VOAL

VOAL

VOA: Amelia, 7 vjeçarja nga Kievi përdor famën e saj për të ndihmuar Ukrainën

Një vajzë e vogël ukrainase, videoja e së cilës duke kënduar u bë virale ndërsa ishte në një vendstrehim në Kiev, po përdor famën e saj të re për të ndihmuar në grumbullimin e fondeve për vendin e saj. Shtatë vjeçarja Amelia Anisovych shkriu zemrat anembanë botës teksa këndoi këngën e njohur të Disney “Let it Go” nga filmi “Frozen”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze u takua me Amelian dhe familjen e saj në Poloni, ku ata po jetojnë si refugjatë.

Kur Amelia 7-vjeçare filloi të këndonte në vendstrehimin kundër bombardimeve ruse në Kiev, dhoma e zhurmshme e nëndheshme e mbushur me njerëz që fshiheshin nga bombardimet ruse, ra plotësisht në heshtje.

E regjistruar dhe e postuar nga një fqinje e saj e quajtur Martha, videoja e Amelias duke kënduar një këngë nga filmi i Disney “Frozen” u bë pothuajse menjëherë virale.

“Doja t’i gëzoja njerëzit. Atyre iu pëlqeu shumë, të gjithë duartrokitën, dhe më përshëndetën”, thotë Amelia për Zërin e Amerikës.

Amelia e tregon këtë histori në një park të qetë pranë kryeqytetit të Polonisë, së bashku me nënën e saj, Lilia, dhe gjyshen, Viran. Duke ushqyer zogjtë në liqen, ajo kujton se si ushqente rosat në Ukrainë. Dhe se si kur filloi lufta, ajo shpesh shkonte në vendstrehim dhe duhej ta shikonte çdo hap që hidhte për shkak të minave të mundshme gjatë rrugës. Nëna e saj, Lilia, kujtoi momentin kur vendosi se duhej të largohej nga Kievi.

“Amelia filloi të kishte frikë të rrinte pranë dritareve. Dhe kur dilnim nga shtëpia për të shkuar në vendstrehim ku shkonim natën, ajo më pyeste në çdo hap, a mund ta hedh hapin dhe nëse isha e sigurt. Në atë moment vendosa, e kuptova se ishte fundi, ishte vija e kuqe. Nëse e kaloja atë dhe do të qëndronim në Kiev, ajo do të dëmtohej psikologjikisht, dhe mund të bëhej një fëmijë që ka frikë nga hija e saj”, shpjegon Lilia.

Amelia kujton udhëtimin nga Kievi me trenin e mbushur plotë me njerëz.

“Disa njerëz ishin në këmbë, disa ulur dhe pastaj fjetëm në dyshemenë e stacionit të trenit, na dhanë dyshekë të butë”.

Nëna e saj thotë se njerëzit po i trajtojnë mirë këtu në Poloni. Familja prej katër anëtarësh jeton falas në një shtëpi pranë Varshavës. Amelia dhe vëllai i saj 15-vjeçar, Misha, mund të ndjekin shkollën këtu. Por nëna e tyre shpreson se ata do të jenë në gjendje të kthehen së shpejti në shtëpinë e tyre.

“Shpresoja të vija këtu për disa javë. Tani e kuptoj se mund të zgjasë më shumë, por kam ende shpresë se do të zgjasë vetëm për disa muaj. Kam frikë të imagjinoj se mund të jetë më gjatë. Nuk ka rëndësi se sa mirë dhe të sigurt jemi këtu – ndihem e huaj, do të doja të shkoja në shtëpinë time, do të doja të shihja burrin tim. Jam e shqetësuar për familjen time. Shpresoj që dikush do të dëgjojë lutjet e mia dhe lutjet e mijëra e miliona njerëzve dhe do të jem në gjendje të jem në shtëpi së shpejti”, thotë Lilia.

Amelia e ndjen se po rritet shpejt. Ajo duket jashtëzakonisht e maturuar teksa flet për vendin e saj.

“Duhet të flasim gjuhën tonë, jo rusisht, sepse armiku ynë flet rusisht, toka jonë është Ukraina. Duhet të flasim gjuhën ukrainase. Në Ukrainë po bëhet luftë sepse Rusia na sulmoi. Kam frikë për familjen time, babi është aty, gjyshi, gjyshja, kam frikë për të gjithë. Shumë fëmijë kanë vdekur. Unë do të doja të jetoja, shumë, dhe fëmijët e tjerë do të donin të jetonin”.

Nëna dhe gjyshja e Amelias po përpiqen të ruajnë një ndjenjë normaliteti për të dhe vëllain e saj të madh. Vitin e kaluar, Amelia filloi të shkonte në shkollë në Kiev. Tani një refugjate, ajo rifilloi studimet e saj në këtë qytet të vogël pranë Varshavës. Familja shpreson se lufta do të përfundojë dhe ata do të kthehen së shpejti.

Tani për tani, Amelia e vogël po përdor talentin e saj dhe famën e sapo krijuar duke kënduar në koncerte bamirësie në Poloni dhe duke mbledhur shumë fonde për të ndihmuar Ukrainën.

 

BE i kërkon Kinës të mos ndihmojë luftën e Rusisë në Ukrainë

VOAn

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Kinës po takohen sot për herë të parë pas dy vitesh. Brukseli ka ushtruar trysni ndaj Pekinit për garanci se nuk do ta furnizojë Rusinë me armë dhe se nuk do të ndihmojë Moskën të anashkalojë sanksionet perëndimore të vendosura lidhur me sulmin ndaj Ukrainës.

Me një gjuhë jashtëzakonisht të hapur, zyrtarët e BE-së thanë se çdo ndihmë dhënë Rusisë do të dëmtonte reputacionin ndërkombëtar të Kinës dhe do të rrezikonte marrëdhëniet me partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe ai i Këshillit Evropian Charles Michel, së bashku me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, filluan bisedimet virtuale me kryeministrin kinez Li Keqiang. Ata pritet të flisin më vonë të premten me Presidentin Xi Jinping.

Një zyrtar i BE-së tha se qëndrimi i Kinës ndaj Rusisë ishte një çështje së cilës është shumë e vështirë t’i përgjigjesh. Një tjetër zyrar vuri në dukje se mbi një e katërta e tregtisë globale të Kinës vitin e kaluar ishte me bllokun dhe Shtetet e Bashkuara, kundrejt vetëm 2.4% me Rusinë.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi përsëriti thirrjen për bisedime paqeje këtë javë, duke shtuar se u duhet dhënë përgjigje shqetësimeve legjitime të të gjitha palëve.

Guvernatori: Ukraina ka goditur një depo nafte në Rusi

Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se dy helikopterë ushtarakë ukrainas kanë goditur një depo nafte më 1 prill, në qytetin rus, Belgorod, i cili gjendet rreth 25 kilometra në kufi me Ukrainën.

Nëse konfirmohet, ky do te ishte sulmi i parë i nisur nga Ukraina në tokën ruse, prej kur Moska ka nisur pushtimin e këtij shteti fqinj më 24 shkurt.

Gladkov ka thënë në platformën Telegram se helikopterët kanë goditur objektin, pas kalimit të kufirit.

Sipas tij, dy punëtorë janë plagosur në sulmin e supozuar.

Megjithatë, kompania ruse e naftës, Rosneft, e cila ka në pronësi depon e naftës, ka thënë në një deklaratë ndaras se askush nuk është plagosur si pasojë e zjarrit.

Në deklaratë nuk janë dhënë informacione kush ka nisur zjarrin.

Në disa pamje, që thuhet se shpërfaqin sulmin, shihen ato që duken si raketa të cilat lëshohen, para shpërthimit.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes nuk ka komentuar ende për këtë gjë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës. REL

Forcat ruse largohen nga centrali bërthamor i Çernobilit

Operatori shtetëror bërthamor i Ukrainës thotë se forcat ruse që kishin pushtuar centralin bërthamor të Çernobilit janë larguar nga objekti dhe janë nisur drejt kufirit me Bjellorusinë.

“Okupatorët, të cilët pushtuan termocentralin bërthamor të Çernobilit dhe objektet e tjera në zonën e përjashtuar, janë nisur në dy kolona drejt kufirit ukrainas”, tha Energoatom në një deklaratë.

Ai shtoi se forcat ruse ishin tërhequr gjithashtu nga qyteti i afërt i Slavutych, ku jetojnë shumë nga punëtorët që i shërbejnë objektit të Çernobilit. bw

Moska refuzon misionin e OSBE-së në Ukrainë

VOAL- Ndërkohë, përsa i përket diplomacisë, duhet theksuar se refuzimi i Moskës për të rinovuar mandatin e misionit të OSBE-së në Ukrainë i jep fund pranisë së zyrtarëve të aktivitetit monitorues që po zhvillohet që nga marsi 2014 me detyrën për të ndihmuar në uljen e tensioneve. dhe monitorojnë shkeljet e armëpushimit. Kremlini kundërshtoi gjithashtu një “letargji” të mundshëm të misionit, në pritje të përfundimit të armiqësive, të cilat filluan më 24 shkurt me pushtimin e territoreve të Ukrainës nga trupat e Vladimir Putin.

Ndërsa ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu foli sërish për armëpushimin, sipas të cilit “e rëndësishme është që të dyja palët të bëhen bashkë dhe të bien dakord për një armëpushim të qëndrueshëm”, duke theksuar se “është e pamundur të negociosh nën presionin e armëve”. Cavusoglu më pas nënvizoi se në bisedimet mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll të martën, “u arritën rezultatet më domethënëse që nga fillimi i konfliktit. rsi-eb

Një shpresë për të rrethuarit e Mariupolit

Shkatërrimi i qytetit të tyre është tashmë pjesë e jetës së përditshme për banorët e Mariupolit

Autobusët e parë për të marrë qytetarët e qytetit të shkatërruar – KNKK gati të “udhëheqë” operacione të tjera të ngjashme

VOAL- Ndërkohë që luftimet në të gjithë territorin ukrainas nuk janë qetësuar, po bëhen përpjekje për të shpëtuar civilët e bllokuar në qytete të ndryshme të vendit, të bombarduara nga pushtuesit rusë. Në mënyrë të veçantë, situata e pasigurt e banorëve të Mariupolit është në qendër të aksioneve të ndryshme mbështetëse, për t’i larguar ata nga qyteti.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) njoftoi të enjten se është gati “të udhëheqë” evakuimin e civilëve nga qyteti duke filluar nga nesër, e premte, me kusht që të ketë garancitë e nevojshme. Kështu thuhet në një komunikatë nga vetë organizata. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky operacion të zhvillohet. Nga kjo varet jeta e dhjetëra mijëra njerëzve”, të cilët prej javësh jetojnë në kushte rreziku ekstrem dhe pa ushqime dhe ilaçe.

Pikërisht nga Mariupoli, në mëngjes vonë, autobusët e parë (rreth njëzet) ishin nisur për në Zaporihzya, një qytet rreth 220 km larg. 28 autobusë të tjerë janë në pritje të lejes për të kaluar pikën ruse të Vasilivkës dhe për të shpëtuar dhjetëra persona të tjerë që kanë ikur nga qyteti i madh port, i cili pothuajse u rrafshua me tokë nga rusët.

Megjithatë, situata e civilëve është gjithashtu e ndërlikuar në disa vende të tjera të Ukrainës, si Chernihiv. Ndërsa ushtria e Kievit po çliron shumicën e qendrave të popullsisë në brendësi të saj, ata që jetojnë në grumbullimin e madh urban tani kanë pasur akses të kufizuar në ujë të pijshëm, energji elektrike ose ngrohje shtëpiake për një javë, kur trupat e Moskës kanë intensifikuar sulmin në qytet. , e cila aktualisht ende pret mbi 140,000 civilë.

