Sterling Heights
8 maj 2001
I dashur P.
Kryesisht uroj që së bashku me M. kjo letër t’ju gjejë shëndosh e mirë e gjithashtu edhe fëmijët t’i kini mirë familjarisht. Edhe ne, shyqyr Zotit, kemi qenë mirë.Trashëgimtarja e vogël na ka budallepsur të gjithëve dhe është bërë, pa e ditur as vetë, qëndra e gravitetit të shtëpisë. Letërkëmbimi ynë, ç’është e vërteta, po zhvillohet disi me ngulç.
Unë mezi ç’e prisja nga ti, i dashur P., përgjigjen e letrës sime të vitit të kaluar. E prisja atë përgjigje se ajo letër e imja ishte e shkruar me nostalgjinë e viteve tona të rinisë duke i kundruar ato, tashti që vitet tashmë e kanë bërë punën e tyre, dhe ne duam apo jo, hyjmë në radhën e “burrave me moshë të thyer”, apo jo? Ndërkohë morëm me kënaqësi letrën elektronike që na dërgonit ti edhe M. që na uronte si gjyshër e që na e nisi N., e pastaj mora edhe letrën tënde, (shkruar me mjaft mllef), ku komentoje shkrimin tim “Heronj apo Kriminelë” dhe ishe iindinjuar se unë Leninin e quaja kriminel!
Kështu asaj letrës time të dashurisë kurrë nuk i mora përgjigje e detyrohem tashti t’i përgjigjem asaj letre që më ke shkruar dhe hedhur në postë, (besoj pa e rilexuar përpara se t’a postoje), e njëkohësisht pa e rilexuar shkrimin tim, (përpara se të më jepje përgjigje). Të dyja pohimet në kllapa i bëj nisur gjithmonë nga fakti se do të doja të ishte ashtu, me që kam të bëj me ty që të kam vlerësuar gjithmonë e të kam dashur si shok
.Sapo e fillon letrën ti më drejtohesh e më thua “… në rast se artikullin do t’a botoje në ndonjë gazetë me reputacion.. ..Gazeta të tilla si “Shkodra”, “55” e ndonjë. tjetër unë i konsideroj të denja për të mos i lexuar”. Ti e ke harruar si duket se të shkrova që kam botuar një shkrim në “Republika” dhe shtoja se vetëm atje mund t’a botoja me që kam shok Maksim Begenë, n/kryetarin e partisë republikane. Kurse Shkodra si edhe 55-sa e kanë marrë shkrimin nga Republika e nuk jam unë që ua kam dërguar, (ndonëse nuk e kuptoj gjithatë mllef tëndin ndaj atyre dy gazetave, apo se trajtojnë tema me karakter antikomunist ?) E pastaj fillë vazhdon duke më shkruar se temën që trajtoj unë ka dhjetë vite që trajtohet nga “… Robert Papa, etj. Këtë të fundit për punën që ka bërë në këtë drejtim unë e kam emërtuar miu i llagëmeve” Se si e konsideron ti R.Papën nuk ka asnjë “. rëndësi për Robertin, por pikërisht me që me këtë pasazh, (duke më futur mbase padashur edhe mua në një kategori me minjë llagëmesh), ti nuk kishe se si të më fyeje më rëndë e prandaj të jam drejtuar më sipër se si duket letrën e ke nisur pa e rilexuar, sepse nuk ma do zemra që t’a kesh pasur këtë qëllim. Këtu duhet të shtoj se nuk e mendoja kurrë që ti të shkruaje nga pozita tru-shplari ish komunist e nga këto pozita edhe të më fyeje! Po qe kështu, atëhere do të t’a pohoj: po, edhe unë jam nga ana e barrikadës se si i ka nxjerrë të vërtetat në shesh R.Papa.
