VOAL

VOAL

Avokatit të presidentit, Giuliani, i kërkohet të dorëzojë dokumente

October 1, 2019

Komentet

Ivana Stradner: Kjo është lojë Rusi-Vuçiç-Orban

Ekspertja e Ballkanit Ivana Stradner ne rrjetin social X si me poshte:

“Vuçiç ankohet për sanksionet e SHBA-së mbi gazin rus në Serbi dhe nuk mori licencë të posaçme për të vazhduar funksionimin e NIS.

Orban po qan në Uashington dhe Moskë që MOL i Hungarisë të blejë një aksion në NIS… kjo është lojë Rusi-Vuçiç-Orban.

Ndërkohë, kushdo që beson se Vuçiç do ta shtetëzojë NIS duhet të kujtojë takimin e tij me Rogozin dhe eksperimentin e qenve të Rusisë kur ata po zhytnin një qen në një rezervuar me lëng.

Kjo ju tregon gjithçka që duhet të dini për lojërat e KGB-së.

Por Vuçiç nuk është viktimë e Rusisë… ai ka qenë në pushtet për më shumë se një dekadë duke hipur mbi polarizimin dhe lojërat e tij duke u ulur në dy karrige kanë mbaruar.

Në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve administratës Trump i kërkohet të angazhohet më shumë në Ballkan

Radio Evropa e Lirë

Pjesëmarrës në diskutimet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump të angazhohet më shumë në Ballkanin Perëndimor, për ta stabilizuar rajonin, duke vlerësuar se Rusia, përmes Serbisë, është faktori kryesor për destabilizim.

Duke hapur seancën dëgjimore të martën vonë, kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”.

Marrëdhëniet e pazgjidhura të Serbisë me Kosovën janë një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale, çka më tej i mundëson Rusisë ta minojë Bashkimin Evropian dhe aftësinë e NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit, tha Self.

Përkeqësimi i situatës në Bosnje e Hercegovinë ka çuar, sipas tij, në “rritje të madhe të përdorimit të kompetencave juridikisht të diskutueshme” të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Në rast konflikti, aleatët e NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – do të jenë drejtpërdrejt në shënjestër, gjë që mund të çojë në aktivizimin potencial të nenit 5 të Aleancës, tha Self, duke shtuar se aleatët e NATO-s në Ballkan duhet të ndërtojnë së bashku pengesë politike dhe ushtarake, por se Kosova do të jetë veçanërisht e ekspozuar për shkak se nuk është pjesë e aleancës perëndimore.

Kundërshtarët e SHBA-së po i shfrytëzojnë aktivisht dobësitë për të zhvilluar luftë hibride që rrit paqëndrueshmërinë në rajon, tha Self, duke nënvizuar se Kina po e përdor ndikimin e saj duke kryer stërvitje ushtarake dhe duke dërguar armë në Serbi.

Përveç kësaj, shtoi ai, Kina po nënshkruan marrëveshje ekonomike në të gjithë rajonin me synimin e ruajtjes së aparatit të saj keqdashës dhe shfrytëzimit të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.

Rusia gjithashtu ndikon në rritjen e tensioneve në Bosnje, në Republikën Sërpska dhe në Serbi, theksoi Self, duke vënë në pah se ish-presidenti i entitetit serb në Bosnje, Millorad Dodik, po vazhdon të përdorë kapitalin e tij politik për ta kontrolluar Republikën Sërpska dhe për të vepruar në interes të Rusisë duke kërcënuar me ndarjen e saj nga Bosnja.

Nga ana tjetër, sipas tij, Serbia, pavarësisht dërgimit indirekt të armëve në Ukrainë, ka gjithashtu lidhje mbrojtëse me Rusinë dhe Kinën, dhe promovon propagandën kineze dhe ruse. Ai vuri në dukje se për të përfunduar ndikimin politik të Moskës, duhet trajtuar çështja e varësisë së Serbisë nga energjia ruse.

Pavarësisht këtyre sfidave, ende ekzistojnë mundësi për përmirësimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, dhe lidershipi amerikan duhet të ketë rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe parandalimin e rikthimit të konflikteve, tha Self, duke përshëndetur administratën Trump për riangazhimin në këtë, siç e quajti ai, “rajon shpesh të neglizhuar”.

William R. Keating, anëtari me rang më të lartë demokrat në Nënkomitet, shprehu bindjen se SHBA duhet të vazhdojë të mbështesë të ardhmen e Bosnjës, përfshirë Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR).

Ai kritikoi administratën Trump për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët, siç tha ai, kanë treguar pak gatishmëri për të ndryshuar sjelljen në Republikën Sërpska.

Duke theksuar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për vite ka minuar sundimin e ligjit dhe ka forcuar lidhjet e Serbisë me Kinën dhe Rusinë, ai i bëri thirrje sekretarit të Shtetit Marco Rubio të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Serbi, si dhe t’i bëjë të qartë Beogradit se forcimi i lidhjeve me Moskën dhe Pekinin nuk është i përputhshëm me synimin e deklaruar për t’u integruar në komunitetin transatlantik.

Ai u shpreh i bindur se një angazhim më i madh amerikan në Ballkan do ta afronte rajonin me anëtarësimin në BE dhe i bëri thirrje administratës Trump të sigurojë aleatët dhe partnerët në rajon se SHBA do të vazhdojë të jetë e angazhuar dhe e përkushtuar ndaj së ardhmes së tij.

Max Primorac, hulumtues në Qendrën për Liri Margaret Thatcher pranë Fondacionit konservator Heritage, vlerësoi se “Ballkani nuk është në gjendje të mirë” dhe shtoi se “Bosnja është një shtet i dështuar” 30 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit për paqe dhe miliardave të shpenzuara në ndihmë nga SHBA-ja.

Ai tha se Bosnja është “në krizë të përhershme” dhe se është koha të përfundojë “dështimi katastrofik i ndërtimit të shtetit”, duke theksuar se sovraniteti i vendit duhet të rivendoset duke mbyllur Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë “që shkarkon liderë të zgjedhur, vendos veto mbi ligjet dhe ndalon këdo që nuk i pëlqen”.

Departamenti i Shtetit duhet të ndalojë përpjekjen për të krijuar një shtet të centralizuar të dominuar nga myslimanët, gjë që shkel garancinë e Dejtonit për barazinë e tre popujve dhe shtyn serbët drejt shkëputjes, tha Primorac, duke shtuar se kroatët vuajnë diskriminim të madh brenda komunitetit më të madh mysliman dhe se u mohohet e drejta për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre.

“Megjithatë, rajoni nuk do të stabilizohet derisa Serbia të normalizohet”, theksoi Primorac, duke vlerësuar se udhëheqësit serbë “mbeten të lidhur me agjendën prorusë që nxit destabilitet” në vendet fqinje, veçanërisht në Kosovë dhe Mal të Zi, dhe u jep mundësi Moskës, Pekinit dhe Teheranit të minojnë krahun jugor të NATO-s.

Ai vlerësoi se përgjigjja rajonale duhet të jetë të tërhiqet Serbia dhe të përjashtohen Kina, Rusia dhe Irani, duke nënvizuar se “vetëm lidershipi amerikan mund ta bëjë këtë”, dhe se “lidershipi global i presidentit Trump, i bazuar në paqen përmes forcës dhe diplomacisë praktike, i ofron Serbisë dhe Ballkanit një rrugë historike drejt integrimit me Perëndimin”.

Gazi dhe nafta amerikane mund të ndihmojnë në ndërprerjen e varësisë së Ballkanit nga Rusia, në heqjen e fondeve për makinerinë e luftës së Vladimir Putinit dhe në minimizimin e ndërhyrjes së Moskës në rajon, tha Primorac, duke vlerësuar se Qeveria amerikane kishte të drejtë të vendoste sanksione ndaj NIS për shkak të pronësisë ruse.

