KUR NJERIU SHKON LARG NË ËNDRRA
Kur njeriu shkon larg në ëndrra
U ngjan avionëve që s`i kapin radarët,
Atë e gënjejnë hapësira të pafundme
Plagë metaforfozash të çara.
Kur njeriu mbjell ëndrrën kot,
Ngaqë e do, ngaqë s`mundet
Mos e mbjellë. Me penela të gishtave
Pikturon fytyrën e vet
Çfarë tek ajo s`i pëlqen…
Kur njeriu shkon larg në ëndrra
Rri pak çaste pezull. Pastaj bie.
Si asteroid i shuar
Duke hapur gropa
Si të ishin prej mijëra vitesh….
KATEDRALE
Në ëndërr ngre një katedrale
Vijëzime, heshta, ulluqe, gorgola,
Mistika e saj, përzierje e madhe
Ecën po mistershëm me artin gotik.
Për t`ia kundërvënë modernitetit të sotëm
Vijave të drejta pa lakim
Që të fusin në lak…
LUMI
Në deltën e vet, lumi shpërndahet
Damarë
Damarë…
Nën pushtimin e tij toka mardhet
Asaj
S`i mbillet asnjë farë.
Gjithë ato skërka malesh që kaloi
Për këmbë qytetesh që lau
Të mbyturit që hodhën brengën në të
Për gjithçka,
Për gjithçka
Ai hapi gojën e vet
Detit t`i rrëfejë…
BESIMI
Nisem për udhë të gjatë-e di ku do shkoj-
Në një mbërritje.Papritur.Pa njerëz.
Të cilët do të mblidhen
Sapo atje të mbërrij unë…
DETI
Deti ende kumbon në veshët e mi
Me llahtarë humnerash sipër valësh.
Brafullin gjaku i tij prej deti
Rëndësia e parëndësishme e algave.
Hapësirat dridhen mbi të
Për ngjashmëritë boshe.
Për dyluftimin e kotësisë së madhërishme
Deti kumbon. Hidhen retë si pupla
Në gënjeshtra pulëbardhash.
Të gjitha t`i mbaj det.
Si kumbim.
E më shumë t`i sjell ndërmend
Në udhëtim….
RENDJE
Gjithçka rri. Është në kërkim
Të gjërave të bukura.Një fjalë
Që rend.Për t`u bërë poezi.
Ngaqë s`bëhet.Zhduket.
Drejt njëri-tjetrit ecin njerëzit
Të mbushen me njerëz.Drejt.
Tek-tuk ngushtojnë një kthesë.
Ndalen,duan të rrinë.Të mendojnë
Rrugën e gabuar
E cila u humbi në një puthje.
Nga një mëkatnim i ëmbël
Që pa dashur zhvendosi tjetër gjë.
Dhe hijet tona mbeten
Urna të shuara të një zjarri
Që s`ndizet më….
TURPI
Anipse e di se terri nuk thotë gjë
Veçse boshësinë brenda mba
Sytë shtrëngoj me gishta
Territ sa të mundem me i ngja…
Më pëlqen se ai fsheh
Turpin e kësaj bote të mbrapshtë
Dritës ,s`pranon,t`ia dorëzojë
Aspak…
Ky turp vërtitet pandalur
Në rravgime të ngathta pa ngjyrim,
Dhe terrin mban të vetmen rrobë
Ndryshe pa të,dielli i zjarrtë i Nderit e shkrin…
THEKSIM
Një mijë theksa mbi një mijë fjalë
Vura mbi vargun trokaik
Rëndesa e tij u shpall
Mbi supe imazhesh rëndoi pa teprim,
Një mijë theksa si një mijë fshikuj
Ranë mbi fjalë të vjetra,
Si mbi gur e gur ra shiu
Mbi mure mjegulla…
Veç mendimin më të mirë s`munda
Aspak ta theksoj
Rëndesa mbi të rri në ajër
S`ka kush ta peshojë…
KUKULLA
Kur isha fëmijë, unë nuk e dija.
Se njerëzit ishin
Kukulla. Atëhere kukulla s`kishte
Pragu i varfërisë vinte
Gjer te buka.
Më vonë u rrita.P ashë fëmijë
Me kukulla plot
Më dukeshin si njerëzit
Madje më të sinqerta
Më të pafajshme.