Gjithashtu të enjten, tre trena të evakuimit të civilëve do të nisen nga rajonet e Luhanskut dhe Donetsk. Kështu deklaroi kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhanskut, Serhiy Haidai. Dje, të mërkurën, rreth 400 persona u shpëtuan nga bombardimet e forta në rajonin e Luhanskut. rsi-eb

BE reagon ndaj pranisë së kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore në Serbi

RFE/RL

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për liderët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht në Serbi, që të mos bëjnë veprime të cilat mund të shihen si mohim apo relativizim i krimeve të luftës dhe që shkojnë në kundërshtim me procesin e pajtimit dhe bashkëpunimit me fqinjët.

Këto porosi janë dhënë si përgjigje në pyetjet rreth raporteve se në Serbi persona të dënuar për krime lufte po marrin pjesë aktive në fushatë zgjedhore, ndërsa disa të akuzuar madje dhe janë në lista si pjesëmarrës në zgjedhje.

Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian ka përsëritur thirrjen për liderët në rajon që të punojnë në frymën e pajtimit.

“BE-ja ka qëndrim të qartë parimor për nevojën për pajtim dhe qëndrime ndaj ngjarjeve të luftës. Procesi zgjedhor është në vazhdim e sipër dhe ne përsërisim rëndësinë e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse dhe kredibile, të zhvilluara në përputhje me ligjet ekzistuese dhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë ajo të enjten gjatë nje konference për media.

Sa i përket pjesëmarrjes së kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore, zëdhënësja e BE-së ka thënë:

“Nuk ka vend në Evropë për mohim të gjenocidit, revizionizëm dhe glorifikim të kriminelëve të luftës, që shkon në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit ka thënë se “liderët në Ballkanin Perëndimor duhet të japin shembull duke pranuar atë që ka ndodhur, të respektojnë viktimat dhe në mënyrë të sinqertë të promovojnë pajtimin duke u përballur me rrënjët e urrejtjes që çuan deri te gjenocidi”.

Disa media dhe organizata të shoqërisë civile nga Serbia kanë tërhequr vërejtjen për pjesëmarrjen e kriminelëve të luftës në fushatë zgjedhore. Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi po ashtu e ka ngritur këtë çështje.

Sipas kësaj organizate, Sasha Cvjetan, i dënuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, ka marrë pjesë në një manifestim në Srebrenicë krahas ministrit të Brendshëm të Serbisë Aleksandar Vulin. Fondi për të Drejtën Humanitare nga Serbia e ka quajtur të papranueshme praninë e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë në manifestime ku marrin pjesë persona që janë dënuar pë krime lufte.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), nga ana tjetër, ka njoftuar se disa të dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës kanë marrë pjesë në fushatën zgjedhore të Partisë Progresiste të Serbisë. Kanë përmendur Vladmir Lazareviqin, Veselin Shlivançaninin dhe Nikola Shainoviqin.

Llazareviqi ka qenë komandant i korpusit të Prishtinës i ushtrisë serbe në kohën e luftës dhe është dënuar me 14 vjet burgim për krime lufte. Gjenerali Shljivançanin ishte dënuar për krime lufte në qytetin e Vukovarit në Kroaci, në vitin 1991.

Edhe më parë Komisioni Evropian ka bërë ftesë që të mos u jepet hapësirë publike kriminelëve të luftës dhe të mos relativizohen krimet e tyre në mënyrë që të mos rrezikohet procesi i pajtimit në rajon.

Gjeorgjia denoncon planet e Osetisë së Jugut për bashkim me Rusinë

VOA

Gjeorgjia denoncoi të enjten si të papranueshme planet e shpallura nga separatistët pro-Moskës në rajonin separatist të Osetisë së Jugut, për të mbajtur një referendum për bashkim me Rusinë.

Osetia e Jugut ishte në qendër të luftës ruso-gjeorgjiane në vitin 2008, pas së cilës Kremlini njohu territorin si shtet të pavarur së bashku me rajonin tjetër separatist, Abkhazinë, si dhe vendosi baza ushtarake atje.

Të mërkurën, udhëheqësi separatist i Osetisë së Jugut Anatoli Bibilov tha se shteti do të mbajë një referendum për bashkimin me Rusinë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të 10 prillit.

Ministri i Jashtëm i Gjeorgjisë David Zalkaliani tha të enjten është e papranueshme të flitet për referendum ndërsa territori është i pushtuar nga Rusia.

Një referendum i tillë nuk do të kishte fuqi ligjore“, u tha ai gazetarëve. Sipas tij Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në një vendim të saj ka dalë në përfundimin se ky rajon i Gjeorgjisë është i pushtuar nga Rusia.

Të enjten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor mbi këtë çështje. Por ai se në këtë rast bëhet fjalë për mendimin e popullatës së Osetisë së Jugut dhe se Moska do ta trajtonte atë me respekt. Javën e kaluar, zoti Bibilov tha se Osetia e Jugut kishte dërguar trupa për të luftuar së bashku me trupat ushtarake ruse në Ukrainë.

Në gusht të vitit 2008, Rusia nisi një sulm kundër Gjeorgjisë, e cila po luftonte me milicinë pro-ruse në Osetinë e Jugut, pas bombardimit nga këta të fundit të fshatrave gjeorgjiane. Luftimet përfunduan pas pesë ditësh me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por lufta shkaktoi vdekjen e më shumë se 700 personave si dhe nxiti shpërnguljen e dhjetëra mijëra gjeorgjianëve etnikë.

BE-ja përgatitet për një samit të tensionuar me Kinën

Reid Standish

Kur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe ai i Këshillit Evropian, Charles Michel, do të zhvillojnë një takim virutal me liderin kinez, Xi Jinping më 1 prill, ata planifikojnë ta paralajmërojnë Pekinin se do të ketë pasoja nëse i ofron ndihmë Rusisë në pushtimin e Ukrainës.

Ky samit mbahet në kohën kur raportet midis Kinës dhe Bashkimit Evropian janë më delikate se kurrë më parë, teksa rreshtimi i Pekinit me Rusinë në luftën e saj në Ukrainë ka dëmtuar raportet veçse të tensionuara me Brukselin, që ishin përkeqësuar pas një sërë tensionesh tregtare dhe gjeopolitike.

“Në samitin e Kinës, ka një pajtim të madh midis përfaqësuesve të BE-së se nuk do të jetë një samit i zakonshëm dhe se Brukseli nuk duhet të jetë naiv”, tha për Radion Evropa e Lirë një diplomat evropian.

Lufta në Ukrainë – dhe raportet e ngrohta të Kinës me Kremlinin – do të lë në hije takimin, në të cilin BE-ja po shpreson të tregojë qëndrimin e saj të ashpër karshi Kinës dhe ta paralajmërojë atë kundër çdo mbështetjeje aktive për Rusinë.

Partneriteti i Pekinit me Moskën ka qenë në qendër të vëmendjes që prej se presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkruan një marrëveshje strategjike në fillim të shkurtit. Por, përqendrimi në këtë partneritet është rritur pas pushtimit rus të Ukrainës.

Një raport i inteligjencës perëndimore pretendoi se Kina ishte në dijeni të planeve të Kremlinit për ta pushtuar Ukrainën dhe madje i kishte kërkuar Moskës që ta shtynte nisjen e pushtimit deri pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Ndërkaq, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia i ka kërkuar Kinës pajisje ushtarake dhe mbështetje ekonomike pasi Perëndimi i vendosi sanksione Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

Kina i ka hedhur poshtë këto dy pretendime dhe deri më tani qetësisht i ka respektuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, por Pekini po ashtu nuk ka dhënë shenja se do të heqë dorë nga raporti strategjik që ka ndërtuar me Kremlinin.

Në samit, Brukseli po ashtu po kërkon që t’ia bëjë me dije Pekinit se rreshtimi i tij me Rusinë mund të dëmtojë raportet e tij me BE-në, që është një prej raporteve më të mëdha ekonomike në botë dhe më 2021, tregtia dypalëshe arriti vlerën e 828 miliardë dollarëve.

“Është e qartë se Rusia është e kënaqur që e ka Kinën në anën e saj dhe është e qartë se kjo e ka trimëruar Moskën”, tha për Radion Evropa e Lirë një tjetër diplomat evropian. “Kina duhet të përpiqet të ndikojë mbi Rusinë që të arrihet armëpushim, të krijohen korridore humanitare që funksionojnë dhe përfundimisht të fillojë bisedimet e paqes. Por, me gjasë nuk mund të luajë rolin e ndërmjetëses, në kuptimin klasik të fjalës”.

Rusia dhe Kina

Pekini ka tentuar që ta paraqesë veten si neutral përgjatë krizës në Ukrainë dhe ka për qëllim që ta distancojë veten nga pushtimi i Moskës, por Kina po ashtu nuk e ka kritikuar Rusinë dhe shpesh u ka bërë jehonë deklaratave lidhur me shkaqet e nisjes së luftës.

Por, ky vallëzim diplomatik i Kinës po dëshmohet se është vështirë të mbahet teksa lufta në Ukrainë hyn në muajin e dytë.

Kina veçse ishte në fokus të takimeve midis NATO-s, liderëve evropianë me presidentin amerikan, Joe Biden, që u mbajtën në Bruksel më 24 dhe 25 mars. Gjatë këtyre takimeve, aleanca perëndimore ngriti shqetësimet lidhur me mbështetjen ushtarake kineze dhe dezinformatat, teksa Pekini mbështet narrativin e Rusisë sa i përket luftës.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se po krijohej “një momentum të ri” lidhur me atë se si BE-ja e sheh Kinën dhe se qëndrimi aktual i Pekinit ndaj pushtimit rus ishte i paqëndrueshëm.

“Nuk mundesh që në këtë situatë të shmangesh pa e bërë plotësisht të qartë: ose e mbështet Rusinë – duke e mbështetur luftën e saj në Ukrainë – ose nuk e mbështet”, tha Landsbergis.

Në samitin me Kinën, strategjia evropiane është që të bëjë të qartë pasojat për një mbështetje më të hapur për Rusinë dhe do të theksojë se pasojat mund të jenë në kurriz të raportit më të gjerë me BE-në. Këto lidhje janë përdorur nga Kina në konkurrencën e saj me Shtetet e Bashkuara dhe janë bërë më të rëndësishme për Pekinin pasi tensionet me Uashingtonin janë rritur.

Dy raportet më të mëdha të Kinës janë me SHBA-në dhe BE-në dhe Pekini ndoshta nuk është i gatshëm t’i rrezikojë raportet me Evropën teksa mund të përballet me pasoja të mundshme nga lufta në Ukrainë, nga shpërthimet në rritje të COVID-19 brenda Kinës, krizës financiare në sektorin e pronave të shtetit dhe kongresin e rëndësishëm të Partisë Komuniste që pritet të mbahet në vjeshtë, e në të cilin, Xi pret që ta zgjasë sundimin e tij.

Noah Barkin, bashkëpunëtor i lartë në fondin gjerman Marshall, tha se të gjitha këto i japin Brukselit leva shtesë të ndikimit.

“Brukseli po vë bast që Xi nuk do të dëshirojë ta tjetërsojë BE-në, veçanërisht në një kohë të ndjeshme”, tha Barkin për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët e BE-së nuk presin që Pekini të prishë partneritetin e tij me Moskën dhe nuk besojnë se blloku evropian duhet të bëjë kërcënime në këtë drejtim. Por, ata veçse kanë shqyrtuar përgjigjet ndaj Kinës, siç është kufizimi i qasjes kineze në tregun e përbashkët të BE-së, nëse Kina hapur mbështet Kremlinin apo armatos ushtarët rusë, thanë katër diplomatë të lartë evropianë.

Një epokë e re

Paralajmërimi nga blloku 27-anëtarësh vjen mes një trajektoreje në rënie në raportet BE-Kinë dhe një bashkim në rritje të politikës së Brukselit dhe Uashingtonit sa i përket Kinës.

