VOAL

VOAL

Aleksandër Meksi: E vërteta e takimit Berisha-Nano, në Trieste dhe çfarë ndodhi në të

July 1, 2020

Komentet

“HISTORI TË PASHKRUARA” – TA PËRKUJTOJMË 28 NËNTORIN …- Nga MËRGIM KORҪA

 

 

Me pak rrjeshta që mund të shkruajmë duke përshkruar ngritjen e flamurit në Krujë nga Skënderbeu më 28 nëntor 1443 e deri më 28 nëntor të 1912-ës, kur Ismail Qemali me shokë e ngritën flamurin në Vlorë, përfshihet një lak kohor jo i vogël, por 500  e ca vjeçar!

Porse shumë përpjekje, shumë gjake shumë mund u desh të investohej që të ndërtoheshin themelet mbi të cilat Ismail Qemali, udhëheqësi i grupit nismëtar, arriti të t’a ngrerë më në fuhd flsmurin tonë të  – mëvehtësisë  – ! Të cunguar na detyruan fuqitë e mëdha t’a kemi Shqipërinë. Tri krahina të begáta e të populluara nga  – safi shqiptarë – na u lanë jashtë kufinjëve  shtetërorë nga Komisioni Ndërkombëtar i caktimit të ndarjes territoriale: Kosova, Ҫamëria  si dhe Dibra e Madhe. Por e pranuan atdhetarët shqiptarë atë ndarje, sepse u kënaqën më mirë me pak se sa me hiç! E megjithëse nga kompromiset si edhe ndarjet e interesave në mes të fuqëive të mëdha, që si mamí të pashpirta e cunguan që në lindje foshnjën Shqipëri, edhe mbas 28 nëntorit1912 fqinjët, si çakenj të pangopur, vazhdonin të ukërinin me shpresë t’i shkëpusnin ndonjë copë tjetër. Nuk u ngopën grekët, të mbështetur nga Franca dhe nga Rusia, që e shtynë kufirin nga Konica, Preveza e Janina dhe e sollën tek Kepi i Stllos, por donin edhe Korçën me gjithë Gjirokastrën. Edhe sërbit e malazezëve nuk u maftoi Malësia e Madhe, Rrafshi i Dukagjinit, Kosova edhe Dibra. Por deshën edhe Shkodrën. Edhe këta e kishin  – Veliki Oracin  – rus. E kështu Shqipëria, doli si shtet me kufinj të caktuar nga komisionet qeveritare të fuqive të mëdha sipas interesave dhe takatit të tyre, ku kufiri i jugut, ndonëse duket e pabesueshme, u caktua nga komisioni jo në terren por në zyrat e Institutit Gjeografik De Agostini  në Novara të Italisë!?

Kaq histori sa për të mbajtur të freskët kujtesën.

Nja dy kujtime tashti, sa për ilustrim.

Po gdhinte dita e 28 nëntorit 1944. Tirana gumëzhinte  e tëra. Përkrah Hotel Dajtit ishte ngritur një tribunë. Dy anët e bulevardit të madh si edhe sheshi para ministrive ishin plot me popull. Një pjesë e tij, ata, ndaj familjarëve të të cilëve kishin filluar persekutimet, rrinte kokulur  e kuptohej se kishte dalur të sodiste vetëm nga kureshtja. Kishte edhe entuziastë që brohorisnin. Në mes të kësaj zhurme vijnë dhe zënë vënd në tribunë ata që do të bëheshin udhëheqësit shtetërorë. Askujt nuk i shkonte mëndja se që nga ai çast, pikërisht nga  ajo tribunë, po ngrihej reja e kobëshme e luftës së klasave, që për dyzet’eshtatë vite do t’a kapërthente vëndin tonë  duke hyrë thuajse në çdo shtëpi e duke bërë viktima an’e kënd e duke vazhduar pastaj pa vonesë pikërisht me ata që mbushnin tribunën. E bile, sa më afër figurës qëndrore të tribunës, diktatorit të pa mëshirë që të ishin, aq më të afërt e kishin edhe fundin e tyre. Kaloi kështu ky 28 nëntor i parë. E pasuan të tjerë, por sa vinte e me nota përkujtimi më të zbehta për ngjarjet e 28-ës e dora dorës më të ndritëshme për 29 nëbtorin, ditën e shpalljes së Federatës Jugosllave, që çuditërisht na paska qenë edhe dita e çlirimit të Shqipërisë! Sa largpamësa miqt’e sinqertë të kombit tonë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi!

Nuk mundem t’a kaloj pa e kujtuar edhe një mbresë  sa tragjike e po aq edhe komike, edhe kjo e lidhur me 28 nëntorin. Gjatë luftës, e vranë komunistët me atentat në mes të Shkodrës, pinjollim e Isa Buletinit, Adem Buletinin. Me marrjen e pushtetit nga ana e komunistëve një nga shfaqjët e luftës së klasave qe edhe burgosja e së resë Isa Buletinit, gruas së Adem Buletinit, Adiles. Kaluan prapë vite. Do të festohej 50 vjetori i ngritjes së flamurit, e për t’a bërë më të besueshëm sinqeritetin e festimit, e desh propaganda komuniste që të kish në tribunë ndonjë të mbetur gjallë nga gjaku i farkëtuesve të 28 nëntorit 1912. Adile Buletini e shkreta  ndërkohë kishte dalë nga burgu. Një t’a marrë me veturë e drejtë e në tribunën festive: Sa “prekëse” skena ku përkrah komandantit internacionalist ishte e reja e nacionalistit të përkushtuar, Isa Buletinit. Ironí dhe njëkohësisht komedí e fatit! Dhe Adileja ishte e detyruar të interpretonte përgjatë asaj farse se përndryshe i a zhduknin nga faqja e dheut dy djemt’e saj, paçka se ishin nipat e Isa Buletinit!

E kështu, avash avash, atje ku qe ngritur në Tiranë tribuna e 28 nëntorit u ngrit shtatorja e Leninit, e njeriut me mëndje djallëzore, idetë e të cilit të zbatuara tërhoqën mbi vëndin tonë mallkimin  e qiejve për gati gjysmë shekulli! Nuk mjaftoi me kaq. Karshi Leninit, më vonë u vu shtatorja e Stalinit si për t’u thurur lavdi mëndjes perverse si edhe krahut mizor.

Kësisoji vitet kalonin dhe internacionalizmi i zbehu aq shumë sakrificat e bëra nga patriotët rilindas deri sa u arrit në ditën tejet të shquar të 28 nëntorit 1912-ës sa që, për 28 nëntor, fëmijët e kopshteve çonin nga një kurorë në një  përmendore të ndonjë shkolle të harruar që mbante emrin e Ismail Qemalit

I erdhi tani edhe rradha analizës.

Për fat të keq, pikërisht në prag përvjetorësh të ngritjes së flamurit në Vlorë, na takon të pohojmë se si Shqipòëria e gjithashtu edhe Kosova vazhdojn’ e ndodhen në udhëkryqe serioze! Prandaj më shumë se përkujtim, duhet bërë analizë dhe të nxirren detyra për zbatim.

Kalimi nga regjimi diktarorial komunist në demokraci, e ballafaqoi menjëherë shtetin shqiptar me difektet serioze që paraqiste kalimi i ekonomisë së dështuar socialiste në formën e re të ekonomisë së konkurrencës së lirë. Gjithashtu edhe administrata shtetërore , që duhej ngritur nga e para, u pa se paraqiste probleme shumë të kompikuara. E këtyre problemeve sa politike e po aq edhe teknike, u shtohej edhe një problem, në pamje të parë i padukshëm, por ndoshta edhe më seriozi: shqiptari nuk ishte më ai i përshkruari nga poetët rilindas tanë ku normat e moralit edhe të etikës i mëkoheshin  fëmijës që me gjiun e nënës! Shqiptari tashmë ishte “njeriu i ri”, krijesë komuniste e Enver Hoxhës. Dhe kjo krijesë përbën brezat e atyre që u lindën dhe u rritën të pa fé! Njeriu, si edhe të gjitha krijesat e tjera , është vërtetë pjellë e mjedisit rrethues, por normat e moralit si edhe edukatën e virtyteve duhet t’ia edukosh e bashkë me to, dora dorës fatkeqësisht mësohen nga ai edhe veset. Kur shoqëria shqiptare e para vitit 1944, në themel të saj kishte edukatën morale, (për të cilën merreshin klasa edhe jepej provim ),dhe edukata lidhur me moralin e përgjithshëm kishte  edhe dy përbërësit e saj, njërin kombëtar e tjetrin fetar, (pavarësisht bga përkatësia fetare) ishin virtytet që sundonin e veset ndrydheshin nga virtytet. Për fat të keq tonin si komb, gjatë gati gjysmë shekulli, internacionalizmit i u vu kurora me dafina kurse nacionalistët vareshin e vriteshin si tradhëtarë! Besa dhe fjala e dhënë edhe këto quheshin tradhëtí, kurse  lavdí u thureshin informatorëve që pikërisht, me që të prisnin në besë, hymnizoheshin! E ku qe strumbullari i këtyre përdhosjeve? Dhuna dhe shfarosja e ushtruar ndaj klerikëve si edhe ndaj njerëzve më të ndershëm e të besës që përbënin ajkën e kombit tonë. Këto t’ashtuquajtura  suksese  të pushtetit  të vetëquajtur popullor si edhe arritja  që të vetëshpallemi i pari shtet ateist në botë të lidhura domosdo me degjenerimin moral që u kultivua  gjatë këtyre dekadave, si rezultat nuk kish se ç’të arrinte tjetër veç përballjes që po përjeton vëndi ynë sot.

Por e keqja nuk mbaron me kaq për kombin tonë. Në mënyrë këmbëngulëse serbët ndoqën që gjatë luftës antifashiste planin e paracaktuar të paraqitur që në vitin 1945 nga Qubrilloviqi famëkeq. Me një fjalë, synimi i tyre qe që në një të ardhme jo të largët, edhe sërbët t’a bënin Kosovën  siç e bënë grekët Ҫamërinë! Prandaj sa kohë që në fushën politike do të udhëheqin “Jolly” (xhole që si Fatos Nano herë e quajnë diktatorin baba, herë i thonë Millosheviçit se sipas tyre nuk ekziston problemi Kosovë e nga ana ekonomike ia nënshtrojnë vëndin dhe financat e tij Greqisë, Shqipëria do të vazhdojë të jetë pré e shushujzave! Është logjike se sa kohë që në postin e kryeministrit të vazhdojë e të jetë ai rajá i bindur i diktatorit që si përfaqësues tipik i njeriut të ri socialist pa shtyllë kurrizore,, dhe i plazmuar me duart e veta  nga diktatori dje shoqja Nexhmije, çdo gjë do vazhdoj’ e të bëhet kundër interesave kombëtare e veç për interesat të tijat, duke filluar që nga shitja e armëve, (me rezultat përfitime marramendëse personale), në Kosovën e përflakur e deri tek dorëzimi aq pa kushte grekut tinzar sa që ka pranuar, sipas ministres së Arsimit të Greqisë, që edhe tekstet e historisë lidhur me marrëdhëniet që nga lashtësia e shekujve mes grekëve dhe shqiptarëve … t’i trajtojnë historianë helladhas!

Dhe kulmi arrin kur ua përplas pohimin e tij  shovinist  presidentit grek si presidentit tonë e me të gjithashtu edhe kryeministrit si edhe mbarë shqiptarve në mes të Tiranës, tek thotë publikisht se nuk ekziston problemi çam! (?) e burrat tonë të shtetit heshtin! Domosdo, heshtin diplomatikisht. Sepse ushtaraku president e mendon veten duke fryrë gjoksin e duke i thënë kolegut grek: guxo e përsërite edhe një herë!  Kurse kryeministri. personifikimi i i nderit dhe i moralit, mendon me vete: si ma bëre këtë punë more matuf që ma vështirëson shtrimin e qylymit të kuq pasardhësit tënd!

                E kësisoji, për t’a stigmatizuar gjëndjen e mjerueshme ku e ka katandisur Shqipërinë Nanua me gjithë shpurën e tij kujtojmë se si në Argolisin e vjetër vëndin e terrorizonte Hydra, pjella e përbindëshme e Echidnës dhe Typhonit. Pamja e saj ishte gjysmë grua e gjysmë gjarpër me nëntë koka gjarpëri në shtat dhe ish e pavdekëshme se një kokë i pritej dhe dy i mbinin. Por i erdhi edhe  dita fatale Hydrës së tmerrshme: Herakliti ia priste kokët një e nga një  dhe Iolausi  me pishtar ia digjte plagët derisa Hydra e tmerrshme u plandos edhe rá. Ky qe shpëtimi i Argolisit.

Kështu edhe Shqipëria. Po nuk u bë populli Heraklit dhe vota e tij Iolaus, kot i vihet qark problemit me thirrjen t’i priten tentakulat Hydrës. Jo zotërinj, ky veprim  jo që nuk e shëron gjëndjen por vetëm në gjum’ e vë popullin. Hydrës i duhet hequr koka! Po iu hoqën koka fatose  me gjithë kokat rrethuese Hydrës, vetëm atëhere do t’i thahen edhe tentakulat thithëse përbindëshit korrupsion. Në mos, ditët do të rrjedhin, koha do të kalojë, 28 nëntorët së rishmi gjithënjë më kokulur do t’ua lenë vëndin më të rinjëve që sa vjen  e do të veniten nga shkëlqimet e ditëve përkujtimore të fantazmës Federatës Jugosllave, dhe populli do të vazhdojë të presë nga udhëheqësit mëshirë, patriotizëm, ndershmërí si edhe … përkujdesje për të. Ky është realiteti i trishtë i Atdheut edhe i fateve të popullit tonë në qoftë se populli vazhdon e tregohet indiferent!

“Një ditë në burgun te shtëpia e Bishqemit në Elbasan, përplasin në tokë një njeri të gjakosur, i cili ishte…”/ Si vdiq nga torturat e Sigurimit, Dr. Shkencave Emin Haxhimusai, i diplomuar në Vjenë?

Shumë familje në Elbasan thuajse janë zhdukur duke mos lënë pasardhës. Në shumicën e rasteve, ato u përndoqën nga komunizmi, u vranë dhe u burgosën duke bërë të pamundur vazhdimësinë. Një fat të ngjashëm pati edhe familja Haxhimusai. Mbesat dhe nipi i vetëm lindën dhe u rritën në internim dhe mundën të shpëtojnë e të rikthehen vetëm sepse bashkëshortja e njërit prej djemve Haxhimusai, kishte të vëllanë dëshmor të luftës. Por këta fëmijë gjithë jetën u lanë në hije dhe u persekutuan.

 

Historinë dhe të dhënat për të kaluarën e kësaj familjeje, i ka grumbulluar një studiues i traditës elbasanase, Shpëtim Haxhihyseni. Ai tregon se mbesat e Eminit, Doktorit të Shkencave që hapi të parin laborator të kimisë në vend, sjellin kujtime mjaft të trishtueshme nga ajo kohë.

Një prej tyre, Afërdita, e martuar tek familja Hasekiu, thotë se ata si fëmijë lindën dhe u rritën në internim, ndërsa i ati i vdiq shpejt. Një vajzë e Agimit, njërit prej vëllezërve Haxhimusai, u martua tek familja Bakalli, ndërsa Hedija nuk u martua. Kurse djali i vetëm është larguar emigrant dhe tashmë jeton në Greqi.

Shpëtimi, duke mbledhur të dhëna për këtë familje, sjell edhe historinë e plotë sesi u përndoqën, u vranë dhe tashmë nuk kanë gjurmë vazhdimësie Haxhimusait, të njohur si nacionalistë, por që patën të njëjtin fund, megjithëse Emini la Vjenën për të kontribuar për vendin e tij.

Historia e familjes

“Në rrugicën pa krye përballë godinës dykatëshe të Bahollëve (ish-dispanseria) jetonte një familje e thjeshtë tipike elbasanase, familja e Xhaferr Haxhimusait. Xhaferri pati katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë.

Djemtë ishin; Ymeri, Emini, Qamili. Vajza, Fatimeja u martua me Hysen Strugun. Pas vdekjes së babait, Ymeri ushtroi tregtinë, ndërsa Emini dhe Qamili, ndjekin shkollat. Emin Haxhimusai u lind në vitin 1905. Qysh në fëmijëri spikati tek ai zelli për mësim dhe u shqua ndër moshatarët për intelektin e tij.

Me kujdesin e vëllait të madh, Ymerit, ai u dërgua në Austri për të vazhduar studimet e mesme dhe të larta. Pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera në Vjenë për inxhinieri kimike, në tre vitet që pasuan, bëri doktoraturën në Linz të Austrisë. Fitoi titullin Doktor në shkencat kimike dhe ishte ndër të parët shqiptarë me këtë titull.

Nuk e pranoi ofertën që iu bë për të punuar si asistent i profesorit të tij në laboratorin e akademisë, por vendosi të kthehej në Shqipëri. Dhe, me t’u kthyer në atdhe, qëndroi në Tiranë, duke u caktuar epror dhe themelues i të parit laborator kimik kombëtar.

Vlerësohej si njohës i thellë në shumë çështje teorike dhe në veçanti për aftësitë në procedimin e praktikave eksperimentale. Ra shpejt në sy kultura e gjithanshme perëndimore dhe shpejt u ndodh pranë figurave të mëdha elitare si doktor Bilal Golemi.

Pushtimi fashist

Në ditët e pushtimit fashist, Emini spikati dhe u bë i njohur si nacionalist i vërtetë, si antifashist dhe si antikomunist i vendosur. Rreshtohet në radhët e organizatës ‘Balli Kombëtar’, duke pasur edhe funksione të larta drejtuese. Ishte shok e koleg, mik në ideale me Mit’hat Frashërin, Lef Nosin dhe Et’hem Haxhiademin.

Gjatë luftës organizoi dhe gjallëroi “Ballin Kombëtar” për qarkun e Elbasanit, duke bashkëpunuar me Lef Nosin, Alush Lleshanakun e Osman Doracin, për “Frontin e Rezistencës”. Nga fundi i periudhës së luftës gjendet në Shkodër, për t’u larguar nga Shqipëria me Mit’hat Frashërin dhe Lef Nosin.

Por kthehet përsëri për të marrë shënimet e një punimi të tij shkencor, me qëllim që ta botonte jashtë në emigrim. Pikërisht atëherë rruga mbyllet dhe ai mbetet në Shqipëri.

Vitet e para të pas luftës

Gjatë viteve të luftës me kushërirën e parë të tij, Shegush Haxhimusain, (e shoqja e Petrit Hakanit, ish-gjeneral-major), debatojnë të dy në shtëpinë e tij për gati dy orë. Ajo i propozon të kalojë me Lëvizjen, ndërsa ai e kundërshton, duke i thënë se; komunizmin e njoh më mirë se ti. Pas pushkatimit të Lef Nosit, Emini lë Elbasanin dhe shkon e strehohet tek disa miq të tij, në fshatin Dorëz të Librazhdit.

Forcat e Sigurimit të Shtetit bëjnë çmos për të mësuar vendndodhjen e Eminit. Atëherë shtohet dhuna mbi familjen e tij. Vëllanë e madh Ymerin, e internojnë bashkë me familjen e tij, në Berat, ndërsa nënën së bashku me djalin tjetër Qamilin, i internojnë në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, ku i ndrydhnin me dhunë fizike dhe shpirtërore të paparë.

Qamili ishte mësues ‘normalist’ që kishte punuar anekënd Shqipërisë. Ditët kalonin dhe torturat shtoheshin për nënë Hedien dhe Qamilin. Veç një ditë Qamilin e lidhur e marrin nga Tepelena dhe e sjellin në Elbasan. Kjo lojë bëhej që Qamili të bashkëpunonte me Sigurimin e, nëpërmjet fshatarëve të lidhej me Eminin, por ai ishte njeri me karakter të fortë e besnik i idealeve të të vëllait.

Si panë këtë qëndrim, Qamilin e fusin në burg dhe e torturojnë për vdekje. Sipas Osman Doracit: ‘Një ditë në burgun tek shtëpia e Bishqemit, përplasin në tokë një njeri të gjakosur. Ishte Qamili’… Pra, vdiq nga torturat në hetuesi. E zhuritur nga malli për djemtë, një ditë të vitit 1947, Hedia vdiq, mbylli sytë dhe u mbulua në ato dhera të Tepelenës.

Emini qëndroi i strehuar në malësitë e Dorëzit, por Sigurimi Shtetit vepronte dhe më së fundi e mori vesh strehimin e tij. Shumë kurthe u ngritën për ta kapur të gjallë Eminin. Madje, në një rast gjatë orëve të natës, pasi u vendos shtroja e fjetjes për Eminin dhe dy shokët e tij, në mënyrë të rrufeshme Forcat e Ndjekjes ia mbërrijnë dhe në errësirë hidhen mbi shtratin e tij.

U informuan për ta zënë të gjallë, por gabuan. Emini me zgjuarsinë e tij në qetësi ishte çuar e nuk kishte rënë në atë vend, por i veçuar në një kthinë ku mund të largohej, dhe kështu shpëtoi. Në maj të vitit 1947, u vra i rrethuar nga forcat e Sigurimit. Kjo qe viktima e tretë e familjes Haxhimusai.

