Ambasadori Dashnor Dervishi, në shënimet e tij gjatë ushtrimit të detyrës si ambasador i vendit tonë në Ankara nga viti 2000 deri në 2002, sjell analizat e tij që lidhen me historikun, ecurinë dhe sfidat që po has Turqia në proceset integruese të saj në Bashkimin Europian.
DASHNOR DERVISHI/ AMBASADOR
Më 13 mars 2019, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, në të cilën shprehej shqetësimi i deputetëve europianë rreth rekordeve të dobëta të Turqisë në ruajtjen e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit. Duke marrë parasysh sa më sipër, eurodeputetët rekomandonin pezullimin e bisedimeve me Turqinë për pranimin në BE, duke theksuar se marrëdhëniet BE-Turqi duhet të ripërcaktohen në aspektin e një partneriteti efektiv. “Megjithatë, fondet e BE-së duhet të jenë ende në dispozicion, për të mbështetur shoqërinë civile turke, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe studentët. Parlamenti Europian, gjithashtu vë në dukje rëndësinë që ka fakti që BE dhe shtetet anëtare të saj të mbajnë dialog të ngushtë me Turqinë, duke bashkëpunuar mbi çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë dhe pranon rolin e rëndësishëm që Turqia ka treguar ndaj krizës së emigracionit”.
Roli i Turqisë, si një aktor shumë i rëndësishëm ndërkombëtar, është përherë e më i dukshëm. Turqia ka qenë dhe mbetet një faktor strategjik, si për SHBA-në ashtu edhe për Rusinë. Mbështetja e fuqishme amerikane për këtë vend, që shërben si urë lidhjeje në mes dy qytetërimeve, si ai perëndimor dhe ai islamik, duket qartazi edhe në kuadër të ecurisë së proceseve integruese për Turqinë, pavarësisht nga ndryshimet konjukturale, që shfaqen në politikat amerikane me këmbimin e administratave.
SHBA-ja, Anglia dhe Suedia mbeten promotorë të anëtarësimit të Turqisë dhe secila prej tyre ka luajtur rol, me aq mundësi sa kanë, që të mbajnë hapur bisedimet e anëtarësimit të këtij vendi në BE-në, ndërsa në qeverinë gjermane është arritur kompromisi me partnerët e saj qeverisës (kristiandemokratët dhe liberalët), për të mos ngrirë çështjen e ndërprerjes së bisedimeve me Turqinë në takimin e dhjetorit 2009. Por rruga europiane për Turqinë ka një kundërshtar të fuqishëm, Francën dhe Presidentin Sarkozi, përveç Greqisë dhe Qipros.
* * *
Kërkesa e parë zyrtare për futjen e Turqisë në Bashkimin Ekonomik Europian të atëhershëm është e vitit 1959, pikërisht dy vjet mbas krijimit të kësaj strukture. Në vitin 1963, me Marrëveshjen e Ankarasë, u planifikua integrimi i plotë dhe gradual i Turqisë në BE. Hapi i parë do të ishte bashkimi doganor, ndërkohë që për të arritur anëtarësimin e plotë duhej që Turqia të arrinte parametrat europianë në fushën politike-institucionale dhe në atë të të drejtave të njeriut. Por BE nuk i zbatoi plotësisht angazhimet e saj. Kështu, në vitin 1981 u ndërprenë protokollet financiare dhe ndihmat e parashikuara në kuadrin e programit MEDA, pa kryer asnjë lloj kompensimi, megjithëse presidenca e atëhershme e BE-së kishte deklaruar se nuk dëshironte të ishte peng e vetos greke, për çdo lloj hapjeje ndaj Turqisë.
Aplikimi i Turqisë për anëtarësim të plotë në BE në prill 1987 dhe përgjigjja negative, krijuan një pikëpyetje të madhe për anëtarësimin e Turqisë në klubin e vendeve europiano-perëndimore. Kjo tendencë u thellua më tej me klimën e re të postluftës së Ftohtë. Mbas rënies së murit të Berlinit, Turqia e humbi statusin e privilegjuar, që kishte si vend kufitar me vendin më të fuqishëm të kampit socialist, BS. Sytë e BE-së në përgjithësi dhe të Gjermanisë në veçanti, u drejtuan nga vendet ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore. Gjermania donte të krijonte në këtë zonë Mittel-Europën e dikurshme. Kjo solli rënien e interesit ndaj Turqisë, e cila edhe për vetë problemet dhe përmasat e saj, kërkonte angazhime të mëdha financiare.
Fakti që BE-ja nuk ishte e interesuar për të hapur bisedime serioze me Turqinë, u duk në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Europës, mbledhur në Amsterdam në qershor 1997, ku u paraqit plani i zgjerimit të BE-së, plan që u miratua në Samitin e Luksemburgut të dhjetorit 1997. Pesë vendeve që konsideroheshin të përshtatshme (Hungari, Poloni, Republika Çeke, Estoni dhe Slloveni) iu shtua edhe Qipro. Turqia nuk u përfshi as në grupin e dytë të vendeve kandidate (Lituani, Letoni, Sllovaki, Rumani dhe Bullgari). Në mbledhjen e nivelit të lartë të Kardifit të vitit 1998, u pa se Turqia ishte i vetmi vend që ishte i përjashtuar nga çdo fazë e mëtejshme e bisedimeve për zgjerim.
Përpara Samitit të Luksemburgut kishte katër mundësi për pozicionimin e BE-së ndaj Turqisë: 1. Më e mundshmja ishte përjashtimi i Turqisë nga procesi i zgjerimit të BE-së, për shkak të problemeve të shumta ekonomike dhe politike, si dhe për nevojën e kontributeve të mëdha financiare nga BE. 2. T’i jepej një status special, pa u angazhuar për një anëtarësim të plotë. 3. T’i jepej një status special, por me perspektivën e anëtarësimit të plotë. 4. Të trajtohej njësoj si të gjithë aplikuesit e tjerë për anëtarësim të plotë.
Vendimet e Samitit të Luksemburgut i dhanë Turqisë një status special, pa përcaktuar kohën për anëtarësim të plotë në BE. Turqia u përfshi në procesin e zgjerimit të BEsë, por asaj nuk iu dha një strategji parapranimi, ashtu si 11 vendeve të tjera kandidate. Ky vendim përcaktonte një përmirësim të qartë të raportit të Komisionit të BE-së Agenta 2000. Megjithatë, qeveria turke reagoi ashpër, duke e konsideruar vendimin si diskriminues, po të merrej parasysh fakti që Turqia jo vetëm që nuk figuronte si vend kandidat, por nga ana tjetër, ndër 11 vendet kandidate ishte shtuar edhe Qipro.
Në Ankara mbizotëroi mendimi se BE-ja po mbante anën e Greqisë për problemin e Qipros. Vendimet e Luksemburgut përforcuan ndjenjat antieuropiane në elitën qeverisëse, të cilat ishin shfaqur që mbas refuzimit të aplikimit të Turqisë për anëtarësim të plotë në vitin 1987. Kjo u reflektua në vendimet drastike të qeverisë turke, për të ndërprerë dialogun politik me BE-në dhe për të mos marrë pjesë në Konferencën Europiane, ku Turqia ishte ftuar së bashku me vendet e tjera aplikuese. Njëkohësisht, u vështirësua zbatimi i marrëveshjes së bashkimit doganor. Shumë rregullore dhe ligje të nevojshme për këtë zbatim nuk kaluan në Parlament për miratim. U shtuan zërat se edhe marrëveshja doganore ishte në disfavor të Turqisë, prandaj duhej riparë, në kuadër të mungesës së perspektivës europiane.
Samitet e mëvonshme të BE-së në Kardif, Vjenë dhe Këln, megjithëse sollën disa përmirësime relative, nuk arritën të kapërcejnë ftohjen e marrëdhënieve midis Turqisë dhe BE-së.
