Por kush janë Krutanët? Asnji dokument historik s’më ka rânë në dorë qi të na sigurojë mbi fatin e popullsís së Krujës kur hŷnë Tyrqit n’atë qytet, njimbëdhetë vjet mbas vdekës së Fatosit t’onë. Por ka gjasë qi as këta mos të kenë qênë mâ të mëshirshëm për atë popullsí se vetë kundrështari legjendar i tyne për rojën anmike qi gjet në kështjellin e t’et kur u kthye mbas tridhetë vjet mërgimi. Sod në Krujë s’ka asnji familje me tradita të vjetra. Të tânë gati e tregojnë origjinën e tyne, kush mâ të largë e kush mâ t’afër, nga vise tjera, mâ e shuma prej viseve jo fort të mërgueme. Na Merlikajt b.f., siç kam pasë ndëgjue prej t’im ungj, jemi të shpëmgulun në Krujë prej Malit të Bardhë të Kurbînit shumë breza mâ para. Kemi pasun në fushë t’atij katundi do tokë të trashigueme qyshë moti së bashku me Almuçajt, krutanë edhe ata, qi sod janë shue e qi në vogjlí t’eme u pritshim e u përcillshim ke shoshoqi si në vëllazní, por pa qênë kurrkush i zoti me i lidhun brezat krye mbë krye deri në të parin t’onë të përbashkët. Ajo tokë atje në Mal të Bardhë ishte e vetmja deshmí konkrete e origjinës s’onë, sidhe prova, veç traditës së vazhdueshme, e gjakut të përbashkët me Almuçajt. Ajo tokë, tue mos i rânë kush mbrapa, tue e lânë mbas dore për nji kohë të gjatë, pak nga pak u përvetue prej katundarvet rreth e rrotull qi kishin krahë me e punue, ndërsa neve për nevojat t’ona na mjaftojshin ato të qytetit.
Me lavdrue veten njeriu âsht marre. Me lavdrue atdheun e vet, kombin e vet, me gjithë qi edhe vetë âsht pjestar i këtij, quhet detyrë. Besoj pra se edhe nji qytet me popullsín e tij, ku na ka pamë sŷni për të parën herë dritën e diellit, po qe për t’u lavdrue mund të lavdrohet pa pasun kush të drejtë me na paditun për mungesë modestije. Në fund të fundit trândafile pa gjêmba s’ka e kur i këndojmë hymne trândafilles nuk don me thânë qi u a këndojmë gjêmbavet.
Popull’i Krujës, pra, âsht nji popull i squet, por sidomos thellsisht i ndershëm. S’e kam ndie kurrë veten mâ kryenaltë për qytetin t’em sesa nji herë në nji kafe të Vjenës në 1926. U njoha atje me nji tregtar të madh të Stambollit. T’a marrmen vesht ai prej emnit t’em qi ishem krutan, më pyeti nëse e njihshem “nji farë” Ismail Kasmi. Ky “nji farë” Ismail Kasmi ishte tregtari mâ pasaniku i vêndit t’em. Sod kemi edhe krushqí me shtëpín e tij. Atëherë ishim vetëm bashkqytetarë qi njiheshim, por as miq jo. Po më thoshte tregtar’i Stambollit: ” Në jetën t’eme s’kam pamë njeri mâ të ndershëm se atë burrë. Para luftës balkanike kishim magaze edhe në Selanik. Kasmin e kishim myshterí. Para se plaste lufta na kishte mbetun borxh nji kusur të vogël, nja njiqind lira. Lufta na shtrëngoi me e shkrehun magazen e Selanikut, u dyndëm e shkuem në Stamboll e s’u kthyem mâ atje. Mbaroi lufta ballkanike, kaloi edhe ajo e madhja e 1914-s e me Shqipnín qe premë çdo marredhânje tregtare për Tyrqín. Me gjithë këtê nji ditë prej ditsh kê po shoh në magazet t’eme? Ismail Kasmin! Faleminderës Zotit!