VOAL

VOAL

Komisioni Evropian rekomandon statusin kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë

RFE/RL

Komisioni Evropian ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën, bëri të ditur presidentja e këtij institucioni, Ursula von der Leyen.

“Ne rekomanduam që t’i japim Ukrainës statusin e vendit kandidat, duke nënkuptuar që vendi duhet të kryejë një sërë reformash të rëndësishme”, tha ajo.

“Ukraina ka treguar përkushtim për të respektuar vlerat dhe standardet evropiane”, shtoi von der Leyen.

Presidentja e KE-së tha se rekomandimi për Ukrainën ka ardhur pas një shqyrtimi të thellë të gatishmërisë së këtij shteti për statusin e kandidatit, përfshirë edhe kriteret politike dhe ato ekonomike. Sipas von der Leyen, Ukraina ka dëshmuar se ka një sistem të duhur politik dhe funksional, teksa viteve të fundit ka përafruar legjislaturën e saj me BE-në.

Ajo tha se Ukraina ka bërë shumë në sundimin e ligjit dhe tani fokusi do të jetë në gjyqësor dhe në mënyrën e emërimit të gjykatësve.

Në takimin e mbajtur më 17 qershor, Komisioni Evropian ka rekomanduar edhe dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE edhe për Moldavinë, por nuk i ka dhënë këtë rekomandim edhe Gjeorgjisë.

Në rastin e Gjeorgjisë është vlerësuar aspirata e këtij shteti për integrim në bllok, por KE-ja ka rekomanduar vetëm dhënien e “perspektivës evropiane” për Gjeorgjinë.

Ndërkaq, disa burime me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thanë se disa çështje mbeten të hapura, sikurse mundësia për të tërhequr statusin e vendit kandidat në rast se nuk ka përparim ose kushtet nuk plotësohen. Po ashtu ka bisedime nëse duhet ose jo të ketë hapa të caktuar politikë që duhet të ndërmerren nga shtetet para se të fitojnë statusin e kandidatit.

Rekomandimet e 17 qershorit të KE-së do të diskutohen nga liderët e BE-së gjatë takimit më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, ku do të merret vendimi përfundimtar për rekomandimet e Komisionit Evropian.

Asnjëherë më parë një mendim i tillë nuk është dhënë kaq shpejt për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendim që duhet të miratohet nga të 27 shtetet anëtare.

Ky takim i Komisionit vjen një ditë pasi katër liderë evropianë vizituan Ukrainën dhe shprehën mbështetjen e tyre për dhënien e “menjëhershme” të statusit të kandidatit, teksa Kievi po përballet me pushtimin e paprovokuar të Rusisë.

Franca, Gjermania, Italia dhe Rumania janë në favor që Ukraina të marrë “menjëherë” statusin e vendit kandidat, tha më 16 qershor në Kiev, presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Vizita e liderëve evropian në Kiev kishte një simbolikë të fuqishme se BE-ja mbështet Zelenskyn, i cili i ka bërë thirrje bllokut evropian që t’i ofrojë shtetit të tij anëtarësim përmes procedurave të shkurtuara, duke argumentuar se një gjë e tillë do të ishte “përgjigje e fuqishme” ndaj pushtimit të paprovokuar rus.

Zelensky ka dorëzuar aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim në BE pak kohë pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt, ndërkaq Moldavia dhe Gjeorgjia kanë bërë një gjë të tillë pak kohë pas Kievit.

Macron më 16 qershor po ashtu premtoi se Franca do të rrisë dërgesat me armatime për Ukrainën, në mënyrë që Kievi të mund të përballet me pushtimin rus.

Dërgesa e re do të përfshijë dhe gjashtë armë të fuqishme të artilerisë, tha Macron, duke shtuar se liderët “po bëjnë gjithçka që Ukraina e vetme të mund të vendosë për fatin e saj”.

Scholz tha më 16 qershor se Gjermania mbështet dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë.

“Kolegët e mi dhe unë kemi ardhur në Kiev sot për të dhënë një mesazh të qartë: Ukraina i përket familjes evropiane”, tha Scholz.

Kjo ishte vizita e parë e Scholzit në Kiev që prej fillimit të luftës. Ai ka qenë nën presion që të vizitojë kryeqytetin ukrainas dhe të shprehë solidaritetin e tij me Ukrainën.

Ndërkaq, kryeministri italian Draghi, shprehu shqetësimet lidhur me me drithërat e Ukrainës, të cilat nuk po mund të eksportohen për shkak të bllokadave të Rusisë në portet e Detin të Zi. Ai tha se bllokada mund të sjellë “katastrofë në mbarë botën”.

“Ne duam që mizoritë të ndalen dhe ne duam paqe”, tha Draghi. “Por, Ukraina duhet ta mbrojë veten dhe do të jetë vetë Ukraina që do të zgjedhë paqen që do”.

Si Macron ashtu edhe Scholz po ashtu thanë se Ukraina duhet të përcaktojë kushtet e çdo marrëveshjeje të mundshme të paqes me Rusinë.

Luftime dhe bombardime të ashpra në lindje të Ukrainës

RFE/RL

Luftime të ashpra po vazhdojnë në Donbas, me forcat ukrainase që po përballen me bombardime masive në qytetin kyç të Severodonjeckut, teksa forcat ruse po tentojnë që ta përfundojnë rrethimin e zonës dhe të bllokojnë mbrojtësit dhe civilët që gjenden në këtë qytet.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha më 17 qershor se në 24 orët e fundit, ushtria ruse ka të ngjarë që ka tentuar që ta rifitojë momentumin në aksin e Popasnës, rreth 55 kilometra në jug të Severodonjeckut, prej ku ata po tentojnë që ta rrethojnë qytetin.

Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase tha në orët e vona të 16 qershorit se luftimet kanë qenë të ashpra veçmas në dhe përreth Severodonjeckut dhe Lisiçaskut. Lisiçansku është nën kontrollin e Ukrainës dhe ndahet me një lumë nga Severodonjecku.

Për javë të tëra po zhvillohet beteja për Severodonjeckun dhe sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, luftimet për këtë qytet mund të përcaktojnë fatin e Donbasit. Moska do të kontrollonte të gjithë rajonin e Luhanskut nëse trupat e saj arrijnë të marrin Severodonjeckun dhe Lisiçanskun.

Guvernatori ushtarak për rajonin lindor të Luhanskut, Serhiy Hayday, tha se afër 10,000 civilë gjenden të bllokuar në Severodonjeck dhe furnizimet me gjërat elementare janë duke u harxhuar. Shumë civilë janë strehuar në bunkerët nën fabrikën e kemikateve, Azot, që gjendet në këtë qytet.

Kryetari i Severodonjeckut, Oleksandr Stryuk, i tha një televizioni ukrainas më 16 qershor se janë afër 500 civilë të bllokuar në bunkerët e kësaj fabrike.

Kombet e Bashkuara thanë se numri i civilëve të bllokuar në qytet është 12,000.

“Luftimet dhe bombardimet e vazhdueshme po ndodhin për pothuajse një javë rresht tani”, tha Stryuk, duke paralajmëruar se granatimet mund të dëmtojnë një depo të amoniakut, duke nxitur një katastrofë kimike.

“Është mrekulli që i gjithë qyteti nuk është prekur”, tha ai.

Një sulm ajror goditi një ndërtesë në Lisiçansk më 16 qershor, ku strehoheshin civilët.

Nga ky sulm u vranë të paktën tre persona dhe u plagosën shtatë të tjerë, tha Serhiy Hayday.

Ushtarët ukrainas kanë arritur të ndalin përparimet ruse në zonat e tjera përgjatë vijës së frontit, ndërkaq në Harkiv, trupat ruse kanë ndalur avancimin e forcave ukrainase, duke i sulmuar me artileri.

Në rajonin verilindor të Sumit, Rusia ka kryer sulme me raketa duke vrarë katër persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë, tha përmes Telegramit kreu i administratës rajonale të Sumit, Dmytro Zhyvytskiy.

Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, citohet të ketë thënë se numri i ukrainasve që kanë vdekur qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt me gjasë është dhjetëra-mijëra. Reznikov ka thënë se “shpreson” që kjo shifër është nën 100,000.

Reznikov dhe zyrtarë të tjerë u takuan me përfaqësuesit e rreth 50 shteteve që bëjnë pjesë në Grupin e Kontaktit për Ukrainën. Takimi u mbajt më 16 qershor në selinë e NATO-s në Bruksel. Gjatë këtij takimi, Ukraina kërkoi më shumë armë të rënda.

Ndërkaq, inteligjenca britanike tha më 17 qershor theksoi se ka mospajtim në publikun rus lidhur me mbështetjen për luftën.

“Pavarësisht se sondazhet tregojnë se shumica e rusëve mbështesin ‘operacionin e posaçëm ushtarak’, elemente të popullsisë në mënyrë aktive dhe pasive shprehin kundërshtimin e tyre” për luftën, u tha në njoftim.

Inteligjenca britanike po ashtu përmendi ekzistencën e grupit për rekrutimin e rusëve të quajtur “Legjioni për Lirinë e Rusisë” që me gjasë “është dislokuar në luftime përkrah ushtrisë ukrainase”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Shtohen tensionet, dalin pamjet e rralla të avionëve të NATO-s “që puthen” me ata rusë mbi qiellin evropian

Pamjet e rralla nga kabina e avionëve të NATO-s kanë zbuluar afrimin jashtëzakonisht me avionët ushtarakë rusë mbi qiellin evropian.

Këto ngjarje, kanë shtuar tensionin mes Rusisë dhe NATO-s. Kujtojmë se marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt.

Sipas BBC, ekziston frika se një gabim në ajër mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm. bw

Ata janë dy europianë – Një përqafim dhe disa fjalë në vesh, fotoja e Zelenskyt me Macron bën xhiron e rrjetit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky priti në një vizitë në Kiev liderin francez, gjerman, italian dhe rumun.

Një foto e Zelenskyt dhe presidentin francez Emmanuel Macron ka bërë xhiron e mediave sociale.

Të përqafuar dhe disa fjalë që Macron duket se po ia thotë në vesh Zelenskyt.

Presidenti ukrainas ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me secilin prej tre liderëve në muajt e fundit, duke i akuzuar ata se nuk kanë mbajtur një qëndrim mjaft të ashpër gjatë konfliktit me Rusinë.

