky ka urdhëruar zyrtarët që të marrin një shpjegim nga Pekini.

Zelensky i bëri këto deklarata në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin belg Bart de Wever, duke theksuar nevojën për mobilizim të menjëhershëm ndërkombëtar dhe një rivlerësim të situatës nga partnerët perëndimorë të Ukrainës.

“Betejat u regjistruan në rajonin e Donetskut, në dy zona. Ushtarët ukrainas u përleshën me gjashtë ushtarë kinezë dhe kapën dy prej tyre. Ne kemi pasaporta, dokumente, madje edhe karta krediti në duart tona. Ata janë shtetas kinezë. Unë mendoj se ky është një element me rëndësi të madhe ,” tha presidenti ukrainas.

Zelensky theksoi se përfshirja e dukshme e Kinës në luftë në emër të Rusisë, krahas vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani , përbën një fakt të ri gjeopolitik, i cili duhet t’i shtyjë aleatët e Ukrainës të rishqyrtojnë qëndrimin dhe mbështetjen e tyre.

“Koreanët e Veriut po na luftonin në Kursk. Tani, kinezët po luftojnë në tokën ukrainase. Dhe kjo është diçka që duhet diskutuar urgjentisht me partnerët tanë. Ne jemi një vend i fortë, por nuk mund të luftojmë me shumë vende në të njëjtën kohë, të gjitha me objektiva në Ukrainë ,” vuri në dukje ai.

Presidenti ukrainas shprehu shpresën se ky zhvillim do të çojë në përfshirje më aktive të Shteteve të Bashkuara në bisedimet me Kievin, ndërsa kërkoi një përgjigje zyrtare nga Pekini .

“Kam udhëzuar ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes që të kontaktojnë homologët e tyre kinezë, duke kërkuar një shpjegim zyrtar për këto veprime”, tha Zelensky. gsh

“Qeveria ka bllokuar Tik Toku-n”, Sali Berisha denoncon në KE: Është instaluar pajisje DPI në Shqipëri për të kontrolluar internetin

Lideri i Opozitës, Sali Berisha, ka denoncuar para grupit konservator të KE-së faktin se Qeveria shqiptare ka instaluar pajisje DPI për të kontrolluar internetin pikërisht në prag të zgjedhjeve.

Denoncimi i Berishës:

“Ne kemi zgjedhje. Vëzhgimi juaj është shumë i rëndësishëm.

Tani, thashë diçka, por mediat janë 80%, më shumë se 80% të kontrolluara nga qeveria.

Në fund, njësoj si Habibullah-u i Kabulit, ai bllokoi TikTok-un. Dhe tani ka instaluar, ai kishte instaluar pajisje DPI për të kontrolluar gjithashtu internetin.

Kjo është e vërtetë. Kjo është e vërtetë! Sapo të rinjtë filluan ta kritikojnë në TikTok, ai e ndaloi dhe e bllokoi TikTok-un dy javë më parë. Ai bën gjithçka për të kufizuar komunikimin tonë me njerëzit.” bw

Kërkesa e Berishës drejtuar grupit konservator të KE: Sillni një mision vëzhgues në Shqipëri, do të dëgjoni gjëra të pabesueshme

Lideri i Opozitës, Sali Berisha, në takimin me grupin konservator të KE-së, u ka kërkuar një mision vëzhgues në Shqipëri, ku do të dëgjojnë dhe shohin gjëra të pabesueshme.

Fjala e Sali Berishës:

“Së pari, më vjen shumë keq t’i them publikut se të paktën Ambasadori Amerikan ka ndihmuar shumë Edi Ramën në instalimin e shtetit narkotik. Në vitin 2015, kur e gjithë Shqipëria ishte mbuluar me kanabis, ai shkoi dhe lavdëroi policinë, duke u thënë: ‘Ju përgëzoj për punën e jashtëzakonshme kundër kanabisit, kundër drogës.’

Unë shkova dhe e takova. I thashë: ‘Zotëri, kjo është mbështetje. Çfarë është ky teatër që po ndodh?’ Ai më tha: ‘Ne nuk shqetësohemi për drogërat e buta.’ Por unë i thashë: ‘Shikoni, këto drogëra të buta mund të kenë pasoja të tmerrshme për kombin tim. Kjo është krim, sepse kudo ka njerëz që ruajnë parcelat dhe bien pre e tundimeve.’ Dhe kjo është të paktën një shkelje e plotë.

