Karroca e bashkisë që shpinte trupat pa jetë në banesën e fundit ose si quhej ndryshe “karroca e të varfërve” kishte atë ditë të 1 Qershorit të vitit 1885-s një mision të pazakontë. Në 22 Maj të atij viti kishte pushuar një zemër që me rrahjet e saj kishte matur epoka, kishte heshtur mendja që kishte ushqyer kulturën, por edhe gjeniu që kishte krijuar për universalitetin. Dukej sikur edhe kuajt e lodhur nga ky mision funebër që fati iu kishte ngarkuar, e kishin kuptuar se do të tërhiqnin më shumë se një trup që nuk frymonte më. Heshtja kishte pllakosur anë e kënd. Një milion njerëz kishin mbajtur pezull frymën tek prisnin të përcillnin Gjeniun. Gjithçka tregonte se dhe qyteti e më tej në të gjithë Francën dhe Europën dhimbja për ikjen e atij që krijoi art gjithëkohor, atij që u përpoq të maste duke i zgjeruar dimensionet e lirisë, njeriut të frymëzuar vetëm nga dashuria për njeriun, kishte krijuar dhimbjen dhe kishte lënë helmin e mortit…! Viktor Hygo nuk jetonte më. Brenda arkmortit pushonte “njeriu i pasioneve të thella”. Pas pak muajsh bash në 1 Qershor 2015 mbushen rrumbullak 130 vite nga ajo ditë e pikëllimit të thellë dhe honit që u krijua tek njerëzimi i cili përzishëm po e shpinte në banesën e fundit. Ishte ndalur një zemër që i kishte kënduar pasionit për artin, që e nisi me poezinë, u ngjit me teatrin, dhe kulmoi me romanin. Një zemër e pasionit për familjen, e cila nga rrënjët e të parëve datonte me vitin 1532 dhe që së paku me provën e dokumentit, i pari i tyre i njohur kishte qenë Pierre Antoine Hugo, i cili kishte shërbyer si këshilltari personal i Dukës së Madhë të Lorenës. Deri ku shkojnë rrënjët? I njohur është ky fakt, e panjohura ishte turbulluar nga zhdukja e dokumenteve. Krenaria e tij për të parët e vet kishte qenë sublime. Familja me të atin, Jozeph-Leoppld –Sigisbert-Hygo lindur në Nansi (Meurthe) më 13 Nëntor 1773, me nënën Sofi Fransuaz Trebushe e lindur më 19 Qershor 1772 në Nantë dhe me dy vëllezërit e tij. Familja që vet Viktori krijoi duke u martuar që në moshën 20-vjeçare, dhe fëmijët që lindi me Adelën, si dhe fëmijët e fëmijëve, kishin pasur secili një vend special në zemrën e tij. Të gjithë kishin provuar nga dashuria e tij, kishin përjetuar nga tallazimet, ishin ushqyer nga vrullet, ndaj dhe ishin prova e gjallë e përthithjes nga shpirt-oqeani hygonian, i cili herë ishte i qetë nën paqen e diellit që ngrihej e shkonte të flinte në fund të ditës, e herë të tjera tallazonte me zemërim e zhgulm, duke përzierë thellësitë e errëta me sipërfaqen llamburitëse, brigjet e largëta të horizontit që krijonin dimensionet e paana me enigmat e dilemat, paradokset me rrëfenjat, porse në të gjitha rastet duke kënduar këngën e lirisë. Në një farë kuptimi do të thoja se, e gjithë jeta e njeriut dhe personalitetit të Viktor Hygo është “pelegrinazhi i lirisë”, si një simfonizëm që ka brenda gjithçka, që nga tonet e buta baritore e deri tek marshi funebër, nga minuetat e puthjeve të dlira, e deri tek fortisimot e pasioneve mashkullore që e dallonin atë shpirt e atë trup burrëror, i cili kishte puthur pa pengim, kishte dashuruar pa u vetëpërmbajtur dhe kishte bërë të lumtur universin femëror aq sa mund të themi, se kishte dehur dhe ajrin e kohës në disa dhjetëvjeçarë të shekullit XIX, që nisi me ardhjen e tij në jetë më 26 shkurt 1802 dhe që u mbyll me heshtjen e tij kur ai mbylli sytë përgjithmonë më 22 maj 1885. Koha shteret si jetë një ditë, por fryma që e mbush atë mbetet, ndaj dhe ajri hugonian mbetet i pranishëm. Ta thithësh atë duhet dashuri për kulturën, ta ndjesh lypset që në dejet e tua universi hygonian të lëvizi si orientim lirie. Të ushqesh mendjen me atë krijimtari do të thotë që pushtet të quash njeriun, ndërsa njeriun që matet me autoritetin e pushtetit ta sigmatizosh duke e sfiduar si një “Napoleon të Vogël”. Si thoshte Viktor Hygo:”Liria është dashuri për ata që punojnë, urrejtje për ata që dëmtojnë, dashuri për ata që shërbejnë, mëshirë për ata që vuajnë!” Madhështia e Viktor Hygoit shpërfaqet në të qenit vetëm i pavarur, pa zinxhirë dogmash.
