Mbas darkës solemne shtruar në Pallatin e Brigadave, Galipi kishte arsye të ishte çakërr-qejf mbas disa gotave. Mehmeti e kishte thirrur kur ishte pranë Enverit dhe e kish prezantuar si ambasadorin e ardhshëm në R.D.GJ.
Por … Galip Sojli, legjenda e viteve 50-të, për të cilin flitej se ishte një zbulues i aftë, poliglot, një agjent 007, nuk ishte shumë i ekspozuar si i tillë. Ai njihej si ish-partizan, atlet dhe kampion në vrapimet 800, 3000, 5000 dhe 10.000 metra.
Ishte martuar me Myzaferen, një ndihmësmjeke me të cilën ishte lidhur që gjatë kohës së luftës, kur ishin të dy partizanë të së njëjtës brigadë.
Galipi njihej si punonjës i Sh.N.U.M., mjeshtëria e tij e vërtetë në atë kohë ishte: diversant informator në Jugosllavi. Të paktë ishin ata që ishin në dijeni mbi veprimtarinë e vërtetë të tij. Bashkë me shokun e tij të luftës Marko Laçka, ata kishin kryer shumë aksione. Tregonte se pas një aksioni të suksesshëm në grabitjen e Bankës së Strugës, në ikje e sipër, kish vrarë një italian që desh ta zinte të gjallë, ndërkohë që ai mbante në xhepin e xhakaventos revolverin të gatshëm për zjarr. Si përherë, në këtë aksion prej tre vetash, bënte pjesë dhe shoku i pandarë, Marko Katili, apo siç i kishin vënë nofkën që kur ishte partizan Marko Laçkës. Ata operonin në një zonë të cilën e njihnin shumë mirë, veçanërisht si terren.
Galipi megjithëse kishte lindur në Tiranë, i ati i vet ishte shkolluar në Vjenë në fushën e ekonomisë dhe kishte ushtruar funksionin e kryetarit të bashkisë në Strugë, prandaj dhe territori ishte shumë familjar për të. Për Galipin dhe Markon nuk përbënte problem hyrja dhe dalja në kufi. Ata orientoheshin symbyllazi në gjithë territorin. Galipi, kur kujtonte momentin e kapjes nga policia jugosllave, grindej me Markon dhe gjithnjë fajin ia hidhnin njëri-tjetrit. Menjëherë pas arrestimit, në birucë e kishte vizituar Dushan Mugosha të cilin ai e njihte personalisht. Aty filloi dhe “tradhëtia” e tij. Më kujtohet fare mirë se në atë kohë isha në klasën e shtatë, kur ai dha një intervistë të “tmerrshme” në radio. Naimi, djali i dajës tim, i cili e kishte pasur shok klase në gjimnazin e Tiranës, pasi dëgjoi intervistën, zbriti shkallët nga dhoma ku ishte dhe duke zënë kokën me duar, thërriste: -Pu-pu-pu çka punue Galip Gazepi…! Kur ia tregova Galipit këtë, qeshte dhe njëherë më tha: -Si, si tha Naimi për mua? – dhe gajasej.
Në vitin 1953 u lirua nga burgu, e më vonë punoi në hotelin Ballkan në Beograd. Si njohës i italishtes, gjermanishtes, frëngjishtes e serbishtes e caktojnë në recepsion. Ndërkohë takon Panajot Plakun i cili i përmalluar i kërkoi të rishiheshin sërish. Në takimin e fundit me të ai kishte vënë re një sjellje të çuditshme prej tij. Pati përshtypjen se ai donte t’i thoshte diçka, por më në fund nuk i foli gjë. Më vonë, Panajoti e kërkoi përsëri dhe një herë, por Galipi këtë herë nuk e kishte gjetur të gjallë. Galipi tregonte se i kish mbetur pishman ky moment, nga i cili nuk kishte arritur të kuptonte çfarë kish dashur t’i thoshte Panajoti. Më vonë, megjithëse nuk tregonte hollësi, kuptohej se kishte tentuar të hynte në kontakt me sigurimin shqiptar, por i rrezikuar të arrestohej përsëri, arratiset nga një fshat afër Mariborit në Austri. Atëherë, në atë kohë, kjo zonë ishte në duart e sovjetikëve. Kalon nga Graci në Salzburg, duke kryer punë të ndryshme. Kujtonte duke qeshur se kishte punuar si “Fensterputzer” (pastrues xhamash) në shtëpinë ku kish lindur Mozarti, si edhe në kishën ku i ati i Mozartit Leopoldi punonte si “Kapelmeister” (mjeshtër i muzikës dhe korit të kishës).
