JASHTË PARANTEZËS
S. Guraziu, 2014
.
(finis vitae sed non amoris)
.
Në fillim gjithçka është djerrinë,
një pikë uji e shpon gurin,
por tokën s’e mbars fjala,
fara boshe, s’ka zanafillë
pa frymën e dashurisë,
lëkurënjomë mbi gurë
i njohim filizat e frikës, ligjet
e logjikës, e njohim zvarritjen,
si hardhuca të dritës, lakuriq
nën diellin e pafajsisë, që
nga thirravaji i parë sikur
e dimë: s’do ishim nisur
kurrë kah drita pa dashurinë.
Parandjenjat tona stampuar
qelizave, në secilin gjen, diç
sikur na flet: s’ka tjetër shteg,
dhe frymojmë, dashurojmë,
ushqehemi me ëndrrat, dehemi
për një jetë, e marrim vulën
e kthimit diku në “mesjetë”,
kthehemi me t’njëjtën biletë;
në ardhje frymën si dashuri
e pranojmë, në ikje dashurinë
e gjithë jetës… si frymë
duhet ta dorëzojmë.
.
PADREJTËSI (PARNASIANE)
S. Guraziu, 2012
.
(nëse ende s’ke gjetur bririn e Zeusit* me mjaltë e ngushëllim, s’të njeh as Safoja… as ata në Olimp)
.
Vargjet si karamele
të ndjesisë, çokollatash
“Merci”, si “Milka”
të Helvetisë,
si fjalë të Apollonit
që nga larg na ushqejnë,
si Pegas i Perseut
që nga askund shfaqet
e vjen – në Delf
një pallat ëndrrash,
rrotull plot puthadorë,
por ti vetë as diademë
as kurorë!
.
Pasqyra* të flet
(amour propre), askush
si ti s’e shuan etjen
për dritë, etjen e vetë
dritës, je ti buzëqeshja
e “pafajësisë”, ëndrra
e Afërditës, me vargje
afshi i saj… në cepin
e buzëvales, kurmi
i bardhë, vetë lëkura
e imagjinatës!
.
Pasqyra jote e di,
përtej xhamit pakoja
e shpirtit bën dritë,
lëkura është gjymtyra
më e madhe e trupit
poetik, kërthiza mbase
vrimëbardha “solaris”,
diç si shkencë…
ngjeshje e hijeve
në pambarim, mbase
zanafilla e vetë poezisë,
as vetë drita s’ka
“shpëtim” nga aty!
.
* Briri i Bollëkut (mit. greke) – Briri i dhisë (Amaltea) nga i cili thithte Zeusi i vogël, dhe i cili kur shterronte mbushej me fruta. Në përrallat e popullit, briri mbushej me gjithçka që pronari të dëshironte.
.
* “Pasqyra që flet” – Pasqyra magjike, objekt mistik në pronësi të Mbretëreshës së Keqe (apo të Ligë), në përrallën “Borëbardha” (Vëllezërit Grim) – “pasqyre, pasqyrë që t’mbaj në dorë, kush është më e bukura në botë…”
.
KALI I NILIT DHE ZOGJTË
S. Guraziu, 2009
.
Hippopotamus, të gjithë e dinë
pse ke turp ti “qos” natyre,
s’ke gëzof, far’ leshi burrash
as qime, gjithmonë i “parruar”
a la natura në turbullirë fshihesh,
si shtyllak ngulesh nga turpi
në vend, gjoja mediton… s’mund
të përdridhesh si Anakondat
e prapë si një gjarpër i trashë
tmerron, vetëm verbërinë dhe sytë
mbi ujë mban, mos mendo keq
Horusi dhe Sethi s’të shajnë, jo
kurrë s’të përqeshin – ata të duan!
.
Hippopotamus, si nuk e sheh
ti mizor deltash, moçalesh, kënetash
si nuk e ndjen këtë pafajësi natyre,
gjithë ata zogj naivë tek cicërojnë
çiltër mbi ty, ngrohtësisht si rrezet,
butësisht e freskët si puhia e bjeshkëve,
prapë të besojnë, tek ty fluturojnë,
ndër dhëmbët monstruoz…
ndalojnë, dhe t’i pastrojnë
aq natyrshëm – ata të duan!
.