* * *
Ishte ndalur furia e pasionit për dashurinë trupore aq të vrullshme që e shoqëroi jetën e tij në afeksionet dhe dashuritë me to. Gjatë gjithë jetës “gjeniu” kishte qenë një burrë i admiruar, një artist i dëshiruar, mashkulli i adhuruar. Zhuljeta e dashura e tij për 50 vjet e la skenën vetëm për të dhe, dramaturgjinë e shkruar e zëvendësoi me një tjetër lloj drame-romancë që për nga përmasat ka qenë model, për nga përkushtimi ka qenë pasion gruaje që nuk mund ta braktiste atë që e quante dashuria e jetës, për nga adhurimi është një shembull historie që edhe sot të frymëzon…! Ajo sakrifikoi për tu ngritur lart në zenith gjeniu. Zhuljeta e dhuroi jetën e saj duke qenë për gjysmëshekulli frymëzim dhe shërbenjëse, pa kontributin e së cilës fatkeqësisht pjesë nga veprat e tij mund edhe të humbisnin. Ajo zbardhte shënimet e tij duke lexuar jo thjesht mbi letra shënimet, por dukej se nën gjurmët e frymës krijuese të Viktor Hygoit Zhuljeta i ka bërë një shërbim të paçmuar njerëzimit. I fali atij mashkulli vullkanik rininë, epshin, pasionin, jetën! Edhe në vitet e thella të moshës ai nuk u zbraz, nuk rreshti, nuk e refuzoi aventurën. Ndërsa Zhuljeta në asnjë rrethanë nuk e kaloi masën, nuk shkoi deri atje sa ta fyente familjen e tij në dinjitet; nuk u ngas marrëzisht për tu dalldisur pa marrë në konsideratë Adelën, gruan e jetës së Viktor Hygoit. Zhuljeta herë si prezencë e herë si hije, herë si pasion e herë si aromë gruaje, herë si trup e herë si afsh, herë si shpatulla ku mund të mbështetesh, e herë si drita e muzës, e shoqëroi Viktor Hygoin kudo, madje edhe në mërgim, dhe në vetminë e thellë, dhe në fatkeqësitë e mëdha, ku retë e shpirtit dhe shtrëngata e marazit që aq ligësht e goditën atë njeri. Zhuljeta ishte si një ylber edhe kur qielli i tij ishte goditur nga brengat therëse dhe në kohën e ditëve që pakësoheshin për të mbaruar në fundjetë. Njeriu Viktor Hygo e dashuronte atë femër dhe hiret e saj, e respektonte atë grua thellësisht, ishte mirënjohës për të deri në amshim. Ikja e Zhuljetës nga jeta në 11 Maj 1883 kishte ardhur për të si një goditje gati fatale, ndaj dhe ai i tha: “Së shpejti e shtrenjta ime, do të vi të bashkohem me ty”. Një përbetim pa kthim ky, i barabartë me një dramë, plotë mirëkuptime si një roman, një dëlirësi që vlen sa një poemë. Është rrëfenjë e një jete, e tek pasmja është një frazë fryme e njëjtë me një ideal njerëzor. Vokacioni për dashurinë është prizmi fatal për këdo, ndaj edhe për atë që dashurisë i morri pjalmin dhe i gjeti binjakun në art dhe shprehjen në jetën e tij. Ai kishte shpërfaqur kësisoj stacionin e tij eternal. Viktor Hygoi do të mbetej tek krahët e asaj gruaje që e kishte adhuruar dhe që i kishte pranuar atij gjithçka dhe çdo gjë. Kishte mjaftuar në këtë dashuri edhe një fjalë. “Të dua” ! Ishte mbajtur si premtim jete, qe përjetuar si frymëzim dhe devotshmëri brenda një çifti që si në një fushë magnetike patën shërbyer si polet për të krijuar baticat dhe zbaticat aq të pranueshme në jetën njerëzore. Në të gjithë këtë tallazim ata si burrë e grua, si mashkull e femër, si pasion dhe përkushtim, kishin qenë gjithnjë deti dhe bregu. ViktorDeti ose DetiViktor dhe ZhuljetaBregu ose