Më në fund Tare Korreshi iu përgjigj ftesës për garë të Shit Sheqit. Edhe Shit Sheqi, ashtu si Tarja e kishte bërë me porosi belin e tij te kovaçi me qëllim që beli të futej sa më thellë e të mbante sa më shumë dhé. Ishin vitet pesëdhjetë, kur kanalet hapeshin me bela e lopata. Punëtorët që hapnin kanale, i hapnin garë njeri-tjetrit për të fituar flamurin e kuq transitor që qëndronte i ngulur në mezhdën e kanalit, pranë punëtorit që e kishte fituar. Flamuri transitor ishte një lloj stimuli moral që kishte një forcë të çuditshme, misterioze që ia kalonte edhe forcës së lekut. Një copë beze e kuqe dhe një copë shkop ishte…Por nga i vinte vallë ajo forcë e çuditshme që e lakmonin të gjithë? Mos vallë nga ngjyra e kuqe që simbolizonte të kuqtë në pushtet dhe kush e fitonte, bëhej më i afërti i pushtetit, fitonte përkrahjen e tij, sigurinë, paprekshmërinë? Edhe dekoratat e punës në gjoks, po këtë magji, po këtë forcë të mistershme kishin? Leku, në ato vite zije, kur njerëzit vuanin për bukën e gojës, nuk vlente asnjë lek. Punëtorët që hapnin kanale ishin punëtorë të rëndë, ishin ekskavatorët e kohës. Po kur do të bëhej vallë çlirimi i njeriut nga mundimi e stërmundimi shekullor?
Gara do të bëhej të nesërmen në Fushën e Labotit, buzë Kënetës së Tërbufit. Për garën flitej gjithandej. U mor vesh nga të gjithë se i riu nga Shegasi, i kishte hapur garë Tare Korreshit, punëtorit që bënte çdo ditë, tre- katër norma kanal më shumë se punëtorët e tjerë të Bonifikimit. Po flitej si të ndeshej Gjergj Elez Alia me Bajlozin. Unë u bëra me Shit Sheqin. Sepse më dukej më i pakët në trup, prandaj doja që ai ta fitonte patjetër garën. Më ka pëlqyer e më pëlqen që të jem përherë me palën e dobët. Doja që Shit Sheqi, t’ia thyente turinjtë atij Tare Korreshit që mburrej shumë me ato alamet shpatulla dhe me atë hundën me gropa-gropa si të një boksieri. Tare Korreshi kishte filluar të mburrej shumë ngaqë fotografia e tij qëndronte në tabelën e nderit në qendrën e emulacionit të ndërmarrje së Bonifikimit, që ngrihej në ballë të qytetit. Për të fliste RadioTirana, shkruanin gazetat… Duke mbajtur anën e Shit Sheqit, mua më dukej sikur do t’i jepja atij fuqinë e domosdoshme për ta mundur Tare mburravecin. Më dukej sikur unë do të isha ai guri i vogël i kandarit apo ai miu i përrallës ”Plaku dhe rrepa”, pa pjesëmarrjen e të cilit në shkulje, s’do të ishte shkulur kurrë rrepa e kuqe. S’më durohej. Doja që gara të fillonte sa më shpejt. Vetëm unë dhe Ceni i Tefikut ishim në anëne Shit Sheqit. Të tjerët ishin me kampionin, Tare Korreshin, me ekskavatorin e kanaleve, siç e quanin Taren disa të tjerë. Për të kishte shkruar edhe gazeta ”Zëri i popullit” që në atë kohë, të bënte kreshnik në çast, si me magji. Për mua ka shkruar ‘‘Zorrët e popullit”, thoshte Tare Korreshi me mburrje, por edhe duke e deformuar, jo pa qëllim, besoj, titullin Zëri i popullit, në Zorrët e popullit. Ai rridhte nga një fis me kleçkë në biografi, por duke qenë punëtor i rëndë, s’ia vinin veshin dhe ia kalonin me të qeshur këtë shtrembërim, me që ishte njeri pa shkollë. Tare Korreshi borroçitej si një dem i kuq duke e ndierë veten të përkëdhelurin e brigadierit.