Megjithatë, nisur nga premisa që nuk më besohet se ti bën pjesë me t’indoktrinuarit e verbër dhe duke menduar se je shprehur në mënyrë të pasaktë ndaj meje, po vazhdoj të të përgjigjem lidhur me vrejtjet që ti shtron sa i takon shkrimit tim “Heronj apo Kriminele” se, në të kundërtën, po t’a kisha dyshimin se vërtet ke dashur të më fyesh, me letrën tënde do të merrte fund korrespondenca jonë. Me që uroj e shpresoj të mos jetë kështu, po vazhdoj. Ti nuk je dakord që unë kam futur në të njejtën kornizë gjení si Lenini me sejmenin e rëndomtë Teme Sejkon, (siç e quan ti). Po të ishte kështu, do të kishe plotësisht të drejtë. Kurse unë kam theksuar se fatkeqësisht në rastin tonë konkret E.Hoxha qe për ne Lenin edhe Stalin bashkë. Dhe udhëheqësit i ndaj në gjykim nga kriminelët ordinerë. Plejadën e kriminelëve tanë, vegla të verbëra të E.Hoxhës, i krahasoj përkatësisht me F.Xherxhinskin, Genrich Yagodën, N.Yezhovin, etj. dhe paralelizmi historik gjason si dy pika uji për personazhet respektive, do apo nuk do ti, se mjafton t’a lexosh historinë e shkruar nga Stalini se si përfunduan ata. E kjo kategori u shërbeu pa mëdyshje diktatorëve respektivë të cilët pastaj . . . ua hëngrën kokat.
E tashti po vazhdoj dishka me Leninin me që e shoh se e ke pikë të dobët faktin që unë shpreh se ç’kanë thënë dy gazetarët anglezë dhe këtë e konsideroj ballancë për t’a gjykuar moralitetin e Leninit, gjë e cila ty nuk të duket e mjaftueshme. Të jap të drejtë, sinqerisht të jap të drejtë. Në këtë drejtim jam nxituar e kam patur bindjen se ti si njeri me horizont do të kesh lexuar biografi autorësh të ndryshëm mbi Leninin e kështu ç’u ka thënë Lenini gazetarëve do të ishte, (simbas meje), esenca e esencës së mendimit filozofik të Leninit mbi moralitetin. Me që e shoh se edhe ti je i painformuar saktë dhe i mangët në këtë drejtim po e zgjeroj pak fushën e pamjes. Biografinë e Leninit shkruar nga K.Krasnof dhe faktet që ai sjell nga jeta e Leninit, nuk nxitoj t’i marr në konsideratë si themele gjykimi se autori ka qenë kundërshtar i ashpër i Leninit. Po ashtu nuk rrëmbehem t’a gjykoj Leninin nga ç’ka shkruar për të L.Zilahy i cili ka shkruar e paraqitur fakte edhe më të shumëta se sa Krasnofi, ndonëse kanë qenë bashkëkohës të Leninit e si pasojë rrethanat si edhe situatat i kanë njohur mirë dhe jo të zbehura nga koha. Por ama ndjek me vëmëndje se ç’ka shkruar M. Eastman, që ishte admirues si edhe mik amerikan i Leninit. Ai bile e botoi në 1925 testamentin e Leninit të cilin ia dha Krupskaja, sepse Lenini kishte dhënë porosi që testamenti të lexohej në Kongresin e P.K.(b) të B.S. kurse Stalini e lexoi vetëm para K. Qëndror (se Lenini jepte porosi që Stalini të mos zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Partisë). Dhe ky admirues i Leninit mundohet t’a mbrojë Leninin deri në atë pikë sa që thotë se “…pohimi i Leninit në shkurtin e 1917-ës: se për çështjen e Revolucionit duheshin lënë më një anë normat qesharake borgjeze mbi moralin dhe se ai (Lenini) nuk do të stepej të shkelte mbi kufomat e nënës si edhe motrës së tij për hir të Revolucionit, tregojnë konsekuencën dhe besnikërinë revolucionare të Leninit”. Po e transkriboj tekstualisht thënjen e Leninit me difektin që kompiuteri nuk ka germat Kirilice: Jesli nada, ja perestuplju çerez trupi mojej materi i sestri dlja osushestvlenija Revoljucii. Prandaj unë e sintetizoj pozicionin etiko-moral të Leninit me shprehjen e tij thënë gazetarëve anglezë dhe nuk e quaj lajthitje të tyre, sepse edhe M.Eastmani pohon të njejtën gjë. Dhe me që ruhem të jem sa më i paánshëm dhe objektiv, nxjerr përfundim nga ky pozicionim i Leninit pa iu referuar aspak ç’kanë thënë për të kundërshtarët e tij. Nga ana tjetër, duke të njohur edhe çmuar si njeri të ndershëm ty, P., po e thelloj edhe më tej informacionin si edhe burimet e reja mbi Leninin, (që besoj se mund t’i gjesh e t’i lexosh në origjinal me pak përpjekje tashti që Shqipëria nuk është më e mbyllur hermetikisht), që të të hap horizont të thellosh njohuritë e pastaj, pse jo, të rivlerësosh edhe pozicionimin tënd ndaj tij.
