- XXIII. GURRAVET TË JORDANIT.
Në ketë ode historike, argumenti i së cillës asht marrë prej historisë biblike, Poeti këndon lumninë e Jordanit, tue ringjallë ngjarjët ma me rendësi qi u zhvilluen aty. Asht e vetmja ode historike në kuptimin e ngushtë të fjalës, qi lavroi Fishta. I përket poezive fetare, qi përmbledhë “Vallja e Parrizit. Kjé hartue me rasën e Shtatëqindvjetorit të thëmelimit t’Urdhnit françeskan botue me titull Ujit të Jordanit, në “Mrizi I Zanavet” 1913. Asht shkrue në strofa sapfike, shquhet për madhni paraqitjet e kumbim vargut, pa u randue me ndertime të ndërlikueme, e tue i plotsue mendimet gati në çdo strofë, krejt ndryshej odes Burrnija, me strofa përgjithsisht të klasikve të vjetër.
- T’ falem, Jordan, qi neper qeparisa
E neper hije t’ rrapavet t’ blerueshem,
P’rherë i bekuem nder mota edhe nder fisa
Rrjedhë i madhnueshem!
- Per ty, po, flasin të shejtnueshmet karta,
Per ty jehote templli i Salomonit
Kah t’ kndojshin vashat t’ ambla kangë të larta
M’ koder t’ Sionit.
- N’per ty, shpervjelë, Judeu kur bite n’ va,
Jo uj’ t, qi rrmben mbi ketë shkreti morrizit,
Por valës s’argjantë i bahej se asht tu’ i ra
N’ blerim t’ Parrizit.
- Nuk asht jo, ‘i lum, kahdo qi vrân e kthiellet,
Qi pa të két ma shum se ti punë t’ mdha,
Qi pa të két ma ngjat se ç’munden kshillet
M’ t’ kthielltat kala!
- Ti, po, ké pa si ravës mund t’ ndalet dielli,
Kur ti shkumuese t’ rrebten valë ndalove,
E çetës besnike, qi t’ a bite qielli,
Udhen ia lshove….
- Ti, po, ké pa se si pa armë qytete,
Veç n’ brohori e me ndimë t’ Zotit shtrohen,
E si, pa shpatë e heshtë, prej nji baete
Vigaj rrëxohen.
- Ti Gedeonin vetë, po, njohtë e ké,
_______________________________________________________________________
- Jordan: lum i Palestinës i përmendun për ngjarjet e Testamentit të Vjetër e të Rinj. Buron në Hermon ose Antiliban. Kalon nga Veriu në Jug tue trajtue edhe liqenin e Meronit (Hule) e të Genezaretite derdhet në Detin e Vdekun (350 km.). –rrapavet: çinarvet.
- të shejtnueshmet karta: Shkrimi Shenjt, Biblia. – templlit..: tempulli i Jeruzalemit i ndertuem prej Salomonit, i treti mbret i Izraelit, i biri i Davidit, i pasun dhe i dijshëm. –koder e Sionit: kodra e forcueme në qender t’Jeruzalemit, ku Davidi ndertoi pallatin e vet.
- se ç’munden kshillet…: Sesa fuqi kanë kshillat, ndihma qi vjen prej s’Eprit, prej Qiellet.
- Ti po ké pa si raves (rrugës)…ndalet: Në librin e Jozuehit, të cillve iu printe në Tokë të Premtueme vetë Jozuehi, mbasardhës i Mojzehit, kaluen për mbrekulli pa u lagë Jordanin, dhe në nji luftë kundër pesë princave të Kananeas, ky urdhnoi diellin mos me lëvizë për me fitue
- se si pa armë…: Jeriku, qytet i Palestinës, jo larg prej Jordanit, kjé pushtue ma fort me brohori se me armë prej Josuehit. – baete…vigaj..: Davidi djali i vogel i Esajt, bari i shkretë qi mbyti me baeté (bahe, ital. Fionda) Goliath-in, vigan filisteas, i cilli për 40 ditë ndêj tue qestisë ushtrinë e Hebrejve pa guxue me i dalë kush në dyluftim.
- Gedeonin: I pesti gjyqtar i Izraelit (1249-1209 p.K.), qi liroi Hebrejt prej Madianitve, dhe sundoi ai vetë per 40 vjet.
-67-
Edhe ké njohtun Makabéjt fatosa,
Shpata e të cillve i lshote anmiqt per dhé,
Si barin kosa.
- Arpen t’ hyjnueshme ti e ké ndie t’ Davidit,
Edhe ké pa si, e hijshme porsi drita,
Kryet e Olofernit m’ maje te nji zidit
E vén Judita.