Thuhej se ata që ishin futur në garë me Tare Korreshin e kishin pësuar keq. Njeri prej tyre, pas garës kishte zënë dy-shtratin, për dy-tre muaj rresht, sepse i lëvizi nga vendi një nga unazat e shtyllës kurrizore, kurse një tjetër e kishte pësuar edhe më keq dhe, iu desh që të ecte gjithë jetën me karrocën e invalidit, si viktimë e garës me Tare Korreshin… Po sikur ta pësonte edhe Shit Sheqi siç e kishin pësuar edhe të tjerët, apo ta pësonte edhe më keq akoma? Unë dhe shoku im Ceni, i trembeshim shumë kësaj gare, pasi Shit Sheqi s’kishte trupin e Tare Korreshit. Shiti kishte vullnet, këmbëngulje, por këto nuk mjaftonin e nuk përputheshin me fizikun e tij që s’ishte i një peshe me atë të Tare Korreshit. Ishte sikur të rrokej një mundës i peshës së rëndë me një mundës të peshës së puplës.
Gara nisi të hënën në mëngjes herët. Ishte mesi i muajit maj, prag qershori. Secili nga dy punëtorët në garë duhej të hapte pesëmbëdhjetë metra kub kanal. Një hata e vërtetë për atë kohë. Kohëzgjatja për hapjen e kanalit u caktua diell me diell. Ai që do ta fitonte garën, do të merrte flamurin transitor, zbukuruar anash me xhufka të verdha mëndafshi.
Të gjithë barinjtë ishin tifozë për Tare Korreshin, përveç meje dhe Cenit të Tefikut që ishim me Shit Sheqin. Shiti kishte mbetur jetim që i vogël. Përveç nesh ai nuk kishte asnjeri tjetër, as motër as vëlla. Ishte rritur në strehën varfërore dhe jetonte në bërrakën e punëtorëve të Bonifikimit.
Vendi ku do të hapej kanali ishte piketuar me kunja marine. Në dy anët e vendit ku do të hapej kanali zgjateshin dy fije spangoje. Pritej të dilte dielli prapa kodrave të Dumresë që secili të ngulte belin e parë.
***
Me të dalë paksa dielli mbi kodrat e Dumresë, nisi gara…
Vendi ku hapej kanali ishte gjithë luleshqerra, bar të ri pranveror dhe plot lastarë të njomë laboti. Gjatë gjithë dimrit, fusha para kënetës që ne e quanim fusha e labotit, sepse në pranverë ajo mbushej me labot, kullosnin një mori patash të egra. Patat e mbulonin fushën me glasa, e plehëronin atë dhe në pranverë aty harbonte laboti, lastarët e tij zgjateshin dheras, shtriheshin rrafsh me tokën dhe krijonin një tapet të blertë. Në pranverë aty kullosnin lopët, pas daljes nga ujërat e kënetës. Laboti ishte disi i njelmët dhe lopët, pasi ishin ngopur me kallam të njomë kënete, duket se njomnin, e shpëlanin gojën me të. Ne, barinjtë e vegjël në këtë fushë luanim top, cingli dhe dokrri.
Kanali kullues i Myzeqesë hapej për të përthithur gjithë ujërat e fushës. Ai do të përshkonte tejpërtej fushat e Myzeqesë dhe do të vinte të derdhej në kënetën e Tërbufit. Këtu buzë kënetës kanali zgjerohej shumë, por edhe bëhej i cekët, i cekët, fare i cekët, gjersa thellësia e tij shkonte në zero.
