VOAL

VOAL

Franca thotë se BE-ja nuk do të tolerojë sulme në kufijtë e saj

VOA Marrë nga Reuters

Ministri i Jashtëm i Francës tha të mërkurën se Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë vendet e tjera të sulmojnë kufijtë e tij sovran, duke iu përgjigjur kësisoj komenteve të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, për të marrë nën kontroll Groenlandën.

Presidenti i zgjedhur nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake apo veprimeve ekonomike për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Groenlandën, duke thënë se kontrolli amerikan i dyjave është jetik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, tha se nuk besonte që Shtetet e Bashkuara do të pushtonin ishullin e madh në Arktik, që është pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet.

“Qartazi nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian do t’i lejonte kombet e tjera të botës të sulmonin kufijtë e tij sovranë, kushdo qofshin ata”, tha ai për radion France Inter. “Ne jemi një kontinent i fortë”, shtoi ai.

Komentet e zotit Trump përvijuan më tej një agjendë ekspansioniste, dy javë para se të marrë detyrën me 20 janar në Uashington.

“Nëse po më pyesni nëse unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të pushtojnë Groenlandën, përgjigja ime është jo. Por, a kemi hyrë në një periudhë kohore kur flitet për mbijetesën e më të fortit? Atëherë përgjigja ime është po”, tha ministri Barrot.

Ai tha se BE-ja nuk duhet të lejojë veten të frikësohet ose të shqetësohet tepër, por duhet të zgjohet dhe të forcohet.

Vrasja e veprimtarit shqiptar Enver Hadri në Bruksel, burgim i përjetshëm për tre serbë

Gjykata Penale e Brukselit ka dënuar me burgim të përjetshëm mbrëmjen e së mërkurës tre autorët e vrasjes së veprimtarit të shquar shqiptar, Enver Hadri. Veselin Vukotiq dhe Andrija Draskoviq u shpallën fajtorë për vrasjen e Hadrit, ndërsa Bozhidar Spaciq u shpall fajtor për dhënien e urdhrit për vrasje.

Enver Hadri, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra në veturën e tij ndërsa ishte ndalur në semaforin e kuq në Saint-Gilles më 25 shkurt 1990.

Gjyqtarët profesionistë dhe të 12 juristët nuk kanë dhënë asnjë rrethanë lehtësuese për tre të dënuarit, duke i dënuar të gjithë me burgim të përjetshëm, dënimin maksimal. Më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:00, Enver Hadri ishte në timonin e makinës së tij, ndaloi në semafor të kuq, kur pranë tij u ndal një automjet tjetër, shkruajnë mediat e Kosovës.

Dritarja e pasagjerit të këtij automjeti është ulur dhe është qëlluar, sipas disa dëshmitarëve. Enver Hadri, 49 vjeç, u godit nga një plumb në kokë dhe vdiq.

Hetimi, i cili zgjati disa vite, arriti në përfundimin se ishte një atentat politik, i urdhëruar nga shërbimet inteligjente të ish-Jugosllavisë, me ndihmën logjistike të botës së krimit të Beogradit. bw

Një dekadë nga sulmi terrorist ndaj Charlie Hebdo, Franca rikujton tragjedinë përmes homazheve

Një dekadë pasi persona të armatosur sulmuan zyrat e gazetës satirike Charlie Hebdo në një sulm vdekjeprurës, Franca ndaloi të martën për të nderuar viktimat dhe për të rinovuar vendosmërinë e tij për të luftuar për lirinë dhe demokracinë.

Sulmi tronditi Francën deri në palcë dhe ndezi një protestë globale në mbrojtje të lirisë së fjalës.

Presidenti Emmanuel Macron dhe kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo kryesuan homazhet solemne në vendin e sulmit, ku 12 persona, duke përfshirë disa nga karikaturistët më të dashur të Francës, u vranë më 7 janar 2015. Në mesin e të kujtuarve ishte Ahmed Merabet, një oficer policie i cili ishte u qëllua me armë në rrugë ndërsa mbronte godinën e gazetës.

Në një ceremoni prekëse, Macron qëndroi me gruan e tij, Brigitte, përkrah ish-presidentit François Hollande, i cili e kishte drejtuar Francën pas sulmeve.

Macron u bashkua me oficerët e policisë në vendosjen e kurora lulesh kundër murit të ish selisë së Charlie Hebdo në lagjen e 11-të dhe tubimi mbajti një minutë heshtje. Një trumpetë e vetmuar luajti, duke rezonuar nëpër një lagje të plagosur nga gjakderdhja e asaj dite dhe më vonë nga masakra e Bataclanit në nëntor të po atij viti.

Sulmet e zhytën Francën në një vit terrori të pashembullt, duke filluar me sulmin në Charlie Hebdo dhe duke kulmuar në sulmet e koordinuara të nëntorit, duke përfshirë tragjedinë Bataclan.

Masakra në Charlie Hebdo, e kryer nga dy vëllezër që pretendonin besnikëri ndaj al-Kaedës, sinjalizoi agimin e një kapitulli të ri të errët për Francën. Një valë dhune ekstremiste e detyroi vendin të rishqyrtojë masat e tij të sigurisë.

Sulmi ndaj Charlie Hebdo, i kryer si hakmarrje për karikaturat e pandershme të gazetës për Profetin Muhamed, ndezi debate të ashpra globale rreth kufijve të shprehjes së lirë. Në ditët që pasuan, miliona marshuan në solidaritet, duke tundur stilolapsa dhe tabela duke deklaruar Je Suis Charlie (Unë jam Charlie).

Por 10 vjet më pas, uniteti i atij momenti i ka lënë vendin ndarjeve më të thella. Charlie Hebdo tha se hulumtimi i saj tregon se ndërsa shumica e francezëve ende besojnë në të drejtën themelore për karikaturë, brezat e rinj kritikojnë gjithnjë e më shumë satirën që ata e shohin si përçarëse ose të pandjeshme, veçanërisht ndaj komuniteteve të margjinalizuara. bw

Sorensen dhe Haavisto, kandidatët e vetëm për pasardhës të Lajçakut për dialogun

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të duhet të vendosë këto ditë në mes të dy kandidatëve për pasardhësin e Miroslav Lajçakut në postin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë mëson se diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, janë të vetmit kandidatë të cilët janë paraqitur për këtë rol deri të premten e kaluar, kur edhe skadoi afati për dorëzimin e aplikimeve.

Ndërkohë, në BE nuk japin ndonjë hollësi për këtë dhe vetëm konfirmojnë se “procesi i zgjedhjes është në vazhdim e sipër”.

“Mandate i përfaqësuesit të lartë Miroslav Lajçak mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Zgjedhja e pasardhësit të tij është momentalisht në vazhdim e sipër dhe në do të japim njoftime të reja me kohë”, ka thënë Annita Hipper, zëdhënëse e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Nëse BE-ja dëshiron të sigurojë që të mos ketë vakum, atëherë procedura e caktimit të dërguarit të ri të posaçëm për dialogun, do të duhej të përmbyllej para fundit të këtij muaji, kur Lajçakut do t’i përfundojë mandati zyrtarisht.

Por, përveç vendimit të përfaqësueses së lartë Kallas për emërimin e pasardhësit të Lajçakut, duhet të pajtohen edhe vendet anëtare të BE-së. Grupet punuese në Këshillin e BE-së janë duke u marr me këtë çështje tani.

Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, që të dy kandidatët, do të konsideroheshin si një zgjedhje e duhur, por mes tyre ka disa dallime.

Këto burime thonë se, nëse Kallas do të vendose të ketë në atë postë një person me një peshë më të madhe politike, atëherë përparësi do të kishte ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto. Edhe në rastin kur Lajçak kur ishte zgjedhur në këtë postë para pesë vjetësh, si përparësi ishte përmendur fakti se ai kishte qenë ministër i Jashtëm i një vendi anëtar të bllokut.

Por, në anën tjetër, thonë këto burime, nëse Kallas dëshiron që vetë të merret më shumë më procesin e dialogut në aspektin politikë, atëherë Sorensen konsiderohet si kandidat më i përshtatshëm, sepse ka shumë vite që punon në strukturat e Shërbimit të Vlerësimi të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe mbi vete do të merrte më shumë ndërmjetësimin në çështjet teknike në dialog.

Burimet diplomatike nga vendet anëtare të BE-së vlerësojnë se Sorensen ka pak më shumë gjasa sesa Haavisto.

Kush janë Peter Sorensen dhe Pekka Haavisto?

Si Sorensen, ashtu edhe Haavisto kanë përvojë dhe njohuri rreth Ballkanit Perëndimor.

Peter Sorensen nga Danimarka, ka më shumë përvojë diplomatike në strukturat e Bashkimit Evropian sesa karrierë politike në vendin e tij.

Në Kosovë, Haavisto ka qenë nënkryetar i “Shtyllës IV” (Rindërtimi dhe Zhvillimi Ekonomik) të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 2002 deri në vitin 2006, si dhe këshilltar i lartë i përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 2001 deri më 2002.

Ai ka mbi 15 vjet përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë, ndërsa ka qenë edhe përfaqësues special i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në rajonin e Ballkanit ka punuar edhe në misionin e OSBE-së në Kroaci.

Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.

Ai aktualisht është këshilltar në EEAS për diplomaci digjitale.

Në anën tjetër, Pekka Haavisto ka qenë ministër i jashtëm i Finlandës. Në atë cilësi ai e kishte vizituar edhe Kosovën edhe Serbinë.

Haavisto ka mbështetur fuqishëm procesin e dialogut dhe ka kritikuar Serbinë për lobimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosovën e ka kritikuar kur kishte vendosur tarifa ndaj importit të mallrave nga Serbia vite më parë.

Si ministër i Jashtëm i Finlandës, Haavisto ka qenë mbështetës i madh i procesit të zgjerimit të BE-së dhe avancimit të raporteve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Haavisto, në kohën e pas luftës në Kosovë, ka punuar edhe në strukturat a Administratës së UNMIKU-ut, që janë marrë me pasojat ekologjike pas luftës. Ai ka garuar tri herë në zgjedhjet për president të Finlandës. Gjithmonë ka përfunduar në pozitën e dytë. Haavisto në karrierën e tij politike ka qenë edhe ministër i Mjedisit i Finlandës.

Roli i të dërguarit të posaçëm

Burimet diplomatike të BE-së thonë se pritet që pasardhësi i Lajçakut të jetë vetëm i dërguar i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe të mos ketë detyrime tjera lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Lajçak në titullin e tij ka edhe detyrat për “çështje tjera rajonale” përveç angazhimit si lehtësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë rol më herët është përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor.

Pahor gjatë verës vet e kishte konfirmuar se ishte i interesuar për këtë postë dhe e kishte edhe mbështetjen e Qeverisë së vendimit të tij. Por, ai njoftoi të premten se ai nuk do të garonte për të dërguar të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatikë sesa politikë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian për më shumë se 13 vjet.

BE-ja vazhdon të ngul këmbë se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani është detyrim për Kosovën dhe Serbinë, dhe se ky mbetet edhe kusht për avancimin e tyre në procesin e integrimeve evropian.

Burimet diplomatike në BE thonë se ky qëndrim i BE-së nuk do të ndryshojë as në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush do të jetë lehtësues në dialog. REL

Vdes lideri i së djathtës ekstreme në Francë, Jean-Marie Le Pen

Jean-Marie Le Pen, themeluesi i partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Fronti Kombëtar – i cili njihej për retorikën e ashpër kundër imigracionit dhe multikulturalizmit – ka vdekur të martën në moshën 96-vjeçare.

Le Pen, i cili ndodhej prej javësh nën kujdes shëndetësor, vdiq të martën “i rrethuar nga më të dashurit e vet”, tha familja e tij.

Le Pen, një mohues i Holokaustit dhe kundërshtar i zëshëm i imigracionit, racës dhe gjinisë, e themeloi partinë e ekstremit të djathtë në vitin 1972.

Në vitin 2002, ai shkoi në balotazh në zgjedhjet presidenciale ku humbi ndaj Jacques Chirac.

Vajza e tij, Marine Le Pen, e përjashtoi atë nga partia dhe ia ndryshoi emrin partisë së tij Fronti Kombëtar në Tubimi Kombëtar, duke e bërë atë njërën prej forcave më të fuqishme politike në vend teksa e distancoi veten nga imazhi ekstremist i babait të vet.

Jordan Bardella, presidenti i partisë Tubimit Kombëtar, siç njihet tani kjo parti, konfirmoi vdekjen e Jean-Marie Le Pen në një postim në platformën sociale X të martën.

