Rreth veprës “Çeçenizimi i Kosovës me Albin Kurtin” të Sabri Maxhunit (Novosella)
Në vazhdim të përcjelljes së kredos së tij politiko-atdhetare për një Kosovë dhe një shqiptari të vendosur në anën e duhur të historisë, në epokën e shanseve të vërteta që iu ofrojnë shqiptarëve ndërkombëtarët, posaçërisht aleanca katoliko-protestante, Sabri Maxhuni Novosella, në veprën e tij të radhës, ndalet në realitetet e agravuara politike në Prishtinë dhe në denoncimin e kauzave të rreme të shtabeve partiake jakobine, siç i quan ai jeniçerët e një oborri politik të përflakur nga duhma e agresivitetit dhe përçarjes mes shqiptarëve.
Ngjarjet politike të kohëve të fundit në Kosovë, me rrethanat dhe protagonistët e tyre, me mllefet, hatërmbetjet, kërcënimet e deri te sulmet me gazlotsjellës, nuk mund të mos linin gjurmë në hapësirën mbarëshqiptare të qasjeve mediatike e më gjërë, të mendimit shqiptar në përgjithësi.
Ajo që konturohet dukshëm në këtë realitet të tejndezur nga përballja mes qeverisë së Kosovës dhe opozitës, kryesisht Lëvizjes VV, është tendenca e disa të vetëshpallurve “nacionalistë” të thekur për t’i zgjidhur çështjet e shtruara prej tyre me metoda bolshevike.
Këtu, në këtë pikë merr spunton libri publicistik “Çeçenizimi i Kosovës me Albin Kurtin”, i autorit Sabri Maxhuni, që tenton të na japë një diagnostikim të realitetit politik e më gjërë në Kosovë, duke zbërthyer mekanizmat e protagonistëve më fanatikë të VV, në demarrshet e tyre për të kontrolluar qeverinë dhe përkrahësit e saj, vetë popullin e Kosovës, me alternativa dhe mjete të dyshimta, jo demokratike dhe jo në përputhje me principet e shoqërive të hapura.
Megjithëse zhanri është publicistik, autori përcjell dhe mjaft qasje historike, të ndodhura, ide dhe mesazhe, të cilat i jep me një gjuhë të zhdërvjellët, në përputhje me karakterin investigativo-polemik, që zotëron lëndën e këtij libri.
Toni polemik, që sundon qasjet e analistit drejt kësaj tematike, nuk e zbeh fuqinë e investigimit, thellësinë e kërkimit të së vërtetës së shpalosur dhe kthjelltësinë e diagnostikimit të plagëve politike të kohës në Kosovë.
Sabri Maxhuni Novosella nuk është hera e parë që argumenton dhe mbron devizën e popullit shqiptar të Kosovës, të cilën e shikon në simbiozë me aleancën euroatlantike (ai e quan Aleanca Protestanto-Katolike), e cila mundësoi që ky shekull që po shkon drejt mbarimit të çerekut të tij, të konsiderohet shekulli i shqiptarëve.
Në këtë shekull, nënvizon autori, është mëkat kolektiv që ne shqiptarët të humbim pikat e orientimit dhe qasjen e duhur, duke u përsjellë në qerthuj iluzonesh të rremë, siç na ka ndodhur jo rrallë në historinë tonë të trazuar dhe plot enigma.
Përkundër këtij realiteti që na ka ofruar ne shqiptarëve të gjitha shanset e mundshme të një ere të re, e cila po fryn ndjeshëm në aktualitetin tonë, fragmente politike ekstremizmi, nën petkun e një “nacionalizmi jakobin”, siç e quan atë Maxhuni, tenton të mbajë peng zhvillimet demokratike dhe kursin e ri të shtetit të Kosovës.
As më pak e as më shumë, protagonistët VV, me Albin Kurtin në krye, duke iu kundërvënë faktorit ndërkombëtar në Kosovë, kërkojnë ta kthejnë Kosovën në një Çeçeni të Ballkanit.
Krahasimi me Çeçeninë, si një realitet pansllav në një Evropë të trazuar nga mitologjia nacionaliste, i jep dorë autorit të na japë një Kosovë, e cila ndërkohë që rrugëton drejt një demokracie funksionale dhe projekton një të nesërme më të mirë e më të sigurtë për qytetarët e saj, ndihet e kërcënuar nga brenda, nga një pjesë e saj që tenton të identifikohet me dhunë, me kauzën e të gjithë shqiptarëve të Kosovës.
Fryma që përçohet në emër të një “nacionalizmi të pamundur”, mjetet e përdorura, qasjet dhe synimet e mundshme të këtij reparti partiak të komanduar nga Albin Kurti, siç argumenton me fakte dhe detaje të holla autori i këtij libri, të çojnë drejt skutave të errëta e kutërbuese të konspiracionit antishqiptar.
Po kush janë këto të vetëshpallur “shpëtues” të Kosovës, që “me ura zjarri në dorë”, siç shkruan autori, i janë vërsulur Kuvendit të Kosovës, qeverisë, institucioneve dhe të gjithë atyre që besojnë tek demokracia dhe integrimi?!
Maxhuni ngre zërin prej intelektuali e mendimtari iluminist kundër një psikologjie të sëmurë që po sendërtohet sot nga njëri prej oborreve politike të Prishtinës, “Lëvizja Vetëvendosje” dhe disa figura partiake të tejkonsumuara në demarrshet e tyre agresive deri në patologji, për të mbajtur peng normalitetin në shtetin më të ri të kontinentit të vjetër.