Këmbët e dy punëtorëve në garë zhubravisnin luleshqerrat dhe barin e blertë të fushës. Mua më vinte keq për lulet dhe barin, por ajo ishte garë dhe asnjeri nga punëtorët s’vinte re as luleshqerrat as barin, por secili i hidhte ato me bel tutje mbi mezhdë, së bashku me dheun e gërmuar. Petavrat e dheut merrnin formën e belit, fluturonin në ajër si krahë thëllëzash në fluturim. Nuk mbahej Shit Sheqi. Nuk mbahej Tare Korreshi. Ne, barinjtë e vegjël i harruam lopët. Ne, numëronin belat që nguleshin dhe mbusheshin me dheun e shkrifët që sapo kish nisur të hapej. Numërimi i belave dhe i plisave nuk zgjati shumë, sepse u ngatërruam ngaqë Tare Korreshi dhe Shit Sheqi punonin me shpejtësi marramendëse. Në fillim Shit Sheqi bëri shumë përpara. Belin e parë e mbaroi më shpejt se Tare Korreshi. Unë edhe Ceni i Tefikut u hodhëm përpjetë nga gëzimi. Tarja kishte ngelur prapa. Por ai nuk po e prishte terezinë dhe neve, na vinte inat për këtë. Ai nuk nxitohej. Punonte sikur s’ishte fare në garë. Garën s’e kishte kërkuar ai, atij i kishin hapur garë. Por ne, vumë re se belin e parë Tare Korreshi, ekskavatori, e kishte ngulur më të thellë se Shit Sheqi. Shiti kishte ecur më shpejt sepse e kishte punuar më cekët sipërfaqen e belit të parë. Shit Sheqi kishte fituar në shpejtësi, kurse Tare Korreshi kishte fituar në thellësi. Këtë s’e kuptonim dot as unë as Ceni i Tefikut. Ne, shihnim që Shiti ishte një bel përpara dhe bërtisnim e duartokisnim urra, urra, urra, nga gëzimi. ( Britma urra, ishte shumë e modës në këtë kohë ). Por kanali do të bëhej katër bela i thellë. Kur Tare Korreshi filloi belin e dytë, Shit Sheqi kishte bërë gati gjysmën e sipërfaqes së belit të dytë. Unë edhe Ceni i Tefikut hidheshim përpjetë, duartrokisnim e bërtisnim urraaaa… nga gëzimi. Shokët tanë që ishin me Tare Korreshin rrinin kokulur, por ata, megjithatë, shpresonin, kishin besim se Tarja i tyre do ta fitonte garën dhe, flamuri i kuq transitor me xhufka të verdha mëndafshi anash, do të mbetej përsëri i ngulur aty ku punonte Tare Korreshi, buldozeri, ekskavatori… Të dy ishin mbuluar në djersë, por Shit Sheqi më shumë nga të dy. Shiti Sheqi, ishte zbardhur paksa në fytyrë…
Dielli sa vinte e ngrihej më lart. Djersët u kullonin vu,vu, të dy punëtorëve në garë. Shitit edhe më shumë. Ai po mbytej në djersë. Tarja nuk pyeste për djersët, kurse Shitin e mërzisnin djersët, si të ishin miza dhe ai herë pas i fshinte ato me kurrizin e dorës. Kjo po i hante goxha kohë. Prandaj unë edhe Ceni i Tefikut ia fshinim djersët Shitit, që ai të mos humbiste kohë duke i fshirë vetë, ato. Por kjo nuk zgjati shumë… Shokët tanë u ankuan te brigadieri dhe brigadieri e quajti veprimin tonë një hile të keqe që po bënim dhe se, Shiti nuk po bënte mirë që e pranonte ndihmën tonë prej kalamanësh. Edhe mbushja e katruveve me ujë te Pusi i Rrumbullakut, ishte një humbje kohe për të dy punëtorët në garë. Tare Korreshi shkoi e mbushi vetë katruven në pus, kurse Shit Sheqit ia mbushëm ne. Edhe këtë brigadieri e quajti hile dhe ia derdhi Shitit katruven. Shitit i pihej, por katruvja s’kishte pikë uji. Brigadieri e kishte derdhur katruven dhe Shiti vazhdoi punën i etur, me buzët e bëra shkrumb. Unë i çova pagurin time, por Shiti s’pranoi të pinte, sepse jo vetëm brigadieri, por edhe ai vetë, e quante këtë një hile. Shit Sheqi donte që garën ta fitonte ndershmërisht dhe jo me hilera dhelprash. Ç’të gërmuar që bënte dhe ashtu gjithë etje e buzëtharë. Ç’të hedhur që i bënte dheut! Fluturonin plisat si thëllëzat dhe binin përtej mbi mezhdë që sa vinte e bëhej më e lartë. Shiti ishte i shpejtë, Tarja i ngadaltë si buldozer. Tare Korreshi e ngulte më thellë belin, e mbushte atë më shumë me dhé, Shit Sheqi e ngulte pak më cekët, por e hidhte dy-tri herë më shumë plisa mbi mezhdë, sepse ishte dy-tri herë më i shpejtë…
U afrua dreka.