Nderimet e ngrohta dhe pazakonta të Bardellas nënvizojnë të kaluarën polemike të Le Penit, duke përfshirë lidhjet e tij me Luftën e Algjerisë. Ai e përshkroi Le Penin si një “mbrojtës të popullit” që “gjithmonë i shërbeu Francës” dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjen, përfshirë të bijën, Marine Le Pen.

Me gjithë përjashtimin e tij nga partia në vitin 2015, trashëgimia përçarëse e Jean-Marie Le Pen vazhdon të ketë ndikim, duke shënuar dekada të historisë politike franceze dhe duke formësuar trajektoren e së djathtës ekstreme.

Jean-Marie Le Pen, i dënuar disa herë për antisemitizëm dhe i akuzuar rregullisht për ksenofobi dhe racizëm, mbrohej shpesh duke pretenduar se ishte thjesht një patriot që mbronte identitetin e “Francës së përjetshme”.

Kohët e fundit, Le Pen u përjashtua nga ndjekja penale për arsye shëndetësore në një gjyq të profilit të lartë që filloi në shtator, ku partia e tij dyshohej për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian. Autoritetet gjyqësore franceze e vendosën Le Penin nën kujdestari ligjore në shkurt, me kërkesë të familjes së tij, pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, raportuan mediat franceze.

Ai kishte qenë me shëndet të dobët për një kohë të gjatë.

Le Pen u dënua në vitin 1990 për një deklaratë të bërë në radio në vitin 1987, ku ai i quajti dhomat naziste të gazit “thjesht një detaj në historinë e Luftës së Dytë Botërore”. REL

Rusia thotë se ka pushtuar qytetin e rajonit Donetsk në Ukrainë, por Kievi mohon deklaratën e Moskës

Rusia pretendon se forcat e saj ushtarake kanë pushtuar qytetin e vijës së parë të Kurakhove në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore.

 

Bëhet fjalë për një qytet që ka përballuar he ka funksionuar si një mburojë ndaj përparimeve ruse gjatë muajve të fundit.

Por Ukraina nuk e ka pranuar rënien e Kurakhove, i cili ndodhte 35 km në jug të Pokrovsk, raporton BBC.

Ditët e fundit janë zhvilluar luftime të ashpra në rajonin Kursk të Rusisë , pasi Ukraina nisi një kundërsulm të dielën.

Një foto e gjeneruar nga mediat sociale, që i është dërguar Reuters tregon një ushtar që mban lart një flamur rus në Kurakhove. Por imazhi nuk është verifikuar nga BBC.

Viktor Trehubov, zëdhënës i grupit të forcave të Khortytsia të Ukrainës, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se, që nga mëngjesi i së hënës, forcat ukrainase janë duke u angazhuar me trupat ruse brenda Kurakhove.

Marrja e Kurakhove do t’i lejonte rusët të shkonin në veri për të sulmuar Pokrovsk nga një drejtim i ri, tha analisti Roman Pohorily.

Ministria ruse e mbrojtjes pohoi gjithashtu të hënën se fshati Dachenske, i cili ndodhet rreth 8 km në jug të Pokrovsk, ishte pushtuar nga forcat e saj. Panorama

Macroni: Për t’u respektuar nga Trumpi, Evropa duhet të ndalojë së qeni ‘e dobët dhe disfatiste’

Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Evropës të hënën që të mos jetë “e dobët dhe disfatiste” përballë një presidence tjetër të Donald Trump dhe të përshpejtojë zgjimin e saj strategjik.

Duke folur me ambasadorët francezë të mbledhur në Pallatin Elysée në Paris për të përshkruar prioritetet e tij të politikës së jashtme për vitin, Macron tha se frika se një presidencë e dytë e SHBA-së Trump do të ndikojë negativisht në Evropë është e tepruar.

“Ishin pikërisht të njëjtat pyetje tetë vjet më parë. Na thanë më e keqja: Presidenti Trump u zgjodh, Brexit ishte këtu, Evropa ishte një e keqe,” tha ai.

“Ne e kemi çuar Evropën tonë përpara gjatë shtatë viteve të fundit. Me vendosmëri. Dhe tani ajo është në gjendje të përballojë sfidat me të cilat përballet,” shtoi ai.

Franca dhe Evropa ishin në gjendje të punonin me administratën e parë Trump dhe vendimin e presidentit të zgjedhur për të bërë udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar në Paris muajin e kaluar , ku një “diskutim strategjik filloi” midis dy liderëve është provë se Kontinenti i Vjetër mbetet një partner kyç për Uashingtonin. , vazhdoi Macron.

Por ai paralajmëroi se “nëse vendosim të jemi të dobët dhe disfatës, ka pak shanse të respektohemi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Presidentit Trump”.

Ai i kërkoi Evropës “të ecë shumë më shpejt dhe shumë më e fortë” në përpjekjen e saj për t’u bërë më sovrane në fusha duke përfshirë mbrojtjen dhe tregtinë.

Në të parën, Macron përshëndeti vendimet e fundit të BE-së për të ngritur një kapacitet të shpejtë vendosjeje deri në 5,000 trupa dhe për të rritur kapacitetin industrial ndër të tjera, por ai tha se “një program masiv investimesh evropiane me një preferencë evropiane” tani është i nevojshëm.

“Pyetja është nëse evropianët duan të prodhojnë atë që u nevojitet për sigurinë e tyre gjatë 20 viteve të ardhshme, apo jo. Është një bast i sigurt që në 15 deri në 20 vjet, prioriteti amerikan do të jetë mbrojtja e tyre, dhe shumë më tepër. Pra, përreth dhe në Detin e Kinës sesa në Evropë, nëse varemi nga baza industriale dhe teknologjike e mbrojtjes amerikane, atëherë do të përballemi me dilema mizore dhe varësi të turpshme strategjike.

Për sa i përket ekonomisë dhe tregtisë, Macron deklaroi se Evropa “përballet me një rrezik real për të rënë në hap me SHBA-në dhe Kinën” dhe se edhe ajo duhet të heqë dorë nga rregullat e vendosura që tani po i respekton vetëm, me Uashingtonin dhe Pekinin shumë më proteksionistë. me industritë e tyre.

“Unë ende nuk e kuptoj, në një kohë kur rregullat e OBT-së nuk respektohen më as nga Kina dhe as nga Shtetet e Bashkuara, (pse) ne vazhdojmë ta bëjmë atë, por vetë. Nuk po funksionon. Pra, le të zgjohemi dhe të shikojmë në atë që po bëhet”, tha ai.

“Ne duhet të mbrojmë politikën tonë tregtare dhe të sigurojmë një nivel konkurrence që është i drejtë dhe i barabartë, dhe ne duhet të mbrojmë përmbajtjen evropiane.”

Ai tha se Bashkimi Evropian duhet të përdorë ende tregun e vetëm me potencialin e tij të plotë, duhet të nxisë investimet, duke përfshirë huamarrjen e përbashkët, dhe duhet të thjeshtojë rregullat e tij në mënyrë që të bëhet më e lehtë për të investuar dhe për të inovuar kompanitë vendase.

Blloku 27-vendesh ndonjëherë ka “tepërligjur”, tha Macron, dhe tani duhet të marrë një “pushim masiv rregullator” dhe “të rishqyrtojë rregulloret” që po pengojnë aftësinë tonë për të inovuar.

Udhëheqësi francez tha se do të mbledhë disa nga homologët e tij të BE-së në shkurt për të diskutuar çështjen me synimin për të paraqitur propozime në mars.

Se çfarë do të thotë një presidencë e dytë e Trump për luftën e vazhdueshme në Ukrainë, Macron theksoi se “nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë dhe të lehtë në Ukrainë”.

Ardhja e afërt e Trump në Zyrën Ovale – dhe pretendimi i tij i fushatës se ai mund të sillte paqe brenda disa ditësh pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë – ka ngjallur frikën se Kievit mund t’i bëhet presion për të bërë lëshime të dhimbshme territoriale.

Por sipas Macron, “vetë presidenti i ri amerikan e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë shans për të fituar asgjë nëse Ukraina humbet”.

Uashingtoni, vazhdoi ai, “duhet të na ndihmojë të ndryshojmë natyrën e situatës dhe të bindë Rusinë të vijë në tryezën e negociatave”.

“Ukrainasit duhet të zhvillojnë diskutime realiste mbi çështjet territoriale dhe vetëm ata mund t’i udhëheqin ato. Evropianët duhet të ndërtojnë garanci sigurie, që do të jetë përgjegjësia e tyre kryesore. Ky është një realitet gjeografik dhe gjeopolitik,” shtoi ai./ Euronews – Syri.Net

Pse Luksemburgu konsiderohet si vendi më i mirë për të jetuar?

Revista Travel publikoi një listë të vendeve europiane që ofrojnë cilësinë më të mirë të jetës, me theks të veçantë në balancën midis detyrimeve të biznesit dhe atyre private.

Në krye të listës është Luksemburgu, ndërsa Austria dhe Danimarka zunë vendin e dytë dhe të tretë.

Lista është krijuar në bazë të kritereve të tilla si kohëzgjatja e pushimeve, numri mesatar i orëve të punës, cilësia e gjumit, jetëgjatësia dhe kënaqësia e përgjithshme e jetës.

Luksemburgu është i pari falë standardit të lartë të jetesës dhe përfitimeve interesante për punëtorët. Sistemi që u siguron punonjësve të moshuar ditë shtesë pushimi vjetor është veçanërisht i rëndësishëm – punëtorët mbi moshën 55 vjeç gëzojnë mesatarisht 36 ditë pushimi me pagesë në vit.

Paga mesatare në vend është rreth pesë mijë euro, dhe më shumë se dy të tretat e banorëve posedojnë automjet, gjë që flet më tej për stabilitetin e tyre financiar. Edhe pse ka vetëm 600,000 banorë, Luksemburgu është bërë sinonim i cilësisë më të lartë të jetës në Europë.

Austria dhe Danimarka ndajnë karakteristika të përbashkëta që i bëjnë ato vende të dëshirueshme për të jetuar dhe punuar – minimumi 25 ditë pushim vjetor dhe kushte të rregulluara mirë të punës.

Nga ana tjetër, interesant është fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në fund të listës, në vendin e 87-të. Shkak për këtë është mungesa e pushimit vjetor të garantuar me ligj, gjë që shkakton pakënaqësi dhe stres te shumë punonjës.

Kjo listë është një kujtesë e rëndësisë së balancës punë-jetë, me Europën që vazhdon të udhëheqë rrugën në ofrimin e kushteve që mundësojnë një jetë të gjatë dhe cilësore. sn

Kush e ekzekutoi vëllain e Presidentit të Italisë? U eliminua me urdhër të mafies, pikë kthese në hetimet për Piersanti Mattarellan! Identifikohen dy vrasësit 45 vite pas krimit

Identifikohen dy vrasësit 45 vite pas krimit

Prokuroria e Palermos ka regjistruar procedimin ndaj të dyshuarve, të lidhur me mafian, që dyshohet se janë vrasësit e Piersanti Mattarella, në atë kohë presidenti i Rajonit të Siçilisë, i cili u ekzekutua më 6 janar 1980 në Palermo.

 

Sipas La Repubblica, kjo do të kishte një pikë kthese në hetimet e rihapura për vrasjen e vëllait të kreut aktual të shtetit italian, Sergio Mattarella.

Për vrasjen e Mattarellës u dënuan vetëm nxitësit, anëtarët e Cosa Nostra Cupola. E veja e Mattarellës identifikoi Valerio Fioravantin, kreun e Nar, në fotot e publikuara pas arrestimit si një person shumë të ngjashëm me vrasësin e bashkëshortit (krimi që ndodhi në sy të saj).

Piersanti Mattarella

Valerio Fioravanti dhe Gilberto Cavallini më vonë u shpallën të pafajshëm. Kur kanë kaluar 45 vite nga vrasja, Prokuroria e Palermos ka mbledhur të dhëna dhe prova të reja që forcojnë dyshimet kundër të dyshuarve të rinj.

Bëhet fjalë për persona të lidhur me mafien që qëndron pa vrasësjes së vëllatit të Presidentit aktual të Italisë, Sergio Mattarella .

Zelensky: Zgjedhjet në Ukrainë mund të mbahen këtë vit, nëse hiqet gjendja e luftës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale mund të mbahen këtë vit, nëse bisedimet i japin fund “fazës së nxehtë” të luftës me Rusinë, duke e mundësuar heqjen e gjendjes së luftës.

Duke folur në një intervistë të transmetuar në televizionin ukrainas më 2 janar, Zelensky tha se mbajtja e zgjedhjeve të shtyra për kohë të gjatë do të varet nga pozita në të cilën do ta gjejë veten Ukraina pas ndonjë marrëveshjeje për përfundimin e luftës për zmbrapsjen e trupave pushtuese ruse.

