Pëllumb Sulo
Banorë të Shkodrës dhe Postribës përkujtuan 73 vjetorin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës, e cila cilësohet si e para kryengritje antikomuniste në Shqipëri.
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, duke foluar gjatë ceremonisë përkujtimore tha se banorët e Shkodrës dhe Postribës ishin të parët që e kuptuan rrezikun që po i kanosej vendit, ndaj edhe vendosën ti kundërvihen. Zonja Ademi tha se mesazhet e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës vazhdojnë të jenë aktuale.
“Sot, Kryengritja Antikomuniste e Postribës, mesazhet e saj janë më aktuale se kurrë. Një diktaturë ka filluar të instalohet në këtë vend. Po shkelen me dhunën e pushtetit edhe liritë më elementare, por edhe të shenjta, të cilat i kemi fituar prej 30 vitesh.”
Në përkujtimin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës merrnin pjesë disa prej ish deputetëve të Partisë Demokratike. Sekretari Organizativ i kësaj partie, Gazmend Bardhi, tha se banorët e Postribës e kuptuan të parët rrezikun që po i kanosesj vendit ndaj dhe reaguan.
“73 vite më pas, Kryengritja e Postribës mbetet aktuale sepse na thërret për të qendruar sërisht, për të luftuar për lirinë, për të drejtat humane, përkushtimin për të mos pranuar sundimin.”
E nisur para kohe, Kryengritja Antikomuniste e Postribës dështoi. Fazë Shabaj, banore i Postribës, thotë se kryengrija u pasua nga një masakër e gjërë e komunistëve mbi popullsinë e Postribës.
“Qeveria komuniste bëri një terror të paparë në Postribë. Pushkatoi mbi 22 vetë, u dogjën mbi 60 shtëpi me të gjithë pasuritë dhe u burgosën mbi 300 vetë në burgjet e komunizmit.”
Ndërsa Hamzë Kazazi, djali i njërit prej udhëheqësve të Kryengritjes së Postribës, Jup Kazazit, tha se komunistët shfrytëzuan dështimin e kryengritjes për të terrorizuar popullsinë e pafajshme.
“Edhe dihen masakrat që ka pësu Postriba edhe Shkodra. Duke përfitu prej kësaj, komunizmi eleminoi kë deshti; klerin katolik, klerin musliman, intelektualët me kulturë prendimore.”
I pranishëm në përkujtimin e Kryengritjes Antikomuniste të Prostribës, Nebil Çika, i cili drejton Shoqatën Antikomuniste të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë tha se prej kohësh vërehen përpjekje që ngjarje të tilla si ajo e Postribës të mbahen thjeshtë në kornizën e ngjarjeve përkujtimore.
“Ka një përpjekje titanike të politikës dhe rretheve akademike për ta mbajtë vetëm si datë historike. Por kjo nuk është datë historike, është symbol i qendresës tonë antikomuniste. Është shumë aktuale për situatën që po përjetojmë politikisht.”
Për qendresën ndaj komunizmit, Postriba dhe Malësia e Madhe janë nderuar nga Presidentët e Shqipërisë me urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”.
Komentet