BrigjetZhuljeta. Ata ndoshta janë ende të përqafuar e duke u puthur si në puthjen e tyre të parë sepse mjafton një e tillë magjike që të kuptosh se ndjen, se je njeri, se je qenie e gatuar me dashurinë si bir dhe skllav i saja. Fjalët e Zhuljetës në letrën e saj të fundit dërguar Viktor Hygoit më 1 Janar 1883 gati pesë muaj para se ajo të ndërronte jetë edhe sot nuk pranojnë koment, brenda tyre gjen gjithçka.” I adhuruari im, nuk e di ku do jem mot në këtë kohë, por jam e lumtur dhe krenare të të dëshmoj edhe këtë vit fjalën e vetme.”Të dua”. Një pasion që ishte ndezur, kishte shpërthyer, ishte djegur e përflakur për 50 vite duke krijuar art, dëshirë, epsh, përdëllime, muzë, kishte brenda gjithçka. Ndoshta si një magmë u derdh nga vullkani i atyre ngjarjeve që përbënin jetën e tyre. I kundruar nga dritëhijet e dashurisë së një femre e cila të adhuron, mashkulli ka fatin të kuptojë se cili ka qenë është dhe do të jetë, edhe pasi t’i jetë dorëzuar vdekjes. Dashuri të tilla si pa u vënë re i kanë shërbyer njerëzimit pasi kanë ushqyer gjithçka që tek njeriu i artit apo fushave të tjera mund të mos lindnin. Të ngjizësh frymëzimin e një burri është punë me vlerë. Porse kur bëhet fjalë për një gjeni, e gjithë kjo do të thotë të kesh fekonduar si Minerva veprën shumëdimensionale. FALEMINDERIT ZHULJETË! Ndoshta prej kohësh vijon të kujdesesh për çka Viktor Hygoi shkruan në eter apo belbëzon hapësirave qiellore. Ose je duke rilexuar ato çka ai shkruajti dikur dhe me zërin tënd të mekur nuk ndalesh në misionin eternal t’i tërheqësh vëmendjen njerëzimit që ai t’i rikthehet pathosit, arsyes dhe hygo-oqeanizmit dijësor, sepse ndryshe mund të pllakosi verbëria. Mbase me duart e tua e ledhaton atë burrë ende, duke na lëshuar mesazhin se edhe kur ikim nga kjo botë, avujt e dashurisë mbeten si kujtimet e vegimet e mekura dhe aromat si lulet e thara dikur aromatike. Ne duhet veç të lexojmë sintaksën e tyre. Ndoshta?! Ndoshta?! Presim mesazhet e tua Zhuljet, qoftë edhe një varg apo pasthirrmë nga ajo që mund ta quanim sot pas 130 vitesh, hygolianizmi qiellor!Ndoshta jeni bashkë me Adelën dhe kujdeseni të dyja pa rivalitet për gjeniun-djalosh që ai krijoi për universin e Nekropolit…Po ju lë në qetësinë tuaj të amshuar dhe rekem që qiejve të gjej ndonjë shenjë yjesh e kombinimesh konstulaiconesh për të marrë qoftë edhe ndonjë grimë nga ajo që ndodh me Viktor Hygoin e qiellit….!Tek kuajt e karrocës turfullojnë dhe presin me ankth që rrotat të lëvizin do duhet që rrëfimi për jetën tuaj të vijojë. Le të shkojmë mjeshtëri Viktor Hygo tek familja Foucher e cila banonte në Hotel de Toulouse në rrugën “Du Cherche-Midi”. Ato pasdite në shtëpinë e saj ku lexohej dhe qetësia e etika katolike përcaktonte gjithçka në sjelljen e njerëzve, në komunikimin e tyre, ishit dhe ju. Atje në atë familje Viktor ju zbuluat një lule të bukur njerëzore Adelën, e cila u rrit para syve të tu e tek e shihnit që ajo merrte format e një vajze të athme e hiret e saja kishin aromë. Dëshira ju shtohej deri sa u ndez si zjarr dashurie, erdhi nga brenda si imagjinatë, u rrit si pasion dhe u derdh si uragan. Ata po rriteshin aq pranë sa që pa u vënë re nga miqësia e fëmijërisë u kalua