Rruga e pazarit vijon mbandej drejt portës kryesore të kalás. Në të djathtë dahet nji rrêmb e varet teposhtë kah lagja e Kaváçajve e pak mâ poshtë kah ajo e Dedelijve; atje përpiqet me rrugën e vjetër të qiraxhijvet Krujë-Durrës e pa mbërrîmë në Ballefenaj (Ball Efendi) lëshon nji rrêmb tjetër në të mangjët për ke Zhillajt, Qoshelijt e Kuqnakët; mû nën Ballefendi shkon e mbaron ke përroi i Hóxhaje, ku piqet edhe me shtegun e përshkurtët të kâmbsorve qi zbresin prej pazari kah han’i Picorrit, per rrânxë të Nemazgjahut, të teqes së Shemsi-Babait e të Ballefendiut. Në të mângjët të këtij përroi piqet me rrugën e Subashit qi, tue lânë prap në të mângjët nji krue me të njâjtin emën e tue kapërcye përruen kalon kah Selimagajt; pret mâ poshtë edhe përruen e Deredés e piqet me sheshijollin [1] nën Dërshaban (Dervish Shaban) e lagjen e Dallakvet; po aty lên në të mângjët Sulhoxhajt. Në të djathtën e përroit të Hóxhajve, rruga qi zbret nga Kavaçajt piqet me atê të Deredés qi lên në të djathtën e vet Pengilajt e shkon me u bashkue me sheshijollin ke t’Aliut të Dylës, ku dahet trísh, në të mângjët për Dallakë, Dërshaban, Pengilajt e vjetër e teposhtë përmbi Allamanen t’onë e deri në Krastë; në të djathtë mban për Sutaj e në mest varet teposhtë me nji kalldrâm të vjetër kah Lisat e Çakallit, tue lânë menjiherë prap në të djathtën Ristamt; mbërrîn ke Bregu, lên në të mângjët rrugën e lagjes s’onë, Merlikajt, kalon nëpër Dy Çinarët – dy rrapa vigâna, Zoti e di sa shekujsh, në bestytnín popullore çerdhe xhindësh- e mbaron në Krastë me lagjen e kodrën e Barunvet në të djathtë.
Mbas Subashit, ke Selimagajt, dahet rruga e Sarxhës, në të mângjët, qi tue u përshkue fushës së Llakufes ( vakuf, vakf ) mbërrîn te kroi homonim e shkon ke Bardhajt aty afër në të mângjët dhe kah Emirajt drejt tatpjetë.
***
Ballefendiu âsht nji shênjt i fortë, jo veç për bektashijt e Krujës, por për të tânë Krutanët, posë atyne të pakve qi urrejnë bektashizmën e tjerve qi s’besojnë në shêjtnín e vorrevet. Janë dý vorre (merkate, në gjuhë të besimtarvet; merkad, arab. vênd ku flêhet), Ballefendiu me të birin. Ky i biri, mbas legjendës, paska qênë bâmë viktimë e drejtsís ekstreme të t’et. I tëmershëm Ballefendiu për drejtsí. I a paska pasë marrë shpirtin të birit – legjenda s’e shquen se në ç’mënyrë – për nji vesh rrush qi ky paska pasë këputun e ngrânë pa leje prej nji hardhije të huej. Nji nga mrekullít e tija qi rrëfehen âsht edhe ajo qi i ka dhânë emnin. S’më ka ramë me e ndie se si e quejshin deri në këtë mrekullí qi kallzojnë për tê. Nji ditë Shênjti paska pamë rrugës dikê me nji kafshë përpara të ngarkueme me dý bolira dhe e pyetka të zotin se ç’kishte në to. Bolirat ishin plot me venë. Por i zoti ka pasun marre me kallzue, mbasi vena për myslimanin âsht gjâ e ndalueme (haram ), e prandej i përgjigjet Shênjtit se ishte mjaltë (tyrq. ball.) Edhe Shênjti, qi, si shênjt qi ishte, e ka dijtun të vërtetën, i a kthyeka: ” Mjaltë (ball) pra t’u baftë!” Për njimênd kur çilka i zoti bolirat në shtëpí për me nxjerrë venën, në vênt të ksaj paska gjetun mjaltë”!