… Edhe u gzova qi pashë nji klijent të vjetër e të dashun edhe u habita. Kafe e muhabet, e po e pyes mikun e papritun:- Po tý, Ismail Aga, ç’erë e bekueme të paska hjedhun ksaj ane? Mos ke ardhun për ndonji mjekim?…. Jo, jo! Ismail Aga s’e kishte bâmë gjith’atë rrugë as për mjekim as për dëfrim e aqë mâ pak për tregtí. Ai mbasi kishte kalue për Selanik për me më kërkue e atje s’më kishte gjetun, kishte ardhun në Stamboll nergut e vetëm për me më lamë borxhin mue! Nji borxh qi un e kishem fshimë kryekëput prej mêndsh e qi e kishem nxjerrë sa fijsh në tregtín t’eme të sakohshme me tê. Por Ismail Kasmi s’e kishte harrue e kishte ardhun postafat qyshë prej Kruje për t’a lamë…”
Kështu âsht Krutani: Xhiu i Fajës shkon në Stamboll me lânë kryet për nji gjymsë fjale qi i kishte dhânë mikut me i marrë gjakun, Ismail Kasmi për me lamë nji borxh qi edhe vetë i zoti e kishte harrue. Fjala, besa, detyra, për tê ka vetëm nji ligjë: me e mbajtun e me e krye me çdo kusht.
Krutani âsht modest. Nuk mbahet, s’krenohet, s’lavdrohet. Ậsht trim, por trim i pafjalë e i padukë. Për fjalë e sjellje të tija s’e blén kush për pesë pare. Trimnín e tregon vetëm kur e zên puna për projën e vet e të të drejtave të veta, për mikun, për zakonet. Sa âsht fanatik në projën e nderës së vet, me gjith’aqë shkrupull nderon edhe tietrin, kushdo qoftë. Gati në të tâna zakonet e. tija ka mbetun malsuer. Në punë gjaqesh ndjek pikë për pikë Kanunin e malevet Gjakun e lyp vetëm prej mashkujve të rritun e t’armatosun të tymit të gjaksit krye për krye. A e muer gjakun, ka për t’i dërgue anmikut të tij pleqt ke dera për pajtim e s’ka ndodhun kurrë qi ky mos t’i shtrohet Kanunit
Krutani âsht puntuer. Strukun n’atë rrânxë mali me q’ata ullîj qi nji vjetë bâjnë e dý jo, me nji copë arë të shkretë në ndonji luginë ndërmjet dý sukash a vetëm me nja dy pash kopësht para shtëpís, me nji copë dyqan qi punon mirë vetëm nji ditë në javët me katundarët, me ndonji dele, dhi a lopë në derë, lufton i ziu me jetën si të mundet, veç të rrojë me nderë. “Në Krujë ha pula gurë” thotë nji fjalë e moçme e vêndit. Kallzohet se dikur paska qënë mbledhun Kruja në kuvênd e gati paska pasë vêndosun me e ulë qytetin në fushë mbi xhaden e Shkodrës Sigurisht s’ka qênë punë e lehtë me lanë plang e shtëpí me kujtime shekullore mbas shpine për me fillue gati nji jetë të re. Prandej bisedimi do të ketë qënë mjaft i nxêtë, mjaft i ashpër ndërmjet tradicjonalistavet e antarvet guximtarë te nji sŷnese të largët qi premtonte, së paku për brezat e ardhshëm e mbas shumë sakrificash, nji jetë mâ të volitshme se poplat e shkrepat e të parvet në nji skanj mali ku nuk shihej kurrë nji fytyrë jabanxhiu. Nji qytet n’atë fushë të bukur, në nji vênd qëndruer, p.sh. andej anës së Gjoles a mâ nalt kah Zeza, jo veç qi do t’i a kishte premë udhën konkurrencës tregtare të Tiranës mbi shumë katunde të Krujës, por do të kishte tërhjekun e bâmë krejt për vete edhe krahinën e pasun t’Ishmit e treqind shtëpí Prez. E mbandej xhadja e madhe, me qênë nji stacjon përmbi nji