Samiti i Helsinkit i dhjetorit 1999 shënoi një hap shumë të rëndësishëm në rrugën e afrimit të Turqisë drejt Europës. Turqia u rendit së bashku me 12 vendet e tjera kandidate (ishte shtuar edhe Malta) në procesin e zgjerimit të BE-së dhe u bë pjesë e “Pranimit të Asociimit” (Acession Partnership), njësoj si vendet e tjera. Në ndryshimin e qëndrimit ndaj Turqisë influencoi mjaft qeveria socialdemokrate-ambientaliste gjermane, që ndryshe nga qeveria e mëparshme kristiandemokrate e kancelarit Kohl, ishte më konservatore ndaj hapjes së mëtejshme të BE-së. Vetë BE-ja, që për një kohë të gjatë ishte përqendruar kryesisht në çështjet ekonomike dhe politike, kishte lënë mënjanë konsideratat gjeopolitike. Ky qëndrim pësoi një ndryshim mbas krizës së Kosovës dhe krijimit të Paktit të Stabilitetit të Ballkanit, ku një rol të rëndësishëm luante edhe Turqia.
Vendimet e Samitit të Helsinkit u konsideruan në Turqi si një ngjarje shumë e rëndësishme, po aq sa ç’ishte shpallja e Kushtetutës së parë në vitin 1976. Helsinki shënoi një pikë të vërtetë kthese në rrugën e modernizimit të Turqisë, proces që kishte filluar që me reformat e Mustafa Ataturkut.
Por procesi i mëtejshëm i afrimit drejt Europës do të rezervonte të papritura të tjera të pakëndshme për Turqinë. Në dokumentet e mëvonshme të saj, BE filloi të vërë para Turqisë kushte, të cilat nuk ishin parashikuar në dokumentin përfundimtar të Helsinkit. Në dokumentin e Asociimit të Komisionit të BEsë, në nëntor 2000, u kërkua nga Turqia zgjidhja e problemit të Qipros si dhe të mosmarrëveshjeve me Greqinë, për vijën kufitare në detin Egje, si kushte për anëtarësim në BE. Ky qëndrim i ri i BE-së ngjalli pakënaqësi të madhe në radhët e politikanëve dhe të opinionit publik turk. Reagimet ishin nga më të ashprat, deri në deklarata të Kryeministrit Eçevit se, nëse nuk ndryshonte formulimi i dokumentit, atëherë Turqia do të rishikonte kërkesën e saj për anëtarësim. Goditjen më të madhe në shpresat e saj për një anëtarësim të shpejtë në BE, Turqia e mori në Samitin e Nicës të 7-8 dhjetorit 2000. Në dokumentet përfundimtare të Samitit, Turqia nuk përmendej si vend kandidat në planet e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, madje në këto dokumente Turqia nuk përmendej fare. Atë që Turqia me shumë përpjekje e arriti në Helsinki, e humbi në Nicë.
QËNDRIMET E VENDEVE ANËTARE TË BE-SË DHE TË VETË TURQISË
Turqia nuk u ftua në takimin themelues të Këshillit të Europës, më 5 Maj 1949 dhe as në nënshkrimin e Statutit, me gjithë kërkesat e saj këmbëngulëse. Asaj iu refuzua kjo gjë edhe mbas krijimit të NATO-s. Arsyeja e këtij mospranimi rridhte nga mentaliteti i politikanëve europiano-perëndimorë, i cili shprehet në Statut. Në parathënien e tij, ku përshkruhet e kaluara dhe kultura e vendeve themeluese ka një pikë, e cila mendohet se e ndan Turqinë nga vendet e tjera të Europës Perëndimore: “Vlerat shpirtërore dhe morale, të cilat janë trashëgimia e përbashkët e popujve (europianë)”. Po kështu, në nenin e parë të Statutit theksohet: “Qëllimi i KE-së është që të arrijë një unitet më të madh ndërmjet anëtarëve të tij për të ruajtur dhe realizuar idealet dhe parimet që janë trashëgimia e tyre e përbashkët…” Dihet se përbërësit e kësaj trashëgimie të përbashkët janë filozofia greke, e drejta romake, kisha kristiane perëndimore, humanizmi i Rilindjes, pozitivizmi, revolucioni francez, nacionalizmi dhe revolucioni industrial. Qytetërimi europian bazohet në këtë trashëgimi, ku një nga elementët më të spikatur është feja. Megjithëse në tekstet zyrtare të KE-së nuk gjendej asnjë referencë për kristianizmin, ajo mbetej një çështje bazë. Presidenti i parë i Asamblesë Konsultative, në shtator 1949, theksonte: “Ky qytetërim europian është qytetërimi i kristianizmit dhe qytetërimi i njerëzimit”.
Pavarësisht nga parimet themelore, mbi të cilat u ngrit KE në fillimet e saj, me kalimin e kohës, interesat në faza të ndryshme të zhvillimit dhe të realpolitikës, kanë bërë që në vende të ndryshme të Europës të ketë mendime të ndryshme, aq sa mund të thuhet se shumë qeveri të vendeve anëtare të BE-së nuk dinë së çfarë të bëjnë me Turqinë.
Ndërsa 70-80% e opinionit publik në vendet e BE-së është kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, e njëjta përqindje e turqve është në favor të këtij anëtarësimi. Turqit e shohin hyrjen në BE si një mundësi për zhvillimin e gjithanshëm të Turqisë, për modernizimin dhe rritjen e mëtejshme të fuqisë së saj ekonomike.
Përsa i përket problematikave të marrëdhënieve greko-turke dhe qipriote-turke, të cilat konsiderohen si ndër më të vështirat për t’u trajtuar për vetë kompleksitetin që ato kanë, vazhdojnë të jenë shqetësim për politikanët dhe ushtarakët, si në nivel rajonal ashtu edhe ndërkombëtar.
Në takimin e 8 dhjetorit 2009 të Këshillit për Çështjet e Jashtme të BE-së u diskutua edhe tema e vazhdimit të negociatave me Turqinë. Edhe mbi këtë temë u duk se qëndrimet e Greqisë dhe Qipros ishin të ndryshme me ato të Presidencës suedeze, e cila mbrojti idenë se konfliktet dypalëshe nuk duhet të jenë pengesë në negociatat e anëtarësimit për një vend kandidat. Sipas palës greke, që përfaqësohej nga ministri i Jashtëm Alternativ, z. Droutsas, gjatë atij takimi u diskutuan tema të tilla si: së pari, plotësimi nga Turqia i kritereve të Kopenhagës, në veçanti në sektorë të tillë si liria fetare, të drejtat e minoriteteve dhe të drejtat e pronës, çështje të cilave Greqia iu jep rëndësi, sepse lidhen me të drejtat e Patriarkanës Ekumenike të Stambollit; së dyti, zbatimi i marrëveshjes së ripranimit, që Turqia ka përfunduar me vendet anëtare. Edhe kjo pikë dukej se shqyrtonte shqetësimin e Greqisë për emigracionin e paligjshëm dhe moszbatimin e marrëveshjes së ripranimit të nënshkruar me Greqinë, që në vitin 2001; së treti, iu kërkua Turqisë që të angazhohet në mënyrë të pakushtëzuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme ligjore, përfshirë edhe zgjidhjen e konflikteve nga Gjykata e Hagës. Edhe kjo pikë u lexua si e favorshme për interesat e Greqisë në zgjidhjen e konflikteve me ishujt e Egjeut.
Këshilli për Çështjet e Jashtme të BE-së, ku një rol aktiv kishin Presidenca suedeze, Britania dhe disa shtete të tjera, vendosi mbajtjen në fuqi të të njëjtave masa, që ishin marrë kundër Turqisë, që nga viti 2006. Greqia e cilësoi si fitore të saj përdorimin e një gjuhe më të ashpër në kërkesat që Këshilli i shtroi Turqisë. Ndërsa shtypi grek e vlerësoi qëndrimin e Greqisë dhe Qipros, të mbajtur në këtë takim në lidhje me Turqinë, më shumë si “një rënkim” se sa si një “ulërimë”. Sipas medias, qeveria e re e PASOK-ut kishte shpallur se do të kërkonte miratimin e një udhërrëfyesi të ri për Turqinë, me afate kohore të përcaktuara, por këto premtime nuk u realizuan.
