Ajo që ndodhi atë mëngjes ishte diçka e çuditshme, para syve të saj u ngjall vëllai i vdekur 20 vjet më parë.
Ishte një mëngjes me një shi të vazhdueshëm, Dhora K., mësuesja e letërsisë e shkollës së mesme “Kostandin Kristoforidhi” i hipi autobusit të Unazës. Në ditët me shi autobusët mbushen plot me qytetarë të nxituar, të cilët, edhe për shkak të shiut të dendur, qëndrojnë te platforma, pa u shtyrë para, shtypur dhe ngjeshur me njeri-tjetrin.
Dhora K. zbuloi një hapësirë, sakaq ndjeu se dikush po e vështronte ngultas. Iu duk si një njeri të njohur. Në kokë ai mbante një kapelë të bardhë doku me strehë, ulur mbi ballë, sikur t’u përvidhej shikimeve të qytetarëve. Kur ndeshi shikimin e tij, gati sa s’ thirri me zë të lartë. Gjaku i vërshoi me vrull nëpër damarë. Pati një ndjesi se po i zihej fryma. Diçka i krisi përbrenda…”Ua!Ua! …Mblidhe veten moj grua…, i tha vetes, – Yt vëlla ka njëzet vjet që ka vdekur.”
I shqiti sytë prej shëmbëlltyrës së të vëllait, por tundimi qe aq i fortë, sa nuk rezistoi dot pa ia ngulur sytë përsëri, kësaj here frikshëm.
Ngjashmërinë me të vëllanë nuk e vuri më në dyshim: edhe mosha, edhe ngjyra e syve, edhe ajo buzëqeshje e lehtë.
Njeriu me kapelë, me strehën e ulur mbi sy, shkundi kokën lehtë. Po ta këqyrte sërish, për herë të tretë e të katërt, sigurisht, mund të gjente shenja dalluese, të cilat i njihte vetëm Dhora K. Aq do t’i duhej për ta qetësuar zemrën e saj që gjëmonte si tokmak, ndryshe, me ç’të drejtë ky njeri do t’ia ngulte sytë përmallshëm kësaj gruaje në moshë të thyer e të veshur me të zeza? I hodhi një shikim tjetër, të shpejtë dhe qortues: “Kush je ti që guxon të më buzëqeshësh në atë mënyrë?”. ”Qetësohu moj grua…- Ç’është kjo punë me ty…” Shikimin e gozhdoi jashtë dritareve. Edhe pse mori një vendim të prerë për të mos i hedhur më sytë sozisë së të vëllait, s’kishte Zot t’ia qetësonte zemrën e alarmuar.
* * *
Autobusi urban ndali plogët në stacionin më të parë. Rrëmuja e hyrje-daljeve të qytetarëve nën shiun e dendur ia humbi nga sytë vegimin e të vëllait të vdekur që gjendej çuditërisht në një autobus urban midis të gjallëve.
Dhora K. zbriti nga urbani dy stacione më tej, me hapa të shpejtë u nis drejt shkollës së saj paksa e hutuar. Pamja e njeriut që i ngjante aq shumë të vëllait, të dënuar me vdekje plot 20 vjet më parë, i kishte shkaktuar një dhembje në zemër.
Iu kujtuan fjalët që kishte përhapur një shofer i ambasadës sonë në Romë, me origjinë nga Fieri, shok fëmijërie i të vëllait, sikur ai e kishte parë atë në një shëtitore të Romës. “E ndoqa pas,- i kishte thënë në intimitet, një njeriut të vet. – U pamë sy ndër sy…E njoha dhe më njohu, por nuk e di përse iu përvodh shikimit tim. Nxitoi dhe u fut midis kalimtarëve”.
Ky fakt e kishte lënë pa mend Dhorën, por, në takimin me të, ai e mohoi në vend:
“ Kam thënë që kam parë një njeri që i ngjante Kostës. Vetëm kaq…”.
Qysh nga ajo ditë, Dhorës, edhe pse e dinte se vetëm në legjenda ngjallen të vdekurit, i ishte mbushur mendja top se i vëllai duhet të ishte gjallë.
Gjatë gjithë rrugës, nga stacioni i autobusit gjer te porta e shkollës ajo nuk e mposhti dot dyshimin.
