25 Shtator 2007
Shtator vjeshte…si sot kaq vjet u ndave nga ne i dashtun e i paharruem Padër Zef… Vepra jote monument përcjell dëshminë e gjallë të shenjtënimit të vujtjes dhe përshpirtjes.
Me vokacionin e parajsës kristiane jetove për të na rrefy ferrin shqiptar që ende kullon gjak të pafajshem martirësh.
Kemi detyrën morale të përcjellim mesazhin e dashunisë sate. Kemi detyrën të mbajmë gjallë memorien.
Të faleminderit Padër Zef, për çdo ditë dashuni që më dhe e më fale.
“Superiori Át Marin Sirdani më thirri në odë të vet për dy fjalë. Ndigjo, more djalë,- më tha,- un e çmoj vendosmëninë tande, por çdo gjâ ka masë: shka del jashtë mase asht budallallek. E kupton? Ti ke ardhë këtu në kohën mâ t’keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjiherë e sidomos na. Ktheu në katund, aty ku ishe, struku, mos fol, as mos i beso as këmishës sate. Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë. Na pleqtë edhe na ardhtë puna me dekë, e kemi kositë livadhin, por ju të rijt duhet të jetoni. Zoti asht i Madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshej njerzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue. A e kupton shka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë! Nuk asht fjala që po mbarojmë sot. E dijmë këtë. Nuk duhet të mbarojmë për nesër e për shekujt e ardhshëm. E kupton këtë? Fra Zef, un jam sot për sot Superjor: po të jap urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue!”
Libri i kushtohet
“Atyne që vdiqën njerz
atyne që qëndruen njerz[…]”
Lum kush kupton dhe qëndron njeri…
Si sot kaq vjet shuhej At Zef Pllumi në Romë.
La nji popull jetim…