Shit Sheqi e mbaroi së gërmuari përsëri më shpejt sipërfaqen e belit të dytë. Beli i tretë ishte më i vështirë. Ai kërkonte më shumë forcë, më shumë punë, më shumë kohë, sepse do të ishte më i thellë. Beli i tretë dhe i katërt kërkonin edhe më shumë punë, më shumë forcë, më shumë kohë, sepse ata do të ishin edhe më të thellë. Dheu do të hidhej edhe më larg e më lartë, si dhe nga një thellësi edhe më e madhe… Kjo kërkonte bythë, siç thoshte Tare Korreshi.
Kur Shit Sheqi mbaroi së gërmuari sipërfaqen e belit të dytë, u mbyt i tëri në djersë. Unë hoqa këmishën dhe ia fshiva fytyrën, qafën. Ceni i Tefikut i fshiu shpatullat dhe shtyllën kurrizore që ishte kthyer në një përrua të vërtetë djerse nën kanotierën e tij. Tare Korreshi vërtet s’u djersit shumë, por edhe sipërfaqen e belit të dytë nuk e mbaroi së gërmuari dot, njëherësh me shokun në garë. Brigadieri, që u vu në dijeni nga shokët tanë, edhe këtë veprim tonin e quajti një hile dhelprash të vogla dhe i zbriti Shitit pesë minuta nga sasia e kohës së garës, ngaqë ishte pajtuar me hilen tonë.
Tani dielli digjte edhe më shumë.
Ndërsa Shit Sheqi punonte i zhveshur nga brezi e lart, Tare Korreshi, ekskavatori, kishte hequr vetëm këmishën dhe punonte me kanotierë, nga që nuk djersitej shumë.
