Ah, ta marrë dreqi ta marrë, ku vajta dhe i lëshova ato dy fjalë! Po si mund të ndodhë kështu? Si? Takohesh me shokët, qesh, pi. Dhe përse të mos pish? Të gjithë pinë. Gjë e zakonshme. Çdo ditë e çdo mbrëmje mblidhen grupe shokësh e pinë. Edhe çë pastaj? Askush nuk dënohet për këtë.
Më pas nisesh për në shtëpi. Ecën sikur vallzon, sikur fluturon. Sytë, gjuha, dora, këmba nuk të binden. Po le të mos binden. Sytë, gjuha, dora dhe këmbët e mia janë. Ç’nuk të shkrep në kokë. Mua, të paktën, kështu më ndodh gjithmonë. Mjfton të pi pak e nis e më punon fantazia. Dhe duhet të bëj përpjekje të mëdha të mos katranos gjësendi. E njoh mirë veten unë. Kështu më ndodhi dhe atë mbrëmje, kur dola nga kafeneja, duke menduar lloj – lloj gjërash, kurse për mua është e rrezikshme të mendoj shumë në këto raste. Me të vërtetë është e rrezikshme. Po si më shkrepi në kokë, xhanëm? Nuk e di, me të vërtetë nuk e di. Me të parë atë togun me dardha të kalbura e gjysmë të kalbura, që në mjegullën e mbrëmjes më dukeshin të vagulluara, më pushtoi menjëherë tundimi. Nuk e shikoja e nuk e duroja dot atë togë me kalbësira mu përpara kafenesë. I mbeten dyqanit të perimeve pa shitur frutat dhe i hedh togje – togje mu përpra lokalit ku pihet kafe e raki. Pse nuk i bëjnë raki, xhanëm, ta pijnë fshatarët me çmim të lirë, si i thonë “raki punëtori”, po i çojnë në dyqan për t’i shitur, ku dihet se nuk shiten, se fshatarët preferojnë t’i vjedhin, jo t’i blejnë.
Dhe atje në kafenenë e fshatit shërben një vajzë e re dhe e bukur sa më s’ka. Kështu i zgjedhin këta të kryesisë së kooperativës këto shitëset dhe kamarieret. Dhe është në moshë fare të re, me fytyrë të këndshme dhe veshur me fustan me lule. Mbi fustan vesh një bluzë të bardhë si të kamarjerëve në lokalet e qytetit. Më kishte pëlqyer muhabeti me të. Herën e fundit, domethënë atë mbrëmje, u kënaqa aq shumë me të sa karrocieri, filloi të thërriste i mërzitur. I kishte rënë në kokë për kafe e raki atij. Unë s’e kisha vënë re kur kishte ardhur. As ajo. Në raste të tilla nuk vë re asgjë. Ndërsa ai maskarai ngriti lokalin në këmbë me të bërtitura. Madje u zgërdhi kur ne u drodhëm nga e bërtitura e tij. Këlyshi i bushtrës! Dukej shkoqur që asaj i pëlqente muhabeti me mua. “Do vij përsëri për kafe! – thirra kur u ndamë. Kurse atë natë bëra atë proçkën e mallkuar. Budallallëk, doemos, si mund ta quash ndryshe. Por në mendje nuk kisha asgjë të keqe. Se si më erdhi ashtu. Pastaj, pse ka njeri mos të bëj ndonjëherë budallallëqe? Mos vallë të gjithë ata e paguajnë kaq shtrenjtë? Megjithëse edhe unë kot e bëj kaq të madhe. Ata do ta kuptojnë shpejt se ishte pa të keq ose ishte vetëm një budallallëk i momentit, sigurisht pa të keq.
Mirë të tjerët, por vajza duhet ta kishte marrë me mend se unë bëja shaka. Kisha pirë ca si tepër dhe më kishte hipur të bisedoja e të bëja shaka me të. Fundja ajo më njihte, para dite kisha bërë goxha muhabet. Ajo, de, duhej ta dinte se unë nuk jam kriminel. Keqkuptim i marrë. Por gjithçka do të rregullohet, jam i sigurt, s’ka se si gjyqi ta marrë seriozisht e për të keq këtë çështje. Janë zgjidhur edhe çështje shumë më të ngatërruara. Vrasje të vërteta, sulme, përdhunime, grabitje, jo më fjalët e mia pa të keq.