Nga frika se sovjetikët mund ta kthenin në Shqipëri, i çoroditur, ikën në zonën amerikane ku iu nënshtrua një hetuesie intensive i dyshuar tashmë jo si agjent shqiptar, por si agjent sovjetik i KGB-së.
“Nuk ishte gjë makina hetuese e famshme që përdornin amerikanët”, tregonte ai. “Aty më kaluan dhe mua pa asnjë rezultat në grafikët që shënoheshin si pasojë e gjendjes emocionale. Unë tani isha bërë mjeshtri i rrenës, kështu që gjendja ime psikike nuk linte gjurmë fare kur përgjigjesha shkurt me “po” ose “jo” – qeshte Galipi, i presupozuari agjent sovjetik i infiltruar në zonën amerikane në Austri.
I terrorizuar nga seancat e shpeshta të hetuesisë amerikane dhe nën sugjerimin miqësor të një përkthyesi, i cili e paralajmëroi për rrezikun që e priste, ai bëri gabimin fatal, u arratis dhe u kthye në Jugosllavi. Duke patur parasysh rrethanat ku ndodhej alternativa e vetme e tij ishte Italia, por për fat të keq intuita e çoi në vendin e gabuar, në Jugosllavi.
Galipi kujtonte momentin kur sapo kishte kaluar kufirin. Ndërsa mendonte se kishte ardhur në tokën që do ta shpëtonte, ishte gjendur i rrethuar nga fshatarë me kosa, drapër e cfurqe të cilët me këtë trofe të rrallë bënë gjestin patriotik: dorëzimin në postën kufitare.
– Pse deshe të arratiseshe? – e pyeti oficeri në postë i ulur para një makine shkrimi.
– Unë nuk doja të arratisesha, – iu përgjigj Galipi, por erdha nga Austria.
– Çfarë? – thirri oficeri duke larguar karrigen nga tavolina, dhe pasi vuri gishtin tek syri i djathtë i tij, e tërhoqi poshtë e vazhdoi: “A ka plaçka këtu?. Kam dymbëdhjetë vjet në këtë punë. Mirë, mirë, fundja unë do të shkruaj çfarë të thuash, vetëm mos mendo se ma hodhe. Ka të tjerë që do të merren me ty.”
Në dymbëdhjetë vjet oficerit nuk i kishte qëlluar që të arratisej ndonjeri nga perëndimi në lindje.
Këtu filloi periudha më e vështirë e jetës së tij aventureske.
Kishte kaluar një dimër të tmerrshëm nën një shkallë të improvizuar si birucë. Ajo kishte shërbyer për një qen “Scheffer” gjerman, ndërsa atë dimër për agjentin Galip, i cili edhe kur ma tregonte ngjarjen çuditej se si i kishte mbijetuar asaj periudhe. – Dy mundësira kisha,- më tregonte Galipi,- o të rrija me kokën të mbështetur në gjunjë ose për t’u çmpirë duhet të rrotullohesha e të qëndroja me kokën ulur si falen myslimanët. Gjatë dy muajve të dimrit, netët ishin të gjata e me ngrica. Kur hapej dera e korridorit frynte thëllimi, nga jashtë më dukej sikur më nguleshin gjëlpëra në të gjithë trupin. Ndërsa kur lahej korridori me zorrë uji, ngrija kartonat dhe batanijen mbi kokë që të mos spërkateshin, sepse nuk thaheshin më kurrë. Dilja nga ai kafaz me gëzimin se do të çmpija gjymtyrët e do të drejtoja kurrizin, por ky gëzim nuk zgjaste, sepse mbi mua fillonin torturat më perverse që ishin shpikur. Nën ulurimat e mia dhe gajasjet e tyre me fjalë të ndyra mbi trupin tim regjistroheshin pafund vulat e cigareve të ndezura. Njeri që më qëllonte me një kamzhik të spërdredhur, i thoshte tjetrit:
– E njeh atë gjermankën nënën e këtij në Tiranë? Eh, ç’kurvë që është! Oh si thërriste kur bënte atë punë. Mallin e saj më nxjerr ky qen bir qeni…!