Ndërkohë, vëllai i madh Ymeri, ishte i detyruar që çdo ditë të paraqitej në Degën e Brendshme. Qëndroi në Berat derisa vdiq më 1967-ën. E shoqja e tij, e motra e Ali Myftiut, më së fundi më 1967-ën vjen në Elbasan, me 4 fëmijët jetimë. Kështu u mbyll historia e kësaj familjeje që u dënua me zhdukje nga komunizmi”

SHQIPNIA DHE  GJERGJ  KASTRIOTI! – Nga Fritz RADOVANI

 

 

GJERGJ KASTRIOTI

(Veper e skulptorit O.Paskali)

 

Gjergj KASTRIOTI – Skenderbeu (1405 – 1468)

Asht Shqiptari ma i mdh i Kombit Shqiptar1 Asht Shqiptari ma i Madh që detyroi Botën me pranue se ka Shqipni dhe se ka edhe Shqiptarë!

Anatole France shkruen per Té: “Lavdia asht një luks tepër i kushtueshëm!”.

Edhe pse me 17 janar 1468 Gjergj Kastrioti mbylli sytë, Shpirti i Tij vazhdoi me jetue në Trojet tona, aty ku dhuna dhe terrori për me zhdukë Fenë Katolike dhe ndjesitë Atdhetare Shqiptare ishin të pashembullta në tokat e pushtueme nga turqit. Për Gjergj Kastriotin u banë shumë studime dhe janë shkrue mjaft libra. Unë nuk do të shkruej këtu bibliografinë e plotë të tyne, por do t’i jap lexuesit vetëm një rreshtim të disa viteve kur fillon dhe si vazhdon shkrimi i mendimeve të tyne per Heroin tonë  Kombtar. T’i  referohemi studjuesit Fan S.Noli.

1480, Dhimiter Frângu, bashkluftar i Kastriotit, asht i pari qё ka lanё tё shkrueme nё latinisht jeten dhe trimnitё e Princit Shqiptarёve, Gjergj Kastriotit.

1584, Jovius, Peshkopi i Noçerёs, në librin “Elogjina” (Elogie), që do të thotë “Lavdërime”, shkruen për portretin e Gjergj Kastriotit, që kishte pa në Galerinë e Arteve në Firence, Itali. Ai e permendë dhe në librin “Komentin” (Commentario).

  1. Zurita, në librin “Analet e Aragonës”, ku permendet traktati i Kastriotit me Alfonsin e V të Aragonës dhe të Napolit, në vitin 1451.
  2. Sansovinoja, historian i Venedikut, që popullarizoi Historinë e Barletit.
  3. Lavardini, aristokrat nga Vandomi i Francës, perkthyes i Barletit, që i jep përherë të parë Gjergj Kastriotit titullin Mbret. Merr hollёsi nga Franku. Një përkthim i tij anglisht nga Gentieman u botue në 1596 në Londer, Angli.
  4. Summonteja, në “Historia e Napolit” shkruen thanjet e Pantanoja, Piu II dhe Zurita. Kritikon Barletin për pasaktesitë e tija në lidhje me luftimet e Napolit.
  5. Mariana, në “Historia e Spanjës” përmendë betejat e Gjergj Kastriotit.

1644 – 1677. Rinaldi, vazhdues i kardinalit Baronius, përshkruen shkurtime e pjesë burimesh arkivore nga dokumentacionet e Papëve.

  1. Spondanoja, kalvanist francez, i cili përdorë “Analet Kishtare” si fakte. Asht i pari historian kritik i historisë së Gjergj Kastriotit.

1730 – 1733. Muratori, dijetar italian, botoi analistët Simonetta, Kribeli, Sanudo, Kanensius, që i referohen Kastriotit rastësisht.

  1. Biemmi, studjues i Tivarasit, dhe i të gjithë bashkohësëve të vet.
  2. Voltaire, i kushtoi një kapitull Gjergj Kastriotit, në librin e tij “Essai sur les Moeurs des Nations” (Sprovë mbi zakonet e Kombeve), ku shënon dy faktorët bazë të fitoreve të Kastriotit: Shqiptarët vetë, si rracë luftarake dhe karakteri malor i Shqipnisë. Perfundimi i tij asht ky: “Po të kishin kenë perandorët grekë si Gjergj Kastrioti, Perandoria e Lindjes do të kishte shpëtue”.
  3. Gjeneral Wolfe, (Uolf), “Gjergj Kastrioti shkelqen mjedis gjithë gjenaralëve të vjetër dhe të rijë, në udhëheqjen e një ushtrije të vogël mbrojtëse.”
  4. Sismondi, asht i pari që tregon për qeleshen e shpaten që i dhuroi Papa.
  5. Farlati, dijetar jezuit, që bashkpunoi me Riçeputin në Padova t’ Italisë, kur mblodhën treqind vëllime dorshkrim të historisë së Kishës Ilire. Asht historian eklektik dhe kritik i moderuem. Asht i pari dhe i fundit që ka shkrue Historinë e Kastriotit.
  6. Hammer, historian i vetem që citon burimet turke, persiane dhe arabe.
  7. Grigoreviç, profesor rus, i cili permendë i pari nga burimet sllave se Gjergji ishte mbi 20 vjeç kur e mori sulltan Murati II peng.
  8. Z.I.Gentleman, përkthyes i librit “Skenderbeu i Murit” (Moore) të Historisë së Lavardinit, historia ma e gjatë e shkrueme anglisht.

1853 – 1856. Romanin, kritik i pabesisë së Venedikut kundrejt Kastriotit.

  1. Longfellow, Nenry W., poet amerikan, shkruen poezi per Gj Kastriotin.
  2. Fallmerayer, asht i pari kritik që ka zbulue vitin e saktë të vdekjes sё Gjergj Kastriotit, 1468. Perkrahes i fortё i shkrimeve historike tё Barletit.
  3. Trinchera, asht i pari që botoi nё “Codice Aragenese” disa letra me vlerё të madhe tё Gjergj Kastriotit me Mbretin Ferdinand të Napolit nga arkivat.

1876 – 1918. Jireçeku, asht përforcues i mendimit se Gjergji asht rritë në malet e vendlindjes Shqiptare dhe jo në pallatin e sulltanit Murati II.

  1. Petroviç, boton kuq e zi bibliografitë per Gjergj Kastriotin.
  2. Kayser, zbuloi se Papa Nikolla V e quejti në kohen e tij Gjergj Kastriotin “Luftar i Krishtit” gati dhjetë vjet para Kalikstit III, që e shkruen këte në letren e njohun të tij, me 11 shtator 1457, dokumenta të vetme tё arkivave të Vatikanit.
  3. Tajani, dijetar italo – shqiptar, asht i pari që shkruen për perkrenaren dhe shpaten e Gjergj Kastriotit në Muzeun e Vienës.

1886 – 1891. Pastori, asht studjues i arkivave të Vatikanit, ku zbulon letra dhe disa mendime të dokumentueme per Kastriotin dhe fitoret e Tij.

1887 – 1918. Talloczy, zbulues dhe perforcues dokumentacioni per Kastriotin.

  1. Fermenxhini, zbuloi se mbiemni Kastrioti asht i fshatit me atë emen.

1896 – 1910. Konica Faik, boton disa artikuj frengjisht per Gjergj Kastriotin.

1914 – 1924. Sufflay, Milan von, profesor kroat, i vramë per kontributin e madh që ka dhanë në të gjitha fushat e Historisë së Shqipnisë. Ka pasqyrue sakt jeten qytetare tё  Shqipnisё: “Burgen und Städte” (Kështjella dhe qytete).

1921 – 1947. Fan S.Noli, “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu 1405 – 1468”…

Një nder kryeveprat e Tij per Historinë e Shqipnisë.

1925 – 1929. Giese, dijetar gjerman, gjenё i pari dokumenta turke per ekspeditat e Muratit II dhe tё Mehmetit II kunder Shqiptarёve.

1925 – 1931. Babingeri, dijetar gjerman që tregon mbishkrime të kështjellës së  Elbasanit, nga Mehmeti II nё vitin 1466, ku perforcon Barletin e Tivarasin.

  1. Gegaj, At Athanas, dijetar Shqiptar, që i paraqiti Universitetit të Louvain një disertacion në gjuhen frengjishte, me titull “Shqipnia dhe invadimi turk në shekullin e pesëmbëdhjetë”, i botuem nga ai universitet në vitin 1937. Fan S.Noli shkruen per këtë libër këto fjalë: “Është tregimi më i plotë i heroit që mund të jetë botuar ndonjëherë në çdo gjuhë, plot me informata dhe me materiale të paraqitur mirë.”
  2. At Gjergj Fishta i kushton Gjergj Kastriotit poezinë “Me këte  shej ke me fitue”“IN HOC SIGNO VINCES.” Një nder kryeveprat e At Fishtës.

***

Gjergj Kastrioti asht kenë dhe do t’ jetë Heroi i Përjetshëm i të gjithë Shqiptarëve, kudo kjofshin Ata!

Aq madhshtore asht Epoka e luftave dhe e fitoreve të Tij kundër turqëve, sa asnjë Trim legjendar në Botë nuk asht i përjetsuem në aq shumë shtete të Botës me monumente lavdije sa Shqiptari i Madh i Arbënisë sonё Gjergj Kastrioti – Skenderbeu! Përkrenaria, Parzmoria dhe Shpata e Tij vazhdojnë me shkelqye në të gjitha Enciklopeditë e Botës, në të gjitha Ata Shtete ku nderohet Flamuri Kombtar i yni, ashtu si në çdo votër Shqiptare, kudo kjoftë, që në krye të vendit ka Gjergjin dhe Shqipen Dykrenare të Kastriotit, mbi shtrojen e gjakosun ndër shekuj per Liri.

“Ata” që sot kërkojnë me përlye Figurën e Gjergj Kastritot për motive fetare, lè të vazhdojnë me ecë të zbathun në ranë mbas deves… Ashtu siç ecen tradhëtarët e shekullit XX ndër asfaltët e Tiranёs sё zharitun si pasues tё denjё tё Haxhi Qamilit, Ever Hoxhës dhe tradhëtarve tjerë të “Rilindjes komuniste”. Historia do të përsëritet prap për të gjithë “ata” që ecin në gjurmët e tradhëtarëve të Atdheut!

Shqiptarë, bashkonju rreth Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, dhe të gjithë bashkë mbas gjurmëve të Shejtes Nanë Tereza, pa hezitue marrshoni drejtë:

PAQES dhe DEMOKRACISË së VERTETË të “BASHKIMIT EUROPJAN PERPARIMTARË”!

Melbourne, 25 Prill 2026.

“HISTORI TË PASHKRUARA” – NDËRROI JETË ELENA GJIKA MERLIKA- Nga MËRGIM KORҪA

 

Që më pesë tetor zemra e kësaj gruaje të madhe pushoi së rrahuri. Elena Merlika ndërroi jetë dhe u varros përkatësisht në Latina (Itali), atje ku edhe banonte që prej dhjetë vitesh, por la një amanet: kur t’i vinte dita të shoqit,që edhe ai t’i nënshtrohej  ligjit që nuk  njeh as pushtet e as pasuri, t’i merrnin të dy e t’i çonin  të preheshin atje, në Krujën e largët, në këmbët e Sarisalltëkut madhështor.

Për ata që nuk e kanë njohur të ndjerën Elenë nga afër, në kampet e mallkuara të internimit të periudhës diktatoriale, këto rradhë nuk kanë shumë se ç’të thonë, vetëm se t’u rikujtojnë dhimbjet edhe vuajtjet e një periudhe të hidhur të jetës së tyre e domosdo t’ua rikujtojnë Elenën e ndjerë ashtu të papërkulur siç qe, mëshirëmadhe të skajëshme, por edhe mbështetje morale të pashëmbulltë siç e kish ndërtuar Zoti vetë!. Ndër këta  bshkëvuajtës me të, domosdo shquhen dy kategori: ata që e nohën atë që nga kampi famëkeq i Tepelenës e që ishin bashkë me Elenën viktimat e para të regjimit komunist, goditjet e të cilit ranë mbi familjet e atyre që konsideroheshin kundërshtarët më të rrezikshëm të pushtetit t’ashtuquajtur popullor si edhe kategoria e dytë që përbëhet edhe kjo nga familje të akuzuarish si armiq të pushtetit, me një ndryshim të vogël: dora dorës erdhën duke u shtuar me viktimat e përndjekura me të cilat diktatura po popullonte kampet, edhe pinjojt e atyre që dikur ishin persekutorët e së ndjerës Elenë me shokë e mbi të cilat pastaj erdhi dhe ra spata e diktaturës që ata vetë e kishin mprehur! E pikërisht këtu qëndron edhe madhështa e Elenës së ndjerë të cilën të dy kategoritë e të persekutuarve e kujtojnë me respekt dhe dashuri: Ajo të gjithë i deshi njëlloj e të gjithëve u dha shëmbullin se si të qëndronin e të mos përkuleshin! Ajo i deshi si ata që së bashku me të e filluan Kalvarin në Tepelenë  e gjithashtu më vonë edhe të tjerët që, kur ajo rropatesh pyjeve të Tepelenës e ngarkuar si mushkë, i shijonin të mirat e pushtetit në Tiranë. I kish vërte për zemër të parët, por dijti t’i mëshirojë edhe të dytët, e kur i a vinin veshin, asnjërën palë nuk e la të rrëzohej e po ashtu që të dyjave bashkë  ua vinte krahun të ngriheshin e mos të hiqeshin zvarrë, po të bënte vaki të rrëzoheshin.

Secili që e njohu Elenën e ndjerë  e kujton për shum’e shumë gjëra, por veçanërishtpër tri më të shquarat e saj: papërkulshmërinë e saj të pashëmbulltë, humanizmin e saj të skajshëm si dhe shpitin e saj kristian.

Vijmë tashti tek ata që as e kanë njohur e as ia kanë dëgjuar emrin e Elena Merlikës më parë, e ndeshen me të vetëm sot, nga titulli i këtyre rradhëve, E ndjera rridhte nga një familje e nderuar arbëreshe, nga Gjikajt e Shtikës së Kolonjës, I ati qe publiçisti i mirënjohur Sotir Gjika, drejtor i gazetës Kuvendi që botohej në Romë dhe mik i Luigj Gurakuqit, Mustafa Merlikës, Stavro Vinjaut, Gjovalin Kamsit, etj.

Elena u diplomua në universitetin e Napolit me rezultatin 30 me lavdërim, ku tezën e saj të diplomës e botoi akademia italiane e Shkencave, nder ky që rrallë herë i takonte një të diplomuari. Aq është e vërtetë sa që albanologu me famë botërore, Prof. Gaetano Petrotta, ngulte këmbë t’a mbante  asistente në katedër. Mirëpo dashuria për ndaj atdheut të të parëve të saj, e mëkuar tek ajo nga prindët, leximi dhe mësimi përmendësh nga ana e saj e vargjeve të ngjizura me një frymë patriotike si edhe artistike të rrallë nga De Rada, Serembeja e Skiroi me shokë, si dhe ndikimi i gjithë rrethit të miqve arbëreshë, kishin krijuar kushtet që Elena Gjikën e re, atë … rrush pakëz kalangủr e që dheut tënë i kishte hije … vetëm një dorë shqiptari mund t’a këpuste e t’a bëntë të tijin! E kështu edhe ngjau. Petrit Merlika, i biri i Mustafa Merlikës, një inxhinjer i porsadiplomuar në Univeritetin me famë të Grenoblit,  ish ai shqiptar që e mori për grua Elenën e re dhe lidhën fatet e tyre për jetë. Me këtë rast do të ve në dukje se Prof. Gaetano Petrotta, jo vetëm që nuk u mërzit që nxënësja e tij e shquar Elena Gjika po e braktiste katedrën akademike për t’u martuar me një pinjoll shqiptar, por u shpreh atëbotë:

Përkohësisht po humbasim një studjuese potenciale, por jam i bindur se duke qëndruar pranë të vjehrrit, duke përfituar prej tij e duke e çuar edhe më përpara punën e tij në lëmë të shqipes, Elena  do ti vlejë akoma më shumë se sa Mustafa Merlika gjuhës shqipe, gjuhës s’onë amtare!”

                Kësisoji mendohej, siç mendonte  dhe uronte edhe profesori për Elenëne ndjerë , dhe nuk kish përse ajo e shkreta të mos e gëzonte jetën familjare si të gjitha vajzat e kësaj bote e pastaj të bëhej edhe e shquar në shkencën gjuhësore. Pse jo?Lidhur me këto, një fakt kuptimplotë që s’është tjetër veçse dëshmi e vlerave të saj. Kur i arrestuan të shoqin, i drejtohet Elena Prof. Aleksandër Xhuvanit duke i kërkuar t’a punësonte pranë Bibliotekës Kombëtare dhe ai  iu përgjgj: Në gjithë Ballkanin nuk do të gjeja njeri më të përshtatëshëm, por … por rrudhja e krahëve të gjuhëtarit të shquar tregonte se sa e vlerësonte diktatura pasurinë intelektuale që dispononte. Mirëpo Ai që njerëzve u cakton detyra në jetë i ve edhe para provash të vështira, ndryshe mendonte për Elenën e re. I kish dhënë asaj shumë virtyte në fushën e shkencës, vërtet.Por duke mos ia dhënë  mundësinë t’i shfrytëzonte ajo ato virtyte, Zoti e vuri në provën e madhe të dëshprimit. E Elena e kaloi atë provë pa u thyer e pa u dorëzuar kurrë, sikur të kishte qënë një malësore e pashkolluar që, ngarkesën e druve mbi kurriz tek zbriste shtigjeve pyjore të Tepelenës nën sqotën e shiut, t’a kishte pjesë të edukatës së saj që në fëmijëri. Në ato rrethana ajo kurrë nuk kujtonte auditoret universitare për të cilat ishte e prerë, por mendonte si e si t’i mbante ngarkesat e druve pa u përkulur e me shtatin drejtë që të mos ishin gardianët që t’a thyenin atë e bashkë me të edhe vullnetin e saj, por t’ish ajo që t’i mposhte ata! Dhe kështu ngjau. Nuk e thyen dot kurrë. Në një rast, rrasa e gurit të cilën e kish mbajtur në kurriz për katër orë, u peshua dhe rezultoi se peshonte 64 kg! Patër Gardini, prifti italian i cili vuajti kampeve të internimit, mbasi u riatdhesua, Elena Merlikën nuk rreshte së përmënduri  si heroinë e atyre kampeve që për nga egërsia dhe vuajtjet s’kishin shëmbull të dytë.

Dy fjalë tashti drejtuar familjarëve të saj, të cilët sikur i kam para sysh dhe më thonë … të gjtha që shkrove e i lexuam dhe nuk kemi asnjë kundërstim, Po në qoftë se hipotetikisht do të mund të ktheshim 60 vite mbrapa, a do t’ia vlente që Elena e jonë e ndjerë t’a jetonte edhe njëherë jetën që jetoi? E unë i u përgjigjem.po! Pa as më të voglën mëdyshje po! Zoti të gjithë në jetë i ve në provë. Elenën e shkretë e vuri para një prove skajshmërisht të vështirë dhe tejet të gjatë. Dhe ajo i qëndroi në nënyrë shëmbullore! Ajo nderoi Gjikët prej të cilëve rrodhi e nderoi edhe Merlikët me të cilët u lidh deri në vdekje! Ajo kish precedentin e Elena Gjikës së vjetër, pararendëse e Elena Gjika Merlikës, heroinës së kampeve të çfarosjes komuniste! E bashkë me ju, t’a dini mirëfilli , Elenën sot e qajnë  veç njerëzve tuaj të dashur edhe të gjithë ata që vuajtën me të e në të shihnin simbolin e qëndresës, dashurisë njerëzore, edhe mëshirës kristiane!E të gjithë bashkë lutemi për të. Ndonëse në këtë hulli, asgjë nuk më tingëllon më e goditur se maksima e lënë nga i madhi Baba Rexheb:

Për shpirtërat e njerëzve të mirë unë lutem shumë pak. Nuk ka nevojë të lutemi shumë për ta se Zoti i madh i ka vetë në mëndje dhe u jep amshimin”

                Ky pohim si edhe krenaria e ligjëshme që duhet të ndjeni për Elenën e ndjerë duhet t’ju mbajmë të fortë që t’a përballoni humbjen e Saj.

+

Krimi i organizuar në komunizëm- Zbulimi i fortë i pedagoges nga SHBA: Si u lidh Sigurimi i Shtetit me mafian italiane me miratim të Enver Hoxhës

Memorie.al / “Shkodimi i krimit shqiptar”. Ky është titulli i librit të pedagoges së Universitetit të Kalifornisë në SHBA-ës, Jana Arsovska, e cila ka hetuar për disa vite mbi mafien shqiptare nëpër botë. Libri që është një botim i muajit maj 2015, ka bërë bujë në SHBA-ës dhe në vende të tjera, ndërsa në Shqipëri nuk është thënë asnjë fjalë. Në këtë libër autorja e ka studiuar krimin e organizuar shqiptar që nga fillesat e tij, në kohën e komunizmit dhe deti në ditët tona. Autorja që është profesore në Universitetin e Kalifornisë, e ka bazuar librin e saj në studime të ndryshme, intervista dhe raporte nga shërbimet sekrete të vendeve të huaja dhe disa raporte të OKB-së, në lidhje me droga dhe organizatat kriminale që janë në botë.

Është e rëndësishme të dihet se rrjetet kriminale pre-ekzistuese, njohuritë e posaçme, dhe aksesi në zhvillimin e veprimtarive kriminale janë faktorë të rëndësishëm mundësish që shpjegojnë, pjesërisht, rritjen e krimit të organizuar shqiptar pas rënies së komunizmit më 1991. Sikurse shumica e vendeve post-komuniste, Shqipëria qe shtëpi e një rrjeti të gjerë njerëzish të cilët në të kaluarën kishin punuar për shërbimet ushtarake kombëtare, shërbimet sekrete, apo për policinë.