Flamuri transitor valëvitej në mezhdën e kanalit që sa vinte e bëhej më e lartë. Ai ishte vendosur në kufirin që ndante pjesën e Shit Sheqit me atë të Tare Korreshit. Sa më shumë ngrihej mezhda, aq më i vogël dukej flamuri i kuq transitor dhe aq më shumë e valëviste atë era. Po ç’magji kishte ky flamur që i fuste në një garë kaq të ndezur këta dy punëtorë? Ai s’ishte as prej floriri as prej argjendi. Ai nuk ishte veçse një copë beze e kuqe, me ca xhufka të verdha mëndafshi anash. Por duhet të kishte një forcë të mistershme prapa këtij flamuri, prapa kësaj bezeje të kuqe. Madje një forcë të mbinatyrshme, që i bënte këta dy njerëz të derdhnin në këtë garë gjithë fuqinë e tyre. Tare Korreshi ishte i martuar me katër – pesë fëmijë. Shit Sheqi, mbase kishte rënë rëndshëm në dashuri…Ky flamur do ta bënte atë më të denjë për atë vajzë…
Në gjysmën e belit të tretë, u thye dita. Shiti kishte kohë që kishte zhveshur edhe pantallonat e punonte vetëm me të mbathura, aq djersë kishte. Ceni hoqi këmishën e vet. U fut në kanal që t’i fshinte djersët Shitit, por Shiti nuk pranoi se kjo ishte një hile dhe se ai nuk donte që ta fitonte garën me hile dhelpre, e shihte ose jo këtë hile, brigadieri. Brigadier ai kishte veten, kishte ndërgjegjen e tij. Shokët tanë, qeshnin me ne:
me mua dhe me Cenin e Tefikut. Ata ishin të sigurt se Tare Korreshi, ekskavatori i tyre, do ta fitonte garën. Ai i hidhte petavrat e dheut si të ishin gjethe plepi, kurse Shit Sheqi sa vinte e po i rëndohej beli, po i bëhej plumb lopata. Po në gërmimin e sipërfaqes së belit të katërt, në thellësinë një metër e ca, si do t’ia bënte ai ? Ne i çonim vazhdimisht ujë, po Shiti s’e pinte sepse e quante hile dhe djersët i rridhnin vu…
Edhe bukën e drekës Shit Sheqi e hëngri shpejt e shpejt në këmbë, pa pirë ujë se katruvja duhej mbushur, por pusi ishte një çerek ore larg. i duhej të humbiste një gjysmë ore kohë vajtje-ardhje. Dhe kjo s’ishte pak. Madje për të që fitoren e mbështeste te shpejtësia, ishte shumë. Pesë minuta ia kishte hequr brigadieri nga koha e caktuar, si masë dënimi për hilen që bëri për shkakun tonë, i thoshin tridhjetë e pesë minuta të humbura. Prandaj ai nuk u ul që nuk u ul. Në këmbë e hëngri bukën. Duart i kishte me baltë dhe djathi i bëhej pis. Para se ta hante,ai e fshinte pak djathin e ndotur te mbathjet e tij, pastaj e fuste në gojë ashtu gjysmë të përbaltur. Sa inat më erdhi kur pashë që Tare Korreshi e hëngri bukën e drekës shtruar, shtruar, ulur këmbëkryq mbi labotin e njomë. Edhe Cenit të Tefikut, shokut tim, i erdhi shumë inat. Pasi Tarja u ngjesh mirë e mirë me bukë, piu gjithë ujin që i kishte mbetur në katruve dhe dalë nga dalë shkoi e mbushi përsëri katruven te Pusi i Rrumbullakut që ta kishte plot me ujë gjatë garës. Katruvja e Shitit thahej në diell. Ai nuk shkoi asnjëherë ta mbushte katruven me qëllim që të mos humbiste kohë. Kur Tare Korreshi u kthye pas gjysmë ore me katruven plot me ujë, Shit Sheqi kishte mbaruar së gërmuari, gati, gjysmën e belit të tretë…