* * *
Në opinionin publik turk mbizotëronte ideja se anëtarësimi i Turqisë në BE është shumë i largët, për të mos thënë një ëndërr. Sipas analistëve të BE-së, “me një popullsi që arrin në rreth 70 milionë banorë, me një shkallë shumë të lartë të papunësisë, me një ekonomi problematike, me një sistem politik të paqëndrueshëm, me demokraci të pazhvilluar, nivel të ulët arsimimi, me një popullsi të varfër dhe me diferenca të mëdha në kulturë dhe në besimin fetar me vendet e BE-së, Turqia do të ishte vetëm një barrë e rëndë për BE-në”.
Lidershipi politik i Turqisë, megjithëse është i ndërgjegjshëm për pengesat e mëdha në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE, preferon ta udhëheqë vendin drejt këtij objektivi. Nëse vazhdohet të plotësohen kriteret politiko-ekonomike, Turqia në mos në BE, do të arrinte t’i siguronte vetes një vend pranë BEsë. Në përgjigje të dëshirës së opinionit publik, partitë politike turke e kanë përqafuar idenë e anëtarësimit në BE, duke e përdorur atë edhe për qëllimet e tyre elektorale. Sidoqoftë, objektivat që vendosen për të arritur kriteret e BE-së, pavarësisht se Turqia futet ose jo në këtë organizëm, kanë shtruar përpara lidershipit politik turk një sërë detyrash për të arritur nivele më të larta të demokratizimit dhe përparimit ekonomik.
Një pakicë, e cila përbën rreth 5% të popullsisë turke, ka qenë kundër hyrjes së Turqisë në BE. Por, megjithëse në një përqindje shumë të vogël, kjo pakicë ishte pranë pushtetit dhe kishte një influencë të konsiderueshme në vendimmarrje. Reformat, që do të ndërmerreshin për të plotësuar kushtet për anëtarësim, do të kufizonin dukshëm fuqinë politike të këtyre forcave, fuqi që ushqehet edhe nga një mentalitet i rrënjosur në jetën civile, se ushtria është garanti i unitetit dhe i stabilitetit të Turqisë. Në fakt, ushtria tradicionalisht ka ndërhyrë, edhe me grushte shteti (dy herë që nga viti 1960,) për vendosjen e stabilitetit në vend, në kundërshtimin me fondamentalizmin islamik dhe kundër separatizmit kurd.
Ndërkohë që në opinionin publik turk vazhdon debati për çështjet më të mprehta dhe të diskutueshme, një gjë është e qartë: rruga e Turqisë drejt Europës do të jetë një rrugë e gjatë dhe e komplikuar.
Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike, shkruan Zëri i Amerikës.
Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.
“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’.
Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, thotë për Zërin e Amerikës”, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.
Gazetarja kazake Zhamila Maricheva doli para gjyqit të enjten, për shkak të një artikulli që e kishte shkruar në mbështetje të shërbimit kazak të Radios Evropa e Lirë (REL), i njohur në vend si Radio Azattyq.
Maricheva u arrestua më 24 prill derisa kishte dalë për një vrapim, dhe më pas u akuza për përhapjen e “informatave të rrejshme”.
Akuzat kundër saj burojnë nga një artikull që ajo e kishte postuar në kanalin e vet në Telegram, ProTenge, në janar, kur ajo e kishte ngritur çështjen e telasheve me të cilat Radio Azattyq përballej për të siguruar akreditim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Kazakistanit.
Kjo kishte nxitur frikë se Qeveria po përpiqej t’i shtypte mediat e pavarura.
Maricheva e lartësoi Radion Azattyq për, siç tha ajo, profesionalizmin e saj, duke e theksuar rëndësinë e programeve të REL-it në Kazakistan.
Një gazetar tjetër kazak, Askhat Niyazov, e kishte shpërndarë artikullin e Marichevas asokohe dhe si pasojë ishte akuzuar për shpifje.
Një gjykatë e shpalli të pafajshëm Niyazovin vitin e kaluar dhe e mbylli rastin kundër tij, duke thënë se nuk kishte asgjë të jashtëligjshme në veprimet e tij.
Maricheva e përsëriti pafajësinë e saj gjatë seancës gjyqësore të enjten dhe theksoi se policia e shkeli të drejtën e saj duke e arrestuar për ta marrë në pyetje derisa ajo po bënte një vrapim, në vend se ta thërriste zyrtarisht për intervistim në stacion policor.
Avokatja e Marichevas, Asel Toqaeva, i kërkoi gjykatës ta hedhë poshtë rastin kundër saj dhe tha se të drejtat kushtetuese të Marichevas u shkelën nga policia gjatë arrestimit dhe intervistimit të saj.
Në janar 2023, Ministria e Jashtme ua mohoi akreditimin 36 gazetarëve të Radios Azattyq. Disa prej korrespondentëve nuk kanë qenë në gjendje ta vazhdojnë akreditimin prej fundit të vitit 2022.
Situata u përkeqësua kur një grup i ligjvënësve kazakë e miratuan një draft projektligj, i cili do t’ia mundësonte autoriteteve të ish-republikës sovjetike ta refuzojnë akreditimin për mediat e huaja dhe reporterët e tyre, për shkaqe të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
REL-i arriti marrëveshje me Ministrinë e Jashtme të Kazakistanit për akreditimin para rreth dy javëve.
Protesta e diasporës këtë të enjte në tribunat e Kuvendit të Shqipërisë është akti i parë i një luftë për një kauze të drejtë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë dhe kjo mazhorancë merr rrezikun t’i mbajë zgjedhjet pa diasporën, lufta e kësaj të fundit do të përfundojë në sallën e Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg, për mos njohje të rezultatit të zgjedhjeve legjislative të organizuara në kundërshtim me vendimin detyrues të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për pjesmarrjen e diasporës me vote ne zgjedhje.
Mazhoranca dhe faktori ndërkombëtar po marrin kështu qartazi një rrezik të pa llogaritshëm me mos njohjen e zgjedhjeve në një vend që ende s’po hap një kapitull të parë të negocjatave për integrim në BE për shkak tashmë të problemeve me zbatimin e rregullave demokratike. Në momentin që po hedhim këtë shkrim në botim, gjasat janë që mazhoranca ka vendosur t’i hyjë rrugës së skenarit të më së keqes, kaosit institucional, politik dhe te sigurise në Shqipërinë e pas zgjedhjeve të 2025-ës që rrezikojnë të mos njihen si legale.
Për PS-në në pushtet është tepër vonë tani që të programohet votimi i diasporës Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në pushtet, Blendi Klosi pati “meritën” këtë javë të bëjë publik pesimizmin e partisë së tij për sa i përket votës së Diasporës, duke i çjerrur në këtë mënyrë maskën Rilindjes. Me një cinizëm transparent apo me një transparencë cinike Blendi Klosi u shpreh kështu nga Shkodra:”… do të kishim shumë dëshirë që të realizonim votën e emigrantëve … por mungesa e opozitës shumë gjatë në komisionin per réformen zgjedhore na e bëri të pamundur të gjenim diskutim, negocim dhe vendimmarrje në komision”.
PS-ja akton ose aktron në këtë mënyre se nuk do të kete votë të diasporës për zgjedhjet e 2025, meqënëse sipas saj është tepër vonë tani. Këtë vonesë mazhoranca ia faturon sigurisht jo vetes por Opozitës. Të qeshësh apo të qash. Apo të dyja bashkë.
