Bisedë në studio me deputeten e pavarur Mariana Koçeku
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës
Alba Kepi: Mirë se vini në rubrikën tonë “Bisedë në studio”, zonja Mariana Koçeku. Ne jemi Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës, i krijuar në qershor 2021 me misionin për të kontribuar në informimin sa më profesional të opinionit publik shqiptar, mbi parimin e së vërtetës dhe në shërbim të demokracisë.
Në këtë rubrikë ftojmë deputetë, analistë dhe figura me ndikim në opinionin publik dhe në zhvillimet politike, sociale e ekonomike të Shqipërisë.
Në këtë bashkëbisedim marrin pjesë anëtarët e bordit drejtues të Unionit: presidentja Elida Buçpapaj, Skënder Buçpapaj, nënkryetari Artan Kutra, Genc Burimi, Ardian Murraj dhe unë, Alba Kepi.
Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, në maj 2025, Unioni ynë kishte statusin e vëzhguesit dhe i ndoqi nga afër zgjedhjet, veçanërisht për shkak të aplikimit për herë të parë të votës së diasporës.
Faleminderit që pranuat ftesën tonë.
“Neomalësorja” dhe rruga drejt politikës
Elida Buçpapaj: Mariana, ju jeni një vajzë e re 25 vjeçare që keni lindur në Dukagjin, një margaritar i natyrës shqiptare, me ekosistem genuin ku gërshetohet kultura shpirtërore, me emra si Lek Dukagjini, Besa Shqiptare e Cikli i Kreshnikëve dhe kultura materiale si xhubleta Trashëgimi e Unesco-s apo lahuta, një krahinë krejtësisht e masakruar gjatë diktaturës dhe izoluar gjatë tranzicionit. Ju u identifikuat me projektin “Neomalësore”, një nismë ekologjike dhe turistike që synon të ndërthurë modernen me autenticitetin e zonës dhe u shdërruat në një simbol të rinisë së shkolluar që e le Europën për t’ju kthyer rrënjëve e për të shërbyer si shembull për rikthimin e rinisë shqiptare, si apel për ta shpëtuar Atdheun nga shpopullimi e zhbërja. Më pas ky projekt u bë edhe një lloj paradhome drejt politikës. Çfarë përfaqëson për ju “Neomalësorja”? A mund të vazhdojë kjo lëvizje edhe tani që jeni deputete e pavarur? Dhe a ka lidhje me biznesin tuaj familjar?
Mariana Koçeku: Së pari dua t’ju falënderoj shumë për ftesën dhe për mundësinë për të bashkëbiseduar mbi tema me interes publik dhe kombëtar.
Unë vij nga Dukagjini. Aty kam lindur dhe jam rritur me prindërit e mi, ashtu siç janë rritur edhe paraardhësit tanë. Është një trevë jashtëzakonisht historike dhe e pasur në aspektin etnografik e antropologjik. Në dy shekujt e fundit, shumë të huaj, antropologë, studiues e diplomatë, kanë shkruar për këtë trevë, shpesh më shumë sesa vetë shqiptarët.
Pikërisht këto studime më kanë zgjuar interesin dhe dashurinë për vendin tim.
Jam rritur në breg të Drinit, pranë liqenit të Komanit. Babai im ka qenë kapiten dhe ka kontribuar në ndërtimin e hidrocentralit. Gjithmonë kemi pasur një varkë pranë shtëpisë. Nëse do të përmblidhja simbolet e fëmijërisë sime, do të ishin mali, kulla dhe varka. Me to jam rritur dhe ato kanë qenë pjesë e identitetit tim.
Pasi studiova shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Tiranë dhe një pjesë të studimeve në Itali, vendosa të kthehem në vendlindje dhe të merrem me një pronë të vogël që më kishin lënë trashëgim gjyshi dhe babai.
Ideja e “Neomalësore” ka brenda të vjetrën dhe të renë. Kam dashur të krijoj një përplasje, por edhe një bashkëjetesë mes tyre, sepse besoj se e vjetra e ka gjithmonë brenda vetes të renë.
Qëllimisht kam dashur ta ruaj sa më autentike, pranë identitetit të zonës. Për mua ka qenë edhe një mënyrë reflektimi dhe kujtese për atë që kanë kaluar të parët tanë për të mbijetuar në ato zona, larg vëmendjes dhe investimeve të sistemeve politike.