“Sa i përket vitit 2025, nëse ia dalim t’i japim fund fazës së nxehtë të luftës për Ukrainën; nëse e arrijmë këtë së bashku me një ushtri të fuqishme, me një paketë të madhe armatimi dhe me garanci të forta për sigurinë, atëherë ato [zgjedhjet] do të mbahen”, tha Zelensky.

“Pas kësaj, në parim, ne mund ta mendojmë shfuqizimin e gjendjes së luftës në Ukrainë. Sapo kjo të ndodhë, topi do të jetë në fushën e Parlamentit, i cili mund ta caktojë pastaj një datë për zgjedhje. Mendoj se nuk ka nevojë të presim me vite [për zgjedhje] kur të hiqet gjendja e luftës”, shtoi ai.

Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt përfundoi më 20 maj 2024.

Zelensky, 46-vjeçar, nuk tregoi nëse do të kërkojë ndonjë mandat tjetër si lider i vendit.

“Nëse bëj më shumë se çfarë mundem, atëherë mbase do ta marrë ketë vendim më me pozitivitet. Sot, ky nuk është synimi im”, theksoi ai.

Zgjedhjet presidenciale duhej të mbaheshin në mars apo prill 2024, por ato u shtynë për shkak se vendi është ende në gjendje lufte.

Sipas Kushtetutës së Ukrainës, Zelensky duhet patjetër të vazhdojë t’i kryejë detyrat e presidentit derisa të zgjidhet lideri i ri i shtetit.

Zgjedhjet parlamentare duhej të mbaheshin më 29 tetor 2023, por edhe ato u shtynë për shkak të zbatimit të gjendjes së luftës.

Ukraina është në gjendje lufte prej se Rusia e nisi pushtimin e saj në shkurt të vitit 2022. Zbatimi i saj është zgjatur për periudha prej 90 ditësh plot 13 herë nga Parlamenti.

Ligjvënësit duhet ta ndryshojnë ligjin për ta mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës.

Shumë analistë dhe politikanë kanë ngritur shqetësime mbi sigurinë, zhvendosjen e votuesve dhe infrastrukturën si pengesa kryesore për mbajtjen e zgjedhjeve legjitime në Ukrainë në rrethanat e tanishme.

Derisa Rusia e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Zelenskyt për shkak të shtyrjes së zgjedhjeve, Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim për statusin e tij si lider i Ukrainës, ndërsa Kombet e Bashkuara e kanë mbështetur duke thënë se Zelensky “mbetet… personi me të cilin sekretari i Përgjithshëm komunikon kur ka nevojë të kontaktojë udhëheqësin ukrainas”. REL

Skandali- Doris Pack revoltohet me Von Der Leyen: Ku e ke Kosovën në hartë?!

Shefja e Komisionit Evropioan, Ursula von Der Leyen, ka publikuar dje një video në profilin e saj zyrtar në “X”, ku paraqitet harta e Evropës dhe dy vendet e reja që janë shtuar në Zonën Schengen, Bullgaria dhe Rumania, shkruan Gazeta Express.

Ajo që bie në sy në këtë hartë është fakti se Kosova nuk figuron si shtet dhe paraqitet si pjesë e Serbisë.

Kjo ka nxitur reagime të shumta në postimin e shefes së Komisionit Evropian.

S’ka qëndruar pa reaguar as politikania gjermane, Doris Pack, e cila e ka pyetur bashkëkombasen e saj për Kosovën.

“Ku është shteti i Kosovës”, ka komentuar Pack në postimin e Von Der Leyen.

Von Der Leyen postimin e ka bërë dje në orën dy pasdite dhe videoja ka marrë rreth 2 milionë shikime./GazetaExpress/

Zelensky: Dhënia fund e transitit të gazit rus është humbje për Moskën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 1 janar se dhënia e fund e furnizimeve me gaz rus në Evropë, përmes një gazsjellësi që kalon në tokën ukrainase, përbën humbje për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Kur Putin është bërë president i Rusisë më shumë se 25 vjet më parë, sasia e gazit natyror që ka kaluar përmes Ukrainës në Evropë, ka qenë më shumë se 130 miliardë metra kub në vit. Tani është zero”, ka thënë Zelensky në X – platormë e njohur më parë si Twitter.

“Kjo është një prej humbjeve më të mëdha të Moskës. Si rezultat i shfrytëzimit të energjisë si armë, nga ana e Rusisë, dhe shantazhimit të partnerëve, Moska e ka humbur një prej tregjeve më profitabile dhe të qasshme gjeografikisht”, ka thënë ai.

Komentet e Zelenskyt kanë ardhur pasi gjiganti shtetëror rus, Gazprom, ka thënë se i ka pezulluar furnizimet me gaz në Evropë përmes gazsjellësit që kalon nëpër Ukrianë, pasi Kievi ka refuzuar të vazhdojë kontratën e nënshkruar para se Moska të niste luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Kjo do të thotë se Ukraina do të humbë 800 milionë dollarë në vit që i siguronte nga tarifat e transitit.

Gazpromi, në anën tjetër, do të humbë gati 5 miliardë dollarë, në mungesë të shitjes së gazit.

Zelensky ka thënë se shumica e shteteve evropiane u janë përshtatur ndryshimeve, por ka përmendur që Ukraina dhe aleatët duhet ta mbështesin Moldavinë në periudhën e transformimit energjetik.

Moldavia është ende pjesërisht e varur prej gazit rus.

Zelensky ka thënë se Ukraina shpreson në rritjen e furnizimeve me gaz amerikan në Evropë, dhe që presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, veçse e ka përmendur këtë mundësi.

“Sa më shumë gaz i qasshëm në tregje për partnerët e vërtetë të Evropës, aq më shpejt do të eliminohet varësia ndaj Rusisë”, ka thënë ai.

Ky vendim i Gazpromit, i bërë publik më 1 janar përmes një postimi në Telegram, nuk pritet të shkaktojë probleme të mëdha te konsumatorët evropianë, për shkak të përpjekjeve të tyre afatgjata që t’i shmangen varësisë nga gazi rus.

Sllovakia, Hungaria, Austria, dhe disa vende të Ballkanit kanë vazhduar të blejnë gazin rus përmes Ukrainës – ndonëse të sasi të zvogëluara – edhe pas nisjes së luftës.

Shumë vende evropiane u janë kthyer burimeve alternative, duke përfshirë blerjen e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Norvegjia.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Polonia synon avancimin e procesit të zgjerimit gjatë kryesimit të BE-së

Polonia për herë të dytë, prej kur është bërë anëtare e Bashkimit Evropian, ka marrë përsipër Presidencën e BE-së, duke filluar nga dita e parë e vitit 2025. Ky vend merr kryesimin e radhës nga Hungaria, ndërsa pas gjashtë muajsh do t’ia dorëzojë këtë Danimarkës, e cila do të kryesojë bllokun evropian në gjysmën e dytë të vitit.

Krahas prioriteteve tjera, sikurse siguria e bllokut evropian, ruajtja e kufijve të BE-së, energjia dhe emigracioni, për Poloninë do të jetë prioritet edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian. Këtë e kanë thënë shumë zyrtarë të lartë të Polonisë nëpër takime në të cilat i kanë shpalosur prioritetet e kryesimit të tyre gjashtëmujor.

Edhe Hungaria, e cila përmbylli kryesimin e saj në fund të vitit 2024, konsideron se ka arritur një sukses të konsiderueshëm në procesin e zgjerimit, gjë që e kanë pranuar edhe disa diplomatë të Bashkimit Evropian.

Në fund të Presidencës së saj, Hungaria arriti të ndërmjetësojë në Këshillin Evropian një pajtueshmëri për hapjen e disa kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve në negociatat e Malit të Zi për anëtarësim në BE.

Kjo u konsiderua si sukses dhe dëshmi se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë më dinamike dhe se, nëse vendet kandidate do të shënojnë progres në përmbushjen e kritereve, do të ketë avancim konkret në këtë proces.

Përkundër përpjekjeve, Hungaria nuk arriti të sigurojë hapjen e një grup kapitulli në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE, sepse me këtë nuk u pajtuan disa vende anëtare. Në procesin e zgjerimit vendimet për të hapur apo mbyllur kapituj miratohen vetëm me konsensusin e të gjitha 27 vendeve anëtare.

Në këtë proces të diskutimeve vendi që ka kryesimin e radhës e luan rolin e një ndërmjetësi të sinqertë dhe të paanshëm.

Tash pritet që Polonia të vazhdojë aty ku kanë mbetur disa dosje nga Hungaria, përfshirë edhe hapjen e kapitujve me Serbinë. Këtë e kishte premtuar edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk gjatë një vizite në Beograd në vjeshtën e vitit të shkuar.

Se zgjerimi do të jetë prioritet i BE-së gjatë kryesimit të Polonisë është shkruar edhe në programin e Qeverisë polake për kryesimin e saj gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Polonia beson se paralelisht me hapat konkretë me vendet kandidate, në formën e hapjes apo mbylljes së kapitujve, gjatë këtyre muajve do të ketë avancim edhe në reformat e brendshme të BE-së për t’u bërë gati për të pranuar vende të reja anëtare.

“Zgjerimi është instrumenti më i mirë i mundshëm për Bashkimin Evropian për të forcuar dhe promovuar paqen, demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin në Evropë. Vendet e reja anëtare forcojnë potencialin konkurrues dhe të rritjes në tregun unik, krijojnë mundësi të reja ekonomike për qytetarët dhe bizneset. Zgjerimi është, po ashtu, edhe kanali më efikas për promovimin e vlerave evropiane, me në krye demokracinë dhe sundimin e ligjit, dhe forcimin e stabilitetit në fqinjësinë tonë”, thuhet në programin e Presidencës polake të BE-së.

“Qëllimi i Presidencës polake është të bëjmë progres në procesin e zgjerimit, edhe në drejtim të lindjes edhe me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me angazhimin e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE, dhe në bazë të parimit të meritave individuale. Duhet të konsolidojmë procesin e reformave në vendet kandidate, të ruajmë besueshmërinë në Bashkimin Evropian dhe të forcojmë sigurinë e Evropës”, thuhet në këtë dokument që është bazë për veprimin e Presidencës polake në krye të BE-së.

Polonia është një ndër vendet më aktive të BE-së në thirrjet për sanksione ndaj Rusisë dhe për ndihmë ndaj Ukrainës. Ky vend promovon edhe avancimin e Ukrainës në procesin e integrimit në BE, sikurse edhe të Moldavisë. Këto dy shtete, krahas Gjeorgjisë, u janë bashkuar vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në procesin e zgjerimit në BE. Nga të gjitha dhjetë vendet e përfshira në proces, vetëm Kosova nuk ka status kandidati. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, kur kryesimin e BE-së e kishte Çekia.

Por, aplikimi i Kosovës nuk është shqyrtuar akoma nga Këshilli i BE-së. Diplomatët evropianë në Bruksel thonë se nuk mund të parashihet nëse në rastin e Kosovës do të ketë lëvizje nga ana e BE-së gjatë Presidencës së Polonisë, sepse kjo do të varet edhe nga procesi i dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. Në anën tjetër, gjithnjë e më shumë po flitet për suspendimin e procesit të zgjerimit me Gjeorgjinë, pasi Qeveria e këtij vendi ka ndërmarrë disa hapa dhe ka miratuar ligje që shkojnë në kundërshtim me parimet e BE-së.

Krahas avancimit të vendeve nga procesi i zgjerimit pritet që pikërisht gjatë Presidencës polake të nisin edhe diskutimet politike për reformat e Bashkimit Evropian që janë të nevojshme për zgjerim.

“Presidenca do të vazhdojë punën në procesin e reformave të brendshme të BE-së për të realizuar prioritetet afatgjate, për të siguruar funksionimin e duhur të politikave të BE-së dhe për të siguruar kapacitetet e nevojshme për veprim në realitetin e ri gjeopolitik dhe duke pasur parasysh zgjerimin në të ardhmen. Ne do të fokusohemi në nevojat për t’u bërë gati për anëtarë të rinj duke përmbushur edhe ambiciet e përmendura në agjendën strategjike”, thuhet në programin e Polonisë për kryesimin me BE-në.

Presidenca polake pret që edhe Komisioni Evropian të dalë me një analizë të hollësishme të para-anëtarësimit, dhe që për këtë të ketë edhe debat në Këshillin Evropian. Shumë liderë të BE-së kanë thënë se procesi i zgjerimit duhet të shkojë paralelisht edhe me procesin e reformave të brendshme të unionit, pasi me strukturën e tashme ligjore BE-ja do ta kishte të vështirë të funksionojë me më shumë se 30 vende anëtare në të ardhmen. Por, pos debateve joformale deri tash nuk ka pasur nisma zyrtare në këtë drejtim.