Në këtë shkrim do i përmendim disa të vërteta Blendi Klosit dhe liderit të tij maximo Edi Rama që i trembet po aq shumë votës së diasporës sa dhe reportazheve të gazetarëve të huaj si Rai 3. Të dyja palët , diasporë shqiptare dhe media perëndimore kanë një gjë të përbashkët, ato nuk kontrollohen nga kryeministri i Shqipërisë. Ndaj ky i fundit përpiqet të mbajë sa më larg vetes dhe Shqipërisë si angazhimin politik të diasporës ashtu dhe mediat investiguese ndërkombëtare në mënyrë që asgjë që vjen nga jashtë mos t’i cënojë pushtetin e tij brënda, një pushtet që e do pa limite në thellësi dhe në kohë.
Me ata që janë brenda Shqipërisë, që infuencojnë fletët e votimit, që numërojnë kutitë e votimit dhe që supozohen të gjykojnë krimet gjatë procesit të votimit, Rama merret vetë si ia do dëshira. Me ata që janë jashtë dhe që s’ka se çfarë t’u bëjë, ose i pengon të votojnë duke mos lejuar votën e diasporës, ose u bën telefonata kërcënuese siç veproi me drejtorin e RAI-t, duke thyer kështu dhe një rekord që deri atëherë e mbante Kremlini i Putinit. Rama po thyen dhe një rekord tjetër të Kremlinit. Regjimet e Putinit dhe të Vuçiçit të paktën sa për sy e faqe e lejojnë votën e diasporës, ai i Edi Ramës dhe këtë obligacion minimal kushtetues të një vendi anëtar të Këshillit të Europës nuk e përmbush.
Mazhoranca do mbajë përgjegjësinë për mos njohjen e zgjedhjeve nga GJK ose Strasburgu Blendi Klosi mund të bëjë sa të dojë sofizma për llogari të shefit të tij të llojit si ato që dëgjuam në Shkodër: “Ligjvënësi kur e ka ndërtuar Kushtetutën dhe ligjin ka menduar se do të ketë forca të ndërgjegjshme politike të cilat do të duan të ulen në tryezë, të negociojnë mes tyre dhe të marrin vendime përsa i përket ligjeve të rëndësishme të vendit. Mungesa e vullnetit nga krahu i opozitës na la në këtë situatë”.
E para, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste ta rrotullojë gjuhën shtatë herë në gojë para se të përmendë Kushtetutën që kjo mazhorancë po e trajton si qilim kashte para portës ku fshin këmbët. Kushtetuta u njeh të gjithë shtetasve shqiptare, pra çdo qytetari që ka pasaportë shqiptare, të drejtën e votës! Për Diasporën shqiptare kjo e drejtë u ri-konfirmua biles në mënyrë specifike nga nje vendim enkas ne favor te saj nga Gjykata Kushtetuese.
Përse duhet të presë mazhoranca dakordësinë e opozitës për votën e diasporës? Kjo mazhorancë që s’pyet për opozitë kur ve në rend të ditës për votim në Parlament ligje nga më anti-shqiptaret si pakti Rama – Meloni për afrikanët, Butrinti që i jepet privatit, apo zvogëlimi zonave të mbrojtura natyrore të Shqipërisë, pse fshihet pas nevojës se një konsensusi me opozitën në rastin e votës për diasporën? U dashkan 84 vota thotë Blendi Klosi? Po le ta çojë mazhoranca ligjin për votën e diasporës, të japë të gjithë votat e saj të mundshme, 70 e disa që ka, dhe t’ja lërë kështu dopjo gjashtën në dorë opozitës po qe nevoja.
Le të guxojë nga ana e saj opozita para kamerave të gjithë botës të votojë kundër ligjit të propozuar nga mazhoranca për votën e diasporës. I takon shqiptarëve të gjykojnë kush po ia saboton votën diasporës, jo mazhorancës. Detyra e mazhorancës, ngaqë është mazhorancë është të japë shembullin dhe jo të ngrejë alibira boshe.
U bë mbi një dekadë që Edi Rama është në pushtet. Si produkt i diasporës me banim më parë në Paris, Edi Rama e futi të drejtën e diasporës për votim që në programin e Partisë Socialiste më 2013. Mbi 10 vjet më vonë asgjë. Mburret Edi Rama se arriti të paarritshmen me votimin e Reformës së Drejtësisë më 2016. Pse nuk vuri të njëjtën tempo, energji, përkushtim e atdhetarizëm për të realizuar votimin për votën e diasporës? Pse? Sepse me Reformën në Drejtësi ai shpresonte të realizonte vënien e drejtësisë së re nën hiqmin e mazhorancës së re dhe kjo e motivoi tej mase t’i shkonte deri në fund. Ndërsa votës së diasporës ai nuk i sheh veçse efekte negative me mbi 1 milion njerëz jashtë që nuk mund t’i kontrollojë. Ndaj ai tallet dhe votimin për votën e diasporës, e shtyn periodikisht për në “kalendat greke”, për të mos ta lejuar kurrë, për aq kohë sa ai do të jetë në pushtet. Është më e ndershme t’i prezantosh gjërat kështu, se sa të fshihesh pas topureve të opozitës se po e pengon kjo votën e diasporës. Këtë fabul si ajo tjetra mbi papërgjegjësinë e Ramës në korrupsionin galopant që ka përfshirë vendin si në “flakët e Ferrit” mund ta hanë disa mendje naive në Shqipëri por nuk do gjesh një adult apo adoleshent të diasporës shqiptare ta besojë këtë qeveri në mashtrimin se votën e diasporës nuk e ka ajo në dorë, por opozita.
Thirrje spektrit politik për solidaritet me diasporën deri në mosnjohje të zgjedhjeve Diaspora shqiptare nuk duhet të merret me gjatë me lutje ndaj një mazhorance me qëndrim të qartë anti-shqiptar karshi votës së diasporës. Strategjia e diasporës duhet t’i bëhet e ditur mazhorancës dhe ndërkombëtarëve. Nëse ajo nuk lejohet të votojë në 2025, do të ketë rekurse te gjithanshme për mosnjohje të zgjedhjeve dhe kërkesë për ripërsëritje të tyre deri sa të integrohet vota e diasporës. Diaspora ka forcën e ligjit me vete, ka Kushtetutën e Shqipërisë dhe vendimin specifik në favor të saj të Gjykates Kushtetutese.
Edhe sikur gjykatat shqiptare mos t’i japin të drejtë diasporës për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve legjislative të 2025-ës pa votën e diasporës, çështja do të shkojë deri në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg që mbarë Europa ta njohë të vërtetën e pushtetit të Edi Ramës në Shqipëri si i vetmi pushtet në Europën moderne që ia ndalon diasporës të votojë duke e tejkaluar siç u tha më sipër edhe Rusinë apo Serbinë.
Diaspora shqiptare duhet po ashtu të vërë para përgjegjësive të gjitha partitë e opozitës që këto të jenë të gatshme ashtu si diaspora të mos e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 2025 në Shqipëri nëse ato zhvillohen pa votën e diasporës.
Një ultimatum i këtij lloji t’i dërgohet përfaqësive perëndimore në Tiranë. Dhe ato të marrin përgjegjësitë e tyre nëse situata shkon në mosnjohje të zgjedhjeve nga opozita për shkak të mohimit të votës së diasporës. Perëndimorët që janë kaq të ndjeshëm ndaj situatës së sigurisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, kanë sot rastin të veprojnë që situata në Shqipëri mos të degradojë në 2025 nëse delegjitimohen zgjedhjet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka bërë detyruese votën e diasporës për 2025-ën.
Kur arriti të pamundurën më 2016, me 140 vota mbi 140 në favor të Reformës në Drejtësi, faktori ndërkombëtar të lëvizë tani sa nuk është vonë për të detyruar mazhorancën të lëvizë sa më shpejt për votën e diasporës. Më vonë do të jetë tepër vonë, Shqipëria do të rrezikojë të zhytet në një krizë politike dhe sigurie në 2025 atëherë kur nuk i dihet fati as situatës së sigurisë më gjerë në Europë pas një fitoreje të mundshme të Donald Trump në SHBA. Përgjegjësit në Shqipëri dhe në kancelaritë perëndimore të marrin bashkarisht përgjegjësitë e tyre: me mohimin e votës së diasporës shqiptare po luhet me zjarrin që gjithmonë është vërtetuar si një lojë tepër e rrezikshme
Një Shqipëri pa zgjedhje të legjitimuara do të jetë një Shqipëri në kaos!