Por Edi Rama ka qenë lideri më i mbrojtur, më i investuar nga George Soros. Dhe problemi im me miliarderin George Soros është i vjetër. Kam qenë shumë konfrontues me të. Prej vitesh kam kërkuar që të ndalohet veprimtaria e tij politike në Europë.

Kam kërkuar që Parlamenti Europian t’ia ndalojë, sepse ai blen politikanë kudo, etj., etj. Ai ka një agjendë ekstreme të majtë. Ai e rikthen modelin e monizmit, duke marrë të gjitha OJQ-të dhe duke i vënë nën ombrellën e Partisë së vjetër Komuniste.

Përplasja ime me të u bë më e madhe kur ai u përfshi në politikën e Ballkanit. Ai u bë faktori kryesor në politikën e jashtme për Ballkanin. Ai deshi ndarjen e Kosovës, një projekt i Millosheviçit, që më është sjellë përmes ndërmjetësve disa herë gjatë kohës që isha President i Republikës. Tani George Soros e vulosi dhe e firmosi projektin si të tijin. Sigurisht që unë e kundërshtova. Dhe ai ishte shumë i pakënaqur.

Një ditë Edi Rama më tha në Parlament: ‘Sali, a e kalon dot Atlantikun?’ I thashë: ‘Po, e kaloj.’ Ai s’e di. ‘Ke marrë një mesazh,’ më tha. ‘S’kam marrë asnjë mesazh,’ i thashë. Por ai u tha njerëzve të tij që Saliu u sanksionua për konspiracion kundër politikës amerikane. Unë nuk kam konspiruar kurrë. Kam qenë gjithmonë publik. Por ata dështuan.

Derisa ishte Sekretari Pompeo në detyrë, nuk dërguan asgjë. Sapo u largua Presidenti Trump nga pushteti, tre javë pas zgjedhjeve, unë u sanksionova për korrupsion dhe minimin e demokracisë nga një njeri që më kishte lavdëruar më shumë se kushdo tjetër për sukseset në luftën kundër korrupsionit kur ishte këshilltari kryesor i Joe Biden. Ky ishte Anthony Blinken, një njeri shumë i afërt me George Sorosin.

I shkrova një letër. I thashë: ‘Zoti Sekretar, sapo të gjeni një provë të vetme të korrupsionit tim, unë tërhiqem përgjithmonë nga politika. Por vendimin e morët mbi bazën e një lobimi të korruptuar nga Edi Rama dhe George Soros.’ Së treti, unë e padita atë në gjykatë, sepse ai plagosi dinjitetin tim dhe unë po mbroj dinjitetin tim dhe e kam paditur. Ata u zemëruan për këtë dhe tentuan, por dështuan. Unë vazhdova betejën time, dhe është një histori e gjatë. Nuk dua t’ju marr kohë, por ata kanë luajtur një rol shumë negativ. Kjo është përgjigjja ime për këtë.

Sa për Sorosin, siç ju thashë më parë: nëse më pyesni çfarë është Shqipëria sot, Shqipëria është një republikë e George Soros. Po.

Për ta ilustruar, zoti President, kryetari i Bashkisë së Tiranës është arrestuar për korrupsion. Para disa ditësh, disa javësh, i dha një udhëzim gruas së tij: ‘Mos shko në Ambasadën Amerikane, pushteti ka ndryshuar atje, prit derisa të vijë Alex dhe gjërat do të ndryshojnë.’ Ishte fjala për Alex Sorosin. Askush nuk ka reaguar, sepse pas kësaj beteje, Departamenti i Shtetit, nën drejtimin e Anthony Blinken, bëri gjithçka për të më izoluar dhe për të kontrolluar çdo kontakt timin, me partinë time. Kjo është e vërtetë. Prandaj njerëzit nuk ishin shumë të prirur të merren me këto çështje.