“Neomalësorja” më ka rritur jashtëzakonisht shumë, ashtu siç besoj se edhe unë e kam rritur atë me kalimin e kohës. Është krijimi im, të cilin e nisa pasi u ktheva nga studimet, me mbështetjen e madhe të familjes, veçanërisht të nënës sime.
Kemi pritur turistë nga e gjithë bota, nga universitete prestigjioze evropiane deri te njerëz të industrisë së filmit. Është një punë e bërë me shumë pasion, që synon të ndërgjegjësojë komunitetin tim, sidomos brezin tim, mbi vlerat e atij vendi.
Braktisja e Dukagjinit nuk ka ardhur nga dëshira e banorëve, por nga halli dhe mungesa e kushteve bazike për të jetuar.
Përfshirja ime në politikë erdhi gradualisht si rrjedhojë e asaj që kisha ndërtuar me “Neomalësoren”. Projekti u promovua edhe në media ndërkombëtare dhe më pas pata disa oferta politike.
Pranova për dy arsye kryesore: harresën ndaj komunitetit të Dukagjinit dhe mungesën e infrastrukturës, shërbimeve shëndetësore, arsimit dhe shumë shërbimeve të tjera; dhe, së dyti, dëshirën për t’u angazhuar si një vajzë e re në një komunitet ku mundësitë për gratë dhe të rinjtë kanë qenë shumë të kufizuara.
Këto ishin arsyet që më shtynë të angazhohesha politikisht dhe të kandidoja për deputete me Partinë Socialiste.
Nga deputete e PS-së te deputete e pavarur
Alba Kepi: Ju qëndruat dhjetë muaj si deputete e Partisë Socialiste. Sot jeni deputete e pavarur. Cila ishte ngjarja apo çështja që Ju shtyu të ndërprisnit këtë rrugëtim brenda PS-së?
Mariana Koçeku: Kam qëndruar dhjetë muaj si deputete e Partisë Socialiste dhe tashmë prej disa muajsh jam deputete e pavarur.
Para angazhimit politik kam qenë aktive në çështjet mjedisore. Në vitin 2018 kam qenë ndër organizatorët dhe aktivistët e protestës studentore për përmirësimin e arsimit të lartë shqiptar. Në kohë kam ndërmarrë edhe aksione mjedisore për Drinin dhe për problematika të tjera të lumenjve dhe zonave rurale e urbane.
Vetë projekti im ka qenë thellësisht ekologjik, i bazuar në një lidhje të fortë me natyrën, komunitetin dhe prodhimtarinë lokale.
Kur hyra në Kuvend, tentova të ndërmarr disa nisma, veçanërisht për Drinin. E njoh shumë mirë atë zonë dhe e di se sa e izoluar ka qenë.
Sot turizmi ka sjellë një ringjallje të madhe, falë edhe përpjekjeve të banorëve. Por pikërisht në këtë moment kur zona po përjeton zhvillim, përballemi me ndotje masive që vjen nga zona të ndryshme, përfshirë edhe përtej kufirit.
Kjo kërkon një aksion urgjent të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Një tjetër moment i rëndësishëm për mua ishte ajo që ndodhi në Rrjoll dhe veçanërisht në Zvërnec. Për mua ishte një sinjal shumë i qartë mbi mënyrën se si po trajtohen zonat e mbrojtura dhe natyra shqiptare.
Mjedisi është thelbi i qenies sime politike.
Protesta që nisi në fund të majit më bëri të reflektoj se unë mund ta përmbush më mirë rolin tim si deputete duke qenë e pavarur sesa pjesë e një formacioni politik me të cilin nuk bashkëndaj më disa qëndrime.
Protesta më ka frymëzuar dhe më ka udhëhequr drejt funksionit tim si deputete. Besoj se si e pavarur mund t’i ushtroj më plotësisht kompetencat që Kushtetuta i njeh deputetit.
Veriu, shpopullimi dhe mungesa e investimeve
Skënder Buçpapaj: Politika ndaj veriut të Shqipërisë ka qenë historikisht një çështje e ndjeshme. Rajoni vazhdon të ketë probleme të mëdha infrastrukturore dhe shpopullimi.
Si e shikoni politikën ndaj veriut dhe çfarë do të duhej të ndryshonte?
Mariana Koçeku: Kam vënë re një mungesë të theksuar vëmendjeje dhe veprimi, sidomos në zonat rurale. Kjo ka çuar në një shpopullim shumë të madh, veçanërisht të moshave të reja.