Kreu i grupit parlamentar të PD, në fjalën e tij në lidhje me protestën e organizuar nga gazetarët në hyrje të Kuvendit në lidhje me sulmet ndaj mediave, tha se këto raste turpërojnë të gjithë politikën, jo vetëm ata që i kryen.
“I dënojmë sulmet ndaj medias. Liria e shtypit është një nga shtyllat e demokracisë. Gazetarët e terrenit kanë vështirësitë tuaja ashtu si media ka qenë pre e autoritarizmit të Ramës. Janë raste që turpërojnë jo vetëm ata që e kanë kryer por të gjithë politikën.
Në emër të grupit të PD keni mbështetjen e plotë tonën për të bërë punën tuaj”, tha ai.
Më parë për gazetarin Osman Stafa foli edhe deputeti Toni Gogu.
“Vetëm ju mos t’ju cënojnë pa dashje. (qesh)”, tha deputeti i PS-së, Toni Gogu para gazetarëve.bw
Gazetarë të terrenit janë mbledhur sot para hyrjes së Kuvendit, ku po protestojnë për të drejtat e tyre. Me pankarta në duar, me mesazhe të ndryshme, gazetarët që përcjellin çdo ditë lajmin e fundit, të vërtetën te publiku, punonjësit e medias kanë protestuar sot, një ditë para 3 majit, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit. Kjo për faktin se sot ka seancë plenare dhe për të sjellë më mirë mesazhet te politika. Vetëm këtë vit janë raportuar rreth 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave. “Keni mbështetjen tonë. Unë dënoj çdo lloj sulmi.
Vetëm ju mos t’ju cenojnë pa dashje. (qesh)”, tha deputeti i PS-së, Toni Gogu para gazetarëve.
“Gazetarëve iu janë dërguar mesazhe kërcënuese. Nga Politikanë apo personazhe të tjera. Janë identifikuar gjatë këtij viti 30 sulme ndaj gazetarëve dhe mediave. Sot dita e sotme duhet të jetë alarm për ne gazetarët dhe çdo politikan të zgjedhur”, tha gazetari Isa Myzyraj duke bërë thirrje që politika duhet të reflektojë.
Afrimi i 25 prillit do të rindezë krahasimet ndërmjet Lirimit tonë e atij të të tjerëve. Është e parashikueshme që në manifestimet do të ridëgjohet thirrja “Palestina e lirë”, e do të hymnizohet “qëndresa” e atij popilli. Por po aq e sigurtë është se të njëjtin interes nuk do të shkaktojë qëndresa e ukrainasve. Simbas një paradoksi të eksperimentuar mirë në debatin tonë publik: pikërisht ata që janë më shumë të zotuar për të kundërshtuar pushtuesin izraelian, janë më të prirurit për të kuptuar arsyet e pushtuesit rus. Megjithëse Gaza nuk ishte e pushtuar para se të shpërthente lufta, ndërsa Donbasi ishte dhe është. Kjo vëngëri etike e politike është interesante edhe në motivimet e saj. Pardje ishte një dëgjuese e radios tepër e zemëruar me qeverinë ukrainase: “Atë që e gjej të palejueshëm – thonte – është përçmimi i skajshëm i jetës njerëzore nga ana e atij që dërgon dy ushtarë të luftojnë kundër dymijëve”. Zakonisht mbajmë anën e më të dobtit. Ndërsa në rastin e Rusisë, fuqia ushtarake dhe demografike e së cilës e quajtur e tepruar, është që në fillim një arsye shumë e mirë që ajo t’a fitojë luftën. Pra:zemërohemi në emër të shënjtërisë së jetës me ata dy që qëndrojnë, por jo me dymijët që përpiqen t’i vrasin.
Duke lënë mënjanë faktin që në histori shpesh herë më i trashi i ka marrë goditjet (Rusia cariste, rul ngjeshës i Evropës, qe për shëmbull fuqia e parë që u mund nga një Vend aziatik, Japonia e vogël, më 1905). Por ai që bën më shumë përshtypje është arsyetimi që mohon në rrënjë të drejtën e qëndresës së më të dobtit, që është i ligjëruar pikërisht nga dobësia e tij numerike e ushtarake e atij që pëson një padrejtësi e një paudhësi. Nuk e di nëse përkrahësit e kësaj teze a e kuptojnë se arrijnë deri në mohimin e shëmbëllesave të heroizmit si ajo e treqind spartanëve, që në Termopile mbrojtën lirinë e grekëve përballë fuqisë së pakufishme ushtarake persiane; ose atë të vietkongëve që në shtegun Ho Shi Min më së fundi mundën gjigandin amerikan; madje edhe qëndresën e hindianëve t’Amerikës, që më mirë se sa të përfundonin të internuar në një vend, parapëlqyen të përballeshin në një fushë beteje.
Shkurt: nëse më i dobti nuk ka të drejtë të mbrohet, duhet rishkruar e gjithë historia e njerëzimit. Nga ana tjetër, jam i sigurtë se e njëjta dëgjuese nuk do të kishte përdorur kurrë të njëjtin argument për të dënuar veprimet e partizanëve italianë ndërmjet 1943 e 1945, madje duke përsëritur padinë e vjetër të të bërit përgjegjës, me luftën e tyre, të shpagimeve të llahtarëshme nazifashiste të Marzabottos e të Sant’Anna të Stacemës. Nga ana tjetër ata që mendojnë si ajo sigurisht nuk i kërkojnë Hamasit të pushojë luftën për të shmangur plojën e mijra civilëve palestinezë. Madje dhe Hamasi, duke ngritur të famshmin flamur të bardhë, do të kishte fuqinë t’i jepte fund luftës, duke mos pranuar të përballonte një kundërshtar qartësisht më të fuqishëm për aftësi ushtarake e teknologjike. Megjithatë përgjegjësia e Hamasit, ploja e izraelianëve e 7 tetorit, nuk mund të krahasohet as së largëti me çfarëdo “casus belli” të përdorur nga Moska ndaj Kievit për të ligjëruar mësymjen. Pikërisht ndeshtrasha e luftës arabo-izraeliane, e filluar 76 vite më parë, do të duhej të na mësonte se paqja nuk është një fitore ushtarake, se nuk mjafton një bashkëngjitje territori ose dorzimi i armikut për t’a siguruar. Më 1948, kur OKB-ja vendosi lindjen e dy Shteteve në Palestinë, më të dobtit ishin hebrejtë, pak qindra mijra të rrethuar nga një det miljona arabësh në Egjypt, Jordani, Siri, Liban, Irak; të cilët bënë gabimin të mos pranimit të planit të ndarjes, të bindur se do të mbizotëronin me forcën, duke hapur kështu një nga luftërat sot më larg çdo shprese të paqes. Në të njëjtën mënyrë, nëse nesër në mëngjes një qeveri ukrainase do të vendoste t’i dorëzohej Putinit, nuk do të ishte fundi i luftës, por fillimi i një lufte të re, të zvarritur e të pafund, ndoshta edhe një stine terrorizmi ndërkombëtar; pikërisht ashtu siç ndodhi në Lidjen e Mesme, kur palestinezët e Arafatit e përqafuan atë si armë qëndrese.
Rusët duhet t’a dinë mirë, mbas përvojës së Afganistanit: e mësyen edhe atë Vend, por u detyruan të tërhiqeshin mbas dhjetë vitesh, duke lënë të hapur plagën e skajshmërisë islamike nga e cila mbiu sulmi i Bin Ladenit Amerikës, përgjigja e Bushit të ri, lufta e Irakut, pafundësia e vatrave të luftës dhe atentateve që ende sot gjakosin botën. “Nuk ka paqë pa drejtësi”. E ka thënë edhe Gjon Pali i II, duke shtuar: “Nuk ka drejtësi pa falje”. Kush përgatitet të ndyejë kujtimin luftës sonë të Lirimit për të përligjur shtypjen e të tjerëve, ose për të bërë dy pesha e dy masa simbas mësyesve, le të kujtojë këto fjalë më 25 prill.