Megjithatë, udhëtimi në Kiev synohej si një mundësi për të treguar unitet dhe mbështetje për Ukrainën.

Dy veteranë amerikanë zhduken në lindje të Ukrainës

RFE/RL

Dy veteranë amerikanë, të cilët kanë qenë duke iu ndihmuar forcave të armatosura ukrainase në luftën kundër Rusisë, është raportuar të jenë zhdukur në rajonin lindor ukrainas të Harkivit, dhe besohet se janë zënë nga trupat ushtarake ruse.

Familjarët e Andy Huynh, 27-vjeçar dhe Alexander Drueke, 39-vjeçar, të dy nga Allabama, kanë thënë se 15 qershori ka qenë dita e fundit kur kanë kontaktuar me ta.

Familjarët dhe një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, kanë thënë se ende nuk është konfirmuar dyshimi nëse dy burrat janë në duart e forcave ruse.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë më 16 qershor se Uashingtoni nuk e ka kontaktuar Moskën sa u përket dy shtetasve amerikanë.

Nëse Huynh dhe Drueke janë zënë, ata do të bëhen dy rastet e para të konfirmuara të shtetasve amerikanë që janë zënë nga forcat ruse, prej nisjes së pushtimit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se nëse raportimet konfirmohen, Uashingtoni do të bëjë “gjithçka që mundet për të kthyer dy burrat”.

Javën e kaluar, dy britanikë, Aiden Aslin dhe Shaun Pinner, si dhe një shtetas maroken, Saaudun Brahim, janë dënuar me vdekje nga separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës, për shkak të “aktiviteteve mercenare”.

Të tre kanë qenë duke shërbyer për ushtrinë ukrainase, kur janë zënë nga separatistët pro-rusë.

Britania e Madhe, Kombet e Bashkuara, Ukraina dhe Gjermania, kanë dënuar këto vendime.

Familja e Aslinit, ka thënë se ai dhe Pinner, kanë qenë duke jetuar në Ukrainë kur ka shpërthyer lufta në muajin shkurt dhe “si anëtarë të forcave të armatosura ukrainase, ata duhet të trajtohen me respekt, sikurse të burgosurit e luftës”.

Babai i Saaudun Brahim, ka thënë më 13 qershor se djali i tij ka pasur po ashtu shtetësi ukrainase, andaj duhet të trajtohet siç e meriton.

Rusia ka kryer 10,000 krime lufte në Ukrainë

Në foto Oleksandra Matviichuk që drejton Qendrën për Liritë Civile (Ukrainë)/ është vlerësuar më 2016 nga OSBE-ja me Çmimin: Mbrojtës i demokracisë

 

Pas më shumë se 100 ditë lufte, autoritetet ruse vazhdojnë të mohojnë se forcat e vendit kanë kryer ndonjë krim lufte në Ukrainë.

Por kjo kundërshtohet nga hetues të pavarur ukrainas, si Oleksandra Matviichuk, një avokate e të drejtave të njeriut.

Që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, Matviichuk – së bashku me një ekip vullnetarësh, avokatësh dhe paralegalësh – ka regjistruar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga ushtria ruse në Ukrainë.

Vullnetarët udhëtojnë çdo ditë në qytetet dhe fshatrat e Ukrainës të çliruara së fundi për të dokumentuar çdo veprim të ushtrisë ruse që mund të binte ndesh Statutin e Romës, një traktat ndërkombëtar që përcakton krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, si dhe krimin ndërkombëtar.

Matviichuk thotë se ekipi i saj – puna e të cilit është pjesë e një nisme më të gjerë të njohur si “Tribunali për Putinin” – ka regjistruar aktualisht 9,685 krime që i atribuohen ushtrisë ruse. Ajo thotë se në të ardhmen, autoritetet ruse dhe personeli ushtarak mund të gjykohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

“Një gjykatë do të thotë fjalën e fundit”, thotë Matviychuk, për veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë

 

“Kam përshtypjen se ne po shuajmë mijëra zjarre çdo ditë,” tha Matviichuk për Verstka, një media e pavarur ruse, për OpenDemocracy dhe median çeke Deník N. “Ndërsa je larg, thjesht mund t’i fikni lajmet dhe të vazhdoni rutina e perditshme. Shumë njerëz nuk e kanë më atë mundësi.”

“Rusia po përdor krimet e luftës si një metodë lufte… ka një numër të madh të tyre, të gjitha shumë të ndryshme. Ne arrijmë vetëm t’i dokumentojmë. Për ta bërë këtë, ne ndjekim ngjarjet – këto janë përshkrime të shkurtra të ngjarjeve që na japin një kuptim të asaj që ndodhi.”

“Qëllimi i këtij terrori ishte të mposhtë rezistencën ukrainase përmes vuajtjeve të civilëve, të frikësojë njerëzit aq shumë sa të kenë frikë të rezistojnë”.

Pas procesit të shqyrtimit, thotë Matviichuk, ekspertët do të analizojnë rastet për të filtruar se cilat janë të përshtatshme për një gjykatë ndërkombëtare, cilat do të hetohen në nivel kombëtar dhe që kanë vlerë për arkivat e ardhshme muzeale.

“Shumë nga krimet që ne regjistrojmë do të jenë të vështira për t’u hetuar,” thotë ajo, për shkak të vëllimit të madh të akuzave. “Sistemi ynë ligjor nuk mund ta përballojë kaq shumë.” Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka raportuar deri më tani 13,000 hetime të hapura në lidhje me pushtimin rus.

Në të njëjtën kohë, vë në dukje Matviichuk, fakti që lufta e Rusisë është në vazhdim, dhe “që krime të reja po kryhen çdo ditë”, i bën hetimet edhe më të vështira.

“Prioriteti është shpëtimi i njerëzve, ndihma e tyre që të kthehen në normalitet pas asaj që kanë kaluar”, thotë ajo, në vend që të hetojë dhe analizojë atë që ka ndodhur.

 

Kërkon një gjykatë ndërkombëtare

 

Sipas iniciativës së Tribunalit për Putinin, Rusia ka kryer të paktën 720 sulme kundër monumenteve historike, spitaleve, shkollave dhe objekteve fetare në Ukrainë. Gjithashtu janë regjistruar 605 raste të përdorimit të armëve pa dallim nga Rusia. Në tre raste, ushtria ruse ka përdorur gjithashtu armë kimike, duke përfshirë fosforin.

Këto armë kanë dëmtuar infrastrukturën në një numër qytetesh si Izyum, Chernihiv dhe Mariupol, thotë Matviichuk. “Njerëzit në thelb mbetën pa ngrohje, ujë, energji elektrike dhe gaz në shkurt. Ata shkrinin borën për të pirë diçka.”

Matviichuk vazhdon: “Banorët duhej të kalonin natën në bodrume, sepse shtëpitë e tyre po qëlloheshin. Ata nuk mund të merrnin ndihmë mjekësore. E mbani mend se si bombardoheshin spitalet?

“Situata në disa qytete arriti deri në atë pikë sa njerëzit thjesht nuk mundën të mbijetojnë. Në të njëjtën kohë, askush nuk lejohej të largohej”.

Gjykata për Putin ka dokumentuar gjithashtu 432 raste të rrëmbimit të civilëve në Ukrainë dhe 173 raste të vrasjeve të civilëve – qoftë nga forcat në terren apo nga dronët – në sulme të dëshmuara nga civilë të tjerë. Ka gjithashtu rreth 800 raste kur dëshmitarët raportuan se kishin parë njerëz që vdisnin gjatë bombardimeve ose sulmeve ajrore ruse.

Nisma ka dokumentuar gjithashtu tre raste të dhunës seksuale, megjithëse Matviichuk thotë se grupi i tyre nuk “fillimisht u fokusua” te përdhunimi. “Shumica e njerëzve me të cilët ne punojmë nuk kanë kaluar një trajnim të veçantë për të intervistuar ata që kanë përjetuar dhunë seksuale,” shpjegon ajo.

Kur trupat ruse u dëbuan nga rajoni i Kievit në fund të marsit, një gjurmë dhune brutale u la pas në qytete si Bucha, Irpin dhe Motyzhin, pak në distancë kryeqytetit ukrainas. Më 13 qershor, një varr i ri masiv me shtatë trupa u gjet pranë Bucha: të gjitha kufomat kishin shenja se ishin qëlluar në kokë dhe se duart e tyre ishin të lidhura, sipas policisë rajonale të Kievit.

Matviichuk thotë se “një gjykatë do të thotë fjalën e fundit” për atë që ndodhi në këto zona, por se veprimet e ushtrisë ruse duhet të cilësohen si “terror”.

“Siç e kuptoj unë, qëllimi i këtij terrori ishte të mposhtte rezistencën [ukrainase] nëpërmjet vuajtjeve të civilëve, të frikësonte njerëzit aq shumë sa të kishin frikë të rezistonin,” thotë ajo.

Nisma e Tribunalit për Putinin po planifikon të dorëzojë të dhënat e saj në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe kërkon që një gjykatë ndërkombëtare të mbahet për të pandehurit rusë. Gjykata Ndërkombëtare Penale tashmë ka hapur një hetim për konfliktin në Ukrainë.

“Nëse sistemi ndërkombëtar nuk është i aftë të ndalojë regjimin rus, atëherë duhet bërë diçka me këtë sistem ndërkombëtar, i cili tani është në gërmadha, ashtu si Mariupoli,” thotë Matviichuk. “Ai sistem u krijua pas Luftës së Dytë Botërore për të parandaluar që ajo luftë të përsëritej. Por tani po ndodh para syve të mi.”/opendemocracy.net/Përgatiti voal.ch

 

Ndizen sirenat: Alarm ajror gjatë vizitës së tre liderëve të BE-së në Kiev

Tre liderët e Bashkimit Europian, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Mario Draghi kanë mbërritur në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Por gazeta BILD shkruan se sirenat e alarmit ajror janë ndezur pak pasi ata kanë mbërritur në Kiev.

Tre liderët e fuqishëm të BE ishin në hotel kur u ndezën sirenat.

Më herët, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko kishte paralajmëruar se kjo vizitë mund të bëhej e rrezikshme.

Ndërkohë qytetarët nuk janë alarmuar pasi kjo është hera e katërt kur ndizen sirenat e alarmit.