Në fakt, shërbimet e brendshme sekrete dhe policore ishin një pjesë kyçe e regjimit komunisto-absolutist. Sipas raportit të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimet (UNODC) për 2008-ën, Policia e Shtetit në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit ka vepruar gjerësisht mbi ligjin. Dhe me kalimin e kohës, vepruesit e nëndheshëm dhe shërbimet e sigurisë në rajon i bashkuan forcat për krijimin e një aparati të gjerë informativ.

Agjencisë e sigurimit të periudhës komuniste gjithashtu zakonisht ndërvepronin me kriminelë profesionistë, përfshi edhe shumë prej tyre që ndodheshin në Evropën Perëndimore, të cilët jo formalisht përdoreshin si informatorë apo veprimtarë (Leman and Janssens 2006).

Sipas raporteve të policisë, këta njerëz përdoreshin për një larmi detyrash të sigurisë shtetërore, si kontrabandë nafte, armësh dhe drogërash dhe për të vrarë disidentët e larguar nga vendi. Në Serbi, për shembull, gjërat shkuan aq keq sa që Klani i Zemunit, një prej grupeve kryesore të kontrollit të drogës në vend, ishte kryesisht e bashkuar me JSO-në – një njësi elitare e operacioneve speciale – dhe kishte artilerinë e saj, mjete të blinduara dhe helikopterë (Samuels 2010).

Toleranca e shtetit

Në Shqipëri, disa veprimtari të krimit të organizuar, gjithashtu të papërcaktuara si të tilla, toleroheshin nga shteti edhe gjatë kohës së komunizmit, sepse ato gjeneronin fitime extra për shtetin, plotësonin kërkesat e konsumatorëve që nuk garantoheshin dot nga ekonomia zyrtare dhe ndihmonin në destabilizimin e shoqërive kapitaliste. Shërbimet e sigurisë së brendshme shpeshherë merrnin pjesë në veprimtari të tilla të paligjshme.

Për shembull, edhe pse nuk është e dokumentuar mirë, duket se ekzistonin marrëdhënie ndërmjet Shërbimit Sekret Shqiptar, Sigurimit dhe krimit të organizuar (Leman and Janssens 2006; CSD 2004). Një raport konfidencial i inteligjencës i përgatitur nga një oficer ndërlidhjeje më 2008-n tregon se, duke nisur që nga vitet ’60-të, shteti komunist shqiptar bëri marrëveshje të fshehta me disa organizata kriminale italiane, duke iu lejuar atyre që të futnin cigare kontrabandë në territorin shqiptar.

Raporti i inteligjencës tregon se më 1966, Shqipëria iu mundësoi kriminelëve italianë rrugë shpëtimi nëpërmjet Detit Adriatik. Gjithashtu mafiozëve italianë iu lejohej të përdornin aeroportet shqiptare, ku ata magazinonin cigaret kontrabandë. Marrëveshja ndërmjet Sigurimit dhe organizatave kriminale italiane u miratua nga Byroja Politike dhe nga diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje në Shqipëri u krijua një njësi speciale, e quajtur “101K”. E vendosur në fshatin Rrushbull, pesë kilometra larg portit të Durrësit, njësia përbëhej nga oficerë të policisë kufitare shqiptare. 101K-ja ruante anijet plot me cigare që niseshin nga Durrësi, si dhe mbikëqyrte depot e cigareve që ndodheshin në Rrushbull.

Sipas raportit, vetëm gjatë një viti të vetëm nga fundi i viteve ’60, mafia italiane i pagoi 22 milionë dollarë të thata shtetit shqiptar. Paratë shkuan në buxhetin e shtetit dhe disa prej tyre përfunduan në buxhetin e ministrisë së Brendshme. Në fakt, raporti bën të ditur se helikopterët Alouette që vazhdojnë të përdoren në Shqipëri edhe sot u blenë në vitet ’80 me paratë e mafies italiane. Bazuar te raporti i inteligjencës belge, duket se një tjetër veprimtari kriminale në Shqipëri ishte kultivimi i “Papaver somniferum”, bima e lulëkuqes nga e cila nxirret opiumi dhe shumë opiate të tjera të rafinuara. Pasi fermerët e mblidhnin opiumin, ai i dorëzohej shtetit komunist, i cili raportonte se droga do të përdorej për qëllime mjekësore, por raportet e brendshme bënin me dije se sasia e opiumit të kultivuar e tejkalonte ndjeshëm nevojat legjitime mjekësore të popullit shqiptar. Dëshmitarët raportojnë se prodhimi kishte qëllime eksporti për vendet e tjera, dhe raporti investigues belg se pretendon se udhëheqja komuniste argumentoi se duhej përdorur “për të helmuar shoqëritë kapitaliste, në mënyrë që komunizmi të triumfonte”.

Gjithashtu edhe disa lloje të tjera të krimit të organizuar lulëzuan në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Për shembull, njerëz me lidhje të strukturuara krijuan një sistem paralel për furnizimin me ushqime, të cilat qenë të pakta në atë kohë, duke e çuar nga dyqanet te konsumatorët me çmime shumë më të larta. Bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm – prodhues, shoferë, menaxherë shitjesh, dyqane lokale, klientë, e kështu me radhë, – ishte i nevojshëm për të krijuar një sistem të tillë të shpërndarjes ushqimore. Memorie.al

Nga bashkëpunëtor i Mehmet Shehut te dënimi me vdekje- Robert Aliaj: Dy vdekjet e babait tim! E çuan te Mali me Gropa për ta pushkatuar, si shpëtoi im atë në minutën e fundit

ROBERT ALIAJ

Ndërkohë që ishte dorëzuar në përqafimin e pashmangshëm të vdekjes, një fener ia ndërpreu mjegullën e dëshpërimit, e shkëputi nga nofullat e saj. Më thirrën në zyrën e komandantit në mëngjes rreth orës tetë. Dielli sapo po shfaqej dhe ajri ende ishte i ftohtë.

“Kemi një mision për ty. Duhet të shkosh në Tiranë” , tha komandanti me një të zymtë.

“Menjëherë.”
“Pse?”
“Do ta mësosh kur të arrish.”

Kjo ishte gjithçka. Asnjë shpjegim tjetër. Një ushtar nuk pyet shumë. Merr urdhrin dhe e zbaton. Por diçka në mënyrën se si e tha, në atë heshtje pas fjalëve, më bëri të dyshoj se kjo nuk ishte diçka e zakonshme.

Unë, ushtari i ri, që kisha përballuar të qëndroja në buzë të greminës së një humnere të thellë psikologjike pa m’u dridhur syri, lajmin për vdekjen e tim ati dhe peshën e humbjes që ra mbi mua, e përjetova si një goditje që më zhveshi nga dobësitë që i kisha fshehur deri në atë moment me kujdes prej kohësh, si një peshë pikëllimi që çau armaturën time emocionale, si një humbjeje kolosale e pakapërcyeshme, duke më hedhur në vorbullën e boshllëkut dërrmues që do të linte pas mungesa e tij.

Deri tek dera e jashtme e repartit më shoqëruan Nik, shoku im i ngushte dhe një ushtar mirditor nga Kuçi, Agustini i cili më lutej me përgjërime që të kërkoja nga komanda të më autorizonte ta merrja me vete të më shoqëronte deri në Rubik, sepse donte të shikonte trenin. Nuk kishe parë asnjëherë tren më parë.

Treni ishte i ngadaltë.

Isha ulur pranë dritares. Shikoja jashtë njerëz që punonin në ara. Jetë që vazhdonin sikur asgjë nuk kishte ndryshuar.

Por për mua diçka kishte ndryshuar. E ndjeja edhe pa ma thënë askush, e dija.

Im atë kishte vdekur. Kishte kohë që vuante, kjo ishte arsyeja. Nuk kishte arsye tjetër për të më thirrur kaq papritur. Për të më dërguar në shtëpi pa shpjegim.

Isha përpjekur të imagjinoja se si kishte ndodhur. A kishte qenë në gjumë? A kishte vuajtur? A do kishte pasur kohë të mendonte për diçka para se të mbaronte? Pyetje që nuk kishin përgjigje. Në stacionin e Tiranës më priti Joti, vëllai tek dera e jashtme e stacionit të trenit. E pashë nga larg. Qëndronte i mbështetur pranë derës duke pritur. Fytyra e tij nuk tregonte asgjë. Por trupi i tij, mënyra se si qëndronte thoshte gjithçka. U afrova. Ai më përqafoi pa asnjë emocion, me shtrëngonte duart i qetë duke më parë në sy dhe më tha: “Të pastë lënë uratën, babai ndërroi jetë, iku, shpëtoi”

1

“Kishte muaj që vuante. Ti duhet të jesh i fortë.

Për Momin,
Për motrat.

“Të gjithë të presin ty dhe do të jetë një moment i vështirë nëse nuk tregohesh burrë”.

Të jesh i fortë, dinjitoz.

Kjo është ajo që më kishte kërkuar im atë, gjithmonë.

Si mund të vendosësh të jesh i fortë dhe gjithsesi ajo gjë të ndodhë?

Por çfarë do të thotë të jesh i fortë?

Të mos qash?

Të mos tregosh se po vuan?

Të mbash gjithçka brenda derisa të shpërthesh në mënyra që nuk mund ta kontrollosh?

Nuk thashë asgjë.

Thjesht tunda kokën. Sepse çfarë mund të thosha? Më pas nuk mbaj mënd më asgjë çfarë thamë derisa u futëm në mëhallë. Kur isha fëmijë babai ishte gjithmonë afër meje. Pa fjalë. Por pranë, prani që e merrje si të mirëqenë. Tani nuk do të ishte më. Dhe kjo mungesë. Kjo mungesë, do të zbrazte çdo vend ku ai kishte qenë. Im vëlla fliste për gjërat praktike. Për atë që duhej bërë. Për njerëzit që do të vinin. Për ceremoninë. Por unë nuk dëgjoja vërtet. Në momentin që u shfaqa në derën e hapur, vështrimi i të gjithëve u ngulit mbi mua sikur kërkonin ngushëllim. Momi ishte në cep. E vogël. E kërrusur dhe e veshur me të zeza. Kur më pa, i lëvizi e gjithë qenia e saj. U shqetësua për pak momente, pastaj u ngrit. Edhe ajo po bën atë që thamë. Të fortën. Po mban veten sepse kjo është ajo që pritet. Motrat ishin të ulura rreth trupit të babait. Të heshtura, dukeshin sikur kishin qarë për ditë të tëra. Edhe në sytë e tyre kuptohej lutja e heshtur për dinjitet. Në atë grackë emocionale, u përpoqa të sistemoja rrëmujën brenda meje, për të zbutur përroin e pikëllimit që kërcënonte të derdhej. Atje, në mes të këtij kongregacioni solemn ishte shtrirë babai im, një figurë e qetë stoike mes një deti me lule. Dukej i qetë. Akoma më i qetë se sa e mbaja mënd. Si të kishte gjetur më në fund diçka që e kishte kërkuar për kohë të gjatë. Kjo është vdekja. Jo dramat që shohim në filma me skena madhështore. Thjesht pushim. Fund i dhimbjes. Fund i luftës që kishte bërë me trupin dhe mendjen që nuk i funksiononin më.

U afrova. Qëndrova pranë duke i përkëdhelur ballin e ftohtë.

Askush përreth nuk fliste. Ndoshta flisnin me zë aq të ulët sa unë nuk dëgjoja gjë. Në atë heshtje kisha filluar të mendoja për gjërat që nuk i kisha thënë kurrë. Për biseda që nuk i kishim pasur kurrë. Për pyetje që nuk i kisha bërë asnjëherë.

Pse baba nuk folëm më shumë? Pse u mjaftuam me heshtjen?

Pse besuam se do të kishim kohë më vonë?

2

Tani koha kishte mbaruar. Dhe gjithçka që nuk u tha do të mbetej e pathënë përjetësisht.

Ishin momente ku po mendoja se si marrëdhënia jonë ishte e mbuluar me heshtje, një mungesë prekëse komunikimi që mbeti pus, një pyetje pa përgjigje. Lidhja që kishim ndarë në jetë ishte një fije e brishtë e endur me ndërveprime të rralla dhe e ngarkuar me peshën e ndjenjave të pathëna. Të kuptuarit pikërisht në atë moment se koha kishte mbaruar duke lënë pas një tufë emocionesh të pashprehura ishte një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur. Pesha e atyre fjalëve të pathëna, atyre momenteve të mbetura të paprekura nga dialogu kuptimplotë i munguar, më rëndonin në shpirt.

Boshllëku që la ikja e tij nuk ishte vetëm mungesa e pranisë fizike. Kërkoja vazhdimisht nga vetja të bëja gjithçka për të balancuar peshoren midis pusit të thellë të emocioneve dhe fasadës së dinjitetit. Ishte i vështirë ky akt mashtrimi i pamëshirshëm për të ruajtur ekuilibrin në sytë e tyre. Por përsëri, teksa përballesha me realitetin ndjeja një dikotomi prekëse. Nga njëra anë nevoja për ta përballuar këtë moment të thellë me dinjitet dhe gjakftohtësi, dhe nga ana tjetër, stuhia e trazuar e emocioneve që shpërthenin brenda meje, nevoja për t’u shembur nën peshën e pikëllimit, por duhej ruajtur iluzioni i forcës stoike, për të mos krijuar një situatë akoma më histerike. Kjo nuk ishte hera e parë që babai im kishte vdekur. Kjo ishte e fundit.

Koha kur refuzoi…

Dhe unë i dëshmoj këto ngjarje nga perspektiva e një qelize spermatozoidi që priste fatin e vet të shihte dritën e diellit. Ajo që më erdhi ndërmend në atë moment përballjeje për të fundit herë me tim atë, ishte hera e parë që ai kishte vdekur dhe që duhej t’i kishte lënë një goditje thellësisht traumatike kur mbasi kishte refuzuar të pranonte të bëhej komunist, anëtar i PPSH-së, mbas një kohe gati prej pesë vjetësh që kishte punuar me Mehmet Shehun për organizimin e transformimit të ushtrisë çlirimtare në një formacion ushtarak të organizuar në parametrat e ushtrive aleate të kohës.

Jo. Fjala më e thjeshtë. Dy shkronja, por që në atë kohë në atë vend ishin sa dënimi me vdekje.

Ky refuzim qëlloi fatal.

E arrestuan.

E çuan në Malin me Gropa. Natën. Me të tjerët që do të ekzekutoheshin.

Si ndiheshe duke qëndruar atje, duke pritur plumbat baba?

Duke ditur se minuta të pakta të ndanin nga asgjëja?

A kishe frikë baba? A ishe i qetë?

A kishe pendim për zgjedhjen që kishe bëre?

Apo ishte krenar?

Çfarë ndjenjë e tmerrshme do t’i kishte mbërthyer zemrën për fyti këtij njeriu kur mendonte kohën që shtrihej në përjetësi ndërsa ai vetë qëndronte aty, pa kohë, përballë një toge ekzekutuesish, që formonin një vijë me shkëlqimin e grykave të pushkëve në dritën e hënës diku në Malin me Gropa në vitet ’52? Koha do t’i ishte kthyer në fragmente kujtimesh, ndërsa ndërgjegjja e tij rrëshqiste në harresë.

Por papritur, ndërkohë që ishte dorëzuar në përqafimin e pashmangshëm të vdekjes, kur kishte marrë fund psikologjikisht, një fener ia ndërpreu mjegullën e dëshpërimit, e shkëputi nga nofullat e vdekjes, ishte ndërhyrja në kohë e një miku të tij gjeneral vetëm pak minuta para ekzekutimit, duke i lënë vend luftës për të kuptuar realitetin e mbijetesës së tij.

Krahas lehtësimit, babai duhej të kishte përjetuar dhe ndjenjën e fajit. Do të kishte filluar të shfaqte një lloj vrasje ndërgjegje, një përballje me ndjenjën e padrejtësisë të shkaktuar nga fakti që jeta e tij u kursye, ndërsa të tjerët u ekzekutuan. Si jetove pas kësaj? Si vazhdove? Duke ditur se të tjerët që ishin me ty atë natë vdiqën. Por ti jo. Pa arsye tjetër përveç se dikush të njohu. Se dikush vendosi. Ky ishte faji që ti duhej mbaje gjithë jetën? Faji i mbijetesës? Duke qëndruar pranë arkivolit mendoja për dy vdekjet. Atë që nuk u finalizua. Dhe atë që sapo kishte ndodhur. Ndoshta vdekja e dytë ishte më e lehtë. Sepse kësaj radhe e priste. E dinte se po vinte. Kishte kohë të bënte paqe me të. Apo ndoshta ishte më e vështirë ngaqë kishte më shumë për të lënë. Më shumë vite. Më shumë kujtime. Më shumë njerëz të cilëve do t’u mungonte. Nuk e di. Dhe nuk do ta di kurrë. Gjithçka që di është se ai ishte atje. Tani nuk është më dhe jeta duhet të vazhdojë sikur kjo të jetë normale. Njerëzit kishin filluar të largoheshin dalëngadalë në grupe të vogla. Me fjalë ngushëllimi që tingëllonin bosh. Mbetëm ne, ata që do të jetonim me këtë mungesë çdo ditë. Momi ju ul pranë arkivolit. Vështroi fytyrën e tij për kohë të gjatë. Pastaj tha diçka në një gjuhë të pakuptueshme dhe zë aq të ulët sa askush nuk dëgjoi.

Por unë isha shumë afër dhe e dëgjova.

Duhej të kishte thënë diçka si: “Tani më në fund ti mund të pushosh.”

Kjo ishte. Kjo ishte çfarë kishte qenë jeta e tij. Luftë kundër sëmundjes. Kundër kohës që nuk mjaftonte kurrë.

Dhe tani lufta kishte mbaruar.

Që ndoshta ishte gjëja më e afërt me fitoren.

Natën, kur të gjithë shkuan të flenë unë dola në oborr.

Ishte ftohtë. Kisha një zakon që kërkoja gjithnjë yjet që shkëlqenin sapo dilja.

E kam atë refleks akoma dhe sot.

Isha bërë dikushi që kishte humbur të atin. Që mbante peshën e kësaj humbjeje. Që duhej të mësohej të jetonte me të.

Im vëlla kishte thënë se duhej të isha i fortë. Për të tjerët. Për familjen.

Por kush është i fortë?

Kujt t’i them se nuk ndihem më i fortë?

Se ndihem si fëmijë që ka humbur rrugën dhe nuk e di si të kthehet?

Askujt.

Kjo është përgjigjja. Sepse kjo është mënyra se si funksionon.

Burrat nuk tregojnë dobësi. Burrat janë shkëmbinj ku të tjerët mbështeten.

Por çfarë ndodh kur shkëmbi thërrmohet? Kush e mban atë?

Varrimi u bë të nesërmen dhe gjithçka mbaroi. U ktheva në repart një javë më vonë. Jeta atje vazhdonte sikur asgjë nuk kishte ndodhur.

Kisha humbur prindin, por kisha fituar vetëdijen se jeta nuk pret. Se koha nuk është e pafund.

Ky ishte mësimi që im atë më kishte lënë me boshllëkun që krijoi.

Gjithnjë e mendoj kur më ndodh diçka që ai do ta kishte vlerësuar. Ndjej mungesën konstante. Gjithsesi, vdekja e dytë e babait ishte një kapitull transformues në jetën time. Më kishte maturuar dhe më kishte mbuluar me një mantel përgjegjësie kjo sfidë që kërkonte nga unë të bëhesha burrë. Për mua, pasojat e vdekjes së tij përveçse zi për një figurë të dashur, ishin llogari për t’u dhënë.

(Fragment i shkëputur nga shënimet. Robert Aliaj Dragot)

/Gazeta Panorama

“HISTORI TË PASHKRUARA”- LETËR NJË KOMUNISTI- Nga MËRGIM KORҪA

 

Sterling Heights

                                                                                                                                                     8 maj 2001           

 

I dashur P.

Kryesisht uroj që së bashku me M. kjo letër t’ju gjejë shëndosh e mirë e gjithashtu edhe fëmijët t’i kini mirë familjarisht. Edhe ne, shyqyr Zotit, kemi qenë mirë.Trashëgimtarja e vogël na ka budallepsur të gjithëve dhe është bërë, pa e ditur as vetë, qëndra e gravitetit të shtëpisë. Letërkëmbimi ynë, ç’është e vërteta, po zhvillohet disi me ngulç.

Unë mezi ç’e prisja nga ti, i dashur P., përgjigjen e letrës sime të vitit të kaluar. E prisja atë përgjigje se ajo letër e imja ishte e shkruar me nostalgjinë e viteve tona të rinisë duke i kundruar ato, tashti që vitet tashmë e kanë bërë punën e tyre, dhe ne duam apo jo, hyjmë në radhën e “burrave me moshë të thyer”, apo jo? Ndërkohë morëm me kënaqësi letrën elektronike që na dërgonit ti edhe M. që na uronte si gjyshër e që na e nisi N., e pastaj mora edhe letrën tënde, (shkruar me mjaft mllef), ku komentoje shkrimin tim “Heronj apo Kriminelë” dhe ishe iindinjuar se unë Leninin e quaja kriminel!