“Corriere della Sera”, 15 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika
Ivan Ilin është njëri ndër filozofët e parapëlqyer të Vladimir Putinit, të cilin e citon shpesh e me dëshirë. Por Ilini, i vdekur më 1954, ka qënë edhe një adhurues i bindur i Hitlerit, përpkrahës i nazizmit dhe i quajtur si teoricieni i “fashizmit rus”.
Prandaj studentët e Universitetit Shtetëror për studimet humaniste ngritën krye përballë vendimit të Rektoratit për të titulluar me të Shkollën e re eprore të Politikës, duke emëruar si drejtor një tjetër figurë të diskutueshme, mendimtarin tejet kombëtarist Alexandër Dugin. Në një thirrje zyrtare, të nënëshkruar nga 5 mijë veta, studentët i kërkojnë ministrisë së Shkencës e Prokurorisë federale të ndryshojnë emrin e Shkollës, mbasi”qëndra e kërkimeve të njërit ndër universitetet kryesorë të Vendit që ka thyer nazifashizmin, nuk mund të mbajë emrin e një mbështetësi t’atyre ideve”. Një deputet i Dumës, Vladimir Isakov, ka kërkuar një hulumtim mbi vendimin, sepse po të kishte qenë gjallë Ilini, do të ishte në dhunimin e ligjit rus që ndalon riabilitimin e nazizmit.
Gjëja më kureshtare është se, në përgjigje të një pyetjeje, zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peshkov, paska thënë se Kremlini “nuk parapëlqen të jetë i ngatërruar në këtë diskutim”. Nga të dyja njëra: o Putini lejon që sistemi të ketë ndonjëherë ndonjë valvul shpërthimi, ose nuk i bën përshtypje të vetëkundërshtohet, duke paditur ukrainasit se janë të gjithë fashistë e ndërkaq merr frymëzim nga një filozof nazist. Janë sjelljet tipike të Carëve, fundi i të cilëve filloi pikërisht nga Universitetet.
“Corriere della Sera”, 23 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika
Prej ditës së mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes pikës kufitare të përbashkët Shqipëri-Kosovë me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave.
Më herët, kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës. Qytetarët e Kosovës që kanë zgjedhur të udhëtojnë sot thonë se zbatimi i kësaj marrëveshje lehtëson ndjeshëm kalimet në kufi.
Ndërkohë, që në orët e para të ditës së sotme, pika doganore e Morinës është përballur me një fluks të madh udhëtarësh nga Kosova, të cilët udhëtonin drejt Shqipërisë për të festuar Ditën e 1 Majit, por edhe për të kaluar disa ditë pushimi.
Vetëm në orët e para të ditës së sotme, nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri rreth 5 mijë shtetas të Kosovës dhe 3 mijë mjete të vogla e dhjetëra autobusë.sn
Kryebashkiaku i Tiranës u paraqit të martën në SPAK pas një fletë-thirrje të javës së kaluar për të dëshmuar në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.
BIRN
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u pyet të martën për gati 7 orë për aferën e inceneratorit të Tiranës nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK.
Rreth orës 09:00 të mëngjesit, Veliaj u paraqit në ambjentet e SPAK me një dosje në dorë dhe kur doli pas dëshmisë, deklaroi para gazetarëve se kishte shkuar si ‘bashkëpunëtor’, pasi kishte kohë që e kishte kërkuar vetë një takim.
Duke i quajtur hetuesit e SPAK si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha ndër të tjera se kishte patur një ezaurim total të çështjes së incineratorëve. Ai shtoi se ishin thënë edhe disa detaje të tjera, por u tregua i rezervuar me argumentin se për shkak të sekretit hetimor i ishte “kërkuar dashamirësisht që të mos i ndante me gazetarët”.
I pyetur nga BIRN mbi cilësinë e marrjes në pyetje, kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.
“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” tha Dumani.
Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 100 milionë euro – ndonëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish- deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.
Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë mori jetë pasi kryebashkiaku Veliaj i dërgoi qeverisë në janar të vitit 2016 një studim fizibiliteti të IFC-së për zgjerimin e landfillit të Sharrës bashkë me propozimin për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane në kryeqytet.
Projekti u udhëhoq më pas nga Ministria e Mjedisit, ku u përfshinë edhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto përmes një oferte të pakërkuar.
Media greke i ka kushtuar një artikull ngritjes në detyrë të zëvendëskryeministres, Belinda Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të saj, siç është rasti i Evis Berberit, që ndodhet pas hekurave për shpërdorim detyre.
Newsbombë.gr shkruan për arrestimin e Berberit, krahut të djathtë të ministres së Infrastrukturës, Balluku.
Po ashtu shtrohen një seri me pyetje se pse ende nuk zbatohet vendimi i gjykatës franceze që shteti shqiptar t’i paguaj 50 milionë euro kompanisë greke “Actor”.
ARTIKULLI
Emri Belinda Balluku mund të mos jetë shumë i njohur për ju, por në Shqipëri do të thotë shumë. Emri i ministres së Infrastrukturës dhe zv/kryeministres Edi Rama përbën një çarje në ngërçin e Shqipërisë. Më 13 mars, SPAK, Gjykata kundër Korrupsionit, arrestoi Evis Berberin, kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe një nga bashkëpunëtorët më të besuar të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zv/kryeministres, Belinda Balluku. Akuza kishte të bënte me projektet e ndërtimit dhe konkurset luksoze, të cilat po fitoheshin nga të zgjedhurit e Edi Ramës. Sipas mediave shqiptare, pas një bastisjeje të policisë, SPAK, Gjykata Kundër Korrupsionit, arrestoi Evis Berberin, kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Policia e arrestoi atë së bashku me dy shokë biznesi (Valter Begaj dhe Ervis Lamajn), ndërsa në banesën e tij u sekuestruan shuma të mëdha parash dhe piktura me vlerë qindra mijëra euro. Evis Berberi ishte krahu i djathtë i ministrit Balluku dhe ishte ai që u fotografua pranë saj në të gjitha inspektimet dhe inaugurimet e projekteve të mëdha rrugore. Sipas SPAK, Valter Begaj, pronar i kompanisë NET – GROUP, ka fituar 6 tenderë publikë, paratë nga të cilat i ka transferuar nëpërmjet transaksioneve tek kompania DAAM. Përfitimi duket se shkon në 2.7 milionë euro.
NET-GROUP fitoi këto gara, paratë u transferuan përmes transaksioneve në kompaninë DAAM. Këto veprime kanë ngritur dyshime për veprimtari pastrimi parash. Hetimi i SPAK raportohet se ka nisur javët e fundit, me fokus shitjen e DAAM. DAAM është blerë nga Berberi me një çmim shumë të ulët, është shitur shumëfish, ndërsa pronësia dhe menaxhimi ndryshon disa herë mes biznesmenëve. Ka dyshime për një transferim të rremë për të shmangur konfliktin e interesit pasi Berberi ishte vendosur të emërohej këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. I gjithë skandali i mësipërm ka shkaktuar lëkundje ‘tektonike’ në skenën politike të Shqipërisë.
Shumë pikëpyetje ngre ngritja e bukuroshes dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila para karrierës së saj të re punonte në Greqi si ndihmëse shtëpiake. Praktikisht, një ndihmëse shtëpiake u bë numri dy i qeverisë shqiptare dhe ministre e Infrastrukturës dhe për këtë arsye komandon punët publike të vendit fqinj.