Kujtojmë se Rusia ka provokuar vazhdimisht Kievin gjatë vizitave të nivelit të lartë.

syri.net

NATO: “Tani më shumë armë për Ukrainën”

Ushtarët ukrainas të gatshëm për të luftuar në një fushë me grurë në lindje të vendit

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg shpjegoi se Aleanca Atlantike ka rritur dërgesat e armëve në Kiev, ndërsa Moska u bën thirrje ukrainasve që të dorëzohen në Severodonetsk.

 

VOAL- NATO duket e prirur të angazhohet më shumë në mbështetje të Ukrainës, tani duke luftuar kundër pushtuesve rusë në betejat e vazhdueshme në Donbass, në lindje të vendit. Ky orientim vjen pas javësh të kërkesave të Kievit për armatim më të rëndë për të kundërshtuar fuqinë dërrmuese të Rusisë në këtë zonë, të cilën komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase Valery Zaluzhny e vlerësoi të hënën në një raport 10 me 1.

“Po, Kievi duhet të ketë armë më të rënda,” siguroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të martën në mbrëmje në prag të një takimi në Bruksel të Grupit të Kontaktit të NATO-s për Ukrainën, së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin. NATO ka filluar të “rrisë” dërgesat e armëve në Kiev, shtoi lideri i Aleancës Atlantike, duke vënë në dukje se ukrainasit janë “absolutisht të varur nga furnizime të tilla për t’u marrë me agresionin brutal të Rusisë”.

Në prag të takimit, kryeministri holandez Mark Rutte dhe homologja e tij daneze Mette Frederiksen pritën Stoltenberg dhe disa liderë evropianë, përfshirë kreun e qeverisë polake Mateusz Morawiecki. “Ne nuk kemi bërë mjaftueshëm për të mbrojtur Ukrainën, për të mbështetur popullin ukrainas, lirinë dhe sovranitetin e tyre,” tha Morawiecki. “Kjo është arsyeja pse unë ju bëj thirrje të bëni shumë më tepër për të dorëzuar armë dhe artileri të rëndë në Ukrainë. Kievit i duhen ato për të mbrojtur vendin,” tha politikani polak, duke vënë në dukje se shtetet perëndimore do të prishnin “besueshmërinë” e tyre në rast të një disfate. të Ukrainës.

Grupi i Kontaktit për Ukrainën do të takohet në Bruksel të mërkurën për të diskutuar një përshpejtim të mundshëm të këtyre dërgesave të armëve, i cili është planifikuar në margjinat e një takimi ndërministror të vendeve të NATO-s.

Moska fton ukrainasit të dorëzohen në Severodonetsk

Ndërkohë, Rusia u ka bërë thirrje ukrainasve që t’i japin fund “rezistencës së tyre absurde” në Severodonetsk dhe të mërkurën propozoi një korridor humanitar për evakuimin e civilëve, pa asnjë përgjigje nga Kievi, i cili në vend të kësaj u bëri thirrje atyre të “mbahen”. Autoritetet e Moskës u kanë bërë thirrje ukrainasve që të ngrenë flamurin e bardhë për të sinjalizuar se e pranojnë këtë propozim dhe i japin fund “rezistencës absurde”.

Por larg pranimit, të martën në mbrëmje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij që të “mbahen” në Donbass, një rajon në sytë e tij “jetik” dhe në të cilin lufta e nisur nga Moska më 24 shkurt kundër vendit të tij vazhdoi. “Është thelbësore të qëndrosh në Donbass”, deklaroi kreu i shtetit në fjalimin e tij të përditshëm drejtuar kombit, “mbrojtja e rajonit është thelbësore për të dhënë një tregues se kush do të dominojë në javët në vijim”. Ndërkohë, të mërkurën në mëngjes, ushtarët ukrainas zmbrapsën sulmet ruse në Severodonetsk.

Severonetsk dhe Lysychansk, qytetet binjake me rreth 100,000 banorë, janë vënë në lojë për disa ditë në një betejë të ashpër. Rënia e këtyre dy qyteteve do të lejonte forcat ruse të synonin Sloviansk, në rajonin e Donetskut, rreth 70 km në perëndim. Dhe, përveç kësaj, do t’i lejonte Moskës të merrte kontrollin e të gjithë Donbasit, një rajon minierash kryesisht rusisht-folës, pjesërisht në pronësi të separatistëve pro-rusë që nga viti 2014.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas mohojnë çdo rrethim të forcave të tyre në këtë fazë. “Qyteti nuk është i izoluar, ka rrugë komunikimi edhe nëse janë mjaft të ndërlikuara”, tha një ekzekutiv lokal. Për të frenuar përparimin rus, Kievi vazhdon t’i kërkojë Perëndimit armë. Por tani për tani “ne kemi marrë vetëm rreth 10%” të armëve që “i nevojiten” Ukrainës dhe pa të cilat “ne nuk do të mund ta fitojmë këtë luftë”, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes Anna Maliar.

Gjithashtu të martën, ushtria ukrainase njoftoi krijimin e një “Legjioni të Lirisë” nga Rusia, i përbërë nga qytetarë të lirë që kundërshtojnë pushtimin e kërkuar nga Kremlini. Në krye do të shfaqej ish-zëvendëspresidenti i Gazprombank, Igor Volobuyev. rsi-eb

Oleksandra Matviichuk: U prehsh në paqe hero i Ukrainës, Roman Ratushny!

Oleksandra Matviichuk @avalaina drejtuesja e Qendrës për Liritë Civile (Ukrainë) / fituese e Çmimit të OSBE-së 2016 si mbrojtëse e demokracisë lajmëron me disa tweets vrasjen e 24 vjeçarit Roman Ratushny, aktivist i guximshëm kundër korrupsionit, që vdiq duke mbrojtur #Ukrainën duke luftuar kundër pushtimit rus. Ai ishte vetëm 24 vjeç. Ky është çmimi që populli ukrainas po paguan për kufirin evropian, për paqen tonë, për lirinë tonë dhe për demokracinë tonë. Ai ishte elita e vërtetë e Ukrainës. Ai duhej të punonte për ta kthyer vendin tonë në një demokraci të zhvilluar mirë. Dhe ai dha jetën në luftën me rusët dhe ne do të kemi një shans për ta bërë Ukrainën. Ne do të kemi sukses, Roman. premtova. Është gjithmonë e vështirë të gjesh fjalët e duhura. Romanin e njoh personalisht. U prehsh ne paqe hero 🇺🇦 “ Kur ai ishte 16-17 vjeç – mbrojti Maidan; kur ishte  20-22 vjeç – mbrojti Protasiv Yar dhe në 2022 vetëm 24 vjeç – ai shkoi në luftë! Roman, ke bërë kaq shumë për të gjithë ne në më pak se 25 vjet.” ( Fotot Angelina Koryakina)

 

 

Zelensky i bën thirrje Gjermanisë të ketë qëndrim më të qartë për luftën në Ukrainë

RFE/RL

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje kancelarit gjerman, Olaf Scholz të ketë pozicion më të qartë për luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Neve na duhet që kancelari Scholz të sigurojë që Gjermania mbështet Ukrainën. Ai dhe Qeveria e tij duhet të vendosin”, ka thënë Zelensky në një intervistë për transmetuesin gjerman, ZDF.

Gjermania nuk duhet të tentojë të gjejë një balancë në marrëdhënien me Ukrainën dhe lidhjet me Rusinë, ka thënë presidenti ukrainas.

“Gjermania ka nisur të dërgojë armë më vonë sesa shtetet fqinje. Ky është fakt”, ka thënë Zelensky.

Në fillim, Gjermania dhe Franca kanë mbështetur Ukrainën vetëm në aspektin politik dhe retorik, ka shtuar ai.

Scholz ka hedhur poshtë kritikat se Gjermania është duke vepruar shumë ngadalë në dërgim të armëve të rënda në Ukrainë.

“Ne do të dërgojmë të gjitha armët për të cilat jemi pajtuar”, ka thënë Scholz të hënën, duke shtuar se forcat ukrainase duhet të trajnohen për përdorim të armëve.

“Janë armë tejet të rënda. Duhet të mësoheni t’i përdorni, duhet të trajnohen”, ka thënë Scholz, duke shtuar se ushtarët ukrainas janë duke kryer trajnime në Gjermani për këtë gjë.

Forcat ruse në qendër të Sievierodonetskut

VOA/Megan Duzor, Chris Hannas

Një zyrtar ukrainas tha se trupat ruse kanë hyrë në qendër të qytetit lindor të Sievierodonetskut dhe po vazhdojnë të bombardojnë një fabrikë kimike, ku janë strehuar qindra ushtarë dhe civilë.

Guvernatori rajonal Serhiy Haidai tha të hënën në rrjetin Telegram se trupat ruse kontrollojnë rreth 70 për qind të qytetit dhe i kanë larguar forcat ukrainase nga qendra e tij.

Ai tha se fabrika Azot në këtë qytet, ku janë strehuar qindra civilë, po “bombardohet rëndë”. Rreth 500 civilë mbeten në fabrikë dhe ushtria e Ukrainës po përpiqet t’i largojë ata në një vend të sigurt.

Rusia thotë se të gjitha urat e qytetit janë shkatërruar. Zyrtarët ukrainas thonë se ka ende një rrugë tjetër për të dalë nga qyteti, por është e dëmtuar rëndë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se beteja për rajonin e Donbasit “me siguri do të mbetet në historinë ushtarake si një nga betejat më të dhunshme në Evropë”.

“Për ne, çmimi i kësaj beteje është shumë i lartë. Është thjesht e frikshme”, tha presidenti Zelenskyy të hënën vonë.

Ai përsëriti thirrjet për vendet partnere që t’i dërgojnë Ukrainës artileri moderne për t’u përdorur kundër forcave ruse.

Këshilltari i presidentit Zelenskyy, Mykhailo Podolyak, shkroi në Twitter të hënën se për t’i dhënë fund luftës Ukraia ka nevojë pëer armë të rënda”. Ai renditi disa kategori armësh, duke përfshirë 1,000 topa obus, 300 sisteme raketash, 500 tanke, 2,000 automjete të blinduara dhe 1,000 dronë.

“Takimi i Grupit të Kontaktit të Ministrave të Mbrojtjes mbahet në Bruksel më 15 qershor”, tha këshilltari Podolyak. “Ne presim një vendim”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të drejtojë takimin në selinë e NATO-s. Një takim virtual i grupit muajin e kaluar, mblodhi përfaqësues nga 47 vende.