Po, ju mund të na ndihmoni shumë. Mund të na ndihmoni. Së pari, dërgoni një mision verifikimi, sepse do të dëgjoni gjëra të pabesueshme. Dhe kur të prekni realitetin atje, atëherë mund të gjeni një mënyrë për të ndihmuar kombin tim, për të ndihmuar vendin tim të çlirohet nga kjo narkodiktaturë. Ne do të luftojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë, por na duhet edhe ndihma e njerëzve të lirë, kudo që janë. Dhe nga qeveritë europiane dhe miqtë tanë kudo. Faleminderit shumë!”bw

“Shqipëria është një narkodiktaturë”, Sali Berisha me grupin konservator të KE-së: U izoluan liderët e opozitës, paratë e drogës po përdoren në zgjedhje

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ishte në një takim me grupin konservator në KE, ku deklaroi se Shqipëria është një narkodiktaturë, ku paratë e drogës dhe krimi po përdoren në zgjedhje

Fjala e Sali Berishës:

Zonja dhe zotërinj, anëtarë të nderuar të Parlamentit Europian. Dua të ju falënderoj nga zemra ime për këtë nder të madh që më keni bërë, të ju prezantoj në këtë seancë, situatën aktuale në Shqipëri.

Kam qenë këtu më shumë se në çdo institucion tjetër.  Kam ardhur si presidenti i vendit. Kam ardhur si lideri i opozitës, për 8 vite me radhë. Kam ardhur si kryeministër.

Por sot pothuajse në 30 vite pas anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, fatkeqësisht vendi im është i pari dhe i vetmi shtet narkodikatur në Shqipëri.

Shqipëria në këtë 30 vjetor është një vend i cili para zgjedhjeve, kryeministri synon mandatin e 4-të, duke arrestuar tre liderët kryesorë të opozitës shqiptare.

Më arrestoi mua për 330 ditë pa asnjë fakt penale. Ata më akuzuan për korrupsion pasiv dhe për një faturë për një javë pushime për arsye shëndetësore.

Dhëndëri im për 440 ditë ndodhet në ‘arrest shtëpie’ për një pronë prej 110 metrash që i është lënë trashëgim nga gjyshërit e tij, çdo gjë e dokumentuar me dokumente zyrtare që i përket familjarëve të tij.

Lideri tjetër i partisë së dytë opozita, ish-presidenti, ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, ndërsa po hynte në Tiranë u arrestua në mënyrë brutale, duke u tërhequr zvarrë nga makina dhe pa ju treguar dokumentet identifikuese.

Edhe pse është person nën hetim, ai gjendet në burg, edhe pse nuk ka akuzë ndaj tij. Lideri i tretë i partisë tjetër opozitare është Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes gjatë kohës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe po gjykohet për një çështje që është mbyllur 15 vite më parë pa asnjë fakt konkret.

Gjithashtu edhe Fredi Beleri, deputet i parlamentit Europian u fut në burg pasi, Edi Rama kërkonte të merrte mijëra metra katrorë tokë pranë detit.

Gjithashtu Ervin Salianji, një tjetër deputet u arrestua sepse denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, pasi ishte dënuar në Itali, për arsye se drejtonte trafikun e drogës nga Vlora.

Tani nëse merreni në konsideratë popullsinë e Shqipërisë, vendi humbi edhe të drejtën e pafajësisë, kjo ka ndodhur me drejtësinë. Shqipëria është bërë një narkoshtet, i vetmi vend në Europë. Në 2015 Edi Rama e mbushi Shqipërinë me kanabis, dhe duke implikuar dhe policinë në mbjelljen e kanabisit.

Rreth 12 miliardë euro u krijuan nga trafikantët e kanabisit dhe më pas këta u lidhën me trafikantët Amerikano-latin dhe tani janë shumë të fuqishëm me lidhjet e tyre në kartelet, si psh, ai i Sinaloas.

Të nderuar anëtarë, vetë Edi Rama është i lodhur me këto organizata.

Në zyrën e tij ka një këshilltar, i cili koordinon aktivitete e këtyre organizatave. Ai ka pritur në zyrën e tij, bosin shqiptar të Sinaloas dhe i ka dhënë leje për kazino dhe një hotel me 5 yje.

Krimi i organizuar është shumë i famshëm dhe shumë i përfshirë në zgjedhje.

Autoritet franceze, belge dhe holandeze kanë dorëzuar mijëra e mijëra faqe të mesazheve të krimit të organizuar, të marra nga telefonat e enkriptuar.

Komunikimi arrin deri tek Edi Rama dhe ministrat e tij.

U zbulua se gjysma e komunikimeve ishin të lidhura dhe me dhunimin e zgjedhjeve dhe ne tani jemi në zgjedhjet elektorale.

Kryeministri është duke shpërndarë dhurata për pensionistët, duke u dhënë 100 euro për çdo person, për të siguruar votën e tyre.