Sa historira spiunazhi pata krijuar nëpër proces-verbale. – Çfarë z. Sorge, mor ti! Ai ishte një hiç para meje. Përpiqesha të nuhasja sesi e donin ata Sorgen, në shërbim të sigurimit shqiptar, të KGB-së sovjetike apo CIA-s amerikane, e pastaj filloja e i lëshoja fre fantazisë duke sajuar seri filmash e volume romanesh.
Të rrihnin, të fyenin, të thyenin. Heronjtë që u rezistojnë këtyre torturave, janë vetëm në romane e nëpër filma.
Mbas dënimit të dytë, atë e lanë të survejuar në një vend të vogël gjysmë të lirë. Aty nuhati se po prisnin ta shkëmbenin me ndonjërin e kështu të rikthehej në Shqipëri. I frikësuar, me ndihmën e një shoku të luftës, i cili ishte invalid, duke ndjekur këshillat e këtij të fundit, arratiset për në Itali. Aty, në kamp, shërben si përkthyes dhe me përkrahjen e disa suedezëve që ishin pjesë e kryqit të kuq, shkon në Suedi ku qëndroi për një vit, e më pas kthehet në Shqipëri për të vazhduar vullnetarisht kalvarin.
E shikoja ashtu si cironkë e thatë që thithte cigare pas cigaresh të dredhura trashë e që ndërpriste fjalën shpesh nga një kollë e keqe që i buçiste nga gjoksi. Të shumtët e përçmonin si “njeri të komandës” që u kishte dalë dëshmitarë kaq vetëve për t’u ridënuar. Pak vetë e shihin atë si një njeri të thyer. Pak vetë e njohën anën tjetër të medaljes tij, atë tragjiken. Njëherë e pashë shumë nervoz. Mbas një mungese prej afro 2-3 javësh erdhi i zbehur në fytyrë. Sapo e pashë, i thashë duke qeshur në gjermanisht:
-Wo warst Du denn, wieder ins Krankenhaus?
-Të lutem, mos më fol në gjermanisht të thashë, dëgjove? – më thirri, duke treguar distancë.
Të them të drejtën, u tremba dhe e mora si kërcënim. Nuk i fola fare nja dhjetë ditë duke u shtirur si i fyer. Ne flisnim përherë kur ishim vetëm të dy në gjermanisht. Unë praktikoja gjuhën për të mos e harruar. Kisha mësuar prej tij dhe disa këngë. Në grupin artistik kishim një fizarmonikë së cilës ai i binte lehtë dhe këndonte një këngë mallëngjyese kur ishim larg të tjerëve. E kishte kënduar shpesh në mërgim, sepse i kujtonte Shqipërinë.
Wo die Zipressen blühn
Am blauen Meer
Dort ist die Welt so schőn
So wunderschőn
Drauβen in der Lauben
Trinken wir dann Wino
Und bei jedem kuβ
Sagst du mir leise: o bambino
Ku lulëzojnë qeparisat,
Buzë detit blu.
Atje bota është kaq e bukur,
Kaq e mrekullueshme.
Jashtë nën pjergull,
Pimë një gotë verë
Dhe pas çdo puthjeje
Ti më thua lehtë: o bambino!