Sekretari Austin tha pas bisedimeve të muajit maj se grupi po “intensifikonte përpjekjet” dhe po punonte për të thelluar bashkërendimin me Ukrainën “në mënyrë që Ukraina të mund të forcojë operacionet e saj në fushën e betejës”.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha të hënën se ditët e fundit beteja rreth Sievierodonetsk “ka vazhduar të bëhet e furishme”.

Rusia pretendon se tashmë kontrollon 97 për qind të të provincës Luhansk ku ndodhet Sievierodonetsku. Por pushtimi i qytetit industrial të Sievierodonetskut, me një popullsi prej 100,000 banorësh sa kishte para luftës, mbetet vendimtar për qëllimin më të gjerë të Moskës për të kontrolluar rajonin lindor të Donbasit, i cili përfshin provincat Luhansk dhe Donetsk.

Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe forcat e Kievit që atëherë kanë luftuar me separatistët pro-rusë në rajonin e Donbasit.

*Disa pjesë të këtij artikulli janë marrë nga agjencitë e lajmeve Reuters, Associated Press dhe France-Presse.

‘I dashur Zot, merre Putinin mbrapsht’- Lutja e vëllezërve Klitschko

Vetëm një muaj ka zgjatur qetësia në Kiev. Rusia ka rikthyer sulmet edhe mbi kryeqytetin ukrainas.

Kryebashkiaku i këtij qyteti, Vitali Klitschko dhe vëllai i tij, legjenda tjetër e boksit, Vladimir Klitschko, kanë folur për gazetën BILD.

Vitali tha se Rusia nuk po sulmon objektivat ushtarakë. “Qëllimi i tyre është që Ukrainë dhe gjithë Europa të vdesin për bukë,” tha Vitali.

Kurse Vladimiri tha: “Qielli mbi kokat tona nuk është i sigurt. Europa duhet të kuptojë këtë”.

Më tej Vitali thotë se Zoti duhet ta marrë Putinin.

“Putini ka shkatërruar jetën e miliona njerëzve. Ai e nisi këtë luftë, ai mund ta mbarojë. Ka shumë spekulime nëse Putini e nisi këtë luftë sepse është sëmurë dhe nuk i ka mbetur edhe shumë për të jetuar. Nuk kam informacione për këtë. Por miliona njerëz, jetët e të cilëve janë shkatërruar nga Putini, kanë vetëm një dëshirë: Ose të zhduket Putini- ose Zoti ta marrë mbrapsht”.

I pyetur nëse ukrainasit shpresojnë se Putini mund të vdesë, Vladimiri thotë: “Është shpresa e mbarë botës që kjo luftë të mbarojë- me çdo mjet! Nuk ka rëndësi se si, për shkak se shumë njerëz, përfshi fëmijë,po vuajnë. Mbi një mijë fëmijë janë plagosur ose janë vrarë në këtë luftë”.

Jeta jonë në duart e një të çmenduri. Dhe ne që bëjmë sikur nuk shohim Nga Dmitry Glukhovsky

Scholz tha se Serbia duhet të njohë Kosovën/ Ischinger: Bravo kancelar!

Deklarata e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz në Prishtinë, se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, ka nxitur reagime të forta, ndërsa në Beograd e kanë pritur me zemërim këtë qëndrim.

Ndërkohë ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Ischinger, ka thënë se një deklaratë e tillë e Scholz është për t’u duartroktiur, raporton Gazeta Express.

Diplomati gjerman ka thënë se një gjuhë e tillë e qartë drejt Serbisë është për t’u vlerësuar, ndërsa shton se do të ishte e dobishme nëse të gjitha shtetet anëtare të BE-së do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Ischinger thotë se ende ka shumë punë për t’u bërë.

“Bravo kancelari Scholz.: Gjuhë e qartë për Beogradin për temën e njohjes së Kosovës nga Serbia! Megjithatë, fillimisht do të ishte e dobishme nëse të gjithë anëtarët e BE-së do ta njihnin Kosovën: ka ende shumë për të bërë!”, shkruan Ischinger.

syri.net

Komisioni Evropian mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE

RFE/RL

Komisioni Evropian pritet të mbështesë dhënien e statusit e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Ukrainën gjatë javës së ardhshme, pavarësisht nga kundërshtimet e Danimarkës dhe Holandës, raportoi më 10 qershor Bloomberg, duke cituar burime anonime.

Bloomberg tha se persona të njoftuar me këtë çështjen, thanë se rekomandimi, i cili duhet të debatohet dhe më pas të miratohet nga kolegji i komisionarëve të Bashkimit Evropian, do të bëhet me kushte që lidhen me sundimin e ligjit dhe ligjeve kundër korrupsionit.

Miratimi nga Komisioni Evropian kërkon marrëveshje me shtetet anëtare, që sipas Bloomberg, mund të paraqesë problem me Danimarkën, e cila ka lëshuar një notë diplomatike duke paralajmëruar se Ukraina nuk ka plotësuar mjaftueshëm kritike që lidhen me stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokraci, sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe respektim dhe mbrojtje të minoriteteve.

Holanda po ashtu ka shprehur kundërshtime, raportoi agjencia.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Bashkimi Evropian që t’i ofrojë shtetit të tij anëtarësim përmes një procedure më të shkurtuar, duke shtuar se kjo do të ishte “një përgjigje e fuqishme” ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Liderët e bllokut pritet që të bisedojnë për këtë çështje më 23 dhe 24 qershor.
Bashkimi Evropian me 27 anëtarë nuk është zgjeruar për pothuajse një dekadë për shkak të mbështetjes së dobët nga shtetet kyçe.

Filorusët dënojnë me vdekje dy britanikë dhe një maroken që luftonin përkrah ushtrisë ukrainase

VOAL- Një gjykatë në republikën separatiste të Donetskut në Ukrainën lindore dënoi sot me vdekje dy shtetas britanikë dhe një maroken, të zënë rob ndërsa luftonin kundër ushtrisë ruse.

Gjykata i shpalli të tre burrat – britanikun Aiden Aslin dhe Shaun Pinner dhe marokenin Brahim Saadoun – fajtorë për “veprimtari mercenare dhe për kryerjen e veprimeve që synonin marrjen e pushtetit dhe përmbysjen e rendit kushtetues” të republikës separatiste.

Zëdhënësi i kryeministrit britanik Boris Johnson tha se, sipas konventave të Gjenevës, të burgosurit e luftës kanë të drejtën e imunitetit, ndërsa sekretarja e jashtme e shtetit, Liz Truss, foli për një “dënim farsë pa asnjë legjitimitet”.

Në javët e fundit, zyrtarët pro-rusë kanë lënë të kuptohet se ushtarët ukrainas të kapur, përfshirë ata të batalionit Azov, mund të gjykohen dhe dënohen me vdekje.

Që nga viti 1997, një moratorium mbi dënimin me vdekje është vendosur në Rusi, por jo në dy territoret e shkëputura të Ukrainës lindore. rsi-eb

Duda kritikon liderët e Francës dhe Gjermanisë: Të bisedosh me Putinin është si të bisedosh me Hitlerin

RFE/RL

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, kritikoi liderët e Francës dhe Gjermanisë për bisedat e tyre telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se këto telefonata i duken sikurse të bisedonin me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore, raportoi e përditshmja gjermane, Bild.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë mbajtur biseda të ndara telefonike me Putinin, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Macron veçanërisht ka zemëruar ukrainasit, kur ka deklaruar se Rusia nuk duhet të “poshtërohet” në mënyrë që të ruhen shanset për zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Duda gjatë një interviste për Bild tha se diskutime të tilla vetëm kanë legjitimuar luftën e paligjshme në Ukrainë.

“A ka folur dikush kështu me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore?”, tha Duda.

“A ka thënë dikush që Adolf Hitleri duhet të dalë faqebardhë? Se duhet të veprojmë në atë mënyrë që të mos e poshtërojmë Adolf Hitlerin? Unë nuk kam dëgjuar diçka të tillë”, shtoi presidenti polak.

Lufta në Ukrainë, që Moska e cilëson “operacion të posaçëm ushtarak”, ka lënë të vdekur mijëra civilë dhe mbi 7 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga vendi.

Ukraina dhe aleatët perëndimorë thonë se Rusia ka nisur luftë të paprovokuar për të pushtuar vendin.

Në një telefonatë të përbashkët me Putinin më 28 maj, Scholz dhe Macron i bën thirrje atij që të lirojë 2,500 luftëtarët ukrainas të fabrikës Azovstal në Mariupol, dhe të bisedojë direkt me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Muajin e kaluar, Zelensky hodhi poshtë sugjerimet e bëra nga disa shtete perëndimore se Kievi duhet të japë territor dhe të bëjë koncesione të tjera në mënyrë që t’i jepet fund luftës, duke thënë se këto ide i ngjasojnë me përpjekjet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore për të bindur Gjermaninë Naziste që t’i jepte fund luftës.

BE: Do të shiten vetëm makina elektrike

VOAL- Seanca plenare e Parlamentit Evropian miratoi propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë fund shitjes së makinave të reja me benzinë ​​dhe naftë nga viti 2035.

Michael Bloss, deputeti i të Gjelbërve, shpjegoi se vendimi është marrë “në favor të së ardhmes së Evropës si sedilje makine”, duke synuar të bëhet qendra e prodhimit të makinave dhe baterive më të mira elektrike. Gianmarco Giorda, drejtor i Shoqatës Kombëtare të Industrisë së Industrisë së Automjeteve në Itali, megjithatë, argumenton se pas kësaj zgjedhjeje “70,000 vende pune do të jenë në rrezik në industrinë e lidhur me prodhimin e komponentëve që nuk janë të dobishëm për industrinë elektrike”.

Projektligji, procesi legjislativ i të cilit nuk është përfunduar ende, është pjesë e paketës klimatike të quajtur “Fit for 55” të Bashkimit Evropian që synon të reduktojë emetimet me 55% deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990, si dhe të arrijë neutralitetin klimatik me 2050. rsi-eb

Zelensky bisedon me Scholzin për të burgosurit e luftës

RFE/RL

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka biseduar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për shqetësimet lidhur me trajtimin e të burgosurve të luftës nga Rusia.