Gjenerali Vollkogonov, ish Drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë së Kuqe, qe i pari person të cilit “Gllaznosti” i dha akses në fondet sekrete të arkivave ruse.Fillimisht, siç e thekson ai vetë, vetëm kërshëria për të mësuar të vërtetat e shtyu të hulumtojë. Por ky thellim e çoi dora dorës për të mësuar të vërtetat e shtyu të hulumtojë në zbulimin e të tilla të vërtetave që mbas një pune këmbëngulëse ndërgjegja e tij nuk e la më dhe shkroi e botoi tre libra, (me nga dy vëllime secili): Lenini, Trocki edhe Stalini. Unë kam lexuar vetëm Leninin, dy të tjerët akoma jo. Për të mos u zgjatur më me citate edhe pohime, (se edhe me kaq u zgjata shumë), sintetizimi i dy vëllimeve rreth Leninit përmblidhet me fjalën e vetme: kriminel! Dhe dua të shtoj se Vollkogonovi që në rininë e tij të herëshme e deri sa arriti dhe u bë gjeneral e pastaj edhe Drejtor Drejtorie Politike ka qenë mbrujtur me dashuri edhe respekt për Leninin, ashtu siç e quan edhe ti atë si “gjeni”. Prandaj kuptoje se me sa dhimbje faktet ia përmbysën mitin e gjeniut Lenin në sytë e Vollkogonovit që, për hir të së vërtetës, arrin pastaj në përfundimin që të citova më lart! Prandaj edhe këmbëngulja yte që nuk pranon t’i hapësh sytë e t’a shikosh Leninin tamam siç qé … më befason.
Në këtë kontekst po munde lexoje edhe librin e shkruar nga Viktor Suvorovi me titullin “Ljodokoll”. Një epokë të tërë të përshkruar me fakte “zyrtare sovjetike”, ai e ritrajton mbështetur në dokumenta që mbaheshin sekrete e nuk botoheshin dhe e nxjerr në një dritë të re.
Mendoj se leximi i këtyre librave do të përbënte burim interesi për ty dhe do të të hapnin ata, para syve tuaj, shtigje të reja për rivlerësime e gjykime të mbështetura në larmi shumë më të madhe faktesh historike. Tashti po vazhdoj me vrejtjet e tjera të tua. Unë kam theksuar në shkrim se si në Shqipëri edhe këtu në diasporë është shkruar konkretisht për M.Shehun, K.Xoxen, B.Ballukun, T.Sejkon, etj. duke i ngritur në qiell aftësitë si edhe bëmat e tyre. Në gazetën Illyria që botohet në New York u shkrua për dy muaj me radhë herë me një puntatë e herë me dy, rreth tyre si heronj. Po t’a rilexosh shkrimin tim do të shohësh se unë theksoj se si me “ keqardhje vrej se si kobët e fundit nga ana e shtypit shqiptar si në Shqipëri edhe në diasporë po vihet re një si fushatë me anën e së cilës dëndur e më dendur po shkruhet në mënyrë të njëanëshme rreth këtyre figurave. Po u hidhet dritë dhe kjo po përqëndrohet vetëm në faktin se ata, kush më heret e kush më vonë, përfunduan viktima të E.Hoxhës. Mirëpo peshorja mbetet tejet e paballancuar sepse qëllimisht po lihet në errësirë ana tjetër e tyre, krimet e përbindëshme që ata kryen sa kohë që verbërisht zbatonin direktivat paranojake te nxitësit të këtyre krimeve, udhëheqësit të tyre….” Po të kujtoj edhe pasazhin tjetër të shkrimit tim ku theksoj se “… është e natyrëshme që bijtë e këtyre veglave të diktatorit, (mbi të cilët më vonë ranë rrufetë e tija), natyrshëm duan të hidhet sado pak dritë pozitive mbi etërit e tyre. Këto orvatje të tyre jo vetëm i kuptojmë por edhe ndjejmë dhimbje të sinqertë për këta të fundit të cilët jo vetëm që u persekutuan si bij tradhëtarësh dhe armiqësh të partisë e të popullit, por edhe familjet e tyre u prishën si pasojë e divorceve të detyruara të martesave…..” Po t’a kishe rilexuar shkrimin tim, i dashur P., nuk do të ishe nxituar dhe të më shkruaje “…. me personazhet që ju përmendni në shkrimin tuaj nuk jam marrë se nuk i a vlen. Ata erdhën edhe hikën në shoqërinë njerëzore si vijnë edhe shkojnë të gjitha gjallesat. Ju për ata pasqyroni njerën anë të medaljes. Me siguri që secili prej tyre ka edhe anën tjetër por mendoj se nuk ia vlen të merresh me ta….”