Dreq o punë, sa kujdes u dashka tani! Mat mirë çdo hap që të hedhësh dhe mendo shumë çdo fjalë që të thuash. Për një fjalë mund të të kalbin në burg. Le që atyre as që u duhet shkak. Mjafton edhe shakaja më e vogël. Shaka pa vend, do të thoni ju. Ndoshta. Veçse shakaja gjithmonë do të jetë pa vend për ndonjë. Por mos vallë në botë është zhdukur gëzimi? Nuk paskemi të drejtë të qeshim? Apo, po të mos jesh serioz në fytyrë, të pret burgu? Do t’i themë të gjitha këto kur të më marrin në pyetje. Me që ra fjala, do të më kishin marrë në pyetje që pardje mbrëma apo dje gjithë ditën apo sot në mëngjes. Por ata nuk nguten. Ama puna këtu fillon një orë me vonesë dhe ikin një orë përpara. Por unë po tërbohem këtu. Po më lënë dhe nervat. Këtu nuk ka as ngrohje. Për nder, më ka ardhur në majë të hundës. Një dreq e di se ç’po kurdisin këtu. Të mos kenë me se të merren, thua? Mjaft më, kjo lojë u teprua. Dua të shkoj në shtëpi. Edhe dy ditë do festa e Vitit të Ri. Le ta fillojnë atë dreq hetimi, që edhe unë të kem mundësi të shpjegohem.
HETUESI ME MERR NE PYETJE
– Po ju paralajmëroj: për çdo pyetje që do të bëj, pres përgjigje të sakta dhe të vërteta. Ku keni qënë në katërmnëdhjetë gusht?
– Kur?
– Më katërmbëdhjetë gusht të këtij viti.
– Nuk e di.
– Duhet ta dini.
– Po tani jemi në fund të dhjetorit.
– Shumë e drejtë, e megjithatë unë do të desha të dëgjoja nga ju se ku keni qënë më katërmëdhjetë gusht.
– Nuk më kujtohet. Si mund që njeriu të kujtojë se çfarë ka bërë katër muaj më parë?
– Ajo nuk është një ditë çfarëdo.
– Ashtu?
– Po. Atë mbrëmjë dikush ka folur kundër pushtetit popullor.
– Shiko, shiko!
– Ç’keni të thoni për këtë?
– Me krimin, për të cilin flisni, unë nuk kam asnjë lidhje. Kam dëgjuar një si hamëndje për këtë punë. S’janë veçse përçartje të marra! Mos vallë dhe ju e merrni seriozisht se unë mund të këmë të bëj më atë shpifje?
– Ne themi se po. Megjithatë ne jemi të detyruar të shqyrtojmë të gjitha mundësitë. Kjo është detyra jonë para qytetarëve, mbrojtës të të cilëve ne jemi.
– Sipas jush unë ngjaj me një bandit, kriminel, vrasës e armik?
– Çdo njeri mund të ketë shkarje. Ju nuk bëni përjashtim.
– Nuk jam fajtor për asgjë, dëgjoni? Mund të kemë bërë ndonjë lojë apo shaka të pamenduar, por kjo nuk do të thotë aspak se jam vjedhës, vrasës apo kundër pushtetit popullor.
– Unë nuk jam i detyruar të pranoj atë që thoni ju. Mund të ishte një shaka e çuditshme dhe me qëllime armiqësore.
– Por unë po ju themë të vërtetën, nuk kam bërë asgjë dhe nuk kam thënë ndonjë fjalë të dëmshme, aq më tepër, me qëllim.
– Dëshmitarët mendojnë ndryshe. Edhe unë nuk para u besoj dokrave të tua. Pranoni atë që keni thënë në katërmbëdhjetë gusht.
– Çfarë kam thënë? Po ju s’qënkeni në vete! Mos doni të thoni tani se për ndonjë fjalë më shaka apo kushedi mund të mbahet njeriu në burg e të dënohet?