HISTORIA
Ka një proces gjyqësor që kompania e ndërtimit ‘Actor’ ka fituar nga një gjykatë franceze, ndaj shtetit shqiptar, në shumën 50 milionë euro, për të cilën Ministria e Drejtësisë dhe e Jashtme nuk kanë dhënë dritën jeshile për ta ekzekutuar. Dhe diku këtu është përfshirë Balluku, ku krahu i saj i djathtë u arrestua për pastrim parash, ndërkohë që ajo u kishte kërkuar shefave (të vjetërit e kompanisë së ndërtimit) të shpejtonin ndërtimin e projektit. Por kur punimet u bënë, Balluku nuk i pagoi shumat.
Me fjalë të tjera, kompania ‘Actor’ bëri punën, shkoi në gjyq, fitoi 50 milionë euro dhe e zgjedhura e Edi Ramës ‘fishkëllen’ indiferente. Por ja ku nisin ‘pyetjet’ e nxehta:
-Kush dhe pse nuk i jep dritën jeshile zotit Exarchou të kompanisë ‘Actor’ për të ekzekutuar?
-Çfarë lojërash luhen në sfondin diplomatik që pengojnë pagesën e shumave ndaj një kompanie greke që ka fituar ligjërisht?
-Kë mbulon shteti shqiptar?
-Çfarë di Athina për këto raste dhe çfarë do të bëjë? A do të vazhdojë ‘të fërshëllejë’ indiferente?
Plani i dhëndrit të ish presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar objekte turistike në Ballkan, ka nxitur reagime të shumta dhe shpesh edhe pakënaqësi në popull.
Sa i përket Serbisë plani i tij parashikon që një ndërtesë e cila shihet si kujtesë e bombardimeve të NATO-s në Beograd në 1999, të kthehet në një kompleks hotelesh luksoze.
Kjo është përkthyer si një ndërhyrje në kujtesën kolektive serbe të luftës.
Aleksandar Jovanoviç Çuta, një ambientalist, aktivist dhe anëtar i opozitës serbe u shpreh se nuk është normale që një vend ku civilët humbën jetën nga bombardimet, të kthehet në hotele me jakuzi dhe kazino.
Ai shtoi se Serbia nuk është “bar bufe” dhe presidenti Aleksandër Vuçiç nuk është kamerier që të japë me qira 99 vite godinat që nuk janë pronë tij private.
Si Jovanoviç, edhe figura të tjera të opozitës kanë nisur një peticion kundër projektit, duke mbledhur rreth 22,000 nënshkrime, ndërsa kanë bërë thirrje për protesta për të parandaluar zhvillimin e projektit.
Financimi prej 500 milionë dollarësh, do të ndërmerret nga firma e investimeve e Kushnerit, Affinity Partners, të cilën ai e themeloi pasi ai dhe vjehrri i tij, Donald Trump, u larguan nga Shtëpia e Bardhë.
Ka raportime se ai ka siguruar 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite dhe gjithashtu ka marrë qindra milionë nga fondet sovrane të pasurisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit.
Jared Kushner tha kohët e fundit se palët negociuese kanë rënë dakord paraprakisht që t’i japin qeverisë serbe 22% të fitimeve nga projekti, në një kohë kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe qeveria e tij argumentojnë se Beogradi duhet të rritet për më tepër për të krijuar mundësi biznesi.
Shkodrani Rin Zef MONAJKA (11 Qershor 1953 – 1 Maji 1997) asht nder Herojt e Perjetshem të qytetit Martir të Shkodres, që organizoi me guxim të pakrahasueshem Demostraten e Parë Antikomuniste me grupin e të rijve, me 11 e 14 Janar 1990, per rrëzimin e bustit Stalinit në qender të qytetit të Shkodres, me praninë e disa mija qytetarve antikomunistë.
Pergatitja filloi me daten 10 Janar dhe fatkeqësisht Sigurimi i shtetit ra në gjurmët e asaj Demostratë, ku arrestoi ma shumë se 300 persona, që i ka torturue mizorisht ashtu si zakonisht vepronte ai me armiqtë e vet.
Rin Monajka i siguroi Gjergj Livadhit se demostrata do të bahej mbasi atë e kishin dhanë ndër lajme edhe disa stacione televizive italiane.
Rin Monajka, diku në një prej rrugëve drejt piacës, ishte takue edhe me ambasadorin gjerman që kishte ardhë nga Tirana dhe kishte zhvillue me atë një bisedë dy-tre minutash per demostratën që pritej të bahej.
Personat kryesorë që po merreshin me organizimin e demonstratës që pritej të bahej më 14 janar në sheshin kryesor të qytetit ku në atë lulishtë ishte busti i Stalinit, në mbramjen e 13 janarit Forcat Speciale që kishin ardhë nga Tirana në drejtimin e Sigurimit të Shtetit me Zylyftar Ramizin, dhe me mbështetjen e Degës së Mbrendëshme të Shkodrës, ndërmorën arrestimet e para dhe njëni ishte Gjergj Livadhi, Po ajo që duhet shenue asht se Sigurimi perdori torturat ma shtazore ndaj t’ arrestuemve.
Edhe pse Muri i Berlinit ra, Ora e Lirisë nuk ndalej! Në dhjetorin e 1989, Çaushesku asht ai që jep shembullin e “ruejtjes së parimëve komuniste”!
Shqipnia vazhdonte me Popullin e vet udhën e martirizimit komunist.
Me 14 Janar 1990, u thye njëherë e përgjithmonë miti i atij sistemi të rrebtë aqsa përbindsh dhe i pakrahasueshem me vendet tjera komuniste!
Demostrata e heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, njofton Tiranën endè të kuqe, se komunizmit gjakatar i erdhi fundi!.. Mija vetë të grumbulluem në atë Shesh, e pritshin rrëzimin e bustit të diktatorit të njohun gjeorgjianokomunist Stalin. Mija vetë drejtuen sytë nga toka e, presin kur po shprazën mbi kokat e tyne automatikët nga dritaret e hotel Turizmit, Sahatit Inglizit, hetuesisë apo apartamentit mbi PTT e qytetit, që ishin të mbushun me sampistë kriminelë të ardhun nga Tirana, vetëm për gjakderdhje e masakra ndaj Rinisë “rebele” shkodrane.
Angazhimi i pashoq i Ramiz Alisë: “Edhe bar do të hajmë e parimet nuk i shklasim!”, asht krimi ma i madh i tij kundër Popullit Shqiptar!
Po, a u mjaftue ajo bishë e terbueme vetem me kaq tue ngranë bar ?
– Jo, sëpse në mbrendsinë e tij ziente krimi dhe vrasjet. Këte e vërtetojnë kufomat e djelmëve të rijë, të mashtruem ndër kufinjë, të shporuem nga qindra plumba automatiku dhe të lidhun në hunjë me tela me ferra, tue u shetitë ndër pjacat e qyteteve tona të të gjithë Shqipnisë Martire.
Rinia Shkodrane ka vendosë me u vetsakrifikue deri në shumje të Saj!
Mungonin disa djelmë të cilët një natë maparë ishin tradhëtue e kapë nga forcat speciale të ardhuna për këte qellim nga Tirana, të kryesueme nga krimineli Zylyftar Ramizi, i cili nuk do të kursente asnjë torturë!
Mikrobuzët e bardhë të poliklinikës vazhdonin fotografimet në qytet dhe gatishmëninë! Në çdo skutë shiheshin vetem njerzë të pranguem.
Tek sheshi qendror i Deshmorëve mungonte edhe Rini Monajka, djali trim që kishte njoftue Ambasadën Gjermane për aksionin e organizuem me këte rasë. Rini ishte ndër kryesorët e kësaj vepre heroike, me të cilën do ti tregohej Botës mbarë se, në Shkoder gjaku i Martirve të ramë nën shpatën e diktaturës komuniste, po vlonte në damarët e Rinisë, dhe se, Gjaku i Atyne Martirëve t’ Atdheut s’ kishte shkue huptë si kujtonin disa.
Vetem mungonin aty disa nga kriminelët si Shyqyri Qoku me shokë!
Numri i të arrestuemëve i kaloi të 300 të rinjë dhe të reja, që torturohen mizorisht nga organet e Sigurimit. Arrestimet vazhdonin. Një pjesë përcillen për Tiranë ndër labirintët e zymta të Ministrisë së terrorit. Shumë familje në ankth nuk dijnë as ku i kanë djelmët e vajzat e tyne.
