Në konferencën e përjavshme për shtyp, kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se sulmi ndaj tij është porositur nga Edi Rama.
“Unë e kam falur kamikazin pa eksploziv të Edi Ramës, Gerti Shehun. Por debatet e shumta, lidhur me ngjarjen, më detyrojnë të jem sot këtu para jush për këtë çështje. Për të sqaruar opinionin se pse unë akuzoj direkt Edi Ramën si autor ose porositës të këtij skenari.
Nuk e akuzoj Edi Ramën për motive dhe shkaqe politike. Jo. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se çdo njeri që gabon, që akuzat e mia kanë këtë qëllim, mashtron veten dhe asgjë më shumë. Nuk e akuzoj aspak për faktin se policia nuk mbrojti protestën.
Unë e akuzoj Edi Ramën sepse Gerti Shehu është informator i policisë kriminale me emër, mbiemër dhe kod, dhe është përdorur nga Ardi Veliu. Ky informator është përdorur në dokumentet zyrtare për çmontimin e rrjeteve të drogës dhe si vesh për xhematin e xhamisë. Përhapja me shpejtësi e variantit të sëmurë psikik, dëshmon se Gerti Shehu është nën mbrojtjen totale të Edi Ramës, që ka porositur krimin e tij.
Unë e akuzoj Edi Ramën sepse për pacientin e Edi Ramës dhe klientin e Ardi Veliut, nuk ekziston asnjë dokument zyrtar që të faktojë se është i sëmurë i papërgjegjshëm. Përkundrazi ekziston vendim gjykate që e shpall ligjërisht plotësisht të përgjegjshëm dhe e dënon për goditjen e një personi tjetër.
Çfarë e shtyn Edi Ramën të shpallë Gerti Shehun nga kriminel, në të sëmurë psikik, kjo merret me mend. I sëmuri i Edi Ramës dhe klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut është aq i sëmurë, sa ka rinovuar patentën, që nuk u lëshohet kurrë atyre me probleme mendore. I sëmuri i Edi Ramës, klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut, është aq i sëmurë, sa ka marrë kredi në banka, akt që nuk ndodh kurrë për një të sëmurë psikik,” tha Berisha.
Atentati/ Berisha: Rama nuk feston kurrë pa një agresion, synonte t’i jepte opozitës goditje asgjësuese
Kryetari demokrat, Sali Berisha, sqaroi sot se pse Edi Rama porositi sulmin ndaj tij.
“Le t’i referohemi ngjarjes. Ju dhe çdo qytetar mund të thotë se i vetmi njeri që nuk ishte i interesuar për ngjarjen, ishte Edi Rama. Por ky gjykim vlen vetëm për njerëzit që mund të kontrollojnë urrejtjen e tyre. Por jo për Edi Ramën, që kurrë nuk feston një sukses pa një agresion verbal apo tjetër ndaj kundërshtarit. Çdo sukses ai e paraqet me moton: plastë armiku.
Këtë konstatim e kam shprehur me dhjetëra raste në parlament dhe studio televizive. Ai është unik në universin e njerëzve dhe personazheve që kam lexuar ndonjëherë. Po për këtë motiv dhe asnjë tjetër, Edi Rama festoi samitin e liderëve të BE me një akt antiligjor, atë të hedhjes në erë të resortit Prestige, të Irfan Hysenbelliut, të konstatuar armik prej tij. Një akt të tillë nuk e bën kurrë një njeri që kontrollon urrejtjen e tij,” tha Berisha.
“Pse Edi Rama, atë ditë të samitit, zgjodhi sulmin fizik ndaj Berishës, në kuadër të asgjësimit të opozitës së vërtetë? Edi Rama ishte i bindur se me këtë skenar apo ngjarjet që pasonin, do i jepnin opozitës një goditje asgjësuese.
Ai mendoi se Sali Berisha nuk do ngjitej më në tribunë apo ai do udhëhiqte në zonën ku kërcënohej siguria e samitit, dhe kështu do u tregonte fytyrën e vërtetë, pjesëmarrësve në samit. Ose do të ndodhte që kamikazi i tij të vritej dhe në këtë mënyrë të damkoste opozitën si vrasëse para botës,” theksoi ai.
Berisha: Rama po e mbron Gerti Shehun se qëndron vetë pas skenarit
Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në konferencën për shtyp se kryeministri Edi Rama po e mbron agresorin Gerti Shehu sepse qëndron vetë pas këtij skenari.
