Bllokada e Ngushticës së Hormuzit në Gjirin Persik është hequr, sipas deklaratave zyrtare iraniane. Rruga detare është hapur për trafikun tregtar ndërkombëtar, për aq kohë sa respektohet armëpushimi, njoftoi të premten në platformën digjitale X ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Që nga e mërkura e kaluar, SHBA dhe Izraeli, nga njëra anë, dhe Irani, nga ana tjetër nuk kanë ndërmarrë sulme. Ky armëpushim u ndërmjetësua nga Pakistani për një periudhë dyjavore, për të dhënë kohë për negociatat për përfundimin e luftës midis Iranit dhe Izraelit dhe për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Të enjten në mbrëmje, hyri në fuqi një armëpushim midis Izraelit dhe Libanit. Ai parashikohet të zgjasë dhjetë ditë.
Tranziti në një itinerar specifik
Të gjitha anijet tregtare po kalojnë përmes një rruge të koordinuar, e cila tashmë është shpallur nga Organizata Iraniane e Porteve dhe Detit, sqaroi më tej Araghtchi. Qindra cisterna nafte dhe anije mallrash kanë mbetur të bllokuara në Gjirin Persik për javë me radhë.
Sipas një zyrtari të lartë ushtarak iranian, anijet luftarake nuk lejohen të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Trumpi konfirmon hapjen e Ngushticës së Hormuzit
Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi në platformën e tij online Truth Social se rruga detare është sërish e hapur. Megjithatë, bllokada ushtarake amerikane e porteve iraniane do të mbetet në fuqi për momentin, tha ai. Kjo do të vazhdojë derisa negociatat me Iranin të kenë përfunduar 100%. Presidenti amerikan shtoi se procesi duhet të ecë shumë shpejt përpara, pasi shumica e pikave tashmë janë negociuar. Marina e SHBA-së, nga ana e saj, e kishte nisur bllokadën detare në Ngushticën e Hormuzit të hënën.
Më vonë, Trumpi shtoi se udhëheqësit iranianë kishin premtuar se ngushtica nuk do të mbyllej përsëri.
Çmimet e naftës ranë ndjeshëm pas njoftimit se anijet tregtare do të lejohen të kalojnë lirshëm. Një fuçi (159 litra) naftë e papërpunuar Brent e Detit të Veriut për dorëzim në qershor tani kushton 91.11 dollarë amerikanë, më shumë se tetë përqind më pak se të enjten. Në një moment, çmimi ra nën shifrën 90 dollarë.