Askush s’din me na dëftye gjâ mbi origjinën e këtij shênjti.Shênjt bektashij, por kundra venës; mallkimin i a lëshon venës me nji frazë tyrqishte Ball ollsun! Dhe prandej i jet emni Ball-Efendi. I vetmi mandej ndër shênjtnit bektashijanë qi kam ndie me këtë titullin efendi.
E vërteta veç âsht qi ky shênjt nderohet e drohet fort në Krujë. N’emën e mbi vorr të tij bâhen bét mâ të rândat. Atij i kushtohen mbrênda në qytet mâ e shumta e kurbanavet për kushte të ndryshme, në teqe të tij shtrohen ma e shumta e drekavet prej qytetarvet në rasa të këtila.
***
Tash dalim e vazhdojmë rrugën e pazarit deri në kalá. Në të djathtë duhet të përshëndes nji herë ryzhdijen t’eme ngjitun me zyrën e postelegrafës s’asaj kohe. Përmbi këtê gjindet sod nji shkollë e re shqipe, mjaft e mirë, ndërtuem prej Shtetit shqiptar. Mbandej mbërrîjmë përpara portës së kalás. Atje përpiqen edhe dý rrugë tjera. Në të djathtën varet ajo e Mezinajvet qi shkon rrânxës së murit perëndimuer të kalás e deri në Meçaj; prej së mângjëtës vjen rrafsh përmbi pazar ajo e Kakulit, qi mû n’atë vênd ku merr kët’emën bashkon atê të Kasmajve (dmth të lagjes ekstreme rrânxës së malit në vazhdim të Varoshit kah juglindja) me atë të Berberajvet qi ngjitet përpjetë me nji prjerrje mjaft të fortë.
Kalaja e Krujës âsht nji shkamb i damë mbë vete në pjesën lindore te qytetit. Mbërrîn gati në nji naltsí me Varoshin. Rrafshina e saj ndjek topografín e përgjithëshme të qytetit, dmth. shkon tue u përvjerrë prej anës së malit kah ajo e fushës. Rreth’i murevet mund t’arrijë në nja l000 metra. Mbrênda në skanjin verijak të saj âsht kulla e sahatit të qytetit. Ky sahat dikur kishte pasun nji kumbonë të mrekullueshme. Por kumbim’i saj tepër i fortë, ndihej deri në Prez thojshin pleqt, e për këtë shkak e paskan pasë hjekun e zvëndsue me nji mâ të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Edhe kjo ndihej mjaft mirë në qytet, së paku deri në Merlikaj po. Ajo e vjetra pushonte për tokë mbrênda në kullë. Dikur i paska ramë në sŷ nji eksperti të huej, nji Austrijaku, s’kam mundun t’a marr vesht a ndonji konsulli apo ndonji turisti. Sigurisht vlerë artistike ka pasun, por ndoshta edhe historike. E kush din me t’a kallzue? Fakti âsht ky, qi nji ditë prej ditsh ajo kumbonë zhduket e askush nuk din t’a qarojë me detaje të sigurta atë mister. Mâ vonë, shumë mâ vonë. kur ishem burrnue e kishem fillue t’interesohem për gjâna historike të vêndit, më pat ramë me e marrë vesht se si ishte zhdukun kumbona e vjetër e sahatit t’onë. Nji patrijot shqiptar banues në Durrës e nji Krutan, të ngarkuem pa dyshim prej konsullit austrijak t’asaj kohe në Durrës (kah fund’i shekullit të kaluem a kah fillim’i këtij), kanë gjetun mënyrën me e bartun e ngarkuem mbë ndonji vapor t’Austrís. M’a ka pasë diftue nji bashkqytetar i im tue më sigurue se e kishte ndie prej vetë gojës së protagonistit krutan, Ibrahim Kaloshit, të ksaj ndërmarrjeje. Këtê e paska pasë sigurue miku i Durrsit qi kur të dalë Shqipnija mbë vete ajo kumbonë do t’i kthehej Shtetit shqiptar. Deri sa ajo ishte gjâ Tyrku e Austrija nji Fuqí e madhe qi përkrahte idén e pavarsís s’onë, ata e quejshin veprën e tyne nji akt miqsije për atë Pushtet e pa kurrnji dâm kundra atdheut të vet. E me të vërtetë i kam njohun fare mirë të dy si ndër patrijotët mâ të vjetër e mâ të kulluet qi ka pasun Shqipnija.