Sa më tepër i mbushte mendjen vetes se ajo që kishte parë në autobus ishte një iluzion optik, aq më kokëforte bëhej dëshira mbushamendëse se ajo kishte parë në mes të ditës vëllanë e vdekur. Solli ndër mend turli njerëzish, të njohur e të panjohur, qysh nga fëmijëria e largët e gjer në dyert e Fakultetit të Historisë e Filologjisë, ku ajo kishte mbaruar 26 vjet më parë e, më pas, në vitet e punës, si mësuese e letërsisë, nga njeri gjimnaz në tjetrin, pra mijëra persona kishte regjistruar në memorie, por nuk kujtoi asnjë pamje që t’i ngjante Kostës, aq sa njeriu me kapelë në autobus
* * *
Pas vdekjes së Kostës, Dhora K. e ndiente veten si një degë e prerë, e hedhur pa mëshirë mbi trotuar.
Tetë muaj më vonë i vdiq nëna, kështu që Dhorës iu desh të përballej edhe me hallet e familjes prindërore: vajza e Kostës, Anila atëherë ishte tre vjeç, Miriami gjashtë muaj, dy vëllezërit e saj, Vangjeli, gjimnazist, në vitin e fundit dhe Cifja (Josifi) sa i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat.
U zgjata pak rreth historisë së familjes së saj që të na kuptoni më mirë se pse Dhora K. vazhdimisht, në familje dhe në shoqëri, madje dhe në natën e gëzuar të vitit të ri, përshkohej nga një pezm i lehtë, nuk ishte as humbja e nënës, as vështirësitë familjare, me ikjen e Kostës të saj të dashur iu duk sikur u përmbys një mal dhe ra para këmbëve të saj, i dukej çdo gjë shkretëtirë, pas ikjes së tij ajo ecte gjithmonë syulur, jeta e saj i dukej pa shije, një jetë pakuptim.
* * *
Kostandin K, u ekzekutua në mesnatën e 17 prillit të vitit 1961. Ngjarja për të cilën gjykata ushtarake vendosi ta dënojë, fillimisht me tetë vjet burg e më pas me vdekje, mbeti një enigmë e madhe që nuk është sqaruar as sot e kësaj dite. Kostandin K., ish- partizan, një nga atentatorët e parë të qytetit të Fierit, me prejardhje nga Gjirokastra. Pas luftës ushtarak i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes. Më 13 dhjetor të vitit 1961, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, akuzohet si një agjent rus, së bashku me gjeneralin e flotës ushtarake detare, A. M. Katër muaj në hetuesi, në dhjetëra seanca hetimi, ai asnjëherë nuk pranoi që akuzën që i ishte ngritur nga kolegët e tij të punës. Kostandin K. njihej për një lidhje të vjetër, qysh gjatë viteve të studimeve në shkollën ushtarake në Itali, si shok kursi me Ministrin e Brendshëm, i cili, çuditërisht, në ato çaste e tij më të vështira heshti, e braktisi ose, të themi, nuk reagoi fare ndaj akuzave të ngritura. E mbajtën të izoluar në qelitë e hetuesisë, gjer në ditën e vendimit. Ndërkohë u krijua një shpresë e vaktë për një dënim të zbutur në bazë të ca rrethanave lehtësuese, mirëpo, për fatin e tij të keq, prokurori vuri veton. Gjatë atyre muajve të hetuesisë pati një shurdhëri të vërtetë, nuk u lejua askush ta takonte. Vetëm pasi gjykata shpalli vendimin me vdekje, i lajmëruan njerëzit e familjes për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Në takim shkoi vetëm Dhora, motra e tij tre vjet më e vogël se Kosta, babai kishte gjashtë vjet që kishte vdekur, ndërsa e ëma, sa mori vesh dënimin e tij, zuri krevatin dhe nuk u ngrit më…U bë një takim i shkurtër, rojat i lanë të shiheshin në distancë, prapa hekurave, motër e vëlla, për pak minuta.
Atë çast Dhora K. e ka ngulur në kujtesë si me gozhdë, Kostandin K. u shfaq para saj i shoqëruar nga dy roje burgu. Iu drodhën gjunjët sa e pa. Iu duk i tretur dhe i zbehtë. Në ato pak minuta ajo shkëmbeu me të vetëm lot. Kur e kapën për krahësh, lehtësisht, për ta futur brenda, ai tha ca fjalë të rëndësishme, të cilat asaj, por edhe rojave që e shoqëronin, iu dukën të çuditshme..
“Mos më qani…i kishte thënë ai, qetësisht dhe qartazi. – Nëse nuk kthehem pas njëzet vjetëve, atëherë më qani. Thuaja dhe nënës.!”