në ndjenjat e thella të të rinjve që turbullon gjithçka të qenies njerëzore. Ajo ditë e muajit të luleve, pikërisht më 26 Prill 1819, Viktori ishte vetëm 17 vjeç kur i pohoi Adelës me një zë të dridhur se e dashuronte…Ishte si një dehje me pjalm dashurie. Tre gjëra nënvizon Viktor Hygoi për të treguar dashurinë e tij: “guximin prej luani, sigurinë mbi tokë ta jep të qenit i dashuruar, dhe se kjo lloj sigurie të ngjall gjithë qenien…!” Dashuria e tyre vijon si në një roman,(tek romani “Të Mjerët” ka një përthithje të kësaj romance dhe përcjellje tek personazhet, veçanërisht tek Mariusi) Largësia shkurtohet nga letërkëmbimi i tyre.
Dy vjet korrespondencë e zjarrtë nga Janari 1820 deri në Tetor 1822. Sa kurioz jam e besoj jo vetëm unë, të lexojë në mënyrë integrale ato letra. Si hapen dhe mbyllen ato, si ndizet pasioni dhe si komandohet padurimi, si paqtohen shpirtrat dhe si mbyten xhelozitë e kota, si shpallen përbetimet dhe ç’është siguria në emër të dashurisë së jetës? E gjithë kjo muzikë dashurie kishte vetëm një motiv. Djaloshi Viktor Hygo donte të merrte përgjigjen nga Adela, “a më do sa të dua”? Sa e vjetër dhe e re kjo dilemë?! Në të gjitha kohërat përbetimi për dashurinë e madhe dhe të thellë nuk kanë munguar, por se personalisht do të parapëlqeja të thoja se ka më shumë kuptim të themi:”Të dua vetëm ty”. Sasia dhe dimensionet fizike nuk do të mjaftonin për të shprehur këtë ndjenjë sublime. Njeriu nga natyra është poligam dhe nuk mund ta mbajë dot këtë premtim. Hygoi nuk mund të bënte përjashtim nga ky vrull dhe energji që e bën njeriun luftëtar të aventurave të tij. Letrat e dashurisë djaloshi i mbyllte me përbetimin që ai e mbajti dhe nuk e tradhtoi deri në fund, “Yt shoq”. Si pak kush ai shkruajti vëllimin poetik,”Letra së Fejuarës”, vargje që tronditin për një romancë dashurie që do të sillte martesën, fëmijët, jetën e lumtur, privacionet, sakrificat, largësinë, trishtimin, dhimbjet, dhe deri ndarjen nga vdekja. Brenda atyre rreshtave nuk mund të mendohej se si do ishte thjesht jeta e tyre, por se një gjë me mjaft rëndësi ishte dhe mbeti si pengu i jetës. Adela u bë dhe ishte e vetmja grua me të cilën Viktor Hygoi vuri kurorë. Të gjitha femrat e tjera, aq të shumta në jetën e tij si një mashkull potent dhe hypersexual, kishin qenë vetëm pjesë e dekorit të teatrit të tij të jetës, ku ato luajtën rolin e aktoreve të tradhtisë. Pasioni tradhton dashuria jo, veç se dashuria mund të jetë më shumë se një. Adela ishte krijuar të donte dhe të falte. Ajo kurrë nuk e braktisi njeriun Viktor Hygo, i dashuroi atij gjithçka duke i falur gjithçka. Modele të tilla janë të rralla dhe gati engjëllore. Falë një sjellje të tillë gjeniu nuk u pengua të jetonte si bohem dhe të krijonte si uragan. Mirësia e Adelës lejoi që asgjë mos vdiste pa lindur nga miniera hygoiane për shkak të prishjes së humorit nga marrëzitë femërore, të cilat jo rrallë në histori kanë prishur punë, kur fati i ka vënë pranë gjenive. Adela dhuroi mirësi dhe tolerancë atëherë kur pasioni u venit dhe trupi e bëri të pamundur që ajo të kënaqte epshin e tij marok. Mirënjohje Adela Foucher që u shndërrove në Adela Hygo! Ndërsa Viktor Hygoit nuk ia pengove frymëzimin.