Kështu asaj letrës time të dashurisë kurrë nuk i mora përgjigje e detyrohem tashti t’i përgjigjem asaj letre që më ke shkruar dhe hedhur në postë, (besoj pa e rilexuar përpara se t’a postoje), e njëkohësisht pa e rilexuar shkrimin tim, (përpara se të më jepje përgjigje). Të dyja pohimet në kllapa i bëj nisur gjithmonë nga fakti se do të doja të ishte ashtu, me që kam të bëj me ty që të kam vlerësuar gjithmonë e të kam dashur si shok

.Sapo e fillon letrën ti më drejtohesh e më thua “… në rast se artikullin do t’a botoje në ndonjë gazetë me reputacion.. ..Gazeta të tilla si “Shkodra”, “55” e ndonjë. tjetër unë i konsideroj të denja për të mos i lexuar”. Ti e ke harruar si duket se të shkrova që kam botuar një shkrim në “Republika” dhe shtoja se vetëm atje mund t’a botoja me që kam shok Maksim Begenë, n/kryetarin e partisë republikane. Kurse Shkodra si edhe 55-sa e kanë marrë shkrimin nga Republika e nuk jam unë që ua kam dërguar, (ndonëse nuk e kuptoj gjithatë mllef tëndin ndaj atyre dy gazetave, apo se trajtojnë tema me karakter antikomunist ?) E pastaj fillë vazhdon duke më shkruar se temën që trajtoj unë ka dhjetë vite që trajtohet nga “… Robert Papa, etj. Këtë të fundit për punën që ka bërë në këtë drejtim unë e kam emërtuar miu i llagëmeve”  Se si e konsideron ti R.Papën nuk ka asnjë “.  rëndësi për Robertin, por pikërisht me që me këtë pasazh, (duke më futur mbase padashur edhe mua në një kategori me minjë llagëmesh), ti nuk kishe se si të më fyeje më rëndë e prandaj të jam drejtuar më sipër se si duket letrën e ke nisur pa e rilexuar, sepse nuk ma do zemra që t’a kesh pasur këtë qëllim. Këtu duhet të shtoj se nuk e mendoja kurrë që ti të shkruaje nga pozita tru-shplari ish komunist e nga këto pozita edhe të më fyeje! Po qe kështu, atëhere do të t’a pohoj: po, edhe unë jam nga ana e barrikadës se si i ka nxjerrë të vërtetat në shesh R.Papa.

Megjithatë, nisur nga premisa që nuk më besohet se ti bën pjesë me t’indoktrinuarit e verbër dhe duke menduar se je shprehur në mënyrë të pasaktë ndaj meje, po vazhdoj të të përgjigjem lidhur me vrejtjet që ti shtron sa i takon shkrimit tim “Heronj apo Kriminele” se, në të kundërtën, po t’a kisha dyshimin se vërtet ke dashur të më fyesh, me letrën tënde do të merrte fund korrespondenca jonë. Me që uroj e shpresoj të mos jetë kështu, po vazhdoj. Ti nuk je dakord që unë kam futur në të njejtën kornizë gjení si Lenini me sejmenin e rëndomtë Teme Sejkon, (siç e quan ti). Po të ishte kështu, do të kishe plotësisht të drejtë. Kurse unë kam theksuar se fatkeqësisht në rastin tonë konkret E.Hoxha qe për ne Lenin edhe Stalin bashkë. Dhe udhëheqësit i ndaj në gjykim nga kriminelët ordinerë. Plejadën e kriminelëve tanë, vegla të verbëra të E.Hoxhës, i krahasoj përkatësisht me F.Xherxhinskin, Genrich Yagodën, N.Yezhovin, etj. dhe paralelizmi historik gjason si dy pika uji për personazhet respektive, do apo nuk do ti, se mjafton t’a lexosh historinë e shkruar nga Stalini se si përfunduan ata. E kjo kategori u shërbeu pa mëdyshje diktatorëve respektivë të cilët pastaj . . . ua hëngrën kokat.

E tashti po vazhdoj dishka me Leninin me që e shoh se e ke pikë të dobët faktin që unë shpreh se ç’kanë thënë dy gazetarët anglezë dhe këtë e konsideroj ballancë për t’a gjykuar moralitetin e Leninit, gjë e cila ty nuk të duket e mjaftueshme. Të jap të drejtë, sinqerisht të jap të drejtë. Në këtë drejtim jam nxituar e kam patur bindjen se ti si njeri me horizont do të kesh lexuar biografi autorësh të ndryshëm mbi Leninin e kështu ç’u ka thënë Lenini gazetarëve do të ishte, (simbas meje), esenca e esencës së mendimit filozofik të Leninit mbi moralitetin. Me që e shoh se edhe ti je i painformuar saktë dhe i mangët në këtë drejtim po e zgjeroj pak fushën e pamjes. Biografinë e Leninit shkruar nga K.Krasnof dhe faktet që ai sjell nga jeta e Leninit, nuk nxitoj t’i marr në konsideratë si themele gjykimi se autori ka qenë kundërshtar i ashpër i Leninit. Po ashtu nuk rrëmbehem t’a gjykoj Leninin nga ç’ka shkruar për të L.Zilahy i cili ka shkruar e paraqitur fakte edhe më të shumëta se sa Krasnofi, ndonëse kanë qenë bashkëkohës të Leninit e si pasojë rrethanat si edhe situatat i kanë njohur mirë dhe jo të zbehura nga koha. Por ama ndjek me vëmëndje se ç’ka shkruar M. Eastman, që ishte admirues si edhe mik amerikan i Leninit. Ai bile e botoi në 1925 testamentin e Leninit të cilin ia dha Krupskaja, sepse Lenini kishte dhënë porosi që testamenti të lexohej në Kongresin e P.K.(b) të B.S. kurse Stalini e lexoi vetëm para K. Qëndror (se Lenini jepte porosi që Stalini të mos  zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Partisë). Dhe ky admirues i Leninit mundohet t’a mbrojë Leninin deri në atë pikë sa që thotë se  “…pohimi i Leninit në shkurtin e 1917-ës: se për çështjen e Revolucionit duheshin lënë më një anë normat qesharake borgjeze mbi moralin dhe se ai (Lenini) nuk do të stepej të shkelte mbi kufomat e nënës si edhe motrës së tij për hir të Revolucionit, tregojnë konsekuencën dhe besnikërinë revolucionare të Leninit”. Po e transkriboj tekstualisht thënjen e Leninit me difektin që kompiuteri nuk ka germat Kirilice: Jesli nada, ja perestuplju çerez trupi mojej materi i sestri dlja osushestvlenija Revoljucii. Prandaj unë e sintetizoj pozicionin etiko-moral të Leninit me shprehjen e tij thënë gazetarëve anglezë dhe nuk e quaj lajthitje të tyre, sepse edhe M.Eastmani pohon të njejtën gjë. Dhe me që ruhem të jem sa më i paánshëm dhe objektiv, nxjerr përfundim nga ky pozicionim i Leninit pa iu referuar aspak ç’kanë thënë për të kundërshtarët e tij. Nga ana tjetër, duke të njohur edhe çmuar si njeri të ndershëm ty, P., po e thelloj edhe më tej informacionin si edhe burimet e reja mbi Leninin, (që besoj se mund t’i gjesh e t’i lexosh në origjinal me pak përpjekje tashti që Shqipëria nuk është më e mbyllur hermetikisht), që të të hap horizont të thellosh njohuritë e pastaj, pse jo, të rivlerësosh edhe pozicionimin tënd ndaj tij.

Gjenerali Vollkogonov, ish Drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë së Kuqe, qe i pari person të cilit “Gllaznosti” i dha akses në fondet sekrete të arkivave ruse.Fillimisht, siç e thekson ai vetë, vetëm kërshëria për të mësuar të vërtetat e shtyu të hulumtojë. Por ky thellim e çoi dora dorës për të mësuar të vërtetat e shtyu të hulumtojë në zbulimin e të tilla të vërtetave që mbas një pune këmbëngulëse ndërgjegja e tij nuk e la më dhe shkroi e botoi tre libra, (me nga dy vëllime secili): Lenini, Trocki edhe Stalini. Unë kam lexuar vetëm Leninin, dy të tjerët akoma jo. Për të mos u zgjatur më me citate edhe pohime, (se edhe me kaq u zgjata shumë), sintetizimi i dy vëllimeve rreth Leninit përmblidhet me fjalën e vetme: kriminel! Dhe dua të shtoj se Vollkogonovi që në rininë e tij të herëshme e deri sa arriti dhe u bë gjeneral e pastaj edhe Drejtor Drejtorie Politike ka qenë mbrujtur me dashuri edhe respekt për Leninin, ashtu siç e quan edhe ti atë si “gjeni”. Prandaj kuptoje se me sa dhimbje faktet ia përmbysën mitin e gjeniut Lenin në sytë e Vollkogonovit që, për hir të së vërtetës, arrin pastaj në përfundimin që të citova më lart! Prandaj edhe këmbëngulja yte që nuk pranon t’i hapësh sytë e t’a shikosh Leninin tamam siç qé … më befason.

Në këtë kontekst po munde lexoje edhe librin e shkruar nga Viktor Suvorovi me titullin “Ljodokoll”. Një epokë të tërë të përshkruar me fakte “zyrtare sovjetike”, ai e ritrajton mbështetur në dokumenta që mbaheshin sekrete e nuk botoheshin dhe e nxjerr në një dritë të re.

Mendoj se leximi i këtyre librave do të përbënte burim interesi për ty dhe do të të hapnin ata, para syve tuaj, shtigje të reja për rivlerësime e gjykime të mbështetura në larmi shumë më të madhe faktesh historike. Tashti po vazhdoj me vrejtjet e tjera të tua. Unë kam theksuar në shkrim se si në Shqipëri edhe këtu në diasporë është shkruar  konkretisht për M.Shehun,  K.Xoxen, B.Ballukun, T.Sejkon, etj. duke i ngritur në qiell aftësitë si edhe bëmat e tyre. Në gazetën Illyria që botohet në New York u shkrua për dy muaj me radhë herë me një puntatë e herë me dy, rreth tyre si heronj. Po t’a rilexosh shkrimin tim do të shohësh se unë theksoj se si me “ keqardhje vrej se si kobët e fundit nga ana e shtypit shqiptar si në Shqipëri edhe në diasporë po vihet re një si fushatë me anën e së cilës dëndur e më dendur po shkruhet në mënyrë të njëanëshme rreth këtyre figurave. Po u hidhet dritë dhe kjo po përqëndrohet vetëm në faktin se ata, kush më heret e kush më vonë, përfunduan viktima të E.Hoxhës. Mirëpo peshorja mbetet tejet e paballancuar sepse qëllimisht po lihet në errësirë ana tjetër e tyre, krimet e përbindëshme që ata kryen sa kohë që verbërisht zbatonin direktivat paranojake te nxitësit të këtyre krimeve, udhëheqësit të tyre….” Po të kujtoj edhe pasazhin tjetër të shkrimit tim ku theksoj se “… është e natyrëshme që bijtë e këtyre veglave të diktatorit, (mbi të cilët më vonë ranë rrufetë e tija), natyrshëm duan të hidhet sado pak dritë pozitive mbi etërit e tyre. Këto orvatje të tyre jo vetëm i kuptojmë por edhe ndjejmë dhimbje të sinqertë për këta të fundit të cilët jo vetëm që u persekutuan si bij tradhëtarësh dhe armiqësh të partisë e të popullit, por edhe familjet e tyre u prishën si pasojë e divorceve të detyruara të martesave…..” Po t’a kishe rilexuar shkrimin tim, i dashur P., nuk do të ishe nxituar dhe të më shkruaje “…. me personazhet që ju përmendni në shkrimin tuaj nuk jam marrë se nuk i a vlen.  Ata erdhën edhe hikën në shoqërinë njerëzore si vijnë edhe shkojnë të gjitha gjallesat. Ju për ata pasqyroni njerën anë të medaljes. Me siguri që secili prej tyre ka edhe anën tjetër por mendoj se nuk ia vlen të merresh me ta….”

Unë nuk kam paraqitur njerën anë të medaljes, përkundrazi u shtyva të shkruaj që t’a paraqes edhe anën tjetër të medaljes e pastaj lexuesi i paanshëm të gjykonte. Sa për atë që ti shkruan se ata erdhën edhe hikën si të gjitha gjallesat e nuk ia vlen të merremi

me ta, në parim ke plotësisht të drejtë. Kjo varet nga mas-shtabi kohor nga i cili e shikon. Historia botërore e periudhës 1944-1991 për Shqipërinë do t’i kushtojë një gjysëm faqe e hiç më shumë. Por po hyre në jetët e njerëzve kjo nuk mund të kalohet kaq lehtë. E ndjera e ëma e Mimozës ishte 24 vjeçe kur ia pushkatuan të shoqin, (i cili Mimozën e la 4 vjeçe). Në vitin 1981, kur u botua libri Kur Hidheshin Themelet, E.Hoxha përshkruan në tri faqe se si K.Xoxi e kishte vrarë Surja Selfon vetëm e vetëm për t’a komprometuar E.Hoxhën që Surjanë e kishte shok. Dakord, thotë ai që nuk i di ndodhitë. Ja, E. Hoxha e thotë të vërtetën. Kjo e vërtetë ama ka mbrapa edhe faktin se kur S.Selfua kishte dërguar

ndërresat në shtëpi, në ushkurin e të mbathurave ai kishte futur thonjët e duarve që ia kishin shkulur në torturë J.Pashkua e N.Haznedari me shokë që të pranonte akuzat, (dhe e ndjera e ëma e Mimozës i dinte se kush qenë bishat torturuese). Dhe E.Hoxha gënjen kur thotë se Surjanë nuk e kishin torturuar se kështu i kishte thënë Koçi. Gjithashtu që nga 1949-ta kur u pushkatua K.Xoxe dhe E.Hoxha e mori vesh të vërtetën, pse priti deri më 1981-shin t’a thoshte këtë të vërtetë dhe familjen e Surja Selfos vazhdonin dhe e trajtonin si familje armiku? Njëqind herë e ndjera e ëma e Mimozës i kishte shkruar E.Hoxhës t’i jepnin një shtëpi normale, po kurrë nuk ia dhanë dhe jetoi në një bodrum 24 shkallë thellë në dhe ku sa herë binte shi hynin ujërat e trotuareve ! Edhe kur lagja i dha shtëpi, me që e kishte burrin të pushkatuar, i dhanë një dhomë 4 x 3 dhe nevojtore!

Ja edhe një fakt tjetër kuptimplotë. Ty të kujtohet kur Mehmet Shehu erdhi në Cërrik dhe u entuziazmua nga ajo maqineria që kisha projektuar dhe zbatuar unë simbas përmasave të vijës kulluese që më kishte porositur ai, dhe para se të ma jepte fjalën, më paraqiti, (se ishin tre anëtarë Byroje prezent si edhe ministra e personalitete), e tha:”… do të na flasë konstrukteri i talentuar Ing.Korça, djali i Xhevat Korçës, bir reaksjonari, ndonëse i ati nuk është se na ka bërë  ndonje gje të madhe…”. T’i përshkrova këto dy pjesëza mozaiku jete, i dashur P., së pari se ata kriminelët vërtet erdhën edhe ikën, por gjurmët e tyre lanë vragë të pashlyeshme në jetët tona. Ti me shumë të drejtë thua se njerëzit dubet të harrojnë edhe të falin. Shumë i bukur si pohim edhe i drejtë për t’i shërbyer së ardhmes. Por ama faljen duhet t’a kenë në dorë ata të cilëve u takon t’a bëjnë një gjë të tillë, ata të cilëve u është djegur shpirti. Kurse lidhur me harresën, nuk jam aspak dakord me ty dhe ty as të takon t’a predikosh një moral të tillë se ty kurrë nuk t’u dogj shpirti ! Në këtë kontekst marr shkas edhe për një sqarim tjetër.Kur ishim në Cërrik mua m’u duk vetja tamam kërkushi se nuk guxova t’i thoja M.Shehut me që im atë nuk ju paska pasë bërë ndonjë gjë të madhe, atëhere përse e kalbët në burgun e Burrelit dhe u detyrua të vdiste në grevë urije? Dhe mendo se kur erdhi në Tiranë, në mbledhjen e këshillit ministrave, M.Shehu duke folur rreth njëzet minuta lidhur me aftësitë e mija kishte thënë se veç zotësisë që më karakterizonte isha edhe trim. Këtë, siç e mendoj unë, vetëm për faktin se i kisha kundërshtuar gjatë diskutimeve për probleme teknike. Por unë në fakt nuk isha hiç trim sepse nuk guxova t’i replikoja lidhur me t’im atë. E kur unë trimi isha i tillë frikacak (ah ç’paradoks i dhimbshëm) që nuk guxoja t’a shfaqja mendimin tim haptazi, e kur u shpall poliagjent M.Shehu e pas tij tradhëtar edhe K.Hazbiu unë i pari, ti pas meje dhe të gjithë të tjerët që ne i konsiderojmë njerëz të ndershëm, ndryshe mendonim e ndryshe shfaqeshim, duhet të krenohemi për këtë qëndrim? I gjithë populli ishte i dyzuar në mendime dhe askush nuk guxonte t’a thoshte atë që mendonte. E kjo është njoll’e madhe për ne, këtë duhet t’a pranojmë si unë e gjithashtu edhe ti.

E tashti, mbasi të argumentova se po t’a kishe lexuar me përqëndrim shkrimin tim dhe të mos ishe nxituar në përgjigje, do të shihje se praktikisht mendimet tona përputhen dhe dalin në të njejtin shteg, dua të të rikujtoj edhe një kalim të shkrimit. Nga gjaksorët që trajtoj unë, të vetmit e ngelur gjallë janë A.Cela edhe M.Doçi. E unë çkërkoj të bëjnë ata? Vetëm të pendohen publikisht për krimet e bëra. Asgjë më shumë. Dhe e përfundoj shkrimin duke vënë në dukje se me që të pamëkatët nuk ekzistojnë mbi dhe të zbatojmë mësimin e Krishtit që të pendohemi e të mos bëjmë më mëkate. E tashti duhet t’a kuptosh i dashur P. se unë duke heshtur edhe ndrydhur dhimbje të mëdha ftoj për pajtim edhe falje të mëkateve, (kupto krimeve). Këtë e bëj jo se e kam të kollajtë, përkundrazi. Bile që t’a kuptosh se sa e vështirë është, që sado pak t’a vesh veten në pozitën tonë, duhet t’a dish se Mimoza ka katër të pushkatuar në familje : babanë, xhaxhanë si edhe dy djem xhaxhallarësh, (xhaxhai u pushkatua me rastin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike e fill mbas tij i pushkatuan fare pa asnjë arësye edhe të birin), përveç djalit të xhaxhait tjetër që u vra 16 vjeç! Kurse edhe nga ana ime kam babaneqë shpalli grevën e urisë edhe e çoi deri në fund atë grevë në burgun famëkeq tëBurrelit, si edhe tre të pushkatuar.

Por unë e kuptoj që urrejtja jo që nuk duhet nxitur por duhet fashitur se në të kundërtën Shqipëria kurrën e kurrës nuk gjen dot qetësi. Kjo arësyeja që bëj thirrje për falje por me kusht pendimi nga ana e kriminelëve akoma të gjallë e doemos edhe rishikimi e rivlerësimi pikpamjesh edhe nga ana e jote.

E tashti që i erdhi epilogu letrës time shpresoj që ti, P. im i dashur, e kupton se përse unë do të kisha dëshiruar që ti t’a kishe rilexuar më me vrejtje shkrimin tim epastaj t’a kishe rilexuar edhe letrën tënde para se të ma nisje.

Duke ju uruar së bashku me M. kryesisht shëndet e pastaj gjithë të mirat e gjithashtu të njëjtën gjë edhe djalit me familje atje lark jush ku gjëndet si edhe vajzës në Tiranë.

Juve ju përqafojmë së largu,

Dokumente dhe dëshmi të reja për gjyqin më 1960 ndaj “grupit çam”! Akuza si “agjentë të huaj” dhe manipulimi i së vërtetës! Dëshmia e Lutfi Sejkos

HYQMET ZANE

Miqësia ime familjare me Lufti Sejkon, njërin nga të arrestuarit të të ashtuquajturit “grupit të Teme Sejkos” për shkak edhe të origjinës nga Filati i Çamërisë, pas 1991, më dha mundësinë që të mësoja disa të vërteta të atij komploti, që sajoi Sigurimi i Shtetit ndaj çamëve ekskluzivisht. Në çdo bisedë me të, “gjuha vete ku dhemb dhëmbi” për të mësuar nga ajo ngjarje tragjike për shqiptarët e Çamërisë të ardhurit në Shqipëri. Në një moment më tha me një narrative karakteristike të tij të qetë e të besueshme të një intelektuali qytetar se “parathënia e kësaj goditje nisi me eliminimin e gjeneralit të mirënjohur në strukturat të policisë Hilmi Seiti në Shkodër. Vdekja e tij më mesnatën e 25 prillit dhe varrimi më 26 prill 1960 na trishtoi dhe na dha një mesazh. U tha se u eliminua nga një gjendje iu krijua pas një takimi në Kafen e Madhe në Shkodër ku kishin ardhur nga Tirana të deleguar njeri prej të cilëve Rita Marko se do të bënin një mbledhje në Byronë e Partisë së Shkodrës. Unë, – shprehej Lutfiu, pas kafes u shkua në mbledhje ku u kritikua Hilmiu për ulje të luftës së klasave. Gjatë mbledhjes, – siç na kanë thënë, – kishte pak dhimbje koke dhe i dhanë një aspirinë dhe më pas kërkoi të shkonte në banjë dhe aty u gjet i shtrirë me të vjella. Në mesnatën e asaj ditë ndërroi jetë dhe më 26 prill u bë varrimi i tij madhështor me pjesëmarrjen e popullit të Shkodrës.