Mbrênda në kalá s’ka kurrgjâ të vjetër me nji vlerë historike: muret, bedenat, gërmadhat e nji hamami (banjë tyrqishte), nji xhamí, sod e papërdorun e me minare të shêmbun, nji tyrbe e Dollmajvet, vorret e Toptanvet. Do të kishte pasun nji vlerë saraji, sidomos arqitektore, shtëpija e Toptanvet, qi mâ vonë, mbas shpërnguljes edhe të degës së fundit të tyne me Ismail beun prej Kruje në Tiranë, kishte përmbledhun mbrênda gjithë zyrat qeveritare të nënprefekturës. Por edhe ai u la në rrenim, s’i ra kush mbrapa. Âmza (zyra e shtetit civil) e Krujës e dán qytetin në dý pjesë kryesore: Kalá e Varosh, tue përfshimë nën secilin nga këta dy emna shumë lagje të ndryshme. Zakon i vjetër, mesjetuer, kur gjithë banorët e qytetit banojshin mbrênda murevet të kalás e mâ vonë kur popullsija u shtue u krijuen banesa edhe përjashta e kjo pjesë e qytetit muer në Shqipní emnin slav varosh. Kalaja e Krujës vetë përmban në të vërtetë nji lagje të vogël banorësh, si gati të gjitha lagjet e qytetit t’onë. Por ata janë për njimênd banorët mâ të privilegjuem të këtij qyteti. Rrethpamjen mâ të gjânën, panoramën mâ të mrekullueshmen përpara sŷve të tyne, pa pasun nevojë të lodhen, shpesh herë drejtpërdrejt prej dritores së shtëpís mbrênda në nji qytet, veç ata e kanë, e në të tânë botën ndoshta. Âsht kjo rrethpamje, kjo panoramë e pashoqe për nji qytet qi e bân Krujën nji ndër vêndet mâ të bukurat të botës, siç e ka pohue, ndër shumë vizitorë të huej qi e kanë pamë, gazetar’i madh zvicran Wiljam Martin-i Prej asnji pike shikimi tjetër të qytetit s’e ka njeriu para sŷsh nji pamje aqë jashtazakonisht të bukur. Aty nji ashik i natyrës nuk mundet mos me e humbun veten. Në nji krah, mali; shkâmb kolos, masiv, madhështuer, kërcnues, aty për brinjë; me t’u bâmë sikur të tânë vigâjt e mitologjís janë shkrîmë bashkë n’atë gur të gjallë për me përgjue mbi fatin e Shqipnís. Poshtë, shtrîmë në prêhën të tij, qyteti; nji amfithjatër pa masë, me kullat e bardha hallakatun ndër grupe të vogla ase mbë vete, mbë faqe ase mbi kurriz kodrash, disa me shpinë kah mali e sŷt drejtuem andej larg deri ke brigjet e detit, do tjera ijën kah mali e faqen kah shoqet e veta, siç e kanë lypun kapricet topografike të vêndit, fytyrat e tyne të fshehuna pjesrisht nëpër degat e ullîjvet si faqe të njoma vashash me flokët e mëndafshët të derdhun përpara. Ma përtej Krasta, pararoja strategjike e qytetit, me shkrepat e këlqertë të saj, minjerë e Krujës së vorfën, aty-këtu mbjellë me kumí këlqerje qi buçasin tym e flakë shkurresh. Dikur kjo ka qênë krejt e veshun me shkozë, shqopë e dushk qi ushqejshin tufa dhísh dhe mbajshin qytetin me drú; mbandej nevoja e këlqeres për ditë mâ e madhe për vêndin e për qytetet e Durrsit e Tiranës e xhveshi gati krejt. Kur punim’i linjitit, qi duket se s’mungon në tokën t’onë, ka për t’u zhvillue si duhet e kumít e këlqeres do të fillojnë me punue me tê në forma modeme, atëherë Kruja ka me pasun nji fat ekonomik mâ të mirë, Krastën e vet prap të veshun, të gjelbër e të bukur edhe atê. Ku mbaron Krasta fillon fusha e Krujës. Nji katund i ksaj fushe ka monopolizue në gjuhën e vêndit kët’emën, quhet ai Fusha e Krús. Por në të vërtetë kjo fushë shtrihet për së gjati qyshë prej Ujit të Matës me Milot, Gurëz