Ishin këto fjalët e tij të fundit të tij që Dhorën do ta linin pa gjumë për vite të tëra, me një shpresë të çmendur.
* * *
Një javë më vonë së bashku me vajzën e tezes, bashkëmoshatare, shkoi përsëri para dyerve të burgut, për të tërhequr rrobat e tij: një dyshek pambuku, dy batanije dhe një pallto ushtarake angleze e ruajtur qysh nga koha e luftës. Atë ditë ajo u interesua të mësonte emrat e dy gardianëve, me mendimin që, pasi të ftohej plaga për vëllanë, të mund t’i takonte, së paku njërin, sa për të mësuar ndonjë hollësi më shumë rreth ekzekutimit të tij dhe t’i pyeste nëse u kujtoheshin fjalët e tij të fundit..
Çfarë donte të thoshte ai me fjalët pas njëzet vjetësh të më qani? Një kumt ? Një profeci? Diçka që mund të ndodhë veç në legjenda? Pastaj pse pas njëzet vjetëve? Edhe në legjendën e Kostandinit dhe Doruntinës pritja zgjatej vetëm tre vjet. “Kostandini i vdekur, tre vjet i patretur…”
Kjo legjendë, që njihej në gjithë Ballkanin si legjenda e besës së dhënë, u bë pjesë e jetës së saj. Madje edhe emri i saj, Dhora, ishte një shkurtim i emrit Doruntina… Çfarë ngjashmërish?!
Amanetin e të vëllait ajo ia transmetoi të ëmës qysh atë ditë:
– Nuk e di pse më tha të mos e qajmë jo tani, por pas njëzet vjetësh? Por e ëma nuk ishte në gjendje t’i kthente përgjigje, pasi zemra e saj pësoi një goditje aq të rëndë, që ajo nuk e përballoi dot.
* * *
Ditët e tjera, në shtëpinë e tyre erdhën për ngushëllim fare pak njerëz, ca komshinj e të afërm të tyre nga babai. Ata hynin e dilnin si hije, tepër të frikur se mos i pikaste kush gjatë ngjitjes së shkallëve. Dhora i priste dhe i përcillte si zonjë shtëpie, e veshur në të zeza, kokulur.
Muaj më vonë, kur plaga e saj ishte qetësuar disi, ajo filloi t’i rikujtojë fjalët e tij të fundit me një logjikë pak më të ftohtë.
Ndoshta i ka thënë për të qetësuar nënën?! Shqetësimi ia brente mendjen në heshtje si krimbi i mëndafshit, veçanërisht netëve, kur kërkonte të ëndërronte diçka të bukur për ta zënë gjumi.. A mund të ndodhte që, tashmë, kur të gjithë e dinin të vdekur, ai të jetonte si një person tjetër, me një mision tepër sekret. Gjithmonë sipas supozimit të saj, ai duhej të gjendej jashtë shtetit. Në Itali?!Dhe mundet?! Në Greqi, në Rusi..?! Amerika ishte më pak e besueshme, ndonëse ideja e Amerikës e joshte më së shumti fantazinë e saj. “Së paku të dimë që jeton. Ç’rëndësi ka ku ndodhet, rëndësi ka të gjallë..”
Historia e Kostës, edhe për të, ndoshta do të ishte fashitur me kohë nëse nuk do të kishte ndodhur diçka krejt e pakuptimtë: Evanthia, e kunata, teksa kalonte Urën e Tabakëve, ndjeu një burrë që e ndiqte, dhe shpejtoi hapin nga frika.
Ajo nuk ishte nga ato gra që i tërhiqte meshkujt. Sidomos pas vdekjes së të shoqit, që e çuan punëtore me tre turne në kombinatin e tekstileve, në ecje , në veshje, madje dhe në pamje, kishte marrë tiparet e një gruaje hallexheshë…
“Përse u martove?! – vetëm kaq tha i panjohuri dhe u largua me nxit. Në çast ajo ndaloi hapin dhe ndoqi me sy të panjohurin, një burrë, i gjatë, si i shoqi, me syze dielli….
“ E dëgjova vërtet, apo më bënë veshët? – mendoi ajo e çuditur.- Sigurisht do më kenë bërë veshët”.
Atë ditë, sa u takua me Dhorën, duke ditur edhe që atë e torturonte dyshimi për vdekjen e të vëllait, i tregoi ndodhinë. Në çast në fantazia e Dhorës u ndez sërish: i vëllai qenkej, jo vetëm i gjallë, por edhe në mes të Tiranës..
