Senatori John McCain, i cili vdiq të shtunën pas një beteje të gjatë me kancerin e trurit, do të nderohet me ceremoni në Arizona dhe Uashington.
Trupi i tij do të vendoset së pari në kapitolin e shtetit të Arizonës, ku të mërkurën do të mbahet një ceremoni private, me rastin e 82-vjetorit të ditëlindjes.
Të enjten, në një kishë baptiste të qytetit Feniks do të mbahet një shërbim përkujtimor privat me pjesmarrjen e publikut.
Në Uashington, ku flamujt në institucionet e ndryshme janë ngritur në gjysmë shtizë, trupi i senatorit McCain do të vendoset të premten në ndërtesën e Kapitolit, ku njerëzit do të bëjnë homazhe.
McCain do të jetë senatori i 13-të amerikan, trupi i të cilit nderohet në sallën rrethore të Kapitolit, një nder që u rezervohet “qytetarëve më të shquar” të vendit, sipas zyrtarëve të Kapitolit.
Të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit do të mbahet një shërbim përkujtimor, ku do të flasin ish-presidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush.
Senatori McCain do të prehet në Varrezat e Akademisë Detare në Anapolis të shtetit Marilend, pranë mikut më të ngushtë që ai kishte gjatë viteve të Akademisë detare, Admiralit Chuck Larson.
Komentet