e breg deti deri në lum të Tërkuzit ku bashkohet me fushën e Tiranës; e për së gjâni ke merr fund Krasta e deri në lumë t’Ishmit e të Gjoles tue u kapun me fushën e Prezës. Soditsi i kalás së Krujës të tânë këtë panoramë, qyshë prej vetullës së Sarisalltikut, 500 metra mbi tê, e deri në buzë t’Adrijatikut me kodrat gjelbrore të gjithë atyne fushave, me amajë e livadhe, me dushknajë e zabele, me lumna e shena t’argjêntë qi gjarpnojnë nëpër to, me kullat e bardha të mbjella nga pak kudo, me malthin e Ishmit e kalán e Prezës dhe tutje deri në limanin e Durrsit e në qytetin e Tiranës, krejt e ka para sŷve të këndellun të tij.
Por Krutani këtë thesar shpirtnuer qi i ka falë natyra në shtëpí të vet, nuk e çmon. Atij, si gjâ e përditshme qi âsht, i u ka bâmë kjo nji gjâ e zakonshme. Âsht i përjashtmi qi i a ndien shijen e qi, t’i a ndiemen nji herë, s’ka për t’a harrue mâ në të tânë jetën e tij. Edhe ky veç, po vojt deri në qytet eia përtoi me bâmë edhe ato 500 metra tërmale për me dalë deri në Sarisalltik, ka me mbetun si ai peregrini qi ka vizitue Vêndet e Shênjta e âsht kthye pa pamë vorrin e Krishtit në Jerusalem ase Gurin e Zi në Mekë. E dij, kush shkon me vizitue Krujën, për gjâ të shênjtë kishte me kërkue atje, në mos vorrin, qi mjerisht s’asht mâ kurrkund, as në Lesh ku ka qênë, nemose nji kujtim ç’faret do të Fatosit me të cilin lidhet ngusht emn’i atij qyteti qe pesë shekuj e këndej. Por kot, kujtime t’atila s’ka për të gjetun, posë kalás, e cila, as ajo s’paraqet mâ fisjonomín e kohës së Kastrijotvet e t’Uranit. As qi po e kam ndër mênd këtu un me i krahashue vizitorit të Krujës Shênjtin Sarisalltik të bektashijvet me Jezu Krishtin e gjithë botës së krishtenë ase me Profetin Isá dhe Gurin e Zi të qabes së botës mohamedane. Sarisalltiku i gjorë s’ka kso pretendimesh. Por nj’ashtu sikur peregrini qi shkon në Jerusalem e ai qi ve në Mekë nuk mund t’a quej detyrën e tij fetare të kryeme e as shpirtin e tij të kënaqun deri sa s’ka pamë edhe atë gjâ të shênjtë kryesore, po ashtu as turisti i Krujës, pa dalë edhe në majë t’atij mali, të cilin vêndi e thërret edhe me emnin e shênjtit qi ka lanë atje kujtimet e veta, s’e ka mbarue qëllimin turistik dhe në shpirtin e vet, pa dijtun, ka lânë nji gjymtí të paplotsueshme. Me nji mundim të vogël, nji hypje asaj faqje mali nji oret, të shumën dý për pa i u marrë fryma asnji herë, ai do të kishte para sŷve të tij panoramën mâ madhështore qi mund t’i paraqitet nji njeriu në jetën e vet: prej maleve të Leshës e deri ke Baba-Tomorri në nji të përfshime sŷni me gjithë ç’mban kjo mbrênda, tokë e det. Qytet’i Krujës, qi pa dyshim ka për t’u bëmë nji ditë qêndra turistike mâ e rândsishmja në Shqipnín t’onë, qán për nji teleferikë me majën e malit të vet. Kjo âsht e nevojshme sidomos për sedentarë shum’a pak si un, qi u pëlqen me këndellë sŷt, por pa i mundue shumë kâmbët. Më bie ndër mênd kur qeshë ngjitun nji herë deri në qafë të Jungfrau-t me hekurudhën e posaçme t’atij mali për me pamë akullinën e famshme nën tê. Mbandej i shkrova nji letër Dom Lazër Shantojës, të cilit veç artevet i pëlqente edhe turizma e alpinizma. M’u përgjegj: ” Mos të qofsha falë pse ke hypun në 3500 metra…me tren. A je i zoti me u ngjitun kâmbë si un?”