“Shtëpia e Bardhë duhet të caktojë ambasadorë politikë në Ballkan për të promovuar një agjendë të fokusuar në biznes, por të jetë e gatshme të përdorë viza, sanksione bankare dhe të tjera, si dhe stimuj tregtarë e investues për ta nxjerrë rajonin nga duart ruse, kineze dhe iraniane”, tha ai.

Luke Coffey, hulumtues në Qendrën për Evropën dhe Euroazinë në Institutin Hudson, tha se Rusia e sheh Ballkanin si zonë për shkaktim të destabilitetit dhe për përçarjen e aleancës transatlantike, ndërsa Serbia mbetet ndihmës i Rusisë dhe shërben si bazë kryesore ruse në rajon.

“Ndërsa Serbia herë pas here pretendon një qasje të balancuar të politikës së jashtme, realiteti është se Beogradi është i ankoruar thellë në orbitën ruse dhe kjo nuk do të ndryshojë së shpejti”, tha Coffey.

Ai shtoi se Kremlini përdor Republikën Sërpska për të përhapur më tej paqëndrueshmëri, duke theksuar se Dodik, edhe pse është shkarkuar nga funksioni, mbetet me ndikim dhe vazhdon të avokojë për shkëputje, gjë që është mbështetur prej vitesh nga Rusia dhe Serbia. Ai gjithashtu kritikoi heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Coffey vlerësoi se Marrëveshja e Dejtonit është një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme amerikane pas Luftës së Ftohtë dhe se zhbërja e saj do të krijonte paqëndrueshmëri të mëtejshme.

“Edhe pse SHBA nuk është vend ballkanik, ajo mund të jetë fuqi ballkanike, dhe presidenti Trump duhet të marrë hapa për të siguruar mbrojtjen e interesave kombëtare amerikane atje”, tha Coffey.

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, tha se ndonëse asnjë aktor i vetëm – vendës apo ndërkombëtar – nuk është plotësisht përgjegjës për tensionet dhe dobësitë e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, “një parakusht për stabilitet mbetet i paplotësuar: Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor për rajonin”.

Ai theksoi se ka ardhur koha që SHBA të jetë më e vendosur në orientimin e Beogradit drejt një zgjedhjeje përfundimtare strategjike, duke shtuar se rruga euroatlantike është zgjedhja e vetme racionale për Serbinë, e cila, sipas tij, nuk duhet të bëhet Bjellorusia e Ballkanit.

“Fatmirësisht, administrata është në pozitë të mirë për të orientuar Beogradin në këtë drejtim”, tha Joseph, duke përmendur protestat njëvjeçare në Serbi që kërkojnë përgjegjësi nga Qeverisë pas shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, i cili ishte rindërtuar në kuadër të nismës kineze “Rripi dhe Rruga”.

Rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm kalon përmes Beogradit, jo përmes lutjeve ndaj qeverisë, por përmes një qasjeje të fortë dhe partneriteti të vërtetë, tha Joseph, duke shpjeguar se kjo nënkupton se SHBA nuk duhet të bjerë pre e kërkesave ruse apo serbe për të fituar kohë për t’u larguar nga NIS.

Duhet të ushtrohet presion mbi Beogradin që të shtetëzojë NIS-in, si dhe të kërkohet mbyllja e menjëhershme e mediave ruse RT dhe Sputnik, të cilat operojnë në Serbi, vendosja e sanksioneve kundër Rusisë dhe mbyllja e qendrës ruse të ndihmës humanitare në jug të Serbisë, për të cilën dyshohet se përdoret për mbledhje të dhënash të inteligjencës, tha Joseph.

SHBA mund të ndërpresë marrëdhëniet destruktive të Serbisë me Rusinë dhe Kinën duke zgjidhur ngërçin me Kosovën, dhe sipas tij, “përgjigjja përfundimtare nuk është dialogu i udhëhequr nga BE, por rruga drejt anëtarësimit në NATO si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin”.

“Presidenti Trump është në pozitë të mirë për të paraqitur një ofertë kaq transformuese”, tha Joseph, duke theksuar se administrata Trump është gjithashtu në pozitë të mirë për të bashkëpunuar me OHR-në për të zgjidhur çështjen kyçe të pronës shtetërore në Bosnje, duke hapur mundësi për investitorët amerikanë në vend.

Trumpi thërret takim urgjent në Zyrën Ovale për Venezuelën- çfarë pritet të ndodhë me Maduron

Presidenti amerikan Donald Trump ka thirrur sot pasdite një takim urgjent në Zyrën Ovale, mbi hapat e mëtejshëm në Venezuelë, ndërsa Shtetet e Bashkuara shtojnë presionin mbi vendin me operacione mbi objektivat detare dhe një prani ushtarake të forcuar në Karaibe.


Sipas burimeve të cituara nga CNN, në takim pritet të marrin pjesë anëtarë të lartë të Kabinetit dhe ekipit të sigurisë kombëtare, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Shefat e Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Gjeneral Dan Kaine dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, si dhe Shefen e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles dhe Zëvendës Shefin e Shtabit Stephen Miller.

Takimi, i planifikuar për në orën 5 pasdite, vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin mbi Venezuelën, me bastisje ndaj anijeve të dyshuara për drogë dhe një forcim ushtarak në Karaibe.

Trump tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara do t’i japin fund “shumë shpejt” trafikut të drogës në tokë, përveç operacioneve detare.

Gjatë fundjavës, Trump lëshoi ​​një paralajmërim të gjerë në mediat sociale, duke u bërë thirrje linjave ajrore, pilotëve dhe rrjeteve kriminale të shmangin hapësirën ajrore të Venezuelës, dhe të dielën ai u kërkoi gazetarëve “të mos i kushtojnë shumë vëmendje” postimit në Twitter.

Ai gjithashtu konfirmoi se kishte folur me Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, në telefon, por nuk dha detaje të bisedës.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë vjen ndërsa anëtarët e Kongresit vazhdojnë të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e sulmeve të SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në rajon, të cilat kanë vrarë më shumë se 80 persona. gsh

Rubio pas përfundimit të takimeve SHBA-Ukrainë: Duhet më shumë punë

Radio Evropa e Lirë

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe ukrainas i kanë përfunduar takimet e tyre në Florida, të cilat Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i ka përshkruar si “shumë produktive”, ndonëse nevojitet punë shtesë për të finalizuar një plan për përfundim të luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Kemi pasur një tjetër takim shumë produktiv, nisur nga bisedimet në Gjenevë, më pas takime tjera të javës, por duhet bërë më shumë punë”, u ka thënë Rubio gazetarëve më 30 nëntor, pas takimit, por pa ofruar më shumë hollësi.

“Ka shumë gjëra që po ndryshojnë, dhe natyrisht që është edhe një palë tjetër e përfshirë këtu që duhet të jetë pjesë e ekuacionit”, ka thënë ai, duke iu referuar Rusisë.

“Do të vazhdojmë edhe këtë javë, kur [i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve] Witkoff udhëton në Moskë… ne kemi qenë në kontakt me nivele të ndryshme brenda anës ruse, por duket se i kuptojmë mirë edhe qëndrimet e tyre”, ka thënë Rubio.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë të Ukrainës, njëherësh lideri i delegacionit të Kievit, Rustem Umerov, i ka përshkruar negociatat si “të suksesshme” por as ai nuk ka ofruar më shumë hollësi.

“E përfunduam një takim të vështirë por produktiv të negociatave në Floridë. Kemi shënuar përparim të prekshëm drejt arritjes së paqes”, ka shkruar ai në Telegram.

Agjencia e lajmeve AFP i ka cituar disa burime të pakonfirmuara brenda ekipit ukrainas të kenë thënë se bisedimet “nuk kanë qenë të lehta” dhe që “kërkimi për formulime dhe zgjidhje vazhdon”.

Ekipi negociator është takuar në Florida, në veri të Majamit, në mesin e përpjekjeve për të arritur deri te një plan që do të ishte i pranueshëm si për Kievin, ashtu edhe për Moskën.