damar tregtije aqë të rândsishëm! Ky argument’ i fundit kishte magjepsun sidomos esnafin e Krujës, tregtarët qi ishin, si me thânë, ajka e qytetarvet. Por ja ku del q’atje përtej dikush, ndoshta nji teshë i ngratë qi deri atë ças s’e kishte përfillë kurrkush e ai vetë soll kishte ndêjtun e ndëgjue se ç’po thojshin burra mâ të parë e mâ të mêndshëm, edhe thotë: “Or shokë, a e flas nji fjalë edhe un qi s’dij gjâ, qi jam mâ i mbetmi i të gjithve këtu në këtë kuvênd burrash e zotnísh? Ju besa mjaft mirë jeni tue thânë se kjo rrânxë mali ku na kanë lânë të parët t’anë fort vênd i vorfën e i shmângun âsht. E po thotë Zotnija e Juej me ramë atje poshtë në xhadet të madhe, se atje kishte me na rrjedhë allishverishi si zalli e kishte me na bâmë rahat. Por mue, qe besa, më falni, por kjo kaprroqja e ime s’po më mbushet bash fort se xhadja do të na bjerë atë fitim të madh qi po shpresohet. Athue s’ka qênë kush ndonji herë në Lesh prej sa jemi këtu në këtë kuvênd? Un pra po, kam qênë, e kam pamë e e njoh mirë Leshën. Ky qytet, qyshse âsht ngrefun, q’aty në breg të Drinit e përmedis xhades së madhe ka qênë, asnji karvan s’ka pasë kah me i a mbajtun pa ramë nëpër tê për me votun në Shkodër, në Gjakovë e në Prizren. E pra me gjithë këtê s’e pashë kurrë n’atë qytet nji tregtar qi të ketë bâmë prokopí. Mendohi mirë, burra, para se me dhânë nji vêndim te pamatun, se edhe të parët t’anë s’kanë qênë, jo, aqë të pamênd kur e kanë themelue këtë qytet këtu, për vete, për ne e për të tânë sa do të lejnë e të vdesin mbas nesh!”
E pat! Kruja mbet atje ke qe, tek e kishin themelue të parët “për vete, për ne e për sa do të lejnë e të vdesin mbas nesh”, sikur tha ai sukllari i panjohun n’atë kuvênd të hershëm të qytetit ku kishin të drejtë me marrë pjesë e me folë i madhi e i vogli, pasaniku e vobeku. Ajo mbet atje në vorfnín e vet, por edhe me historín e vet, madhështore e krenare. A ka themel historik ky kuvênd a s’ka, nuk e dij. Ậsht nji gojdhânë. Krutanët kanë mbetun besnikë të gurvet, të shkrepavet, të malit të tyne. Por vorfnija i ka shtrëngue me e kërkue kafshatën e vet edhe përjashta; gjithmonë, veç, në Shqipní, vetëm në Shqipní e ndër vise jo aqë të largta. Gjêjmë Krutanë në Durrës, Shjak, Tiranë, Mat, Thkellë me dyqane. Kah Juga asnji s’e ka kapërcye Vlonën. Në dhena të huej, as në Stamboll e vênde tjera të Tyrqís nuk gjindet farë Krutani. Edhe kudo qi kanë vojtun janë mundue me bâmë ndonji tregtí të vogël e rrallë janë pasunue. Krutani âsht mohimi vetë i çdo aventure. Vullëndohet me pak, por punën e don të ndershme e të sigurtë. Ậsht i urtë, kryeulët në sjellje, por krenar, hijerândë përmbrênda.Puntorë, shërbtorë, rrogtarë krutanë nuk gjên kurrkund përjashta. Krutani qi shkon e pajtohet rrogtar me gjâ të gjallë, me kafshë barrtore a me qé ke nji zotní, bashkvêndës i vet, mbahet baras me djelmt e shtëpís. Ai këta i quen vëllazën, zotnín e njeh vetëm për të parë shtëpije, granija për tê janë motra e nâna atje ku punon. Han në nji tryezë me gjindën e shtëpís.