– Ku ishit në mbrëmjen e katërmbëdhjetë gushtiut dhe çfarë keni thënë? Më paraqitni një tablo apo një alibi bindëse.
– Nuk mundem.
– Përpiquni, të paktën, të kuptoni ku keni qënë, çfarë keni bërë e çfarë keni thënë atë mbrëmje. Keni qënë në punë?
– Jo, unë nuk punoj kurrë në pushimet verore. Jam student.
– Atëherë, mbase, keni qënë me ndonjë vajzë.
– Si e vështirë.
– Ishit me shokë?
– Ka mundësi.
– Jo. E kemi verifikuar ne. Me shokë keni qënë të nesërmen, më katërmbëdhjetë jo.
– Ashtu? nuk e dija.
– Pra, ç’mbetet? Vëzhgime për pronën shoqërore?
– Ka të ngjarë.
– Pra, vëzhgime. Mbrëmje. Ju kaloni para një togu me dardha të kalbura e të hedhura nga dyqani i perimeve. I shikoni me permbuzje dhe shpreheni kundër pronës shoqërore.
– Mjaft! Kjo është gënjeshtër e ndyrë! Asnjë fjalë nuk është e vërtetë!
– Më shtruar. Unë desha vetëm t’ju ndihmoja. Ka raste kur mjafton një ndihmë e vogël dhe njeriut i kujtohen të gjitha ç’duhen. Kemi dëshirë të madhe t’ju ndihmojmë. Kështu dhe hetimi do të shpejtohet.
– Unë nuk kam fare të bëj me punët tuaja. Akuzat që më bëhen janë fund e krye poshtërsi!
– Ose, ndoshta, më katërmëdhjetë gusht në mbrëmje ju po lexonit ndonjë libër.
– Nuk e di. Ka shumë të ngjarë të kemë qënë duke lexuar ndonjë libër. Me siguri kështu do të ketë qënë.
– Cili ishte ai libër?
– Vështirë t’i vë gishtin. Unë lexoj shpesh mbrëmjeve. Por atë mbrëmje mund të kem lexuar dhe gazetën “Sporti popullor” apo “Drita”. Ose ia kam këputur gjumit.
– Më duhet të di me saktësi çfarë keni bërë mbrëmjen e katërmbëdhjetë gushtit.
– Dhe unë po jua përsërit se nuk më kujtohet. Fundja, sikur t’ju them, fjala vjen, se tërë atë mbrëmje kam shikuar në tavan një mizë që sillej rrotull llambës elektrike dhe nuk kam bërë asnjë punë tjetër.
– Atëherë do t’ju duhet ta provoni.
– Si mund të provohet një gjë e tillë?
– Me dëshmitarë.
– Dëshmitarë nuk kam. Në shtëpi jeton vetëm gjyshja dhe ajo rri gjithmonë në kuzhinë.
– Kjo e rëndon edhe më tepër gjëndjen tuaj.
– Ju nuk jeni në vete! Mua nuk më kujtohet as se çfarë kam bërë më katërmbëdhjetë gusht as në katërmbedhjetë shtator. Dhe ju në bazë të kësaj do të më akuzoni mua për punë armiqësore, që mund të jenë kryer në këto ditë?
– Ne nuk po ju akuzojmë. Por mos harroni faktet. Ju keni thënë fjalë që kategorizohen “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.
– Dokrra. Pallavra boshe. Ju thashë që nuk e ndiej veten fajtor për asgjë.
– Kjo duhet provuar. Ju këshilloj të mendoheni me gjakftohtësi. Mbase nesër do të dini më shumë se sot.
Tani jam trembur sa më s’bëhet. Ata janë në gjëndje të më shkaktojnë një barrë me shqetësime. Siç duket nuk e kanë ndërmend të më lëshojnë lehtë nga duart. Sonte kam kaluar një natë të vështirë. Pyetjet e hetuesit më kishin trembur shumë. Sillesha e përcillesha atje në çimenton e ftohtë, mbështjellë më një reckë të pistë, që këta e quajnë batanije, i munduar nga ëndërra të llahtarshme…
Fundi i pjese se pare
Komentet