E tash këtë paradoks
E shoh me një tërsëllimë
Të sertë. Duke u bërë kukull
Nganjëherë. Edhe vetë.
Ai cak, fëmijërinë, kur nuk e dija
Çdo të thotë kukull.
Ma bën më të hidhur
Më të bukur…
ZHVESHJE
Do të zhvesh si një kalli
Në rrezet e diellit në mëngjes
Kokrrën për bluarje në mulli
Nuk do ta nis.
Në mulli të kohës, të dy
Le të bluhemi dalëngadalë,
Gjersa të futemi në një sy
Kujtese valë valë…
ÇASTI I PARË
Nyjëtim i sendeve- lak i hapur-
ku mund të kërcesh pupthi,
me litar të hollë imagjinate
në vegime ëndrrash strukur.
Ca kohë, një gjë të tillë
Mendoj si vlerë kërkimi,
Dhe sa nisem drejt saj
Sendi humbet në ethe zhvlerësimi…
E panjohua e njohur bëhet
Si darkë e zakonshme në tavolinë
Veçse diçka më s`përftohet
Çasti i parë kur shfaqa habinë….
PENDIMI
Ti tërhiqesh drejt fundit që s`e di
Për të mos më folur kurrë
Unë përherë vij te ti
Ti ik e ik si një furtunë…
Papritur,në mes të rrugës
E lodhur, bën një pushim,
Midis fillimit dhe fundit
Rrugën mat. Statujë që ngrin.
Dhe unë pas teje vij e vij
Të kap në rend si i marrë,
Kjo fryma ime do ta shkrijë
Pendimin si stuhi pa dallgë…
ANIJE TË VOGLA
Anije të vogla të detit të madh
Rrinë mbi të drejtuara
Anije të vogla.
Në syprinën e tij lozin
Në mëshirë valësh ledhatare
Si të kenë harruar horizontet
Anijet mëkatare.
Kurriz i detit përkëdhelet
Nga pickimet e tyre të ëmbla
Për një çast ndërmendet
Gishtin vë në tëmtha
Poseidoni.
Dhe ngre sfurkun e trazon
Tërbimin ngre nga fundi
Gjer në lartësi…
Çuditërisht, anijet s`ikin
Mbeten sërish aty,
Ndoshta Poseidoni do përkëdhelje
Gjigandi është lodhur në stuhi…
LULJA E MARDHUR
Poeti pajiset me mirësi nga dashuri e vet
Dashurinë zoti ia dha me dekret.
Dhe ai e shpall çdo ditë mbi tokë
Si zjarr që djeg kandrra e mikrobë.
Poeti pajiset me mirësi, dlirësi, vullnet
I përkushtuar, asket.
I dashurisë-asket i vrullit të ndalur..
Kur dashuria e tij duhet të shkrijë
Lulen e Mardhur…
PA U NDJERË
Sytë e pemës sythe- sythe
Nguliten në degë, belbëzojnë
Në ethe shpërthimi për gjethe
Drithmojnë…
Kur gjethet, në vend të tyre,
Do rrinë si llapushë të mjerë,
Do na kujtohen ato sy
Sythet në shpërthim pa u ndjerë…
BUKURITË E LËVIZJES
Bukuritë e lëvizjes ecin.Drejt pikave që presin
Të strehohen.Si çarqe që marrin peng.
Këmbët e dhelprës.
Tablotë e tyre janë të pafajshme.Si pafajësi e qiellit.
Në një rrjetë vetëtimash.
E pamundur t`i vizatosh ato.
Në një përfytyrim të plotë.
Një lëvizje tjetrën shuan;tjetra tjetrën rrit.
Në grafikë thellësish.
Shënuar me gëzime,lot ,psherëtima.
Bukuritë e lëvizjes zgjasin
Sa zgjat vetëtima…
UTURIMA
Pa këngën e zogjve erdh kjo pranverë
Që gënjen me lulet, barin jeshil,
Me borën që shkrin pa u ndjerë
I mbush përrenjtë dhe uturin.
Uturima e butë shkrin
Lëkurën e dimrit mbi gur
Me krenari lulet kokën ngrenë
Hapësira dridhet si kurm…
Që fërgëllon në limfë të zjarrtë
Poreshkrirë, belbëzitur
Dhe zogjtë vështrojnë nga lart
Pranverën, sofër e uritur…
Komentet