Mikpritja në Krujë vetëm tash vonë, nën influksin e nji tog rrethanash të ndryshme, ka marrë aty-këtu pak si hije qyteti. Në vogjlín t’eme çdo derë krutane ishte e hapët për të njohun e të panjohun, nji për nji si ndër malsít t’ona mâ bujaret. Grueja krutane i shërben mikut në shtëpí të saj si t’a kishte farefis të vetin a të burrit. Nusja ashtu siç i lante kâmbët gjindës së vet i a lante edhe mikut. Sod ky zakon âsht vjetrue e lânë, por un i a kam mbërrîmë.
Më bie ndër mênd ç’më ka ndodhun nji herë në shtëpí t’onë kur ishem fare fëmjë. Nji të dielle mbrâma kishin ardhun te na miq kurbîjas, për me ndjehun të hânën, për ditë pazari, në qytet. Ndër ta ishte edhe nji nuse e re bashkë me të shoqin. Kjo qet nji varg kështênjë të zieme e m’a dëfton së largu tue më thërritun për me m’a dhânë. Kur i u afrova muer me më puthun; por un, shen e verë për vargun e kështênjvet, para se të më puthte ajo mue, kap e puth un atê, gjâ qi s’asht zakon ndër ne! Shkoi gazi në kupë të qiellit e un zûna me qamë prej marres.
Dom Nikoll Kaçorri më ka pasë dëftye nji herë ç’i kishte pasë ndodhun në Krujë në të ri të tij. “Porsa kishem dalë prej seminarit të Shkodrës, prift i ri e sekretar i Kryepeshkopit të Durrsit, Monsinjor Bianchi-t”, nis tue më thanë Dom Nikolli, dhe vijon: ” Plaku, me gjithë qi vetë kurbîjas, s’kishte pasë qênë ndonji herë në Krujë, në këtë qytet me nji popullsí qind për qind myslimane, e s’kishte nji mendim të mirë për bashkatdhetarët t’anë mohamedanë përgjithsisht. Un vetë edhe mâ zi se ai. Nji ditë i mbushet mêndja me shkue me e vizitue atë qytet, veç për kujtimin e Gjergj Kastrijotit. Të dy bashkë u hypim nji mëngjesi dy kualve shalet, nji rrogtar me vete e nisemi për Krujë. Mbërrîmë atje mbas dite vonë. Arqipeshkvi e un, dy priftën katholiq me nji shërbtuer, katholik edhe ai, në nji vênd thjesht mysliman. Mû në krye të pazarit ishte nji han. U zdrypëm kualvet aty edhe lypëm nji odë. Hanxhiu na prîni e na hypi për do shkallësh të çudiçme nalt në pod e na çeli nji odë. S’kishte asgjâ mbrênda posë nji hasre të vjetër shtruem. Pyetëm në kishte shtresa e mbulesa për të flêjtun. Hanxhiu, Senë Picorri, na përgjigjet: – Jo, Zotní, këtu s’ka kurrgjâ as për të ngrânë as për të flêjtun, veç po çoj e marr në shtëpí. Por këtu s’âsht vênd për Z, t’Uej, as mâ mirë me urdhnue në shtëpí t’eme? Qyrim shoshoqin me Arqipeshkvin e ky i përgjigjet hanxhiut bujar:- Jo. jo; faleminderës, na po bûjmë këtu e ti veç na bâ hall për haje e të shtruena… U hap zâni nëpër pazar se dy priftën kishin mbërrîmë në qytet e kishin ramë në hant. Nji zotní vjen e hyp ke na, ishte nji tregtar. Na përshëndet e na thotë:- Zotní, nuk besoj se keni ardhun këtu për me koritun Krujën. Këtu s’mbahet mênd me pasë ramë kush i