Mbërritja tek ai prag erdhi falë një episodi që provoi atë që thuhet se dashuria nuk mund të fshihet. Në 26 Prill 1820 fiks një vit pas propozimit dhe shprehjes së dashurisë këputet si një gjethe e i bie në shesh një letër dhe Adela pohon gjithçka. Si një vajzë e dlirë dhe një katolike e edukuar ajo nuk dinte të gënjente, ishte gatuar për të vërtetën, urrente dredhitë dhe fshehjet. Sa e paturp do të dukej gjithçka nëse ajo do të mohonte atë që ndjente e ushqente. Qoftë edhe në një skenar imagjinar, ne do të kuptonim se si do të ndryshonte jo thjesht rrjedha e një dashurie, por jeta e një gjeniu e bashkë me të jo pak dhe ndikimi tij në kohën që jetoi dhe përtej saj. Më trondit nëse vetëm e mendoj, se Adela do mohonte dashurinë dhe do ta refuzonte atë nga frika. Sa e tmerrshme do të ishte për Viktorin, sa zhgënjyese dhe dërmonjëse. Situata precipitoi në një lloj karantine, asnjë letër për të asnjë kontakt, porse dashuria hap çdo derë, kapërcen çdo pengesë, sepse është si ajri që murre nuk ka dhe murre nuk sheh. Dashuria e gjen shtegun dhe mbërrin atje ku nuk mund të mos shkohet dot. Dashuria nuk është kompromisi me atë që nuk duhet të ndodhë, por është historia e shpirtit, e trupit dhe pasionit që ndërtojnë si eshtra çdo lloj historie, nga ato të artit deri tek ato politike, nga ato të shpirtit deri tek ato të pushtetit…Pa dashurinë e vërtetë bota do të ishte një sterilitet i frikshëm, një gjë pa shije, pa aromë, pa ngjyrim dhe pa frymëzim. Djaloshi Viktor Hygo nuk ishte nga ata që mund të tërhiqej, nuk ishte nga ai brumë i athët i fatalistëve, dhe të nënshtruarve. Ai kishte lindur me kocka, mish dhe pasion luftëtari. Si njeri ishte gatuar të tregonte se dinte të bënte dashuri, të krijonte dhe të përthithte dashuri. Jeta e vet e provoi këtë tipar e sjellje të tij edhe në moshën e thellë. Dashuria kur ndez nuk mund të ndalet, është si flakët që era i fryn e tek fiken diku rindizen gjetiu. Dashuria e vërtetë hyn brenda njeriut e mandej portat mbyllen për të mos u hapur. Fillimisht humbasin çelësat e pastaj dhe vetë dyert. Të kam brenda meje pa kthim ky është betimi më besnik. Ajo dashuri kishte pushtuar shpirtrat, trupat, mendjet, pasionet, frymëzimin. Viktor Hygoi shkruajti në atë kohë romanin fantastik Han d’Island-dashuria e një djaloshi dhe e një vashe. Kjo është linja e romanit, përtej së cilës gjithçka imagjinohej si përbetim në kërkim të dashurisë ende të paprovuar. Vrullet e imagjinatës të shpien tek fantazia. Në jetën e mashkullit dy janë ikonat femërore nëna dhe gruaja. E kur nëna ikën nga bota atëherë pllakos vetmia, ngasja e mungesës së saj është sëmbuese, boshllëku është i frikshëm, nevoja për praninë e femrës është jetike. Më 27 Qershor 1821-shuhet Sofia nëna e Viktorit, ajo grua që kishte vuajtur jo pak, nën dyshimin e një jete të dyzuar mes të atit të Viktorit dhe të një tjetër burri që kishte qenë nuni i tij, një burri që hynte dhe dilte nga jeta e saj herë si dritë dhe herë si hije. Sofia kishte treguar përkushtim dhe qe ropatur për të rritur dhe edukuar fëmijët. Ajo ishte trajtuar aq keq, ashpër dhe shpesh dhunshëm nga i shoqi, ishte nëpërkëmbur deri tek përplasja e derës në fytyrë pas së cilës i ati