Janë mbi 700 shqiptar. Është një vendim i qeverisë për të siguruar bonus pensionesh për votë.

Por janë edhe dhjetëra e qindra miliona euro të kanabisit që janë përdor për të blerë vota, e gjithashtu edhe kërcënimi i mafias ndaj njerëzve që të votojnë për ta.

Shqipëria është në një situatë të dëshpëruar.

Nga 2014-2023, 1 milionë e 99 mijë shqiptarë kanë lënë vendin duke ikur drejt zonës Shengen.

Ekonomia dhe prodhimi industrial po bie.

Eksportet si pasojë e eurove të narkotrafikut është zhvleftësuar me 35% dhe eksportet kanë rënë me 32% dhe mijëra shqiptarë po humbin vendet e tyre të punës.

Një kryeministër që Europa nuk e ka parë kurrë, që drejton një shtet si diktator dhe një narkodiktator.

Ju nuk e kuptoni dot se çfarë ndodh, prandaj dhe unë jam këtu që të ju tregoj të vërtetat e të ju siguroj se njerëzit nuk kanë zgjidhje tjetër, përveç se të luftojnë narkodiktarorin.

Jam i bindur se ai nuk do të ketë të ardhme.

Narkoshteti nuk është i rrezikshëm, por është i rrezikshëm për të gjithë kontinentin  e Europës  dhe ju falënderoj për vëmendjen tuaj.” bw

Kallas: Jemi duke i analizuar gabimet e dialogut Kosovë – Serbi

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, tha të hënën në Podgoricë shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas.

E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha gjatë një konference për media se “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me të dërguarit e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt.

“Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse pa këtë asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt BE-së”, tha Kallas.

Kallas nuk dha më shumë hollësi se cilat mendon që ishin gabimet apo çfarë nuk ka shkuar deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku.

Me gjithë dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

Kallas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 2 prill, ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen] në ditët në vijim”, kishte thënë Kallas.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

Me vizitën në Podgoricë, Kallas e nisi turin zyrtar në shtetet e Ballkanit Perëndimor – të parin në rajon në cilësinë e saj si shefe e diplomacisë evropiane.

Nga nga 7 deri më 9 prill, Kallas do të qëndrojë edhe Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

Ajo nuk ka paralajmëruar vizitë në Kosovë dhe Serbi.

Kallas i bëri thirrje Malit të Zi që t’i përkushtohet reformave

Gjatë konferencës për media, së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, Kallas tha se Mali i Zi ka shënuar përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por se ende mbetet shumë për t’u bërë dhe se fokusi duhet të qëndrojë te reformat.

“E përshëndes përkushtimin sepse për procesin e anëtarësimit nevojiten reforma. E dimë se nuk ka rrugë të shkurtëra, reformat duhet të zbatohen. E përshëndes marrëveshjen me opozitën që i mundëson Kuvendit të vazhdojë punën”, tha Kallas.

Ajo shprehu falënderim që Mali i Zi e mbështet Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Ukrainën dhe që e respekton integritetin territorial të saj:

“Është shumë e rëndësishme të qëndrojmë besnikë ndaj këtyre vlerave. E dimë se mund të llogarisim në përkrahjen e Malit të Zi”.

Kryeministri malazias Spajiq tha se viti i kaluar ishte më i suksesshmi për sa i përket integrimeve evropiane të Malit të Zi.

“Mali i Zi nuk ka dilema, Bashkimi Evropian është rruga jonë strategjike dhe nuk ekziston asgjë që mund të na largojë nga ajo”, tha Spajiq.

Ai theksoi se Mali i Zi është lider në procesin e integrimeve evropiane.

“Shpresoj që këtë vit të mbyllim edhe disa kapituj negociues me BE-në. Viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm. Faleminderit për mbështetjen dhe gjithçka që bëni për ne”, tha Spajiq.

Pas Podgoricës, Kallas do të zhvillojë një takim në Cetinjë me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi, drejtimin strategjik të vendit dhe përparimin në procesin e anëtarësimit në BE.

Sipas paralajmërimeve, shefja e diplomacisë së BE-së do të takohet edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe do të zhvillojë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Podgoricë.

Është paralajmëruar gjithashtu se Kallas do të paraqesë në aeroportin ushtarak në Podgoricë mbështetjen e BE-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe, në prani të ministrit të mbrojtjes, Dragan Krapoviq, do të prezantojë pakon e mbështetjes për Ushtrinë e Malit të Zi nga Fondi Evropian për Paqe.