“Diskutova për rritjen e mbështetjes së mbrojtjes për Ukrainën dhe për t’u siguruar për sigurinë globale të ushqimit. Ngrita çështjen e respektimit të ligjeve ndërkombëtare të Rusisë në trajtimin e të burgosurve të luftës. Theksova rëndësinë për vendimet për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian”, tha Zelensky përmes një postimi në Twitter më 8 qershor.

Zelensky nuk dha më shumë detaje për këtë bisedë telefonike.

Media shtetërore ruse TASS raportoi më 7 qershor se mbi 1,000 ushtarë ukrainas, të cilët janë dorëzuar në qytetin-port të Mariupolit, tani po mbahen në territorin rus dhe po hetohen.

Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, Rusia ka bllokuar portet ukrainase, duke penguar që të eksportohen mijëra tonë drithë nga Ukraina, një prej prodhuesve më të mëdha në botë të drithit. Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Rusinë se po vjedh stoqe me drithëra nga Ukraina dhe po i dërgon në Rusi.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, po qëndron në Turqi në bisedime për zhbllokimin e eksporteve e drithërave nga Ukraina.

Merkel: Lufta e Rusisë në Ukrainë, tragjedi e madhe

RFE/RL

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ajo ishte përpjekur shumë për të parandaluar që situata në Ukrainë të shndërrohej në një konflikt të plotë.

Duke folur në intervistën e parë qëkur u largua nga posti i kancelares, Merkel tha më 7 qershor se ajo ndiente “trishtim të madh” që përpjekjet gjermano-franceze rreth marrëveshjes së paqes të Minskut me Rusinë nuk funksionuan, por ajo nuk e fajësoi veten.

“Diplomacia nuk është gabim për faktin që nuk funksionoi”, tha ajo gjatë intervistës për ARD. “Pra, nuk e kuptoj pse duhet të them se ishte gabim dhe të kërkoj falje për këtë”.

Marrëveshjet e paqes të Minskut, të arritura më 2014 dhe 2015, kishin për qëllim të zgjidhnin konfliktin në lindje të Ukrainës midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare ukrainase. Liderët e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës u takuan nën të ashtuquajturin Format të Normandisë, duke kërkuar që t’i jepnin fund konfliktit. Por, këto pakte nuk u zbatuan plotësisht.

Duke folur për situatën aktuale, Merkel tha se nuk ka asnjë justifikim për “mospërfilljen brutale të ligjit ndërkombëtar” nga Rusia.

Ajo tha se sulmi ndaj Ukrainës ishte një gabim i madh dhe e pyeti veten se çfarë do të mund të bënte ndryshme.

“A kemi mundur të bëjmë më shumë që të parandalojmë këtë, që unë tani po e quaj tragjedi të madhe. Prandaj ju vazhdoni të pyesni pse, dhe unë natyrisht që vazhdoj t’i bëj këto pyetje”, tha ajo.

Merkel tha se ka qenë kundër planit për të lejuar Ukrainën të anëtarësohej në NATO sepse ajo dëshironte të shmangte një përshkallëzim me Rusinë dhe sepse Ukraina nuk ishte e gatshme t’i bashkohej aleancës.

Ajo po ashtu tha se nuk ka qenë naive lidhur me “urrejtjen” e presidentit rus, Vladimir Putin, për modelin e demokracisë perëndimore, duke thënë se i ka paralajmëruar disa herë kolegët e saj se Putin dëshironte të përçajë Bashkimin Evropian.

Merkel ishte kancelare e Gjermanisë nga viti 2005 deri më 2021.

Sukses i Ukrainës kundër flotës ruse të Detit të Zi, spostohet me 100 km

Nga Karen von Guttenberg, BILD

Numerikisht, banditët e Putinit janë superiorë. E megjithatë, Ukraina ka arritur t’i japë goditje të mëdha dhe të papritura ushtrisë ruse.

Më 14 prill, ushtria ukrainase fundosi anijen e flotës ruse të Detit të Zi, Moskva. Tani ajo ka arritur ta largojë flotën ruse më shumë se 100 kilometra nga bregu i Detit të Zi.

Flota ruse është privuar nga kontrolli total mbi veriperëndimin e Detit të Zi, tha të hënën Ministria e Mbrojtjes e Kievit.

Megjithatë, Rusia po përpiqet të rimarrë kontrollin e zonës detare dhe qytetet në bregdet janë ende të kërcënuara nga sulmet me raketat ruse. Përveç kësaj, flota ruse vazhdon të bllokojë transportin civil, tha ministria.

Në përgjigje të sukseseve të Ukrainës në Detin e Zi, forcat ruse duhet të kishin vendosur sisteme mbrojtëse bregdetare në gadishullin e Krimesë dhe në zonën e kontrolluar nga Rusia rreth qytetit Kherson.

Përveç kësaj, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, forcat shtesë ruse u vendosën në Ishullin e Gjarpërinjve të pushtuar nga Rusia. Anijet luftarake të marinës ruse kanë mbajtur një bllokadë detare pranë Ukrainës për javë të tëra.

Megjithatë, në betejën për qytetin e rëndësishëm strategjik të Severodonetsk në Ukrainën lindore, situata e forcave ukrainase duket të jetë gjithnjë e më e vështirë. “Ne po rezistojmë, por ata janë shumë dhe janë më të fortë,’ tha të hënën presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky.

Zelensky e përshkroi situatën në qytetet fqinjë Severodonetstk dhe Lysychansk duke thënë se ato janë ‘qytete të vdekura’. Sipas tij, rreth 10 deri në 15 mijë civilë kanë ngecur mes zjarrit të artilerisë ruse.

Nga ana tjetër, guvernatori rajonal ukrainas, Serhiy Gaiday tha se situata për ushtrinë ukrainase është përkeqësuar sërish pas sukseseve të fundit. Severodonetsk është qyteti i fundit i madh në rajonin e Lunanskut në Donbas që nuk është pushtuar ende nga Rusia.

syri.net

Rusia godet Kievin me raketa për herë të parë që prej më shumë se një muaji

VOA/Marrë nga Associated Press

Rusia goditi me raketa Kievin, duke pretenduar se shkatërroi tanke dhe automjete të tjera të blinduara të dhuruara nga Evropa për Ukrainën. Që nga 28 prilli kryeqyteti i Ukrainës kishte rënë në qetësi, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin të dielën paralajmëroi perëndimin se furnizimi me armë i Ukrainës do të zgjaste konfliktin. Ai tha se Moska do të godiste objektivat që nuk ishin goditur ende nëse Perëndimi do të do të vazhdonte me dërgesa të sistemeve me raketa.

Forcat ruse sulmuan me raketa kryeqytetin e Ukrainës. Që nga vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres në 28 prill në Kiev nuk ishin kryer sulme.

Sipas autoriteteve ukrainase raketat ranë në lagjet Darnytskyi dhe Dniprovskyi, në periferi të Kievit. Të paktën një person u shtrua në spital dhe fatmirësisht nuk ka viktima, tha kryebashkiaku Vitaly Klitschko.

Serhiy Leshchenko, një ndihmës i shefit të shtabit të Presidentit Volodomyr Zelenskiy, tha se raketat kishin si qëllim të godisnin infrastrukturën hekurudhore në kryeqytet. Nga ana tjetër ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet me raketa nga distanca kishin shkatërruar tanket T-72 dhe automjetet e blinduara që i ishin dhënë Ukrainës nga vendet e Evropës Lindore.

Në një intervistë për mediat ruse, Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi se çdo dërgesë e sistemeve të raketave nga perëndimi në Ukrainë do ta shtynte Moskën të godiste “objekte që ende nuk janë goditur.”

“E gjithë kjo bujë rreth dërgesave shtesë të armëve, për mendimin tim, ka vetëm një qëllim: të zvarritet konflikti i armatosur sa më shumë që të jetë e mundur”, tha zoti Putin.

“Nëse Kievi merr raketa me rreze më të gjatë”, shtoi ai, “Moska do të nxjerrë përfundimet e duhura dhe do të përdorë mjetet tona të shkatërrimit, të cilat i kemi mjaftueshëm, për të goditur ato objekte që nuk i kemi goditur ende”.

Analistët ushtarakë thonë se Rusia shpreson të marrë nën kontroll rajonin lindor të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar me qeverinë ukrainase për vite me radhë, përpara se të mbërrijnë në Ukrainë sistemet raketore me rreze të mesme veprimi.

Pentagoni tha në fillim të kësaj jave se do të duhen të paktën tre javë për të futur armët precize amerikane dhe trupat e trajnuara në fushën e betejës.

Shefi i shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës akuzoi forcat ruse për përdorimin e municioneve me fosfor në rajonin e Kharkivit. Pretendimi nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Po ashtu ai tha se forcat ruse nuk kanë përparuar shumë në qytetin Sievierodonetsk, një deklaratë kjo që u mbështet edhe nga inteligjenca britanike e cila thotë se luftëtarët ukrainas kanë zmbrapsur ditët e fundit forcat ruse.

Në frontin diplomatik, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov shkon në fillim të javës Serbi për bisedime me presidentin Aleksandar Vuçiç e më pas në Turqi, ku pritet të diskutojë për Ukrainën me homologun e tij turk.

Turqia është përpjekur të punojë me OKB-në dhe Ukrainën e Rusinë për të ndihmuar në hapjen e rrugës që gruri ukrainas të eksportohet në portet turke, megjithëse ende nuk ka marrëveshje për këtë çështje.

Agresioni rus në Ukrainë ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima, ushtarë dhe civilë si dhe ka shkaktuar krizën më të rëndë të refugjatëve në Evropë. Lufta po ashtu ka ndaluar eksportet e grurit dhe drithërave të tjera nga Ukraina përmes Detit të Zi, duke kufizuar aksesin në bukë dhe produkte të tjera në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

“Rusia të mos poshtërohet për pushtimin”, Ukraina i përgjigjet presidentit Macron: Po poshtëroni veten!

Ukraina nuk e ka pritur mire deklaratën e presidentit të Francës Emanuel Makron, i cili u shpreh një ditë më parë se është jetike që Rusia të mos poshtërohet për pushtimin e saj të Ukrainës. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se aleatët duhet të “përqendrohen me shume se si ta vendosin Rusinë në vendin ku meriton te jete”, pasi ajo ne fakt po poshtëron veten duke pushtuar një vend tjetër”.