Paralajmërimi për të mos folur më gjermanisht nuk zgjati shumë. Një ditë, Galipi m’u afrua dhe më tha: – Dëgjo: mos më mbaj inat që të thashë ashtu. A e di ti se herën e fundit isha dëshmitar për Beqir Xhepën? E pra unë e kisha shok që në kohën e luftës. Më detyruan t’i dal dëshmitar, por megjithëse thashë të drejtën e nuk shpifa… më detyruan a e kupton? Mua më kanë thyer, nuk mund të qëndroj më. Unë jam i deklaruar si njeri i komandës. E pra çfarë kërkon një njeri si Spartaku fjala vjen, që vjen e flet për gjëra të dënueshme me mua? Të më provokojë nëse do ta raportoj apo jo? Jo or zotëri, unë lashë gjithë të mirat për t’u kthyer me çdo kusht pranë nënës, gruas e fëmijëve. Kam vënë kokën në rrezik se nuk kisha asnjë siguri apo garanci për jetën kur hypa në avionin për Tiranë. Kjo që po të them, më beso se është në të mirën tënde.
Galipi shfaqej shpesh sentimental. Për të ëmën fliste me delikatesë të veçantë. Tregonte sesi ajo atij dhe së motrës i kishte ushqyer dashurinë për lulet. Pa u mërzitur, ajo u fliste një orë të tërë për lulen, për petalet që e rrethonin, si çelte ajo nga gonxhja, e kështu me radhë. Kur kishte shtatëdhjetepesëvjetorin e ditëlindjes, ajo erdhi në takim të zgjatur dhe e festoi me të birin. Ndërsa Galipi na tregonte duke qeshur se si ai kishte vallzuar vals me të duke kënduar në dialektin vjenez:
Mein Mutter ist e Vjenerin
Weil hob’ich Win so gern…
Një ditë diskutoi me tone të larta me një të ri dhe vunë bast për një garë vrapimi. Në atë moshë, ai na befasoi kur plot stil dhe elegancë vrapoi me shpejtësi duke fituar bindshëm megjithëse kishte një diferencë mbi njëzet vjet me rivalin. Eshtak, por me muskuj-fibër, ai vraponte si një i ri. Galipi kishte talent si aktor. Më 1954, pasi u lirua nga burgu, mori pjesë në grupin teatral të Shkupit. Aty kishte njohur dhe Nexhmije Pagarushën, jo si këngëtare, por si aktore. Edhe në burg u ngrit një grup artistik. Të gjithëve u mbeti në mend shfaqja që dhanë për 28-29 Nëntorin, veçanërisht për dy momente. Momenti i parë ishte kur çamët u mallëngjyen, ndërsa u kërcye vallja e Osman Takës. Ndërsa momenti tjetër kur Galipi doli në skenë, në rolin e Jezu Krishtit njësoj si në pikturat ku ai tregohet i kryqëzuar. Ilaritet në sallë. Trupi i tij i dobësuar e lakuriq, them se do të ishte figura më e përkryer e Krishtit të kryqëzuar e parë nga njëmijë vetë që mbushnin sallën e mensës. Ky interpretim pati dhe pasojën e tij nga e cila vinin buzën në gaz shumë vetë: Galipi u ftoh dhe ndenji shtrirë me temperaturë disa ditë.
Dini
Ishte vjeshtë e vitit 1980. Autoburgjet nuk sillnin “furnizime” të bollshme si më parë, këtë herë erdhën vetëm 5 vetë. I hodha një sy kontingjentit të ri para se të kalonin portën e hekurt, por më ishin të panjohur. Vajta e u ula në bordurat e shkallëve që të çonin në kuzhinën personale e u kredha në mendimet e mia, ndërsa të sapoardhurit kalonin njëri pas tjetrit para syve të mi për të shkuar tek banjo pas dizifektimit që u bënin jashtë kampit.
– E more Gëzim si je? – m’u drejtua njëri prej tyre.
Më habiti personi që po më fliste, sepse nuk e njihja. Një fytyrë e zbehtë më vështronte duke qeshur. Edhe qeshja i kish ndryshuar. Vetëm sytë, po, nga sytë e njoha. Ishte Hajredin Fratari. U përqafuam dhe e shoqërova deri tek banjot duke dëgjuar plot kuriozitet historinë e tij. Më pas duke pirë kafe, mësova se e kishin dënuar për sabotim dhe agjitacion e propagandë. U trondita mjaft nga rrëfimi i tij. Kishte kaluar trembëdhjetë muaj hetuesi. Por ajo që më dëshpëroi më shumë ishte fakti se gjatë kësaj kohe i kishin futur “mi biruce” për ta zbërthyer një shok timin të shkollës 7-vjeçare të cilin e mbaja mend si hero disident, sepse atëherë kishte zgjyrosur bustin e Stalinit në bibliotekën kombëtare të Tiranës. Më erdhi shumë keq që I.D. ishte thyer në këtë mënyrë. Ndërsa pjesën tjetër të izolimit Dini e kishte kaluar i vetëm në birucë.