Witkoff në Moskë

Witkoff do të jetë më 1 dhjetor në Moskë për t’u takuar me zyrtarë të lartë rusë, përfshirë presidentin e shtetit, Vladimir Putin. Ky do të jetë takimi i gjashtë i Witkoffit me Putinin prej janarit.

Më 30 nëntor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shkruar në rrjete sociale se “pala amerikane është duke treguar qasje konstruktive dhe në ditët në vijim është e mundshme që do të përcaktohen hapat si të ketë një përfundim të dinjitetshëm të luftës”.

Ai ka folur më vonë edhe me liderë të Komisionit Evropian dhe NATO-s për t’i koordinuar pozicionet në kuadër të negociatave.

Kievi dhe aleatët evropianë po përpiqen të krijojmë një propozim alternativ pasi zyrtarë të administratës amerikane e kanë publikuar një plan 28-pikësh që përbëhet prej disa aspekteve të cilat i ka shtyrë përpara Moska prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.

Për disa ukrainas, plani nënkupton kapitullim, pas gati katër vjetëve të luftës që i ka vrarë apo plagosur mbi 1 milion njerëz në të dyja anët.

Plani fillestar amerikan i ka alarmuar zyrtarët ukrainas – dhe raportohet ta ketë zemëruar Zelenskyn, i cili më pas i ka zhvilluar disa bisedime të ndara me Rubion dhe zyrtarë tjerë amerikanë në Gjenevë.

Këto bisedime kanë rezultuar me një plan prej 19 pikash që ende lë në tavolinë çështje të rëndësishme, përfshirë fatin e rajonit ukrainas të Donbasit, aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe zvogëlimin e numrit të ushtrisë ukrainase.

Rubio: Bisedimet synojnë të “hapin rrugën” drejt një Ukraine plotësisht sovrane

Shefi i diplomacisë amerikane deklaroi se bisedimet që nisën sot në Florida me delegacionin ukrainas synojnë të “hapin rrugën” drejt një Ukraine plotësisht sovrane.


“Nuk bëhet thjesht fjalë për përfundimin e luftës. Bëhet fjalë për hapjen e një rruge që do t’i mundësojë Ukrainës të mbetet sovrane, e pavarur dhe në mirëqenie,” u shpreh sekretari amerikan i Shtetit në nisje të takimit.

Nga ana tjetër, drejtuesi i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, tha se dëshiron të diskutojë me amerikanët rreth sigurisë së Ukrainës dhe rindërtimit të vendit. Në një mesazh në platformën X, Umerov theksoi se misioni i delegacionit të tij është “të garantojë interesat e Ukrainës.” gsh

Rritje e befasishme e tregut të shitjes së Biblës në Amerikë

VOAL- Tregu i shitjeve të Biblës në Shtetet e Bashkuara po rritet me një ritëm të habitshëm. Viti 2024 shënoi performancën më të mirë në njëzet vitet e fundit, dhe vlerësimet tregojnë se viti 2025 mund ta tejkalojë atë. Që nga fillimi i vitit, afërsisht 18 milionë kopje janë shitur tashmë, me një kulm prej 2.4 milionësh vetëm në shtator, pas vrasjes së Charlie Kirk, aktivist konservator dhe themelues i Turning Point USA, gjatë një fjalimi në Universitetin e Utah.

Gazeta të ndryshme amerikane, përfshirë Primaonline në Itali, e kanë mbuluar çështjen në artikuj të gjerë, duke shpjeguar se si ky fenomen po arrin përmasa të jashtëzakonshme, duke theksuar se rritja nuk është një rast i vetëm, por pjesë e një trendi që filloi në vitin 2021.

Një trend i paprecedentë

Sipas Brenna Connor, analiste në Circana BookScan, shitjet kanë shkuar nga 9.7 milionë kopje në vitin 2019 në 14.2 milionë në vitin 2023 (+46% në katër vjet) dhe 13.7 milionë në vitin 2024 (+22% krahasuar me vitin e kaluar). Kjo rritje është shumë më e lartë se rritja e përgjithshme e tregut të librave, e cila ngeci në rreth 1% në të njëjtën periudhë.

Ndër botimet më të njohura janë Bibla Standarde Angleze, Bibla e Aventurës për fëmijë, Bibla She Reads Truth e projektuar për një audiencë femërore dhe Përkthimi i Ri i Gjallë, i karakterizuar nga një gjuhë e thjeshtë dhe i mbështetur nga një aplikacion studimi.

Të rinjtë dhe të konvertuarit e rinj janë më të interesuarit

Shitësit me pakicë raportojnë se një pjesë e madhe e blerësve të tyre janë të rinj dhe besimtarë të rinj. Kelli Malm, menaxhere e librarisë Christian Connection në Illinois, vërejti një rritje të mëtejshme të shitjeve pas vdekjes së Kirk, një ngjarje që thuhet se i shtyu shumë të rinj të ktheheshin në Kishë. Disa komunitete katolike, siç është Newman Ministry, kanë parë rritje të pjesëmarrjes deri në 15%.

Në të njëjtën kohë, numri i të ashtuquajturve “lexues të Biblës”, ata që konsultohen me Shkrimet e Shenjta të paktën tre herë në vit jashtë shërbesave fetare, po rritet gjithashtu: 41% e popullsisë, nga 38% vitin e kaluar. Nga këta, 36% janë Gjenerata Z dhe 39% janë Milenialë, sipas raportit të Shoqërisë Amerikane Biblike “Gjendja e Biblës”.

Besimi, Politika dhe Kërkimi për Shpresën

Vota katolike luajti një rol vendimtar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, me përqindje shumë të larta midis katolikëve të bardhë. Zgjedhja e Donald Trump për të nominuar J.D. Vance, një të konvertuar së fundmi në katolik, u konsiderua strategjike.

Teologu Massimo Faggioli theksoi se si mbështetja katolike për Trump pasqyron një transformim brenda katolicizmit amerikan: një ndarje brezash dhe një pranim më të madh midis të rinjve të vlerave konservatore, duke përfshirë luftën kundër abortit dhe imigracionit “të pakontrolluar”, të perceptuar nga shumë si një shprehje e kulturës “të zgjuar”.

Bethany Martin, menaxhere e Librarisë Faith & Life në Kansas, shpjegoi për Wall Street Journal se rritja e shitjeve është gjithashtu e lidhur me sekularizimin dhe krizën e familjes si institucion, gjë që po i shtyn shumë të kërkojnë pika të reja referimi.

“Shumë blerës po kërkojnë shpresë në një botë që perceptohet si në shkatërrim e sipër, dhe e gjejnë atë në Bibël”, tha Martin. Jeff Crosby, president i Shoqatës së Botuesve të Krishterë Ungjillorë, shtoi se paqëndrueshmëria politike dhe sociale, së bashku me frikën nga lufta, nxisin nevojën për siguri dhe besim. RSI

Delegacioni ukrainas niset drejt SHBA-së për bisedime të paqes

Radio Evropa e Lirë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se një delegacion i shtetit të tij, i udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për të vazhduar bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Umerov u vu në krye të delegacionit ukrainas pasi kryenegociatori paraprak, shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, dha dorëheqje një ditë më parë pasi hetuesit kundër korrupsionit bastisën zyrën dhe shtëpinë e tij.

Zelensky tha se pret që rezultatet e takimeve të mëhershme me SHBA-në në Gjenevë, që u zhvilluan fundjavën e kaluar, tani të “konkretizohen” në bisedimet e së dielës.

Këto takime i mundësuan Ukrainës që të paraqiste propozimet e saj, pasi sekretari amerikan i Ushtrisë, Dan Driscoll, paraqiti propozimet amerikane tek udhëheqësit në Kiev pothuajse dy javë më parë.

“Rustem dorëzoi sot një raport dhe detyra është e qartë: të punojmë shpejt dhe me substancë për hapat e nevojshëm për të përfunduar luftën”, shkroi Zelensky në X.