Mundësia që në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar të Komisionit të ri Evropian të ketë zgjerim, ka bërë që tash të nisin edhe diskutimet në BE për t’u bërë gati për arritjen e këtij qëllimi.

Zgjerimi i fundit i BE-së kishte ndodhur në vitin 2013 me anëtarësimin e Kroacisë. Kroacia pati nënshkruar Traktatin e anëtarësimit në BE në pjesën e dytë të vitit 2011, pikërisht kur kryesimin e radhës e kishte Polonia. Edhe atëherë kryeministër i Polonisë ishte Donald Tusk, i cili përsëri është kthyer në atë post. Ndërkohë pas anëtarësimit të Kroacisë në BE nga blloku është larguar Britania e Madhe, duke e kthyer numrin e vendeve anëtare në 27 sa ka sot. REL

Mbi 10.000 emigrantë u mbytën këtë vit në tentim për të shkuar në Spanjë

Emigrantë në një varkë druri duke lundruar për në portin La Restinga në Ishujt Kanari, Spanjë, 9 gusht 2024.

 

Më shumë se 10.000 emigrantë humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në Spanjë përmes detit, sipas një raporti të publikuar të enjten nga një grup spanjoll për të drejtat e imigrantëve.

Kjo shifër nënkupton se 30 imigrantë kanë vdekur mesatarisht çdo ditë në vitin 2024 në tentim për të shkuar në Spanjë përmes anijeve, tha grupi Caminando Fronteras.

Numri i të vdekurve u rrit për 58 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, thuhet në raport.

Dhjetëra mijëra imigrantë u larguan nga Afrika Perëndimore më 2024 në drejtim të Ishujve Kanarie të Spanjës, të cilët ndodhen në afërsi të bregdetit afrikan, që është përdorur bujshëm si pikënisje drejt kontinentit të Evropës.

Caminando Fronteras tha se shumica e 10.457 vdekjeve të regjistruara deri më 15 dhjetor ndodhën përgjatë të ashtuquajturës rruga atlantike, e cila cilësohet si njëra prej më të rrezikshmeve në botë.

Kjo organizatë i mbledh shifrat nga familjet e imigrantëve dhe nga të dhënat zyrtare të atyre që shpëtohen.

Në mesin e të vdekurve ishin 1.538 fëmijë dhe 421 gra. Prilli dhe maji ishin muajt më vdekjeprurës, sipas raportit.

Caminando Fronteras gjithashtu theksoi një “rritje të madhe” më 2024 të imigrantëve që nisen nga Mauritania, e cila është bërë pikënisja kryesore në rrugën drejt Ishujve Kanari.

Në shkurt, Spanja ia dha Mauritanisë 210 milionë euro për ta ndihmuar t’i luftojë trafikantët me imigrantë dhe të mos i lejojë anijet me imigrantë të nisen drejt ishujve të saj.

Ministria e Brendshme e Spanjës thotë se më shumë se 57.700 imigrantë mbërritën në Spanjë përmes anijes deri më 15 dhjetor këtë vit, që është një rritje prej rreth 12 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Shumica e tyre erdhën përmes rrugës atlantike. REL

Rusia sulmon Ukrainë për Krishtlindje, Zelensky: Plan i mirëpërgatitur! Zgjedhje e ndërgjegjshme e Putinit

Ukrainasit u përballën me sulme të reja me dronë dhe raketa ruse në infrastrukturën energjetike në mbarë vendin në orët e para të mëngjesit të Krishtlindjes.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shkroi në Telegram se ky ka qenë një plan i mirëmenduar që të ndodhte pikërisht në këtë ditë.

“Çdo sulm masiv rus kërkon kohë për t’u përgatitur. Nuk është kurrë një vendim spontan. Është një zgjedhje e ndërgjegjshme jo vetëm e objektivave, por edhe e kohës dhe datës. Presidenti rus Vladimir Putin qëllimisht zgjodhi Krishtlindjet për një sulm. Çfarë mund të ishte më çnjerëzore? Më shumë se 70 raketa, duke përfshirë ato balistike, dhe më shumë se njëqind drone sulmuese. Objektivat janë sektori ynë energjetik”, shkruan ai.

Zelensky u shpreh se forcat mbrojtëse kanë arritur të rrëzojë më shumë se 50 prej raketave të nisura nga Rusia, ndërsa janë goditur dhe një pjesë e madhe e dronëve.

“Sipas të dhënave paraprake, mbrojtësit tanë arritën të rrëzonin më shumë se 50 raketa dhe një pjesë të konsiderueshme të dronëve. Për fat të keq, ka goditje. Deri tani, ka ndërprerje në disa rajone. Punëtorët e energjisë po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji elektrike sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ai.

Ky është viti i dytë në të cilin Ukraina do të festojë zyrtarisht Krishtlindjet më 25 dhjetor. Më parë, shumë ukrainas festonin Krishtlindjet në janar sipas kalendarit ortodoks, siç bëjnë ende pasuesit ortodoksë rusë.

“Për herë të dytë, ne festojmë Krishtlindjet në të njëjtën datë me një familje të madhe, një vend. Për herë të dytë në historinë moderne, Krishtlindjet bashkojnë të gjithë ukrainasit. Sot qëndrojmë krah për krah dhe nuk do të humbasim. Personalisht, nga larg, ose në zemrat tona, ukrainasit janë bashkë sot. Dhe për sa kohë që ne e bëjmë këtë, e keqja nuk ka asnjë shans”, shkroi Zelenskyy në Telegram të martën. bw

U shkrumbua nga zjarri i 2019- “Notre-Dame de Paris” pret meshën e parë të Krishtlindjeve

Për herë të parë që nga zjarri i vitit 2019, katedralja ”Notre-Dame de Paris” po feston sot sërish Krishtlindjet, me ceremonitë tradicionale të Lindjes së Krishtit, të cilat pritet të tërheqin mijëra besimtarë.

“Tani jemi kthyer në Notre-Dame, e cila sapo na është rikthyer për ta adhuruar dhe vizitorët po festojnë!”, tha kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich në një mesazh për Krishtlindje.

Ai nderoi talentet e restaurimit që lejuan që ”dhimbja e zjarrit dhe pesë vitet e ndarjes të fshiheshin për të lënë vetëm gëzimin e ribashkimit, gëzimin e të jetuarit përsëri së bashku këtë shtëpi të përbashkët, shtëpinë e Zotit”.

Katedralja u shkatërrua nga flakët më 15 prill 2019 dhe, që atëherë, nuk i kishte pritur më këto masa të Lindjes së Krishtit që festonin, për të krishterët, lindjen e Jezusit.

Kryepeshkopi i Parisit do të kryesojë sot meshën në orën 11:00.

Qasja në katedrale mbetet subjekt i një kufiri të rreptë prej 2 700 personash, ndërsa entuziazmi mbetet i fortë për hyrjen në këtë ndërtesë, të zmadhuar nga Victor Hugo dhe të festuar në filma, romane dhe muzikalë të ndryshëm.

Pas pesë vitesh punë kolosale, në një projekt që kushton afro 700 milionë euro, ”Notre-Dame de Paris” u rihap në fillim të dhjetorit, me një ceremoni në prani të disa personaliteteve, përfshirë presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

”Ky moment Krishtlindjesh është një moment për të shprehur dashurinë dhe bujarinë, por edhe shpresën që Zoti të mos na braktisë”, nënvizoi Laurent Ulrich në një intervistë radiofonike.

“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë dhe kompleksitetin në të cilin jetojmë”, shtoi ai.

Për katolikët, këto Krishtlindje shënojnë edhe fillimin e Jubileut, Viti i Shenjtë 2025 i Kishës Katolike, i cili u prezantua dje në mbrëmje nga papa Françesku. bw

Ministri gjerman i Mbrojtjes ngre alarmin: “Të përgatitemi për t’iu kundërvënë çdo sulmi hibrid nga Rusia”

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka thënë të dielën se Gjermania duhet të jetë e përgatitur për t’iu kundërvënë çdo sulmi hibrid nga Rusia, që përfshin fushata të mediave sociale të dizajnuara për të ndihmuar partitë e ekstremit të djathtë dhe populiste.

“Putini po angazhohet në sulme hibride dhe Gjermania është veçanërisht në fokus”, ka thënë Pistorius për gazetat Funke Mediengruppe në komentet e publikuara të dielën, shkruajnë mediat e huaja.

“Ai na njeh mirë,…”, shtoi ministri i mbrojtjes, një socialdemokrat.

“Injorimi i këtij kërcënimi,… nuk do ta bëjë atë më të vogël, por më të madh”.

Ai theksoi se sulmet kanë të bëjnë me infrastrukturën e Gjermanisë, furnizimin me energji, aktivitetet në Detet e Veriut dhe Baltik, si dhe shkeljet e hapësirës ajrore.

Një pjesë e strategjisë së Putinit është të shqetësojë dhe përçajë shoqërinë tonë, paralajmëruar Pistorius.

Ndërsa kur u pyet nëse Gjermania është aty ku duhet të jetë ushtarakisht, Pistorius tha: “Ne jemi në një rrugë të mirë”.

Siç kujtojnë mediat, vetëm këtë vit janë nisur 97 projekte të mëdha me vlerë 58 miliardë euro (60.5 miliardë dollarë), duke tejkaluar rekordin e vitit të kaluar.

Por ai mendon se ka vend për përmirësim.

“Ne kemi transferuar shumë materiale në Ukrainë. Përveç kësaj, industria ka nevojë për kohë për të rritur kapacitetet e prodhimit për të prodhuar armë dhe municione”. bw

Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lindor të NATO-s

VOA Myroslava Gongadze

Shtetet e Bashkuara hapën zyrtarisht muajin e kaluar një bazë të përhershme ushtarake në Poloni, pjesë e sistemit të mbrojtjes nga raketat të NATO-s, mes tensioneve në rritje me Rusinë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadge, Ministri polak i mbrojtjes thotë se baza është gjithashtu një dëshmi e bashkëpunimit polako-amerikan.

Një bazë e re ushtarake e SHBA-së në Poloninë veriore po bëhet një pjesë kyçe e sistemit të NATO-s për mbrojtjen nga raketat, i njohur si Aegis Ashore. E vendosur në Redzikowo pranë Detit Baltik dhe pranë rajonit të Kaliningradit të Rusisë, baza është e pajisur me tre paisje, secila e aftë të mbajë tetë raketa interceptuese.

Ajo është krijuar për të mbrojtur aleancën e NATO-s dhe Evropën nga kërcënimet e mundshme me raketa balistike.

Kapiteni Michael Dwan, komandant i Task Forcës SIX FOUR të Marinës së SHBA, që fokusohet tek misionet e mbrojtjes nga raketat, shpjegon se raketahedhësit funksionojnë në mënyrë autonome, pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale.

“Pasi diktohet një kërcënim, sistemi ynë e automatizon reagimin duke zgjedhur një nga raketat e disponueshme në cilindo nga tre raketahedhësit tanë për të përballuar atë kërcënim.”

Baza, së bashku me një objekt të ngjashëm në Rumani, destrojerët e marinës amerikane të stacionuar në portin spanjoll Rota dhe një radar i paralajmërimit të hershëm në Turqi, përbën një pjesë jetike të mbrojtjes nga raketat të NATO-s Aegis Ashore në Evropë, projektuar për t’u bërë ballë kërcënimeve të raketave balistike me rreze të mesme veprimi.

Sistemi e demonstroi kohët e fundit efektivitetin e tij në mbrojtjen e Izraelit, thotë komandanti i Aegis Ashore në Poloni, Matthew Plant.

“Sistemi Aegis dhe misioni i mbrojtjes nga raketat balistike u testuan në Detin Mesdhe në mbrojtje të Izraelit. Pra, ato sisteme e kaluan provën. Ishte një goditje iraniane kundër Izraelit”, thotë ai.

Në një qendër komandimi dhe kontrolli, personeli ushtarak amerikan monitoron gjatë gjithë kohës për çdo kërcënim të mundshëm. Misioni i tyre është të diktojnë dhe t’u përgjigjen sulmeve me raketa, duke përdorur të dhënat e radarit për të orientuar interceptorët për neutralizimin e raketave.

Zyrtarët theksojnë se baza është vetëm për mbrojtje.

“Nuk ka asnjë eksploziv apo mbushje për goditje në asnjë prej raketave tona këtu”, thotë Kapiteni Michael Dwan.