Dielli tani ishte ulur shumë e po u afrohej kodrave të buta të Karatoprakut që dukeshin si një varg buajsh që kullosnin nga fundi i kënetës së Tërbufit. Shit Sheqi mbaroi së gërmuari edhe sipërfaqen e belit të tretë dhe nisi gërmimin e sipërfaqes së belit të katërt. Tare Korreshi sapo kishte kaluar gjysmën e gërmimit të belit të tretë… Çunat që mbanin anën e Tare Korreshin, nisën të shqetësoheshin disi. Por prapë ata ishin të bindur se Tare Korreshi, ekskavatori i tyre, do ta fitonte që do ta fitonte garën. Ai mund ta bënte çudinë në fund. Ai ende s’e kish treguar veten…
Shit Sheqi po shfaqte një lodhje të lemerishme, ai gati po këputej. Këtë e shikoja edhe unë edhe shoku im. Shit Sheqi po këputej përherë e më shumë. I dridheshin këmbët. Ato, gati, s’po e mbanin më. Befas iu bë sikur nuk po punonte për të fituar garën, por sikur po hapte varrin e vet. E pse t’i fanitej varri? Pse ? Garën e kishte kërkuar ai, vetë. Më zuri një frikë e lemerishme. Po sikur ta linte belin e të thoshte, unë s’mundem, nuk mundëm më; jo, jo nuk hahem dot me Tare Korreshin, nuk matem dot me një eskalator, me një buldozer. Po pse iu duk atij Tare Korreshi, si një varrmihës që s’po hapte kanal, por po hapte dhe ai një varr të madh.? Kush e kishte urdhëruar Taren ta hapte atë varr të madh dhe pse? Kush e kishte porositur që të hapte një varr kaq hata? Brigadieri? Po ai vetë, i kishte kërkuar brigadierit që ta fuste në garë me Tare Korreshin, me ekskalatorin, me boksierin me hundën gropa – gropa dhe me shpatulla bualli. Befas beli i tij hasi në një kockë. Të ishte kockë njeriu? E mori në dorë kockën ngjyrë ndryshku. E pa me vëmendje. Jo. Nuk ishte kockë njeriu. Ishte kockë kafshe, ende e pakalbur mirë. Aty ku bëhej gara dhe hapej kanali, ishte buzëkënetë.… Iu kujtua se në mars, kur buzë kënetës mbinte truska dhe pipthat e kallamit dilnin dy-tri pëllëmbë mbi ujërat plot shushunja. Kjo ishte koha kur lopët futeshin gjer në bark në ujë dhe ngopeshin me piptha e gjethe të njoma kallami. Lëkura e barkut të tyre mbushej gjithë shushunja të fryra me gjak dhe që, ashtu të fryra me gjak shkëputeshin nga barku i lopëve e pluskonin mbi ujin e kënetës. Ndonjë nga lopët, ajo më e dobëta, ca nga uji i ftohtë e ca nga shushunjat, sapo dilte në breg, ecte gjer në një farë vendi duke iu marrë këmbët dhe binte dhe ngordhte në vend mbi labotin e njomë. Pasi lopën e ngordhur e hanin qentë, sorrat dhe laraskat, mbi fushë mbeteshin kockat, një nga të cilat ishte dhe kjo kockë që mbante Shit Sheqi në dorë dhe e shihte me shumë vëmendje sikur donte të zbulonte me të identiteti e lopës së ngordhur.
Shit Sheqit nuk i hiqej nga mendja çasti kur tufa e lopëve ia niste një vaji të përvajshëm me pëllitje, kur kalonte pranë vendit ku kishte ngordhur lopa. Ato e rrethonin atë vend të përmotshëm si të ishte varr dhe vërtiteshin rreth tij e vajtonin me pëllitje si një tufë vajtoresh aq përvajshëm sa gjithë barinjtë, të mëdhenj e të vegjël përloteshin. Rituali i vajtimi me pëllitje i lopëve pranë vendit të ngordhinës bëhej dy herë në ditë: kur lopët futeshin për të kullotur në kënetë dhe kur dilnin prej saj. Shiti e kishte të gjallë, fare të gjallë atë vajtim.