Yermak i tha New York Post disa orë pas dorëheqjes se po “shkon në front”.

“Jam një njeri i ndershëm dhe i respektueshëm”, tha ai.

Ukraina po përballet me presion nga Uashingtoni për të pranuar kushtet e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa Zelensky gjendet në situatën më të vështirë politike dhe ushtarake që nga ditët e para të pushtimit rus më 2022.

Përqendrimi i pushtetit, dobësimi i institucioneve, margjinalizimi i opozitës,apatia qytetare kushte për konsolidim autoritar* Nga Ish-Drejtori i VOA Elez Biberaj

*Fjala në konventen e Shoqatës për Studime Sllave, të Evropës Lindore, dhe të Euroazisë (ASEEES), Uashington, 22 nëntor 2025

Tridhjetë e pesë vjet pas daljes së Shqipërisë nga një prej diktaturave komuniste më të ashpra në Evropë, rrugëtimi i saj demokratik përfaqëson një rast tipik të tranzicioneve post-autoritariste, duke dëshmuar premtimin për një ripërtëritje politike, por njëkohësisht duke nxjerrë në pah pengesat e konsolidimit të qëndrueshëm. Në këtë sfond, zgjedhjet parlamentare të majit 2025 marrin peshën e një prove të gjallërisë demokratike dhe të aftësisë së vendit për të shndërruar proceset reformuese në praktikë institucionale demokratike.

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama siguroi një fitore të thellë, duke marrë 83 nga 140 mandate parlamentare, ndërsa opozita e udhëhequr nga Sali Berisha pësoi një humbje të ndjeshme, duke marrë vetëm 50 vende.

Vëzhguesit ndërkombëtarë e vlerësuan procesin zgjedhor si teknikisht të administruar mirë, por theksuan klimën e thellë të polarizimit dhe fushën e pabarabartë të garës. Raporti përfundimtar i ODIHR-it thekson përdorimin e gjerë të burimeve shtetërore, blerjen e votës, frikësimin e mbështetësve të opozitës dhe qasjen e pabarabartë në media. Këto parregullsi nxorën në pah brishtësinë e demokracisë shqiptare.

Në vitet që vijnë, veçanërisht gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar, rrugëtimi demokratik i Shqipërisë do të varet nga aftësia për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe njëkohësisht për të trajtuar dobësitë e sistemit politik. Ky ndërveprim ofron kornizën për vlerësimin e bilancit të arritjeve të Ramës dhe për shqyrtimin e dinamikave më të gjera të pushtetit dhe brishtësisë që përcaktojnë peizazhin politik shqiptar.

Bilanci i arritjeve

Rama nis një mandat të katërt të pazakont, me një mbështetje të fuqishme politike. Ai e ka paraqitur fitoren e tij si një mundësi historike për të thelluar reformën në drejtësi, modernizimin administrativ dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar transformime të dukshme: rritje të qëndrueshme ekonomike me një mesatare prej rreth 4 për qind të PBB-së, ulje të varfërisë dhe zgjerim të turizmit. Projekte madhore infrastrukturore, nga autostradat dhe lidhjet energjetike te modernizimi i porteve, kanë ndryshuar peizazhin ekonomik. Reformat në drejtësi, veçanërisht procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë forcuar besueshmërinë e sistemit gjyqësor, ndërsa reformat administrative kanë thjeshtuar qeverisjen dhe kanë pakësuar mangësitë në funksionim. Këto përpjekje të Shqipërisë kanë gjetur vlerësim ndërkombëtar dhe e kanë shndërruar Ramën në një figurë me peshë në rajon.

Duke u mbështetur mbi këto arritje, Rama synon ta përgatisë vendin për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030. Raporti i Zgjerimit i Komisionit Europian për vitin 2025 vlerësoi dinamizmin e reformave dhe sinjalizoi se anëtarësimi brenda pesë viteve është një synim i realizueshëm. Ky optimizëm pasqyron jo vetëm reformat e brendshme, por edhe qasjen dinamike të Shqipërisë në politikën e jashtme. Si anëtare e NATO-s që prej vitit 2009, Shqipëria është angazhuar në operacionet e aleancës dhe në sigurinë rajonale, duke u përafruar ngushtë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Shqipëria shihet si një ndër vendet kryesuese në negociatat e anëtarësimit, pasi ka përparuar ndjeshëm në një numër kapitujsh negociues.

Programi qeveritar i miratuar nga parlamenti në shtator 2025 e përcakton integrimin europian si boshtin strategjik të Shqipërisë. Plani i veprimit parashikon mbylljen e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027, thellimin e reformave në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, forcimin e lirisë së medias dhe qëndrueshmërisë institucionale, si dhe modernizimin e administratës publike.

Megjithatë, vlerësimet mbi cilësinë e demokracisë nënvizojnë brishtësinë e vazhdueshme. Freedom House e klasifikon Shqipërinë si “pjesërisht të lirë,” ndërsa Indeksi i Demokracisë i Economist Intelligence Unit e rendit si “regjim hibrid.” Raporti i Transparency International për vitin 2024 e vendos Shqipërinë në vendin e 80-të në botë për perceptimin e korrupsionit, një përmirësim i vogël krahasuar me vitet e shkuara, por ende ndër më të korruptuarat në Europë.

Këto vlerësime pasqyrojnë faktin se institucionet demokratike të Shqipërisë, ndonëse tregojnë ritëm reformues, vazhdojnë të shfaqin brishtësi strukturore.

Pushtet i përqendruar, demokraci e dobësuar

Forcimi i pushtetit nga Rama është i pashembullt dhe shtrihet pothuajse në të gjitha levat e qeverisjes, si në nivel kombëtar ashtu edhe vendor. Stili i tij i udhëheqjes – një ndërthurje e autoritetit karizmatik, mjeshtërinë në përdorimin e medias dhe disiplinës së rreptë ekzekutive – ka arritur të rrisë mbështetjen dhe të ruajë dinamizmin politik. Por nën sipërfaqen e këtij konsolidimi qëndron një kornizë e brishtë e qeverisjes, e gërryer nga vendimmarrja e personalizuar, dobësimi i institucioneve, korrupsioni, ndikimi i medias dhe klientelizmi i rrënjosur.
Rama qeveris në një mjedis të mbyllur, ku mungesa e transparencës dhe dobësimi i llogaridhënies përcaktojnë peizazhin politik. Vendimmarrja është bërë skajshmërisht personale. Parlamenti është kthyer në një organ formal miratues, ndërsa Partia Socialiste vepron kryesisht nën hijen e autoritetit të Ramës. Debati pothuajse mungon, konsultimet janë të rralla dhe kundërshtimi nuk tolerohet. Së fundmi, programi i qeverisë dhe kabineti u miratuan pa asnjë diskutim parlamentar. Emërimet në kabinet u bënë në mënyrë të njëanshme, dhe ministrat, sipas raportimeve, mësuan për rolet e tyre gjatë fjalimeve publike të Ramës. Konkurrenca e vërtetë politike është gërryer, kurse opozita e copëzuar lufton për mbijetesë. Ndërsa personalizimi i pushtetit mund të përshpejtojë miratimin e ligjeve dhe vendimmarrjen, ai rrit rrezikun e tejkalimit ekzekutiv dhe gërryen parimin e qeverisjes kolektive – idenë se vendimmarrja duhet të jetë e përbashkët, e menduar dhe llogaritdhënëse.

Mungesa e llogaridhënies politike ka thelluar cenueshmëritë socioekonomike të vendit. Institucionet mbeten të papërgatitura për të përballuar varfërinë, pabarazinë dhe largimin e kapitalit njerëzor. Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet më të varfra të Evropës, me mbi një të pestën e popullsisë që jeton nën kufirin relativ të varfërisë. Pasuria është e përqendruar tek një elitë e ngushtë e lidhur me rrjetet politike dhe ekonomike, ndërsa shëndetësia dhe arsimi mbeten të nënfinancuara dhe me qasje të pabarabartë për qytetarët. Mungesa e investimeve ka zgjeruar hendekun e aftësive dhe ka përshpejtuar ikjen e trurit, me rreth 700 mijë shqiptarë, kryesisht profesionistë të rinj, që kanë emigruar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit.