Ministri i Jashtëm Kuleba tha në një postim në Twitter se “thirrjet për të shmangur poshtërimin e Rusisë mund të poshtërojnë vetëm Francën dhe çdo vend tjetër që do ta bënte atë”. Sipas Kievit Rusise nuk duhet t’i behën lëshime për te marre territore nga Ukraina. Nje dite me pare, Presidenti Francez tha se ishte e rëndësishme që Presidenti Vladimir Putin të kishte një rrugëdalje nga ai që ai e quajti një gabim themelor. Macron ka folur vazhdimisht me Putinin me telefon në një përpjekje për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe negociata.

Përpjekjet franceze për të mbajtur një dialog me liderin e Kremlinit janë në kontrast me qëndrimet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Më herët, Macron u tha mediave franceze se lideri rus ishte “izoluar”. “Unë mendoj, dhe ia kam bere te qarte se Putin ka bere nje gabim historik dhe thelbësor për popullin e tij, për veten dhe historinë”, tha ai. bw

Spanja do të dërgojë raketa dhe tanke kundër-ajrore në Ukrainë

RFE/RL

Spanja do të furnizojë Ukrainën me raketa anti-ajrore dhe tanke luftarake Leopard në një rritje të mbështetjes së saj ushtarake për vendin, sipas burimeve qeveritare të cituara nga gazeta El Pais të dielën.

Spanja gjithashtu do të ofrojë trajnime thelbësore për ushtrinë ukrainase se si të përdorin tanket. Trajnimet do të zhvillohen në Letoni, ku ushtria spanjolle ka dislokuar 500 ushtarë në kuadër të operacionit të Prezencës së Përparuar të Përmirësuar të NATO-s.

Një fazë e dytë e trajnimit mund të zhvillohet në Spanjë, sipas burimeve të cituara nga El Pais.

Gazeta tha se ministria e mbrojtjes e Spanjës po finalizon një dorëzim në Kiev të raketave anti-ajrore të nivelit të ulët Shorad Aspide, të cilat ushtria spanjolle i ka zëvendësuar me një sistem më të avancuar.

Spanja deri më tani ka furnizuar Ukrainën me municion, pajisje mbrojtëse individuale dhe armë të lehta.

Burimet i thanë El Pais se oferta e rritjes së mbështetjes u ngrit kur kryeministri Pedro Sanchez vizitoi Ukrainën dhe u takua me Presidentin Volodymyr Zelenskiy më 21 prill, por ishte vonuar nga kompleksiteti i operacionit.

Ukraina thotë se bisedimet nuk kanë kuptim derisa trupat ruse nuk tërhiqen

RFE/RL

Ukraina hodhi poshtë të shtunën thirrjen e presidentit francez Emmanuel Macron për të mos “poshtëruar” Rusinë për hir të diplomacisë dhe tha se nuk ka asnjë kuptim të ketë negociata derisa forcat e Moskës të shtyheshen sa më shumë që është e mundur.

Macron, i cili ka vazhduar dialogun me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, ofroi të premten të ndërmjetësojë në luftë dhe paralajmëroi kundër poshtërimit të Moskës në mënyrë që të mbajë derën e hapur për një zgjidhje diplomatike.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba hodhi poshtë logjikën e Macron në Twitter, duke thënë se thirrje të tilla “vetëm mund të poshtërojnë Francën dhe çdo vend tjetër që e kërkon atë”.

“Sepse është Rusia ajo që poshtëron veten. Të gjithë më mirë të përqendrohemi se si ta vendosim Rusinë në vendin e saj. Kjo do të sjellë paqe dhe do të shpëtojë jetë,” tha ai.

I pyetur në lidhje me ofertën e ndërmjetësimit në televizionin kombëtar, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha: “…Derisa të marrim armët në sasinë e tyre të plotë, derisa të forcojmë pozicionet tona, derisa t’i shtyjmë ato (forcat ruse) sa më shumë që të jetë e mundur në kufijtë e Ukrainës, nuk ka kuptim të zhvillohen negociata.”

Ukraina, e cila thotë se Rusia ka pushtuar tashmë rreth 20% të territorit të saj, tani po merr armë më të fuqishme nga Perëndimi.

“Forcat tona të armatosura janë gati të përdorin (armët e reja)…dhe më pas mendoj se mund të fillojmë një raund të ri bisedimesh nga një pozicion i forcuar,” tha të premten David Arakhamia, ligjvënësi ukrainas dhe anëtar i ekipit negociator .

Ndër të tjera, Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës sisteme precize raketash HIMARS, duke e lejuar atë të godasë pozicionet ruse nga një distancë më e madhe.

Autoritetet ukrainase: Kemi rimarrë territorin në Severodonjeck

RFE/RL

Ukraina tha se forcat e saj kanë rimarrë 20 për qind të territorit që kishin humbur në qytetin Severodonjeck, që ishte fokusi i një ofensive ruse për të marrë rajonin lindor të Donbasit.

Serhiy Hayday, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, tha se ushtria ukrainase vazhdoi të mbante pozicionet e saj brenda Severodonjeck dhe po i shtynte forcat ruse në disa lokacione.

“Sapo të kemi mjaft armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi, ne do ta largojmë artilerinë e tyre nga pozicionet tona”, tha Hayday.

Hayday tha më 4 qershor se forcat ruse po hidhnin në erë ura përgjatë lumit Seversky Donjeck për të parandaluar që Ukraina të sillte përforcime ushtarake dhe të dërgonte ndihma për civilët në Severodonjeck.

Ushtria e Ukrainës tha se Rusia ka përforcuar trupat e saj dhe ka përdorur artileri për të kryer “operacione sulmi” në qytet, i cili është bombarduar nga forcat ruse për javë të tëra.

“Armiku po ndërmerr sulme në qytetin e Severodonjeck me mbështetje artilerie, ai ka forcuar trupat e tij me rezervat e lëvizshme të korpusit të 2-të të ushtrisë, luftimet në qytet vazhdojnë,” tha ushtria më 4 qershor.

Ata megjithtë shtuan se forcat ruse ishin tërhequr pas përpjekjeve të dështuara për të avancuar në qytetin e afërt të Bakhmut dhe ndërprenë hyrjen në Severodonjeck.

Në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, një raketë goditi një njësi magazinimi bujqësor, duke plagosur dy persona në mëngjesin e 4 qershorit, shkroi zëdhënësi i administratës rajonale në Telegram.

Rusia ka rritur ofensivën e saj për të marrë terren më tej në zonat ku separatistët e mbështetur nga Moska tashmë kanë një bazë.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha në përditësimet e saj të rregullta se aktiviteti ajror rus mbetet i lartë mbi rajonin e Donbasit të Ukrainës me avionët rusë që kryejnë sulme të vazhdueshme.

Granatime të rënda në Ukrainën Lindore, plagosen dy gazetarë të Reuters, humb jetën shoferi që po i shoqëronte

Dy gazetarë të Reuters janë plagosur gjatë sulmeve ruse pranë qytetit Severodonetsk në Ukrainën lindore, konfirmoi një zëdhënës i Reuters për CNN.

Ndërsa shoferi i automjetit me të cilin po udhëtonin është vrarë.

“Gjatë raportimit, dy gazetarë të Reuters pësuan lëndime të lehta kur u sulmuan gjatë rrugës për në Sevierodonetsk. Ata po udhëtonin me një automjet të siguruar nga separatistët e mbështetur nga Rusia dhe të drejtuar nga një individ i caktuar nga separatistët. Shoferi i mjetit u vra”, tha zëdhënësi i Reuters.

Qyteti i Severodonetsk, në rajonin Luhansk të Ukrainës, ka parë disa nga granatimet më të rënda në ditët e fundit.

Ushtria ukrainase tha të premten se granatimet e pozicioneve mbrojtëse vazhdojnë dhe ka raportuar për sulme ajrore ruse në zonë. bw

Shefi i NATO-s: Përgatituni për një luftë të gjatë që mund të përfundojë vetëm në tryezë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka paralajmëruar vendet perëndimore se lufta do të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Pas takimit me presidentin e SHBA-së Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, ditën e djeshme, Stoltenberg tha se NATO duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në atë që po shndërrohet në një konflikt të gjatë.

“Duhet të jemi të prgatitur për një kohë të gjatë, sepse ajo që shohim është një luftë e shndërruar në një luftë shkatërrimi me ukrainas që po paguajnë shtrenjtë për mbrojtjen e vendit të tyre dhe me Rusinë që po regjuistron shifra të larta të vrarësh,” tha ai.

Stoltenberg shprehet se kjo luftë ka gjasa të përfundojë në tavolinën e negociatave. Sipas tij vendet perëndimore duhet t’i mbështesin të dy vendet në tryezën e negocatave, pasi ajo lidhet ngushtë me atë që po ndodh në fushëbetejë.

“Kjo është e vetmja mënyrë që të dy palët të arrijnë një rezultat të kënaqshëm për këtë konflikt,” shtoji ndër të tjera Stoltenberg.

syri.net

Maryna 5-vjeçare kërkon ndihmë një protezë të mirë të këmbës

Maryna 5-vjeçare i është prerë këmba pasi një predhë goditi shtëpinë e saj në rajonin #Kherson.

Në shtëpi nuk kishte bodrum, kështu që familja u fsheh në dhomën më të sigurt, por predha goditi atje.

Predha thuajse e këputi këmbën e fëmijës, copa predhash goditën edhe gjymtyrët e sipërme të nënës të vajzës, Natalisë.

Fëmija është nxjerrë nga rrënojat nga gjyshi i tij.

Familjes iu desh të bënte 40 kilometra për të shkuar në spitalin më të afërt

Makina e tyre u qëllua pranë postblloqeve.

Maryna-s iu dha ndihma e parë nga ushtria ukrainase me një injeksion anestezik.

Nënë e bijë u dërguan në spitale të ndryshme, ndaj nuk u panë për më shumë se 3 javë.

Gjymtyrët e Natalias u shpëtuan – gruaja humbi një gisht.

Tani nëna dhe Maryna vazhdojnë të trajtohen në Spitalin Okhmatdyt.

“Kur e fashojnë, Marina mbyll sytë – jo prej dhimbjes, thjesht nuk dëshiron të shohë këmbën e saj”, – thonë mjekët.

Shikoni në sytë e kësaj vajze të vogël. Është Maryna.