“Pas këtij akti, ai mobilizoi makinerinë e tij për të zhurmuar krimin nga mëngjesi deri në darkë dhe për ta paraqitur autorin si të dezekuilibruar, duke harruar se vetëm tipa të tillë përzgjidhen për këto misione.
Policia përdori një dokument jozyrtar për këtë qëllim, me titullin: atij që mund t’i interesojë. Dokumente të kësaj natyre, policia nxjerr në mënyrë të paligjshme për të lehtësuar agjentët apo informatorët e saj kur ata arrestohen së bashku me delinkuentë të tillë.
Një dokument i tillë nuk nxirret kurrë për një të sëmurë, që gëzon kodin më të lartë të sekretit. Ai ka të garantuar me Kushtetutë sekretin e të dhënave personale. Shteti i ka të përcaktuar me ligj kanalet zyrtare, që nuk janë respektuar në këtë rast. Ai është një dokument i paligjshëm dhe nuk mund të lëshohej kurrë nga një mjek.
Sepse vetëm mjeku pohon se këtë dokument ia ka dërguar edhe policisë. E kuptoni çfarë situate? I them zotit doktor që ke bërë gabimin më të madh. Ka procedura ligjore, se kur policisë i duhet, merr të dhënat e qytetarëve shqiptarë. Ka prokurori, ka gjykata, ka vendime.
Ju e dini se Gerti Shehu është arrestuar me katër të tjerë duke shpërndarë drogë, por policia nuk e ka dërguar në gjykatë, se ky ishte i infiltruari i saj. Një informator policie, ka një përzgjedhje të caktuar. Aktin e parë, që do bënte në rast se mësonte informacionin më të vogël për një tentativë të tillë, do informonte shefin.
Ata që thonë se është përdorur nga shërbime të huaja, nuk kanë asnjë fakt. Unë nuk është se nuk e di, por akuza të paqena nuk mund të ngre. Ky është një qëndrim i shtetit, i policisë.
Edi Rama po e mbron për llogari të shërbimeve të huaja? Jo, po e mbron sepse qëndron prapa skenarit,” tha Berisha.
Berisha: 6 dhjetori ishte triumf i opozitës, kauza jonë nuk vdes kurrë
Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se protesta e 6 dhjetorit ishte një triumf për opozitën.
“Për ta mbyllur, sulmi fizik i Edi Ramës, i porositur nga Edi Rama ndaj Sali Berishës, është një sulm tërësisht i porositur. Përpjekja e tij për të shuar çdo shpresë hetimi me makinerinë e tij propagandistike, e fajësojnë atë plotësisht dhe për herë të dytë.
Përdorimi i një dokumenti të paligjshëm pa asnjë vlerë ligjore, dëshmon edhe njëherë se autorë të vërtetë janë ata që po përpiqen të shpëtojnë kamikazin pa eksploziv nga barra e krimit. Së fundmi, lexoni deklarata që u bënë, që ishin të gatshme dhe u shpërndarë kudo nga zyra e Fugës.
Nuk jam këtu, absolutisht për t’u ndalur në mënyrë të veçantë te kjo, sepse ne jemi në një revolucion. Ajo që dua t’u them është se data 6 dhjetor ishte triumfi i opozitës.
Ishte triumfi në sensin, që i faktoi mbarë botës sesa të drejtë ka kjo opozitë në tezat dhe qëndrimet e saj. Ia them prapë sot, mund të godasësh një njeri, një njeri edhe mund të vritet. Por një kauzë nuk vdes kurrë.
E garantoj se opozita do i japë Edi Ramës të gjithë përgjigjen e merituar si një armik i egër i votës dhe lirive të shqiptarëve,” tha Berisha.
‘Shkarkimi’/ Berisha: Rama e flaku Yuri Kim si limon të shtrydhur, ne e toleruam sjelljen e saj për dy arsye
Kryetari demokrat, Sali Berisha, komentoi edhe deklaratën skandaloze të Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila njoftonte shkarkimin e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Ai tha se Kim e ka ndihmuar Edi Ramën vazhdimisht, kurse tani ai e flaku si limon i shtrydhur.
“Nuk u habita me deklaratën e Edi Ramës me zëdhënësen Xhaçka. Por me këtë rast dua të theksoj se kemi të bëjmë me një flakje të një limoni të shtrydhur.
