LE T’JU THEM…
Le t’ju them: i dëbuar prej zilisë,
Le t’ju them: për provë i përndjekur,
Unë bukën e bardhë të miqësisë
Në furrën e zemrës jua kam pjekur;
Besomëni: bukën e ardhur te diellit
Në fetëza ua ndava fëmijëve
Dhe ujin që u lava sklepat e syve
E nxorra nga fundi i pusit të yjeve;
Le t’ju them se gurët e varreve
I kam latuar me presën e hënës,
Besomëni: shpirtrat e baballarëve
Gjethe trëndafili bëhen buzëmbrëmjes;
Le t’ju themë: gjithë natën kam qëndruar
Roje syçelur në portat e agimit,
Në atë portë të hapur, të praruar
Ju kam lënë të gjithëve pikën e takimit;
NOSTALGJI FEMINORE
Më piku, më treti malli
Për agimet krahpëllumbi,
Për mbrëmjet gushëportokalli,
Dhe një gur’ të rëndë si plumbi!
Për atë zilen e dëlirë shkollore-
Një lirikë e ëmbël fëminie,
Herë e pikërt e herë gazmore-
Dritë e kaltër diturie…
Për tufat e kuajve hergjele
Nëpër lugje dhe kodrina,
Kalonin shtigjet vrap-rrufe
Patkojt lëshonin vetëtima;
Për atë kroin ku lanin vashat
Çarçafët e bardhë të virgjërisë,
Këmishat rozë kur i shtridhnin
Përhapej aromë e nusërisë;
Për penën që shkruajta dikur
Vargje me pigment blerimi,
Dhe një ëndërr amerikane
Derisa m’u sos durimi…
ASHTU LUS PERHERE…
-gjithë fëmijëve-
Kur vraponi rrugës nur e gas
Dhe tundni lule nëpër duar,
Më lumturoni sa brohoras:
Të qeshur qofshi, të gëzuar!
Dhe unë dikur isha fëmijë
Lëndinave bridhja, mblidhja lule,
Por për çudi, malli të mbijë
S’më shkonte mëndja nëpër muzgje;
Me gjithë shpirt dua gjithmonë
Jo vetëm pranvera, stina juaj
Por dhe dimri i moshës së vonë
Mos t’ju gjej në dhe të huaj!
Kur vraponi rrugëve tërë gas
Dhe tundni lule nëpër duar,
Përherë ju pafsha, brohoras,
Të qeshur dhe të lumturuar!
NDJESE
– nga “lirikat e Veriut”
Ti skuqeshe, moj nënë,
Kur thonin: ç’djalë ke bërë!
Në krahë ti më ngreje
Si një diell i tërë.
Kujto, moj nënë e dashur
Se ç’bëja me këto duar
Kallzat kur i mblidhja,
Në lëmë kur ngisja kuajt!
Më mësove të krijoja
Me baltë e purpurinë
Këngët e tua, nënë-
Qiell blu e trëndelinë…
Ashtu siç ti ke endur
Sa triko edhe çorape,
Unë ëndërra kam thurrur
Si hije vraparake.
Një shtëpi imagjinoja
Nga i vogli yt i nënës
T’i shkëlqente çatia
Nën dritën e hënës.
Fantazoja dhe një kopsht
Ku nusja mblidhte fruta
Plot aroma edhe shije,
Të ëmbëla e të buta.
Më mirë do t’ish mulliri,
Që bluan dhe këndon,
Ndoshta një tezgjah
Se ti endja të gëzon.
Ky djalka yt i vogël
Ku s’të çon me fantazi
Me avion drejt Amerikës
Mbi luleverdhat si flori…!
Po këto veç në vargje
Si pendë palloi të fryra,
Jo siç endje ti me shtiza
Gjalmin e hollë plot ngjyra…
Ytbir s’u bë dot, o nënë,
As aviator as arkitekt,
Po një matematikan i ashpër
Dhe një gjysmak poet…
POETI
Netëve vonë del në dritare
Mbuluar me heshtje, errësirë
Dhe nga varreza vetmitare
Dëgjon thellë një zë të lirë;
Delikat, i hollë si violinë,
Si hënë e zbetë e pikëlluar,
Pret atje muzat t’i vijnë,
Si dashnor zemërtrishtuar;
Mes ëndërrash që presin agimin
Krenar ai shkon tek e vërteta
Dhe pa frikë nis fluturimin,
T’i prek leht’ majat e shenjta;
Askush s’mundet ta ndihmojë
Kryelartë shkon rrugës së vet,
Asnjë Çirçe s’mund ta ndalojë
Tek ëndërra që lehtas e prek;
Me dufin e shpirtit poeti prore
Vullnetin e Zotit e përmbush,
Dhe si kënga e bilbilit gazmore
I mbush zemrat plot me prush…
Vetëm nga dora e dashuruar
Zemra e tij mundet të preket,
T’i plasaritet zemra e lënduar
Dhe lulja e mallit vyshket, meket.