- Ti, po, ké ndie si kjan nder triza Zoti,
E si njerzimit Ai ia zblon t’ Verteten:
Si bindet dheu, si erret dielli e moti,
Kur ep Ai jeten.
- E kambët ti Atij ia puthe! Atë vashë t’ hyjnueshme
Të Nazaretit, veshë me rreze diellit,
T’ bukur si hana e porsi drita e gzueshme
N’ balkue të qiellit,
- Ti, po, e ké pa nder bija t’ Ruzalemit
Si lil nder ferra, Ajo kah prej shkretijet
Njitet pervujtë, si fjolla e tymit t’ kêmit
Para hyjnijet.
- Por ç’a’ ajo arpë, qi m’ shelnje po e luen era?
Perse rrin shurdhë ajo, si grrembç i thá,
Ajo, qi n’ ato t’ shkuemet motet tjera
Aq ambel rá.
- Perse Judeu, kaluer ai dromedarit
Kah t’ bjen n’per vá, sod porsi natë thellimit
Ka ftyren zymtë, e ma lumnit e t’ Parit
S’ njehë me kangë gzimit?
_________________________________________________________________________
Makabejt fatosa: mbiemen i të bijve Matatis, prijs i Hebrejve, qi u çue kunder Antiokut Epifan, mbretit Sirisë, shtypës i Kombit. Këta janë Juda, ma trimi e ma i përmenduni, i cili mbas sa fitoresh kundër Antiokut, mbet në nji luftim (160 p.K.); Jonata, kryeprift i mbytun prej Trifonit, mbrojtësit të Antiokut VI, mbretit Sirisë (+143p.K.); Simoni qi largoi Sirët prej Judës, e kje vra trathtisht (+155p.K.); Gjoni, i thirrun Gaddis dhe Eleazari, i quejtun Abaron. Per këta heronjë Fishta shkroi nji tragjedi, qi përkujton vitët 1914-1915 të historisë sonë kombtare. Asht nji tragjedi me të vërtetë interesante qi ka shkrue Poeti.
- Arpen: Ngallnjimi mbi Goliath-in e mjeshtria e posaçme me të cillen i binte arpës kanë ba Davidin të njohtun, para mbretit Saul, i cilli e mbajti në oborr dhe i dha për grue vajzën e vet Michol. Edhe kur u ba mbret merrej me kangë. Ishte edhe poet. – Kryet e Olofernit: Judita, grue trimneshë, e pashme dhe e përshpirtëshme, tue pa se qyteti i Betuljes s’mund t’i qindrojë ma rrethimit t’anmiqve, mbasi u forcue me ngjinesë e lutje, u vesh e u mbath për bukuri, kaloi në kampin e anmikut dhe kerkoi me hi té Holoferni, gjeneral i Assurbanipalit, të cillit i preu kokën e mori në nji strajcë dhe shpëtoi pa u diktue fare derisa e vari até mbi ledhe t’Izraelitve.
- nder triza: i mbshtjellun ndër ndriza. – Zoti: Njeriu – Zot, Krishti.
- Atë vashë…: Shen Mërinë Virgjin prej Nazaretit, qytet i vogel i Palestinës.
- Ruzalemit: Jeruzalemit. – Si lil…: Sicut lilium inter spinas, sic amica mea inter filias.
12.Deri tash Poeti ka folë per historinë e lavdishme rreth Jordanit, por ai vend ka edhe kohën e zymtë të robnisë së mjerë. Me nji fluturim pindarik të çuditshëm tue kujtue fjalët e kangës së përvajshme Super flumina Babilonis, të robnisë Judejve në Babiloni, pyet pse arpa rrinë varun ndër degët e shelnjeve,…. e kështu kalon koha e robnisë.
- Natë thellimit: natë stuhije. – zymtë: vrantë, kohë malinkonike.
-68-
- Ehu! Po, se arpa shuejti e shuejti kanga,
Perse të huejt në Sion kamben ngulen
E t’ bijt e Judës, randë ngarkue me pranga,
Atdheut i zhgulen.
- Asht hjekë, po, shkeptri, asht hjekë prej derës s’ Jakobit
E atje, ku rridhshin tamel prroje e lume,
Sod anë e kand atje nji hije kobit
Asht shtri e mjerueme.
- E, t’ bijt e Judës, n’ kat’r anët e dheut shpernda,
Per tash sa mote, qi mbi dhé kaluene,
Namen e njatij gjaku janë tue lá,
Qi’ vedit truene.
- Prandej mbi Sion kremet mbloi harresa,
E u rropos templli, e Ruzalemi u shkmbye,
E popllit t’ zgjedhun nuk i mbet as shpresa
Se çon ma krye.
- Por t’ kjajë Judeu, të kjajë me lot i shuemi,
Perse dhe ka per ç’ send ai me lotue,
Doren pse atij mbi rrashtë të fort i Amshuemi
Rrebtë ka randue.