Hajredini kishte kryer inxhinierinë e ndërtimit bashkë me vajzën e dajës tim Gjeraqinën si edhe komshiun, mikun tim të vjetër Genc Samimin. Me vëllanë e Gencit Ergjinin unë isha shok vegjëlie. Tek salloni i tij kisha takuar shpesh Dinin, i cili ishte shumë i sjellshëm, i shoqërueshëm dhe i qeshur. Kujtonte ato momente dhe qeshte me gjithë shpirt. Sillnim ndërmend dhe Rock and Roll-in që kërcenim megjithëse ishte i ndaluar. Ai mbante emrin e gjyshit të tij, patriotit Hajredin Fratari, gjë që nuk ishte mbajtur parasysh në vendimin 20 vjet burg, sepse njëkohësisht ishte dhe i biri Major Rauf Fratarit, pjesëmarrës aktiv në formacionet ushtarake të Ballit Kombëtar. Rauf Fratari ishte arratisur në fundin e nëntorit me disa nacionalistë të tjerë për në Itali me dy varka të gjetura nga miku i tij Eqrem Peshkëpia, një tjetër protagonist i Ballit Kombëtar. E ëma ishte arsimtare e vjetër dhe Dini me përkrahjen e dajës së tij Feti Gjilani mundi të arsimohet e të diplomohet Inxhinier ndërtimi. Kur erdhi, pasi kaluan disa ditë dhe u ambientua me jetën në kamp, u bashkua dhe gatuanin bashkë me Dalip Zhabolin ish-ushtarak i lartë dhe Mark Shkrelin, shkodran i cili kishte qenë kryeinxhinier në fabrikën e bukës, në Tiranë.
– Glück in Ungklück – thonë gjermanët kur ke fat në fatkeqësi. Dini së bashku me Dalipin në lëvizjen kryengritëse të Qaf-Barit u rrahën egërsisht, por shpëtuan gjallë ndërsa shokut të tyre Sandër Sokolit i thyen kolonën vertebrale e si pasojë ndërroi jetë gjatë transportit nga Qafë-Bari për në Pukë. Në makinë veç Dalipit dhe Sandrit ndodhej dhe mjeku i burgosur malazes Drago Vojusheviq. Rrugës sapo kishin arritur në Fushë-Arrëz Sandri dha shpirt. Drago nuk mundi t’i jepte asnjë ndihmë mjekësore sepse edhe ai vetë kishte nevojë për ndihmë të tillë bashkë me Dalipin.
– Dini kreu vetëm “dy fakultete”, pra 8 vjet burg.
Jani
Kur na i caktuan tavolinat në mensë, qëlluam me fat. Unë me Madun, që ishim të papunë, bashkë me Jani Gjinon dhe Dukë Kapedanin një ish-partizan nga bregu, qëlluam në një tavolinë, përballë derës së mensës që të shpinte tek çezmat. Unë bashkë me Madun ngacmonim Dukën, i cili tregonte një episod të luftës ndërmjet një njësiti gjerman dhe desantëve anglezë. Duka s’donte t’ia dinte variantin që kishim mësuar në histori se s’kishte shkelur këmbë anglezi në Shqipëri. Ai tregonte plot naivitet e sinqeritet se si oficeri gjerman me duart lart u drejtua për t’u dorëzuar nga oficeri anglez dhe vetëtimthi i kishte vërvitur në gjoks një granatë. Nuk e shiti lirë lëkurën, përfundonte Duka pa pikasur nënqeshjen tonë kur thoshte se me partizanët e kishte parë skenën nga larg pa marrë pjesë në të.