Nga ato që kanë qarkulluar si veprime, u mor vesh se një apo dy ditë më parë kishte qenë në Tiranë dhe Kadri Hazbiu i kishte kërkuar të bëhej drejtues i një grupi si një lojë kundër akuzave të rusëve. Thuhet se Hilmiu me temperamentin që kishte, kishte protestuar dhe kishte kërkuar të takonte Enver Hoxhën, por nuk ishte realizuar. U kthyer në Shkodër dhe të nesërmen ndodhi gjithçka. Lutfi Sejko më ka sqaruar se, “kjo që i ndodhi Hilmiut më krijoi dyshimin se diçka nuk shkonte dhe parandjenja nuk më gaboi, se në fund të qershorit këtë gjë ia kërkuan Teme Sejkos, kundëradmiralin e nderuar të detit që gjithashtu nuk e pranoi. Por presionet e mëdha dhe siç thuhet futja të gjallë në një arkivol, e detyroi të pranonte me garancinë se nuk do të ndodhte asgjë, thjesht ishte një lojë. Dhe ndodhi ajo që ndodhi që ishte një tragjedi”. Kanë kaluar 65 vite nga dënimi me 1250 vite burgime, me 11 të pushkatuar, 10 të vdekur në burgje të ashtuquajturit komploti i “grupi çam” që ishte në fakt komploti i sajuar për interesa strategjike të pushtetit të Enver Hoxhës. Ishte kjo si një përgjigje ndaj sovjetikëve se ai, Enveri, nuk ishte shitur për “30 aspra” te imperialistët siç e akuzoi Hrushovi, se ja i dënoi ata që u lidhën me imperialistët amerikanë?! Sipas dokumenteve që janë zbuluar dhe që i ka bërë publike ish komandanti i flotës detare Artur Meçollari, ishte Enveri i interesuar që të lidhej me amerikanët, ndaj e dërgoi Teme Sejkon me në mënyrë sekrete.

FAKTET E REJA

“Ish-komandanti i Gjuajtësit të Madh Detar ‘Semani’, Dhiogjen Gjergji në librin e tij “Udhëve të jetës” (2011) hedh dritë mbi një histori të panjohur më parë për Teme Seikon. Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai: “Kur unë u bëra komandant gjuajtësi (anije kundër nëndetëse), në arkivin e anijes gjeta një dokument hedhur pa kujdes në të cilin ndër të tjera shkruhej – “Ora… morëm në bord Komandantin e Flotës të pashoqëruar nga asnjë anëtar i Shtabit të Flotës dhe të Brigadës së Rajonit të Mbrojtjes Ujore. Lundruam në perëndim të ishullit të Sazanit. Dolëm në ujërat neutrale. Errësirë e plotë. Deti me dallgë. U urdhëruam të ndezim dritat e lundrimit. Pas dy minutash u fikën ato. Një dritë përpara nesh filloi për pak çaste të ndizej e fikej. Komandanti i Flotës urdhëroi t’i afrohemi anijes së panjohur dhe të zbresim në të. Me shumë vështirësi u afruam dhe lamë komandantin e Flotës atje, duke na thënë që nesër në orën 05:00 të shkonim ta merrnim përsëri.

Tipin dhe flamurin e anijes nuk mundëm ta identifikonim. Natën ne vrojtuam një anije italiane, e cila vinte vërdallë nëpër det. Në orën 05:00 shkuam në koordinatat ku lamë komandantin e Flotës dhe ai hipi në bordin e anijes. I thamë për anijen italiane që lundronte aty. Ai na foli ashpër se përse u morëm me atë anije. Lundruam në drejtim të Vlorës. Akostimi në ujin e ftohtë. Zbret komandanti i Flotës. Kthehemi në Sazan…”. Sipas disa pohimeve thuhet se të nesërmen e këtij udhëtimi iu raportua tek shefi i sigurimit pa dijeninë e Teme Sejkos që gjithçka ishte e sajuar nga sigurimi i shtetit dhe që kishte dijeni të plotë Enver Hoxha.

DËSHMIA E LUTFI SEJKOS

Ai gjyq i montuar nga ekspertët e Drejtorisë së Parë të sigurimit, më shumë se dënimet që iu dhanë çamëve, ishin jo vetëm për familjet e të penalizuarve, por për të gjithë popullatën çame të shpërngulur me gjenocid nga shtëpitë dhje trojet e tyre stërgjyshore, dhe ajo që ishte vrastare vit pas viti ishte se sharjet e imponuara si “çamët e pabesë”, akuza si “agjent të grekut” dhe poshtërimet publike kanë qenë urrejtja e pushtetit stalinist ndaj tyre. Të dënuar, të pushkatuar, të burgosur dhe të sharë pa faj dhe pa falje për ato akuza të sajuara, këtë pësuan Çamët e shpërngulë në Shqipëri dhe që iu mbeti në “biografi” damka e pabesisë. Pas asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë vërtetësi, kështu u dënuan anëtarët e “grupit të komplotit” më 1960–1961.

Grekët i cilësuan “bashkëpunëtorë” me nazifashistët, kur bashkëpunëtorët e vërtetuar ishin grekët dhe kryeministrat e tyre të kohës së luftës. Dhe kjo “damkë” u mbeti edhe pas 81 vjetësh kur eurodeputeti Beleri që ishte në grupin e atyre grekëve që vrau 4 shqiptarë në postën kufitare të Peshkëpisë më 1994. Dhe si për çudi akuza e sigurimit shqiptar “çamët e pabesë” mbeti edhe kjo si një “damkë” për ata që jetuan në atë kohë, për ata që kishin vdekur kohë më parë dhe për ata që ende nuk kishin lindur dhe që lindën në Shqipëri shumë e shumë vite më pas. Të gjitha këto përcaktime m’i rrëfente intelektuali nga qyteti i Filatit që jetoi në Elbasan, Lutfi Avdul Sejko, që u dënua si pjesëtar i atij “grupi komplotist”. Ishte fat që jetoi deri më 13 prill 1995 kur ndërroi jetë sepse pata mundësinë të bisedoja me këtë qytetar të nderuar me trashëgimi atdhetare dhe të ruaja në kujtesë dhe në shënimet e mia ato rrëfime të atij burri qëndrestar në birucat dhe burgjet e Shqipërisë.

CILI ISHTE LUTFI SEJKO

Është lindur më 1 prill të vitit 1926 në Filat të Çamërisë në një familje të mirënjohur patriotësh të Sejkatëve. Në atë kohë Lutfiu ishte i kuadruar në radhët e ushtrisë Nacional Çlirimtare Greke (E.L.A.S) në batalionin “Mix Ali Demi”, regjimenti 15 si shumë çamër të tjerë, edhe pse grekët akuzojnë padrejtësisht shqiptarët e Çamërisë si bashkëpunëtorë me gjermanët?! Pas emigrimit në Shqipëri në vitin 1944 dhe në vitit 1945 mori rrugën për në thellësi të Shqipërisë duke lypur një copë bukë. Pas 7 ditë udhëtimi mbërriti në Vlorë dhe më pas u vendos në Elbasan në vitin 1945, ku banoi deri në fund të jetës së tij.

Në shtator 1947 qarkori i parë i P.K.SH, si i ri komunist e dërgoi në kursin e kuadrove për shef llogarie në Tiranë. Pasi mbaroi këtë kurs në vitin 1948, u emërua në Artizanatin e Tiranës. Shkoi vullnetar në hekurudhën Durrës–Tiranë. Më janar 1949 u kthye në Elbasan dhe filloi punë si shef llogarie në Bashkimin e Artizanatit të Qarkut të Elbasanit, që sapo ishte krijuar. Komiteti i Partisë e ngarkoi me disa punë të veçanta të partisë. Më pas u emërua në sektorin e llogarisë në N.Sh.G Elbasan ku punoi si shef llogarie kryetar i degës planit dhe kryetar i degës së grumbullimeve. Kështu e gjeti viti 1960, kur u zbulua “komploti i 1960 – ës”. Në këtë kohë e patën të lehtë intrigantët dhe njerëzit e degjeneruar, si dhe funksionarë të shoqërisë që e futën në këtë “komplot” e kështu u arrestua dhe u akuzuan si agjent i grekëve, i jugosllavëve dhe i amerikanëve dhe e dënuan me 20 vjet burg. Në Tiranës dhe iu krijua një proces-verbal me të pavërteta i akuzës. Pas hetuesisë në Elbasan dhe në Tiranë në një mbrëmje e çuan në birucat e burgut të ri në Tiranë ku filloi hetuesia e rregullt me hetues Vangjel Çeçani, të cilit i kërkoi të takonte prokurorin e përgjithshëm dhe e një ditë e çuan në një dhomë ku ishte Aranit Çela, Rexhep Koli, Nevzat Haznedari dhe një mjek.

Aty i tha Aranit Çelës se donte të bisedonte vetëm me atë. Sipas kujtimeve të shkruara nga vetë Lutfiu, ai i tha Aranitit se si zot i drejtësisë dhe i ligjit në Shqipëri që ta shikoni çështjen e tij, se ishte krejt i pafajshëm dhe se s’kishte dijeni për asnjë gjë më të vogël dhe se kishte lënë gruan me 4 fëmijë të vegjël në një gjendje të vështirë. Araniti qeshi, u ngrit dhe më tha: Lëri ato të çamët të mesëm (se Araniti i ndante në 3 kategori çamët) prano se kështu i kemi shokët e tu. Më 3 maj 1961 e çuan në një dhomë ku bëri ballafaqimin me Tahir Demin, ku në atë ballafaqim ishte N/Kolonel Qazim Jaufrati, N/Kolonel (emër i paqartë), major Vangjel Çeçani. E pyetën Tahir Demin dhe ai, pasi e kishin torturuar dhe përpunuar me mashtrimet tipike të hetuesisë së sigurimit të asaj kohe, ai i tha se: “Lutfi Sejkon e kam rekrutuar dhe e kam vënë në shërbim të zbulimit grek dhe kishte dijeni për komplotin dhe ka kryer detyrat që i kam ngarkuar”.

Të gjitha këto ishin sajesa të qëllimshme të pavërteta dhe që binin në kundërshtime me kohën dhe aktivitetet. Përpiluan proces-verbalin, të cilin e nënshkroi Tahiri. Poshtë procesit u shkrua: “I dëgjova dëshminë e të dënuarit Tahir Demi, nuk ka asgjë të vërtetë dhe nuk pranoj asgjë”. Pas shumë peripecive në birucat e hetuesisë së sigurimit të shtetit, nga Tirana e sollën në birucat e Elbasanit, ku i vinin spiunë dhe mashtrues që i sajonin intriga të shumta. Pas këtyre falsifikimeve dhe mashtrimeve si gjithë gjyqi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit, e nxorën në gjyq ku u e dënuan 20 vjet. Edhe në gjyq u veprua shumë padrejtësisht. Vetëm shpifje dhe dëshmitarë të mirëtrajnuar. Në vitin 1966 i bëri një letër Enver Hoxhës, ku i thoshte se ishte i pafajshëm dhe kërkonte një komision nga Komiteti Qendror që të verifikonte çështjen dhe të ti jepnin pafajësinë. Nuk mori asnjë përgjigje. Nuk bëri më asnjë lutje dhe, pasi kreu 15 vjet burg, (3 vjet i fitoi nga amnistia e vitit 1962 dhe 2 vjet me punë), më 14 shkurt 1976 u lirua. Në 30 vitet, që nga 1961 Lutfiu dhe gjithë familja provoi çdo persekutim në kurriz kjo familje që ai e krijoi me aq mund e sakrifica.

EPILOG

Historia flet me fakte se ato që sajoi sigurimi famëkeq shqiptar sipas mësimeve të UDB jugosllave dhe KGB rus, ajo që u sajua ndaj çamëve ishte pasoja e pranisë së proserbëve dhe pro rusëve brenda Byrosë politike që bënë edhe eliminimin makbethian të të gjithë bashkëpunëtorëve të Enver Hoxhës në luftë dhe pas luftës si eliminim i dëshmitarëve okularë të bëmave të vetë kryediktatorit që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kështu çamët, shtresa intelektuale e tyre mbetën përjetësisht të dënuar, të pushkatuar, të burgosur dhe të sharë pa faj dhe pa falje. Sipas një bisede me ish Presidentin Alfred Moisiu, ai më ka thënë “duhej hapur një gjyq i ri për të bërë dhe kërkuar pafajësinë e atyre që u dënuan padrejtësisht dhe që u mbeti akuza e padrejtësive”. Kjo nuk u bë dhe sot vazhdojnë reminishencat e së shkuarës ndaj çamëve me terminologji tip sigurimi dhe të agjenturave greke.

/Gazeta Panorama 

“Janë më keq se egërsirat”- Libri i historianit irlandez: Hrushovi thoshte për udhëheqësit shqiptarë, sidomos për Hoxhën, Shehun dhe Ballukun, se ata…

Nga Erneta Shevroja/ Studiuesi irlandez, Jon Halliday, në librin e tij për Enver Hoxhën, me titull “Shqiptari dinak”, rreket të zbërthejë misteret, intrigat, pabesitë, paranojat, vrasjet, manovrat, raportet mes figurave, komplotet dhe planet brenda kështjellës së regjimit komunist në Shqipëri, por edhe të gjithë vendeve të Lindjes komuniste. Figura e Enver Hoxhës është në qendër të librit të studiuesit Halliday, ndërsa të gjithë liderët e Lindjes, duke nisur që nga Stalini dhe më pas Hrushovi, trajtohen në raport me Enver Hoxhën. Duke iu referuar vëzhgimeve, raportimeve, dëshmive, dokumenteve sekrete, detajeve etj, studiuesi bën një përshkrim të figurës së Enver Hoxhës, i cili la pas çdo diktator lindor, sa i takon shpejtësisë së konsolidimit të pushtetit të tij.

Në libër, Halliday flet për dyshimet e forta të Stalinit mbi Enver Hoxhën, ndërsa përshkruan pesë takimet e Enver Hoxhës me udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik. “Ndryshe nga shumica e udhëheqësve të Europës Lindore mbas luftës, ai ishte me të vërtetë shumë i pashëm, edhe shumë tërheqës, si për gratë, ashtu edhe për burrat. Forcën tërheqëse dinte ta shfrytëzonte për bukuri.

Ishte aktor i përkryer. Këtë aftësi si aktor ai e gërshetoi me një vendosmëri të palëkundur për të provuar se gjithmonë kishte të drejtë, por kishte edhe kokëfortësinë që të vazhdonte gjersa i lodhte kundërshtarët. Këto janë cilësi për ta fituar dhe për ta mbajtur pushtetin. Ato janë gjithashtu cilësi që e tërbojnë bashkëbiseduesin”, – shkruan studiuesi irlandez në librin “Shqiptari dinak”.

Dyshimet e Stalinit

Studiuesi irlandez shkruan se Stalini ka qenë shumë dyshimtar për Enver Hoxhën. Diktatori shqiptar ka qenë ndër të vetmit në Bllokun Sovjetik, që nuk ka kërkuar ndihmë dhe nuk ka pasur nevojën për ushtrinë sovjetike.

“Molotovi po i hidhte fjalë të mirë Stalinit, i cili ishte edhe kurioz, edhe dyshimtar për të vetmin udhëheqës të një regjimi komunist në Bllokun Sovjetik, që nuk kishte pasur asnjë lidhje historike apo kontakt me Bashkimin Sovjetik.

Dhe kjo ishte e vërtetë jo vetëm përsa i përket Enver Hoxhës si individ, por pothuajse gjithë grupit udhëheqës në Shqipëri. Për më tepër, Shqipëria është i vetmi vend brenda Bllokut që ishte çliruar vetë, pa pasur nevojën që në territorin e saj të shkelte Ushtria e Kuqe Sovjetike”, – thotë Jon Halliday në librin për figurën e Enver Hoxhës.

Dyshimet e Hrushovit

Studiuesi irlandez, Jon Halliday, në librin e tij për Enver Hoxhën përshkruan kujtimet e diktatorit Hrushov mbi Enver Hoxhën. Në libër thuhet se Hoxha ka qenë gjithmonë vigjilentë mbi njerëzit që e rrethonin dhe gjithmonë dyshimtar për miqësinë e tyre.

“Ajo çka u jep kujtimeve të Hoxhës një veçantësi të spikatur mbi të gjitha kujtimet e tjera, qoftë edhe ato të Hrushovit, është se si ndërthur inteligjencën dhe aftësinë e tij vëzhguese, me një çiltërsi brutale dhe me vetë-lëvdata të dredha.

Ç’është e vërteta, ai i nxjerr të tëra. Dhe vret mendjen. Në një cep të vogël të Ballkanit për 25 vjet, atij i duhet të vriste mendjen të interpretonte shenjat e të deshifronte veprimet, mesazhet dhe dredhat e miqve dhe armiqve të tij”, shkruan studiuesi.

Pse u prish Enver Hoxha me Titon, Hrushovin dhe Mao Ce Dunin?

Historiani irlandez, Jon Halliday, në librin e tij “Shqiptari dinak-Enver Hoxha”, sjell fakte dhe dëshmi se si Enver Hoxha prishi marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore me udhëheqësit më me peshë të shteteve komuniste.

Halliday pohon se, gjatë bisedave që Enver Hoxha ka zhvilluar me Josip Broz Titon, ia ka shtruar disa herë çështjen e Kosovës. Por, jo vetëm që Tito nuk e merrte përsipër këtë çështje, sipas Enver Hoxhës, por Beogradi po përgatiste aneksimin e Shqipërisë.

“Në rrëfimin e Hoxhës mbi lidhjet e tij me Titon dhe regjimin jugosllav, ka njëherësh vërtetësi dhe trillime. Akuza themelore e Hoxhës se Jugosllavia synonte ta aneksonte Shqipërinë, është e drejtë. Prandaj, arsyet e tij për t’i parë me dyshim motivet e jugosllavëve, duken me vend.

Nga ana tjetër, kapërcimi i tij në akuzën se, duke dashur ta aneksonte Shqipërinë, Jugosllavia i zhvati asaj edhe pasuritë, nuk gjen mbështetje në dokumentet që kemi parë. Përkundrazi, Jugosllavia i dha Shqipërisë një ndihmë të madhe gjatë periudhës 1945-‘48, në aspektin thjesht ekonomik”, thuhet në libër.

Gjithashtu, Enver Hoxha e kritikonte mjaft Titon. “Enver Hoxha e kritikon Titon kryesisht në planin personal, që bënte jetë luksoze, sillej me fodullëk dhe nuk i kushtonte shumë kohë njohjes me probleme të fushave të veçanta, sidomos ato ekonomike.

Hoxha kujton një bisedë rreth Kosovës. Ato çka thotë ai janë të besueshme, por nuk mund të verifikohen. Është e pamundur që Tito të jetë shprehur kaq haptas, qoftë edhe për një çështje parimore”, – thotë historiani Halliday.

Prishja e marrëdhënieve me Moskën

Historiani Jon Halliday rrëfen në librin e tij, se si u prishën marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës pas vdekjes së Stalinit. Enver Hoxha kishte lidhje tepër të ngushta me Stalinin, dhe madje e merrte si shembull në vendimet e tij, por ardhja në pushtet e Nikita Hrushovit, do të vuloste fundin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Rusisë.

“Deri nga fundi i viteve ’50-të, marrëdhëniet midis Moskës e Tiranës, në sipërfaqe, dukeshin të mira. Sipas Hoxhës dhe kjo është plotësisht e besueshme, marrëdhëniet zunë të ftoheshin pak kohë pas vdekjes së Stalinit dhe, qysh kur Hrushovi nisi të kërkonte pajtim me Titon, ata morën në tatëpjetën pa kthim.

Pajtimi i Hrushovit me Titon më 1955 dhe denoncimi prej tij i krimeve të Stalinit më 1956, ishin dy çështjet kryesore që qëndronin prapa ftohjes së marrëdhënieve sovjeto-shqiptare, të cilave iu shtuan dhe dallimet që kishin mes tyre, përsa i përket personalitetit, Hoxha me Hrushovin”, – thuhet në libër. Ndërkaq, edhe Hrushovi nuk kishte konsiderata për udhëheqësit komunistë të Shqipërisë, veçanërisht Enver Hoxhën.

“Edhe një herë tjetër, kemi dy versione që bien mjaft ndesh me njëri-tjetrin, atë të Enver Hoxhës dhe atë të palës tjetër. Në kujtimet e tij, Hrushovi shprehet hidhur për udhëheqësit shqiptarë, sidomos për Hoxhën, kryeministrin Shehu dhe ministrin e Mbrojtjes, Balluku, duke thënë se; “ata janë më keq se egërsirat, ata janë përbindësha”.

Hrushovi thotë, me shumë të drejtë, se: “Çarja që erdhi duke u thelluar midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, lindi kryesisht ngaqë shqiptarët i trembeshin demokratizimit””, thotë Halliday në librin e tij.

Prishja e marrëdhënieve me Kinën

Sipas Jon Halliday-t, Enver Hoxha arriti që t’i jepte fund edhe bashkëpunimit me Kinën, ndërkohë që ky shtet komunist ishte shumë bujar me Shqipërinë dhe e ndihmoi me ndihma pa asnjë lloj interesi. Halliday rrëfen s; “Enver Hoxha thoshte se Kina po ushtronte presione ekonomike, ushtarake dhe më pas politike ndaj Shqipërisë, duke i krahasuar këto me presione me presionet e Hrushovit”.

“Enver Hoxha i përshkruan me hollësi presionet ekonomike dhe, së fundi, politike që Kina po ushtronte ndaj Shqipërisë dhe i krahason këto me presionet e Hrushovit. Por, ashtu siç i paraqet gjërat në këtë pikë, Hoxha tregohet tepër zemërngushtë e, duke i hequr nga defteri, tepër i pasaktë.