Në dhjetor të vitit 2020, pas samitit të fundit BE-Kinë, të dyja palët u pajtuan për një traktat ambicioz të investimit, pasi për katër vjet kishte pasur marrëdhënie të përkeqësuara midis Evropës dhe SHBA-së gjatë administratës së presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Pasi marrjes së detyrës, presidenti amerikan, Joe Biden, ndërmori veprime për të përmirësuar raportet me homologët evropianë dhe raportet e BE-së me Kinën që atëherë janë përballur me disa pengesa. Për shembull, pakti i madh i investimeve është ngrirë që prej muajit maj, për shkak se Pekini ka futur në listë të zezë një grup të ligjvënësve evropianë, ekspertë dhe diplomatë evropianë lidhur me sanksionimin e BE-së të katër zyrtarëve kinezë për shkelje të të drejtave të njeriut kundër ujgurëve dhe minoriteteve të tjera myslimane në provincën perëndimore kineze, Ksinjiang.

Blloku evropian po ashtu ka prezantuar forma të reja të legjislacionit për t’u mbrojtur nga presioni ekonomik kinez dhe gjithashtu ka dërguar një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) lidhur me hakmarrjen e Pekinit ndaj Lituanisë, pasi kjo e fundit lejoi që Tajvani të hapë një zyrë të përfaqësimit në Vilnius më 2021. Kina u kundërpërgjigj duke bllokuar importet lituaneze, përfshirë edhe komponentë të këtij shteti baltik në produktet e vendeve të tjera.

Përveç lidhjeve Kinë-Rusi dhe luftës në Ukrainë, samiti po ashtu pritet të trajtojë edhe mosmarrëveshjet tregtare me Lituaninë, shkeljet e Kinës në Ksinjiang dhe Tajvan.

“Ndryshimi i qasjes së BE-së ndaj Kinës për të marrë parasysh rivalitetin që ekziston tani nënkupton që duhet të bëhet shumë punë në prapaskenë për të ulur varësinë nga Kina”, tha për REL-in, Thorsten Benner, drejtor i Institutit Global të Politikave Publike, me seli në Berlin.

“Evropa nuk do të ndryshojë në mënyrë drastike brenda natës lidhjet e saj ekonomike me Kinën, por do të përshpejtojë procesin e përshtatjes”, shtoi ai.

Rruga e kujdesshme e Evropës

Përderisa samiti paraqet një mundësi që BE-ja të shfaqë unitetin e saj për t’i bërë presion Kinës që të mos e ndihmojë në mënyrë aktive Rusinë, zyrtarët e BE-së po ashtu kanë sinjalizuar një preferencë të shteteve anëtare që kërkojnë që të mbahen të hapura linjat e Pekinin dhe të ndiqet një rrugë e mesme që nuk e largon Kinën ose nuk e fut Brukselin në mes të tensioneve SHBA-Kinë.

Në të kaluarën, Kina me sukses ka arritur që të krijojë ndasi midis BE-së dhe SHBA-së me premtime dhe mundësi lidhur me zgjerimin e qasjes në treg dhe bashkëpunim në ndryshimet klimatike, dhe shumë analistë parashikojnë se Xi do të përdorë sërish karta të ngjashme gjatë takimit virtual të 1 prillit.

“Ekziston ende një besim në Pekin se kur të vijë koha, Evropë do t’i japë përparësi raporteve të biznesit mbi gjithçka tjetër”, tha Barkin nga fondi Marshall. “Por, gjatë vitit të kaluar, Pekini vazhdimisht e ka keqkuptuar Evropën”.

Lufta në Ukrainë ka shënuar një pikë kthese për Evropën, me Brukselin dhe shtetet anëtare që u kanë dhënë dritën e gjelbër sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Rusisë dhe i kanë ofruar ndihmë ushtarake dhe të sigurisë për Kievin. Më herët, shumë shtete kishin kundërshtuar këto masa dhe Kremlini nuk e priti që BE-ja do të ndërmerrte këto veprime.

Përderisa BE-ja ende po shikon se çfarë kursi do të ndërmarrë për t’u përballur me Kinën, Barkin tha se Pekini rrezikon që të llogarisë në supozime të mëhershme lidhur me politikën evropiane.

“Keqkuptimi i Evropës për Ukrainën mund të ketë pasoja edhe më serioze”, tha Barkin. “Mund të shënojë një pikë kthese në raportet BE-Kinë, duke e anuar ekuilibrin drejt një rivaliteti sistematik që mund të jetë larg partneritetit”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Ukraina thotë se ka miliona ton rezerva të grurit dhe misrit

 

Ukraina, një prodhues dhe eksportues i madh global i drithërave, ka stoqe prej 13 milionë ton misër dhe 3.8 milionë grurë, tha të enjten zëvendësministri i Bujqësisë në Ukrainë, Taras Vysotskiy.

Ai shtoi se Ukraina nuk mund të eksportojë grurë, pasi portet detare janë bllokuar për shkak të pushtimit rus.

Më shumë se 90% e eksporteve të grurit të Ukrainës eksportohen përmes porteve të Ukrainës në Detin e Zi. rel

Rusia shpall armëpushimin në Mariupol

RFE/RL

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar për një armëpushim në qytetin e rrethuar të Mariupolit në Ukrainë, duke filluar nga mëngjesi i së enjtes, për të lejuar evakuimin e civilëve.

“Që ky operacion humanitar të ketë sukses, ne propozojmë që të kryhet me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha ministria në një deklaratë të cituar nga AFP të mërkurën.

Korridori humanitar nga Mariupol në Zaporizhzhia – përmes qytetit Berdiansk që kontrollohet nga Rusia – do të hapet në mëngjesin e së enjtes.

Autoritetet e Ukrainës nuk e ka komentuar ende këtë njoftim.

Përpjekjet e mëparshme për të vendosur një armëpushim në Mariupol kanë dështuar, mes akuzave për sulme nga të dyja palët.

Rusia është akuzuar gjithashtu se ka zhvendosur me forcë mijëra civilë në Rusi ose në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Njoftimi vjen pasi fotot e reja satelitore treguan shkatërrimin e shkaktuar nga granatimet.

Imazhet e publikuara nga kompania e vëzhgimit të Tokës Maxar, treguan se zonat e banuara janë kthyer në gërmadha. Këto imazhe, kanë vënë në pah topat e artilerisë ruse në pozicionet e qitjes në periferi të qytetit.

Ushtari ukrainas flet nga fshati i çliruar në Kharkiv

VOA

Pas më shumë se një muaj luftimesh të ashpra në rajonin e Kharkivit, ushtria ukrainase thotë se ka çliruar një fshat dhe se ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme po detyrojnë forcat ruse të tërhiqen. Duke folur nga fshati i çliruar Mala Rohan, një ushtar ukrainas thotë se në këtë zonë ka filluar të rikthehet jeta.

Në fshatin Mala Rohan, në lindje të rajonit të Kharkivit, i çliruar nga trupat ukrainase, këto shkatërrime janë dëshmitë e pranisë ushtarake ruse.

Dy tanke të djegura shihen pranë shtëpive të shkatërruara të fshatit.

Guvernatori i Kharkivit Oleh Synegubov tha para dy ditësh se një kundërsulm i forcave ukrainase çliroi fshatin që ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të Kharkivit.

Ushtari ukrainas Maksym i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ushtarët rusë kanë humbur motivimin dhe se një pjesë e mirë e tyre e kanë kuptuar gabimin e ndërhyrjes ushtarake në Ukrianë.

“Po i largojmë ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme. Mendoj se atyre u ka rënë morali. Shumica prej tyre e kanë kuptuar se ardhja këtu ishte një gabim i madh. Prandaj mendoj se nuk kanë shanse, ne do të fitojmë“, thotë ai.

Ndërsa përshkruan gëzimin e banorëve ukrainas, ushtari thotë se në pjesët e çliruara të Kharkivit, po rikthehet jeta.

“Sa më shumë që i largojmë ata, aq më afër jemi me civilët që kanë jetuar në fshatrat e pushtuara. Njerëzit na presin me buzëqeshje, duan të flasin me ne. Më në fund mund të dalin nga shtëpitë e tyre dhe mund të lëvizin lirshëm. Kur armiku ishte në fshatra, njerëzit nuk largoheshin nga bodrumet e tyre. Tani jeta po rikthehet”, thotë ai.

Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është nga më të goditurit që nga fillimi i sulmit rus.

Nga 24 shkurti Rusia ka bombarduar zona banimi, shkolla dhe spitale të Kharkivit.

Moska humb kolonelin e tetë- A po sulmon Ukraina tani edhe në Rusi?

Një kolonel i tetë rus është vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë. Kjo është një tjetër goditje e rëndë për Vladimir Putinin, që ka humbur një numër shumë të madh oficerësh të lartë brenda një kohe shumë të shkurtër.

Kievi thotë se ka eliminuar kolonelin Denis Kurilo gjatë luftimeve pranë Kharkivit. Brigada e tij ka pësuar shumë humbje gjatë luftimeve të ashpra.

Deri tani, Moska ka humbur shtatë gjeneralë dhe tetë kolonelë.

Ndërkohë pavarësisht paralajmërimeve, luftimet në Ukrainë po vazhdojnë me të njëjtin intensitet.

Nga ana tjetër, Daily Mail raporton se Ukraina mund të ketë sulmuar një depo armësh në territorin rus. Depoja e armëve në qytetin Belgorod në perëndim të Rusisë u hodh në erë nga një raketë ruse.

Lajmi nuk është konfirmuar nga Ukraina. Depoja ndodhet rreth 15 kilometra larg kufirit ruso-ukrainas. syri.net

Akuzohen për spiunazh, Belgjika dhe Holanda dëbojnë 38 diplomatë rusë

Belgjika dhe Holanda kanë dëbuar në total 38 diplomatë rusë, të akuzuar për spiunazh.

Belgjika ka vendosur që të dëbojë nga vendi i tyre 21 diplomatë, ndërsa Holanda 17.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Jashtme e Brukselit, Sophie Wilmes, e cila ka thënë se diplomatët duhet të largohen brenda 2 javësh. Diplomatët janë të akredituar në Ambasadën e Moskës në Bruksel dhe Konsullatën e Përgjithshme në Antwerp. Vendimi, shton ai, u mor në koordinim me Holandën, e cila nga ana e saj dëboi 17 diplomatë rusë. bw

E njohur si ‘Pantera e Zezë’ dhe përgjegjëse për vdekjen e qindra civilëve në Ukrainë, snajperistja ruse me origjinë serbe kapet nga forcat ukrainase

Një snajperiste  ruse përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 personave është kapur pasi u braktis nga shokët e saj në fushën e betejës.

Irina Starikova, me emrin e koduar “Bagheera”, sipas panterës së zezë të Librit të xhunglës të Rudyard Kipling – ka shërbyer me forcat separatiste në Donetsk që nga viti 2014.

Ajo ishte kërkuar nga ukrainasit për vite me radhë për rolin e saj të dyshuar në një krim lufte që përfshinte pushkatimin e të burgosurve. Starikova, 41 vjeç, është me origjinë nga Serbia dhe në mediat vendase raportohet se është e divorcuar me dy vajza.

Duke njoftuar kapjen e saj, ushtria ukrainase tha se ajo kishte “gjak të të paktën 40 njerëzve në duart e saj, përfshirë civilë”. Ai shtoi se kushdo “që vret njerëz paqësorë në tokën tonë mund të presë hakmarrje”. Deklarata shoqërohej me tre fotografi të Starikovës dhe letrat e saj ushtarake.

Forcat ukrainase e gjetën të shtrirë të plagosur në fushën e betejës dhe e dërguan në një spital ku u trajtua, sipas Vlad Ivanov, një luftëtar vullnetar. Ajo thuhet se tha se bashkëluftëtarët e saj e kishin braktisur, “duke e ditur që unë isha plagosur dhe duke pasur mundësinë të më merrnin, ata thjesht vendosën të më linin atje, duke shpresuar se do të vdisja”.