Hippopotamus, ti i vret madje
dhe këlyshët e tu mizorisht, nuk “ndjen”
as më të egrin, më të frikshmin
anima-instikt, aq egërsisht
egërsohesh për zonën tënde të influencës,
për “ekosistemin” e grykësisë,
mos ti shpirt demoni, më parë dëgjo
klithmat, thirravajet, mos i vrit
fëmijët e tu, të natyrës – ata të duan!
.
Hippopotamus, turp të kesh
nga paturpësia jote e natyrshme –
njëjtë si zogjtë, si fëmijët e tu, natyra
të fal natyrshëm, falë pavetëdijes tënde
për egërsinë – natyra të do,
Hippopotamus!
.
HIDRO-POEZI PËR TITULLIN “MISS” (I)
S. Guraziu, 2002
.
(jo)natyrshmëri estetike
.
E dashura ime s’ka dhëmbë të vërtetë
dhëmbët e saj janë mobil (s’janë stabil)
artificialitet, art i dentistit specialist,
manufakturë artizanale e përkryer, lodër
ashti në punëtorinë e Mickey Mouse –
çdo natë dalin nga goja… mëngjeseve
kthehen prapë, në trajektoren e zakonshme
nga gota me ujë çezme mbi komodinë
në gojën e saj plot “aromë peperminti”…
aty bëjnë gjumin sterilizues, relaksim
nate – rrugëtim rutinor i përkohshëm
në hidro-laboratorin e mirëmbajtjes,
një lloj gjumi vullnetar jashtë elementit, ose
gjumë i lëngshëm – kjo shpikje moderne
hidro-ambient i qëllimshëm për gjumësinë,
patjetër dhe prehje analitike për bardhësinë,
pastrim kimik deri në atomikën e fjetur, proces
i konsoliduar tashmë për bukurinë natyrale,
funksional deri n’vrasjen mikro-organike,
në esencë i padukshëm (veç flluskave),
nuk shihet ç’ndodhë më tej brenda
kimisë, s’është as nevoja të kërkohet
brenda thelbit të natyrshmërisë – dihet
çdo gjë ndodhë pashmangshëm, cikël
në emër të përkryerjes denta-materiale
deri në imtësitë e pakapshme strukturale
kërkohet pamje perfekte dentale,
bardhësi natyrale, sa më shumë shkëlqim
për një dite të re – kur t’jetë kthyer prapë
ky mekanizëm kyç… aty në vendin e vet!
.
ARS GRATIA ARTIS
S. Guraziu, 2016
.
Qirinjtë e Naimit u shkrinë,
i hëngri vetë drita – fjalët
e tij ngelën, nuk u tretën,
ikja matanë s’i djeg
shpirtrat, as fjalët
as poetikat, shpirtrat janë
fjalë, përjetshëm fjalamanë…
.
…i flasin Mnemozinës,
Lethës, herë harresës,
herë kujtesës, bredhin
Hadesit të pafund,
Letha i bënë harrestarë,
Mnemozina ngutet
shpik fjalë, “ars gratia
artis”, ambroz, mjaltë
i kulluar hyjnor,
ushqim shpirtëror, me fjalë –
fjalët ngelin gjallë.
.
Le t’treten vargjet e Safosë,
librat, letrat e gjithë botës,
le t’behen shkrumb buzet
e vetë Kaliopës, asgjë…
shpirtrat janë fjalë, bredhin
si Bajroni… matanë – dikur,
poet-endacaku i Europës.
.
* Mnemozina (Titanidë), mit. greke – perëndesha e Mbamendjes, nëna e Nëntë Muzave, ajo i pati shpikur Fjalët dhe Gjuhën, ishte gjithashtu emri i një lumi në Hades (Hadesi i kishte pesë lumenj), të vdekurit që do pinin nga ujërat e Mnemozines do t’mbanin mend të kaluarën e gjallimit, s’do ta harronin jetën e tyre
* Kaliopa – vajze e saj, njëra nga nëntë muzat…
* Letha, mit. greke – perëndesha e Harresës dhe emri i njërit nga pesë lumenjtë në Hades, në të cilin lumë të vdekurit do pinin për ta harruar jetën e tyre tokësore.
.
URIA (POLITIKE)
S. Guraziu, 2014
.