Unë nuk kam paraqitur njerën anë të medaljes, përkundrazi u shtyva të shkruaj që t’a paraqes edhe anën tjetër të medaljes e pastaj lexuesi i paanshëm të gjykonte. Sa për atë që ti shkruan se ata erdhën edhe hikën si të gjitha gjallesat e nuk ia vlen të merremi
me ta, në parim ke plotësisht të drejtë. Kjo varet nga mas-shtabi kohor nga i cili e shikon. Historia botërore e periudhës 1944-1991 për Shqipërinë do t’i kushtojë një gjysëm faqe e hiç më shumë. Por po hyre në jetët e njerëzve kjo nuk mund të kalohet kaq lehtë. E ndjera e ëma e Mimozës ishte 24 vjeçe kur ia pushkatuan të shoqin, (i cili Mimozën e la 4 vjeçe). Në vitin 1981, kur u botua libri Kur Hidheshin Themelet, E.Hoxha përshkruan në tri faqe se si K.Xoxi e kishte vrarë Surja Selfon vetëm e vetëm për t’a komprometuar E.Hoxhën që Surjanë e kishte shok. Dakord, thotë ai që nuk i di ndodhitë. Ja, E. Hoxha e thotë të vërtetën. Kjo e vërtetë ama ka mbrapa edhe faktin se kur S.Selfua kishte dërguar
ndërresat në shtëpi, në ushkurin e të mbathurave ai kishte futur thonjët e duarve që ia kishin shkulur në torturë J.Pashkua e N.Haznedari me shokë që të pranonte akuzat, (dhe e ndjera e ëma e Mimozës i dinte se kush qenë bishat torturuese). Dhe E.Hoxha gënjen kur thotë se Surjanë nuk e kishin torturuar se kështu i kishte thënë Koçi. Gjithashtu që nga 1949-ta kur u pushkatua K.Xoxe dhe E.Hoxha e mori vesh të vërtetën, pse priti deri më 1981-shin t’a thoshte këtë të vërtetë dhe familjen e Surja Selfos vazhdonin dhe e trajtonin si familje armiku? Njëqind herë e ndjera e ëma e Mimozës i kishte shkruar E.Hoxhës t’i jepnin një shtëpi normale, po kurrë nuk ia dhanë dhe jetoi në një bodrum 24 shkallë thellë në dhe ku sa herë binte shi hynin ujërat e trotuareve ! Edhe kur lagja i dha shtëpi, me që e kishte burrin të pushkatuar, i dhanë një dhomë 4 x 3 dhe nevojtore!