Fryma e ngecjes dhe stanjacionit, tash sa kohë po shoqërohet nga ky oborr me ide dhe veprime jakobine (kështu i quan Maxhuni), të cilat i kundërvihen realitetit të ri në Kosovë.
Shpallja e ndërkombëtarëve prejt VV-istëve si “armiq” të Kosovës, sipas Maxhunit, është një lojë konspirative, që po luhet në kurriz të shqiptarëve në Kosovë, në epokën e shansit të tyre të vërtetë historik, që iu është ofruar nga të qenit e tyre në anën e Aleancës Euroatlantike.
Në këtë vektor të përndezur nga sharmi “atdhetar”, Albin Kurti dhe të tijët mund të luftojnë për gjithçka, por jo për një realitet më demokartik dhe me më shumë prosporitet për popullin e Kosovës.
Duhet thënë se në shkrimtarinë e tij ku sundojnë tonet polemike, Maxhuni nuk merret me personat që mbartin këtë frymë konfliktualiteti, por me lidhjet në zinxhirin e vështirë shkak–pasojë, të cilat kanë bërë që Kosova të ndodhet nën terrorin e gazitlotsjellës dhe paranojave të psikozave përjashtuese dhe totalitare.
Po kush janë këto “heronj”, që në vend të “spaletave” të luftërave të mundshme, na ofrojnë “letrat” e zverdhura të kospiracionit antishqiptar?!
Maxhuni dëshmon se ata nuk u bënë të tillë brenda ditës, as brenda pak ditëve, mujave e viteve; sipas tij, ata kanë qenë në kohën e duhur dhe vendin e duhur, të thirrur nga ustallarët e duhur, për të bërë atë që po bëjnë me ritme agresive në Kosovë.
Autori gërmon në larminë e fakteve dhe zbulon se, bie fjala, “anglishtja perfekte” e Albin Kurtit, mësuar brenda disa muajve në burgjet politike serbe, ishte pjesë e “misionit” të tij të nisur në skutat e errëta të konspiracionit antishqiptar, për ta përgatitur atë si “Kalë Troje” brenda politikës shqiptare të Prishtinës.
Ajo që ka ndodhur në fakt me VV-në është zhvendosja e debatit dhe e fokusit jashtë institucioneve duke bllokuar Kuvendin dhe duke paralizuar në një farë mase jetën publike në Kosovë, çfarë ka bërë që të dëmtohet jo vetëm imazhi i shqiptarëve të Kosovës për të bërë një shtet demokratik e funksional por dhe vetë normaliteti i jetës dhe rendit qytetar në këtë vend, gjë që Maxhuni e denoncon me forcë dhe bën thirrje që shtabi frentik i Vetëvendosjes të heqë dorë nga aventurierizmi që ushqehet nga konspiracioni.
Sipas Maxhunit, qëndrimi i Kurtit dhe dishepujve të tij është një qnëdrim koherent, i përcaktuar nga roli që i kanë ofruar të luajë ustallarët, që nga Marrëveshja e Rambujesë, në luftën e Kosovës, në burgimin e tij nga serbët të stisur e të proklamuar me bujë etj.
Histori të këtij soj nuk mund tu serviren shqiptarëve si “nacionalizëm”, pasi nacionalizmi nuk minon shanset e historisë dhe ogurin e mbarë të popullit të tij, por ndihmon që këto të ndodhin sa më shpejt, sa më natyrshëm e me sa më shumë produktivitet në këto rrethana të aktualitetit mbarëshqiptar.
Jo vetëm në këtë libër, por në të gjitha qëndrimet e tij mediatike e më gjërë, Maxhuni aplikon filozofinë politike në kushtet e të mundshmes dhe pamundshmes, ku e pamundshmja si dhe në këtë vepër të tij, përcillet me tone denoncuese, si alibi e jakobinizmit politik, për të dëmtuar kordinimin shqiptar me aleancën Katoliko-Protestante, që autori e shikon si një mundësi dhe prelud të të gjitha shanseve që na janë afruar ne shqiptarëve, në historinë tonë të lashtë e shpesh të keqkuptuar.
Për fat të keq, këtë mesazh nuk e kanë kuptuar si duhet politikanët tanë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, të cilët vazhdojnë të ecin jo rrallë në rrugët e të pamundshmes, duke dëshmuar se historia po përsëritet në pikat e saj më të dobëta dhe më të errëta.
Stili konçiz dhe i zhdërvjellët, detajet e sjella në një zhbirim të imët, përqasës dhe investigues, koloriti i pasur gjuhësor dhe stilistik ku me pak fjalë e fraza thuhet shumëçka, mesazhet e freskëta dhe me rëndësi që fokusohen në qëndrimet e një analisti të angazhuar në frontin e të drejtës së popullit të tij, një lloj ironie që herë herë duket e zhduket në vizatimin piktural që autori iu bën presonazheve të tij, gjithë kjo e të tjera që nuk është vendi të renditen në këtë shkrim, e bëjnë librin “Çeçenizimi i Kosovës me Albin Kurtin” të Sabri Maxhunit (Novosella) të lexohet me një frymë.
Dhe kësisoj, pas leximit të parë vjen leximi I dytë që të përcillet si një zbulim i beftë dhe sensacional i disa të vërtetave që duhen thënë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, që ne shqiptarët të mos biem në të njejtat gracka dhe historia të mos na përsëritet në defektet dhe plagët tona të trashëguara.
Komentet