Bagheera ka fituar famë në Ukrainë që nga viti 2014, kur u akuzua për vrasjen e të burgosurve ukrainas të luftës në Donetsk. Sfondi i saj është subjekt i spekulimeve dhe thashethemeve. Një raport i vitit 2018 nga Radio Liberty Ukraine pretendonte se ajo ishte një ish-hendbolliste e cila u bë abace pasi mori një dënim për trafik droge.

Rusia ka një histori të gjatë të vendosjes së snajperëve femra në fushën e betejës. Lyudmila Pavlichenko, e cila luftoi me Ushtrinë e Kuqe në Luftën e Dytë Botërore, thuhet se u mori jetën 309 ushtarëve gjermanë, duke i dhënë asaj pseudonimin “Zonja Vdekja”. Snajperet femra ishin të diplomuara në Shkollën Qendrore të Grave për Trajnimin Snajper, pranë Moskës, të komanduara nga veterane femra të Luftës Civile Spanjolle. bw

Ukraina në bisedimet me Rusinë: Neutraliteti në këmbim të sigurisë

Delegacionet u pritën nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan

 

VOAL- Rusia do të reduktojë ndjeshëm aktivitetin e saj ushtarak në drejtim të Kievit dhe Chernihiv “për të rritur besimin reciprok” në dritën e raundit të sotëm (të martë) të negociatave në Stamboll. Kështu deklaroi zëvendësministri rus i Mbrojtjes Aleksandër Fomin. “Negociatat po hyjnë në dimensionin praktik”, shtoi ai, ndërsa shefi i delegacionit të Moskës, Vladimir Medinski, konfirmoi se bisedimet ishin “konstruktive”. Ditët e fundit, Kremlini kishte bërë të ditur tashmë se donte të përqëndrohej në “çlirimin” e Donbass, zonës lindore në të cilën ndodhen republikat separatiste të Donetsk dhe Luhansk.

Kievi ka paraqitur propozime me shkrim që parashikojnë heqjen dorë nga prodhimi dhe pranimi i të gjitha armëve të shkatërrimit në masë dhe neutraliteti i Ukrainës, gjë që do të rezultonte në ndalimin e anëtarësimit në një aleancë ushtarake (dhe për rrjedhojë në NATO) dhe në pritjen e bazave të të huajve. Në këmbim, megjithatë, ai kërkon një mekanizëm sigurie të krahasueshëm me dispozitat e nenit 5 të Aleancës Atlantike, i cili përcakton se një sulm kundër njërit prej anëtarëve është i barabartë me një sulm kundër të gjithëve dhe për rrjedhojë garanton mbrojtje reciproke. Kështu do të ruhej nga çdo synim i ri rus. Vendet garantuese do të caktoheshin. Negociatori David Arakhamia përmendi mes atyre që Ukraina do të donte në këtë rol, katër anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Turqinë, Gjermaninë, Poloninë dhe Izraelin.

Dokumentin përfaqësuesit rusë do t’ia dorëzojnë Vladimir Putinit, i cili do të duhet të përgjigjet. Në mënyrë që marrëveshja të zbatohet sa më shpejt, çështjet territoriale që do të zgjidhen mbeten të përjashtuara nga ajo për momentin, ato që kanë të bëjnë me Donbasin dhe Krimenë e sipërpërmendur, të aneksuara de fakto në Rusi që nga viti 2014. Dhe në këtë pikë, për Kiev, gjithashtu do të ishte koha për një takim midis Putinit dhe Volodymyr Zelensky.

Duhej të ishin “dy ditë” negociata, por duke pasur parasysh rezultatin e sotëm dhe në pritje të qëndrimit të Kremlinit – specifikoi Turqia – nuk do të ketë kthim në tryezë të mërkurën. rsi-eb

BE, përpjekje për t’i dhënë fund skemës së “pasaportave të arta” për shtetasit rusë

VOAL- Marrë nga Associated Press

Komisioni Evropian rekomandoi të hënën që vendet e BE-së t’i japin fund skemave të pasaportave të arta që u lejojnë njerëzve të pasur të blejnë shtetësinë e bllokut dhe u kërkoi atyre të vlerësojnë nëse oligarkëve rusë të lidhur me Kremlinin ose atyre që mbështesin luftën në Ukrainë duhet t’u hiqen të drejtat e nënshtetësisë.

Komisioni Evropian nisi procedurat e shkeljes kundër Qipros dhe Maltës në vitin 2020 në lidhje me skemat e tyre të pasaportave të arta, dhe sulmi rus kundër Ukrainës ka tërqhequr një vëmendje më të madhe për këtë temë.

Komisioni paralajmëroi se disa shtetas rusë ose bjellorusë, të cilët janë ndër 877 individët e shënjestruar nga ngrirja e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit të vendosura që nga viti 2014, ose që mbështesin sulmin rus ndaj të fqinjit të tij, mund të kenë marrë nënshtetësinë e BE-së ose leje për të lëvizur lirshëm në zonën “Shengen” nëpërmjet këtyre skemave.

Dega ekzekutive e BE-së tha se vendet duhet të shqyrtojnë tani mundësinë e tërheqjes së pasaportave të arta të lëshuara për individë të tillë. BE gjithashtu rekomandoi heqjen e menjëhershme të lejeve të qëndrimit që janë dhënë në bazë të një skeme investitori për qytetarët rusë ose bjellorusë që mbështesin luftën ose janë goditur nga sanksionet.

Malta dhe Bullgaria ofrojnë aktualisht shtetësinë sipas planeve të investimeve në veprim, ndërsa Qiproja, e cila mbylli programin e saj në nëntor të vitit 2020, është duke përpunuar vetëm aplikimet e dorëzuara përpara kësaj date. Ligjvënësit bullgarë së fundmi mbështetën një vendim për t’i dhënë fund programit të pasaportës së artë.

Qipro e anuloi programin pasi një raport i fshehtë televiziv tregonte se kryetari i parlamentit dhe një ligjvënës i fuqishëm pretendonin se mund të anashkalonin rregullat për t’i lëshuar pasaportën një investitori fiktiv kinez, i cili supozohej se ishte dënuar për mashtrim në vendin e tij.

Një raport i vitit 2021 zbuloi se më shumë se gjysma e gjithsej 6,779 pasaportave u lëshuan në mënyrë të paligjshme për të afërmit e investitorëve të pasur gjatë periudhës 13-vjeçare të programit që solli mbi 8 miliardë euro në të ardhura. Raporti thoshte se qeveria kishte interpretuar gabimisht ligjin për lëshimin e pasaportave për të afërmit dhe gjithashtu zbuloi se afro 770 të huajve iu dha gabimisht shtetësia, kryesisht për shkak të verifikimit të pamjaftueshëm.

Ministri i Brendshëm i Qipros, Nicos Nouris konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press se katër rusë që janë sanksionuar kanë marrë një pasaportë qipriote sipas skemës së investimeve të vendit ishull.

Sipas Parlamentit të BE-së, dymbëdhjetë vende të BE-së ofrojnë të lejet e qëndrimit bazuar në skemën e investimeve. Kushtet minimale të investimit variojnë nga 60,000 euro deri në 1,250,000 euro.

“Vlerat evropiane nuk janë në shitje. Ne konsiderojmë se shitja e nënshtetësisë përmes ‘pasaportave të arta’ është e paligjshme sipas ligjit të BE-së dhe paraqet rreziqe serioze për sigurinë tonë”, tha Didier Reynders, Komisioner për Drejtësinë dhe Konsumatorët. “Kjo i hap derën korrupsionit, pastrimit të parave dhe shmangies së taksave”, shtoi ai.

Rekomandimi i komisionit erdhi pasi ligjvënësit evropianë kërkuan në fillim të këtij muaji që t’i jepej fund shitjes së shtetësisë përmes skemave të investimeve dhe përmirësimit të rregullave të programeve të investimit që u mundësojnë investitorëve marrjen e lejeve të qëndrimit.

Përveç thirrjes së tij “për të shfuqizuar menjëherë çdo skemë ekzistuese të shtetësisë së investitorëve”, komisioni u kërkoi gjithashtu vendeve të BE-së të kryejnë kontrolle të rrepta përpara se të lëshojnë çdo leje qëndrimi për investitorët.

Çfarë konsumuan Abramovich dhe negociatorët ukrainas të cilët dyshohet se u helmuan?

Miliarderi rus, Roman Abramovich, i cili është përfshirë në negociatat ruso-ukrainase për të siguruar paqen dyshohet se është tentuar të helmohet. Simptoma helmimi kanë pasur gjithashtu edhe dy negociatorë të tjerë ukrainas.

Ngjarja ka ndodhur gjatë takimeve në Kiev në datat 2 dhe 3 mars, siç raportoi Ëall Street Journal.

Ndërkohë, sipas grupit investigativ të gazetarisë Bellingcat, ata që ishin në shënjestër kishin konsumuar vetëm çokollatë dhe ujë para fillimit të simptomave.

Platforma  thotë se doza e toksinës nuk ishte e mjaftueshme për t’i vrarë dhe “me shumë mundësi kishte për qëllim t’i trembte ata” në vend që të shkaktonte dëme./abcnews.al

Abramovich dhe negociatorët ukrainas dyshohet se janë helmuar

RFE/RL

Miliarderi i sanksionuar rus, Roman Abramovich dhe negociatorët ukrainas për paqe, janë përballur me pasoja të helmimit të dyshuar më herët gjatë këtij muaji, pas një takimi në Kiev, ka raportuar gazeta amerikane, Wall Street Journal më 28 mars.

Gazeta ka cituar burimet e saj, të afërta me këtë çështje, por pa përmendur emra.

Sipas saj, Abramovich, i cili ka pranuar kërkesën ukrainase për të ndihmuar në negociim të dhënies fund të pushtimit rus në Ukrainë, dhe të paktën dy pjesëtarë të lartë të ekipit ukrainas, janë prekur në helmimin e dyshuar.

Në mesin e simptomave kanë qenë: skuqja e syve dhe qërimi i lëkurës në fytyrë dhe duar, ka raportuar Wall Street Journal.

Një zëdhënës i Abramovichit ka konfirmuar se oligarku rus dyshohet se është helmuar.

Abramovich, pronar i klubit anglez, Chelsea, dhe negociatorët ukrainas, përfshirë ligjvënësin tatar të Krimesë, Rustem Umerov, tani janë në gjendje stabile dhe jo në rrezik për jetën, ka thënë gazeta.

Një person i afërt me këtë çështje ka konfirmuar incidentin për agjencinë e lajmeve Reuters, mirëpo ka thënë se kjo gjë nuk e ka ndalur punën e Abramovichit.

Edhe grupi për hulumtime Bellingcat e ka konfirmuar incidentin.

“Bellingcat mund të konfirmojë se tre anëtarë të delegacionit në bisedimet për paqe, në mes të Ukrainës dhe Rusisë, të datës 3 dhe 4 mars 2022, janë përballur me simptoma si të helmimit me armë kimike. Në mesin e viktimave ka qenë sipërmarrësi, Roman Abramovich”, ka thënë grupi në Twitter.

Persona të afërt me këtë çështje kanë thënë se përkrahësit e linjës së ashpër në Moskë mund të kenë kryer sulmin, pasi kanë dëshiruar që të sabotohen bisedimet për dhënie fund të luftës.

Një tjetër person i afërt me Abramovichin ka thënë se nuk është e qartë se kush e ka shënjestruar grupin, dhe ekspertë perëndimorë, të cilët kanë analizuar incidentin, kanë thënë se është e vështirë të kuptohet nëse simptomat janë shkak i ndonjë agjenti kimik apo biologjik, pa e përjashtuar edhe mundësinë e sulmit me rreze elektromagnetike.

Kremlini ka thënë se Abramovich ka luajtur rol në fillim të bisedimeve në mes të Rusisë dhe Ukrainës, mirëpo procesi tani është në duart e ekipeve negociatore.

Shtetet e Perëndimit kanë vendosur sanksione të pashembullta kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke përfshirë edhe oligarkët dhe individë tjerë në listën e sanksioneve.