Ja edhe një fakt tjetër kuptimplotë. Ty të kujtohet kur Mehmet Shehu erdhi në Cërrik dhe u entuziazmua nga ajo maqineria që kisha projektuar dhe zbatuar unë simbas përmasave të vijës kulluese që më kishte porositur ai, dhe para se të ma jepte fjalën, më paraqiti, (se ishin tre anëtarë Byroje prezent si edhe ministra e personalitete), e tha:”… do të na flasë konstrukteri i talentuar Ing.Korça, djali i Xhevat Korçës, bir reaksjonari, ndonëse i ati nuk është se na ka bërë ndonje gje të madhe…”. T’i përshkrova këto dy pjesëza mozaiku jete, i dashur P., së pari se ata kriminelët vërtet erdhën edhe ikën, por gjurmët e tyre lanë vragë të pashlyeshme në jetët tona. Ti me shumë të drejtë thua se njerëzit dubet të harrojnë edhe të falin. Shumë i bukur si pohim edhe i drejtë për t’i shërbyer së ardhmes. Por ama faljen duhet t’a kenë në dorë ata të cilëve u takon t’a bëjnë një gjë të tillë, ata të cilëve u është djegur shpirti. Kurse lidhur me harresën, nuk jam aspak dakord me ty dhe ty as të takon t’a predikosh një moral të tillë se ty kurrë nuk t’u dogj shpirti ! Në këtë kontekst marr shkas edhe për një sqarim tjetër.Kur ishim në Cërrik mua m’u duk vetja tamam kërkushi se nuk guxova t’i thoja M.Shehut me që im atë nuk ju paska pasë bërë ndonjë gjë të madhe, atëhere përse e kalbët në burgun e Burrelit dhe u detyrua të vdiste në grevë urije? Dhe mendo se kur erdhi në Tiranë, në mbledhjen e këshillit ministrave, M.Shehu duke folur rreth njëzet minuta lidhur me aftësitë e mija kishte thënë se veç zotësisë që më karakterizonte isha edhe trim. Këtë, siç e mendoj unë, vetëm për faktin se i kisha kundërshtuar gjatë diskutimeve për probleme teknike. Por unë në fakt nuk isha hiç trim sepse nuk guxova t’i replikoja lidhur me t’im atë. E kur unë trimi isha i tillë frikacak (ah ç’paradoks i dhimbshëm) që nuk guxoja t’a shfaqja mendimin tim haptazi, e kur u shpall poliagjent M.Shehu e pas tij tradhëtar edhe K.Hazbiu unë i pari, ti pas meje dhe të gjithë të tjerët që ne i konsiderojmë njerëz të ndershëm, ndryshe mendonim e ndryshe shfaqeshim, duhet të krenohemi për këtë qëndrim? I gjithë populli ishte i dyzuar në mendime dhe askush nuk guxonte t’a thoshte atë që mendonte. E kjo është njoll’e madhe për ne, këtë duhet t’a pranojmë si unë e gjithashtu edhe ti.
E tashti, mbasi të argumentova se po t’a kishe lexuar me përqëndrim shkrimin tim dhe të mos ishe nxituar në përgjigje, do të shihje se praktikisht mendimet tona përputhen dhe dalin në të njejtin shteg, dua të të rikujtoj edhe një kalim të shkrimit. Nga gjaksorët që trajtoj unë, të vetmit e ngelur gjallë janë A.Cela edhe M.Doçi. E unë çkërkoj të bëjnë ata? Vetëm të pendohen publikisht për krimet e bëra. Asgjë më shumë. Dhe e përfundoj shkrimin duke vënë në dukje se me që të pamëkatët nuk ekzistojnë mbi dhe të zbatojmë mësimin e Krishtit që të pendohemi e të mos bëjmë më mëkate. E tashti duhet t’a kuptosh i dashur P. se unë duke heshtur edhe ndrydhur dhimbje të mëdha ftoj për pajtim edhe falje të mëkateve, (kupto krimeve). Këtë e bëj jo se e kam të kollajtë, përkundrazi. Bile që t’a kuptosh se sa e vështirë është, që sado pak t’a vesh veten në pozitën tonë, duhet t’a dish se Mimoza ka katër të pushkatuar në familje : babanë, xhaxhanë si edhe dy djem xhaxhallarësh, (xhaxhai u pushkatua me rastin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike e fill mbas tij i pushkatuan fare pa asnjë arësye edhe të birin), përveç djalit të xhaxhait tjetër që u vra 16 vjeç! Kurse edhe nga ana ime kam babaneqë shpalli grevën e urisë edhe e çoi deri në fund atë grevë në burgun famëkeq tëBurrelit, si edhe tre të pushkatuar.
Por unë e kuptoj që urrejtja jo që nuk duhet nxitur por duhet fashitur se në të kundërtën Shqipëria kurrën e kurrës nuk gjen dot qetësi. Kjo arësyeja që bëj thirrje për falje por me kusht pendimi nga ana e kriminelëve akoma të gjallë e doemos edhe rishikimi e rivlerësimi pikpamjesh edhe nga ana e jote.
E tashti që i erdhi epilogu letrës time shpresoj që ti, P. im i dashur, e kupton se përse unë do të kisha dëshiruar që ti t’a kishe rilexuar më me vrejtje shkrimin tim epastaj t’a kishe rilexuar edhe letrën tënde para se të ma nisje.
Duke ju uruar së bashku me M. kryesisht shëndet e pastaj gjithë të mirat e gjithashtu të njëjtën gjë edhe djalit me familje atje lark jush ku gjëndet si edhe vajzës në Tiranë.
Juve ju përqafojmë së largu,