Pastaj vazhdonim detyrën tonë, pastrimin me një copë xhami të tavolinës, ku Jani shquhej si një marangoz i vërtetë. Me Janin u miqësova që në fillim. Ishte tip babaxhan i vërtetë. Jeta e tij aventurore e dhimbshme plot dallgë, së fundi e kishte përplasur në këto brigje, ku ai plot guxim e kurajë, kurrë duke u qarë, ngiste rremat gjithnjë me optimizëm drejt lirisë, megjithëse rreth të 60-ave, duke na dhënë kurajë dhe neve më të rinjve. Ishte arrestuar rreth një vit para meje. Ai kishte shkaqe për t’u futur në shënjestër nga sigurimi, veç të shoqes që ishte e huaj, ai ishte vëllai i Vaskë Gjinos, një gjeneral i talentuar. Andon Sheti, ish-shef i zbulimit të ushtrisë, më tha një herë se me Vaskë Gjinon dhe Edip Ohrin përfaqësohej denjësisht e nderohej në Traktatin e Varshavës ku ata tregonin paritet edhe me gjeneralët më të famshëm sovjetikë. Familje gjysmë komuniste e gjysmë balliste, qeshte Jani duke aluduar për vëllain tjetër Sotirin i burgosur politikisht para Janit. Kishte humor të veçantë. Kishte qëlluar të rrinim shpesh dhe me Gaqo Pecin, të cilit një ditë i mori një zarf të një letre që Gaqoja kishte shkruar për në shtëpi dhe lexoi:
Merr: familja Peci
Rruga: Sotir Peci, Korçë
Dërgon: Gaqo Sotir Peci
Rep. 309/, Ballsh
Gaqoja qeshte. Ai ishte i biri i rilindasit të madh Sotir Pecit. Diktatura nuk kursente kurrkënd.
Në burg kishim edhe disa që deshën të formonin PVKSH, Partinë e Vërtetë Komuniste Shqiptare. Njëherë, tek shëtitnim në oborr, u ndodhëm përballë me Nasin, një trupmadh me mustaqe spic.
E more shoku sekretar i partisë, ç’kemi ndonjë të re? A do të na bëni ndonjë amnisti këtë radhë,- shpotiti Jani. Nasi qeshte nën mustaqe e nuk i mbetej hatri.
Jani i takonte atij brezi arsimtarësh të lavdishëm që punoi për mësimin e gjuhës shqipe dhe zgjimin e ndjenjës kombëtare në trojet e Kosovës. Ai ishte emëruar atje që në vitin 1941, në rrethinat e Gjakovës. Pjesëmarrës në luftë, i shtyrë nga ideale kombëtare, arrestohet dhe çohet në kampin e Prishtinës e më vonë deportohet në një kamp tjetër nazist në afërsi të Vjenës. Këtu, më 1945, lirohet me ardhjen e ushtrisë sovjetike. Natyrisht, neve na cilësuan dhe na trajtuan mjaft mirë, por me popullsinë u sollën shumë keq. “Natën dëgjoheshin ulërima femrash që përdhunoheshin nga ushtarët, por kurrkush nuk i ndalte dot”, rrëfente Jani. Kur u kthye në Kosovë e emërojnë inspektor arsimi e më vonë për tre vjet punoi si drejtor i gjimnazit në Prishtinë. Për aktivitet kombëtar e kishin arrestuar dhe mbajtur në burg për një vit e më pas lirohet për mungesë provash. Më 1955 dëbohet si “persona non grata” e kthehet në Shqipëri si person jo fort i dëshiruar prej regjimit. Mbas një odiseje të gjatë, ish- luftëtari Jani Gjino, kaloi njëmbëdhjetë vjet në kampet naziste e komuniste. Mbas kampeve gjermane provoi në atdhe dhe gulakun komunist për tetë vite të tjera. Jani ishte kardiak. Kur i ndodhi infarkti, të gjithë kujtuan se mbaroi. Komandanti i burgut, Xhevdet Sako, tregoi gjithë humanizmin e tij. I lejoi t’i asistonin e shoqja dhe i biri gjë që u konsiderua si shkak kryesor për përmirësimin e tij e që mbeti si një mrekulli. Arriti të lirohet dhe u internua përsëri, por sidoqoftë pranë familjes ku edhe u shua.
Komentet