* * *
E këndellur në fantazira të tilla, ajo vriste mendjen se kujt mund t’ia besonte këtë sekret përvëlues për t’i marrë një mendim. I shoqi ia kishte prerë:
”Grua, mblidhe mendjen. Nuk ka bërë vaki të ngjallen të vdekurit”.I vëllai, gjithashtu “ Ti mendon gjera të rrezikshme…” -e kishte qortuar ai. – Nuk paska pasur sigurimi i shtetit kuadro të specializuar që t’i besonte një mision një njeriu të dënuar me vdekje. Veçse…Në qoftë se…?”
Por Dhora K. nuk hiqte dorë. Mori vesh që i ati i Verës, shoqes së saj që jepte lëndën e anglishtes, njihte drejtorin e burgut të atij viti, Agush Bejko, që tashmë kishte dalë në pension.
Një ditë Dhora mori kurajë dhe, në formë shakaje, i tregoi Verës se i vëllai mund të ishte gjallë.
“Paske parë shumë filma me agjentin 007”, – ia ktheu ajo. Rasti e solli që Dhora K. një mbrëmje të gjendej në shtëpinë e saj me rastin e ditëlindjes së saj. E pritën me ngrohtësi. Historinë e vëllait të saj e kishin mësuar të gjithë njerëzit e familjes së Verës. Ajo e kishte pyetur të atin nëse mund të ndodhte që një njeri të dënuar me vdekje ta dërgonin jashtë shtetit me shërbim sekret.
“Mbylle gojën.., – i ishte përgjigjur ashpërsisht i ati. Atë mbrëmje babai i Verës e këshilloi Dhorën miqësisht që të mos fliste me asnjeri për gjëra të tilla.
* * *
Gjatë kthimit për në shtëpi ndjeu dhembje koke. “Do me jetë ngritur tensioni, – mendoi. Kohët e fundit kishte nisur t’i luhatej tensioni. E ëma kishte vuajtur nga luhatjet e tensionit qysh në moshën dyzet vjeç, ajo po shkonte pesëdhjetë e dy. Në shtëpi nuk gjeti askënd. Mori në telefon vajzën e madhe për ta pyetur për nipçen, që kishte pasur pak temperaturë. Zëri i vajzës së saj vinte i qeshur, pra vogëlushi ishte mirë. Duhet të gatuante për të nesërmen dhe të përgatiste planin mësimor. Të premtet kishte pesë orë mësim, hapi fletoren dhe konstatoi me gëzim të papërshkrueshëm se tre nga pesë orët e mësimit ishin orë folklori, dhe çfarë rastësie…! Do të komentonte baladën “Kostandini dhe Doruntina”. Dhembja e kokës i iku si me magji. Në ditar shënoi vetëm dy rreshta: “Mbajtja e besës së dhënë…”. Kaq. Pa asnjë koment.
Të nesërmen u nis drejt shkollës me një drithërimë në zemër, sikur të shkonte në takim me vëllanë.
Sa herë komentonte baladën e Kostandinit, në klasë mbretëronte heshtja. Në ato pak çaste të paharrueshme, ligjërimi i saj dilte nga përmasat reale, zëri i saj melodik kridhej në një botë mistike dhe imagjinare, pasi kishte vite që Kostandinin e baladës e njësonte me Kostën e saj të dashur.
“Kostandin i vdekurith, / tre vjet i patreturith…” Vargjet i pëlqente t’i recitonte në variantin e lashtë gjuhësor, me prapashtesat “ith”, që kishin dalë prej kohësh nga përdorimi gjuhësor. Edhe pse këto dy vargje i pëlqenin pa masë, e shqetësonte fakti që pritja e Doruntinës ishte vetëm tre vjet, ndërsa pritja e saj po i kalonte të njëzetat.
* * *
Gjatë orëve të shkollës nuk pati kohë të kujtonte çfarë kishte menduar atë mëngjes. Edhe pse e ndiente se nuk përkonte me kulturën e saj, vendosi të shkonte te Ruka, një fallxhore e moshuar e cila sa kishte dalë nga burgu. E kunata e kishte shtëpinë pranë Rukës, një mur i vjetër i ndante. Ruka kishte bërë gjashtë muaj burg me motivacionin “Përfitim me anë të mashtrimit”. Pas daljes nga burgu, me kusht, Ruka, kishte përzënë shumë gra hallexhesha që i trokitnin te porta për të parë fatin e tyre në filxhan.