Diktatura komuniste me buzët e saja të gjakosuna, vazhdonte atë kafshimin e zgerdhimjen, sikur të mos kishte ndodhë asgja në vendet e Europës Lindore! Flamurtarët e diktaturës në Shqipni krenoheshin…
Mbas disa muej tortura e vuejtje një grup u dënue me nenët 57 dhe 55 të Kodit Penal të RPSSH, që ishte në fuqi më këte motivacion: “Për krijimin e një organizate kundër revolucionare me karakter antisocialist. Për krime kundër Shtetit dhe për përmbysje të tij me dhunë…”, pra, siç shihët, rruga e hetimëve të Sigurimit i çonte drejtë plumbit. Spaçi e Qafë Bari vazhdonin të ndertonin socializmin me rob të burgosun si gjithnjë!
Rin Monajka ishte nder kryesorët organizatorë me Gjergj Livadhin, Dedë Kasnecin dhe djelmë të tjerë që nuk e “njohën” friken e Sigurimit katil të shtetit komunist shqiptar që drejtonte skilja vrastare Ramiz Alia.
Katilëve nuk i mjaftonte fraktura e kafkës së kokës së Rinit në tortura, por duhej të vuente edhe burg nder kampet e shfarosjes.
Qendrimi i Tij burrnor asht një model i qendresës kundrejt diktaturës terroriste ma mizore që ka përjetue Shqipnia për 47 vjet. Ndonse, nga kjo diktaturë, Rini u torturue me mjetet ma të paligjëshme. Endè sot askush nga kriminelët vrastarë nuk ka mbajtë asnjë përgjegjësi, përveç asaj që terroristët janë të penduem për çka nuk kanë mujtë me ba!
Kampi i Qafë Barit dhe Burgu i Burrelit ishin e ardhmja e Rinit.
Një çudi ndaj kësaj demostrate në Shkoder ishte qendrimi jo dashamirës i të gjitha shtetëve fqinjë. Jugosllavia sigurisht parandjente diçka, që per ate ishte krejt e justifikueshme.
Një stacion i radios greke pak muej para kishte transmetue: “Sikur të hapën kufinjtë e Shqipnisë, nuk kanë me mbetë as breshkat aty, edhe ato do të ikin!”, edhe kjo ishte një e vërtetë.
Italia si gjithnjë përsëriti qendrimin e saj që ka mbajtë përgjatë gjithë Shekullit XX. Ajo u tregue shumë e gatëshme me ndihmue idealet e disa “socialistëve” të konvertuem në “demokratë” (I vuna nder thojza, mbasi asnjeni emen nuk ka ekzistue kurrë në drejtimin e shtetit që nga 1944).
Me datën 16 Janar 1990, pra dy ditë mbas Demostratës, demokristjani i njohun Roco Butiglone, jep një deklaratë për shtypin: “Me datën 14 Dhjetor unë isha në Shkoder, po gjendja në atë qytet ishte e qetë. Nuk më ka ra në sy ndonjë demostratë….”. Me plot gojë një turp për atë deputet të “demokristjanës” italiane. Ai me të vërtetë ka kenë në Shkoder, madje edhe në Kafe të Madhe, edhe i ulun tek dritaria e tretë pranë xhamit në krahun e djathtë të Kafes, sëpse, e kam pa unë me sytë e mij në ora 11.15’, pikërisht, kur në shesh ishin mbi 4000 vetë në Demostratën e heshtun, dhe “zotni demokristjanit” nuk i kishte ra në sy asgja, tue kenë jo ma larg se 20 ml., nga busti i Stalinit. E çka mujshin me pritë shkodranët e masakruem nder tortura nga këta “demokristjanë” komshijë italianë?
Në vitin 1991 Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shkodres, kishte Kryetarin e Nderuem Ferdinand Temali, që kërkoi me forcë lirimin e të dënuemve për rrëzimin e monumentit të diktatorit Stalin. Me pjestarët e grupit u lirue edhe Rini Monajka, ndonse i gjymtuem nga shndeti.
Kur e takova mbas lirimit, unë ndjeva vërtetë një kënaqësi që Ky djalë i kulturuem ishte i lirë, gjithmonë me shpresë se do të përmirësohej edhe me shëndet, mbasi ngjyra e verdhë e ftyrës vazhdonte me e shoqnue Ate.
Ishte shumë mirnjohës dhe nuk dinte sesi me u shpreh per ndihmen e madhe të Ferdinandit dhe BSPSh së Shkodres per lirimin e Tij.
Mbas lirimit nga burgu Rini, ashtusi shumë të tjerë që dhanë kontributin e Tyne tue rrezikue jetën për të ardhmën demokratike të Shqipnisë, u harruene shumë shpejtë! As sot nuk e kuptoj psehin?
Kishe shumë dëshirë që ti jepej mundësia e një kurimi të mirë kur mora vesh se iku në Austri, por ndodhi e kundërta, ndoshta, autoambulanca që me 14 Janar 1990, qendronte para hotel Turizmit në Shkoder, e kishte ndjekë deri në Austri, deri në Villach, ku me 1 Maji 1997, Rini Monajka mbylli sytë pergjithmonë krejtë i vetmuem, si shumë e shumë Demokratë Shqiptarë! Një akt i pafalshem dhe shumë tronditës per ne!
Sa pak janë këto rreshta per mirënjohjen që duhet të tregojmë për ditët e Lirisë që na solli Rini dhe Rinia Shkodrane, ndonse sot, Veprave të Tyne, u kanë dalë perzot shumë prej “atyne” që po kerkojnë me i harrue ose ma keq, me rikthye “disa” foto e emna terroristësh në shkrimet e veta!
Detyrohem me persëritë sot edhe njëherë një ide që kam shpreh prej sa kohe perpara per Bashkinë e Shkodres:
Dikur, në krahun e majtë të monumentit të Stalinit ishte një gur mermeri i daltuem. Ishte mendue mbi Té me u vendosë një Shqipe me krah të hapun, simbol i së ciles ishte ruejtja nën krahët e Asaj Shqipe: “Lavdia e Deshmorëve të Lirisë”. Njëditë guri “lëvizi e kaloi” nga turizmi!
Askush nuk u çudit në Shkoder per këte lëvizje të Atij Guri mermerit!
Sa do të ishte me vlerë për Qytetin dhe Popullin e Shkodres, që në ballë të Parkut në qendren e Shkodres, mbas Monumentit të Luigj Gurakuqit, të vëndoseshin disa Gurë të daltuem (25 X 35 cm.) me emnat e Martirëve dhe të Dëshmorëve të Shkodres, që nuk janë aq pak dhe ku, në një prej këtyne Gurëve, duhet daltue edhe Emni i nderuem i shkodranit Hero i Demokracisë: RIN MONAJKA (DUKAGJINI) 1953 – 1997.
Ju lutem Shkodranë të Nderuem vlersonje këte mendim të timin!
Shkodra jo vetem duhet ti kujtojë Herojt e Saj, po duhet t’i Perjetsojë në Shekuj Emnat e Nderuem dhe të Pavdekshem të Herojve të Saj tue fillue nga Studenti Mark Çuni, që asht vra i Pari si DEMOKRAT SHQIPTAR, e ndoshta i Pari edhe n’ Europën e Lirë mbas Luftës së Dytë Botnore!
Kurr mos i harroni sakrificat e Popullit Shqiptar dhe, kryesisht t’ Atij të Shkodres, që kanë dhanë jeten aq shumë vetë per Liri dhe Demokraci!
Emnat e Atyne Herojve vazhdojnë me shndritë në qiellin e Demokracisë!
ATA NUK HARROHEN KURR NGA SHKODRA E, AS NGA SHKODRANI !
SEJCILI PREJ GURVE T’ ROZAFES KA T’ DALTUEM NJI EMEN HEROI !
Komentet