Abramovich është në mesin e sanksionuarve nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kush është Roman Abramovich?

Roman Arkadyevich Abramovich ka lindur në Saratov, në jugperëndim të Rusisë më 1966.

Nëna e tij, Irina, ka vdekur nga helmimi i gjakut kur ai ka qenë një vjeç dhe babai i tij ka vdekur dy vjet më vonë, pas një aksidenti me një kran ndërtimi.

Abramovich është rritur nga familjarët, duke kaluar kohë në Komi, në veriperëndim të Rusisë, ku ka pasur pak para dhe temperaturat kanë qenë të ulëta.

“Nëse them të vërtetën, nuk mund ta quaj fëmijërinë time si të keqe”, ka thënë ai më parë për të përditshmen britanike, Guardian.

“Në fëmijëri nuk mund të krahasoni gjërat: njëri ha karota, tjetri bonbone, të dyja shijojnë mirë. Si fëmijë, nuk mund të bëni dallimet”.

Ai e ka lënë shkollën kur ka qenë 16 vjeç, ka punuar si mekanik dhe ka shërbyer për Ushtrinë e Kuqe, para se të shiste lojëra të plastikës në Moskë.

Më vonë ka shitur parfume dhe ka ndërtuar pasurinë e tij në periudhën e hapjes së madhe, kur ish-lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev ka krijuar më shumë hapësirë për sipërmarrësit.

Ai është bërë aleat i ish-presidentit rus Boris Yeltsin dhe lojëtar në skenën politike post-sovjetike të Moskës.

Ai madje ka pasur një apartament në Kremlin për një periudhë.

Kur Yeltsin ka dhënë dorëheqje më 1999, Abramovich është thënë se ka qenë në mesin e atyre që kanë mbështetur, atëbotë kryeministrin dhe ish-shefin e spiunimit, Vladimir Putinin, si presidenti shteti.

Teksa Putini ka qenë duke rritur pozitën e vet, ai ka synuar të rrisë edhe dominimin ndaj oligarkëve.

Disa janë burgosur, disa kanë ikur nga shteti, por asnjëra nuk ka ndodhur me Abramovichin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke e emëruar Abramovichin si guvernator të rajonit Çukotka.

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke e emëruar Abramovichin si guvernator të rajonit Çukotka.

Më 2000, ai është zgjedhur guvernatori i rajonit Çukotka, në verilindje të Rusisë.

Ai është bërë i famshëm pasi ka investuar paratë e tij në shërbime sociale, mirëpo ka dhënë dorëheqje më 2008.

Ndërkohë, ai është raportuar se ka rritur pasurinë e tij, duke blerë, piktura, shtëpi dhe makina.

Më 2003, manjati rus ka blerë klubin anglez të futbollit, Chelesa.

“Jam i sigurt se njerëzit do të fokusohen te unë për tre deri në katër ditë, mirëpo kjo gjë do të kaloj”, ka thënë Abramovich kur ka blerë klubin.

“Ata do të harrojnë kush jam unë, dhe më pëlqen kjo gjë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Scholz kërkon që BE-ja të nisë bisedimet për anëtarësim me Tiranën dhe Shkupin

RFE/RL

Bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropiane me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, për shkak se vonesat në këtë drejtim, do ta bëjnë Ballkanin Perëndimor të ndjeshme ndaj ndikimit të jashtëm.

Kështu deklaroi të hënën kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Është e qartë edhe për Gjermaninë dhe Suedinë se BE-ja duhet të shtyjë përpara me reforma institucionale për ta bërë veten të aftë për zgjerim”, tha Scholz gjatë një konference për media pas takimit me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson.

Nisja e bisedimeve për anëtarësim për Tiranën dhe Shkupin u bllokuan në nëntor të vitit 2019, pasi Bullgari, si shtet anëtar i BE-së, vendosi veto ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

Dialogu në faza për arritjen e marrëveshjes finale

Sofja kërkoi që fillimisht të arrihet një marrëveshjeje për gjuhën e identitetin maqedonas, që sipas Sofjes kanë “rrënjë bullgare”.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë formuar grupe punuese, duke tentuar që të zgjidhin mosmarrëveshjet, në mënyrë që Shkupi dhe Tirana të mund të nisin bisedimet për integrim evropian.

Deutsche Welle: Ushtarë rusë të plagosur në Ukrainë mbushin spitalet bjelloruse, mjekëve u ndalohet të flasin

Nga Olga Stefanoviç, Deutsche Welle.

Qëkurse forcat ruse pushtuan Ukrainën më 24 shkurt, Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar për humbje ushtarake vetëm një herë. Më 2 mars ajo tha se ishin vrarë 498 ushtarë dhe ishin plagosur 1,597 të tjerë. Zyrtarët ukrainas thonë se nga pala ruse ka pasur të paktën 14,200 të vdekur. Ndoshta asnjëra palë nuk thotë të vërtetën.

Por sipas njoftimeve të mediave bjelloruse dhe kanaleve në Telegram shumë ushtarë rusë të plagosur po sillen në Bjellorusi ku marrin trajtimin e parë mjekësor përpara se të transportohen për në Rusi.

Madje edhe presidenti bjellorus Alexander Lukashenko tha pesë ditë pas fillimit të luftës, se në qytetet Gomel, Mazyr dhe në një qytet tjetër bjellorus ishin trajtuar rreth 160 dhe 170 ushtarë rusë.

Ushtarë të rinj nga rajone të varfra të Rusisë

Katër burime thanë për DW se në këto qytete jugore të Bjellorusisë kishte ushtarë rusë. Po ashtu ata thanë se në Narovlya, jo shumë larg kufirit me Ukrainën, ishte ngritur edhe një spital fushor. Një burim tha për DW se shumë ushtarë të plagosur që kanë arritur në Mazyr kishin humbur “krahë, këmbë, veshë apo sytë”. Ata thanë se disa kishin arritur me shumë vonesë dhe se u kishte filluar gangrenizimi i gjymtyrëve.

Burimi tha se disa nga të plagosurit nuk kishin ngrënë prej pesë ditësh, dhe se kur mbërritën ishin të çorientuar dhe donin të telefononin me prindërit e tyre: “Fjala është për ushtarë që kanë lindur në vitin 2003. Ata vijnë nga rajone të varfra të Rusisë dje janë në thelb ende fëmijë.”

Një burim tjetër që nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në sektorin e kujdesit shëndetësor, por i informuar mirë për situatën tha se në një spital në rajonin e Gomel, kryhen “pa ndërprerje operacione”, deri në 50 çdo natë. Burimi tha se shpesh kirurgëve u duhet t’u presin ushtarëve rusë  gjymtyrët. “Spitali është plot”, tha burimi, duke kërkuar që vendndodhja e spitalit të mos bëhet publike.

Spitalet nën kontroll të rreptë nga shërbimet sekrete

Shumë mjekë të kontaktuar nga DW refuzuan të flisnin në lidhje me trajtimin mjekësor të ushtarëve rusë. Dy burime thanë se mjekëve u duhej të nënshkruanin një marrëveshje për të mos folur.

Fondacioni Bjellorus i Solidaritetit Mjekësor konfirmoi se të gjitha spitalet janë nën kontroll të rreptë. “Në spitale ka mjaft punonjës të KGB-së ose FSB-së. Të gjitha ndërtesat e spitaleve janë nën mbikëqyrje. Shumë mjekë bjellorusë, që mendohet se mund të kenë treguar diçka për çfarë po ndodh në spitale, janë zëvendësuar me mjekë rusë,” tha një zëdhënës, duke shtuar se shumë mjekë dhe punonjës të spitaleve kanë frikë të flasin për ato që kishin parë ose bërë.

Disa persona thanë për DW se trupat e ushtarëve të vdekur rusë transportohen nga Ukraina në Bjellorusi. Edhe zëdhënësi i Fondacionit Bjellorus të Solidaritetit Mjekësor tha se spitalet në Bjellorusi janë të mbingarkuar duke shtuar se ka edhe shumë ushtarë të vdekur. Megjithatë askush nuk mund të jepte një shifër të saktë.

Ukraina eksporton drithërat e para me tren në Evropë

RFE/RL

Tregtarët kanë eksportuar furnizimet e para të misrit ukrainas në Evropë me tren pasi portet detare të vendit mbeten të bllokuara për shkak të pushtimit rus, tha të dielën konsulenca bujqësore (APK Inform).

Ukraina është një prodhues dhe eksportues kryesor global i drithërave dhe pothuajse të gjitha eksportet e saj janë transportuar tradicionalisht nga portet e saj të Detit të Zi. Eksportet mujore të drithërave i kalonin 5 milionë tonë para luftës.

Tregtarët dhe zyrtarët e bujqësisë kanë thënë se Ukraina, e cila ende ka vëllime të konsiderueshme të drithit në magazinë, mund të fillojë të eksportojë me tren përmes kufirit të saj perëndimor.

“Grupet e para prej disa mijëra tonësh misër tashmë janë eksportuar përtej kufirit tokësor perëndimor të Ukrainës,” tha APK-Inform në një raport.

“Vështirësitë me logjistikën vazhdojnë, oferta ende mbizotëron mbi kërkesën, por çmimet kanë pushuar së rëni,” shtoi ai.

APK-Inform tha se çmimet e misrit ukrainas për blerësit nga Polonia dhe shtetet baltike ishin 250 deri në 265 dollarë për ton dhe 275 dollarë për ton për Sllovakinë.

Autoritetet ukrainase të transportit kanë thënë se deri në 600,000 tonë drithë në muaj mund të eksportohen me trena nga Ukraina në Evropë.

Agjendia tha javën e kaluar që eksportet e grurit të Ukrainës mund të arrijnë në 44 milionë tonë në sezonin 2021/22 korrik-qershor.

Humbje tjetër për Putin, ushtria ukrainase: Vritet një tjetër gjeneral rus në luftimet në Kherson

Ushtria ukrainase thotë se forcat e saj kanë vrarë gjenerallejtënant rus Yakov Rezantsev gjatë luftimeve në Chornobaiivka, në rajonin Kherson në jug të Ukrainës.

Ushtria tha se Rezantsez ishte komandant i Ushtrisë së 49-të të Kombinuar të Armëve të Qarkut Ushtarak Jugor të Federatës Ruse.

Ministria ruse e mbrojtjes nuk e ka komentuar pretendimin ukrainas. Deri më tani, rreth gjashtë gjeneralë rusë besohet se janë vrarë që nga fillimi i sulmit të Rusisë në Ukrainë, si dhe një zëvendës komandant i flotës së Detit të Zi. bw

Dyshime për rreth 300 të vrarë pas bombardimit të teatrit në Mariupol

VOA

Autoritetet lokale të qytetit ukrainas të Mariupolit njoftuan të premten se 300 vetë kanë humbur jetën pasi forcat ushtarake ruse sulmuan një teatër që përdorej si strehë për qindra persona. Sulmi ndodhi më 16 mars.

Në postimin e tyre në platformën e medias sociale ‘Telegram’ zyrtarët lokale të këshillit të qytetit të Mariupolit, u referoheshin të dhënave që kishin marrë nga dëshmitarët okularë.

Mbetet e paqartë se si kishin arritur në këtë shifër dëshmitarët okularë, apo nëse kërkimet nën rrënonjat e godinës kishin përfunduar, për shkak se sulmet e vazhdueshme në qytet i kanë bërë të vështira operacionet e kërkim-shpëtimit në vendngjarje.

Sipas zyrtarëve ukrainas në momentin e sulmit në godinë ndodheshin më shumë se 1,300 persona, rreth 130 prej tyre u nxorrën gjallë nga rrënojat.

Në dy anë të ndërtesës ishte shkruar me gërma të mëdha dhe në gjuhën ruse fjala fëmijë, me synimin që ajo të mund të shihej nga lart.

