Qëndrimit të kryetarit të GPS Taulant Balla në Strasburg, në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE me pretendimin për të korrigjuar, saktësuar ose njohur Evropën se në legjislacionin shqiptar nuk ekziston togfjalëshi përcaktues Parku i “Vjosë-Nartës”, i duhet dhënë një përgjigje. Me një ironizim të nënkuptuar Balla tregonte se po, ka Park Kombëtar të “Vjosës” dhe Park të “Nartës”. Vërtetë një “Dije e thellë” që vjen nga njohja e legjislacionit apo dhe e shkencave të natyrës. Sjellja e Taulant Ballës me këtë argumentim në atë mjedis pluralist politik evropian si Strasburgu tregoi mungesën e etikës dhe u përfaqësua si pjesë injorante e politikës shqiptare që rrjedh nga arroganca. Ajo frymë arrogance që ushtrohet në Kuvendin e Shqipërisë nga mazhoranca socialiste dhe përcillet deri në Strasburg.
Si mund të shkosh vetëm pas dy emrave që na përfaqësoka legjislacioni dhe mbrosh të pambrojtshmen me një naivitet sipëror kur dihet botërisht dhe shkencërisht si Parku i Vjosë Nartës?
Rasti më i mirë ndoshta do të duhej të ishte dhënia fillimisht e një ore mësimi duke e kthyer mbase edhe njëherë Ballën në bankat e shkollës. Cilëndo sistemin 9-vjeçar të sotmin (8-vjeçaren e dikurshme) apo të mesmen. E rëndësishme është që ky kryetar i deputetëve rilindës t’i freskojë pak dijet në lëndët e gjeografisë fizike të Shqipërisë si dhe biologjinë, në qoftë se me google apo “chat-gpt’ nuk ja del dot.
Një pyetje tjetër do të ishte se, kush ua ka marrë këtyre përfaqësuesve të kuvendit mënyrat e mirësjelljes?
Sinqerisht mbetesh i zhgënjyer pasi koncepte si biodiversiteti dhe ekosistemi që janë thelbësore në hartimin e një legjislacioni kur ftohen dhe dëgjohen specialistët e fushës, por në përdorimin dhe në diskutimet e përditshme tek politikanë të tillë dihet dhe është provuar se mendjen dhe shpirtin ata/ato e kanë shitur më parë tek dijet mbi “Zonat Kadastrale” se sa interesat për mbrojtjen e Natyrës. Prandaj Zonat e Mbrojtura Natyrore janë fshirë nga fjalori, përdorimi e ca më shumë nga legjislacioni.
Për këtë rast të parë i pandryshuar nga sa ATSH-ja si mjet i propagandës së qeverisë Rama kërkon të vendosë retorikë politike jo vetëm me kundërshtarët, por edhe kundër ligjeve të natyrës dhe atyre njohurive që kanë formuluar me përpjekje shkencëtarët e huaj dhe ata nga e gjithë bota, gjithkush prej tyre do të mbetej i shokuar për çka deklaron Balla:-“Ekziston Parku Kombëtar i Vjosës dhe Parku i Nartës. Nuk janë një park i vetëm. Parku i Vjosës është zonë e mbrojtur 100 për qind dhe Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka një park të tillë. Në këtë aspekt duhet të mësoni prej nesh, jo të na jepni mësime.”
Pas kësaj arrogance kur thuhet se:-“…duhet të mësoni prej nesh, jo të na jepni mësime“, vlerat humbasin dhe harrohen me vitet e qëndrimit në pushtet të socialistëve të cilët me Vjosën janë ndeshur herët, që në vitet e para të qeverisjes 13-14 vite më parë. Me sa duket Balla i ka fshirë nga memoria veprimtaritë ndërgjegjësuese mjedisore si për mbrojtjen e Lumit Vjosa me fqinjët e Jugut, Greqinë dhe 10 vite më parë kur protestat e asaj kohe ndërprenë ndërtimin e digave dhe ndërhyrjeve në shtratin e lumit., por edhe më vonë. Rama dhe Balla nuk duan ta mbajnë mend presionin e qytetarëve atëherë dhe të institucioneve ndërkombëtare, por pragmatizmin për t’i marrë kreditë e zbatuan. Ata ende mbajnë gradat dhe medaljet e krenarisë kur Vjosa u shpall pasuri botërore dhe mbi bazë të saj japin leksione mbi natyrën dhe mjedisin.
Por sa e ndryshon dhe si kuptohet grykëderdhja e Lumit Vjosa në Detin Adriatik kur Vjosën dhe Nartën ata i shohin të ndara. Një nga organizatat e njohura PPNEA*, është shprehur se dy emrat janë administrativ, por kurrë se si në kuptimin shkencor:-“Në fakt, nuk ka asnjë debat real mes emërtimeve ‘Vjosë–Nartë’ dhe ‘Pishë Poro-Nartë’ ku përfshihet dhe Zvërneci. Kronologjia është e thjeshtë: prej 2004 deri në vitin 2022, zona e mbrojtur njihej zyrtarisht si “Vjosë-Nartë” dhe përfshinte Lagunën e Nartës, Zvërnecin dhe habitatet përreth si një ekosistem i vetëm. Pas një vendimi të qeverisë në vitin 2022, kufijtë dhe emërtimi administrativ u ndryshua dhe u bë ‘Pishë Poro–Nartë’.”*
Pra flasim për habitate dhe një ekosistem që është krijuar prej rrjedhjes qindra mijë vjeçare të Lumit Vjosa që me prurjet e saj ka krijuar dunat e rërës, Lagunën e Nartës dhe të Peizazhin e Mbrojtur të Zvërnecit.
Një problem i dytë që i duhet vënë në dukje pa ironi Taulant Ballës mbi fjalën në Strasburg është sipas ATSH-s kur ai u bë mbrojtës i një ideje që është luftuar nga qytetarët dhe institucionet ndërkombëtare si dhe medias që në fillesë. Bëhet fjalë për Aeroportin e Vlorës të cilin Balla nuk e quan një shqetësim mjedisor, por është:-“Kjo luftë për aeroportin e Vlorës nuk ka të bëjë fare me çështjet mjedisore. Ka të bëjë me konkurrencën. Shqipërisë i nevojitet një aeroport në jug“ dhe si për të mos mjaftuar kjo, Balla u jep leksion evropianëve si të ishte altoparlanti i kryeministrit duke përsëritur se:-“Lufta më e madhe për demokracinë është lufta kundër dezinformimit dhe këtë betejë duhet ta zhvillojmë së bashku“.
Nga gjithë kjo narrativë e propagandës kupton se, fjalët mjedis, ekologji, ekosistem, biodiversitet, zona të mbrojtura, shpend të rrallë, fond i pasurisë botërore, Pelikan, Flamingo dhe Lumë si ai i protestës qytetare që ka pushtuar sheshet dhe rrugët e Tiranës janë pjesë e shpikjes më të re të armiqve të pushtetit të Rilindjes Socialiste në përgjithësi dhe të Ramës në veçanti për dorëheqje.
Sa për Vjosë-Nartën, zona unike të Peizazhit të Mbrojtur, në Shqipëri përfaqësojnë një ekosistem ligatinor dhe bregdetar me rëndësi botërore, që aktualisht ndodhet nën kërcënim të rëndë nga ndërtimet e paligjshme dhe shkatërrimi duke e përjashtuar rolin e njeriut si ajo pjesë e ndërgjegjshme e biodiversitetit që bashkëjeton me natyrën, i mbron habitatet dhe pasuron jetën e planetit.
______
* PPNEA– Protection and Preservation of Nature in Albania
10 Korrik, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)