- Veç ti, Jordan, i qetë rrjedhë si gjith hera,
Pse njasajë tokë s’ cillës ti i ushqen blerimet,
S’ ka per t’i humbun, jo kurr, nami e ndera
Der dielli t’ shkimet.
- Perse të bijt e Vobekut t’ Asizit
Me shum kujdes t’ i ruejn njato visare,
Qi shpresen gjallë ia mbajn per jetë t’ Parrizit
Tokës tamahqare.
_____________________________________________________________
14.Perse të huejët…: Në vitin 586 p.K. Nabukodonosori II, mbret i Babilonisë e i Ninivës pushtoi Jeruzalemin dhe e rrafshoi përdhé tue i marrë rob banorët. – E t’bijt..: të bijt e mbretnisë së Judës, e cilla filloi në vitin 962 prej ndamjes së dymbëdhetë fiseve. Përfshini dy fise të vetme, fisin e Judës dhe até të Beniaminit, dhe pat për kryeqytet Jeruzalemin.
- derës s’Jakobit: patriarkë, djali i Isakut dhe i ati i dymbëdhetë djelmve, të cillët krijuen dymbëdhetë fiset e popullit Hebré. Ky pat emnin Israel, të cillin e trashigoi ndër bijtë e vet. Mbas vdekjës së Salomonit mbretnija e tij kjè nda në dy shtete; mbretninë e Judës, si thame, fisin e Judës dhe të Beniaminit; e mbretninë e Israelit me kryeqytet Samarin, qi përfshinë dhetë fise tjera, rrenue prej Salmanasarit, mbretit t’Asirisë (717 p.K.)e robët i çoi në Ninivë.
- Namen e Njatij gjaku..: Mbasi Ponc Pilati, prokurori rromak, shpalli pafajsinë e Krishtit tue pa se populli i shtymë prej Farizejve kërkonte me të tana mënyrat qi të gjykohej për vdekje, ai ua lëshoi në dorë, dhe për me mbulue ligjin e vet, lau duert para popullit tue thanë: “Jam i pafaj në gjak të këtij të drejti; puna e juej”. E populli mbarë tue përgjegjë i tha: “Gjaku i tij mbi né e mbi fëmijët tanë”. (Mat. Kap. 27, v. 24 –25.)
- Nuk kaluen katerdhetë vjet (70 mb.K.) e Romakët nën prijs Titin, mbas sa luftimesh të tmershme, rrënuen kulm e thëmel Jeruzalemin, dogjen tempullin dhe robët qi mbetën gjallë i shpërndanë nëpër botë. – 18. i shuemi: i mjeri, i shkreti, i gjori.
- Perse të bijt e Vobekut t’Asizit…: Këtu Poeti përmendë rasën qi e ka shtye me hartue këte odé. Shtatëqindvjetori i Urdhnit Françeskan e ban me përkujtue nji mision shekullor, qi difton qindresën, trimninë, flijimin dhe vetmohimin.
Qyshë prej vitit 1257, Roja e Vorrit Shenjtë iu asht lëshue në dorë Françeskanve, të cillët kanë prej Kishet zyrtarisht titullin: Rojtarë të Tokës së Shenjtë.
-69-
- Po, po, edhe sod aty të largtë shtegtarit
Ia kalxon Frati atë t’ lanmen shpellë mjerimit,
Ku e gjallë prej t’ naltë Empirit agoi s’ parit
Shpresa e nierzimit.
- Ia kallxon shtyllen, per t’ cill’n Kingji i Zotit
Porsi fajtuer kjé lidhë e kjé mundu,
Ia difton vendin, ku Rreglluesi i motit
Mbi Kryq kjé vu.
- Edhe mbi at’ vorr e ba ai gju’n me e ulun
Ku Njai, prej s’cillit jeta xu m’u rrekun
E n’ pushtet t’ t’ cillit deka kjé perkulun,
Tri dit ndei dekun.
- Po, se edhe sod, kahdo qi vrân e kthiellet,
S’a ‘i lum, qi pau ma shum se ti punë t’ mdha,
Qi pau ma ngjat se ti se ç’ munden kshillet
M’ t’ kthielltat kalá.
- T’ falem, Jordan, pra, qi n’ per qeparisa
E neper hije t’ rrapavet t’ blerueshem,
P’rherë i bekuem nder mota edhe nder fisa
Rrjedhë i madhnueshem.
_________________________________________________________________________
Shenim: Mbas strofës së njëmbëdhetë persëritet edhe njëherë strofa e katert. Ndoshta ashtu asht edhe në origjinal. Komentuesi nuk shpjegon gja për këte. (F.R.)
Komentet