Protesta në Bruksel, kërkohet ndërhyrja e Perëndimit në Ukrainë

VOA/Henry Ridgwell

Ndërsa udhëheqësit e NATO-s, G7-ës dhe Bashkimit Evropian të enjten biseduan në takime me dyer të mbyllura në Bruksel, protestuesit dolën në rrugë për të kërkuar nga Perëndimi veprime më të ashpra kundër Rusisë.

Presidenti i Ukrainës kishte kërkuar një ditë protestash në mbështetje të vendit të tij dhe kundër sulmit të Rusisë.

Jashtë selisë së Bashkimit Evropian, ku po takoheshin udhëheqësit botërorë, duke përfshirë presidentin amerikan protestuesit i bënë të qarta kërkesat e tyre.

“Presim nga NATO, BE-ja, G7-a dhe udhëheqësit botërorë, që më në fund të marrin një vendim, në mënyrë që ne të shohim vendosmërinë e tyre për ta ndihmuar Ukrainën të fitojë. Ne kemi një pyetje: A mbaron morali dhe njerëzimi në kufijtë e NATO-s?”, thotë për Zërin e Amerikës Hanna Hopko, ish deputete e parlamentit ukraians.

Sipas Kombeve të Bashkuara më shumë se 1 mijë civilë janë vrarë deri tani në Ukrainë, shumica viktima të raketave dhe sulmeve ajrore të Rusisë.

Zlata Podovolenkova u largua nga shtëpia e saj në Hostomel afër Kievit, ku ndodhet vija që ndan forcat ukrainase dhe ato ruse. Disa anëtarë të familjes së saj kanë ngelur në mes të zonës së luftës.

“Po kërkojmë nga NATO që të mbyllë qiellin dhe të sigurojë armët që do ta ndihmonin Ukrainën ta fitojë këtë luftë. Jemi të sigurt se do të fitojmë. Kërkesat tona kanë rëndësi jo vetëm për shkak të kohës, por edhe numrit të civilëve që do të vdesin në këtë luftë të tmerrshme”, thotë ajo.

Këto kërkesa nuk janë përmbushur. NATO u pajtua për ashpërsim të sanksioneve dhe rritje të furnizimeve me armë dhe ndihma humanitare – por ajo nuk do të vendosë një zonë të ndalim-fluturimit apo të sigurojë avionë luftarakë.

“Evropa dhe NATO mund të bëjnë më shumë për të ndihmuar Ukrainën. Ne jemi në një situatë të ngjashme me atë të vitit 1939, kur njerëzit në Evropë duhej të vendosnin se kush është Hitleri. Tani jemi në një kohë kur duhet të vendosim se Vladimir Putin nuk është më udhëheqësi i një kombi. Ai është një diktator imperialist që do të shkatërrojë gjithçka që kemi ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore”, thotë për Zërin e Amerikës Andrea Catagna, protestues italian.

Protestuesit u shtrinë në rrugë duke krijuar një skenë të ngjashme me atë të rrugëve të Mariupolit dhe qyteteve tjera, ku trupat e civilëve të vrarë janë parë të shpërndarë gjithandej rrugëve, në pamundësi për t’u varrosur.

Më pas, brohoritjet për Ukrainën shkaktuan jehonë rrugëve të Brukselit.

Urakiansit thonë se po luftojnë kundër Rusisë për demokraci perëndimore.

Deri tani po rezistojnë të vetëm, ndërsa dëshpërimisht kërkojnë më shumë ndihma nga NATO.

NATO ia zgjat mandatin Stoltenbergut për shkak të luftës së Rusisë

RFE/RL

Me rrezikun e zgjerimit të konfliktit në Evropë, NATO ka ndërmarrë veprime për stabilitet, teksa të enjten ia zgjati mandatin sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, edhe për një vit teksa aleanca ushtarake po përballet me krizën e sigurisë të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Stoltenberg shkroi në Twitter të enjten se ishte i “nderuar” me vendimin e liderëve të NATO-s që mandati i tij në krye të aleancës të zgjatej deri më 30 shtator të vitit 2023.

“Teksa ne përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në gjeneratë, ne qëndrojmë unik për të mbajtur aleancën tonë të fortë dhe njerëzit tanë të sigurt”, tha ai, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologët e tij gjatë samitit të mbajtur në Bruksel, u pajtuan për zgjatjen e mandatit.

Presidenti Biden tha përmes një postimi në Twitter se Stoltenberg ka “bërë punë të mrekullueshme për të udhëhequr dhe forcuar aleancën tonë, veçanërisht gjatë këtij momenti kritik për sigurinë ndërkombëtare”.

Ish-kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg, u emërua në postin e shefit të NATO-s në tetor të vitit 2014. Mandati i tij i dytë ishte paraparë që të përfundonte në shtator.

Ukraina shkatërron anijen e madhe zbarkuese ruse në portin e pushtuar të Berdyansk

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë njoftuar mëngjesin e sotëm se kanë arritur të shkatërrojnë një anije të madhe mbështetëse ruse dhe kanë publikuar edhe pamjet e shpërthimit.

“Mirëmëngjes, jemi nga Ukraina! – thuhet në mesazh. – Në portin e kapur nga rusët të Berdyansk, u shkatërrua një anije e madhe zbarkuese “Orsk” e Flotës së Detit të Zi të pushtuesve. Lavdi Ukrainës!”

Forcat e armatosura ruse kishin njoftuar të hënën se kishin ankoruar një anije të madhe mbështetëse, Orsk, në portin ukrainas të okupuar të Berdyansk, 70 km në jugperëndim të portit të rrethuar ukrainas të Mariupol në Detin Azov.

Si pjesë e asaj që Moska e quan një ‘operacion special ushtarak’ i nisur pothuajse një muaj më parë, forcat ruse kanë kapur pjesën më të madhe të bregdetit ukrainas përgjatë Detit Azov, një shtojcë e Detit të Zi, me përjashtim të Mariupolit, i cili ka refuzuar të dorëzohet. syri.net

I dërguari gjerman për Ballkanin: Presim sanksionet e Serbisë kundër Rusisë

Aneta Duroviq

Dështimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, nuk do të thotë neutralitet, por mbështetje për Rusinë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë i dërguari i posaçëm i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Sarrazin ka marrë këtë detyrë, e cila nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane, në mes të shkurtit të këtij viti. Ai është anëtar i Partisë së Gjelbër në Gjermani, ndërsa ka qenë deputet i Bundestagut për 13 vjet, deri në vitin 2021.

Përndryshe, ai është i dërguari i katërt perëndimor për rajonin. Nga SHBA-ja, në postin e të dërguarit të posaçëm është Gabriel Escobar, nga Mbretëria e Bashkuar është Sir Stuart Peach dhe nga Bashkimi Evropian është Mirosllav Lajçak, i cili është i ngarkuar në mënyrë të posaçme me dialogun Kosovë – Serbi.

I pyetur se si e sheh situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, në kontekstin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe tensioneve që ka shkaktuar lideri serb i Bosnjës, Millorad Dodik, me kërcënimet për ndarjen e Republikës Sërpska, Sarrazin thotë:

“Vizita e ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në Bosnje dhe Hercegovinë ka treguar se Qeveria federale gjermane ka një fokus të fuqishëm në këtë vend. Gjermania po e ndjek nga afër situatën aktuale atje. Për shkak të luftës ruse në Ukrainë, Gjermania dhe Bashkimi Evropian do t’iu kushtojnë vëmendje edhe më të madhe zhvillimeve në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Sipas tij, Qeveria gjermane është e vetëdijshme se shumë njerëz në Bosnje dhe Hercegovinë kërkojnë – sidomos tani – angazhim dhe përkushtim më të madh të Gjermanisë për sigurinë në rajon.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e re gjermane i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë sanksione ndaj Dodikut, për shkak të tërheqjes së Republikës Sërpska nga forcat e armatosura, gjyqësori dhe sistemi tatimor i Bosnje e Hercegovinës.

Dodik, qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, ka filluar një fushatë për krijimin e institucioneve të entitetit të tij – gjë që është dënuar fuqishëm nga BE-ja dhe SHBA-ja, të cilat e kanë cilësuar si transferim jokushtetues të kompetencave.

Më 5 janar, Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar një listë të zgjeruar sanksionesh për vepra të korrupsionit, në të cilën përfshihet edhe Dodik.

Duke komentuar faktin që Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, Sarrazin thotë se harmonizimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në për këtë çështje është vendimtar.

“Në ambientin e politikës së jashtme, siç është tani, shteti nuk mund të jetë i suksesshëm duke ‘u ngatërruar’ ose duke luajtur bixhoz. Situata tani është ndryshe nga ajo që ka qenë më parë”, thotë Sarrazin.

Në kohën e luftës ruse në Ukrainë, Evropa duhet të mbetet e bashkuar, thotë ai.

“Prandaj, përafrimi i politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në për këtë çështje, është i një rëndësie vendimtare – përfshirë edhe sanksionet. Ne mirëpresim [faktin] që shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë bërë tashmë këtë. Por ne presim që edhe Serbia ta bëjë të njëjtën gjë. Nuk është e mundur të qëndrohet anash në këtë çështje. Mosvendosja e sanksioneve nuk do të thotë neutralitet, por do të thotë mbështetje për Rusinë”, shprehet Sarrazin.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Serbia ka thënë se ofron mbështetje të plotë për integritetin territorial të Ukrainës, por pa e përmendur sulmin e Rusisë në fqinjin e saj.

Serbia, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë, gjë të cilën ia ka kërkuar Bashkimi Evropian.

Sa i përket Kosovës, Sarrazin ka thënë në fillim të marsit se është i kuptueshëm përkushtimi i Gjermanisë që shteti, të cilin e njeh, të përfaqësohet në organizatat ndërkombëtare.

Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe pengon anëtarësimin e saj në organizatat e huaja.

Dy vendet po përpiqen t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Për Malin e Zi, i cili është në një fazë të paqëndrueshmërisë politike, ku po tentohet të formohet Qeveria e re, dhe ka një ndarje të fortë midis malazezëve dhe serbëve, me ndikim të dukshëm rus në pozitat vendimmarrëse, Sarrazin beson se anëtarësia e tij në NATO është garantuesja më e mirë e stabilitetit.

“Në Mal të Zi, aktualisht, jemi ende në pritje të rezultatit të proceseve të brendshme politike, në lidhje me krijimin e një qeverie të re. Në përgjithësi, jam thellësisht i bindur se rruga e zgjerimit të BE-së dhe një angazhim i fortë ndaj NATO-s janë kornizat më të mira për stabilitetin në rajon dhe në Mal të Zi”, thotë Sarrazin.

I pyetur se si i komenton thirrjet e disa zyrtarëve amerikanë dhe evropianë për përshpejtimin e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, për të parandaluar reflektimet e luftës në Ukrainë, Sarrazin thotë:

“Proceset duhet të përshpejtohen duke përmbushur më shpejt dhe më mirë kriteret. Për këtë na duhet më shumë besueshmëri në rrugën evropiane nga të dyja anët. Së pari, BE-ja duhet të miratojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

“Por, ne gjithashtu kemi nevojë për një proces të besueshëm të reformave brenda vendeve të zgjerimit. Tregu i përbashkët i BE-së dhe uniteti dhe integriteti i vlerave dhe ligjeve evropiane janë dy anët e së njëjtës medalje”, thotë ai.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtare të NATO-s janë: Maqedonia e Veriut që nga viti 2020, Mali i Zi që nga viti 2017 dhe Shqipëria që nga viti 2009. Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia mbeten jashtë aleancës.

Në Bashkimin Evropian, asnjëri nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është ende anëtar – vetëm Serbia dhe Mali i Zi janë vende kandidate.

Përgatiti: Valona Tela

Polonia thotë se 45 diplomatë rusë janë të dyshuar si spiunë

VOA News

Agjencia e sigurisë së brendshme të Polonisë tha të mërkurën se ka identifikuar 45 diplomatë rusë të dyshuar se punonin si spiunë.