Dhora K. ngriti telefonin dhe e pyeti kunatën nëse kishte kohë të shkonin dy minuta te Ruka.
“Ti hajde njëherë këtej, -iu përgjigj ajo- kafet i pimë këtu, Rukës i çojmë filxhanët”. Dhora paska një hall, mendoi Evanthia, që nuk i kishte ndërprerë për asnjë rast lidhjet me motrën dhe me dy vëllezërit e Kostës. Dy vajzat e saj ishin rritur. E madhja ishte bërë me fëmijë, e dyta sapo ishte martuar. Dhora e gjeti Evanthia në aneks duke larë pjatat. Në çast erdhi dhe mbesa e saj, për të cilën kishte një dashuri të veçantë. U puthën e u përqafuan dhe u ulën në kanape të kapura për dore, si dy motra, por, kur pa të ëmën në aneks duke larë enët shkoi dhe ia hoqi nga dora.
Dhora rrinte në cep të kanapesë, siç e kishte zakon, sa herë vinte për vizitë në shtëpinë e kunatës, Evanthia në divanin përballë. Zunë nga muhabetet dhe vetëm kur mbesa u solli kafet në një tabaka të vjetër prej druri u kujtuan për Rukën. Në orën gjashtë e tridhjetë minuta dy kunatat trokitën te porta e jashtme e Kollozëve. Doli një vajzë e imët, paksa e frikur, por sa pa Evanthinë u çel në fytyrë Ruka u ngrit nga krevati vetëm kur i thanë që kishte ardhur Evanthia me kunatën e vet. Kollozët ishin familje e vjetër Dibrane, ardhur në Tiranë para viteve tridhjetë. Ruka i priti me përzemërsi në dhomën e pritjes, një dhomë e rrënuar, me orendi të vjetra. Kur pa filxhanin e Dhorës fytyra zhubra-zhubra e fallxhores u përflak nga një dritë profetike. Fillimisht i hodhi një shikim të shpejtë si profesioniste, e përhodhi filxhanin nëpër duar, më pas nisi ta këqyrë me kujdes, në largësi e në afërsi… “Në punë je mirë..” Sytë i mbante picërruar përfund filxhanit.
– Dy fëmijë keni?
– Po. Dy vajza…
– Dhe fëmijët mirë i paske…Pa të shohim brenda shtëpisë… -belbëzoi zëulët, sikur të fliste me vete.
-Shpirtin e ke qelibar…Gëzon respekt në familje dhe në shoqëri… Sëmundje nuk shoh…
Dy gratë ia kishin ngulur shikimin frikshëm. Në dhomën e pritjes zotëronte një heshtje varri. Ajo bëri një pauzë të gjatë sikur të kërkonte të deshifronte diçka të rëndësishme që jepte shenja përmes dy rrëkesh të bardha në anët e filxhanit…
-Të mundon një siklet i madh…S’të hiqet nga mendja…Herë pas here ajo i hidhte Dhorës një vështrim rrëshqitazi, për të ndier reagimin e saj.
-Eh, ia bën , edhe kur të thonë “shëndet”.
Hoqi sytë nga filxhani dhe pa Dhorën si me qortim – Ke disa kohë që ha vetën nga brenda… Ke një hall që nuk guxon t’i thuash njeriu…
-Për këtë kemi ardhur, – u përgjigj Evanthia në vend të saj.
– Mirë. Unë do ta përplas këtë filxhan për tokë, nëse filxhani nuk thyhet, rri e qetë.
Në çast e vërviti filxhanin në dysheme…Filxhani bëri ca rrokullima të shpejta mbi qilim dhe u përplas në mur, pa u thyer.
– Mirë…,- tha e qetësuar ajo…Dy kunatat kishin ngrirë në vend, ia kishin ngjitur sytë Rukës, të sugjestionuara nga veprimet e saj të çuditshme.
Po e provoj edhe njëherë, – tha. Ngriti filxhanin nga toka dhe këtë radhë e përplasi më fort. Filxhani bëri disa rrokullima të shpejta në qilim dhe u përplas së dyti pas murit.
– Mirë…Mirë…, – konstatoi ajo.
– Mos prisni të vijë dikush nga larg?
Nga kjo pyetje e çuditshme, që rastësisht kishte qëlluar në shenjë, Dhora shqeu sytë me habi.