Përhapeni këtë histori midis kompanive që mund t’i sigurojnë asaj një protezë të mirë të këmbës, në mënyrë që ajo të përjetojë fëmijëri normale pas gjithë këtyre tmerreve të luftës./Voal.ch

(Ky tekst është marrë nga Tweeti i Daria Kaleniuk)

 

A pyeti kush: a festuan fëmijët e Ukrainës 1 qershorin!

A pyeti kush: a festuan fëmijët e Ukrainës 1 qershorin!

Sipas të dhënave nga b urimet ukrainase

~ 2/3 e të gjithë fëmijëve ukrainas u detyruan të ikin nga shtëpitë,

ata që qëndrojnë në Ukrainë vështirë se ndjehen të sigurt;

– Të dhënat paraprake 264 fëmijë u vranë dhe 420 u plagosën

(por nuk ka të dhëna nga #Mariupol & qytetet e pushtuara);

~ 230 mijë fëmijë u rrëmbyen në Rusi !

 

Zelesnky thotë se Rusia kontrollon ‘20 për qind’ të territorit të Ukrainës

RFE/RL

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi të enjten se trupat ruse kontrollojnë afërsisht një të pestën e vendit të tij, përfshi Gadishullin e aneksuar të Krimesë dhe territoret në lindje të kontrolluara nga separatistët pro-rusë që nga viti 2014.

“Sot, rreth 20 për qind të territorit tonë është nën kontrollin e pushtuesve”, deklaroi Zelensky gjatë adresimit të tij në parlamentin e Luksemburgut.

Forcat ruse morën kontrollin e pjesës më të madhe të një qyteti industrial ukrainas si pjesë e përpjekjes së tyre për të kontrolluar rajonin lindor të Donbasit, teksa vazhdojnë të shënjestrojnë hekurudhat të përdorura për transportimin e armëve nga aleatët perëndimorë të Kievit, ndërsa lufta i afrohet ditës së saj të 100-të.

Ndërkohë Ukraina po punon me partnerët e saj ndërkombëtare për të krijuar një mision të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të rihapur rrugët detare në Detin e Zi dhe për të eksportuar prodhimet bujqësore të Ukrainës, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Oleg Nikolenko.

Rusia ka kapur disa nga portet më të mëdha detare të Ukrainës dhe marina e saj kontrollon rrugët kryesore të transportit në Detin e Zi, duke bllokuar dërgesat e Ukrainës dhe duke shkaktuar një krizë globale ushqimore.

“Ne u bëjmë thirrje vendeve, siguria ushqimore e të cilëve po e vuan më shumë agresionin rus kundër Ukrainës, që të përdorin kontaktet e tyre me Moskën për ta detyruar atë të heqë bllokadën e porteve detare të Ukrainës dhe t’i japë fund luftës”, shkroi Nikolenko në Facebook.

Berisha në krye të PD- Ambasadori italian: Vendos vota, ndërkombëtarët s’duhet të ndërhyjnë

Ambasadori italian Fabrizio Bucci ishte i mendimit se ndërkombëtarët nuk duhet të ndërhyjnë në rikthimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.

Ai tha për “Mirëmëngjes” në Euronews Albania se janë votuesit ata që vendosin se kush do të jetë lideri i tyre, sidoqoftë nuk nguroi të sugjeronte se duheshin marrë në konsideratë politikanët e rinj.

“Ne nuk mund të ndërhyjmë, ne si Itali, ne si ndërkombëtarë mendoj, se është mjaft delikate të ndërhysh në dinamikat e brendshme të një partie. Ajo që mund të them, nga një këndvështrim më i përgjithshëm sa i takon opozitës, është se në gjirin e saj ka mjaft politikanë të rinj, të zotë, të aftë, mendoj se ky është pikërisht momenti kur të shohim drejt së ardhmes,” – u shpreh ambasadori.

Në fund të përgjigjes së tij Bucci solli në vëmendje dhe një shprehje të Alcide de Gasperi që ka qenë një ndër kryeministrat e shquar të Italisë.

“Politikanët mendojnë gjithmonë për zgjedhjet e ardhshme. Burrat e shtetit mendojnë për brezat e ardhshëm”.

syri.net

Deputetja gjermane: BE t’i pezullojë menjëherë bisedimet për anëtarësimin e Serbisë

Pas deklaratës së Vuçiçit gjatë seancës së betimit si president i Serbisë në lidhje me Kosovën, deputetja gjermane Renata Alt kërkon ngrirjen e menjëhershme të bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE, shkruan Deutsche Welle.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare në Bundestagun gjerman, deputetja e Partisë Liberale Gjermane (FDP) Renata Alt, tha pas deklaratës së Aleksandar Vuçiçit në lidhje me Kosovën për DW-në:

“Vuçiçi tregon se nuk i kushton ndonjë rëndësi normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve me fqinjin e tij. Tonet e mprehta nga Beogradi e rëndojnë situatën gjithësesi të tensionuar mes dy vendeve.

Fakti që Vuçiçi po rrit njëkohësisht bashkëpunimin me Kremlinin dhe po nuk pranon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë është diametralisht i kundërt me politikën e jashtme të BE-së. Prandaj negociatat e pranimit të Serbisë në BE duhet të ngrihen menjëherë”.

Serbia dhe Rusia forcojnë partneritetin

Në një  bisedë telefonike me presidetin rus, Vladimir Putin, presidenti serb, ra dakord që Serbia të vazhdojë të marrë edhe për tre vjet furnizime me gaz nga Rusia. Po ashtu Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiç ranë dakord gjatë telefonatës që të forcojnë partneritetin. Sipas të dhënave ruse, Putini dhe Vuçiçi diskutuan edhe për gjendjen në Ukrainë dhe për Kosovën.

syri.net

Fjalimi i parë publik këtë vit- Merkel thyen heshtjen: Solidariteti im shkon për Ukrainën

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka mbajtur fjalimin e saj të parë publik këtë vit, duke thyer heshtjen e saj për pushtimin rus të Ukrainës.

Në një ngjarje në Berlin, zonja Merkel, e cila dha dorëheqjen në fund të vitit 2021, mbështeti punën e qeverisë gjermane, BE-së, SHBA-së, NATO-s dhe të tjerëve që synonin t’i jepnin “fund kësaj lufte barbare”.

“Solidariteti im shkon për Ukrainën, e sulmuar dhe pushtuar nga Rusia, dhe për të mbështetur të drejtën e saj për vetëmbrojtje.”

Zonja Merkel është kritikuar për përpjekjen për t’u angazhuar me Vladimir Putinin e Rusisë gjatë periudhës së saj 16-vjeçare në detyrë, veçanërisht për pranimin e gazsjellësit Nord Stream 2. Projekti i tubacionit u pezullua përfundimisht nga pasardhësi i saj Olaf Scholz, dy ditë para pushtimit rus. bw

Italia rrit importet e naftës ruse

RFE/RL

Edhe pasi Bashkimi Evropian ka vendosur që të zvogëlojë importet me naftën e papërpunuar ruse për 90 për qind deri në fund të vitit, Italia është bërë shteti i vetëm në Evropë që ka rritur importet e kësaj lënde.

Bashkimi Evropian ka vendosur për pakon e re të sanksioneve ndaj Moskës, për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe embargoja ndaj naftës ruse tani vë në rrezik një prej rafinerive më të mëdha të Italisë, që gjendet në Sicili, dhe mund t’i japë goditje të madhe ekonomisë italiane.

Italia është pajtuar me partnerët e BE-së për të zvogëlojë importet e naftës së papërpunuar ruse deri më 2023, një lëvizje që kryeministri italian, Mario Draghi e ka quajtur “sukses të plotë” që “disa ditë më parë as që do të ishte e pabesueshme”.

Pavarësisht sanksioneve të sanksioneve të mëhershme ndaj Rusisë, rafineria e naftës e Italisë në Sicili, që është në pronësi të kompanisë ruse, Lukoil, çuditërisht ka rritur prodhimin nga 15 në 100 për qind të naftës së papërpunuar ruse.

Italia në maj kishte pranuar afër 400,00 fuçi naftë ruse në ditë, katër herë më shumë sesa nivelet e importeve para pushtimit të Ukrainës, thuhet në të dhënat e kompanisë Kpler.

“Italia është shteti i vetëm që ka rritur importet e naftës në Evropë”, thanë nga instituti ISPI.

Italia para pushtimit rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt, është bërë importuesja tretë më e madhe e naftës ruse. Para pushtimit ajo ishte importuesja e gjashtë në Evropë.

Turqia u vë kushte Finlandës dhe Suedisë nëse duan mbështetje për në NATO

RFE/RL

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu deklaroi të martën se Finlanda dhe Suedia duhet t’i ndryshojnë ligjet e tyre nëse është e nevojshme, për t’i përmbushur kërkesat e Turqisë dhe për të fituar mbështetjen e saj për t’iu bashkuar NATO-s, duke përforcuar kërcënimin për të vënë veton ndaj një zgjerimi historik të aleancës.

Më 13 maj, Turqia kundërshtoi anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO me arsyetimin se dy shtetet nordike po strehonin persona të grupeve që i përcakton si terroriste, përfshi dhe Partinë e Punës së Kurdistanit (PKK), dhe sepse ata ndalën së eksportuari armatime në Turqi në vitin 2019.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës. Në mënyrë që ato të anëtarësohen në aleancë, të 30 vendet anëtare duhet të japin aprovimin e tyre.

Mevlut Cavusoglu deklaroi se Turqia, një anëtare e NATO-s prej shtatë dekadash, nuk do të hiqte veton në rast se nuk plotësoheshin kërkesat e saj, duke nënvizuar edhe deklaratat e fundit të presidentit Taip Erdogan.

Ankaraja kërkon që Suedia dhe Finlanda të ndalojnë mbështetjen e tyre ndaj PKK dhe grupeve të tjerë, t’i ndalojë ato së organizuari evente në territorin e tyre, të ekstradojë ata persona që janë akuzuar nga Turqia për terrorizëm, të mbështesë operacionet ushtarake të Ankarasë dhe të heqë kufizimet mbi eksportin e armëve.

Finlanda dhe Suedia kërkojnë të gjejnë një zgjidhje nëpërmjet negociatave, ndërsa anëtarë të tjerë të NATO-s kanë thënë se mbeten të bindur se kundërshtimet e ngritura nga Turqia – e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s – mund të kapërcehen.
Dokumentet me kërkesa

Cavusoglu deklaroi se Turqia u kishte dhënë delegacioneve finlandeze dhe suedeze dokumente ku nënvizoheshin kërkesat gjatë bisedimeve në Ankara javën e kaluar dhe se ishte në pritje të përgjigjes së tyre, duke shtuar se ai pret që aleatët të punojnë për të adresuar shqetësimet mbi sigurinë.