Një zëdhënës i agjencisë u tha gazetarëve se lista e të dyshuarve iu dërgua Ministrisë së Jashtme të Polonisë me një kërkesë që ata të dëboheshin nga vendi.

Media shtetërore ruse tha se nëse Polonia dëbon diplomatët e saj, Rusia do të hakmerret.

Disa informacione erdhën nga Agence France-Presse dhe Reuters.-eb

 

Musk zbarkon në Gjermani – përuron fabrikën e parë të automjeteve elektrike në Europë

 

VOAL- Miliarderi Elon Musk përuroi personalisht të martën në mëngjes në Grueneheide, një qytet me 9000 banorë 40 kilometra larg Berlinit, fabrikën e re të Tesla në Brandenburg, “Gigafactory” e parë në Evropë. Në ceremoni morën pjesë kancelari Olaf Scholz dhe zëvendësi i tij, Ministri i Ekonomisë dhe Klimës Robert Habeck.

Tesla në Brandenburg “është një investim i madh në Gjermani”, theksoi zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck. Fakti që sipërmarrësi amerikan ka zgjedhur Republikën Federale “është një njohje e fortë e Gjermanisë dhe do të thotë se besohet se ajo do të duhet të bëhet vendi lider i tregut të elektromobilitetit në Evropë”.

“Zgjerimi i sektorit është strategjia e ministrisë sime”, shtoi ai gjithashtu. Dhe kur u pyet për përpjekjet e Berlinit për t’u çliruar nga nafta ruse, zëvendëskancelarja shpjegoi se “ky investim filloi para luftës në Ukrainë, por është një simbol i bukur këto ditë”.

Kjo është fabrika e parë e madhe industriale e Teslës në Evropë, e cila sipas planeve do të punësojë 12 mijë punonjës dhe do të prodhojë gjysmë milioni makina në vit. sda-eb

Dendias dëshiron të udhëheqë misionin e ndihmës për Mariupolin

RFE/RL

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka propozuar që të udhëheqë një mision për ndihmë humanitare në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit.

Dendias tha në një konferencë për media në Athinë më 22 mars se për të nderuar Manolis Androulakis, diplomatin e fundit evropian që u largua nga Mariupoli, ai kishte vendosur kontakte me kreun e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të koordinuar përpjekjet për dërgimin e ndihmës.

“I kam dërguar një notë verbale palës ukrainase duke kërkuar për lehtësim të dërgimit të ndihmës humanitare në Mariupol dhe një tjetër notë verbale palës ruse duke i kërkuar që të mos pengojë këto përpjekje”, tha ai. “Planifikoj që vet të marr pjesë në dërgimin e kësaj ndihme”.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Rusia ka kryer vazhdimisht sulme ajrore dhe me artileri të rëndë, në përpjekje që të marrë kontrollin e këtij qyteti-port, që ka rëndësi strategjike, pasi do t’i mundësonte Rusisë që të krijonte një lidhje tokësore mes Krimesë dhe zonave lindore ukrainase.

Rusia e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Ndërkaq, rajonet lindore ukrainase aktualisht kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Vlerësohet se mbi 200,000 civilë mbeten të bllokuar në Mariupol pa ujë, rrymë dhe furnizime ushqimore.

Androulakis, ishte konsull i përgjithshëm i Greqisë në Mariupol, ku shumë marinarë grekë po ashtu ishin të bllokuar për shkak të luftimeve dhe u deshën gjashtë operacione të evakuimit për t’i larguar ata nga qyteti.

Katastrofë humanitare në Kherson

 

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës: “300,000 njerëz pa ushqim dhe ilaçe”. Në Mariupol, 100,000 njerëz mbeten në qytetin e rrethuar

 

VOAL- Situata në Mariupol mbetet dramatike, alarmet u dëgjuan gjatë natës në shumicën e rajoneve të Ukrainës dhe numri i të vdekurve nga Kombet e Bashkuara arriti në 925 vdekje të konfirmuara.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka kërkuar një bisedë të drejtpërdrejtë me homologun e tij Vladimir Putin, duke thënë se ai është gjithashtu i gatshëm të diskutojë statusin e Krimesë dhe Donbasit, por në këmbim të “garancive të sigurisë” të parashikuara dhe përfundimit të armiqësive. “Kjo është një çështje e vështirë për të gjithë,” tha ai, duke iu referuar aneksimit de fakto të gadishullit në Detin e Zi në 2014 dhe në rajonet e shkëputura të lindjes, pavarësinë e të cilave Kremlini njohu një muaj më parë. Zelensky u shpreh në një intervistë, e cila u transmetua nga media të ndryshme gjatë natës. Ai tha gjithashtu se populli duhet të shprehet për kompromiset e arritura dhe se nuk dëshiron që historia “të na bëjë heronj dhe një komb që nuk ekziston më”. Megjithatë, “Ukraina do të shkatërrohet” para se të heqë dorë.

“300,000 qytetarët e Khersonit përballen me një katastrofë humanitare për shkak të bllokadës së ushtrisë ruse. Ushqimet dhe furnizimet mjekësore pothuajse janë zhdukur, megjithatë Rusia refuzon të hapë korridoret humanitare për evakuimin e civilëve. Taktikat barbare të Rusisë. ato duhet të ndalohen para se të jetë tepër vonë !”. Oleg Nikolenko, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, shkruan në Twitter.

Në Mariupol kanë mbetur 100 mijë njerëz

Rreth 100,000 njerëz mbetën në qytetin e rrethuar të Mariupolit, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk. Pjesa më e madhe e qytetit është shkatërruar dhe përballet me mungesë të madhe uji dhe ushqimi. rsi-eb

Biden drejt Evropës për t’u takuar me krerët e NATO-s, BE-së dhe G7-ës për krizën në Ukrainë

VOA/Anita Powell, Bill Gallo

Një javë kritike kjo për diplomacinë, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden shkon në Evropë për një takim të jashtëzakonshëm të NATO-s, që synon të ulë tensionet nga konflikti në Ukrainë dhe t’i vendosë sanksione të tjera Rusisë, për ta bërë këtë vend të paguajë një kosoto më lartë për sulmin ndaj fqinjit të saj perëndimor. Vendet evropiane janë të shqetësuara se konflikti mund të përhapet në territorin e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Anita Powell dhe korrespondenti Bill Gallo në Seul na kanë përcjellë këtë material.

Presidenti Joe Biden shkon në Evropë të mërkurën me shpresën se bisedimet ballë për ballë me udhëheqësit e NATO-s, ata evropianë dhe të G7-ës, do të arrijnë atë që diplomacia virtuale nuk ka arritur deri më tani: t’i japë fund sulmit rus të Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë e pranon se ky udhëtim i shpejtë, synon të arrijë shumë, në shumë pak kohë. Ai fillon me një takim të NATO-s për Rusinë të enjten.

“Presidenti do të ripohojë angazhimin tonë të hekurt ndaj aleatëve të NATO-s për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Më pas ai do të marrë pjesë në një takim të planifikuar të Këshillit Evropian për të diskutuar shqetësimet tona të përbashkëta në lidhje me Ukrainën, duke përfshirë përpjekjet transatlantike për të vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë, për të ofruar mbështetje humanitare për ata që janë prekur nga dhuna dhe për të adresuar sfida të tjera që lidhen me konfliktin. Më vonë gjatë ditës, ai do të marrë pjesë në takimin e G7 të thirrur nga Gjermania, për të diskutuar më tej me aleatët dhe partnerët tanë sanksionet që ne kemi vendosur ndaj Rusisë për luftën që ka filluar”, tha sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Përveç vendosjes së sanksioneve të rrepta kundër Rusisë, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës 13.6 miliardë dollarë ndihma ushtarake dhe humanitare.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ka kërkuar me ngut Shteteve të Bashkuara, por pa sukses, që të krijojnë një zonë të ndaluar fluturimi mbi vendin e tij.

Ai ka paralajmëruar vazhdimisht se Putini nuk do të ndalet në Ukrainë. Një sulm i fundit rus me raketa në qytetin perëndimor të Lvivit, goditi vetëm 80 kilometra nga kufiri polak.

“Më pas do të jetë Letonia, Lituania, Estonia, Moldavia, Gjeorgjia, Polonia. Ata do të vazhdojnë derisa të arrijnë Murin e Berlinit”, tha presidenti Zelensky.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vizitoi së fundmi vendet baltike për të dëgjuar shqetësimet e tyre.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i mbrojtjes i Letonisë i tha Zërit të Amerikës se anëtarët e NATO-s pranë Ukrainës duan të shohin disa ndryshime thelbësore.

“Në thelb, ne kemi nevojë për një lloj tjetër pranie pararojë për të gjitha vendet duke filluar nga jugu i Turqisë deri në veri të Baltikut. Gjithashtu strategjia jonë, filozofia jonë e mbrojtjes së aleancës, duhet të përcaktohet në një mënyrë tjetër”, tha zoti Artis Pabriks.

Ministri i Jashtëm i Letonisë i tha Zërit të Amerikës se Evropa Lindore nuk sheh një fund të shpejtë të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Qëndrimi ynë është se Ukraina është qartësisht vendi që duhet të vendosë se çfarë lloj marrëveshjeje dëshiron: pa afate, pa e shtyrë Ukrainën. Ne duhet ta ndihmojmë Ukrainën të mbrojë sovranitetin e saj, të mos përpiqemi të imponojmë asnjë lloj marrëveshje që nuk do të ishte në interesin më të mirë të Ukrainës. Pra, nga ky këndvështrim, nuk dua të jem më tepër optimist, apo pesimist, dua të jem realist. Mendoj se mund të marrë pak kohë”, tha zoti Edgars Rinkēvičs.

Por analistët ngrenë pikëpyetje nëse ka kuptim që NATO-ja dhe të tjerët të zhvillojnë diskutime pa Ukrainën, apo Rusinë në tryezë.

“Kam frikë se nuk shoh asnjë mundësi për ndonjë lloj rezolute që të pranohej nga vendet e NATO-s, Ukraina dhe Rusia. Arsyeja për këtë është se objektivi kryesor i Rusisë është të sigurojë që Ukraina të mos jetë një vend i orientuar nga perëndimi. Dhe nëse ky është objektivi i saj dhe ambicia kryesore e Ukrainës, si të thuash, është të jetë më perëndimore, atëherë NATO-ja nuk mund të bëjë asgjë për ta zgjidhur këtë”, thotë James Nixey me organizatën Chatham House.

Nga Brukseli, presidenti Biden do të shkojë në kryeqytetin e Polonisë, të premten. Ndërsa, më pak se 1000 kilometra larg, Ukraina ndodhet nën flakë.

Bilanci i luftës: 15300 trupa ruse të vrarë, 509 tanke të shkatërruara

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës bëri bilancin e luftimeve deri tani.

Në një deklaratë thuhet se janë vrarë rreth 15300 trupa ruse që nga nisja e luftës.

Ministria thotë se janë shkatërruar plot 509 tanke dhe 1556 mjete të blinduara luftimi.

Më tej Ukraina thtoë se Rusia ka humbur 252 sisteme artilerie që kur nisi lufta më 24 shkurt.

Rusia ka pranuar aksidentalisht se ka humbur 10 mijë trupa në Ukrainë deri më tani.

Pjesa tjetër e listës nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës:

Raketahedhës i shumëfishtë: 80 copë të shkatërruara

Mbrojtje ajrore: 45 njësi të shkatërruara

Avionë: 99 copë

Helikopterë: 123 copë

Pajisje automotive: 1000 copë

Anije: 3 copë

Cisterna furnizimi: 70

Dronë: 35

Pajisje speciale: 15

syri.net

Zelensky i drejtohet Parlamentit Italian: Mariupoli është si Gjenova, imagjinoni Gjenovën të djegur plotësisht

Një standing ovation nga parlamentarët italianë mirëpriti imazhin e drejtpërdrejtë të Presidentit ukrainas Zelensky të projektuar në Sallën e Dhomave

VOAL- “Ne synojmë të dëshmojmë në mënyrën më solemne afërsinë dhe mbështetjen e të gjithë Parlamentit dhe popullit italian ndaj Ukrainës dhe institucioneve të saj të lira demokratike përballë sulmit të pajustifikueshëm nga Federata Ruse. Dhe ne bashkohemi, në një zinxhir ideal solidariteti , me parlamentet e vendeve të tjera para të cilave tashmë keni folur”, tha kryetari i Dhomës, Roberto Fico.