Në zonën ku jam rritur ka tre hidrocentrale: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës. Megjithatë unë jam bërë 22 vjeçe pa pasur energji elektrike në shtëpi.
Agroturizmin tim e kam nisur pa energji elektrike. Edhe ardhja e energjisë elektrike në dy vitet e fundit ka ardhur përmes një iniciative dhe bashkimi të komunitetit dhe me investimet e vetë banorëve, jo të shtetit.
Nëse marrim parasysh edhe qarkun e Kukësit, i cili përballet me probleme të mëdha ekonomike pavarësisht pasurive natyrore, është legjitime të ngrihet pyetja mbi mënyrën se si shpërndahen burimet dhe financat publike në territor.
Për të ndryshuar situatën duhet të ndërhyhet në disa drejtime: arsim, energji elektrike dhe infrastrukturë. Pa rrugë dhe pa lidhje mes komuniteteve nuk mund të flitet për zhvillim të qëndrueshëm.
Është e rëndësishme edhe ndërgjegjësimi qytetar.
E vlerësoj shumë kontributin e diasporës. Diaspora, veçanërisht ajo në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm përmes remitancave, kontributit kulturor e social, por edhe duke ndërtuar institucione dhe vepra publike që shpesh duhej t’i kishte ndërtuar shteti.
Do të duhej një vullnet më i madh politik dhe bashkëpunim më i fortë mes komuniteteve, përtej ngjyrave politike, për të kërkuar atë që u takon.
Çfarë vlere ka “kartoni” i një deputeti të pavarur?
Ardian Murraj: Si e keni përjetuar ndryshimin nga mazhoranca në pozicionin e deputetes së pavarur? Çfarë vlere ka vota e një deputeti të pavarur në një parlament ku në fund vendos shumica?
Mariana Koçeku: Të qenit deputete e mazhorancës të jep privilegje dhe akses më të madh. Por ky komoditet nuk ka qenë kurrë fokusi im.
Kalimi në statusin e deputetes së pavarur bazohet në vlera dhe parime. Sot kam diçka shumë të rëndësishme: lirinë për të vepruar në bazë të ndërgjegjes dhe bindjeve të mia.
Do të votoj për ligje dhe qëndrime politike që besoj se janë në të mirën publike dhe në të mirën e qytetarëve.
Në këtë mënyrë mund t’i ushtroj më plotësisht kompetencat që më njeh Kushtetuta.
Mendoj gjithashtu se Shqipëria duhet të përdorë më shumë mekanizmat e demokracisë së drejtpërdrejtë, përfshirë referendumin. Mund të marrim si referencë Zvicrën.
Besoj se qytetarët shqiptarë janë të gatshëm për një kulturë më të drejtpërdrejtë demokratike.
A do të krijojë një parti politike?
Artan Kutra: Protesta ka vijuar për një kohë të gjatë. Nëse kjo lëvizje do të merrte një formë politike, a do të ishit Ju në krye të një partie të re?
Mariana Koçeku: Unë nuk kam pasur dhe nuk kam pretendim mbi protestën apo mbi ecurinë e saj. Protesta më ka motivuar mua dhe më ka udhëhequr në veprimet e mia politike.
E kam mbështetur me pjesëmarrje, por edhe në institucione ndërkombëtare dhe në mediat ndërkombëtare.
Nuk mendoj se fitorja e protestës është domosdoshmërisht krijimi i një formacioni politik. Ajo ka pasur edhe fitore sociale e politike, sepse ka krijuar një kulturë të re proteste.
Nëse në të ardhmen kjo protestë do të përkthehej në një formacion politik, do ta mbështesja, sepse besoj shumë te të rinjtë që janë pjesë e saj.
Nëse unë do të jem pjesë apo jo, nuk mund ta them. Unë tashmë kam një funksion politik: tribunën e parlamentit.
Tre vitet e ardhshme si deputete e pavarur
Genc Burimi: Nëse nuk ktheheni në PS dhe nuk i bashkoheni një partie të re, çfarë alternative shikoni për të ardhmen politike?
Mariana Koçeku: Vendimi im është që deri në fund të këtij mandati të vazhdoj si deputete e pavarur.
Besoj se në këtë mënyrë e kryej më mirë funksionin tim, pa militantizëm politik, duke qenë zë i kauzave qytetare.
Nuk e përjashtoj ekzistencën e mundësive të tjera politike në të ardhmen, por dua të ec me hapa të sigurtë, siç kam bërë deri tani.