“A janë të pamundura kërkesat tona? Jo. Ne duam që ata të ndalojnë mbështetjen e tyre ndaj terrorizmit”, tha Cavusoglu për agjencinë shtetërore të lajmeve turke Anadolu, duke shtuar se Ankaraja ishte e vetëdijshme se disa nga kërkesat e saj do të kërkonin që ligjet të ndryshoheshin.

“Ata e mendojnë në këtë mënyrë: ‘meqenëse jemi shumë larg nga rajonet e terroristëve, ligjet tona janë krijuar në këtë mënyrë’. Epo, atëherë ju duhet t’i ndryshoni ato”, tha ai dhe shtoi:

“Ata thonë se lejohet që organizatat terroriste të organizojë ngjarje dhe t’i valëvisin flamujt përreth. Atëherë ju duhet t’i ndryshoni ligjet tuaja”.

Shtetet nordike kanë thënë se e dënojnë terrorizmin dhe janë të hapura për dialog.

Cavusoglu tha se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po punonte për këtë çështje dhe kishte propozuar mbajtjen e bisedimeve në Bruksel me të tria vendet, por theksoi se Ankaraja pret më parë që Stokholmi dhe Helsinki tui përgjigjeshin kërkesave të saj me shkrim.

“Duhet të ketë gjëra konkrete që ne të diskutojmë”, deklaroi ai.

BE arrin marrëveshje kompromisi për bllokimin e importeve të naftës ruse

RFE/RL

Liderët e Bashkimit Evropian janë pajtuar për një plan që parasheh bllokimin e më shumë se dy të tretave të importeve të naftës ruse.

Ndalesa përbën një kompromis, sepse nuk prek importet përmes tubacioneve, tani për tani, për shkak të kundërshtimeve të Hungarisë.

Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se marrëveshja ndërpret “një burim të madh të financimit” për makinën ruse të luftës.

Ajo është pjesë e paketës së gjashtë me sanksione, e cila është miratuar në një samit të mbajtur në Bruksel mes 27 vendeve anëtare më 30 maj.

Michel ka thënë se BE-ja është pajtuar edhe për masa që shënjestrojnë bankën më të madhe ruse, Sberbank, si dhe tre transmetues shtetërorë.

Liderët e vendeve anëtare kanë kaluar disa orë duke tentuar që të zvogëlojnë dallimet në qëndrime për ndalesën në importet ruse të naftës.

Kompromisi është arritur pas disa javëve me diskutime, derisa është arritur pajtueshmëri që të ketë “përjashtim të përkohshëm për naftën që shkon në BE përmes tubacioneve”, u ka thënë Michel gazetarëve.

Për shkak të vendimit të marrë, sanksionet do të prekin vetëm naftën ruse që arrin në BE përmes detit – apo dy të tretat e totalit të importuar nga Rusia.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se shkalla e ndalesës do të mund të jetë edhe më e madhe, pasi Gjermania dhe Polonia kanë shprehur gatishmëri për të ndalur importet e tyre përmes tubacioneve deri në fund të vitit.

“Ajo çfarë mbetet është rreth 10-11 për qind, që mbulohet nga Druzhba në jug”, ka thënë von der Leyen, duke iu referuar tubacionit rus që dërgon naftë në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Këshilli Evropian do të diskutojë edhe për këtë përjashtim “sa më shpejt që është e mundur”, ka shtuar ajo.

Ndalesa në importet e naftës ruse është propozuar nga Komisioni Evropian një muaj më parë.

Mirëpo rezistenca, kryesisht nga Hungaria, e cila importon 65 për qind të naftës së saj nga Rusia përmes tubacioneve, ka mbajtur peng rundin e ri të sanksioneve.

Vendet tjera sikurse Sllovakia dhe Republika Çeke, po ashtu kanë kërkuar më shumë kohë për shkak të varësisë së tyre ndaj naftës ruse.

Bullgaria, vend të cilit i është ndalur gazi nga kompania shtetërore ruse, Gazprom, ka kërkuar mundësi tjera.

Edhe kriza për shkak të kostos së jetesës në Evropë nuk i ka ndihmuar kësaj situate.

Rritja enorme e çmimeve të energjisë – në mesin e gjërave tjera – ka bërë që shtetet të hezitojnë për sanksione të reja, për shkak të shqetësimeve se mos dëmtojnë ekonomitë e tyre.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka pasur qasje të ashpër në diskutimet për sanksione, duke fajësuar Komisionin Evropian se nuk është duke negociuar siç duhet me vendet anëtare për këtë ndalesë.

 

Ai ka thënë se energjia është “çështje serioze” dhe se “neve na duhen zgjidhje e më pas sanksione”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili u është drejtuar liderëve të BE-së përmes video-lidhjes, ka bërë thirrje që shtetet e bllokut evropian të shmangin zënkat mes vete, sepse në atë mënyrë i ndihmojnë Moskës.

“Duhet të ndalen të gjitha zënkat në Evropë, sepse ato do të inkurajojnë Rusinë që të vendosë më shumë presion mbi ju”, ka thënë Zelensky.

“Nuk është koha të jeni të ndarë, por të bashkuar”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, ka thënë se vendet anëtare nuk duhet të pengohen nga interesat personale.

“Do të na kushtojë më shumë. Mirëpo janë vetëm para. Ukrainasit janë duke e paguar këtë gjendje me jetët e tyre”, ka thënë ai.

Ndër zhvillimet tjera:

  • Vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje të Ukrainës, me fokus në qytetin e Severodonjeckut
  • Sipas guvernatorit të këtij rajoni, Serhyi Haidai, situata është shumë e vështirë: pa ujë, gaz dhe rrymë.
  • Gazetari francez, Frédéric Leclerc-Imhoff, është vrarë teksa ka qenë duke mbuluar operacionin e evakuimit në Ukrainë, për një media franceze
  • Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë për një media franceze se “çlirimi” i rajonit të Donbasit është “prioritet” për Rusinë
  • Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë armë në Ukrainë që mund të godasin shënjestrat brenda Rusisë.
Përgatiti: Krenare Cubolli

Zelensky shkon në Ukrainën lindore

Presidenti në Kharkiv, është hera e parë që nga fillimi i konfliktit – forcat ruse vazhdojnë sulmin e tyre në Donbass

 

VOAL- Për herë të parë që nga fillimi i konfliktit më 24 shkurt, Volodymyr Zelensky mbërriti në lindje të vendit të dielën, ku takoi ushtarët që mbronin Kharkivin. Trupat ruse ishin afruar në javët e fundit, përpara se të tërhiqeshin, dhe që atëherë qyteti i dytë i Ukrainës nuk po përballet më me bombardime 24 ore. Megjithatë, pjesa lindore e tij është ende në shënjestër herë pas here. Dhe kështu ndodhi edhe në orët pas vizitës së presidentit, kur u dëgjuan disa shpërthime.

Me uniforma ushtarake dhe një jelek antiplumb, Zelensky kaloi nëpër rrënoja dhe kujtoi “2229 shtëpitë e shkatërruara në Kharkiv dhe rajon”, një e treta e të cilave ende në duart ruse sipas guvernatorit lokal, ndërsa 5% u rifituan. “Ne do të rivendosim, rindërtojmë dhe bëjmë që jeta të kthehet”, premtoi presidenti, duke përsëritur se Ukraina nuk do të dorëzohet, por do të vazhdojë të luftojë “deri në fund dhe fitore”.

Situata në terren

Ndërkohë, ofensiva ruse vazhdon të fokusohet tani në Donbass, ku Kremlini po grumbullon forca të mëdha, dhe në veçanti në dy vendndodhjet e fundit kryesore të mbajtura nga ukrainasit në rajonin e Luhansk. Severodonetsk është nën sulm të vazhdueshëm dhe me mbështetjen e artilerisë ushtarët e Moskës kanë nisur një luftë në rrugë me mbrojtësit ukrainas, pa arritur më parë të përfundonin rrethimin.

Vetëm rreth 10,000 banorë kanë mbetur në qytet, nga 100,000 para konfliktit. Sipas guvernatorit Serhii Haidai, situata është “përkeqësuar ndjeshëm” edhe në “binjakun” Lyssychansk, në bregun tjetër të lumit Siverskyy Donets. Më në jug, forcat ruse i afrohen Soledarit.

Të premten, Lyman tashmë kishte rënë, një qendër rrugore dhe hekurudhore që bllokon një tjetër nga rrugët e furnizimit në Severodonetsk dhe tani synon Sloviansk dhe Kramatorsk, qendrat kryesore të kontrolluara nga trupat ukrainase në rajonin e Donetsk, në të ardhmen e afërt. rsi-eb

“Rusia duhet të njihet zyrtarisht si shtet terrorist”, Zelensky: Pushtuesit janë të etur të shtrihen më tej në Europë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbajti një fjalim gjatë orëve të natës duke vënë theksin te fushat kyç të luftës, Severodonetsk, Lysychansk, Bakhmut dhe Popas.

“Ne punojmë çdo ditë për të forcuar mbrojtjen tonë, kryesisht me furnizimin me armë. Ne po i afrohemi çdo ditë e më shumë ditës kur ushtria jonë do t’ia kalojë pushtuesit.

Kjo varet shumë nga partnerët, nga gatishmëria e tyre për t’i ofruar Ukrainës gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur lirinë. Dhe pres lajme të mira për këtë javën e ardhshme”, u shpreh ai.

Ai tha se kishte pasur bombardime në qytetin e Mykolaiv të shtunën, me një person të vrarë dhe shtatë të plagosur.

“Përsëri dhe përsëri do t’i kujtoj botës se Rusia më në fund duhet të njihet zyrtarisht si një shtet terrorist, një shtet sponsor i terrorizmit.

Kjo është thjesht e vërtetë. Kjo është e drejtë dhe pasqyron realitetin e përditshëm që pushtuesit kanë krijuar në Ukrainë dhe janë të etur për ta sjellë më tej në Evropë. Dhe kjo duhet të sanksionohet ligjërisht”, deklaroi Zelensky. bw


Send this to a friend