“I dashur popull italian, sot fola me Shenjtërinë e Tij Papa Françeskun dhe ai tha fjalë shumë të rëndësishme”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Papa Françeskut “Unë iu përgjigja se populli ynë është bërë ushtri”, tha presidenti ukrainas, duke kujtuar se sa shumë Ukraina e ka parë “të keqen që sjell armiku, sa rrënime i lë sa gjakderdhje”.

“Invazioni rus po shkatërron familje, lufta vazhdon të shkatërrojë qytetet e Ukrainës, disa janë shkatërruar plotësisht si Mariupoli, i cili kishte gjysmë milioni banorë, është si Gjenova, imagjinoni Gjenovën të djegur plotësisht”, shtoi Zelensky.

“Një javë më parë fola në një takim në Firence, u kërkova të gjithë italianëve që të sillnin numrin 79, që ishte numri i fëmijëve të vrarë, tani janë 117, për shkak të shtyrjes së luftës. Me presionin rus janë mijëra të plagosur, qindra mijëra jetë të shkatërruara, shtëpi të braktisura, vdekje në varreza masive dhe parqe”, vazhdoi ai.

“Rezistenca” e “të gjitha rajoneve ku godet egërsia e Presidentit Putin është heroike”, komentoi kryeministri italian Mario Draghi. sda-eb

 

Zelensky thotë se çdo marrëveshje paqeje me Rusinë duhet të kalojë një referendum në Ukrainë

‘Çdo marrëveshje e rënë dakort në negociatat e paqes me Rusinë duhet t’i nënshtrohet një referendumi në Ukrainë për t’i lënë njerëzit të bëjnë zgjedhjen e tyre’, tha sot presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Duke folur për  median ukrainase Suspilne, udhëheqësi i vendit tha:

“Unë ua shpjegova të gjitha grupeve negociatore: kur të flisni për të gjitha këto ndryshime (në një marrëveshje të ardhshme) dhe ato mund të jenë historike ata do të miratohen në një referendum. Populli do t’i duhet të peshojë disa lloje kompromisi’.

Zelenskyy shtoi se në një pjesë të bisedimeve do të diskutohet se çfarë mbulojën kompromiset dhe foli gjërësisht se Ukrainë duhet të anëtarësohet në NATO duke shtuar:

Megjithatë Ukraina nuk do të pranohet në NATO sepse vendet anëtare të saj kanë frikë nga Rusia siç e kemi kuptuar tashmë të gjithë.

Ndërsa të dielën në një intervistë me Fareed Zakaria për GPS-në e CNN , Zelensky tha se është mirënjohës ndaj anëtarëve të NATO-s për mbështetjen e Ukrainës ‘ekonomikisht ose ushtarakisht’, por shtoi se lufta ‘nuk do të kishte filluar’ nëse Ukraina do të ishte pjesë e saj.

“Kështu që tani do të doja të marr garanci sigurie për popullin tim,” tha udhëheqësi ukrainas. syri.net

Zyrtari i NATO-s ngre alarmin: Bjellorusia mund të sulmojë Ukrainën së shpejti

“Bjellorusia mund të sulmojë Ukrainën së shpejti”, kështu është shprehur një zyrtar i lartë i inteligjencës së NATO-s.

Ai gjithashtu ka theksuar se Bjellorusia po përgatitet të lejojë potencialisht Rusinë të pozicionojë armë bërthamore në tokën bjelloruse.

Duke folur në kushte anonimiteti, tha se aleanca është e shqetësuar se trupat bjelloruse mund t’i bashkohen luftës në Ukrainë, shkruan The Guardian.

“Qeveria bjelloruse po përgatit mjedisin për të justifikuar një ofensivë bjelloruse kundër Ukrainës dhe vendosjen e afërt të armëve bërthamore ruse në Bjellorusi.”, ka thënë ai.

Gjithashtu zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar publikisht se Bjellorusia mund t’i bashkohet luftës. bw

A do të ndalet Rusia vetëm në Ukrainë? NATO vëzhgon hallkat e saj më të dobëta

VOA

Disa orë pasi raketat ruse goditën për herë të parë qytetet ukrainase më 24 shkurt, pesë luftanije gjermane u nisën menjëherë drejt Letonisë. Kjo ishte pjesë e një përpjekjeje për të mbrojtur një zonë që ekspertetët ushtarakë e kanë konsideruar prej kohësh pikën më të dobët të aleancës, krahun lindor të saj. Nisja e beftë e anijeve tregoi se NATO dhe Gjermania janë futur tashmë në një realitet të ri, për shkak të sulmit rus. Ata po përballën me atë që zyrtarët, diplomatët, apo autoritetet e zbulimit e sigurisë, bien dakord se është kërcënimi më serioz për sigurinë kolektive të aleancës, që nga Lufta e Ftohtë.

Duke qëndruar në bordin e luftanijes ‘Elbe’, ankoruar në portin e Rigës, komandanti gjerman i flotës ushtarake të NATO-s Terje Schmitt-Eliassen thotë se misioni tregon në thelb praninë e aleancës në Baltikun lindor. Luftanijet e aleancës, me rreth 600 marinarë në bord, do të fillojnë në ditët në vijim një operacion pastrimi të vijës brengdetare nga minat.

Do të jenë 12 luftanije nga gjashtë vende. Në thelb po tregojmë praninë tonë në Baltikun lindor. Ne po bashkëpunojmë me vendet fqinje dhe do të kryejmë detyrën tonë kryesore, mbrojtjen nga minat“, thotë Terje Schmitt-Eliassen, Komandat i grupit të NATO-s për asgjesimin e minave.

Një javë pas fillimit të luftës në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në një takim të ministrave të jashtëm të aleancës se epoka e pas sulmit ishte tashmë normalja e re. Çka ngjan shumë si një kthim në të kaluarën. E themeluar në vitin 1949 për t’u mbrojtur kundër kërcënimit sovjetik, NATO po përballet me një rikthim në luftën e mekanizuar, një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen si dhe potencialisht me mundësinë e rënies së një perdeje të re, të hekurt, në të gjithë Evropën.

Agresioni rus ka krijuar një realitet të ri për sigurinë evropiane, ku parimet themelore kundërshtohen përmes përdorimit të forcës”, tha zoti Stoltenberg.

Harta e vjetër e Luftës së Ftohtë duket se nuk ekziston më, pasi NATO është zgjeruar në lindje që nga vitet 1990, duke bërë pjesë të saj ish-vendet sovjetike, përfshirë shtetet Baltike të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë, që u bënë anëtare në 2004.

Konfrontimi i drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë mund të shkaktojë një konflikt global dhe sikurse i tha agjencisë Reuters një komandant i NATO-s në pension, kjo ka shtyrë aleancën të shqyrtojë nëse masat e saj parandaluese janë të mjafshtueshme.

Kjo duket se nënvizohet edhe nga misioni i komandatit Schmitt-Eliassen, një stërvitje e rregullt, e cila po kryhet më herët për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Njerëzit mendojnë se është e rëndësishme që ne jemi këtu, dhe kjo mund të vihet re. Ata e kuptojnë këtë si një shenjë solidariteti dhe realisht mendoj se është një ndryshim me misionet e mëparshme“.

Një Moskë agresive mund të rrethojë anëtarët e rinj të NATO-s, vendet Baltike, duke i shkëputur nga aleanca. Nëse do të bjerë një perde e re e hekurt, NATO duhet të sigurohet që anëtarët e saj të mos qëndrojnë pas saj.

Të tre vendet, me një popullsi prej rreth gjashtë milionë banorësh, kanë një lidhje të vetme tokësore me territorin kryesor të aleancës. Një korridor prej rreth 65 kilometrash mes enklavës ruse të armatosur rëndë të Kaliningradit në perëndim dhe Bjellorusisë në lindje. Qëllimi i komandatit Schmitt-Eliassen është të mbajë të hapur korridorin ujor, si linjë furnizimi edhe për shtetet jo-anëtare të NATO-s, Finlandën dhe Suedinë. Miliona ton mina të vjetra, municione dhe armë kimike besohet se ndodhen në pjesën e cekët të detit Baltik, një trashëgimi e dy Luftërave Botërore. Minat, qofshin të vjetra dhe të pashpërthyera, apo të sapo hedhura, mund të kenë një ndikim përtej shkatërrimit, thotë zoti Schmitt-Eliassen.

Edhe kur një minë vetëm sa shihet, apo kur ka zëra se ka mina, duhet bërë një përpjekje e madhe për të kontrolluar nëse ato ekzistojnë vërtet. Kështu që porti mund të mos përdoret për një numër të pacaktuar ditësh. Dhe pastaj raftet e supermarketeve do të mbetet bosh, gjithçka do të mbyllej“.

Aleatët e NATO-s kanë zhvendosur gjithashtu pesë aeroplanmbajtëse në ujërat evropiane, në Norvegji dhe Mesdhe kanë rritur numrin e avionëve luftarakë që patrullojnë hapësirën ajrore të NATO-s dhe më shumë se dyfishuar madhësinë e njësive luftarake në Baltik dhe Poloni. Shtetet e Bashkuara po dislokojnë gjithashtu një numër edhe më të madh pajisjesh ushtarake në Evropë, përfshirë automjete dhe armë në Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Poloni që mund të përdoren menjëherë nga trupat amerikane të sapoardhura, në vend që të presin me javë që tanket dhe kamionët të mbërrijnë nga bazat amerikane.

Ukraina refuzon ultimatumin rus për dorëzimin e Mariupolit

VOA

Ukraina hodhi poshtë një ultimatum rus për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupolit të hënën, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha se është gati për negociata paqeje me presidentin rus, Vladimir Putin.

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Irina Vereshchuk, hodhi poshtë kërkesën ruse dhe tha se Rusia duhet të hapë korridore humanitare, që civilët të mund të largohen nga Mariupoli.

“Nuk mund të flitet për ndonjë dorëzim, apo dorëzim të armëve. Ne e kemi informuar tashmë palën ruse për këtë”, tha zonja Vereshchuk për gazetën “Ukrainian Pravda”.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA, ministria ruse e Mbrojtjes i dha ushtrisë së Ukrainës një afat deri para agimit të së hënës dhe iu referua refuzimit për t’u dorëzuar si rreshtim me “banditët”.

Ultimatumi u bë disa orë pasi presidenti Zelenskyy i tha rrjetit CNN në një intervistë të transmetuar të dielën se dështimi për të arritur një marrëveshje të negociuar me Rusinë “do të thoshte se kjo është një Luftë e tretë Botërore”.

Presidenti Zelenskyy bëri thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse për paqe me Moskën me të cilat do të rivendosej, siç tha ai, tërësia tokësore dhe do të sigurohej drejtësi për Ukrainën. Negociatori kryesor i Rusisë tha se palët janë më afër marrëveshjes që Ukraina të heqë dorë nga qëllimi i saj për t’u anëtarësuar në NATO.

Presidenti Zelenskyy i tha rrjetit CNN se forcat ruse hynë në Ukrainë: “për të na shfarosur, e vrarë”, por ai tha se Ukraina nuk do të hiqte dorë nga sovraniteti apo integriteti i saj.

“Rusët kanë vrarë fëmijët tanë. Nuk mund ta kthejmë pas atë që ka ndodhur. Nuk mund të kërkosh nga Ukraina të njohë disa territore si republika të pavarura. Këto kompromise janë thjesht të gabuara”, tha presidenti Zelenskyy.


Send this to a friend