Kremlini reagoi ndaj hapjes së bazës amerikane në Redzikowo, duke thënë se Rusia do të merrte “masat e duhura për të siguruar të njëjtin nivel gatishmërie”.

Për Poloninë, një anëtar kyç i NATO-s në kufi me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, baza është një pjesë jetike e strategjisë së saj të mbrojtjes. Ministri polak i Mbrojtjes Wladysław Kosiniak-Kamysz e quan bazën një moment historik për parandalimin dhe mbrojtjen.

“Baza e Redzikowos nuk mund të evakuohet brenda disa orësh. Kjo mbron Evropën, por edhe SHBA-në dhe Kanadanë, të gjithë aleatët e NATO-s. Është një nga projektet kyçe dhe kundërshtimi i fortë i Rusisë, tregon se sa projekt i rëndësishëm është.”

Baza menaxhohet nën Komandën Ajrore të Aleatëve të NATO-s në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, e cila mbikëqyr komandën dhe kontrollin e sistemeve të mbrojtjes së bllokut nga raketat balistike.

Reagime në Gjermani pasi Elon Musku shpreh mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë AfD

VOA Henry Ridgwell

Elon Musk, aleati miliarder i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, shprehu vlerësimin për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë. Komentet e tij vijnë para zgjedhjeve në vendin evropian në fillim të vitit të ardhshëm. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, partia gjermane AfD dëshiron t’i japë fund mbështetjes perëndimore për Ukrainën në luftën e saj kundër agresorit rus.

Sondazhet në Gjermani tregojnë se partia Alternativa për Gjermaninë radhitet në vend të dytë në prag të zgjedhjeve të 23 shkurtit. Kjo forcë politike dëshiron të dalë nga Bashkimi Evropian dhe t’i japë fund mbështetjes për Ukrainën.

Hetuesit federalë e kanë etiketuar atë si një organizatë të dyshuar të së djathtës ekstreme, çka hidhet poshtë nga AfD-ja.

Të premten, miliarderi amerikan Elon Musk dhe aleat i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, shkroi në rrjetin X se: “vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”. Udhëheqësja e AfD-së, Alice Weidel, reagoi.

“I dashur Elon. Faleminderit shumë për komentin tuaj. Alternativa për Gjermaninë, AfD, është me të vërtetë alternativa e vetme për vendin tonë – alternativa jonë e fundit, nëse më pyet mua”.

Komentet e zotit Musk vijnë disa ditë pasi ai u takua me ligjvënësin britanik, Nigel Farage, për të diskutuar mbështetjen financiare për partinë populiste të politikanit anglez.

Disa ligjvënës gjermanë e kritikuan shprehjen e mbështetjes së miliarderit amerikan për AfD-në. Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha të premten se shprehja e opinioneve është pjesë e demokracisë.

“Liria e fjalës vlen edhe për multi-miliarderët. Liria e fjalës të mundëson gjithashtu që të thuash gjëra që nuk janë të drejta dhe që nuk përmbajnë këshilla të mira politike”, tha zoti Scholz.

Partitë kryesore gjermane e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me AfD-në. Por partia e ekstremit të djathtë e ka ndryshuar debatin për Ukrainën, thotë analist Mattia Nelles.

“Në kuptimin që partitë kryesore janë më pak të gatshme ose në gjendje që të flasin në favor të më shumë ndihmave për Ukrainën, duke qenë se AfD po bën fushatë kundër”.

Gjermania i ka dhënë Ukrainës armatime që kapin vlerën e rreth 11 miliardë dollarëve që nga fillimi i agresionit rus në vitin 2022. Trysnia ekonomike ka bërë që shpenzimet qeveritare të jenë një pikë e rëndësishme e fushatave elektorale.

Partia Social Demokrate e Kancelarit Scholz kërkon të rrisë tavanin e borxheve qeveritare, pjesërisht për të financuar ndihmat për Ukrainën.

Kristian Demokratët nën udhëheqjen e zotit Friedrich Merz, të cilët kryesojnë anketat, janë kundër huamarrjes së qeverisë.

“Nuk do ta përqendroj politikën ekonomike të vendit tonë tek borxhi i ri, taksat e larta dhe më shumë rishpërndarje”.

Në Evropë ekziston frika se Presidenti i zgjedhur Trump do t’i japë fund mbështetjes amerikane për Kievin.

“Duke patur parasysh rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të duhet një udhëheqje dhe financa më të fuqishme nga Gjermania. Pa marrë borxhe, druhem se kjo nuk do të jetë e mundur”.

Zoti Trump ka kërkuar vazhdimisht që aleatët e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. Ndërsa buxheti i qeverisë ndodhet nën trysni, analistët thonë se udhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë do të përballet me sfida të vështira si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

‘Ju garantoj 100 përqind se hakmarrja ndaj Gjermanisë do të vijë së shpejti’

Nga Laura Meinfelder, BILD

Këto fjali shqetësuese, shoferi i vdekjes së Magdeburgut, Taleb A., i shpërndau në internet. Ai kërcënoi hapur me dhunë. Shumë herë. A e shpalli atentatori aktin e tij të tmerrshëm? A duhej ta dinin ata që e rrethonin dhe autoritetet se çfarë po bënte?

Mjeku që vrau katër persona dhe plagosi shumë të tjerë me një BMË të premten në mbrëmje, ndau qindra postime të çuditshme në llogarinë e tij në X.

Ai pretendoi se kishte një komplot nga autoritetet gjermane kundër refugjatëve sauditë. Flitet edhe për operacione sekrete. Kryesisht ka të bëjë me urrejtjen kundër Islamit. Dhe hakmarrje për faktin se Gjermania, siç pretendonte ai, donte të islamizonte Evropën.

Më 13 gusht, ai postoi në arabisht: “Ju siguroj: Nëse Gjermania dëshiron luftë, do ta ketë atë. Nëse Gjermania dëshiron të na vrasë, ne do t’i therim ata, do të vdesim ose do të shkojmë me krenari në burg”.

Aty vazhdon: “Për shkak se i kemi shteruar të gjitha mjetet paqësore, kemi hasur vetëm në krime të tjera nga policia, sigurimi i shtetit, prokuroria publike, gjyqësori dhe Ministria e Brendshme. Paqja nuk u sjell dobi atyre”.

Në maj, ai postoi se priste të vdiste këtë vit. Më tej ai pretendon se autoritetet gjermane janë të korruptuara. “Do të kërkoj drejtësi me çdo kusht”, shkroi ai.

Në postimet e mëtejshme ai foli për hakmarrje.

“Ju siguroj, 100 për qind, hakmarrja do të vijë së shpejti. Edhe nëse më kushton jetën”.

“Gjermania do të duhet të paguajë çmimin. Një çmim i madh.” Postimi është fshirë që atëherë.

Një burim i brendshëm nga Arabia Saudite pretendon, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, se mbretëria paralajmëroi autoritetet gjermane për sulmuesin dhe pikëpamjet e tij ekstremiste.

Taleb A. është shfaqur vazhdimisht në media vitet e fundit. Sipas deklaratave të tij, ai u përpoq të ndihmonte gratë në Arabinë Saudite të arratiseshin. Në një intervistë me FAZ në vitin 2019, ai tha se e urrente Islamin dhe kishte humbur miqtë dhe familjen për shkak të tij.

“Kur isha jashtë me të njohur të largët ose me të huaj, gjithmonë shkoja në lutje dhe pretendoja se isha ende mysliman,” tha Taleb A. për FAZ.

Por pasi kërkesa e tij për azil u miratua në vitin 2016, ai e bëri publike heqjen dorë. Taleb A.: “Familja ime më urren sot vetëm sepse nuk mund ta besoj se një hajduti duhet t’i pritet dora.”

Në Gjermani, gjithashtu, ai u ndje i refuzuar nga të njohurit dhe kolegët e punës: “Myslimanët këtu i trajtojnë njerëzit si unë, të cilët kanë prejardhje islame, por nuk janë më fetarë, pa mirëkuptim dhe tolerancë”.

Sa i izoluar ishte ai? Edhe atëherë ai tha: “Do t’i humbasim miqtë tanë nëse u themi se kemi lënë Islamin”.

Edhe azilkërkuesit, me të cilët vinte në kontakt përmes punës së tij si mjek, e konsideronin atë një person të keq për shkak të mungesës së besimit të tij. sn

Arabia Saudite e kishte paralajmëruar tri herë Gjermaninë për autorin e sulmit

Revista gjermane Spiegel raporton se Arabia Saudite e kishte paralajmëruar tre herë Gjermaninë për autorin e sulmit të mbrëmshëm në Magdeburg.

Sipas kësaj reviste, paralajmërimet janë bërë në një të kaluar jo shumë të largët.

Se çfarë përmbajtje specifike kanë pasur këto paralajmërime, kjo nuk dihet.

Edhe më herët, agjencia Reuters kishte raportuar se ka pasur një paralajmërim nga Arabia Saudite.

Të paktën 5 persona kanë humbur jetën pasi një mjek me origjinë nga Arabia Saudite u fut me makinën e tij me shpejtësi në një treg Krishtlindjesh.

Mbi 200 persona janë plagosur, ndërsa autori 50-vjeçar thuhet se ka vepruar vetëm.

Ai është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. sn

Profil- Psikiatër, ateist, urrente islamin, kush është autori i sulmit terrorist në Gjermani?

Psikiatër, ateist, urrente islamin, lindur në Arabinë Saudite, mendonte të shpëtonte Gjermaninë nga islamizimi…ja makina që kreu sulmin -kush është i dyshuari për sulmin në tregun e krishtlindjeve dje në Magdeburg?

Sioas informacioneve të para, Taleb A. , i dyshuari i arrestuar për sulmin në Magdeburg ishte mjek 50-vjeçar i psikiatrisë dhe psikoterapisë në Bernburg. I lindur në Arabinë Saudite, qytetin Hufuf, erdhi në vitin 2006 në Gjermani për shkollim. Në vitin 2016 iu njoh azili politik  Ai ka qenë prej vitesh aktivist, me një faqe interneti ku ofronte informacione për azilin në Gjermani dhe këshillonte gratë nga Arabia Saudite, si të largoheshin nga vendi.

Në platformën X ai shprehte urrejtje të hapur për islamin dhe e quante veten “kritikun më agresiv të islamit në histori”. I dyshuari shprehte simpati për partinë, AfD në Gjermani, që në pjesë të saj është e provuar si ekstremiste e djathtë. Taleb A. ëndërronte për një projekt të përbashkët me AfD, të ngrinte një akademi për ish-myslimanët, dhe shkruante në platformën X: “Kush tjetër e lufton islamin në Gjermani?”. Po në platformën X ai shkruante se “Gjermania do të islamizojë Europën”. Në një intervistë para 8 ditësh në një blog amerikan armiqësor ndaj islamit, ai ka përhapur teza konspirative. Shteti gjerman po zhvillon një “operacion të fshehtë sekret” për të përndjekur ish-myslimanët sauditë dhe për të shkatërruar jetën e tyre. Në të njëjtën kohë xhihadistët sirianë kanë marrë azil në Gjermani, sipas Taleb A. Nuk ka qenë i njohur për autoritetet si ekstremist./DW/

Gjermani, të paktën 2 të vdekur, dhjetëra të plagosur në tregun e Krishtlindjes, makina godet kalimtarët

VOA Marrë nga Associated Press

Dy persona humbën jetën dhe të paktën 60 të tjerë u plagosën kur një automjet u përplas me turmën e kalimtarëve të mbledhur në një treg Krishtlindjeje në qytetin lindor gjerman Madgeburg, në një akt që autoritetet dyshojnë se ishte një sulm i qëllimshëm.

Shoferi i makinës u arrestua pak pasi makina hyri mes njerëzve të shumtë që ndodheshin në treg për të blerë dhe festuar në fillim të fundjavës rreth orës 19:00.

I dyshuari është një mjek saudit 50-vjeçar që ishte vendosur në Gjermani në vitin 2006, tha në një konferencë shtypi ministrja e brendshme e rajonit Saksoni-Anhalt, Tamara Zieschang.

“Nga informacioni që kemi deri tani, ai është i vetmi autor, kështu që me sa dimë nuk ka asnjë rrezik të mëtejshëm për qytetin,” u tha gazetarëve guvernatori i Saksoni-Anhaltit, Reiner Haseloff.

Pesëmbëdhjetë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, sipas zyrtarëve qeveritarë dhe faqes së internetit të bashkisë së qytetit.

Zoti Haseloff tha se dy personat që u konfirmuan se kishin vdekur ishin një i rritur dhe një fëmijë i vogl, por shtoi se nuk mund të përjashtonte mundësinë e vdekjeve të tjera.