Ky peshk i ngratë
deri sot duhet t’ketë qenë gjallë,
unë e kullufita i uritur,
jo i babëzitur, si figuracion…
lëpirja e gishtave s’do jetë
gënjeshtër – tek pastaj u kujtova
për urinë e tij!
.
Vetë fakti që i ngopur
mendoj kaq kthjellët flet
se uria është aleat i qelizave,
por armik i komunitetit qelizor
brenda kafkës, truri bie në amulli,
s’ka kthjelltësi as për sytë
as për mendjen, të uritur
s’e shohim as grepin
as vetveten!
.
Sado të mençur, peshqit rrallë
shtiren se nuk janë peshq,
si në stere si në det.
(uria le t’jetë vargu i fundit
imagjinar… mbase ndihmon
t’i shmangemi vrasjes
së paramenduar)!
.
Notë:
…me rastin e vrasjes së biznismenit Artan Santo… në Tiranë, 2014 – por si “frymëzim” do lidhej dhe një “listë e zezë” e së kaluarës, në vitin 2007, gazeta “Tirana Observer” e pati publikuar një artikull-listë për 100 vrasjet e kryera në 17 vjet, me titullin “1990-2007, 100 vrasjet më të bujshme në Shqipëri” – Për fat të keq, janë fare të paktë biznesmenët “apolitikë” në Shqipëri (ose më mirë e thënë: që t’mund të operonin “apolitikisht”), ata zakonisht manevrojnë mbi një fije të hollë ekuilibri mes palëve politike. Në përgjithësi biznesmenët e Shqipërisë, e edhe ata të Kosovës, sikur medoemos “duhet” t’jenë brenda një taborri politik, brenda një “klanokrature”, brenda një kampi, brenda një konjukture politike…
.
MULTIVERSUM YJOR
S. Guraziu, 2013
.
(çdo yll e qetëson lavjersin e vet
i gozhduar diku me gjilpërën
magnetike në glob, dhe pretendon
të jetë në qendër të universit)
***
Arabët modernë i quajnë yjet
me emra satelitësh, këmbët
ngulur në dunat, nëpër pishina
nafte i zbardhin “baluuzaat”,
celularët në veshë, përtypin
hurma dhe “bla, bla” me Zotin.
.
Eskimezët çuditen pse yjet
e qiellit që këputen s’bien
pingul në akull, si toptha drite
drejt në vrimën rrumbullake,
peshqit e uritur të ndriçoheshin,
dhe ata vetë që të ngopeshin.
.
Evropianët pandehin gjithë yjet
e gjithësisë janë të “krishterë”,
ndonjëri aty-këtu jo por të tillë
janë yje mashtrues, prandaj
Kolumbo dikur ia huqi Indisë
atij ia hodhi vetë Polaris.
.
Amerikanët i hedhin pesëdhjetë
yje në zjarr, insistojnë Amerigo
Vespucci thjesht pati fat, qëlloi
italiani i parë me emër të vërtetë,
dhe aspak mafioz, athua cili do jetë
Al Capone me fat për në Mars.
.
Kinezët, si yjet mbi Murin Kinez,
zhyten në histori, kujtohen se si
një shekull më pas De Gama
s’e kuptonte dot, nëse e gjithë
bota e tyre mund t’ishte, vallë
pse kinezët e dogjën flotën kot.
.
HANXHIU NË HALLE
S. Guraziu, 2001
.
në hanin tonë njëmijë udhëtarë
kaluan natën, bajgat nëpër saç
pranvera sython me bar të keq
.
shenjë e ligë, keni për t’parë
qengji-qengjit do i thotë “plaç”
ustallarët do shtiren kryeneçë
.
tani dimër, borë e bardhë
bar i thatë, barishte, jo spinaq
lejlekët vijnë nesër për përpeq
.
ballë i oxhakut, plak përmbi plak
tre rreshta urtësi, tre renda fli
oxhaku s’e ngroh një dordolec
.
me gisht përzien qullin, qullu pak
me tre rreshta bën një fli-mrekulli
me tri tulla e tri krande një kotec
.
njëmijë opinga, asnjë e majtë
njëmijë opinga, asnjë e djathtë
hanxhiu s’ka brumë për kulaç
.
minjtë po qeshin nën samar oiii
usta hanxhi ore zotni dallavesh
kot e ke, lejlekëve s’ua hedh dot
Komentet