Për sistemin elektoral dhe listat e mbyllura
Unë mendoj se duhet bërë një dallim i qartë midis asaj që është politike dhe asaj që është partiake.
Partiakja është shumë më e kufizuar. Ndërsa vetë gjendja njerëzore është politike.
Nuk kam besim të mirëfilltë te ndonjë parti politike që më përfaqëson ashtu siç mendoj se duhet, mua dhe qytetarët shqiptarë.
Edhe sistemi ynë elektoral nuk e konsideroj aspak demokratik në formën aktuale. Unë vetë jam rezultat i listave të mbyllura, por jam kundër listave të mbyllura.
Shqipërisë i duhet një sistem më i hapur, ku qytetarët të kenë rol më të madh në përcaktimin e kandidatëve dhe përfaqësuesve të tyre.
Shpesh kemi parë në Kuvend figura që nuk flasin, nuk marrin kauza dhe krijojnë një boshllëk të madh mes përfaqësimit dhe qytetarëve.
Për atë që do të ndodhë pas tre vitesh, do të vendosin koha dhe qytetarët.
A ka një program politik për të ardhmen?
Genc Burimi: Të bësh politikë do të thotë të parashikosh dhe të kesh një vizion. A e keni menduar se ku do të jeni pas dy apo tre vitesh?
Mariana Koçeku: Roli i deputetit nuk është domosdoshmërisht të krijojë subjekte politike.
Kemi parë shumë subjekte politike të krijuara në Shqipëri. Nuk kam asgjë kundër krijimit të alternativave të reja, por nuk do t’ia falja vetes që të ngutesha.
Kam vetëm një vit në politikë dhe besoj se çdo njeriu i duhet kohë për t’i dëshmuar vetes dhe qytetarëve se çfarë është i aftë të bëjë politikisht dhe institucionalisht.
Roli i deputetit është të flasë në parlament, të jetë aktiv në komisione, të propozojë nisma ligjore dhe të jetë në kontakt me realitetin e komuniteteve.
Nuk kam frikë. Po të kisha frikë, nuk do të kisha marrë vendimet politike që kam marrë deri tani.
Nuk jam vetëm. Politikisht nuk mund të jesh kurrë vetëm. Njerëzit do të vendosin nëse identifikohen apo jo me atë që bëj dhe them.
Protesta, ndryshimi dhe roli i diasporës
Elida Buçpapaj: Ju simbolizoni GjenerataZ – që në Shqipëri është edhe shtylla kryesore e protestës, a do të na sjellë kjo gjeneratë, ndryshimin e kërkuar politik, kur kryeministri si darë e shtetit vazhdon shtrëngimin për t’ja marrë frymën shoqërisë dhe protestës, me censurë, me polici, me të gjitha mjetet e mundêshme e të bollshme që i ka shteti, i akuzuar rëndom për lidhjet e tij me të fortët e krimit të organizuar? Protestuesit thonë se ky Parlament nuk i përfaqëson. Shqiptarët dhe diaspora kërkojnë ndryshime thelbësore. A i bashkoheni kësaj pritshmërie dhe si mund të ndodhë ndryshimi?
Mariana Koçeku: Mendoj se shqiptarët nuk duhet të presin më. Kanë pritur mjaftueshëm dhe kjo pritje ka prodhuar edhe një lloj pasiviteti.
Nevojitet një mprehje e vetëdijes individuale, komunitare dhe qytetare.
Bashkimi i diasporës me kauzat qytetare dhe jehona e tyre në mediat ndërkombëtare ka sjellë edhe vëmendje institucionale.
Diaspora është parë shpesh si një aset elektoral. Mendoj se nuk është parë sa duhet si një burim kapacitetesh, profesionalizmi dhe përvoje që mund t’i shërbejë zhvillimit të vendit.
Kjo duhet të ndryshojë.
Kemi një momentum politik që nuk duhet nënvlerësuar. Protesta duhet të mbështetet me konsistencë dhe qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj asaj që bëjnë institucionet dhe përfaqësuesit e tyre.
Edhe mosveprimi është politik.
A e shihni veten në pushtetin lokal apo në Evropë?
Alba Kepi: Ju jeni shumë e lidhur me territorin tuaj. A e keni menduar ndonjëherë që kontributi Juaj mund të ishte më konkret në pushtetin lokal, në një këshill bashkiak apo në drejtimin e një bashkie? Apo e shihni veten në një të ardhme të largët në Parlamentin Evropian?