Naltsija 1100 metrash dhe afrija me qytetin do t’a kishin bâmë malin e Krujës nji vênd verimi të çëmueshëm. Por mjerisht i mungojnë gjâna tjera shumë mâ të rândsishme për këtë shërbim. Mali ka trajtën e nji piramidi katërfaqsh të premë rregullisht me kryenajë rrafshore. Prandej të gjitha emnat, nga çdo anë qi të frŷjnë, atje janë në shtëpí të vet. Mâ e shuma e sipërfaqes së kryenajës âsht fushë pa drûj, veç nji pjese t’anvet të veriut e të verilindjes. Në këto anë ka ah. Ujë n’atë mal ka fare pak, vetëm nji krue “ke Lugjt” pak pa mbërrîmë në buzët. I thonë “ke Lugjt”, se atje gjinden dy lugj të gjatë drûni për të pimë ujë gomarët qi bajnë drú e patavra sidhe disa qind krenë dele qi dalin verës n’atë bjeshkë.
Heret, due me thânë në djalní t’eme, deri qi s’pat fillue vargu i papremë i mjerimeve të vêndit t’onë fatkeq me luftat ballkanike e, në daçim, me pavarsín’e tij qi do t’i sillte lumtunín, mund të them se s’ka pasun familje krutane – pa përjashtue edhe shumë katundarë – qi s’dilte n’atë mal për nji piknik në nji ditë vere të çdo vjete. Çilej stina ditën e Shën Gjergjit.Burra, grá, kalamâj shum’a pak të mbërrîshëm, kapshin përpjetën varg e varg, heret për me sosun në majë pa u shtrîmë dielli faqes së malit. E shumta e burravet ishin t’armatosun,simbas zakonit, edhe argtimi mâ i madhi i tyne ishte me shtimë mbë nishan (qitja në shênj). U ngrihshin tre a katër shênje në largsí të ndryshme, u dajshin burrat grupe-grupe, fillonte qitja, u gjuejshin shênjet nji herë, u ngrihshin prap e për së
dyti e për së treti deri sa të gjithë vizitorët e Sarisalltikut t’a ndiejshin veten të nginjun me kët’argtim. Mbrapa shetina, lojna të ndryshme, kângë burrash e grásh. Mâ në fund burrat i a nisshin pijes, prap me kângë e muhabet, grupe -grupe e u përgatitshin për drekë. Mbas dreke pushim, gjumë deri qi t’u kthiellojshin kokat e turbullueme nga rakija, e rrushit ase e detit (mastika); q’atje së voni edhe nji herë qitje në shênj e nja nji orë a dý para se të ngrysej u niste gjindja për kthim, tufë-tufë, ku tue këndue e ku tue shtimë ase të dyja bashkë.