Mali i Zi është në negociata për anëtarësim me Bashkimin Evropian që gati 13 vjet. Deri më tani, nga gjithsej 33 kapituj, ka mbyllur gjashtë.

Pritet që edhe disa kapituj të mbyllen në takimin e qershorit të Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel.

Deri në fund të vitit, sipas paralajmërimeve të kryenegociatorit me BE-në, Predrag Zenoviq, mund të mbyllen deri në nëntë kapituj.

Tarifat e Trumpit- Vjen kundërpërgjigja e Gjermanisë ndaj SHBA-së, do të tërheqë 1200 tonë ar që i ka në New York

Tarifat e reja të vendosura nga Donald Trump ndaj shumë vendeve të botës kanë sjellë reagime dhe masa të ndryshme nga një pjesë. Edhe Gjermnia së fundmi po bën lëvizjen e saj.

Gjermania po shqyrton heqjen e një rezerve të madhe ari nga një kasafortë në Nju Jork për shkak të shqetësimeve për politikat e paparashikueshme të presidentit amerikan Donald Trump.

Këtë e raporton “Bild”, ku shkruan: Për dekada, Berlini ka mbajtur 1200 tonë rezervë ari, e dyta më e madhe në planet pas asaj të Shteteve të Bashkuara, në një kasafortë në Rezervën Federale të SHBA-së në Manhatan. bw

Ministrja gjermane: Njerëzit e Dodikut më kërcënuan me dhunë gjatë vizitës në Banjallukë

Ministrja gjermane e shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrmann

 

Radio Evropa e Lirë

Ministrja gjermane e shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrmann, tha se ajo dhe delegacioni i saj u kërcënuan me dhunë nga përfaqësuesit e Millorad Dodikut, presidentit të Republikës Sërpska, gjatë vizitës së tyre të premten në qytetin më të madh të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës.

Luhrmann – e cila në ditën e njëjtë u shpall person i padëshirueshëm nga Qeveria e Republikës Sërpska – tha në X se u takua me shoqërinë civile dhe opozitën në Banjallukë, të cilën e përshkroi si qytet “të mrekullueshëm me njerëz të mirë”.

“Kah fundi i programit tim në Banjallukë, Dodiku e dëshmoi përsëri qasjen e tij destruktive. Përfaqësuesit e tij na kërcënuan me dhunë mua dhe delegacionin tim. Kjo është shenjë e dobësisë. Dodiku është tejet i izoluar dhe ka mungesë mbështetjeje nga qytetarët e Republikës Sërpska. Veprimet e Dodikut për shkëputje janë të papranueshme”, shkroi ajo.

Vizita e Luhrmann në Banjallukë u zhvillua një ditë pasi Gjermania dhe Austria njoftuan se tre liderët e entitetit serb të Bosnjës: presidenti Millorad Dodik, kryeministri Radovan Vishkoviq dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiq, do ta kenë të ndaluar hyrjen në këto dy vende, për shkak se kanë nxitur krizë kushtetuese në Bosnje.

Të premten, Qeveria e Republikës Sërpska tha se masat e përmendura kundër saj nga Gjermania, si dhe deklaratat publike dhe vizita e sotme në Republikën Sërpska e ministres Luhrmann, janë “ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme dhe shkelje e konventave ndërkombëtare”.

“Për të mbrojtur integritetin politik dhe institucional të Republikës Sërpska, Qeveria prezanton masa reciproke, të cilat përfaqësojnë një përgjigje proporcionale dhe legjitime në përputhje me praktikat ndërkombëtar”, tha Qeveria e Republikës Sërpska të premten.

Ajo tha se për ketë arsye ka vendosur ta shpallë Luhrmannin person të padëshirueshëm në Republikën Sërpska.

Gjermania dhe Austria thanë në vendimin e tyre të enjten se sulmet ndaj integritetit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës nga politikanët kryesorë të Republikës Sërpska, “janë të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës dhe të gjithë rajonit”.

Në mars, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës lëshoi fletarrestime kombëtare për Dodikun, Vishkoviqun dhe Stevandiqun, duke i akuzuar se kanë shkelur rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës me veprimet e tyre.

Që të tre i kanë shpërfillur thirrjet e autoriteteve për t’u paraqitur për marrje në pyetje.