“Por ky është spekulim tani. Çdo jetë njerëzore që u bë viktimë e këtij sulmi është një tragjedi e tmerrshme”, tha ai.

Spitali Universitar i Magdeburgut tha se po kujdeset për 10 deri në 20 pacientë, por se numri i tyre mund të shtohet, njoftoi agjencia dpa.

Kancelari gjerman Olaf Scholz shprehu shqetësimin për incidentin, duke thënë se “njoftimet nga Magdeburg sugjerojnë se bëhet fjalë për diçka të keqe”.

“Lutjet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi ai në platformën X.

Magdeburgu, qytet në perëndim të Berlinit, është kryeqyteti i rajonit Saxony-Anhalt, me rreth 240,000 banorë.

Zëdhënësi Reif tha se bëhet fjalë për “një numër të plagosurish” por nuk dha ndonjë shifër të saktë, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.

“Pamjet janë të tmerrshme”, tha ai. “Sipas informacionit që kam, një makinë është përplasur me njerëzit që po vizitonin tregun e Krishtlindjes, por ende nuk mund të them nga cili drejtim apo sa larg”.

Në videoregjistrimet nga vendi i ngjarjes shihet një pjesë e izoluar e tregut, me mbeturina nëpër tokë.

Shumë pjesëtarë të policisë dhe shërbimeve të ndërhyrjes së shpejtë ishin në vendin e ngjarjes. Menaxheri i tregut u tha vizitorëve të largohen nga qendra e qytetit.

Dëshmitarët i thanë televizionit gjerman se makina u fut drejt në turmën e njerëzve në treg, në drejtim të bashkisë.

Sulmi i dyshuar vjen një ditë pas përvjetorit të tetë të sulmit ndaj një tregu Krishtlindjeje në Berlin. Më 19 dhjetor të vitit 2016, një ekstremist islamist e përplasi kamionin e tij me turmën e vizitorëve të tregut, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Sulmuesi u vra disa ditë më vonë gjatë një shkëmbimi zjarri në Itali.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser deklaroi muajin e kaluar se nuk ka shenja konkrete se ka rrezik ndaj tregjeve festive këtë vit, por bëri thirrje për vigjilencë të shtuar.

Macron falenderon Gisele Pelicotin për kurajën në gjyqin e dhunimeve masive: Dinjiteti i saj ka inspiruar Francën dhe botën

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka nderuar figurën e Gisele Pelicotit për forcën që ka shfaqur në gjyqin e dhunimeve masive, të inciuara nga burri i saj dhe të kryera nga 50 burra tjerë.

 

Duke e përshkruar atë si pioniere për gratë, ai ka thënë se “dinjiteti i saj dhe kuraja e kanë inspiruar Francën dhe botën”.

Ish-burri i saj, Dominique Pelicot, 72-vjeçar, është dënuar me 20 vjet burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka droguar Giselen për pothuajse një dekadë dhe se ka rekrutuar burra tjerë për ta dhunuar atë, teksa ajo ka qenë në gjendje kome në shtrat. Të 50 burrave tjerë u janë dhënë dënime më të vogla.

Gisele Pelicot ka thënë se procesi gjyqësor ka qenë i vështirë, mirëpo beson në një të ardhmen kur burrat dhe gratë mund të jetojnë “në harmoni dhe me mirëkuptim”.

Ajo pati marrë vendim që procesi të mos jetë anonim dhe e ka bërë rastin publik, i cili ka marrë vëmendje globale.

Gjyqtarët në jug të Francës kanë thënë se 51 burrat që janë paditur, të moshave prej 27 deri në 74-vjeçare, janë fajtorë dhe janë dënuar, mirëpo avokati i Giseles ka thënë të premten se “asnjë vendim nuk do t’ia kthejë mbrapsht jetën që i është shkatërruar”.

Tre fëmijët e saj kanë dhënë se janë të zhgënjyer me disa dënime që u janë shqiptuar disa burrave, të cilat dallojnë prej tre deri në 15 vjet.

Sipas raportimeve, 41 burra janë dërguar menjëherë në burg.

Avokati i Dominique Pelicotit ka thënë se është “tronditur” nga dënimi ndaj klientit të tij dhe do të vendosë në ditët në vijim nëse duhet apeluar atë.

Aktivistët kundër dhunës seksuale e kanë ndjekur nga afër procesin gjyqësor, me shpresën se do të nxisë reforma në ligjet e Francës dhe të ndryshohet kultura e debatit për dhunimet dhe dhunën seksuale që përfshin edhe abuzim me drogën./rel

Von der Leyen: Po e shqyrtojmë aplikimin e Kosovës dhe jemi gati t’i heqim masat

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur gatishmërinë që institucioni që ajo drejton të nisë punën në trajtimin e aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit.

Megjithatë, ajo theksoi se për këtë proces është i nevojshëm një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së.

“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me opinion. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati”, ka thënë Von der Leyen gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel.

Kosova ka aplikuar në vitin 2022 për statusin e kandidatit, por deri tani nuk është trajtuar nga Këshilli i BE-së.

Për të mandatuar Komisionin Evropian të punojë në opinionin përkatës, kërkohet një vendim unanim nga të gjitha shtetet anëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se edhe çështja e masave ndaj Kosovës është në duar të shteteve anëtare, të cilat duhet të vendosin njëzëri për heqjen e tyre.

“E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare, të cilin tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim, sepse gjithsesi është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar se pavarësisht rrethanave, Kosova ka mbështetje të plotë nga institucionet evropiane. sn

Gjykata e Francës e mban në fuqi dënimin e Sarkozysë për korrupsion

Gjykata Supreme e Francës e ka mbajtur në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e kishte shpallur ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy, fajtor për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit derisa ishte lider i vendit.

Sarkozy, 69 vjeç, përballet me burgim, megjithatë ai pritet t’i kërkojë gjykatës ta lajë dënimin në shtëpi duke e mbajtur një byzylyk elektrik në dorë. Kështu ndodh në Francë në rastet e dënimeve me dy apo më pak vjet burgim.

Ai u shpall fajtor për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit nga gjykata e Parisit më 2021 dhe nga Gjykata e Apelit më 2023, për përpjekje për t’i dhënë ryshfet një gjykatësi në këmbim të informatave për një rast ligjor në të cilin ishte përfshirë.

“Dënimet dhe vendimet janë përfundimtare”, thuhet në komunikatën të Gjykatës Supreme të mërkurën.

Sarkozy, i cili ishte president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012, u tërhoq nga jeta publike në vitin 2017, megjithatë ai vazhdon të luajë një rol me ndikim në politikën konservatore franceze. Ai ishte ndër të ftuarit që morën pjesë në rihapjen e Katedrales Notre Dame në fillim të këtij muaji.

Sarkozy reagoi në X pas vendimit, ku tha: “Do t’i marr përgjegjësitë e mia dhe do të përballem me të gjitha pasojat”.

Ai shtoi: “Nuk e kam ndër mend të ankohem. Por, nuk jam i gatshëm ta pranoj padrejtësinë e thellë që më është bërë”.

Sarkozy tha se do të kërkojë ta çojë çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe shpreson që këto procedura të çojnë në “dënimin e Francës”.

Ai përsëriti “pafajësinë” e tij.

“Vendosmëria ime është e plotë, si në këtë rast, ashtu edhe në të tjerat”, përfundoi ai.

Avokati i Sarkozyt, Patrice Spinosi, tha se klienti i tij “do ta respektojë” vendimin. Kjo do të thotë se ish-presidenti do të duhet ta mbajë një byzylyk elektronik, tha Spinosi.

Është hera e parë në historinë moderne të Francës që një ish-president shpallet fajtor dhe dënohet me burg për veprime gjatë mandatit të tij.

Paraardhësi i Sarkozyt, Jacques Chirac, u shpall fajtor në vitin 2011 për keqpërdorim të fondeve publike gjatë kohës sa ishte kryetar bashkie i Parisit dhe u dënua me dy vjet burg me kusht. REL

Lajçak: Kosova ta themelojë Asociacionin, Serbia t’i njohë simbolet e Kosovës

Takimi mes emisarit të BE-së (në mes) dhe kryenegociatorëve nga Kosova (djathtas) dhe nga Serbia, më 17 dhjetor 2024, në Bruksel.

 

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ua ka kujtuar Prishtinës dhe Beogradit, të martën në Bruksel, se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton integrim në BE, dhe se dy proceset janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin.

Lajçak ka thënë se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, kanë diskutuar për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, teksa ka përmendur “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e 2023-tës, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”.

Deklaratat e Lajçakut erdhën një ditë pasi Kosova dhe Serbia përmbyllën me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Lajçak ka thënë se dakordimi për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

Emisari evropian ka paralajmëruar se Brukseli së shpejti do të jetë mikpritës i takimit të parë të një Komisioni të Përbashkët, ndërkaq Bislimi ka thënë se ky komision do të fillojë të merret me çështjet që i takojnë nga janari i 2025-tës.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë. REL

Kancelari Scholz humb votëbesimin; Gjermania drejt zgjedhjeve të parakohshme

VOA Marrë nga Associated Press

Kancelari Olaf Scholz humbi votë-besimin në parlamentin gjerman të hënën, duke e çuar shtetin me popullsinë më të madhe dhe ekonominë më të madhe të Bashkimit Evropian drejt zgjedhjeve të parakohshme në muajin shkurt.

Kancelarin Schulz e mbështetën vetëm 207 nga 733 ligjvënësit e dhomës së ulët të Bundestagut, ndërsa kundër votuan 394 ligjvënës dhe abstenuan 116 të tjerë. Për t’i mbijetuar një votë-besimi, kancelari gjerman duhet të kishte marrë të paktën 367 vota.

Kancelari Scholz humbi shumicën në parlament, pasi koalicioni i tij jopopullor u shpërbë në 6 nëntor, pasi ai shkarkoi ministrin e financave për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi buxhetin. Udhëheqësit e disa partive kryesore ranë dakord më pas që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 23 shkurt, shtatë muaj më herët se ç’ishte planifikuar fillimisht.

Mocioni i sotëm i ishte i nevojshëm pasi kushtetuta gjermane e hartuar pas Luftës së Dytë Botërore nuk ia lejon Bundestagut të vetëshpërndahet. Tashmë duhet të vendosë Presidenti Frank-Walter Steinmeier nëse duhet të shpërndahet parlamenti dhe të mbahen zgjedhjet e reja.

Presidenti Steinmeier ka 21 ditë afat për të vendosur dhe pritet sidoqoftë që ta marrë vendimin përpara Krishtlindjes. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve pas shpërndarjes së parlamentit.

Në praktikë, fushata elektorale ka filluar tashmë dhe debatet e së hënës që zgjatën tre orë e reflektuan këtë fakt.

Çfarë thonë palët politike?

Zoti Scholz, social-demokrat i qendrës së majtë, u tha ligjvënësve se zgjedhjet do të përcaktojnë nëse “ne, si një vend i fortë, do të guxojmë të investojmë në të ardhmen tonë; a kemi besim tek vetja dhe vendi ynë, apo vëmë në rrezik të ardhmen tonë? A vendosim në rrezik kohezionin dhe begatinë tonë duke vonuar investime që duhet të ishin bërë prej kohësh?”.

Apeli i zotit Schulz për votuesit përfshin premtimin për “të modernizuar” rregullat e rrepta, të vetë-imponuara të Gjermanisë për borxhin kombëtar, për rritjen e pagës minimale dhe për uljen e taksës mbi ushqimet.

Rivali nga qendra e djathtë, Friedrich Merz u përgjigj se “po e lini vendin në një nga krizat më të mëdha ekonomike në historinë e pasluftës”.

“Qëndron këtu dhe flet sikur gjithçka të ishte në rregull, se duhet të rrisim borxhin në kurriz të brezit të ardhshëm, le të harxhojmë paratë dhe fjala ‘konkurencë’ e ekonomisë gjermane nuk figuroi as edhe një herë gjatë fjalimit që mbajte sot”, tha zoti Merz.

Kancelari tha se Gjermania është vendi evropian që furnizon me më shumë armatime Ukrainën dhe se ai dëshiron që kjo të vazhdojë, por nënvizoi këmbënguljen e tij për të mos dërguar raketa me vetëdrejtim Taurus, që kanë rreze të gjatë veprimi, për shkak të shqetësimeve për një përshkallëzim të luftës me Rusinë, apo një dërgim të mundshëm të forcave gjermane në konflikt. “Nuk do të bëjmë asgjë që rrezikon sigurinë tonë”, tha ai.

