Ditët e para të Janarit janë ditët më të zbrazëta, më të boshta, më të kota të vitit për gjithë njerëzimin kudo në planet.
Bile edhe janari krejt është një muaj që s’lë shumë gjurmë në jetën e shumicës së njerëzve . Ndërsa për mua, për të afërmit tuaj, nënën, vajzën, motrat vëllezërit, për shoqërinë tënde fillimi i muajit janar këtu e 24 vite është bosh, I zbrazët, I hidhur, I trishtuar, I mallkuar, I zi, sterr I zi . Sepse ti mungon, ti s’je mes nesh, dhe jo se doje ti.
Ti e doje jetën më shumë se kushdo tjetër prej nesh, dhe dije ta doje atë si askush tjetër ndër ne.
Ashtu ndershëm, me punë, me djersë, me përkushtim, me dashuri pa kufi për familjen, për miqtë, për gjithcka të mirë.
Por jetën tënde se deshën qindra plumba kallashnikovi, dhjetra granata e bomba.
Makina në të cilën ti mbete i vrarë ditën e 6 janarit 1998 bashkë më Gjin Kolbucajn dhe Naim Dizdarin I ngjante kullës së Adem Jasharit në Prekaz që u mitralua siç dinë vetëm barbarët .
Kjo është një arësye e mjaftueshme që fillimi i Janarit për mua këtu e 24 vite është një përjetim i tmerrshëm, një klithmë urrejtje për atë kohë sterrë të zezë, por edhe për ata njerëz që e prodhuan atë kohë që nga vrasësit ordiner deri te urdhëruesit dhe inspiruesit e tyre politik.
Ata që morën jetën tënde fizike korba ishin dhe kërmë janë bërë shumica prej tyre, por krrokama e atyre që gjallojnë po na I shurdhon veshët.
Ata që e inspiruan dhe e duartrokitën vdekjen tënde janë shndërruar në korba që lehin si qenë dhe i gjen kudo nëpër Atdheun tonë që po kalbet.
Atdheu është tkurrur prej njerëzve, çdo ditë ikin prej tij si prej natës së varrit.
Me këtë qasje pas disa përvjetorësh s’ka për të mbetur kambë shqiptari këtij trolli përvec Trupit Diplomatic , disa organizatave jo(pro)qeveritare, shtetarëve dhe lëpirësve të tyre dhe një dorë shërbëtorësh që e kanë shitë ftyrën dhe lëkurën para se me le.
Në përvjetorët e tjerë duke bashkëbiseduar me ty të kam treguar që asnjë gjygj nuk është bërë për të zbardhur rrethanat e vrasjes tënde, të Gjinit dhe Naimit , dhe për pasoj askush nuk është dënuar për masakrën që aso kohe u quajt “masakra e Cernicës” .
Tash as që e mendoj se do të ndodh ndonjëherë një gjë e tillë edhe pse të gjithë janë çue në këmbë për ta ba me cdo kusht dhe me çdo cmim reformën në drejtësi.
Kjo fushata për reformën në drejtësi mua po më sjellë ndermend fushatën e diktaturës për çrrënjosjen e Zotit dhe fesë nga mendja e shqiptarëve bash në vitin e largët kur kemi lind ne të ty .
Edhe pse ka kaluar një gjysëm shekulli prej asaj kohe mentaliteti i drejtuesve të politikës shqiptare ka ec aq sa mund të ketë ecur breshka në udhëtimin e saj rreth botës.
Kur të mbërrijë breshka në pikënisjen e parë kam shpresë se edhe ne do jemi kthye në rrugë të Zotit dhe do ketë drejtësi jo vëtëm për vrasjen tënde.
Por edhe kësaj ja kam frikën, druhem se këta korbat që lehin si qenë do i zënë pritë diku në ndonjë stepë a shkretëtirë breshkës në të cilën kemi varë shpresën dhe do ta “vrasin” siç dinë të vrasin barbarët.
Nejse ti lëmë këto biseda të komplikuara , janë punë të mëdha, unë ti e disa shokë tanët patëm menduar se mund ti bëjmë këto punë “të mëdha”.
Por jo, herë pas here dëshpërohem e them se na paska rrejt mendja edhe pse s’kemi reshtur se punuara ditë e natë që të mund të bajmë dicka më mirë seç është.
Dhe të jap fjalën e nderit se s’do të reshtim asnjë ditë së punuari e vepruari në këtë kahje pasi kështu me duket sikur bejmë dicka për ty, Azemin , Arbenin, Bujarin, Gjinin, Naimin e dhjetra të tjerë që s’janë më në këtë botë vetëm se deshën një Atdhe më të mirë, një Atdhe që nuk i përze bijtë e vet, një Atdhe që nuk i ha bijtë e vet.
Pak ma parë fola në telefon me nanën tëndë Zylfien ishte ne Gjermani atje ku janë motrat tuaja, vellezërit tuaj dhe gati shumica e shqiptarëve.
Me zor i ndalëm lotët, bile nuk e di i ndalem apo jo…
…ishte mirë me shendet … edhe pse do të ketë folur gjatë me ty dje, sot e gjithë kohën…
Duke rrëmuar në syrtarët e mi e gjeta këtë fotografi të bame te Guva e “Qetë” vetëm pak ditë para se ti të mos kishe mundësi me ba ma foto me mua, me ne, po ta përcjelle përmes “facebook-ut” .
Oh me falë, harrova, ti nuk e din se çka është kjo gjamë komunikimi, nejse ndoshta e sheh Nana jote, vajza, motrat, vellezërit dhe miqtë e tu të shumtë që të kujtojnë më shumë mallë dhe dashuri…
Ishe dhe mbete mik i rrallë, vetëm në Janar s’të dua hiç sidomos me dt 5,6,7 janar sepse ike për të më lanë pas një boshllëk që s’po e mbush askush pas ikjes tënde.
Komentet