GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU
(Skuptori: ODHISE PASKALI)
At GJERGJ FISHTA:
NJI GJAMË DESPRIMIT.
Me 16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik dhe kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika të Fishtës.
U botue herën e parë në “Hylli i Dritës”, Maji 1914.
Nga At Viktor VOLAJ OFM (1941)
- Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk nuk ka;
Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’ krahnorit
Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá
Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:
Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,
Pa Atme sod ka mbetë, pa plang, pa shpi!
- N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;
Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,
E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina
Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,
Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé
Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.
- O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,
Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,
Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,
Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,
Burrat e dheut do t’ xêtê n’ gjumë pështetun,
Porsi n’ strofull ulani xêhêt fjetun?!…
- E ju, ‘dhè hyj t’ shkelzyeshem, qi pre’ Empirit
Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,
Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,
Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme
E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,
E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…
- Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset
E popujt rregullon e i mban ndër caqe?
Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset
Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe….
Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit
Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,
- E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,
E e shoftë me fise, popuj e qytete;
Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,
Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;
Selit e saja grimë me grimë u theshin;
Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.
- Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye
E prej Lirijet me ia ndalun hovin?
Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?
Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?
Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:
Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.
- O gjak i atyne burrave fatosa,
Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,
Vlo, vlo, ti sod qi maleve u erdh sosa,
E para fronit t’ Perendis me vajë
Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,
T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!
- Me parsme t’ona n’ ata t’ hershmet mota
Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,
Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota
Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta
U dridhte nji Sulltan, qi njaso here
Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.
- Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,
Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume
Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun
Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume
Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;
Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.
- E kur per pesqind vjet na nder veriga
Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,
E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga
Na reshte anmiku, tue na nzitë pa da,
N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti
E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na njiti.
- Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,
Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,
E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,
Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;
Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,
Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.
- Veç sod pse Evropa, sod qi asht t’ gjith uzdaja
Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,
Pse sod Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –
Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,
E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë
E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?
- O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè
Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,
E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,
As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,
Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,
Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.
Shenim nga F.Radovani: Poezia e At Gjergj Fishtës asht marrë nga libri “Lirika”, me komente nga At Viktor Volaj, botue në vitin 1941.
Melbourne, 17 Janar 2021.
Komentet