-Si ka mundësi?Ajo kishte njëzet vjet që priste dikë, të vinte nga larg, ky merak e kishte sjellë gjer këtu.. – Fol pa droje …Këtu jemi në familje, s’na dëgjon njeri.., – e shtyu me krah Evanthia kunatën e vet. Ndërkohë që ajo fliste Ruka e përplasi filxhanin edhe një herë. Për çudi, as herën e tetë filxhani nuk pësoi gjë.
– Mirë është! – e siguroi ajo . Dhora u përflak në fytyrë, nuk e priste atë përgjigje të drejtpërdrejtë, trupin ia përshkuan mornicat.
Edhe pasi kishin lënë një pesëqindlekëshe mbi tavolinë dhe kishin dalë në rrugicë, në mendjen e Dhorës bubullonte vetëm një fjalë: “Gjallë! Gjallë! Gjallë!”
* * *
Të enjten në mëngjes Dhorën e thirrën në drejtori. Duhet të linte orët e mësimit dhe të paraqitej në komitetin e partisë së rajonit. E kërkonte sekretari i parë.
-Për çfarë?
-Nuk di gjë, – ngriti supet drejtori i shkollës.
Kur hipi në autobus e kapi një ndjenjë ankthi. “Përse më kërkojnë?” Asaj nuk i kishte rastisur kurrë të shihte derën e seksionit të arsimit, jo më atë të komitetit të partisë. Në qendër pyeti një kalimtar ku gjendej selia e komitetit të partisë së rajonit 3.
Shkallët i ngjiti nxitimthi. Në hollin e katit të parë nuk pa njeri. Brenda një dhomëze prej xhami, nën shkallë, nëpunësi i rojës ia bëri me dorë të afrohej.
“ Më quajnë Dhora K., -u prezantua ajo,- më ka kërkuar shoku Karafil…
Nëpunësi i rojës u lidh me kabinetin e sekretarit të parë, e pyeti edhe një herë për emrin dhe i tregoi katin dhe derën ku duhet të trokiste.
Karafil Guga, një burrë shtatlartë e vetulltrashë, me moshë sa duhet të ishte Kosta K.., po të ishte gjallë, u ngrit në këmbë dhe i zgjati dorën përzemërsisht. E ftoi të ulej në këndin me kolltukë lëkure, ku priteshin vetëm persona të veçantë..
-Ju jeni motra e Kostës?
Dhora nuk e priste këtë hyrje.
-Kostën e kam pasur shok, -vijoi ai. – Gjatë kohës së luftës kemi qenë në të njëjtin batalion. Ka qenë burrë. Njeri me karakter…Po dhe trim. Ruaj kujtimet më të mira për vëllanë tuaj.
-Besoj e dini ..?
Ajo nuk e kuptoi s’e çfarë dinte ai…Karafil Gugës iu ravijëzuan dy rrudha të thella mbi ballë,
-E dini përse ju kam thirrur? Kohët e fundit, me ca veprime të pamenduara mirë, keni futur në siklet Partinë, shtetin….dhe veten tuaj”.
Dhora K. e pa me frikë, po ai nuk e la të mendohej gjatë.
-Ke hapur fjalë se paske parë Kostën, të gjallë…- i hodhi një shikim zhbirues. – A e di çdo të thotë kjo? Kjo fjalë ka shqetësuar jo vetëm sigurimin e shtetit dhe partinë, por vetë kryeministrin…Ai ka dhënë urdhër t’i shkohet çështjes gjer në fund dhe të sinjalizohet sa më parë. Ai kërkon të dijë , kush e ka përhapur këtë fjalë. Sigurisht, s’besoj se jeni ju?
Dhora K. u përflak në fytyrë, çështja ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme.
-Nëse është fjala për një bisedë që unë kam bërë si me shaka, me një shoqen time, nisi të shpjegohej ajo…Eshtë e vërtetë që një mëngjes, duke shkuar për në shkollë, kam parë një njeri që i ngjante aq shumë tim vëllai.
-Nuk është kaq e thjeshtë, – ndërhyri ai me tone më të ashpra. -Sipas informacionit që na kanë sjellë, ju keni vite që mendoni se Kosta është gjallë. Nuk duhet ta mohoni, as këtu dhe as në ndonjë vend tjetër, kur të të thërrasin, pasi ka edhe dëshmi të tjera, tepër tronditëse, të cilat kanë dalë nga goja juaj.
-Goja ime?