Zoti Merz, i cili ka qenë i hapur ndaj mundësisë së dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi, tha se “nuk na nevojiten leksione për luftën dhe paqen” nga partia e zotit Scholz. Ai tha, megjithatë, se rivalët politikë në Berlin janë të bashkuar në një “vullnet absolut për të bërë gjithçka në mënyrë që kjo luftë në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Cilat janë shanset e tyre?

Anketimet tregojnë se partia e Kancelarit Scholz mbetet shumë pas bllokut kryesor opozitar të zotit Merz, i quajtur Union, i cili kryeson. Zëvendëskancelari Robert Habeck i ambientalistëve të Partisë së Gjelbër, partneri i mbetur në qeverinë e zotit Scholz, po bën gjithashtu ofertë për postin e lartë – megjithëse partia e tij është më mbrapa.

Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë, e cila ka nivel të fortë mbështetjeje në anketime, ka emëruar zonjën Alice Weidel si kandidate të saj për kancelare, por nuk ekziston ndonjë shans për ta marrë këtë detyrë, sepse partitë e tjera refuzojnë të punojnë me të.

Sistemi zgjedhor i Gjermanisë prodhon tradicionalisht koalicione dhe anketimet tregojnë se asnjë parti nuk është afër shumicës absolute. Zgjedhjet pritet të pasohen nga javë të tëra negociatash për të formuar një qeveri të re.

Mocionet e besimit janë të rralla në Gjermani, një vend me 83 milionë banorë që vlerëson stabilitetin. Kjo ishte vetëm hera e gjashtë në historinë e saj të pasluftës që një kancelar bën vetë thirrje për një mocion të tillë.

Hera e fundit ishte në vitin 2005, kur kancelari i atëhershëm Gerhard Schröder mundësoi zgjedhje të parakohshme, që u fituan ngushtë nga sfiduesja e qendrës së djathtë, Angela Merkel.

Transportonte 40 cisterna naftë për ushtrinë ruse, ukrainasit godasin me raketa amerikane trenin

Një tren rus i nisur nga Krimea për të furnizuar me naftë forcat ushtarake të Moskës në Zaporizhzzhia, është hedhur në erë nga ukrainasit.

Treni që transportonte 40 cisterna me naftë është sabotuar falë një operacionit të Inteligjencës ukrainase (SBU)) dhe ministrisë së Mbrojtjes, duke çuar kështu në zvogëlimin e kapaciteteve logjistike të ushtrisë ruse në rajonin e pushtuar.

SBU pranon se ka bashkëpunuar me grupin kolaboracionist Tavria për të shënjestruar trenin rus. Operacioni filloi në afërsi të fshatit Oleksiyivka në qarkun Bilmatsky, kur SBU-ja ukrainase sabotoi binarët e trenit.

Kjo bëri që treni të del nga shinat dhe rezervuarët me naftë u përfshinë nga zjarri pas kësaj. Ndërkohë grupi Tavria përdori sistemin raketor amerikan HIMARS për të goditur me precizion rusët, duke shkatërruar lokomotivën dhe binarët, duke garantuar që nafta të mos arrinte në destinacion.

Sulmi jo vetëm që shkatërroi rezervuarët e naftës në tren, por edhe binarët që çonin në pjesë të tjera ku janë të shpërndarë trupat ruse, të cilat këtë fundvit po përballen me mungesë të ushqimit dhe karburantit. bw

Piranjat- Mateo Renzi: Kryeministri Rama dhe Meloni kanë bërë një idiotësi së bashku

Investigimi i një jave më parë në resortin me pesë yje në Shëngjin, atje ku janë akomoduar rreth 100 agjentë të policisë dhe karabinierisë, shkaktoi një tërmet të vërtetë në jetën politike italiane, ndërkohë që mediat kryesore të vendit fqinj, i hapën faqet e para me këtë argument që ka zemëruar jo pak italianë.

La Repubblica, La Stampa, La Gazzetta del Mezzogiorno, Dagospia, L’unitá, Domani, Il Secolo Decimo Nono, La Sicilia… e shumë media të tjera të gadishullit apenin, i bënë jehonë kësaj historie.

Po çfarë kishte ndodhur në resortin në fjalë, që shkaktoi kaq reaksion në Itali?

Për të kuptuar se çfarë po ndodh brenda resortit, ne u hoqëm si turiste të strukturës mikpritëse të italianëve, dhe ajo që mësuan në orët e qëndrimit aty, ishte që këta agjentë që kishin ardhur për të mbikqyrur kampin e refugjatëve të Gjadrit, dhe qendrën e pritjes së Shëngjinit, në realitet po bënin turistin me paratë e taksapaguesve italianë.

Pas shpërndarjes së kësaj historie në mediat italianë, reagimet nga politika ishin të menjëhershme.

Eli Shlejn, sekretarja e Partisë Demokratike, do të shkruante në rrjetet e saj sociale për këtë skandal.

Reagime të ashpra erdhën nga pjesa më e madhe e spektrit të majtë në Itali.

Ndërkohë, për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodh në vendin mik pas këtij skandali, Piranja Luela Gaxhja realizoi një interviste me dy prej drejtuesve më autoritarë të opozitës italiane.

Matteo Renzi, ish kryeministër, aktualisht lider i Italia Viva, dhe Roberto Maxhi, sekretar i Piu Europa, të dy shumë kritikë ndaj marrëveshjes Rama Meloni për emigrantët.

Deputeti Maxhi u bë i njohur në Shqipëri pas kësaj përplasje me gardën në hyrje të kampit të Gjadrit. Agjentët nuk e kursyen aspak politikanin italian dhe ishte kryeministrja Meloni e cila evitoi një incident diplomatik

Deputeti Maxhi e konsideron të papreçedent sulmin e kryeministres Meloni ndaj gjykatave, madje një rrezik për demokracinë.

Ndërsa lideri i italia Viva Matteo Renzi ka provuar diçka mes qeshjes ironike dhe zemërimit, pasi ka parë investigimin tonë për agjentët italianë në Shëngjin.

Kjo qasje qe sipas Renzit është tipike e një influencerje, shoqërohet edhe me një lloj insistimi, pavarësisht nëse është apo jo e gabuar.

Ky propozim i një senatori me peshë në politikën italiane siç është Matteo Renzi, mund të zërë vërtetë të papërgatitur dy kryeministrat Rama dhe Meloni, por pas këtij operacioni të cilin ne e kemi quajtur një dështim me sukses, kjo ndoshta është zgjidhja më e mirë për të shpëtuar së pari fytyrën e tyre, dhe së dyti gati 1 miliard euro të taksapaguesve italianë, mes të cilëve edhe mbi 500 mijë shqiptarë. Por sa do të jetë dakord zoti Rama me këtë tezë që sapo u hodh nga një eksponent i së majtës italiane? sn

Macron emëron François Bayroun kryeministër të ri të Francës

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka emëruar të premten politikanin e qendrës, François Bayroun si kryeministër të ri, ka thënë Pallati Elysee, vetëm një javë pas rënies së Qeverisë paraprake.

Të mërkurën e kaluar, opozita e ka rrëzuar Qeverinë e ish-kryeministrit konservator, Michel Barnier, për shkak të mospajtimeve për buxhetin, ndonëse ka qenë vetëm tre muaj në zyrë.

Franca është në ngërç politik pasi zgjedhjet e mbajtura në qershor dhe korrik nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat të qartë.

Ndërkohë, shteti është duke u përballur me situatë kritike në ekonomi, sidomos për shkak të rritjes së borxhit publik dhe deficitit të madh buxhetor.

Partitë opozitare kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Macronit në gjithë këtë krizë ekonomike dhe politike, pasi buxheti për vitin 2025 ende nuk është miratuar.

Por Macroni ka refuzuar të japë dorëheqje. REL

Rusia i afrohet qytetit kyç të Ukrainës, teksa Zelensky e viziton vijën e frontit

Forcat ruse vazhdojnë t’i afrohen qytetit strategjik në lindje të Ukrainës, Pokrovsk, derisa përpjekjet diplomatike janë rritur për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë ndër dekada.

Sipas platformës online të hartave të luftës, Deep State, trupat ruse janë afruar 3 kilometra pranë pjesës lindore të Pokrovskut, i cili është kryqëzim kyç për Ukrainën, si dhe furnizuesi i vetëm i brendshëm i vendit për koks.

“Duhet të ndërmerren vendime jokonvencionale për ta zgjatur qëndresën e mbrojtjes sonë dhe për ta shkatërruar më shumë pushtuesin”, tha gjenerali Oleksandr Syrskiy, kryekomandanti i Ukrainës.

“Luftë jashtëzakonisht e ashpër në fushëbeteja. Rusët po i përdorin të gjitha forcat në përpjekje për ta thyer mbrojtjen tonë”, shkroi ai në Facebook.

Kjo zonë prej muajsh është dëshmitare e disa prej beteja më të ashpra nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës prej Rusisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili vizitoi vijat e frontit në rajonin e Zaporizhjas të enjten, ka kërkuar përforcime, pasi duket se pozicionet ukrainase po hasin në vështirësi për ta përballuar përparësinë e Rusisë në ushtarë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Serhiy Filimonov, komandanti i batalionit të 108-të “Da Vinci Wolves”, paralajmëroi se arsyeja kryesore e humbjeve derisa Rusia po çan përpara drejt Pokrovskut, janë “detyrat joreale” për trupat në këtë rajon, duke marrë parasysh numrin e ushtarëve të tyre.

Luftimet në fushëbeteja janë ashpërsuar pasi të dyja palët janë duke synuar t’i përforcojnë pozicionet e tyre, pasi ka shenja për një armëpushim të mundshëm dhe për bisedime për paqe në muajt në vijim.

Vrulli diplomatik

Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë u takuan në Berlin të enjten për të biseduar rreth ndihmës për Ukrainën, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk, vendi i të cilit është mbështetës i fortë i Ukrainës fqinje, e priti presidentin francez, Emmanuel Macron, në një takim në Varshavë për të biseduar për hapat pas luftës.

Liderët nga e gjithë Evropa po përpiqen t’ia dëshmojnë presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili do ta marrë detyrën më 20 janar, se ata janë të gatshëm ta bartin barrën që u takon për t’i dhënë fund luftës pothuajse trivjeçare në Ukrainë.

Trump ka pohuar se ai mund t’i japë fund luftës për 24 orë, duke ngjallur shqetësim se ai mund ta detyrojë Ukrainën t’i dorëzojë territor Rusisë, duke e rrezikuar sigurinë e BE-së.

Në një Deklaratë të ashtuquajtur “Deklarata e Berlinit”, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Polonisë, Italisë, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, nënvizuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kievin.

“Ne jemi të përkushtuar për t’i siguruar Ukrainës garanci të palëkundshme të sigurisë, duke përfshirë mbështetje afatgjate ushtarake dhe financiare”, tha deklarata.

Takimi në Berlin u organizua nga ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Pas takimit me Macronin, Tusk tha se Polonia nuk ka plane për të dërguar trupa në Ukrainë.

Një media polake raportoi në prag të takimit se Tusk dhe Macron do të diskutonin mundësinë e dërgimit të një force paqeruajtëse evropiane prej 40.000 ushtarësh në Ukrainë.

Zelensky ka kërkuar vazhdimisht garanci të forta sigurie, përfshirë anëtarësimin në NATO, duke thënë se ndryshe nuk mund ta ndalesh Rusisë nga kryerja e pushtimeve të tjera.

Tusk dhe Macron, të cilët u takuan para mbledhjes së ministrave të BE-së, riafirmuan se çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë duhet të përfshijë ukrainasit.

“Ne do të punojmë me Francën për një zgjidhje që do të mbrojë mbi të gjitha Evropën dhe Ukrainën”, tha Tusk.

Kryeministri polak tha dy ditë më parë se bisedimet për paqen mund të fillojnë “në dimër”. REL

“Rusia humbi 198 mijë”, Zelensky: 43.000 ushtarë ukrainas janë vrarë në luftë

Rreth 43.000 ushtarë ukrainas janë vrarë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një deklarim të rrallë për numrin e viktimave.

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti ukrainas ka thënë se janë raportuar 370.000 persona të plagosur, ndonëse në këtë shifër ai ka thënë se përfshihen edhe ushtarët që janë plagosur më shumë se një herë.

Ai ka pretenduar se si pasojë e luftës janë vrarë 198.000 ushtarë rusë dhe janë plagosur 550.000 të tjerë. Kievi dhe Moska kanë publikuar rregullisht vlerësime për humbjet që ka pësuar pala tjetër, mirëpo asnjëherë nuk kanë folur në hollësi.