Këto sfida socioekonomike thellohen më tej nga korrupsioni, i cili ka gërryer besueshmërinë institucionale. Rama ka ngulitur një sistem favorizimi politik, kontraktimesh të paqarta dhe pasurimi të elitave. Shkrirja e interesave politike dhe ekonomike ka ushqyer një dinamikë kleptokratike, duke mundësuar korrupsionin, duke lejuar futjen e krimit të organizuar në institucionet e shtetit dhe duke dobësuar pavarësinë e gjyqësorit dhe të medias.

Prokurimet publike dhe projektet infrastrukturore shpesh kanë shërbyer si mekanizma për përfitime të paligjshme, duke pasuruar zyrtarë të lartë dhe rrjete të afërta me qeverinë.

Skandalet e bujshme që përfshijnë figura të larta politike si Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Ilir Beqja, Lefter Koka, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku pasqyrojnë një skemë më të gjerë të abuzimit elitar.

Në shtator, Rama e riemëroi Ballukun si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, posti i dytë më i rëndësishëm në kabinet, pavarësisht akuzave të vazhdueshme për korrupsion. Pas ngritjes së akuzës ndaj saj për manipulimin e tenderëve publikë në projektin e Tunelit të Llogarasë, ai hodhi poshtë thirrjet për dorëheqjen e saj, duke dhënë shenjë të gatishmërisë për të mbrojtur besnikët edhe në kurriz të besueshmërisë institucionale. Qëndrimi i tij u kthye në një plagë të rrezikshme, të vetëshkaktuar: Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e shkarkoi Ballukun nga detyra – një vendim që për Ramën përfaqëson një zhvillim poshtërues dhe nxjerr në pah paaftësinë e tij për të vepruar me vendosmëri, edhe në raste që mund të kthehen në goditje kundër udhëheqjes së tij.

Rasti i Ballukut dhe skandalet e tjera të bujshme hedhin dyshime mbi angazhimin e shpallur të Ramës për qeverisje të pastër dhe theksojnë barrën e pashmangshme të përgjegjësisë së tij politike. Këto raste nuk janë të izoluara; ato pasqyrojnë një kulturë të pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të qeverisjes, ku zyrtarë të lartë shfrytëzojnë postet publike për përfitime personale. Sjelljet abuzive janë shndërruar në normë, ndërsa mekanizmat e llogaridhënies janë dobësuar vazhdimisht nën mbrojtjen e ekzekutivit. Edhe pse Rama ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje personale, si kryeministër ai mban përgjegjësinë për të garantuar llogaridhënie, për të përballur abuzimet e zyrtarëve të lartë dhe për të siguruar që standardet demokratike të mos komprometohen. Në fund, barra e përgjegjësisë i mbetet atij.

Krimi i organizuar është ngulitur në ekonominë formale, veçanërisht në ndërtim, turizëm dhe në sektorin e pasurive të paluajtshme. Indeksi i Krimit të Organizuar 2025 nënvizon cenueshmërinë e Shqipërisë dhe nxjerrë në pah rrënjosjen e rrjeteve kriminale dhe shkallën e lartë të kapjes së shtetit. Raporti vjetor i Komisionit Evropian nënvizon dobësitë e vazhdueshme në sundimin e ligjit, qeverisjen dhe korrupsionin, duke theksuar brishtësinë e institucioneve shqiptare pavarësisht përpjekjeve reformuese. Lejet e ndërtimit dhe projektet imobiliare shpesh lidhen me financime të paqarta dhe rrjete kriminale, çka tregon se zbatimi i ligjit mbetet i dobët dhe i njëanshëm. Kjo krijon një kundërthënie të qartë: kontrolli i fortë i Ramës mbi pushtetin është ndërthurur ngushtë me vetë strukturën e sistemit. Nëse ai sfidon interesat e rrënjosura korruptive brenda sistemit, rrezikon të minojë themelet e sundimit të vet.

Këto prirje korrupsioni dhe kapjeje shtetërore përforcohen nga një peizazh mediatik i kooptuar dhe i kufizuar, që ngushton më tej hapësirën demokratike dhe dobëson mbikëqyrjen publike. Pavarësisht një peizazhi formalisht pluralist, media shpesh pasqyron narrativat partiake. Kjo buron nga një përzierje toksike e përvetësimit politik, pronësisë së përqendruar dhe taktikave frikësimi. Rama ka ushtruar ndikim mbi mediat kryesore përmes patronazhit dhe afërsisë me pronarët. Sulmet e tij ndaj gazetarëve, shpesh të shoqëruara me përçmim dhe kërcënime, kanë ftohur raportimin dhe kufizuar më tej mbikëqyrjen publike. Shumë pronarë mediash, biznesmenë që përfitojnë nga kontratat shtetërore, veprojnë si ndërmjetës të pushtetit, duke siguruar mbulim të favorshëm dhe duke penguar publikimin e njoftimeve të dëmshme. Si rrjedhim, mediat kryesore në përgjithësi përqendrohen tek mangësitë e opozitës, ndërsa shkeljet të institucionalizuara nën qeverisjen e Ramës rrallëherë bëhen objekt i një analize sistematike dhe të qëndrueshme. Edhe gjatë krizave, debatet televizive me zëra gjoja të pavarur shpesh shmangin vëzhgimin kritik të partisë në pushtet, duke u përqendruar në vend të tij tek gabimet e opozitës. Kjo prirje, nën petkun e pavarësisë, pasqyron një përputhje më të thellë mes pushtetit politik dhe ndikimit mediatik. Paraqitja e njëanshme shtrembëron debatin publik dhe në mënyrë të tërthortë lehtëson konsolidimin e pushtetit, duke zhvendosur vëmendjen nga shkeljet dhe duke dobësuar mekanizmat e mbikëqyrjes institucionale.

Apatia qytetare gjithëashtu e ka thelluar dobësinë institucionale. Shoqëria duket gjithnjë e më e fragmentuar, e karakterizuar nga një angazhim i ulët qytetar dhe apati politike në rritje. Intelektualët dhe studiuesit kryesorë, institucionet kërkimore dhe Akademia e Shkencave mbeten kryesisht në periferi të debatit kombëtar. Pjesëmarrja e tyre është thelbësore për gjallërimin e debatit kritik dhe për hartimin e politikave publike të mbështetura në fakte e analiza shkencore.

Në të njëjtën kohë, Rama ka përfituar nga rënia e vëmendjes ndërkombëtare. Meqë përqendrimi është zhvendosur tek dobësimi i demokracisë dhe krizat në vende të tjera, mangësitë e qeverisjes në Shqipëri kanë tërhequr më pak trysni të drejtpërdrejta nga partnerët kryesorë dhe institucionet mbikëqyrëse. Kjo mungesë trysnie e ka lejuar kryeministrin të forcojë pushtetin me më pak vërejtje nga jashtë, ndërkohë që korrupsioni, krimi i organizuar, kontrolli mbi median dhe apatia qytetare po thellohen.

Elitat e rrënjosura, demokracia e penguar

Sistemi politik është ngurtësuar, duke gërryer kapacitetin institucional, penguar rinovimin dhe kufizuar mundësitë e pjesëmarrjes demokratike. Politika mbizotërohet nga Partia Socialiste dhe një Parti Demokratike e dobësuar. Këto dy parti kanë penguar në mënyrë sistematike fuqizimin e forcave të tjera politike dhe shfaqjen e alternativave të reja. Rrjetet e klientelizmit dhe rrënjosja e elitave ushqejnë një sistem të ngurtë, ndërsa suksesi i brezit të ri shqiptar jashtë vendit nxjerr në pah potencialin e shpërdoruar brenda vendit. Emigrimi ka varfëruar kapitalin njerëzor, duke thelluar inercinë dhe duke zgjeruar hendekun mes gjallërisë shoqërore dhe ngurtësisë politike.