-Po. Po. A e dini çdo të thotë kjo? Në vitin që është vrarë Kosta, ministër i Brendshëm ka qenë kryeministri ynë. E kuptoni pse është shqetësuar vetë shoku Mehmet Shehu? Çështja është shumë e thellë dhe me pasoja të paparashikueshme….Fjalë të tilla mund të përhapen vetëm nga një i çmenduar, ose nga ndonjë armik i rrezikshëm.
Pas këtyre fjalëve Dhorës iu duk sikur po i rrotullohej zyra ku ajo gjendej.
-Ti nuk e ke parë Kostën. Kështu, apo jo? Vijoi ai duke e zhbiruar në sy.
-Si ta shoh? Ku ta shihja? Veç të isha e çmendur.
-Po, pra, – u duk sikur uli zërin ai. Ju dukeni e lodhur. Mos vuani nga shfaqje vegimesh?
-Jo, -iu përgjigj ajo me naivitet. Gjer më sot s’kam pasur shqetësime të tilla.
-Gjithsesi, unë mendoj të bëni një vizitë te mjeku psikiatër.- Intonacioni i zërit të tij kishte një nuancë këshilluese, por qartësisht urdhëruese. -Po. Po. Unë ju këshilloj të shkoni te një mjek psikiatër, urgjentisht, para se t’ju thërrasin diku.
Ndërsa ai fliste Dhora K. e ndiente veten sikur të kishte rënë papritur në një humnere të thellë. Mos ishte në ëndërr?
-Ju kam thirrur këtu për t’ju ndihmuar. Dëgjojini mirë këto që do t’ju them. Uli zërin për të kuptuar se çdo gjë që thoshte më pas ishte tepër sekret :
” Vetëm me një raport mjekësor ju mund t’i shpëtoni hetuesisë. Ndryshe…” Nisi të tundë kokën në mënyrë ndjellakeqe.
* * *
Mëngjesin tjetër një furgon policie u shfaq në oborrin e shkollës “Kostandin Kristoforidhi”. Kërkuan drejtorin, më pas, me urdhër të drejtorit, Dhora K. la mësimin dhe u paraqit në drejtori. Përveç pastrueses dhe portierit të shkollës askush nuk e pa mësuesen e letërsisë të dilte atë mëngjes nga dera e shkollës e shoqëruar nga dy policë, pranë furgonit e prisnin dy policë të tjerë për ta shoqëruar në hetuesi. Fillimisht i thanë “vetëm për ca sqarime të nevojshme” dhe se vetë ata do ta sillnin përsëri në shkollë. Vetëm kur pa derën e spitalit psikiatrik Dhora K. kuptoi me tmerr rrezikun që i kanosej. Me një urdhër të posaçëm po e shtronin në spitalin psikiatrik.
Qëndroi shtatë ditë e mbyllur në një dhomë të katit të katërt të spitalit psikiatrik të Tiranës. Gjatë atyre ditëve nuk lanë askënd të takohej me të dhe askush nuk e mori vesh kush e kishte dhënë atë urdhër. Njerëzit e familjes së saj kërkuan ta takonin qysh atë ditë, por nuk e lanë…Edhe të shoqin e thirrën në hetuesi dhe e mbajtën rreth dy orë. Para se ta thërrisnin në hetuesi ai ishte përbetuar se, si ushtarak që ishte, do ta ngrinte gjithë shtetin në këmbë, por doli nga hetuesia si pulë e lagur.
Bisedat e shkëmbyera në hetuesi nuk ia tregoi askujt.
-Eshtë një keqkuptim,- u tha fëmijëve atë mbrëmje,- por mos u bëni merak.
Ditën e tetë e lajmëruan të gjendej para portës së spitalit, fiks në orën nëntë të mëngjesit. Gjysmë ore para një taksi e verdhë ndali në oborrin e spitalit psikiatrik dhe pyeti për pacienten që do të dilte atë mëngjes
– Po vishet, – i thanë. Pas pak ai pa të shoqen duke zbritur shkallët ngadalë, e zbehtë dhe e rrënuar. Ditën e parë e kishte vizituar grupi i mjekëve të psikiatrisë dhe ajo, duke sjellë ndër mend fjalët e Karafil Gugës, kishte pranuar të thoshte se kishte vite që i dilte para syve hija e vëllait dhe se kishte vite që fliste me hijen e tij .