përjashtëm ndonji herë në han. Urdhnoni në shtëpí t’eme, s’e kam fort larg pazarit, po rrijmë e bâjmë muhabet, po hamë e pijmë ç’të na ketë falë Zoti e ju po bâni rahat, se jeni edhe lodhun mbas gjith’asaj rruge të gjatë. Vijni prej Durrsi, në mos gabofsha… Ç’me bâmë? Arqipeshkvi ka ramë gjall’e ngusht. Bâni e i tha njânit jo e duhet me vijue n’atë fjalë edhe me tjerët. S’i a njohim as zakonet nji qyteti qi ishim tue pamë për herë të parë. Mbas pak kohe i a befti edhe nji zotní tjetër e edhe me atê kështu shkoi puna. Për mos me e zgjatun, kur mbërrîni darka neve na qe mbushun oda e hanit me dyshekë leshi e jorgana mëndafshi, çarçafë qi me marrë miza mjaltë në ta e mbandej gjellë si me pasë qênë ftue në darsëm! Veç pleshtat e hanit na mërzitën pak, por për tjetër s’po shkoj mâ gjatë mbi bujarín e qytetit t’ând, se s’përshkruhet. E po t’a pohoj se ka qênë bash nj’ajo rasë qi më ka çelë sŷt për me pamë e me besue se paskish për njmênd nji popull shqiptar me të gjitha vërtytet e moçme e jo vetëm myslimanë, katholiq e ortodoks qi flasin të njâjtën gjuhë pa mujtun me u marrë vesht shoq me shoq.”
***
Kruja asht e njohun si qytet bektashijsh. E vërteta âsht qi në krahasim bektashijt për numër janë pakicë në Krujë. Veçse mâ e shumta e parsís së qytetit i përkasin atij sekti. Prandej ky ushtron nji ndëkim të madh në gjithe popullsín si të qytetit si të katundevet, sado qi ndër katunde bektashijt janë fare të rrallë. Teqet e kleri bektashijan nderohen edhe prej pjesës synite, posë 3-4 vllaznive të njohuna e të dallueme për fanatizëm. Mue p.sh. ndonse im atë s’ishte bektashij, m’i ka marrë flokët Dervish Hysen Dollma e shkues në fejesën t’eme ka qênë Baba Haxhiu i teqes së khalifatit të Krujës. Kjo teqe âsht nji ndër mâ të rândsishmet qi ka ai sekt në Shqipní. Teqja gjindet në katundin e Fushës së Krujës, e mbajtun prej Babait e Dervishve të saj tradicjonalisht me kujdes të madh. Mikpritse për këdo, ka qênë gjithmonë vênd gostash me kurbana si Sarisalltiku për çdo kategorí të popullsís së qytetit e të rrethit të tij e tash vonë, qyshse ka fillue të punojë me lehtësí rrota e automobilit, edhe sŷnesë piknikësh intelektualë të Kryeqytetit.
Popull’i Krujës âsht shumë liberal, në kuptimin mâ të lavdrueshëm të ksaj fjale, e këtë liberalizëm e ka, posë karakterit të vet malsuer, për nji pjesë të madhe edhe prej bektashizmës.
Ashtu eshte siç thote zoteria, jane njerez shume te ndershem , te beses, paçka qe te rinjte e sotem mund te kene devijuar pak. Sa per femrat jane shume punetore e te pastra. Jane njerez liberale eshte e vertete. Une jam me prinder qytetar krutane, por e lindur ne Tirane. Jam mbi 70 sot. Mbaj mend qe burrat e grate hanin e pinin bashke, ruanin respektin per mikun dhe kishin mikpritjen.