Në 100 vite marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve, nuk ka pasur ndonjëherë një diplomat amerikan që të ketë dëmtuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane më shumë se Yuri Kim.
Sjelljet dhe veprimet e saj në Shqipëri nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore të vendeve të lira, me parimet dhe nenet e konventave ndërkombëtare të respektimit të sovranitetit të një vendi, të respektimit të ligjeve të një vendi, por mbi të gjitha të respektimit të vullnetit të qytetarëve të zgjedhur. Ajo zhvilloi një veprimtari tepër të padenjë për përfaqësuesin e një vendi të lirë, vendi partner, vendi mik.
I ka lejuar të thërrasë në radhë si të ishin ushtarë, deputetët e Kuvendit kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar.
Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve, se do hanë bar nëse mbështesin Sali Berishën, dhunimi flagrant i sovranitetit të një vendi duke kërkuar mosfutjen e Sali Berishës në Kuvend, pasi kishte marrë mandatin nga sovrani, thirrjet ndaj elektoratit se kë duhet dhe kë nuk duhet të votojë, kundërshtimi i çdo konvente me kërcënimet ndaj gjyqësorit, këto janë akte të shëmtuara të saj, për të cilat garantoj se po të ishin dy faktorë, ndjenjat dhe admirimi i imi dhe mbështetësve të mi ndaj SHBA, dhe agresioni barbar rus ndaj Ukrainës, zonja në fjalë nuk do të ishte toleruar kurrë. Me protesta paqësore, paqësisht do të ishte kërkuar largimi i saj sa më shpejt nga Shqipëria,” tha Berisha.
“Por, largimi i saj, uroj dhe shpresoj se këtu del qartë se ka një lobim për këtë, megjithëse mund t’i ketë mbaruar mandati. Fakti që Rama njofton këtë proces, është i pashembullt në historinë 110-vjeçare të shtetit shqiptar,” shtoi Berisha.
Berisha: Revolucionet nuk vdesin kurrë, kjo është betejë për votën e lirë
Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se revolucionet nuk vdesin kurrë.
“Sot jam më i vendosur se kurrë për këtë udhëhequr këtë revolucion. Natyrisht triumfi kërkon në faza dhe kërkon kohën e duhur. Ne do e rrëzojmë regjimin me protesta, me larminë e mosbindjes civile. Revolucionet nuk vdesin kurrë. Mos harroni. Nuk ka paqe pa revolucione”.
“Kjo betejë është për votën e lirë, nuk është për karrigen e Sali Berishës në mënyrë absolute. Unë do bëj gjithçka që shqiptarët të votojnë. Pavarësisht bindjeve të tyre. Edi Rama po përdor që tani makinerinë elektorale në shkelje flagrante të parimeve themelore ndërkombëtare. Prandaj unë do të vazhdoj betejën,” tha kreu demokrat.
“Edi Rama futi në dorë udhëheqjen e opozitës. Kjo mori fund. Ndërkohë, me rithemelimin e PD-së, u krijua një opozitë siç duhet të ishte. Kjo e tmerron Edi Ramën. Dhe zgjodhi atë moment, në mënyrën më diabolike, në mënyrë që t’i jepte një goditje fatale opozitës, imazhit, drejtimit të saj. Por llogaritë nuk i bëri. Përkundrazi, ajo iu kthye në atë që meriton dhe do i kthehet. Është një proces. Vazhdon ky proces,” theksoi ai.
Berisha foli edhe për çështjen e lirisë së medias.
“Edi Rama, nëse ti ndërmerr një hap kundër fjalës së lirë, këtë e ke kundër çdo qytetari shqiptar dhe dinjitetit të tij. Fjala e lirë është kushti më themelor i dinjitetit njerëzor dhe i lirisë së një njeriu. Nëse ti atakon, prish një resort, i cili me dokumente ka qenë me leje, por edhe pa leje janë këtu me dhjetëra pallate që po ndërtohen, edhe mund të bëhej një zgjidhje, atëherë ti e ke këtë kundër fjalës së lirë, se doje që fjalën e lirë ta fusje nën kontroll të plotë, siç u bë me Agon Channel, siç mund të pësojë, po e ndjek, ABC-ja. Endri Xhafon e larguan menjëherë pronari i ri. Largimi i Endri Xhafos është një lajm shumë i keq për atë media dhe për median shqiptare,” u shpreh kreu demokrat.
Komentet