Stina e vizitave në Sarisalltik, e fillueme kështu ditën e Shën Gjergjit si nji peregrinim i përgjithshëm, vazhdonte deri në funt të gushtit. Por andej e mbrapa në nji tjetër formë. Dikuj i âsht shfaqun n’ândërr detyrimi me i kushtue nji kurban atij shênjti, dikush e ka pasë bâmë vetë këtë kusht si nji falënderim për nji të mirë, për nji gzim qi e ka gjetun, tjetri vetëm pse i asht tekun me gzue veten, familjen edhe nji palë dashamirë të tij qi i pëlqente me ftue, gati për ditë bahej nji gostë, mâ të shumtën për drekë, por shpesh edhe për darkë, me nji, dy a tre desh për kurbana atje nën hijen e Sarisalltikut. Lëkurat e kurbanavet i jitshin falë teqes, dmth. dervishit qi e ruente. Teqja kishte gjelltoren e enët qi duheshin për të gatue e për të hângër. Por s’ishin vetëm lëkurat e kurbanavet qi fitonte dervishi nga vizitat; shumë vizitorë i falshin edhe të holla. Për vizitorët qi flêjshin atje, Sarialltiku ka edhe dý konaqe, nji me nja 4-5 oda edhe nji tjetër këtê shi në buzë të malit, me nji odë të vetme, por të madhe. Të gjitha natyrisht përdhesa. Kështu, madje, edhe herë mbas here era s’e lên pa u a zbulue pullazin. Në qoftë se ai pullaz qi çon peshë era ka qênë ndërtue me bâmirsí të dikuj, popull’i Krujës e përfol sikur bâmirsi i ka pasun ato pare haram e se prandej Shênjti Sarisalltik, qi s’e duron haramin, ka çue erën me e hjedhun poshtë.
Âsht interesante gojdhâna e këtij shênjti. Pikë së pari âsht rasa me shënue se në qoftë qi ka eksistue njimênd ndonji herë moti nji njeri i përshpirtshëm n’atë majë mali, duhet të ketë qênë nji eremit. Vênd’i tij atje nalt âsht nji shpellë. Zdrypet nja tri metra thellë e aty nji bërryl i ksaj shpelle âsht damë me mur, si nji sacrarium i shênjtit. Hŷhet mbrênda prej nji dere të vogël. Në fund nji presë me dërrasa, mbrapa së cilës duket se do të jetë nji greminë. Kurrgjâ s”ka në këtê qelzë shkâmbi veç nji kutije drûni, ku të devotshmit qi hŷjnë atje për me i u fale shênjtit hjedhin nga nji pare. Këta i a nisin qyshë prej prakut të derës me nderue e lutun shênjtin aty, me zâ t’ulët vetë me vete e tue puthun muret e shpellës.
Nja dý metra mâ poshtë ka nji shtresë dërrasash në nji anë, mbuluem me nji hasër, ku mund t’ulen nja dhetë vetë rreth e për qark n’atë fresk shpelle. Dritë ka mjaft, se gryka e shpellës âsht e gjânë. Zbresim tekembramja edhe nja dhetë metra mâ poshtë, nji palë shkallve gurit, ndërtuem fare në rregull me nji prjerrje normale, edhe mbërrîjmë në nji krue me çep të mbyllun e me nji lug guri nën tê. Pijmë ujë. E ç’farë uji! Aq’i ftohët, sa âsht gati e pamundun me e mbarue nji gotë të tânë në nji hov. Mbas murit të kroit ka nji “depozitë”, qi nuk dij a âsht e natyrshme apo e ndërtueme. Përmbi tê qëndron nji “gur rrumbullak” si nji bullungë e tavanit të shpellës. Prej këtij guri pikon në depozitët ata ujë. S’i kam pamë me sŷ as depozitën as gurin rrumbullak, por m’i kanë thânë. Pikat qi gjerbojnë e bien në hurdhët ndihen fare kthiellët. Guri rrumbullak, po s’e muerëm shkrolarisht kët’epithetë, ka gjasë të jetë nji stalaktite.
Kjo, shpella e Sarisalltikut: Tash legjenda na e tregon këtë shênjt për Shën Spiridjonin, qi e ka kufomën “të pacenueme” në Qerfos (Korfuz). Qi nji shênjt bektashijan t’identifikohet prej bektashijve vetë me nji shênjt të krishtenë s’asht aspak çudí për kê ka pasun rasë me ndëgjue, si un, disa ndërpretime interesante prej gojes së fetarve bektashjanë në këtë kuptim. Bie fjala H.T. Ahme Sirri Dedeja, kryegjysh i bektashijve të botës e i teqes bektashijane të Kajros, më ka lânë nji ditë me gojë hapët ndaj spjegimet e tija kso dore, si p.sh. mbi identifikimin e Aliut, të katërtit Khalife t’Islamit, me Shën Llín (Sh.Ilia) e mbi sa tjerë kështu. S’kanë asnji randsí, simbas ndërpretimit të H.T., datat historike të jetës së njânit e të tjetrit shênjt t’identifikuem me shoshoqin. Âsht shpirti i atij mâ të lashtit qi ka lemë përsrí me trupin e mâ të vonshmit.