Përballë prirjeve autoritare dhe gërryerjes së mbikëqyrjes institucionale, e ardhmja demokratike e Shqipërisë kërkon një kundërvënie dhe mobilizim të gjerë në të gjitha sferat politike, institucionale dhe shoqërore. Kjo nënkupton një ndryshim rrënjësor: parti politike që ofrojnë alternativa të besueshme, një shoqëri civile të rigjallëruar, zëra intelektualë të angazhuar dhe një qytetari pjesëmarrëse – mbi të gjitha, një brez i ri i gatshëm të veprojë si promotor i ndryshimit.

Të dy partitë kryesore po përballen sot me kriza të përtëritjes, ndonëse në forma të ndryshme: Partia Demokratike si rrjedhojë e përçarjes dhe lodhjes, ndërsa Partia Socialiste si rrjedhojë e përqendrimit të tepruar të pushtetit dhe pajtimit të verbër me kryeministrin.

Kjo krizë e ngecjes është më e dukshme në Partinë Demokratike, e cila përballet me një sfidë vendimtare. Gabimet e viteve të fundit – mospjesëmarrja në procesin për ndryshimet territoriale, tërheqja nga parlamenti dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore – e kanë shtyrë partinë drejt skajit politik. Shpallja e Sali Berishës si person i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara, pasuar nga problemet ligjore dhe vendosja në arrest shtëpiak, thelluan ndasitë e brendshme dhe dobësuan besueshmërinë e partisë. Megjithëse ajo garoi në një mjedis zgjedhor tërësisht të anuar kundër saj, rezultatet nxorën në pah një të vërtetë më të thellë: mesazhi i saj nuk arriti të gjejë jehonë. Retorika, stili i udhëheqjes dhe vizioni politik i Partise Demokratike duken gjithnjë e më të shkëputur nga aspiratat e elektoratit.

Sot, Partia Demokratike mbijeton kryesisht falë qëndrueshmërisë personale dhe trashëgimisë së Berishës. Karizma dhe pesha e tij historike vazhdojnë të sigurojnë besnikëri, por nuk mund të zëvendësojnë një program të qartë apo një platformë të orientuar drejt së ardhmes. Pa një riformësim të guximshëm – demokraci të brendshme, zëra të rinj dhe një vizion bindës –partia rrezikon të shihet si mbetje e së shkuarës, jo si forcë e rëndësishme për demokracinë e sotme. Berisha mbetet një nga figurat më përcaktuese të historisë postkomuniste të Shqipërisë: presidenti i parë demokratik i vendit, kryeministër dy herë dhe një udhëheqës opozitar i palëkundur. Tani, ai ka mundësinë ta përmbyllë karrierën publike duke marrë rolin e një burri shteti të respektuar dhe duke hapur rrugën për udhëheqje të re, në vend që të kapet pas pushtetit. Duke udhëhequr një kalim të hapur dhe konkurrues, ai mund të kontribuojë që e ardhmja e partisë të mos kushtëzohet nga besnikëria ndaj një figure të vetme, por të formësohet nga debati i hapur, meritat e anëtarësisë dhe vizioni i qartë politik për të ardhmen.

Në fund të fundit, asnjë udhëheqës, sado me peshë, nuk mund të mbajë pafundësisht barrën e sigurimit të mbarevajtjes së një partie – besueshmërinë, rëndësinë dhe rolin e saj në peizazhin politik. Shtyrja e ditës së pashmangshme të përballjes do të zgjasë vetëm agoninë e Partisë Demokratike, duke thelluar paralizën e brendshme, duke gërryer besimin publik dhe duke e bërë kalimin në udhëheqjen e ardhshme më të ndërlikuar dhe më të kushtueshëm.

Largimi i Berishës mund të shkaktojë beteja fraksionesh dhe paqëndrueshmëri afatshkurtër, por më shumë gjasa ka që të gjallërojë opozitën, duke çliruar energjinë dhe talentin e gjatë të shtypur. Partia Demokratike ka tashmë anëtarë të rinj premtues, potenciali i të cilëve është errësuar nga përçarjet e brendshme. Me hapësirë për t’u zhvilluar, ata mund të ndihmojnë në riformësimin e së ardhmes së partisë. Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike duhet të zgjerojë bazën e saj duke tërhequr anëtarë dhe zëra të rinj, duke siguruar që rinovimi të mos kufizohet vetëm në ndërrimin e brezave, por të mbështetet në pjesëmarrje gjithëpërfshirëse. Me zgjedhjet vendore në vitin 2027 dhe ato parlamentare në vitin 2029, partia ka një mundësi vendimtare për t’u riorganizuar dhe rindërtuar.

Rinovimi demokratik duhet të përfshijë edhe Partinë Socialiste në pushtet. Ironikisht, kjo parti ka qenë më demokratike në brendësi gjatë viteve ’90 nën udhëheqjen e Fatos Nanos sesa është sot. Nën udhëheqjen e Ramës, besnikëria ka zëvendësuar llogaridhënien, ndërsa pluralizmi i brendshëm i ka lënë vendin pajtimit të verbër. Partia Socialiste duhet të përballet me rreziqet e sundimit të një njeriu të vetëm dhe të rimarrë karakterin e saj institucional, duke promovuar një debat të vërtetë politik dhe duke toleruar mendimin ndryshe.

Ky ngushtim i pluralizmit të brendshëm pasqyrohet edhe në peizazhin më të gjerë politik, ku tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit, nuk kanë dalë alternativa të besueshme që të sfidojnë mbizotërimin e dy partive kryesore. Pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta për akuza korrupsioni, partia e tij pothuajse u shpërbë, duke lënë jetën politike shqiptare të mbajtur peng nga socialistët dhe demokratët.

Mungesa e alternativave pasqyron jo vetëm ngecjen e sistemit politik dhe ngushtimin e zgjedhjes demokratike, por nënvizon edhe domosdoshmërinë e hapjes së rrugëve për aktorë të rinj. Brezi i ri i Shqipërisë e ka dëshmuar aftësinë e tij për inovacion jashtë vendit, por roli i tij në atdhe mbetet i papërfillshëm. Për të marrë drejtimin, ky brez duhet të kanalizojë aftësitë e veta në angazhim qytetar, organizim nga baza dhe ndërtimin e platformave politike që pasqyrojnë realitetin e tyre. Universitetet, rrjetet profesionale dhe lidhjet me diasporën mund të shërbejnë si terren për të nxitur formimin e udhëheqjes, duke ndihmuar të rinjtë shqiptarë të shndërrojnë përvojën e fituar jashtë vendit në reforma brenda atdheut. Shfrytëzimi i këtij potenciali përmes lëvizjeve qytetare dhe ndryshimeve institucionale mund të sjellë një rigjallërim politik. Pa këtë, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend me njerëz të talentuar, por i drejtuar nga një politikë e ngurtë. Demokracia shqiptare do të përfitonte ndjeshëm nga forca të reja politike moderne, me platforma që i përgjigjen realiteteve të një brezi të lindur pas komunizmit, në vend që të mbetet e lidhur me trashëgimitë e së kaluarës.

Nevoja për rinovim shtrihet përtej partive politike, duke përfshirë themelet e vetë jetës demokratike. E ardhmja e vendit nuk mund të varet vetëm nga Partia Socialiste, Partia Demokratike apo ndonjë aktor i vetëm politik. Ajo që kërkohet është një rinovim që angazhon qytetarët, shoqërinë civile, median dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar llogaridhënie dhe për të nxitur pjesëmarrjen qytetare. Së bashku, këto shtylla përbëjnë themelin e ringjalljes demokratike, por secila është e brishtë dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm.