Shifra e re në anën ukrainase përbën rritje të konsiderueshme të vdekjeve prej nisjes së luftës. Zelensky pati thënë në shkurt të këtij viti se shifra e viktimave shkon në 31.000.

Vlerësimet e Zelenskyt për humbjet e palës ruse janë të ngjashme me ato që kanë ofruar zyrtarët perëndimorë, të cilët vlerësojnë se Rusia ka regjistruar 800.000 viktima, përfshirë të vrarët dhe të plagosurit.

Moska hedh poshtë këto shifra. Përmes një deklarate, Kremlini ka pretenduar se humbjet e ukrainasve janë “disa herë më të mëdha” sesa ato ruse.

Zhvillimet e fundit kanë ndikuar në rritje të numrit të të vdekurve. Forcat ushtarake ruse vazhdojnë të bëjnë avancime të vogla në vijën e frontit në lindje të Ukrainës, si dhe në rajon rus, Kursk.

Forcat ukrainase kontrollojnë pjesë të vogla të territorit rus në Kursk, të cilin e kanë fituar përmes një ofensive të befasishme në Rusi, në gusht të këtij viti.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Tetë vjet më vonë e ka nisur luftën e plotë në Ukrainë, duke pushtuar territor në jug dhe lindje të shtetit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. bw

“Kambanat e historisë sonë po bien sërish”- Rihapja e katedrales “Notre Dame”, Macron: Zbuluam atë që kombet e mëdha mund të bëjnë, të arrijnë të pamundurën

Presidenti francez, Emmanuel Macron, në fjalën e tij në cerëmonin për rihapjen e Katedrales Notre-Dame, shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që shpëtuan dhe ndihmuan në rindërtimin e monumentit ikonë.

Ceremonia madhështore, e ndjekur nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe dhjëtera liderë të tjerë në botë, shënoi ringjalljen historike të katedrales pasi u shkatërrua në një zjarr të vitit 2019.

Macron tha se ne kemi rizbuluar atë që kombet e mëdha mund të bëjnë, të arrijnë të pamundurën.

“Ne duhet ta vlerësojmë si thesar këtë mësim brishtësie, përulësie dhe vullneti dhe të mos harrojmë kurrë se sa shumë ka çdo person dhe se si madhështia e kësaj katedrale është e pandashme nga puna e të gjithëve”, tha Macron në ceremoninë e rihapjes.

Por, pas rihapjes së katedrales “Notre-Dame”, të parët që u falenderuan brenda saj, ishin zjarrfikësit të cilët luftuan me flakët që përfshinë katedralen 5 vite më parë, duke minimizuar kështu dëmet.

Qindra të ftuar, duartrokitën për 5 minuta zjarrfikësit që bënë një punë vetëmohuese për shpëtimin e katedrales mbi 800-vjeçare.

Macron e mbylli fjalimin e tij duke thënë “rroftë Notre-Dame” dhe rroftë republika franceze. gsh

“Ferr”, Zelensky zbulon armën e re ukrainase: Raketë-droni ka një rreze prej 700 km

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zbuluar një “raketë-dron” të prodhuar nga Ukraina. Kjo armë, sipas autoriteteve ushtarake ukrainase, është e aftë për të goditur objektivat 700 km (430 milje) larg, më shumë se dyfishi i rrezes më të gjatë të raketave të ofruara nga aleatët perëndimorë.

Mjeti ajror pa pilot, i quajtur “Peklo”, që do të thotë “ferr” në gjuhën ukrainase, është lloji i dytë i të ashtuquajturit “raketë-dron” i zbuluar nga Kievi këtë vit.

Dronët, të cilët fluturojnë ulët si një raketë lundrimi, mund të arrijnë shpejtësinë 700 km/h (430 mph), tha prodhuesi shtetëror i armëve ukrainas Ukroboronprom ndërsa arma iu dorëzua zyrtarisht forcave të armatosura.

Raketat britanike dhe franceze Storm Shadow kanë një rreze prej rreth 250 km (155 milje), ndërsa raketat Atacms të furnizuara nga SHBA mund të godasin deri në 300 km (185 milje).

Muajin e kaluar, Vladimir Putin testoi një raketë të re hipersonike të quajtur Oreshnik duke goditur Dnipron në Ukrainë. bw

BE- Kurti insiston në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa tha se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.

“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, tha Kurti pas takimit.

Kurti tha për gazetarët se ka kërkuar nga strukturat e reja të Komisionit Evropian që të insistojë në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, të arritur vitin e kaluar dhe të mos e harrojnë këtë marrëveshje sa herë përmendet dialogu.

Kurti tha se e ka njoftuar Kallasin për hetimet lidhur me sulmin e fundit që ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe tha se ka përsëritur kërkesën drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Duke folur për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin Kosova e ka fajësuar Serbinë, Kurti tha se janë gjetur shumë elemente ruse.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.

“Ka armatim të konfiskuar dhe materiale që janë gjetur. Nga 74 emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, prej njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë kryesisht serbe. Është edhe një e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na bën të mendojmë se dikush ka dashur që hetimet e ardhshme të shkojnë në drejtim të gabuar, apo siç thuhet në fjalorin e NATO-s ‘false flag operation’”, tha Kurti, duke përsëritur kërkesën drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë.

Kallas, që ka nisur mandatin e saj pesëvjeçar më 1 dhjetor, do të ketë përgjegjësinë e ndërmjetësimit të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur se a ka dhënë sinjale Kallasi se si e sheh vazhdimin e dialogut, Kurti tha se ajo më shumë ka dëgjuar dhe më vonë do të shihet se si do të veprohet.

“Takimi i sotëm ka qenë më shumë për të na dëgjuar neve. Dhe do t’i dëgjojë edhe të tjerët dhe nuk ka dyshim se vitin e ardhshëm do ta intensifikojë procesin për paqe dhe integrim, duke punuar me ekipin e saj. Por, çfarë forme do të merr kjo, është vështirë të thuhet tash. Qartë, ajo po tregon përkushtimin e saj për rajon dhe kjo është shenjë e mirë edhe për Kosovën, që ka pritje nga zonja Kallas, por edhe për gjithë rajonin”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës tha se nuk ka hequr dorë nga kushtet e tij për dialogun që kanë të bëjnë me dorëzimin e Radoiçiqit, tërheqjen e një letre dërguar institucioneve të BE-së vitin e kaluar nga kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërbaniq, dhe insistimi që të nënshkruhet Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja – që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit – prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kurti po ashtu tha se ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja mban në fuqi ndaj Kosovës.

Vuçiq thotë se zhvilloi bisedë “të vështirë” me Kallasin

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.

Vuçiq shkroi në Instagram se Kallas foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, “zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.

“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, tha Vuçiq.

Më vonë gjatë 3 dhjetorit, Kurti dhe Vuçiq, së bashku me udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor, do të zhvillojnë takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Takimet do të mbahen para një darke që Costa do të organizojë me udhëheqësit e rajonit.

Sipas burimeve nga BE-ka, këto takime kanë për qëllim që Costa, i cili mandatin ka nisur të dielën me 1 dhjetor, të njihet personalisht me ta, por edhe të përgatisë samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 18 dhjetor në Bruksel.

Ndryshe, Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në kuadër të dialogut të Brukselit në shtator të vitit 2023.

Pak ditë pas atij takimi, ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë një polic.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kosova ka ngritur aktakuzë për rastin e Banjskës, dhe Radoiçiq aty thuhet se ka qenë përgjegjës i grupit. Prishtina ka kërkuar që Serbia të dorëzojë atë tek autoritetet e Kosovës.

Në anën tjetër, autoritetet gjyqësore në Serbi kanë paralajmëruar se së shpejti do të marrin vendim lidhur me ngritjen ose jo të një aktakuze ndaj Radoiçiqit për rastin e Banjskës, pasi autoritetet serbe kanë kryer një hetim të ndarë për këtë rast.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë./ REL.

Ukraina bën sërish thirrje për anëtarësim të plotë në NATO

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha.

 

Ukraina ka bërë sërish thirrje për anëtarësim në NATO, duke thënë se vetëm duke iu bashkuar plotësisht aleancës mund të garantohet siguria e saj në të ardhmen, teksa e lufton pushtimin rus, të nisur gati tre vjet më parë.

“Ne jemi të bindur që garantuesi i vetëm real për sigurinë e Ukrainës, si dhe faktori parandalues për agresion të mëtejmë rus kundër Ukrainës dhe vendeve tjera, është anëtarësimi i plotë i Ukrainës në NATO”, ka thënë Ministria e Jashtme e Ukrainës përmes një deklarate të lëshuar para takimit të 3 dhjetorit mes ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel.

Duke reaguar ndaj kësaj deklarate, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë të martën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO, do të ishte “i papranueshëm” dhe do të përbënte “kërcënim” për Rusinë.

Kjo deklaratë vjen vetëm disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se pranimi i Ukrainës në NATO, do t’i jepte fund asaj që e ka quajtur “fazë të nxehtë të luftës”, të nxitur nga Rusia, prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.

Zelensky ka thënë për Sky News më 30 nëntor se do të ishte i gatshëm të shqyrtonte një armëpushim nëse territoret e papushtuara të Ukrainës do të ishin nën mbrojtjen e NATO-s, dhe për aq kohë sa një ftesë për t’iu bashkuar aleancës do të njihte kufijtë ndërkombëtarë të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, pritet të informojë ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel, për situatën aktuale në vijën e frontit në lindje të shtetit.

Atje raportohet se trupat ruse kanë shënuar përparim të kufizuar kundrejt ushtrisë ukrainase me numër të më vogël të ushtarëve dhe me më pak armë.

Në takimin në Bruksel pritet të diskutohet për vazhdimin e ndihmës ushtarake të NATO-s për Ukrainën, si dhe për sulmin që ka kryer muajin e kaluar Rusia me një raketë balistike eksperimentale kundër qytetit ukrainas, Dnjipro.

Rusia ka thënë se raketa e re me rreze të mesme veprimi, e quajtur Oreshnik, mund të godasë shënjestra përreth Evropës dhe nuk mund të bllokohet nga mbrojtjet ajrore.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Trumpi do marrë pjesë në rihapjen e katedrales ‘Notre Dame’ në Paris

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, do të marrë pjesë në festën e rihapjes së katedrales ‘Notre Dame’ në Paris këtë fundjavë, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga fitorja e zgjedhjeve.

Katedralja historike është vendosur të rihapet të shtunën pas më shumë se pesë vitesh rindërtim pas një zjarri shkatërrues në 2019 që përfshiu dhe pothuajse shkatërroi monumentin në rritje të Parisit.

Ceremonitë që do të mbahen të shtunën dhe të dielën do të jenë çështje të sigurisë së lartë, ku pritet të marrin pjesë rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish.

Trump njoftoi se ai do të jetë mes tyre në një postim në faqen e tij ‘Truth Social’ të hënën në mbrëmje.

 ‘Është nder të njoftoj se do të udhëtoj në Paris, Francë, të shtunën për të marrë pjesë në rihapjen e katedrales së mrekullueshme dhe historike ‘Notre Dame’, e cila është restauruar plotësisht pas një zjarri shkatërrues pesë vjet më parë. Presidenti Emmanuel Macron ka bërë një punë të mrekullueshme duke siguruar që ‘Notre Dame’ të rikthehet në nivelin e saj të plotë të lavdisë, dhe aq më tepër. Do të jetë një ditë shumë e veçantë për të gjithë!’, tha ai.

Udhëtimi do të jetë i pari i Trump jashtë vendit që kur fitoi zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Një zjarr masiv përfshiu ‘Notre Dame’ në vitin 2019, duke shembur majën e saj dhe duke kërcënuar të shkatërrojë një nga thesaret më të mëdha arkitekturore në botë, të njohur për xhamin e tij me njolla. sn

Deputeti gjerman: Sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë, ngjan me veprimet ruse në Ukrainë

Deputeti i Gjermanisë, Thomas Hacker, ka komentuar sulmin terrorist në Zubin Potok të Kosovës, duke e krahasuar atë me strategjinë ruse në Ukrainë.

Ai ka kërkuar një hetim të plotë për atë që ndodhi në kanalin e Ibër Lepencit, duke e cilësuar atë si një akt tinëzar që duhet të zbardhet plotësisht.

“Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë ngjan me veprimet ruse në Ukrainë. Ky sulm tinëzar kërkon një hetim të plotë,” ka shkruar Hacker, në platformën “X”.

 

Ky shpërthim ndodhi më 29 nëntor, derisa deri tani policia ka arrestuar 10 perosna, kurse njërit veç i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. bw


Send this to a friend