Por si fluturoi e duel ky shênjt prej majës së malit të Krujës deri në Qerfos? Legjenda e përshkruen sikur ai ka qênë i mbësŷmë atje prej kulshedrës e mbas nji luftimi të rreptë me tê s’i ka pamë shteg tjetër vetes veçse me ikun e me kërkue nji strehë mâ të sigurtë. Edhe këtê e ka gjetun në Qerfos. Tue fillue prej të Letit, në buzë të Krastës gjatë xhades Krujë-Durrës e Tiranë ku sod gjinden vorrezët e Merlikajve, deri afër kroit të Fokës, ke bie në fushë, heret ka qênë nji kalldrâm qi i thojshin Kalldrâm’i Qerres, Në gjymsë të këtij kalldrâmi ka qênë (ka mot qi s’kam kalue mâ andej) nji kolibë qi quhej teqja e Gjurmës së Shajnit (Shênjtit). Nji përdhesë e shtrueme me harasan qi në mest kishte nji gropë në formë të nji gjurme njeriu e pranë saj nji birë të vogël: gjurma e kâmbës së Shênjtit Sarisalltik dhe për brinjë ajo e shkopit të tij qi ka lânë tue ikun prej kulshedrës. Që prej malit të Krujës e deri atje në gjymsët të Krastës, pak me thânë nja dý mijë metra në vijë ajrore, Shênjti Sarisalltik ka kërcye me nji hapë të vetme. E tash shpejt po shohim mrekullí edhe mâ të madhe kso dore. Pak përmbi atë gjurmë anës së kalldrâmit gjinden dy gurë të ngulun në tokë e krejt në trajtë konike, njâni pak mâ i madh se tjetri. Populli, tue folë për atë vênd, thotë “ke Pilafët”. Ky emën âsht fare normal, pse njimênd ajo âsht forma e atyne dy gurve. Por bukurija e legjendës âsht kjo, qi mâ të madhin e atyne dy gurve, i cili âsht pakëz i cenuem nga fundi, na e tregon për pilaf gruni e mâ të voglin orizi, e Sarisalltiku, i untuem mbas gjith’asaj lufte me kulshedrën, ka dashun të hajë, ka fillue me nji lugë grunë- lugën sigurisht shênjti e kish marrë me vete në xhep- e mbasi i a ka mbërrîmë kulshedra tue i u turrë mbrapa, i u ka dashun të kaptojë e pilafët atëherë janë bâmë gurë. Për çudí, veç, gjurma e shênjtit âsht disa qind metra larg pilafëvet e âsht gjurma e parë dhe e vetmja qi ai ka lânë në tokë tue ikun, sepse prej andej me hapën e dytë ka fluturue e ramë fill në Qerfos!
Edhe nji shênj tjetër na ka lânë Shênjti Sarisalltik në mal të Krujës. E ky âsht mjaft i dashun, i kândshëm: nji lulez e bardhë qi i gján shumë asaj së deles, margaritës, por ma e vocërr se ajo e me erë të mirë. Popull’i Krujës e quen shallnesh (Shën Llesh) edhe beson qi ka bîmë prej pikave të djersës së Sarisalltikut kur ky po luftonte me kulshedrën e po ikte prej saj. Logjikisht ajo lule duhej të merrte emnin e Shën Spiridjonit, mbasi Sarisalltiku âsht ky vetë, e jo atê të nji shênjti tjetër. Por mâ edhe logjika e emnimit të lules s’ka si me qênë tjetër veçse nji pjesë e gjithë logjikës së ksaj legjende. Kjo lule n’asnji vênd tjetër të Krujës nuk gjindet posë malit. Ậsht vallë nji lule e rrallë, vetëm e malit të Krujës? Nuk dij, s’kam fé pjese në botanikë.
[1] Tyrq. Shosé jollu, nga fr. chaussée dhe joll = rrugë
Komentet