Ky himn është i krijuar nga vargjet e poezisë që Nënë Tereza shkroi në vitin 1928 teksa përshkonte rrugën prej Irlandës në Kalkutë.
Vargjet e poezisë së saj “Lamtumirë” u interpretuan nga sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula me kompozitor Lorenc Antoni.
Promovimi zyrtar i himnit u bë në ditën botërore të bamirësisë dhe në përvjetorit e 18 të vdekjes së nobelistes Nënë Tereza, në praninë e shumë të ftuarve, zyrtarë të shtetit, prezenca ndërkombëtare në Kosovë si dhe artistë e njerëz të thjeshtë.
Këtë hymn dhe këtë ngjarje Inva Mula e sheh si një ditë të veçantë. Kur u bë inçizimi i himnit ajo është shprehur për shtypin se : Ky është një projekt që na takon të gjithëve dhe ne sot e incizojmë himin e Nënë Terezës, është hapi i parë nën tingujt e bukur të Genc Tukicit që është edhe motori kryesor i kësaj iniciative.
Himni “Lamtumirë” i Nënë Terezës është parë nga ideatorët si një simbol që do të përfaqësojë në botë shtetin e Kosovës dhe shpirtin humanist të popullit shqiptar vargjet e të cilit tingëllojnë kështu:
Nënë e dashur, lamtumirë
Ju le shënde’n miq të mi
Më djeg, o, një fuqi e dlirë
Drejt të përflakurës Indi…
Dhe anija lehtë lehtë lundron
Pret valët e detit të trazuar,
Për herë të fundit syri vrojton
Brigjet e Evropës së hakërruar.
Koncerti dhe festa e Nënë Terezës…
“Koncerti, që sonte u mbajt në Katedrale dhe promovimi i himnit kushtuar Nënë Terezës, është vet mrekullia”, do të shkruante në faqen e tij në Facebook Jeton Thaqi. “Aty kishte frymë kulture, arti, bashkimi, feje dhe shqiptarie. Aty u përmbledh gjithçka që ishte e mirë. Për mendimin tim, siç thuhet “qershia mbi tortë”, do të ishte po të ndërlidhej gjatë gjithë kësaj dite edhe ndonjë lëmoshë apo gjest konkret bamirësie. Kjo do të bënte që e lumtura Nënë Tereza të vinte edhe një herë e ringjallur në mesin tonë, nëpërmjet dashurisë në vepër. Mirënjohës në pafundësi Nënës sonë shqiptare për shembullin heroik të shenjtërisë dhe mirënjohës Zotit dhe gjithë atyre që na mundësuan të kalojmë këtë ditë, e në veçanti këtë natë, si një moment ku merrnim frymë hyjnore.”
Komentet