fëmijëve të saj shkonte në shtrat me të dashurën e tij. Një histori dramatike, ku nuk mungoi policia e gjykatat, dhe shqyerja e fëmijërisë djemve sa me të ëmën e sa më të atin i cili në rastin e tij kujdesin dhe ngrohtësinë prindërore, e zëvendësoi me jetën konviktore të djemve …dhe të gjitha këto ngjarje lanë gjurmë të thella në psikikën dhe vetëdijen e Viktorit. Sofia u shuajt më 27 qershor 1821. Djemtë e varrosën nënën e tyre pa praninë e të atit. Edhe vetëm ky episod flet shumë. Sa peshon një akt i tillë?! Ai trup, ajo zemër, kishte mbaruar misionin. Viktor Hygoi ka psalmin e tij për këtë humbje. “Pa nënën, shkruante ai, të pllakos vetmia”. Eh, si përballohet kjo situatë? Si mbushet ky boshllëk? Kush mund ta zërë këtë vend fisnik? Ajo femër që një ditë pranë teje bëhet nëna e fëmijëve të tu. Të mbytur në borxhe të tre vëllezërit Hygo shitën dhe gjërat më me vlerë të së ëmës. Sa pa fat, sa therëse?! Edhe kujtimet e saj me aromën nënësore, ishin kthyer tashmë në mallra ankandi. Kjo zhbërje e kujtimit të nënës e gërryen shpirtin e njeriut. Viktor Hygoi e pati këtë keqfat. Letra që Hygoi i shkruajti të atit është e tillë që vlen në gjithkohësi si një materie prej së cilës mund të nxjerrësh mësime. Apologjia që ai bën për të ëmën është një himn humanizmi. Akuzat e të atit për të ëmën se ajo e kishte tradhtuar, dhuna verbale dhe deri tek ajo fizike, nxjerrja jashtë në rrugë, gjyqet për kujdestarinë e fëmijëve dhe kalvari për pensionin e tyre, udhëtimet e fëmijëve pas të atit, këtij ushtaraku të Napoleonit, jeta e tyre shpesh me mungesë të gjatë të butësisë mëmësore, lotët e saja, mekja dhe ngashërimet; kishin bërë që ata djem qysh në fëmijërinë e tyre ta jetonin jetën në tërësinë e saj me të mirat dhe me të ligat, me kënaqësitë dhe dhimbjet, me harenë dhe brengat. Ata ishin regjur para kohe. Trupin pa jetë të së ëmës e shpunë në Vaugirard, atje ku ishte varrosur vite më parë Lahorie (nuni Viktorit) miku i saj, i hamendësuar apo realisht i dashuri i Sofies, aq sa në valët e dyshimit e tallazet e shpërthimeve zemërake, Leopold Hygoi i ishte hakërruar duke i thënë publikisht; se ai kishte qenë i ati i fëmijëve të saj. Akuzë e rëndë! Pas saj nuk fshihej thjesht një zënkë e gjatë mes një çifti prindëror. Është e rëndësishme të dihet se cili ka qenë realisht i ati biologjik i gjeniut Viktor Hygo. Dilemat fshehin mistere ndaj bën sens ndonjëherë t’i lëmë gjërat ashtu si janë, si kanë qenë e gjithëpranuar që në krye të herës! Letra e Viktorit drejtuar të atit pas vdekjes së nënës, mund të përmblidhet qoftë edhe në këtë fjali të vetme: “Nëna nuk na ka folur kurrë ndaj teje me zemërim”. Mes atit dhe mëmës një pozicion i shprehur në këtë mënyrë vlen sa një postulat. Përgjigja e Leopoldit ishte e qartë. Ai njofton të bijtë se është martuar me Catherina Tomas, në një ceremoni në bashkinë e Shabrisë më 6 Shtator të atij viti në Indrë. Çfarë arrogance?! Çfarë vrazhdësie?! Çfarë lëndimi?! Çfarë pezmi?! Çfarë shije e hidhur mbetur në shpirtin e djemve Hygo?! Tanimë pa nënë dhe me baba të martuar! Ja përse në ato rrethana njeriu ka nevojë për plazmën e dashurisë, që të ringrihet dhe drejt diellit të dashurisë shkohet edhe në këmbë.