Para së gjithash, ndihma që Kina i dha Shqipërisë gjatë periudhës në fjalë ishte mjaft e madhe dhe sidomos largpamëse e bujare, në kuptimin që ajo kishte për qëllim t’i jepte mundësi Shqipërisë të ndërtonte një bazë industriale relativisht të gjerë e të ecte me këmbët e veta”, – thuhet në libër.

“Jo larg por nga mesi i vitit 1975, – thotë Halliday, – ndërsa Enver Hoxha në Shqipëri dënonte disa kuadro drejtuese duke i akuzuar se bashkëpunonin me kinezët, Kina po nënshkruante një marrëveshje për t’i dhënë Tiranës sasi të mëdha ndihmash, pa asnjë përqindje interesi. / Memorie.al

“Mbreti Zog i ka dërguar një mesazh të gjithë diplomatëve shqiptarë jashtë vendit, duke përfshirë edhe Uashingtonin, ku thotë se…” Shkrimet e panjohura të shtypit botëror, për 7 prillin ‘39

Nga Armand Plaka

7 prilli i vitit 1939, jo vetëm në historiografinë shqiptare, por edhe në atë botërore të shekullit që shkoi, duket se ka përbërë një ngjarje të cilës i është rezervuar një vend e vëmendje e konsiderueshme. E kjo më shumë se gjithçka tjetër verifikohet edhe nga raportimi dhe analizimi i saj në mediat e thuajse të gjithë botës. Sigurisht, dinamika e ngjarjeve dhe interesat e kundërta që reflektonin dy kampet rivale (fuqitë e aksit dhe ato të demokracive perëndimore), të cilët në kohën që po flasim, akoma nuk ishin ravijëzuar qartazi si armiq të betuar të njëri-tjetrit, bënin që edhe mediat respektive të përcillnin në opinionin publik kryesisht lajme e këndvështrime me kahje të kundërta, por ndonjëherë edhe shumë kontradiktore e të paqarta. Këtu, më të interesuarat direkt ishin sigurisht, mediat italiane e ato britanike, të shoqëruara respektivisht nga ato të Rajhut të Tretë e aleatëve të tyre në njërin krah e ato franceze e amerikane, në krahun tjetër.

Shqetësimi i tyre nis disa ditë para se të ndodhte realisht pushtimi i Shqipërisë nga trupat italiane, duke hedhur hije dyshimi mbi rezultatet e bisedimeve mes palës shqiptare dhe asaj italiane, në një përpjekje të fundit për të shmangur pushtimin, i cili nuk do vononte të vinte. Por le të vijmë tek Pushtimi, 7 prilli dhe ditët që pasuan e të shohim se cilat ishin veprimet luftarake, sa humbje pësuan secila palë, si dhe sa u luftua, çfarë u tha nëpër deklarata zyrtare e reagime ndërkombëtare rreth kësaj ngjarje, kur përfundoi pushtimi zyrtarisht? – Si raportohej e mendohej në Angli, SHBA, Francë, etj dhe për çfarë fliste shtypi i Boshtit Berlin-Romë.

Duke parë këto materiale që sillen për herë të parë në shqip, bindesh edhe më shumë se shumë detaje mbeten akoma edhe sot e kësaj dite për t´u zbuluar në lidhje me atë ngjarje që në historiografinë shqiptare, me një konsensus të konsiderueshëm nga të gjitha palët politike, është cilësuar si “e premtja e zezë”. Në terma të mirëfilltë historikë, 7 prilli përbën një pikë të fortë kthese për shqiptarët dhe fatet e tyre, duke pasur parasysh ato çka do të rezervonin kohët që do të vinin më pas për ta.

Por mësojmë gjithashtu edhe se cilat ishin deklaratat publike të “patriotëve” shqiptarë – të cilat i citonin sipas synimeve që kishin marrë përsipër të përmbushnin edhe mediat e huaja dhe thirrjet e tyre brenda e jashtë vendit, për të pritur me armë apo me lule – sipas rastit – trupat italiane, shoqëruar me argumentet përkatëse. Kështu, gjendet aty në shtypin francez edhe deklarata apo telegrami i famshëm dërguar Mussolinit nga Mehdi Frashëri, i cili ashtu sikurse shkruante dikur edhe Tajar Zavalani në “Histori e Shqipërisë” (shih: Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnis”, Tiranë 1998, f.305.) u lexua përgjatë gjithë ditës së 7 prillit 1939, në disa gjuhë evropiane nga folës të ndryshëm.

Është interesant të thuhet se nga gazetat franceze na vijnë edhe reagimet që vinin nga qarqet e emigrantëve shqiptarë atje, ku në një moment përmendet edhe Qazim Koculi, një kundërshtar i njohur i Zogut dhe përkrahës i Nolit, i cili fillimisht e kishte kundërshtuar pushtimin italian e më pas ishte bërë njëri ndër themeluesit e Partisë Fashiste Shqiptare dhe idhtar i Italisë. Deklaratat e Koculit hasen në gazetën “L ´Humanite”, organ i Partisë Komuniste Franceze, asokohe një platformë mediatike tejet e lakuar, e cila me këtë rast shfaqet shumë agresive ndaj pushtimit italian dhe solidare me çështjen shqiptare, duke raportuar intensivisht nga terreni dhe duke analizuar e komentuar gjerësisht pasojat e këtyre zhvillimeve.

Po kështu, në krahun tjetër mësojmë edhe për thirrjen që bënte nga Bari një ish-prefekt shqiptar me mbiemrin Kodheli, cituar edhe nga shtypi gjermanik, i cili i bënte thirrje popullit shqiptar ta presë Italinë si mike, duke vënë në dukje abuzimet – sipas tij – që kishte bërë Mbreti Zog e enturazhi i tij me paratë publike e ndihmat italiane. Një aspekt interesant është edhe sjellja e fqinjëve tanë veriorë, jugosllavëve, të cilët duket se për momentin i gëzoheshin faktit se nga gjithçka që kishte ndodhur, interesat e tyre mbeteshin të pacenuara, duke u shpërblyer nga Duçja për “mirëkuptimin” e treguar.

Gjithashtu mësojmë se në përkrahje të popullit shqiptar ishin zhvilluar demonstrata edhe në Marok, Liban e Siri, nga turma të irrituara myslimanësh të cilët, të kapluar nga ndjenja solidariteti religjioz, që nga ai moment e shpallnin Italinë si “Armiku Nr. 1 i Islamit”. Një përzgjedhje materialesh interesante që vijnë për herë të parë në këtë numër, nga arkiva e gazetave të asaj kohe, nga Londra deri në Zelandën e re, nga SHBA deri në Francë dhe nga Italia deri në Austri e Gjermani, e madje edhe nga Luksemburgu, Spanja, Holanda e Argjentina, na i ilustrojnë më së miri disa nga këto pretendime.

Lordi Halifaks: Britania nuk e di akoma se çfarë duhet të thotë!

Rrallë ka ndodhur që një ngjarje politike në Angli të shkaktojë në një ditë pushimi kaq aktivitet diplomatik siç ka shkaktuar veprimi i papritur ushtarak i Italisë në Shqipëri. Ministri i jashtëm, Lordi Halifaks, i cili deri në orët e vona të së enjtes ishte duke biseduar me ministrin e jashtëm polak, ishte qysh në orët e para të mëngjesit në Foreign Office. Ai zhvilloi bisedime me përfaqësuesit e jo më pak se tetë shteteve të ndryshme të botës. Qeverisë britanike deri më tani nuk i është bërë akoma e mundur të ketë një panoramë të qartë mbi atë se çfarë ka ndodhur këto 24 orët e fundit.

Për këtë arsye, një deklaratë zyrtare akoma nuk është përpiluar për publikun. Në një citim gjysmëzyrtar thuhet se problemet teknike kanë vështirësuar lidhjen mes Ministrisë së Jashtme britanike dhe konsullatës së saj në Tiranë, për t´i mundësuar kësisoj qeverisë britanike të ketë një pikturë të qartë mbi situatën. Sqarohet përveç të tjerave se pritet përkohësisht dhe një deklaratë e qeverisë italiane për të bërë të qarta synimet e saj në lidhje me Shqipërinë në vazhdim, para se Britania të ndërmarrë një qëndrim zyrtar. Shtypi londinez i sotshëm është shumë më pak i tërhequr se sa qeveria.

Ajo paralajmëron se dinamika e zhvillimeve politike ka sjellë kërcënim në rritje qysh nga marsi i vitit 1937, porse ishte bërë i pamundur degjenerimi i mëtejshëm i situatës falë marrëveshjes anglo-italiane. Tashmë Anglia – thuhet atje – është vënë para faktit të kryer, akt i cili nën këto rrethana ka mbetur pa përgjigje. Ndërkohë “Times” shkruante në një formë të qartë se tashmë ka ardhur koha që edhe Jugosllavia, Greqia dhe Turqia të përfshiheshin në koalicionin evropian, që duhej thirrur nga qeveria britanike. …Lëvizja e trupave italiane drejt Shqipërisë, i ka gjetur qarqet qeveritare londineze komplet të papërgatitura.

(Marrë nga “Wiener Neuste Zeitung”, 8 prill 1939, fq. 2)

Shtypi amerikan: Pushtimi i Shqipërisë, akt që meriton vëmendjen e duhur

Uashtington, 8 prill 1939

– Presidenti Roosevelt dhe Sekretari i Shtetit, Cordell Hull, denoncuan sot invazionin Italian mbi Shqipërinë duke e cilësuar si një kërcënim ndaj paqes botërore. Denoncimi publik u bë gjatë një deklarate zyrtare nga Sekretari Hull në një konferencë speciale shtypi pas bisedës që ai kishte bërë me Presidentin në “Warm Springs”, në shtetin e Xhorxhias. Ai tha se ai dhe Presidenti kishin rënë dakord mbi termat e deklaratës. Më poshtë deklarata e Sekretarit Hull: “Pushtimi i dhunshëm dhe me detyrim i Shqipërisë është pa asnjë justifikim një kërcënim tjetër që i bëhet paqes botërore.

Do të ishte dritëshkurtësi, nëse nuk do t´i jepej vëmendje këtij akti e zhvillimeve të tij në vazhdim. Çdo kërcënim ndaj paqes botërore shqetëson seriozisht të gjitha kombet dhe dhunon dëshirën e të gjithë njerëzve në botë që qeveritë e tyre duhet t´i udhëheqin ata jo drejt luftës, por drejt rrugës së paqes. Është jashtëzakonisht e domosdoshme të shtojmë se efekti i paevitueshëm i këtij incidenti, bashkëngjitur akteve të tjera të ngjashme, është për më tepër shkatërrimi i besimit dhe minimit të stabilitetit ekonomik në çdo vend të botës, duke prekur kësisoj edhe mbarëvajtjen tonë në mënyrë direkte”.

(Marrë nga: The Whittier News, USA, 8 prill 1939, fq. 1)

Mehdi Frashëri, Telegram drejtuar Mussolinit nga ish-Kryeminstri i Shqipërisë

Dërguar nga Tirana, më 7 prill 1939- Z. Mehdi Frashëri, ish-President i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë i ka drejtuar një telegram direkt Benito Musolinit. “Nga hiri i shpirtit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, ne bëjmë thirrje për një sakrificë supreme. Ne do të preferonim më mirë vdekjen se sa çnderimin. Ne e dimë se ju posedoni një artileri të fuqishme; keni mitraloza, gaz asfiksues, aeroplanë dhe gjithçka tjetër shkatërruese që sjell me vete një luftë. Ne kemi vetëm shpirtin e kurajës dhe të sakrificës për të rënë si martirë.

Kanë kaluar pesë shekuj të mbushur me lumenj gjaku, duke ia nisur me barbarët aziatikë. E tashmë, në shekullin e njëzetë, ju në emër të popullit italian merrni përsipër të kryeni barbarizma nën etiketën e oksidentit? Unë do të dëshiroja t´ju kujtoja se kjo do të sjellë dëme të pariparueshme. Pranojeni pavarësinë e Shqipërisë ashtu siç është z. Mussolini, pasi ky paralajmërim është dëshira intime e popullit shqiptar. Përndryshe, armata fashiste do të kalojë jo vetëm mbi kufomat e burrave të këtij vendi, por edhe te grave të tij”.

(Marrë nga gazeta franceze, “Le Temps”, fq. 1, 9 prill 1939)

Arabët pas pushtimit: Italia, armiku ynë Nr. 1

14 prill, Cazablanka, Marok – Turma vendasish kanë demonstruar kundër Italisë dhe Gjermanisë për pushtimin e Shqipërisë, duke deklaruar se Italia ishte “armiku publik Nr. 1 i Islamit”. Demonstrata kundër pushtimit të Shqipërisë janë regjistruar edhe në qytetet kryesore të Sirisë e të Libanit, ku numri i tyre kap shifrën e tre mijë protestuesve.

(Marrë nga: The independent, UK, 15. prill 1939)

Kodheli nga Radio Bari: Zogu hajdut! Italianët kanë mision paqen!

Në një thirrje që një ish-prefekt shqiptar, Kodheli i ka bërë të premten nëpërmjet Radio Barit bashkë-atdhetarëve të vet, thuhej ndër të tjera se: ngjarjet aktuale janë rrjedhojë e një politike shkatërrimtare dhe të padrejtë të Mbretit Zog. Prej kohësh populli shqiptar shpresonte – për arsye të mbështetjes morale dhe materiale të Italisë – e cila ka investuar shuma të mëdha në Shqipëri – që të vinin ditë më të mira. Por këto para në vend që të shërbenin për zhvillimin e vendit, shkuan për të mbushur vetëm xhepat e disa pak vetëve, me në krye Zogun. Jeta e tij ishte një jetë luksi dhe po kështu edhe ajo e të gjithë princave e princeshave të të gjithë oborrit.

Arka e shtetit dhe ajo private e Zogut u bënë njësh. Shpenzimet e tij nuk njihnin më as kufij e as masë. Mjafton të kujtojmë milionat që janë hedhur lumë për diamantët dhe gurët e çmuar të princeshave për udhëtimet e tyre jashtë vendit, ndërsa populli vuante urie. Edhe paratë e dhuruara nga të huajt për ndihma për të varfrit, përfundonin në xhepat e Mbretit. Shqiptarë! – kështu përfundonte apeli në fjalë – Ju do ta shihni se Mussolini si një mik i vërtetë i popullit shqiptar, do të krijojë një Shqipëri të bashkuar, të pavarur dhe që do të jetë ndër shekuj e fortë. Trupat italiane që kanë zbarkuar në Shqipëri kanë mision: të sjellin rregullin, paqen dhe drejtësinë, të cilat regjimi i Zogut i shkatërroi.

(Marrë nga “Wiener Neuste Zeitung”, 8 prill 1939, fq.1)

Korrespondentët britanikë: Sa u vranë më 7 prill?

Një korrespondent i “The Times” nga Londra, ricituar më pas nga thuajse shumica e gazetave të Komunuellthit Britanik, nga Kanadaja në Australi, shkruante fillimisht më 8 prill 1939, duke iu referuar zhvillimeve të fundit mbushur me konfuzion informativ, se Mbreti Zog, i veshur në kostum kombëtar po drejtonte ushtrinë e tij drejt betejës dhe se i gjithë vendi i ishte përgjigjur me entuziazëm thirrjes për armë. Burra e gra kanë marrë malet duke sulmuar italianët që po futen më thellë duke iu afruar Tiranës. Luftëtarët vendas të famshëm historikisht e të njohur si “bijtë e shqipeve” i kanë lëshuar terren pushtuesve, ndërsa kanë krijuar humbje të konsiderueshme për ta.

Qeveria shqiptare ka raportuar të premten se trupat e saj, të ndihmuar nga vullnetarët, i kanë detyruar katër herë trupat italiane të zmbrapsen në Durrës. Disa mesazhe të marra nga Tirana thonë se forcat e para italiane që kishin zbarkuar në Vlorë dhe në Sarandë janë detyruar gjithashtu të tërhiqen, porse disa pohime të mëvonshme thonë se rezistenca shqiptare është tejkaluar tashmë dhe se falangat fashiste po marshojnë drejt thellësisë së territorit. Burimet italiane theksojnë se humbjet në radhët e shqiptarëve nga e premtja natën kapin shifrën e 140 vetëve dhe qindra të plagosurve dhe se ato të italianëve janë 25 të vrarë e 60 të plagosur.

Ndërsa korrespondenti i “British United Press” nga Shkodra, citohej të thoshte se gjatë tentativës së tyre të parë të zbarkimit në Durrës, trupat italiane kishin lënë pas 30 të vrarë dhe se ata që kishin mbetur ia kishin kthyer barkave. Gjithashtu ai përshkruan se si në Tiranë forcat e armatosura shqiptare kishin qëlluar me batare të forta nga kodrat rreth qytetit, ndërsa italianët u ishin përgjigjur me granadime e bomba, të ndihmuar edhe nga aeroplanë të lehtë e mitraloza.

Washington Times: Populli i bashkuar rreth Mbretit!

Gazeta amerikane “The Washingtion Times”, e datë 9 prill shkruante se: Mbreti Zog i ka dërguar një mesazh të gjithë diplomatëve shqiptarë jashtë vendit, duke përfshirë edhe Uashingtonin, ku thotë se populli shqiptar do të mbrojë Shqipërinë me të gjitha forcat. Ai i bëri thirrje popullit të mbajë lart dashurinë për atdheun dhe e mbyllte thirrjen e tij me fjalët: Rroftë Shqipëria”. Kryeministri K. Kotta, gjithashtu me anë të një transmetimi radiofonik për popullin në mbrëmjen e së premtes, në të cilën ai e përshkroi invazionin Italian si “barbar”. Ai kërkoi pushimin e armiqësive dhe tha se “populli është i bashkuar rreth Mbretit Zog në këtë moment të vështirë”.

Ambasadori shqiptar në Romë braktis detyrën

Me kërkesë të autoriteteve, në mënyrë që të shmangnin demonstratat, anëtarët e Legatës Shqiptare në Romë, e hoqën flamurin nga ndërtesa e konsullatës. Vendndodhja e ambasadorit Serreqi dhe ndihmësve të tij, për momentin është e panjohur. Legata mësohet se është rrethuar e ruhet me trupa policore. Një komunikatë e mëvonshme, bënte me dije se z. Serreqi, ka dhënë dorëheqjen qysh të mërkurën nga posti që mbante me argumentimin se ishte e pamundur të vijonte punën e vet, duke i shërbyer një regjimi, i cili po i shërbente hapur dhunimit të Paktit Italo-Shqiptar dhe se kishte vendosur kësisoj të luftonte për interesat e popullit të tij.

(Marrë nga: The Examiner, Australi, 10 Prill, 1939, fq.7)

L´Humanite, 9 prill ´39: Solidaritet me popullin shqiptar

Takimi i liderëve komunistë të rajonit të Grenoble, në Francë, ku i shprehet simpatia popullit shqiptar për luftën e tij kundër pushtimit italian bëhet objekt i organit zyrtar të PKF. Aty përmendet kreu i komunitetit shqiptar atje, Qazim Koculi, i cili njihej gjerësisht si kundërshtar i Zogut që nga koha e Nolit, e që mban edhe një fjalim të zjarrtë duke siguruar se të gjithë emigrantët shqiptarë atje, punëtorë, studentë etj, janë të bashkuar për t´i ardhur në ndihmë atdheut të tyre.

Ndër të tjera ai thotë në deklaratën e tij se populli shqiptar lufton për pavarësinë e vendit të vet dhe sigurinë në Ballkan, duke kërkuar në vijim edhe ndihmën e Francës. Më poshtë artikulli i “L´Humanite” rrëfen se është zhvilluar një miting spontan, me emigrantë shqiptarë e italianë para konsullatës italiane atje, si shprehje e solidaritetit të njerëzve të lirë kundër fashizmit gjakatar. Komuniteti italian i Grenoble, thuhet aty, është plotësisht i solidarizuar në ndjenjat e tij kundër agresionit.

Beogradi: Për ne çdo gjë ok, përderisa nuk cënohen interesat tona

Gazetat jugosllave, ndërkohë duket se u kishin kushtuar faqe të tëra ngjarjeve në Shqipëri. Në dukje ata po përpiqeshin të qetësonin çdo lloj frike të opinionit publik për objektiva të ardhshëm më të avancuara të planeve italiane, siç na dëshmon edhe ky paragraf: Beograd, 8 prill 1939 – I Dërguari me Punë e Italisë në Beograd, Indelli, në emër të Duçes i ka përcjellë një falenderim të veçantë qeverisë së Jugosllavisë për qëndrimin e saj miqësor në çështjen shqiptare. Në të njëjtën kohë merret vesh në rrethet e ngushta politike të Beogradit se Duçja i ka dërguar edhe një telegram të veçantë kreut të qeverisë jugosllave, për përmbajtjen e të cilit akoma nuk bëhet i ditur ndonjë detaj.

Gjithashtu mësohet për gazetën gjysmëzyrtare “Giornale D´Italia” se ambasadori jugosllav në Romë ka deklaruar se lajmet sipas të cilave qeveria jugosllave ka ndërmarrë masa të veçanta sigurie pas ngjarjeve në Shqipëri, janë të pavërteta dhe se qeveria jugosllave, ashtu sikurse dhe më parë do të vijojë të ketë marrëdhënie shumë të mira. Aty theksohen moscënimi i interesave jugosllave nga qeveria italiane dhe gjithashtu respektimi i paktit italo-jugosllav.

(Marrë nga: Volksdeutsche Zeitung, 9 prill 1939, fq.1.)