Shqipëria po përballet me një krizë gjithnjë e më të thellë të pjesëmarrjes qytetare. Në zgjedhjet e majit 2025, pjesëmarrja ra në vetëm 41 për qind, me rënie të ndjeshme tek votuesit e rinj, gjë që pasqyron zhgënjim dhe ndjesinë se vota ka pak peshë. Ndërkohë, shoqëria civile e ka humbur rolin e saj si mbikëqyrëse dhe nxitëse e reformave, e dobësuar nga mungesa e financimit, trysnisë politike dhe apatisë publike. Fuqizimi i brezit më të ri kërkon reforma institucionale që e bëjnë pjesëmarrjen kuptimplotë, nisma arsimore që nxisin kulturën qytetare dhe platforma që u japin zë të rinjve. Po aq e domosdoshme është që shoqëria civile të rimarrë vendin e saj në debatin publik, të mbrojë autonominë e institucioneve dhe të nxisë qytetarët të kërkojnë llogaridhënie dhe drejtësi. Shtimi i pjesëmarrjes qytetare mund të zgjojë ndërgjegjen demokratike të kombit dhe të shërbejë si kundërpeshë ndaj pushetit ekzekutiv, por brishtësia e saj kërkon angazhim të vazhdueshëm.

Një media e lirë dhe e pavarur është po aq e domosdoshme për rimëkëmbjen e demokracisë. Reformat duhet të garantojnë transparencën e medias, të mbrojnë gazetarët dhe të investojnë në raportimin me interes publik. Vetëm një media e fuqizuar mund ta mbajë pushtetin përgjegjës. Por do të jetë e vështirë që media të sigurojë pavarësinë e vërtetë, pasi ndikimi i rrënjosur politik dhe pronësia e përqendruar e bëjnë këtë objektiv të ndërlikuar, ndërkohë që nevoja për mbikëqyrje bëhet gjithnjë e më e ngutshme.

Së fundi, roli i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht i Bashkimit Evropian, mbetet vendimtar. Kushtëzimi është një nga pak mjetet e mbetura për të shtyrë reformat, por duhet të zbatohet me qartësi dhe vendosmëri. Mbështetja duhet të kushtëzohet jo nga përputhja sipërfaqësore që shihet sot, por nga përparimi i prekshëm në pavarësinë e gjyqësorit, integritetin zgjedhor dhe lirinë e medias. Rruga e Shqipërisë drejt Europës duhet të shtrohet me përmbajtje demokratike, jo me gjeste simbolike.

Përfundimi

Demokracia shqiptare ndodhet në një fazë ku ndërthuren rreziku dhe mundësia. Përqendrimi i pushtetit, dobësimi i institucioneve, margjinalizimi i opozitës dhe apatia qytetare kanë krijuar kushte për konsolidim autoritar. Megjithatë, ende ekziston mundësia për riperteritje demokratike. Shqipëria përballet me një zgjedhje të prerë: rrëshqitje autoritare e mbështetur në rrjete klienteliste dhe tërheqje qytetare, ose riperteritje demokratike përmes pluralizmit të vërtetë, pavarësisë institucionale dhe pjesëmarrjes kuptimplotë të qytetarëve ne jetën politike.

Me fitoren e tij dërrmuese në zgjedhje, Rama mban një ndikim të pashembullt për të përcaktuar drejtimin e Shqipërisë. Megjithëse pozita e tij politike e pakontestuar mund ta bëjë të mendojë se nuk ka arsye të ndryshojë kursin, sfidat e mëdha të vendit dhe pasiguria nëse Shqipëria do të arrijë të përmbushë kushtet dhe të realizojë aspiratat e saj për anëtarësim në BE e bëjnë të domosdoshëm një korrigjim në stilin e udhëheqjes, duke braktisur prirjet autoritare dhe praktikat kleptokratike që minojnë themelet demokratike të vendit. Mënyra se si ai zgjedh ta ushtrojë pushtetin do të përcaktojë, në masë të madhe, jo vetëm rrugëtimin e demokracisë shqiptare, por edhe trashëgiminë e tij politike. Para se të merrte detyrën në vitin 2013, Rama ndërtoi imazhin e një vizionari të përkushtuar ndaj së ardhmes, duke premtuar vendosjen e shtetit të së drejtës, rimëkëmbjen e institucioneve, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mbrojtjen e lirisë së shtypit. Do të ishte paradoksale nëse ai, në fund, do të mbahej mend si demokrati shpresëdhënës që u shndërrua në mishërimin e pushtetit të përqendruar, duke zgjedhur konsolidimin autoritar mbi thellimin e demokracisë.

E njëjta epërsi politike që i jep Ramës hapësirë të gjerë veprimi, njëkohësisht nxjerr në pah brishtësinë e sistemit që ai drejton. Përqendrimi i pushtetit ka prodhuar një model qeverisjeje që duket i fuqishëm, por ai mbështetet mbi themele të lëkundshme dhe është dukshëm më pak i qëndrueshëm se sa paraqitet. Kundërthënia e mënyrës së qeverisjes së kryeministrit qëndron në faktin se, ndonëse e ka konsoliduar pushtetin me lehtësi, ai e ka shumë më të vështirë të sigurojë funksionimin e qëndrueshëm dhe efektiv të sistemit. Pa mekanizma të besueshëm kontrolli dhe pa institucione të pavarura, që kanë aftësinë të përmbushin në mënyrë efektive misionin e tyre dhe të mbikëqyrin veprimet e qeverisë, rendi politik rrezikon te cenohet nga tronditjet që mund të shkaktohen nga rënia e mbështetjes popullore, shtimi i pakënaqësisë shoqërore, apo zhvendosja e mbështetjes nga grupe dhe rrjete të ngulitura, nëse ato ndihen se interesat e tyre kërcënohen nga Rama.

Ky realitet nënvizon domosdoshmërinë që aktorët e tjerë vendimtarë të ngrihen në lartësinë e sfidës dhe të ndermarrin veprime konkrete për të ndikuar në formësimin e rrugëtimit të vendit. E ardhmja e Shqiperise nuk mund të vendoset vetëm nga Rama. Ajo varet nga institucione që janë në gjendje të luajnë rolin e tyre themelor dhe t’i shërbejnë publikut, nga parti politike që rinovohen, nga një shoqëri civile që flet me forcë, nga qytetarë që angazhohen me vendosmëri, si dhe nga qëndrimi parimor i aleatëve strategjikë. Nëse këta aktorë ndërveprojnë së bashku, Shqipëria mund të kapërcejë rrëshqitjen autoritare dhe qeverisjen përvetësuese, duke hedhur themelet për riperteritjen demokratike. Nëse arrin të mobilizojë burimet e saj demokratike, Shqipëria mund ta shndërrojë brishtësinë në forcë, pengesat në mundësi dhe të përmbushë aspiratat e saj demokratike.

Ky është një rrugëtim i ngutshëm, sfidues, por i arritshëm – një proces që kërkon vendosmëri dhe bashkëveprim për riperteritjen demokratike të vendit. Shqiptarët meritojnë një rend demokratik të denjë, që jo vetëm përmbush aspiratat e tyre politike dhe shoqërore, por edhe e siguron të ardhmen e Shqipërisë të rrënjosur fuqishëm në Bashkimin Evropian.

*Fjala në konventen e Shoqatës për Studime Sllave, të Evropës Lindore, dhe të Euroazisë (ASEEES), Uashington, 22 nëntor 2025.