* * *
I nderuar Viktor Hygo jam dhe unë në ceremoninë tënde mortore, atje është gjithë njerëzimi, të gjithë ata që kanë lexuar veprën tuaj…dhe në këtë diakroni virtuale përpiqem të afrohem tek karroca ku është trupi yt i ngrirë ashtu si 130 të shkuara. Për herë të parë ato këmbë që kishin shëtitur Francën kryq e tërthorë dhe Europën në dete, oqeane ishuj dhe stere, kishin ndaluar më në fund. Ishin lodhur e donin të pushonin. Gjeografia e çapitjes së tyre filluar që nga fëmijëria e hershme kishte qenë kontinentale…eurodheu-atdheu yt në një farë kuptimi, e kishte ndjerë hapin tuaj si rrugëtim, por edhe si një ridimensionim. Rruga jote e jetës kishte qenë kontinenti i vjetër me të gjitha egoizmat dhe marrëzitë, por edhe me ëndrrat për një Europë ndryshe, me paqe, pa marrje jete, me Kushtetutshmëri, me Liri me Humanizëm, ku në qendër të ishte vetëm Njeriu. Porse një udhëtim yti ka qenë krejt i veçantë, ai në zhegun e korrikut. Ishte data 16-të, kur Ti dhe Dielli ecët në udhët tuaja paralel. Pa një dyshkë në xhep, tashmë pa nënën por me kujtimin e saj, me një dashuri që digjte po si ai diell qiellor, si djalosh 20-vjeçar udhëtove në këmbë deri në Dreux. Në këmbë drejt dashurisë!!! Çfarë pasioni?! Çfarë vendosmërie?! Një akt sublim që rrallëkush do ta kryente. Udhëtimi zgjati më shumë se një ditë. Viktor Hygoi i rrëfente aso kohe Alfred dë Vinjisë: “E kam bërë gjithë udhëtimin në këmbë, në një diell përvëlues dhe mes rrugësh pa hije. Ndihem i dërmuar, por dhe krenar që kam bërë 20 lega me këmbët e mia…ndjej keqardhje për pajtonet që më kalonin përpara. Sikur të ishit me mua atë çast kurrë nuk do të kishit parë dykëmbësh më të lumturuar”. Në këmbë me vrull, me diellin e dashurisë brenda vetes për t’i thënë Adelës të bëhej gruaja e jetës tënde, bashkëshortja jote besnike, nëna e fëmijëve të tu Viktor. Sa bukur do të tingëllonte një roman me titull:”Në këmbë drejt dashurisë!” Me sytë e mendjes e shoh sot si një film. Një udhëtar anonim që ka në torbën e fatit një atelie me ëndrra, pasionin e një mashkulli dhe pengun e premtimit.1 Historia vazhdon….!
1 Pjesë nga studimi ‘Një brengë e vjetër për Viktor Hygoin’ që së shpejti do të botohet i plotë në librin “Antropologjia e Artit”
Komentet