Dodik është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, por Bashkimi Evropian deri më tani nuk ka qenë në gjendje të gjejë gjuhë të përbashkët për sanksione kundër tij, për shkak të kundërshtimit nga anëtarja e saj, Hungaria.

Qeveritë perëndimore besojnë se veprimet e Dodikut kanë për qëllim ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Dodik u dënua në shkurt me një vit burg dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës për gjashtë vjet për shkak të shpërfilljes së vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Si përgjigje, Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Dodik i dekretoi ato ligje më 5 mars.

Republika Sërpska e kaloi në mars një draft të kushtetutës së re, e cila do ta përcaktonte këtë entitet si një shtet të popullit serb, do t’i jepte të drejtën për vetëvendosje dhe do ta themelonte ushtrinë e saj.

Të gjithë këto bien drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjës dhe me Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe, e cila e përcaktoi Republikën Sërpska si njërin nga dy entitetet e Bosnjës.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje.

Këto veprime të Republikës Sërpska janë dënuar pothuajse në mbarë botën, nga sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio, te shefi i NATO-s Mark Rutte dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit. Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.

Gjatë mandatit të tij si president i Republikës Sërpska, Dodik është përballur me kritika për prirje autoritare, minimin e institucioneve demokratike dhe krijimin e një kulture të patronazhit politik.

Hera e parë që nga Lufta e II Botërore, Gjermania dërgon 5000 ushtarë në Lituani për të ndalur Putinin

Gjermania ka nisur dislokimin e parë të trupave të saj jashtë vendit që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, duke dërguar 5,000 ushtarë në Lituani për të përballuar kërcënimin në rritje nga Rusia nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin.

Ky vendim shënon një kthesë të madhe në politikën ushtarake të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, e cila ka refuzuar çdo formë të militarizmit për shkak të traumës që shkaktoi regjimi nazist dhe pasojat e luftës.

Bashkë me aleatët e saj të NATO-s, Gjermania ka vendosur të mbrojë anën lindore të Evropës, duke krijuar një brigadë të re të blinduar, Brigadën e 45-të të Blinduar, të aktivizuar për këtë mision. Kjo njësi e re do të qëndrojë në Lituani dhe ka për qëllim të sigurojë mbrojtjen e aleatëve lituanezë dhe të mbrojë territorin e NATO-s, duke përfshirë edhe Gjermaninë.

Komanda e Brigadës është vendosur në Vilnius, nën udhëheqjen e Brigadierit General Christoph Huber.

Pavarësisht faktit që Lituania nuk ka një kufi të drejtpërdrejtë me Rusinë, ajo ndodhet në një zonë të rrezikuar, duke ndarë një kufi të gjatë me Bjellorusinë, aleatin e Putinit, dhe duke u afruar me enklavën e Kaliningradit të Rusisë. Përveç kësaj, Lituania ka vuajtur nga manipulimet e Rusisë, duke përfshirë një atentat të dyshuar ndaj një dyqani Ikea, për shkak të ngjyrave të logos që janë të ngjashme me flamurin ukrainas.

Aktivizimi i Brigadës së 45-të shoqërohet me një rritje të madhe të investimeve në forcën ushtarake të Gjermanisë. Parlamenti i vendit ka votuar për përjashtimin e shpenzimeve për mbrojtjen nga rregullat strikte të borxhit, duke hapur kështu mundësinë për një investim të madh në infrastrukturën ushtarake.

“Kjo përpjekje për t’u përgatitur përballë rrezikut të mundshëm nga Rusia është thelbësore”, tha gjenerali i lartë gjerman, Carsten Breuer, i cili theksoi se kërcënimi nga Rusia është real dhe se “çdo vonesë në përgatitje mund të jetë fatale”./ A2/

Zëvendëssekretarja e NATO-s takon Sorensenin: NATO-BE, bashkë për stabilitet në Ballkan

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, gjatë një takimi më 31 mars me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

 

Radio Evropa e Lirë

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet NATO-s dhe BE-së për të ruajtuar stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ajo e dha këtë deklaratë në një postim në X, pas një takimi të zhvilluar me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sorensen iu përgjigj deklaratës së Shekerinskës duke thënë se “mezi pres të bashkëpunojmë ngushtë së bashku”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdon të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ndërsa BE-ja është e angazhuar në lehtësimin e dialogut politik ndërmjet palëve.