La Stampa: Shqipëria u pushtua me 16 prill

Kur u konsiderua i përfunduar Pushtimi? Duke cituar së pari titullin e një artikulli relativisht të gjatë në të përditshmen italiane “La Stampa”, shkruar nga Giovani Artieri (shih: L´Oçupazione dell´Albania sara compeltata oggi”, La Stampa, 16 prill 1939, fq.5) kupton menjëherë se pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste u bë fakt i kryer dhe i plotë në terma të mirëfilltë ushtarakë, më datë 16 prill 1939. Në fillim të artikullit shkruhej: “Me marshimin drejt Burrelit, që nesër do të prekë repartet e bersalierëve dhe të granadierëve të shoqëruar nga një mori mjetesh të motorizuara të mbështetur nga shërbimi aviator, pushtimi i të gjitha qendrave shqiptare me këtë hap konsiderohet i përfunduar”. / Memorie.al

Bashkim Trenova: “Ndërsa për Bogdanoviçin, shqiptarët ishin vegla në duart e turqve, për Samarxhiçin, ishin vegla të Selisë së Shenjtë…” Kur ideologjia serbe, krijonte imazhin e shqiptarit armik…!

 

Pjesa e katërt

                                                  SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE 

                                (KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)                                                                                                                                                                                                                       Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

                                               Vijim                              

            –NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT, DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË –

Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:

                     Nga Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë

Gjenocidi fizik, politik, juridik, kulturor i popullit serb në Kosovë dhe Metohi, është disfata më e rëndë që ka pësuar Serbia në luftërat e saj çlirimtare, që nga beteja e Orasakut në 1804 deri në kryengritjen e vitit 1941.

Serbët në Kosovë dhe Metohi nuk kanë vetëm një të kaluar të mishëruar në lëvizje të rëndësishme kulturore dhe historike por, ata kanë gjithashtu edhe vlera shpirtërore, kulturore, morale. Ata kanë një tokë amtare, që ka një ekzistencë historike. Veprimet e dhunshme, të cilat ndër shekuj kanë zvogëluar popullsinë serbe të Kosovës dhe Metohisë, në kohën tonë çojnë në një përfundim të padëshirueshëm.

Eksodi i serbëve nga Kosova dhe Metohia, në Jugosllavinë socialiste, për nga përmasat dhe karakteri i tij, i tejkalon të gjitha fazat e mëparshme të këtij depërtimi të madh të popullit serb. Jovan Cvijiç, në kohë, kishte vlerësuar se gjatë migrimeve, që nga shpërngulja e madhe nën udhëheqjen e Arsene Cernojeviçit në vitin 1690, deri në vitet e para të këtij shekulli, afro 500,000 serbë, duke përfshirë rreth 150,000 midis 1876 dhe 1912, u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre nën presionin e ushtruar nga terrori brutal i shqiptarit të fuqishëm bashibozuk vendas.

Gjatë luftës së fundit afro 60.000 kolonë dhe autoktonë serbë u dëbuan, por më pas kjo valë emigracioni përjetoi një baticë të vërtetë: gjatë njëzet viteve të fundit, afro 200.000 serbë u larguan nga Kosova dhe Metohia. Ajo pjesë që ka mbetur nga populli serb, po largohet nga toka me një ritëm të qëndrueshëm dhe, me sa dimë, të shtyrë nga dhuna dhe terrori psikologjik, moral dhe fizik,  po përgatitet për një eksod përfundimtar.

Në më pak se dhjetë vjet, nëse nuk ndodh një ndryshim thelbësor, në Kosovë nuk do të ketë më serbë, por do të ketë një Kosovë etnikisht të pastër. Qëllimi i qartë i racistëve të mëdhenj shqiptarë, tashmë i theksuar në programet dhe veprimet e Lidhjes së Prizrenit nga viti 1878 deri më 1881, do të arrihet plotësisht.

Fati i Kosovës mbetet një çështje jetike për mbarë popullin serb…! Kosova nuk është i vetmi rajon ku populli serb vuan nga diskriminimi…!

Procesi është i orientuar drejt shkatërrimit të plotë të unitetit kombëtar të popullit serb…!

…Nacionalizmi agresiv shqiptar në Kosovë nuk mund të shtypet nëse Serbia nuk pushon së qeni e vetmja republikë, marrëdhëniet e brendshme të së cilës rregullohen nga të tjerët…!

                                                                 **** 

                           Olivera Milosavljeviç

(Historiane, profesore e historisë sociale në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit)

Si ideologjia kombëtare serbe ka  ndërtuar imazhin e shqiptarit armik:

-Shqiptarët sot konsiderohen, pa diskutim, si “armiqtë” më të mëdhenj të serbëve!-

Edhe pse kjo mund t’i atribuohet ngjarjeve politike dhe paraqitjes së papëlqyeshme të shqiptarëve në mediat serbe, megjithatë është e nevojshme të thellohemi në arsyet e përbuzjes, me të cilën ata janë trajtuar nga shkrimtarët dhe politikanët serbë. Intelektualët serbë sot shkruajnë për shqiptarët kryesisht në kuadrin e një stereotipi për urrejtjen e tyre të rrënjosur – dhe dëshirën për të shkatërruar – serbët, që thuhet se buron nga vetë natyra e tyre, e karakterizuar nga primitivizmi dhe banditizmi.

Nga ana tyre, autorë më të hershëm kanë kërkuar të provojnë edhe paaftësinë e supozuar të shqiptarëve për ndërtimin e një shteti autonom, kjo për vetë natyrën e tyre. Sipas tyre, “fiset” shqiptare nuk kishin nevojë për shtet dhe nuk ishin të afta të bëheshin komb. Prandaj, këta autorë e shihnin zgjidhjen, në përputhje me programin politik të:

1-Memorandum i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve/Beograd, shtator 1986. DIJALOG, Nr. 2/3(Sup), shtator 1992. (Shih edhe Memorandum i Akademisë së Shkencave të Serbisë (1986). Spastrimi etnik, Dokumente historike mbi një ideologji serbe, Paris 1993, Fayard).

Serbisë, në një kolonizim dashamirës i cili, duke i përfshirë shqiptarët dhe trojet e tyre në shtetin serb, do t’i përgatiste ata për një ekzistencë të qytetëruar. Shkrimet bashkëkohore për shqiptarët përfshijnë përgjithësisht stereotipe të tilla, të përsëritura vazhdimisht gjatë njëqind viteve të fundit: se ata nuk janë një komb dhe se mungesa e qytetërimit i pengon ata të krijojnë një shtet të pavarur. Nga këtu rrjedh pretendimi se Skënderbeu ishte serb.

Shqiptarët i urrejnë serbët

Në vitet 1980, emri shqiptar u lidh vetëm me fjalë të tilla si gjenocid, terror, banditizëm, përdhunim – çdo përmendje e kësaj popullsie në marrëdhëniet politike dhe private, kishte një ngarkesë negative. Pas librit të Dimitrije Bogdanoviçit, ‘Knjiga o Kosovu’ (Libër për Kosovën), botuar në vitin 1985, nga Akademia Serbe e Arteve dhe Shkencave (SANU), dhe daljeve të tij të shpeshta televizive, intelektualët serbë, shkruanin për shqiptarët vetëm për të thënë, në një formë apo tjetër, se serbët e Kosovës, ishin viktima të një gjenocidi të planifikuar.

Bogdanoviçi mbeti kështu shpejt prapa në këtë shfaqje të ndjenjave negative ndaj shqiptarëve. Në librin e tij, Bogdanoviçi kishte ringjallur tezën e vjetër, sipas së cilës, kolonizimi shqiptar i trojeve serbe në shekullin e 17-të, kishte lënë në kujtesë dhunën e përgjakshme të vuajtur nga serbët, të cilën ai e shtjelloi përmes shembujve të akteve të terrorit kolektiv dhe individual: plaçkitjet, masakrat dhe dëbimi i serbëve nga toka e tyre, si dhe me pohimin se baza e kolonizimit shqiptar, do të ishte konvertimi i serbëve në islam, i shoqëruar me asimilim etnik dhe me forcë brutale.

Sipas tij, populli serb në këtë mënyrë u bë viktimë jo vetëm e një lëvizjeje kaotike, por e një shkatërrimi fizik të planifikuar paraprakisht. Zgjerimi i këtij imazhi negativ të popullit shqiptar në tërësi u arrit duke e portretizuar lëvizjen politike shqiptare si agresive, pushtuese, hakmarrëse, konservatore dhe nacionaliste, me synim shkatërrimin e popullit serb përmes vrasjeve, dëbimit dhe fshirjes së historisë dhe rrëmbimit të trojeve serbe, duke synuar rrethimin dhe shkatërrimin e vetë serbëve. Sipas Bogdanoviçit, teza e origjinës ilire të shqiptarëve, ishte raciste, pasi përdorej për të realizuar një pretendim tokësor. Dhe, ndërsa shkruan për vendosjen e serbëve në Ballkan, në një kohë që ai e cilëson si parahistori shqiptare, ai përmend paraardhësit e shqiptarëve pa thënë se kush ishin ata.

Sipas historianit dhe anëtarit të SANU-së, Radovan Samarxhiç, shqiptarët ishin ekspansionistë tashmë që në shekullin e 16-të: ata u lëshuan nga turqit kundër serbëve për të futur një pykë shkatërruese në tokat e dikurshme serbe. Serbët u zmbrapsën si pasojë e vrasjeve dhe plaçkitjeve, djegies së fshatrave, rrëmbimit të tokave të tyre dhe islamizimit të detyruar.

Gjithashtu për sociologun Marko Mlladenoviç, i cili në atë kohë shfaqej shpesh në media, gjenocidi dhe aparteidi i praktikuar ndaj serbëve të Kosovës janë të kuptueshëm dhe historia e origjinës ilire të shqiptarëve është një mjegull arkeologjike e ndërtuar për të pretenduar tokat e supozuara, të paraardhësve parahistorikë të shqiptarëve të sotëm.

Ai këmbëngul se nuk kishte shqiptarë në Kosovë para shekullit të 17-të dhe se ata nuk ishin shumicë atje para Luftës së Dytë Botërore. Persekutorët e serbëve në Kosovë, varionin nga “bashibozukët”, deri te “ballistët”, të lidhur përkatësisht me islamin dhe nacionalizmin ekstrem. Ky rreth intelektualësh serbë, nuk e vuri kurrë në diskutim se shqiptarët, i përdornin fëmijët edhe për qëllime politike. Bogdanoviçi shkruante se, fëmijët shqiptarë nxiteshin të sulmonin fëmijët serbë, ndërsa për Mlladenoviçin, ata përdoreshin për të vendosur një mbizotërim numerik shqiptar.

Një peshkop i Kishës Ortodokse Serbe (KPS), Atanasije Jevtiq, këmbëngul se, qëllimi i shqiptarëve të Kosovës ka qenë gjithmonë: më shumë tokë, më shumë fëmijë dhe më shumë armë. Ai thekson në mënyrë të veçantë se; fëmijët shqiptarë jo vetëm që janë manipuluar, por ndiejnë një urrejtje të thellë ndaj gjithçkaje serbe dhe të krishterë në Kosovë. Për këtë ai fajëson prindërit dhe mësuesit e tyre, si dhe klanin primitiv dhe shpirtin mysliman.

Ndërsa për Bogdanoviçin, shqiptarët ishin vegla në duart e turqve, për Samarxhiçin, ishin vegla të institucioneve të Selisë së Shenjtë, e cila mbështetej tek ata si njerëz me besim dhe nder të ulët, të cilët mund të konvertoheshin në katolicizëm pa shumë mundim. Në portretin e karakterit kombëtar të shqiptarëve, Samarxhiç flet për natyrën e tyre barbare, fuqitë e tyre fantastike riprodhuese, çnjerëzimin e tyre të urryer dhe orgjitë e tyre të përgjakshme.

Gjatë viteve 1990, një tekst model, i shkruar nga Miodrag Joviçi, u shfaq në koleksionin e teksteve SANU: Serbët dhe shqiptarët në shekullin e 20-të. Shqiptarët këtu shfaqen si “Arnauti”, pra banditë plaçkitës, të gatshëm gjenetikisht për dhunë. Edhe për Joviçiçin është islamizimi i tyre, ai që shpjegon pse turqit u dhanë shqiptarëve kartë blanshë për të terrorizuar popullsinë serbe përmes përdorimit të dhunës, plaçkitjes dhe banditizmit.

Duke përvetësuar tezën se tradita dhe përvoja e grumbulluar përcaktojnë një predispozitë biologjike në një komb, ai argumenton se dhuna është pjesë e përbërjes gjenetike të të gjitha shtresave të popullsisë shqiptare, së bashku me urrejtjen ndaj serbëve, dhe se e meta e vetme e tyre është se ata janë gjallë.

Një qasje ndaj ngjarjeve historike, si shlyerje e borxhit, del më drejtpërdrejt në plan të parë këtu. Edhe pse Joviçiç pranon se në Mbretërinë e Jugosllavisë shqiptarët nuk ishin kafshë, që i bënin shoqëri regjimit, ai megjithatë arrin në përfundimin se ata në asnjë mënyrë nuk e kishin paguar borxhin për atë që i kishin bërë popullit serb gjatë sundimit turk. Në të njëjtin stil të historisë së merituar dhe të pamerituar, ai vëren se, duke pasur parasysh përvojën e kaluar, pakica shqiptare thjesht nuk e meritonte të kishte autonomi brenda Serbisë.

Përkundrazi, argumenton Joviçiç, shumë besojnë se në vitin 1945 shqiptarët duhej të ishin vendosur në një karantinë të veçantë dhe t’u jepej autonomia vetëm pasi të kishin dhënë prova të mjaftueshme për aftësinë e tyre për të bashkëjetuar si njerëz të qytetëruar. Shkurt, edhe për Joviçiçin, shqiptarët janë armiq gjenetikë të serbëve dhe të Serbisë.

Sipas këtij autori, shqiptarët ndiejnë një urrejtje të lindur ndaj serbëve dhe Serbisë dhe sjellja e tyre gjenocidale, ka qenë e pranishme ndër shekuj. Zgjidhjen e këtij problemi ai e sheh duke ndryshuar përbërjen etnike të krahinës së Kosovës – duke i kthyer të gjithë serbët që janë larguar, duke krijuar koloni të reja serbe dhe duke ngrirë, për një kohë, autonominë aktuale.

Për inferioritetin historik shqiptar kanë shkruar edhe autorë bashkëkohorë, për gjenocidin e hapur të kryer kundër serbëve në shekullin e 19-të përmes plaçkitjeve, vrasjeve, përdhunimeve dhe rrëmbimeve të grave, që më pas u detyruan të konvertoheshin në islam; për intolerancën etnike dhe fetare ndaj serbëve, e cila ishte baza e të gjitha lëvizjeve politike të “arbanasve”; për furinë e tyre agresive dhe shkatërruese të drejtuar kundër çdo gjëje serbe; për sjelljen e tyre si agresorë dhe pushtues.

Duke i’u referuar marrëdhënieve shekullore mes shqiptarëve dhe serbëve, mbështetet teza se një shpërthim barbar dhe agresiv i nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, ndodh sa herë që prishet ekuilibri demografik, se kjo rrjedh nga natyra e shoqërisë  klanore primitive të shqiptarëve dhe se në persekutimin e serbëve shqiptarët ishin më radikalë dhe më mizorë se të gjithë fqinjët e tjerë të serbëve, duke përdorur mjetet më brutale, sipas traditës së tyre islamo-turke dhe fashisto-balliste. (Dobrica Qosiç, 1992).

Këto stereotipe negative për shqiptarët u shtjelluan qysh në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, në librat e autorëve serbë të bazuar në disa studime jo fort serioze. Më e përhapura ishte ajo për urrejtjen e shqiptarëve ndaj serbëve. Arkimandriti Haxhi Serafim Ristiç, ishte ndër të parët, që foli për shqiptarët si armiqtë më të këqij të krishterimit dhe shtypësit më të këqij të popullit.

Radosavljeviç-Bdin, i frymëzuar nga ndjenjat atdhetare, duke numëruar armët që armiqtë (d.m.th. fqinjët) e serbëve kishin përdorur në punën e tyre të përbashkët të shkatërrimit të serbëve, përcaktoi si armë të shqiptarëve; varrezën, barutin për top dhe plumbin. Haxhi-Vasiljeviçi i konsideronte shqiptarët si: “armiqtë më të mëdhenj të serbëve” (1906), “armiqtë e tyre të betuar” (1909); ai ka pohuar se serbët i konsideronin shqiptarët si armiqtë e tyre më të këqij…!

Skënderbeu ishte serb!

Stereotipi i shqiptarëve si serbë të “arbanizuar”, edhe pse në dukje është në kundërshtim me sa më sipër, në fakt është në harmoni të përsosur me të, duke pasur parasysh fenomenin e asimilimit të trajtuar nga kjo pjesë e inteligjencës serbe. Si fillim, shkrimtarët bashkëkohorë manipulojnë me numrin e serbëve të “arbanizuar”. Sipas Samarxhiçit, në fund të shekullit të 19-të, 30 deri në 40% e popullsisë shqiptare të Kosovës, ishte me origjinë sllave, rezultat i arritur, sipas tij, nga një pogrom i vërtetë.

Ndërkohë për Mlladenoviçin, dy të tretat e shqiptarëve etnikë janë me prejardhje serbe. Veselin Gjuretiç, nga ana e tij, këmbëngul se shifra e vërtetë është 80%. Autorët e mëparshëm nuk u morën me numra, por gjetën mënyra të tjera, kryesisht pamore, për të nxjerrë përfundimin e origjinës serbe të shqiptarëve të Kosovës: mungesën e pretenduar të disa karakteristikave fizike të pranishme, për shembull, tek bullgarët.

Teza se Skënderbeu ishte serb, buronte si nga stereotipi i origjinës serbe të shqiptarëve, ashtu edhe nga pamundësia e tyre për të krijuar shtet. Objektivi kryesor i saj ishte të shpjegonte këtë përjashtim historik nga rregulli me ekzistencën fisnore dhe të çorganizuar të shqiptarëve dhe mungesën e dëshirës së tyre për të patur një shtet.

Ashtu si shkrimtarët bashkëkohorë serbë duan të theksojnë se nëna e Skënderbeut ishte nga familja Balshiç (Balshaj – shën. i autorit), gjë që sikurse argumentojnë ata, e bën atë serb, edhe shkrimtarët e mëparshëm janë ndier të detyruar të këmbëngulin në këtë argument.

Për këta autorë, Skënderbeu ishte serb, njëlloj si bashkëluftëtarët e tij; ai ishte dinasti i fundit serb, i cili mbretëroi mbi tokat e banuara nga serbët. Vladan Gjorgjeviq, duke këmbëngulur se; Skënderbeu ishte serb, shkroi me një ton apologjie:

“Në fakt është mjaft e turpshme që na duhet ta pretendojmë këtë hero të vetëm që shqiptarët arritën ta fitojnë për kaq mijëra vjet, sepse në luftërat tona gjashtë shekullore nga Kosova deri në Kumanovë, kemi fituar aq heronj saqë mund të kishim bërë edhe pa këtë, por nuk duhet të lejojmë që historia të falsifikohet për hir të shqiptarëve”. Kështu vazhduan edhe autorë të tjerë, duke përsëritur njëzëri se shqiptarët nuk duhet ta pretendojnë Skënderbeun si të tyrin, pasi ai nuk ishte një shqiptar gjak plotë por të paktën gjysmë serb. Memorie.al

“HISTORI TË PASHKRUARA”- E TA PËRKUJTOJMË PATRIOTIN E SHQUAR : PATËR ANTON HARAPIN- Nga MËRGIM KORҪA

 

 

                Ishin çaste nga më të vështirat ato që po kalonte Shqipëria. Nga njera anë,vendi ishte i pushtuar nga forcat gjermane. Nga ana tjetër, lufta vëllavrasëse po merrte përpjesëtime tashmë të pakontrollueshme. Dhe nuk mjaftonte me kaq por propaganda aq joshëse e partisë komuniste që propagandonte “parrajs  tokësore”, i kishte ç’orientuar mëndjet shqiptare, kë më shumë e kë më pa. Nw këto kushte i propozohet Patër Anton Harapit të bëhej anëtar i Këshillit të Regjencës. Dhe ai, për hir të vëndit, pranon por pranon me një kusht: ti miratohej emërimi nga Vatikani. Mbas miratimit ai e merr postin dhe mban një fjalim programatik me rastin e betimi të tij përpara parlamentit me 13 janar t1944-ës. Ndërkohë fundi i luftës së dytë botërore bëri që, ajo llavë e kuqe që përfshiu Europën lindore, të rridhte drejtë jugut duke djegur ç’gjente përpara, deri sa u nguros në brigjet e Adriatikut si edhe në kufirin tonë jugor me Greqinë. Mjerata që ishin intelektualë e mjer edhe ata që nuk ishin internacionalistë. E për  Patër Antonin shto këtu edhe mjer ai se ishte edhe klerik.

Historia dihet.  Patër Antoni u pushkatua nga diktatura komuniste si tradhëtar i atdheut. Si të tillë diktatura e futi figurën e tij edhe në tekstet e historisë. Pa i dalë zot Patër Antonit si avokatë, le t’ia lemë Atij vetë të mbrohet  me betimin e tij dhe lexuesi të jetë juría që t’a gjykojë. Në vazhdim fjalimi i Patër Antonit ditën që e emëruan Regjent.

Fjalimi i Shkëlqesisë Patër Anton Harapi O.F.M.