E kishin këshilluar të luante me detyrim rolin e një të sëmure mendore dhe ajo gjatë atyre ditëve, duke mos pasur rrugë tjetër, ishte munduar ta luante këtë rol të vështirë. Nga elektroshoku dhe dozat e përditshme të piramidolit, e kishte zënë frika se po të qëndronte edhe një ditë më shumë, do të çmendej vërtet.
Disa ditë më vonë u paraqit në shkollë. Shokët dhe shoqet e saj nuk e shqetësuan me pyetje. Vetëm drejtori i shkollës ishte në dijeni të plotë për gjithçka kishte ndodhur. Mësuesja e anglishtes u përpoq të përhapte një variant tjetër sikur kishte pasur shqetësime psikike për shkak të ndërprerjes së menstruacioneve dhe se e kishin shtruar në spital pa dëshirën e saj. Ndryshe si mund të justifikohej furgoni i policisë në dyert e shkollës, gjë që e kishin marrë vesh të gjithë kolegët e saj? Gjithsesi, paraqitja në komitet të partisë dhe ditët në spitalin psikiatrik i kishin shtuar dyshimet se me Dhorën po luhej një lojë e madhe, të cilën e dinin vetëm disa pushtetarë të rëndësishëm.
Dy javë më vonë ndodhi një ngjarje që tronditi gjithë vendin. Kryeministri i Shqipërisë i gjendur në këtë post prej tridhjetë vjetësh u vetëvra në mesnatë. Asnjë sqarim më tepër. Gjatë gjithë asaj ditë te vrenjtur dhjetori Radiotelevizioni Shtetëror dha vetëm muzikë mortore. Në lajmet e orës tetë u mor vesh se kryeministri i vendit kishte vrarë veten pas një mbledhjeje maratonë të Byrosë politike, ku ai kishte bërë dhe një autokritikë të gjatë në lidhje me një martesë të dyshimtë të djalit të tij me një vajzë simpatike nga një shtresë e deklasuar. Dy ditë më vonë pati thashetheme se nuk ishte vetëvrarë, por e kishin vrarë…Gjëra të çuditshme kishin nisur të ndodhnin në bllok, një vrasje enigmatike si në tragjeditë Shekspiriane. Në popull nisi të pëshpëritej se do të kishte ndryshime. Ndërkohë Enver Hoxha doli në ekran me një pamje të zbehtë e disi të çoroditur. Pra po ndodhte diçka e paparë…Njerëzit pëshpëritnin vesh më vesh, nisën të gjallëroheshin. Kishte ardhur një kohë ndryshimesh…Dhora K. as gëzohej, as hidhërohej nga ngjarjet e fundit. Gjatë atyre ditëve të spitalit ajo e kishte çuar disa herë ndër mend kryeministrin e vendit. Përse shqetësohej aq shumë ai nga ngjallja e Kostës? Atë vit kur atë e dënuan, ai kishte qenë ministër i Brendshëm. Sado e çuditshme të të dukej, lidhja e fakteve të çonte te një enigmë të cilën kryeministri e kishte marrë me vete në varr
* * *
Tashmë askush nga njerëzit e afërm të Kostës nuk vinte më në dyshim se ai ishte gjallë. E kundërta kishte ndodhur me Dhorën. Ajo ishte tmerruar aq shumë nga ato ditë ferri që kishte kaluar në spitalin psikiatrik, saqë e kishte besuar edhe vet se duhet të ishte e sëmurë psikike. Nuk i hiqeshin nga mendja ato ditë torturash, ndonëse, hera-herës, në trurin e saj shkëndijonte një llambushkë e vogël për të ndriçuar enigmën e njeriut gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur. Me ndryshimet demokratike edhe Dhora nisi të gjallërohej. Tashmë kishte dalë në pension, dhe kishte kohë për t’u marrë me dosjet e pronave të familjes së saj dhe me dosjen e dënimit të Kostës. Për pronat u gjetën disa dokumente në arkiv, ndërsa dosja e dënimit të Kostës ishte zhdukur. Ky fakt e rriti dhe më tepër dyshimin se me jetën e tij diçka kishte ndodhur. Kishin kaluar tridhjetë e dy vjet nga ikja e tij….E shoqja e Kostës vdiq atë vit që ndodhën trazirat në Shqipëri. Ajo nuk arriti t’i gëzonte ndryshimet demokratike. Edhe Dhora K. tashmë ka vdekur. Vetëm legjenda e Kostës ka mbetur ende gjallë, si legjenda e Kostandinit dhe Doruntinës, se njerëzit vdesin, por legjendat nuk vdesin kurrë.
Komentet