Titulli i redaksisë së Voal.ch

Senatorët amerikanë pohuan se Rubio tha se plani eshte një “listë dëshirash” e rusëve dhe e mohoi se e ka origjinën nga SHBA-ja –

Voal.ch – Sipas CBS News/AP Senatorët amerikanë kritikë ndaj qasjes së Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë thanë të shtunën se folën me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, i cili u tha atyre se plani i paqes që zoti Trump po e shtyn Kievin ta pranojë është një “listë dëshirash” e rusëve dhe jo plani aktual i SHBA-së.
Rubio të shtunën në mbrëmje i hodhi poshtë pretendimet, duke shkruar në një postim në mediat sociale se, “propozimi i paqes është hartuar nga SHBA-ja.  Ai ofrohet si një kornizë e fortë për negociatat e vazhdueshme. Ai bazohet në kontributin nga pala ruse. Por ai bazohet gjithashtu në kontributin e mëparshëm dhe të vazhdueshëm nga Ukraina”.
Plani i paqes me 28 pika u hartua nga administrata Trump dhe Kremlini pa përfshirjen e Ukrainës, te cilat Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ka refuzuar kategorikisht në dhjetëra raste, përfshirë heqjen dorë nga pjesë të mëdha territori.
Z. Trump thotë se dëshiron që Ukraina ta pranojë planin deri në fund të javës së ardhshme. Senatorët thanë më herët të shtunën se plani do ta shpërblejë vetëm Moskën për agresionin e saj dhe do t’u dërgojë një mesazh udhëheqësve të tjerë që kanë kërcënuar fqinjët e tyre.

Senatorët republikanë dhe demokratë reagojnë ndaj planit të Trump për Ukrainën: Historia na ka mësuar se Putini nuk kupton asgjë tjetër përveç se forcës

Anëtarë të Kongresit Amerikan, si nga radhët e demokratëve ashtu edhe të republikanëve, kanë ngritur shqetësime serioze për planin e propozuar nga presidenti Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në një deklaratë të përbashkët, ata theksuan se çdo marrëveshje paqeje nuk duhet të bazohet në lëshime ndaj Moskës.

Sipas tyre, “nuk mund të arrihet një paqe e qëndrueshme duke i dhënë Putinit një lëshim pas tjetrit, duke minuar aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur. Historia ka treguar se Putini njeh vetëm forcën dhe çdo marrëveshje duhet të garantohet përmes presionit të fortë”.

Ata shtuan se Uashingtoni duhet të vazhdojë konsultimet e ngushta me Kievin dhe aleatët e NATO-s, duke kërkuar që presioni diplomatik të drejtohet ndaj Rusisë për t’u ulur seriozisht në tryezën e bisedimeve.

Edhe republikani Roger Wicker, kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Senat, reagoi me tone kritike ndaj planit të Trump.

Ai deklaroi se “i ashtuquajturi plan paqeje ka probleme të mëdha” dhe shprehu skepticizëm mbi mundësinë që ai të sjellë stabilitet.

“Ukraina nuk mund të detyrohet të dorëzojë territor ndaj njërit prej kriminelëve më të mëdhenj të luftës në botë, Vladimir Putinit”, theksoi Wicker.

Gjithashtu plani amerikan, i cili mbështet kërkesa kyç të Rusisë, u prit me kritika të matura në shumë kryeqytete evropiane, ku liderët u përpoqën të balanconin vlerësimin ndaj Trumpit për përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftimeve, por duke e pranuar gjithashtu se për Kievin, disa nga kushtet e propozimit janë të papranueshme.

“Drafti fillestar i planit me 28 pika përfshin elemente të rëndësishme që do të jenë thelbësorë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, thanë liderët e Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës, Britanisë, Kanadasë, Holandës, Spanjës, Finlandës, Italisë, Japonisë dhe Norvegjisë.

“Besojmë, pra, se drafti është një bazë që do të kërkojë punë shtesë”, thuhej në deklaratë.

Liderët u mblodhën pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të premten se vendi i tij përballet me zgjedhjen mes humbjes së dinjitetit dhe lirisë ose mbështetjes së Uashingtonit lidhur me planin.

Ai u bëri thirrje ukrainasve të jenë të bashkuar, duke premtuar se nuk do ta tradhtonte kurrë Ukrainën.

Në deklaratën e tyre, liderët perëndimorë thanë se janë “të shqetësuar për kufizimet e propozuara për Forcat e Armatosura të Ukrainës, të cilat do ta linin Ukrainën të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme”.

“Ne përsërisim se zbatimi i elementeve që lidhen me Bashkimin Evropian dhe që lidhen me NATO-n do të kërkonte pëlqimin e anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, përkatësisht”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e përshkroi planin si bazë për zgjidhjen e konfliktit, por Moska mund t’i kundërshtojë disa pika të planit, i cili kërkon që forcat e saj të tërhiqen nga disa zonat që i kanë pushtuar. Panorama

Kostot rreth një milion dollarë në ditë- Përdorimi i Gardës Kombëtare në Uashington i paligjshëm

Për më tepër, nuk duhet të kishte urdhëruar trupa të Gardës Kombëtare nga shtete të tjera në Uashington për qëllime policore, thuhet në vendim. Cobb urdhëroi që vendosja e Gardës Kombëtare të ndërpritej, por brenda tre javësh administrata Trump mund të apelojë këtë vendim. Prandaj, urdhri do të mbetet në fuqi deri më 11 dhjetor.

 

SHBA- Një gjyqtare federale e ka shpallur të paligjshme vendosjen e Gardës Kombëtare në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington. Autoritetet tejkaluan kompetencat e lejkuara me ligj, konstaton gjyqtarja Jia Cobb. Administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump nuk duhet ta kishte aktivizuar njësinë e kryeqytetit pa një kërkesë të qartë nga autoritetet lokale.

Për më tepër, nuk duhet të kishte urdhëruar trupa të Gardës Kombëtare nga shtete të tjera në Uashington për qëllime policore, thuhet në vendim. Cobb urdhëroi që vendosja e Gardës Kombëtare të ndërpritej, por brenda tre javësh administrata Trump mund të apelojë këtë vendim. Prandaj, urdhri do të mbetet në fuqi deri më 11 dhjetor.

Trump e justifikon vendosjen e trupave

Garda Kombëtare është një njësi rezervë ushtarake dhe pjesë e forcave të armatosura të SHBA-së. Normalisht është nën kontrollin e shteteve individuale dhe vendoset në ndonjë vend në situata të tilla si fatkeqësi natyrore, trazira civile ose emergjenca të tjera. Megjithatë, në situata të caktuara, Presidenti i SHBA-së mund të marrë edhe komandën dhe ta dërgojë ate në ndonjë rajon.

Trump urdhëroi Gardën Kombëtare të shkonte në Uashington në gusht, duke justifikuar mobilizimin e saj me krim të supozuar të përhapur. Statistikat e krimit nuk e mbështesin këtë pretendim. Qyteti ndërmori veprime ligjore kundër vendosjes. Në urdhrin e saj, Cobb përshkroi se si trupat e Gardës Kombëtare ishin të pranishme në monumente, në stacione metroje dhe në lagje banimi të kryeqytetit.

Kostot rreth një milion dollarë në ditë

Sipas raporteve të medias, rreth 2.300 trupa të Gardës Kombëtare janë aktualisht të vendosura në Uashington, D.C. Cobb deklaroi se ata janë planifikuar të qëndrojnë në qytet deri në fund të shkurtit 2026. Rrjeti CNN vlerëson koston në afërsisht një milion dollarë në ditë. Trump vendosi trupa të Gardës Kombëtare për të patrulluar edhe në qytete të tjera. Kritikët paralajmërojnë se ai po i përdor trupat si një terren prove për një stil qeverisjeje gjithnjë e më autoritar. Disa procedura ligjore janë duke u zhvilluar në lidhje me këto vendosje./DW

Ronaldo pritet me Georginën nga Presidenti Trump – ja se çfarë shkruajti në Instagram

Ja se çfarë shkruajti Ronaldo në Instagram:

“Faleminderit Z. President për ftesën tuaj dhe për mikpritjen e ngrohtë që ju dhe Zonja e Parë më bëtë mua dhe gruas sime të ardhshme, @georginagio. Secili prej nesh ka diçka domethënëse për të dhënë, dhe unë jam gati të bëj pjesën time ndërsa frymëzojmë brezat e rinj për të ndërtuar një të ardhme të përcaktuar nga guximi, përgjegjësia dhe paqja e qëndrueshme.”


Send this to a friend