IKIM, E DASHUR
Ngado hajna, e dashur, hajna të zinj,
Që rrëmihin në xhepat e ëndërrat tona.
Burokratë – prostituta, e dashur,
Që luftojnë me shkresa e gjinj;
Ngado prapaskena, e dashur, labirinthe
Me shumë porta e me shumë roje.
Ku hyjmë dhëndurrë e dalim të thinjur
Për një firmë, për një vulë boje…
Vetëm taksat na i marrin me dëshirë,
Shërbimet me centë, me pikatore.
Ne shtrimë heshtjen – heshtjen e dëlirë,
Në altarin e vuajtjeve njerëzore!
Ngado korba, e dashur, krimba dhe minj
Që brejnë mishin dhe ashtin e besës,
Ne rrekemi në degët krahthara të frikës,
Të varim trastën e tretur të shpresës;
Njerëz-maska, e dashur, injorant’ e mediokër
Na fshehin të nesmen në sirtare e zyra,
Shpinëkrrusur e gardianë si zotër,
Ulokë mendorë pa indenditet e fytyra;
Ikin, e dashur, ikin të mënçurit, të urtët
E lënë Atdheun shpirtzbrazur, lehonë
Nëpër udhët e ngushta ikin pa u dukur,
Ikin derisa ende nuk është vonë;
Ngado hajna, e dashur, hajna të zinj,
Që rrëmihin në xhepat e ëndërrat tona,
Burokratë e prostituta, e dashur,
Që luftojnë me shalë e me gjinj;
DEGJOJA ZERAT QE KUMBONIN
Në fëmijëri isha i trishtuar,
S’di ç’hidhërime më mundonin.
Te shkolla shkoja i dyzuar,
Dëgjoja zërat që kumbonin…
Nga xhamat me mistere veshur,
Ku rezedielli sytë të vret,
Shikoja vajza me sy të qeshur
Me atllase blu veshur krejt;
Ato tek une vështrimin shtrinin,
Diçka më thonin me magji
Në kupë të qiellit të më shpinin
Po sytë uleshin përsëri.
Nga zëri i tyre asgjë s’dëgjoja,
Po shpirti im gjithçka kuptonte.
Dhe kur qiellin lart vështroja,
Zemra ime atje qëndronte.
Në fëmijëri isha i trishtuar,
S’di ç’hidhërime më mundonin.
Te shkolla shkoja i dyzuar,
Dëgjoja zërat që kumbonin…
PAQESORE
– për adoleshentët-
Kur isha unë në moshën tuaj
Gjithë ditën lozja e kërceja,
Dorë për dore ish gjithë bota,
Në krye të valles ish hareja;
Kur isha unë në moshën tuaj
Gjithë ditën lozja e këndoja,
Në kor me mua ish gjithë bota,
Unë zemrës sime i besoja;
Kur isha unë në moshën tuaj
Gjithë ditën lozja e vrapoja;
Lumenj edhe kufinj shtetesh
Me një kërcim shpesh i kaloja;
Kur isha unë në moshën tuaj
Gjithë ditën lozja e pikturoja;
Me blerim e diell e bëja botën
Ashtu siç unë e dashuroja;
SYTE E SAJ
-kushtuar maturantes, që
humbi jetën aksidentalisht-
Dy sytë e saj, plot hir gazmor
Sa ditë të bukura panë agimin,
Tani po fle në një varr mizor,
Po dielli nuk ia err shkëlqimin.
Syt’ e gjallë, të bukur, netëve
Shkëlqenin posi xhevahirë,
Yjet ende shndrisin qiejve,
Po sytë u krodhën n’errësirë.
Veçse vështrimin plot ngashnjim,
Se humbin, jo, ata sy të bukur:
Do jenë kthyer, pa dyshim
Andej nga bota e padukur.
Ashtu si yjet që perëndojnë,
Na lënë, po në qiell mbesin,
Dhe sytë e saj diku shikojnë,
Po, për të vdekur, jo, nuk vdesin.
Komentet