Mariana Koçeku: E respektoj shumë rolin e deputetit dhe forcën demokratike që mund të ketë për ndryshime shoqërore e politike. Ndihem mirë në këtë format përfaqësimi.
Nuk e kam konsideruar përfaqësimin lokal si një objektiv të afërt. Aktualisht jam e fokusuar në atë që jam dhe në rritjen graduale të cilësisë së përfaqësimit që ofroj si deputete.
Uroj që shumë të rinj të përgatitur të bashkohen në parlament, të rinj që janë larg militantizmit partiak dhe më të frymëzuar nga nevojat qytetare dhe mendësia evropiane.
Mendoj se Shqipëria nuk ka qenë kurrë në krizë për figura profesionale dhe me integritet. Ka qenë më shumë në krizë për lidership me kapital moral.
Jam optimiste për të ardhmen, sepse shqiptarët që kanë jetuar jashtë kanë një referencë të drejtpërdrejtë se si funksionon një shoqëri demokratike dhe e shëndetshme.
Kjo rrit edhe kërkesat dhe pritshmëritë ndaj politikës shqiptare.
Çfarë kërkon Perëndimi nga brezi i ri shqiptar?
Elida Buçpapaj: Duke ju ndjekur aktivitetet tuaja vë re se jeni shumë e ftuar dhe e mirëpritur si nga mediat europiane, ( në parantezë, marr si shembull intervistën tuaj në Revistën britanike më të vjetër të botës The Spectator, ku një nga ish kryeredaktorët ka qenë ish kryeministri Boris Johnson), ashtu edhe nga ftesat në vendet e zonës Euro-Atlantike, sapo jeni kthyer nga Brukseli, kishit ftesë nga parlamenti belg. Ju ishit e ftuar po ashtu në Forumin Strategjik të Bledit, Slloveni, ku u diskutua siguria, demokracia dhe e ardhmja e Ballkanit, kur për mendimin tim demokracia në Shqipëri është e nivelit nën zero, në Bled u takuat edhe me kryeministrin hungarez Péter Magyar, që simbolizon erën e re që largoi Orban, i të njëjtit lloj me Vuçiq, Robert Fiko apo Edi Rama? A mund të na tregoni se çfarë pret Perëndimi nga ju si pjestare e gjeneratës së re shqiptare?
Mariana Koçeku: Kam qenë pjesë e disa tryezave dhe takimeve me liderë dhe institucione politike perëndimore, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Mendoj se Perëndimi po i kushton një vëmendje të veçantë Ballkanit, por edhe fuqizimit të të rinjve.
Duke pasur parasysh sistemet dhe kulturat politike që kanë kaluar vendet tona, ekziston bindja se brezi i ri mund të jetë më pak i ndikuar nga këto mentalitete.
Mbështetja ndaj të rinjve lidhet me përgatitjen e një klase të re politike, me horizonte më të gjera dhe me një orientim të fortë euroatlantik.
Mendoj se edhe mbështetja që kam marrë lidhet me këtë kuadër.
Protesta pas më shumë se 100 ditësh
Skënder Buçpapaj: Si e shikoni protestën sot, krahasuar me fillimet e saj?
Mariana Koçeku: Protesta ka qenë në kulmin e saj kur unë isha në Bruksel, pak ditë pas largimit tim nga Partia Socialiste.
Ka pasur një rënie natyrale të vrullit dhe pjesëmarrjes, sidomos pas një vere me temperatura shumë të larta. Por ajo që ka rëndësi është se protesta vazhdon.
Ajo ka vazhduar çdo ditë, pa ndalesë, dhe kjo e bën një shembull të veçantë të rezistencës qytetare.
Për mua ka rëndësi edhe fakti që kjo protestë ka sjellë vëmendje ndërkombëtare ndaj Shqipërisë, ndaj çështjeve mjedisore dhe ndaj diskutimit për zonat e mbrojtura.
Alba Kepi: Zonja Koçeku, ju falënderojmë për këtë bisedë.
Mariana Koçeku: Faleminderit shumë. E shijova shumë këtë bisedë. Jam mirënjohëse që pata mundësinë t’ju takoj, edhe pse virtualisht, dhe shpresoj që të kemi mundësi të takohemi edhe fizikisht në Tiranë apo në vendet ku jetoni përtej kufijve të Shqipërisë.





Komentet