Në vitet e para pas luftës, KFOR-i kishte 50.000 trupa, por, pas vlerësimeve të vazhdueshme të sigurisë, ky numër sot ka rënë në rreth 4.600 ushtarë.

Prania e trupave në Kosovë është rritur sa herë që situata ka qenë e tensionuar, sikurse pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Aktualisht, pjesë e misionit të KFOR-it janë 29 shtete anëtare të NATO-s.

Në mes të marsit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Prishtinën, ku tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte stabilitetin dhe sigurinë në mbarë rajonin.

Rreth një javë më vonë, Prishtinën e vizitoi edhe i dërguari i ri i BE-së për dialogun, Peter Sorensen. Ai vizitoi edhe Beogradin dhe në të dyja vendet theksoi se prioritet i tij është të sigurojë një takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi në shkurt se i ka marrë parasysh kritikat për formatin aktual të dialogut Kosovë-Serbi dhe se ajo, së bashku me Sorensenin, do t’i shqyrtojnë opsionet për ta bërë atë funksional.

Bisedime të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur qysh në shtator të vitit 2023.

Më 14 të atij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak.

Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.

Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarë të BE-së dhe zyrtarë amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara dhe me ndikim të keq te komuniteti serb.

Kërcënimet ndaj gjyqtares që dënoi Marine Le Penin, policia i vendos roje të armatosur

Gjykatësja që dënoi Marine Le Pen me burg dhe e ndaloi atë të bëhej presidentja e re franceze është marrë nën mbrojtje nga roje të armatosur të policisë pas ‘kërcënimeve personale të shprehura qartë’.

Mbështetësit e së djathtës ekstreme të politikanes 56-vjeçare besohet se kanë shënjestruar gjyqtaren 63-vjeçare, Benedicte de Perthuis.

Një burim policor i tha Le Parisien se gjyqtarja De Perthuis kishte marrë “një numër të madh mesazhesh që përmbanin kërcënime personale të shprehura qartë”.

Gazeta shtoi: ‘Si rezultat, prania e policisë është shtuar pranë shtëpisë së saj.’

Dy gjyqtarët e tjerë që përbënin jurinë profesionale në Gjykatën Korrektuese të Parisit janë kërcënuar gjithashtu, tha burimi.

Ndërkohë, Le Pen ishte mbrëmë duke darkuar në një dhomë private lart në restorantin Laurent në Paris – skenë e festimeve famëkeqe të 50-vjetorit të Kate Moss disa vjet më parë.

Politikania dhe më shumë se 20 zyrtarë të tjerë partiakë u shpallën fajtorë të hënën për vjedhjen e parave të taksapaguesve në vlerë prej miliona paundësh nga taksapaguesi evropian.

Ata e bënë këtë për të paktën një dekadë, ndërsa ishin deputetë që punonin në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe Strasburg.

Në vend që t’i shpenzonin paratë për rolet e tyre evropiane, ata i përdorën ato për të financuar Tubimin Kombëtar (NR) në Paris. sn

Kurti pjesëmarrës në panairin më të madh të industrisë dhe teknologjisë, “Hannover Messe 2025”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në panairin ndërkombëtar të teknologjisë dhe industrisë “Hannover Messe 2025”, vizitoi stendat dhe pavijonet e disa prej kompanive më të njohura në fushën e teknologjisë dhe automatizimit, si Bosch Rexroth, Festo, Siemens, Aleph Alpha, SAP dhe Schneider Electric. Ai pati mundësinë të njohë nga afër punën që këto kompani zhvillojnë në fushat e teknologjisë inteligjente të prodhimit dhe automatizimin industrial.

Kryeministri pati gjithashtu një takim me Steffen Haack, drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth, dhe Jochen Köckler, drejtorin ekzekutiv të Deutsche Messe, organizator i panairit, ku diskutuan mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe thellimin e bashkëpunimit për të ardhmen.

Në këtë vizitë, ai ishte shoqëruar nga ministrja Rozeta Hajdari, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, dhe Këshilltarja Politike, Fëllanza Podrimja.

Panairi i këtij viti, i cili do të zhvillohet nga 31 mars deri më 4 prill, ka si moto “Shaping the future with technology”. Kosova është përfshirë për të dytin vit radhazi në këtë panair, duke promovuar bizneset vendore dhe mbështetur eksportet dhe gjetjen e tregjeve të huaja për produktet dhe shërbimet kosovare. bw


Send this to a friend