Dielli po i afrohej gjithnjë e më shumë kodrave të Karataprakut. Edhe një hosten donte që të prekte horizontin e lakuar kodrinor. Edhe një gjysmë metër gërmim kanali i kishte mbetur pa përfunduar Shit Sheqit. Kurse, Tare Korreshit i kishte mbetur pa mbaruar paksa më shumë. Por ai as nuk shqetësohej, as nuk tregonte ndonjë lodhje të madhe. Vazhdonte të gërmonte me lehtësi. Edhe dheun e vërviste me lehtësi mu në majë të mezhdës që tashmë dukej sa një mal. E humbëm garën, mendoja unë me vete. Të njëjtën gjë mendonte dhe shoku im Ceni, por këtë ne s’ia thoshim njeri-tjetrit, sepse në thellësi shpresonim se Shiti do ta fitonte garën. Pashë diellin. Edhe dy gisht e, dielli do të prekte majën e kodrave. Shit Sheqi kullonte në djersë edhe tani që po binte muzgu. Dukej i rraskapitur, i rraskapitur, i shtrydhur. Gati po i binte lopata nga dora…Djersa nuk i avullonte më si më parë. Ajo po i ftohej… Edhe dy tre bela i duheshin Shit Sheqit që t’i jepte fund gërmimit të kanalit, pastaj i mbetej të qëronte dheun dhe kështu ai, fitonte garën me Tare Korreshin të cilit gjithashtu s’i kishte mbetur veçse fare pak punë. Shokët tanë që ishin tifozë të Tare Korreshit nisën të shqetësoheshin seriozisht. Por prapë ata besonin në mrekullinë që mund të bënte Tare Korreshi në sekondat e fundit
Dielli preku majën e kodrave të Karatoprakut. Shiti Sheqi e qëroi më të shumtin e dheut, por nisën t’i dridheshin më shumë duart, gjithë trupi dhe djersët po i ftoheshin, po i bëheshin akull si djersët e vdekjes. Atë s’po e mbanin mê këmbët, ngriti kokën të shihte diellin. Dielli po dridhej në sytë, e tij, zuri të bëhej flu, u transformua në një tym vjollcë, pastaj i kuqërremtë. Kur dielli u fut përgjysmë prapa kodrave, Shit Sheqi kishte qëruar edhe thërrimet e fundit të dherave në të gjithë sipërfaqen e kanalit që kishte hapur. Ai kishte bërë pesëmbëdhjetë metra kub kanal. Mbi kodrat e Karatoprakut dukej vetëm një gjysmë dielli. Unë edhe Ceni i Tefikut, u hodhëm përpjetë nga gëzimi duke thirrur urraaaaa, urraaaaa ngaqë garën e fitoi Shit Sheqi, kurse Tare Korreshi e kishte humbur atë vetëm për një gjysmë dielli, sepse sapo perëndoi dielli edhe Tare Korreshi e mbaroi krejt dhe pastër pjesën e vet të kanalit.
Sapo dëgjoi urratë tona, Shit Sheqi u shtri gjatë e gjerë si për t’u çlodhur në gropën që kishte hapur…por ai s’u ngrit më…
Ne i dhamë dorën që të dilte nga kanali, por duart e tij dridheshin, ai dridhej i tëri, i ishin veshur sytë, nuk shihte më ose shihte si në mjegull. Duart e tij na ikën për duarsh si të ishin një masë lëkure pa kocka. Ai u këputë e ra në kanalin që kishte hapur vetë…
U fol se Shit Sheqit i ishte këputur diçka përbrenda vetes…
Tare Korreshi, brigadieri dhe ne, barinjtë e vegjël u mbytëm në dënese dhe në lot për Shit Sheqin, por ai s’u çua që s’u çua më…
Brigadieri vendosi mbi mezhdën e kanalit, flamurin e kuq transitor me xhufkat e verdha, të mëndafshta, anash. Tani e tutje ky flamur i takonte Shit Sheqit…
Shiti e kishte fituar me kokë atë rreckë…”
Flamuri i kuq transitor qëndroi gjatë mbi mezhdën e kanalit, atje buzë Kënetës së Tërbufit. Askush s’e prekte, askush s’e trazonte atje buzë kënetës në mes të Fushës së Labotit. I qullur nga shirat dimërorë, i rrahur nga erërat dimërore, i djegur nga dielli i stinëve, flamuri u zbardh, u kalb, gjersa një ditë mbeti vetëm shkopi i tij si gur i hollë, në krye të një varri…
Komentet