Tash sa kohë publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje. Megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe må keq, due ti a çoj në vend dishirin: due t’a thom fjalën t’ême. Por, vall, shka të thom, kurse me fjalë jemi ngi? A kemi kund ndonji punë të mbarë, pse sa për fjalë të bukura nuk jemi ngusht aspak

1- Ja, pra, se nji punë e parë u bâ: mbas sa muejësh anarkije, sa të frikëshme aq edhe të rrezikëshme, sot – mirë a keq- kemi nji Këshillë të Naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeveri, kemi nji auktoritet shqiptar. Këtë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miq e dashamirë të mij mrrijtën me thanë: Shka i u desht Pater Antonit me i a hy kësaj pune     Kerne due tu pergjegjem, jo si zyrtar, por si mik, jo për të përligje vehten, por per te ndritun mendimin t’em dhe të tyne.

Me rrené mendja se nuk ka zog shqiptari që të mendoje se une e mora këT   barre per kallak, per interese a per ndonji intrige Mundet veç me drashe ndokush mos qe ndonji mani e emja që më shtyni deri këtu. Edhe une po  u a vertetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnis, po, qe ajo që më vuni dilemen: a me anarkista per të bå g jak, ase me hjekun dore prej çashtjes kombtare. Dhe  mbasi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të bâj nji marri tue e pranue këtë zyrë, ase të tregoj dobési tue u largue. Vendova má mirë të baj nji marri: ase sikur thonë ata shqiptarë që duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem.

2- Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptár: pse nuk mujta t’a sHoh Shqipnin n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për ne shqiptarët anarkija âsht nji turp dhe nji delikt: po, turp asht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonín shqiptare, pa qenë të zotët t’i a gjejme fijen lamshit; delikt asht në këtë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë per ideal vilavrasjen, përmbysjen e katundevet, humbjen e gjâs dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija.

3- Maní… E po, si kujton Patër Anton Harapi se ai po e shpëton Shqipnin?!… Jo, zotni! Asnjeni nesh, që kemi marrë zyrën e Këshillit të Naltë, nuk e kemi pretenzjonin të mbahemi shpëtimtarët e popullit. Dhe atëhere, pra?… Shqipnin do t’a shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vehtes nji misjon: të përpiqemi me të gjitha fuqit për t’a pakësue mjerimin dhe shëmtimin shqiptar. Na e kemi ndërgjegjen të kjartë se jemi njerëz nevoje, d.m.th. se vetëm nevoja e kohës na ngrehi në këtë shkamb; as nuk kemi fjalë të mdhaja dhe premtime të bukura,por, po mujtëm t’i a lehtësojmë popullit sado pak ata shka vuen, dhe po mujtëm të vejmë nji gur sado të vogël për konsolidimin e çashtjes shqiptare, do të jemi të lumtun.

4- Përveç këtij misjoni, nji tjetër arsye e fortë më shtyni t’a baj këtë hap :Qaje, Zot, të keqen – thashë me vehte – si mos me u gjetun në Shqipni burra të zotët, që të marrin përgjegjsi publike dhe të flijojnë vehten për kolektivitetin ?!Mospranimi i bashkëpunimit në këtë rasë – me e shikue hollë – për mue do të kishte qenë nji spekulacion: unë, i grishun botnisht të jap kontributin t’em për çashtjen e kombit dhe për ndihmën e popullit, mâ parë do t’anojshem të ruej kryet dhe prestigjin t’em personal, se sa me rrezikue vehten për çashtjen epërbashkët. Anishka – thashë – rroftë populli edhe pa mue, rroftë Shqipnija !

5- Edhe komunistavet due t’u a tham nji fjalë, por kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak janë ata shqiptarë, të cilët vërtet e kuptojnë doktrinën komuniste,por, tashma të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe veprën komuniste në Shqipni. Kjo âsht vërtetë, e kjo don me thanë se gadi të gjithë komunistat shqiptarë veprojnë me krye në thes pa dijtë shka bajnë dhe për shka veprojnë. Por, po thonë se e kanë për Shqipni, e vetëm për Shqipni. Unë due t’u  besoj, por ky dallim midis doktrinës komuniste dhe veprës komuniste me formën kombëtare sikurse i kam ndigjue unë  dhe vetë tue dëshmue organizatorët komunista-mue më ban me dyshue për sinqeritetin e kësaj rryme shqiptare: Pse vall, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina e jo Atdheu? Masat terroristike,mandej vllavrasja, lidhnija e e ngushtw deri në dependancëtë plotëprej dorës së huej dhe përdorimi i çdo mjeti për qëllim, nuk i lânë vend dyshimit. More, me kobure në gjoksnuk bâhet kush as vllá, as shoq, por ja skllav, ja mizuer apo hipokrit. Gjithmonë tue rrenue, nuk ndërtohet.

Porse mbas gjase,komunizmi sot ndër ne e ka lânë m’anash doktrinën dhe don të justifikohet me veprën politike atdhetare.  Kjo për mue asht nji kontrast. Nuk due të bjerri kohë tue polemizue me komunista, vetëm po thom se këtu në Shqipni palla në thes nuk hyn. Nuk kemi si t’andrrojmë me ngrehë republikëne Platonit, kurse jemi ende në gjendjen primitive; nuk kemi sot si të kapërcejmën’internacionalizëm kurse ende nuk e kemi formue si duhet ndërgjegjen kombtare. E pse atyne u âsht mbushë mendja se luftën e fitojnë udhëheqësit e së tretës internacionale, nuk asht kjo nji arsye, që na qysh tash t’i a nxjerrim sytë shoqishoqit dhe të krijojmë hekatomba shqiptare.

Patër Anton, ti me atë prizmën t’ande a e shef kund Shqipnin?… Kështu më shkruente tash së voni nji mik i përzemërt: kështu e dij se më pyet zemra e popullit shqiptar. Ku jemi? Ku vemi?… Përgjigja duket si të ishte e lehtë, por asht shumë e vështirë. Lufta botnore e shtini ndër gjire të veta rrëmbyese edhe Shqipnin. Kolosët mâ të mdhejt të botës, si – çë mos mbahet mend kurr-po gjuchen shtjelma dhe po vriten shoq me shoq aq rreptas, sa me u dridhunfëmija në zemër të nânës. Çfarë politike do të ndjekim tash na mizat e vogla për të shpëtue? Kush thotë se i vetmi shpëtim për né, asht të vehemi me luftue krahas me njenin a me tjetrin vigan, kurse unë mendoj, se e vetëmja rrugë shpëtimiasht, të ruhemi, mos të marrim ndonji shtjelm andej a këndej, prej njenit a prejtjetrit, dhe të bâhemi të paqenun: të hupim pa shenjë, pa dukë. Ja, në dy fjalë politika për ne në këtë kohë t’a ruejmë vehten moralisht dhe materjalisht. Sa përpolitikën e mbrendshme, unë jam i bindun se gjindemi në nji kaos mendimi dhe në nji kontrast flagrant veprimi; dhe po të vijojmë në këtë rrugë, do t’i a bâjmë vorrin vehtes, do t’i a vejmë kazmën Shqipnis. Ja, edhe se për ç’arsye :

1- Disorjentimi i ynë në mendim dhe në punë, fill çon në vend planet e anmiqvet, të cilët duen me na pa të humbun. Qe sod: sa kapadají, aq rryma e aq parti !

2- Demoralizimi i ynë ka vojtë ke s’vé mâ: në njenën anë, aq e kemi humbë besimin në shoqishoqin, sa në mendje të shumkuj asht hjekë mundësija e altruizmit dhe e mirësis shoqnore. N’anën tjetër na ka ra zemra në bark: gadi të thuejsh e kemi bjerrë ndërgjegjen dhe besimin në vetvehte si kolektivitet; mandej edhe sot, që për ne âsht jeta a vdekja si komb e si shtet, gjithënji vijojmë në shpinë të Shqipnis, të bâjmë spekulacjone, të krijojmë parti, të ndjekin krahinarizëm, fanatizëm, akraballek, dhe – mâ tepër se kurrgja – t’ihjekim politikë njeni tjetrit. Shpirti i shqiptarit njitash må duket se asht lodhë përnjimend. Puna ka vojtë në te, dhe nuk ka tjetër, por njena dysh: a të bashkuem, a të mbaruem.

3- Reaksjoni nacionalist, aq për t’u levdue në moshën e ré, nisi me të vërtetë me nji ideal, por mjerisht degjeneroi në pasjon, i cili e verboi aq keqas, sa kemi sy dhe nuk shohim, kemi mendje dhe nuk bindemi se vllavrasja, që dita me ditë po merr përpjestime dhe mënyrë aq të tmerrshme, ajo âsht rrenimi i ynë fizik, moral, ekonomik dhe politik. T’i nxjerrim syt shoqishoqit, t’i presim veshë e hundë, t’a sakatojmë kambësh e duerësh, t’a dhunojë shqiptari shqiptarin në mënyrën må barbare, këta nuk janë zakone shqiptarësh; as nuk asht ideal e nacjonalizëm, por asht egërsi. degjenerim, turp dhe faqe e zezë. Patëm fillue me nji poezi dhe po mbarojmë me nji tragjedi, sa me i u dhimbtë gurit e drunit. Nuk âsht dita sot të likuidojmë fajet e fajtorët; sot na duhet të bâjmë nji punë të vetme të shpëtojmë kapitalin e parë, që asht Shqipnija dhe populli. Fajtorët mjaft t’i paralizojmë që mos të jenë të damshëm e mandej nesër do t’i thrrasim me na dhanë arsye.

4- Rrymët e soçme po bâjnë nji gabim të randë: ato po ndërlikojnë vendin ndër idé

dhe ndër punë. Susheptibiliteti i shumëanshëm na bâni të harrojmë realitetin e punës,çashtjen kombëtare dhe shpëtimin e popullit, edhe jemi kapun fyta-fyt dhe po përleshemi për çashtje formash e reformash dhe ende nuk e dijmë me siguri ku e kemi Shqipnin dhe kryekreje zihemi për formën shtetnore; ende nuk e dijmë si do të përfundojë lufta për Shqipnin t’onë, dhe që me tash duem t’u vejmë reforma shqiptarëvet. Ja, po mbetemi pa popull, pa fshate, pa troje. Ja,po shpenzojmë mija njerëzish, miljona pasunish, të gjithë kapitalin moral dhe financjar shqiptar! E po për shka? Jo sigurisht për Shqipni, pse në këtë pikë jemi të gjithë njij mendjeje, por vetëm pse në këtë kohë, e cila âsht kriza e fundit, duem t’imponojmë, kush reformën shoqnore, kush formën shtetnore.Po a të vdekunvet, nji populli të fikun dhe të mbaruem do t’i ndjellim kohën.e Arit apo Parrizin Shqiptar?! …Mos druej, djalëri; mos u frigoni udhëheqës shqiptarë,idealista,a shka jeni a i thoni vehtes! Zot, shpëtoftë Shqipnija dhe populli, pse unë mâ i pari – ju a dhashë besën e Zotit – do t’a qes kushtrimin dhe do të prij për reformën shoqnore,pse tashma e kanë pa, edhe miopët shqiptarë, se me systemet e deritanishme nuk kemi si të rrojmë mâ në Shqipni. Po nuk na patën mësue dhe çelë sytë tridhetë e sa vjete provash e rreziqesh, as treqind vjetë të tjera nuk do të munden me na regjë. Veç të shpëtojmë, pse i gjalli ka derman.

5- Mbas gjithë së keq, këto janë dame dhe gabime që shihen e dihen, prandej mund të ndiqen e mund të ndreqen. Unë gjej shka t’admiroj edhe ndër kundërshtarë vendimin e prém, sakrificën e qindresën. Nuk jam me ta as në parim as në metodë, as për shka bâjnë e si bâjnë, por atyne disi mund t’u bahet hallall mbassi luftojnë për dishka. Por shka t’u bajsh gjymsakëvet,

abstensjonistëvet, indiferentëvet, shqiptarëve të vdekun në shpirt, të cilët – a prej frige, a prej egoizmi vehtjak që mos t’i qesin trazim vehtes, ku edhe për t’u (mbajtun elitë dhe esnafe në sferën e atyne që nuk duen të përzihen – e kanë vu për nderë e vlerë që mos të deklarohen në kurrnji mënyrë as për qeveri e as për anarki. Këta janë parasitët e Shqipnis; për ta pasiviteti dhe negativiteti janë ideal; nuk duen të vehen në rrezik as sa të zit e thonit, por të rrojnë dhe të gëzojnë në shpinën e të tjerëve. Dobësi mendore! Dobësi morale! Dobësi shoqnore! Po qe kush për plumb, patjetër këta kishin me qenë mâ të parët.

Në luftën e Waterloo-s i qe paraqitun Napoleonit nji kryetar komuneje, i cili, tue e deklaruem vehten asnjanës, mendoi të justifikohej. Vranje, – tha Napoleoni- venje në plumb menjiherë, pse anmikut që të del përballë i qoftë falë, por ky që rrin i mëshefun n’apathin e vet,ky âsht må i rrezikshëm, pse jo vetëm asht anmik, por edhe spekulator i dobët.

E mjerisht, shtatëdhetë përqind të shqiptarëvet janë të tillë. Si do t’u bâhet? Çonju të vdekun se na mbytën të gjallët! Çou, Vaso Pashë Shkodrani, e qaj, pse nuk paska qenë për t’u qa Shqipnija atëherë, kur ti me shokët e tú përpiqeshit t’a shpëtojshit prej kthetravet të hueja, por sot, por sot me lotë gjaku do të dertojmë, se shqiptarët me duerët e veta janë tue rrenue kulm e themel:

O moj Shqipní e mjera Shqipni,

Kush të ka qitun me krye në hí…

Tepër pesimist, Patër Anton, kanë për të më thanë shumë zemra që ndiejnë,na me fjalë të tjera paskemi mbarue ?! Jo. Me të vërtetë nuk kemi mbarue. Kemi ende kohë. Mjaft të duem se mundemi; mjaft mos të përtojmë se dijmë; mjaft t’i vehemi sinqerisht, se me sigurí ia dalim. Ja edhe se si :

1- T’a krijojmë nji fuqi morale në Shqipni. Edhe në mos gjêjshim nji njeri që sot t’a përvetësojnë të tânë idén, vullnetin dhe përpjekjet e jetës shqiptare,kemi mâ shumë se nji asish, të cilët randojnë moralisht aq, sa me bâ pikën e gravitetit të jetës s’onë kombtare. Duhet të besojmë në dikend, të besojmë në vitalitetin shqiptar, të besojmë në fuqin e vullnetit t’onë, por të besojmë përnjimend. Po nuk i besuem vehtes sa duhet, nuk ka pse të besojë kush në né. Lypet t’a rindërtojmë ndërgjegjen t’onë vehtjake dhe kolektive.

2- T’a krijojmë fuqin shtetnore me nji mobilizim shpirtnuer dhe trupuer të të gjithë shqiptarëvet, me nji dishiplinë të shtërngueshme dhe me nji organizim të vërtetë.Në kambë, ju oficerat! Shka pritni? Shka droni? Shka shtirateni? A sot a kurr, ju të parët për t’a shpëtue popullin, për t’a shpëtue Shqipnin. Për shka ju rriti, për shka ju mbajti dhe ju pregatiti Shqipnija ne mos për këtë ditë rreziku ? Dam për ju me u strukun si pula të lagta sot, që tmera dhe potera vlon anë e kand nëpër viset shqiptare. Kush përveç jush do të prij në logun e fatosavet?Ky asht profesjoni i juej, për njikëte ditë jeni betue; sedra juej nuk do të durojë kurrsesi t’u a kalojnë sot varzat e grát në vendim, në guxim dhe në sakrificë.Jam i bindun se me dhetë oficera të venduem, por që kanë qitun cekën të vdesin përnjimend, i a vêjmë bazat organizatës shqiptare. Ku jeni, ju zyrtarë, që Shqipnis m’i merrni rrogat dhe i prishni punën, dhe jovetëm punën, por i cënoni edhe ekzistencën? Ku åsht ndërgjegja, karakteri dhe prestigji i jucj Si u a jep shpirti të merrni rrogat e Shqipnis, kurse ju dhe askush tjetër, çuet popull e Komb me i u dhimbët gurit e drunit ?! Mos më qit arsye as shkaqe, ti zyrtar! Detyra për detyrë, ky asht nderi, kjo asht vlera e nji zyrtari. Të ka kapun friga se po vdes úni a pushke? Po ti me ate zemër lepuri dhe atë vepër të pajetë, ti vdekë se vdekë vdis të paktën në detyrë dhe përdetyrë! Po t’a kishte kaq fuqi morale secili zyrtar, ja se u bâ organizata dhe fuqija shtetnore. A nuk e ndjen vehten as për kaq? Hesht, pse ti kështu si e ke bjerrë të drejtën me qenë, e ke bjerrë të drejtën dhe me folë!… Por ka edhe ndërzyrtarë përjashtime. Ka përnjimend njerëz detyre, por nuk kanë ku me qenë, përse nji gúr nuk ban múr.

3- Të gjitha këto çohen në vend dhe plotsohen me nji fjalë dhe me nji vepër të vetme: të sakrifikohemi. Mjaft kemi sakrifikue të tjerët: sot t’i a nisim nga vehtja jone. Ju atdhetarë, që levdoheni se bâni vdekjen për Shqipni, të jeni të zotët të sakrifikoni pikëpamjet dhe pasjonet, rrymët dhe idét, oportunitetin dhekomoditetin vehtjak, po deshët t’i shpëtojmë rrezikut që na rrin mbi krye. Këtu i due idealistat, udhëheqësit, intelektualët: salus rei publicae suprema lex esto! Ky asht imperativi i ditës për të gjithë ata që ndjejnë përmbrenda si njerëz dhe si shqiptarë. Shpëtimi i çashtjes së përbashkët åsht bashkimi, por nuk kemi si të bashkohemi deri sa të mbajë sejcili të vetën. Ase kemi sakrifikue pikëpamjet t’ona, ase do të sakrifikojmë Shqipnin. Kjo âsht sakrifica shpirtnore e vetëmja për t’i a mrrijtë qëllimit. Por edhe mos të kujtojë kush – si qe partish, elementash, krahinash-se e bán Shqipnin hajmali apo privativë të vetën, pse Shqipnija âsht nji mollë e tharbët, sa nuk ka burrë që i ngjet dhambët, pa i u píe keqas; jo që shqiptari për nji plesht e djegë jorganin…

Ka, po, në Shqipni vehtje dhe çeta, që për hatër të çashtjes së përbashkët,mbyllin nji sy dhe të dy, dhe bâhen si t’ishin të verbët, shurdhë e të pagojë. Kulturae shpirtit të tyne i shtyn të sakrifikohen, por jo të bâhen budallej; prandej, sidomos në këtë kohë kaq kritike, do t’i ruhemi fort nji gabimi të damshëm, që u bâ në kohët e kalueme: durimin, karakterin dhe ndërgjegjen e atdhetarëvet vërtè burra, t’i zamë ligështi dhe mbi te të marrim guxim, pse gjithëshka shkon deri në nji masë, dhe kur vjen shpirti me dalë, atëbotë as ai fatosi nuk din shka bân … Të pikon zemra gjak tue pá symptome dhe tue ndigjue ankime të forta mbi sa ndasí dhe vështirësi të mdhaja që deri dje i patëm kujtue të kapërcyeme !…Kush, mandej, don dhe kërkon prej shqiptarësh prap e må gjak, má shëmtim,ai don të na shohë të humbun. Për nji miljon e sa njerëz që jemi, kemi derdhë gjak mjaft; nuk kemi shka të japim mâ tepër, veç edhe shpirtin e egzistencën. Kushtrim, djalëri; kushtrim, burra të pjekun; qytetas e katundarë kushtrim, shqiptarë, të ç’do krahine, të ç’do besimi a shkalle shoqnore! Lëshoni armët, pashi Zotin, pse mjaft gjak asht derdhun, mjaft shëmtim âsht bâ, mjaft futa e zezë asht vú. Ja, se mija dyerësh u mbyllën me ferrë, qinda e qinda votrash mbetën shkret e qyqja po këndon mbi trojet shqiptare. Ndigjoni gjâmët e nánavet,njehsoni lotët e bijavet shqiptare, shikoni atë hije vdekjeje që asht shtri mbi familjet t’ona, kundroni se si po humbasim si komb e si shtet dhe, po nuk patët mende me u kujtue, të keni së paku zêmër me ndie. Të huej po t’ishim shoq me shoq, do t’i dhimbeshim vetvehtes, e jo má vllazën njij gjaku dhe njij gjuhe, miq e dashamirë e shokë, të cilët i bashkon nji shpirt i vetëm, shpirti shqiptar; nji vend, nji zakon, nji interesë dhe nji flamur! Me ndie si njerëz nuk asht dobësi,me i u shtrue arsyes nuk asht ligështi, me lëshue armët e pasjonit dhe armët e krahut – për të ra në godi si bijshin burrat motit – nuk asht mungesë gjallnije për Shqiptarët e sodit, por asht vitalitet dhe fuqi morale, që tregon fisniki, urtí e burrní si të parët na e Sod që jemi më kufi të përmbysemi me t’egër e me të butë, në këtë përmbytje të fundit, për ne nuk do të ketë germanofila, anglofila, italofila;s’ka njerëz të djeshëm e të nesërm, sot do të jemi shqiptarë e vetëm shqiptarë, të zot të çveshemi e të harrojmë gjithshkafen, vetëm e vetëm për të shpëtue komb, shtet e popull. Urrah të bashkohemi, se mbaruem: Të prâjnë fjalët e arsyetimet.

T’a bajmë monumentin kombëtar: bashkimin e shqiptarve.


Send this to a friend