Paris, 22 nânduer 1919
I dashur mik, Zotni Sotir Gjika,
drejtuer i gazetës “Kuvêndi”, në Romë.
I shtyrë nga disa vërejtje qi këndova në numrin e fundit të gazetës “Kuvêndi” nën titullin “Për ca gjëra me shpejtim” po vij edhe një herë të heq miqsisht kujdesin t’uaj mbi qëllimin që duket se kanë disa njerës që të përdorin shtyllat e fletores s’uaj për të rrëzuar në sy të popullit atdhetarët t’anë më të mirët e më të vjefshmit që të mund të shuajnë kështu pengimin që këta mund t’u sjellin për të hipur lart.
Shigjetat më të parat të këtyre njerëzve u drejtuan kundër Z. Salih Gjukës, tashti kanë zënë e po hedhin gurë kundër Z. Mustafa Krues. Është fare kot të mundoheni për të më mbushur mendjen se përqeshjet mbi titullin “Doktor” nuk i përkasin këtij, përse disa miq t’ardhur nga Roma po më sigurojnë se për këtë punë ishte folur edhe më përpara e po më tregojnë edhe emrat e atyre që u kanë dhënë shkak këtyre fjalve.
Jam tepër i lirë nga mendimet që të dëshiroj heshtjen e pushimin e ç’do kritike, po kërkoj edhe qi kjo të jetë e drejtë dhe e arsyeshme. Sidomos duke ditur mirë gjëndjen e sotshme të Shqipërìs e duke paraparë luftat e rrebta që na presin kundër armiqvet të kombit të mbrendëshëm e të jashtëm, besoj se do t’ishte nji faj i math prej anës s’onë po të nisnim të hithnim poshtë, pa të drejtë, nderin e atyre që kanë vuajtur, po vuajnë e që do të jenë kurdoherë gati të bëhen therorë për të mirën e Atdheut.
Më fort se për njerëz me mësime tepër të lartra, Shqipëria ka nevojë për burra të mentshëm e me karakter të shëndoshë, ashtu si janë treguar gjithnjë ZZ. Salih Gjuka e Mustafa Kruja. Për sa i përket titullit të përdorur prej Z. Mustafa Krues, nuk ka asnjë dyshim se ky mund të dëshmojë të drejtën e vet me diplomën që ka marrë prej një shkolle të lartë; por ata, që tallen me tê, nuk dij a mund të provojnë, me sjellën e shkuar e të sotshme të tyre, në a kanë të drejtë të përdorin për vete fjalët: “patriotë të pastër nga duart dhe nga morali!”.
Jam i mendimit se, në vend që të humbim kohën me polemika të dëmshme, sot kemi një detyrë shum më të rëndë, që është përpjekja për shpëtimin e atdheut fati i të cilit nuk është akoma dalluar. Do t’i shkruaj pra Z. Mustafa Krues që të mos u vejë vesh atyre të tallurave të kota; po, në tjetër anë, marr lejen të ju lutem miqësisht edhe Juve që të mos u bëni vent në shtyllat e gazetës s’uaj disa çështjeve që mund të lihen për më vonë pa i sjellë asnjë dëm lëvizjes kombëtare.
Duke njohur kthjelltësìn e zemrës s’uaj mora guximin të Ju bënj këto vërejtje fjesht miqësore e konfidencjare, edhe jam i siguruar nga miqsia e juaj se do t’i mirrni në kujdes e do të më tregoni edhe mendimin t’uaj mbi to.
Ju lutem t’i paraqitni Zonjës ngjatjetimet e mia me nder. Ju pëlqeni shëndetet e mia më të nxehtat.
I juaji
- Q. SH. F.34 D. 34 Fl.30
Roma, 16 dhjetor 1919
I dashur mik,
Mezi pra munda sot t’ju përgjegjem (kam edhe zojushën e zyrës të sëmurë nga një sy) e t’ju falem me nder shumë për letrat e për artikullin e bukur. S’kam dyshim se do mos ju vijë rëndë t’i u fali me ndér, nga ana ime edhè shokëvet t’uaj të ndershëm që deshën t’a nderojnë Kuvêndin me shkrimet e tyre të çmuara.
Ratë jashtë duke besuar se nota mbi doktorët u botua kundër Mustafajt e bëtë liksht q’i shkruat të mos zëmërohet etj. Unë Mustafanë e kam pasur shok, e kam mik të dashur – miqësi të cilën i a kam provuar me punë. Ju e dini. Në qoftë pra se Mustafaj kujton se unë s’jam më për të ay q’ishe sot e dy vjet e ca e gjer dje, më qafë pastë vehten.
Kini parë se edhè pas letrës s’uaj kam botuar artikuj kundër emërimit të Salih Gjukës si Drejtor i Përgjithshëm i Mësimit. Unë s’e njoh fare Gjukën, as si njeri e as si kompetencë. S’kam arësye pra të mos i peshoj ato që patët mirësinë të më shkruani për tê. Madje do t’i shihni të botuara, pa treguar, natyrisht, burimin. Me gjith’atë unë s’mund t’i a mbyll derën kritikës së mirë. Ju shkruaj që mos t’ju shkojë mêndja se mos e’kam këputur rript e s’dua të dëgjoj ç’më thonë miqtë. Më thotë vehtja se me miqt’e mirë dhe me patriotët e mirë jam fare i pa egjër.
Edhè pakë fjalë mbi gjendjen. Duke mejtuar, kam arrirë t’i jap funt me vehten t’ime se Konferenca e Parisit do të mos jetë e zonja t’i japë botës paqen e dëshëruar. Përpara debâcle-t të diplomatisë popujt mbeten pra pleq të fatit të tyre. Gjer atje ku kan’arrirë punët më duket se Dërgata jonë kot e humbet kohën duke vazhduar së ndênjuri në Paris. Mbase fatin t’onë do t’a kenë mbaruar së pleqësuari dhe do t’a kenë shënuar midis syresh ata të cilët i gënjen mêndja akoma se po janë arbitrët e botës. Për delegatët t’anë ka shumë punra në Shqipëri. Të shumën aty munt të mbeten 2 a 3. Pas mêndjes s’ime, problem’i ynë zgidhet në Shqipëri me dorë dhe vullnetin të popullit. Si mjerë nè në pritshim akoma derman nga mëshira e Konferencës. Duhet të punojmë brênda në Shqipëri. Kur t’a ketë shënuar populli shqiptar udhën që duhet të ndjekë, kundër vullnetit të tij të papërkulur do të hapet çdo forcë q’i pengon vrapin.
Ime shoqe ju falet me nder e Leka ju puth dorën.
Juaji me dashuri,
Sotir Gjika (firma)
Zotit L. GURAKUQI
81, Rue de la Boëtie, 81
Paris
- Q. Sh. F.34 D. 35 Fl. 190
Paris, më 20 dhjetor 1919
I dashur mik, Z. Sotir Gjika
drejtor i gazetës “KUVÊNDI”, në Romë
Mora mbas shumë ditësh që e pritja letrën t’uaj më 16 të këtij muaji edhe po nxitonj të Ju përgjigjem që të Ju këshillonj më mirë disa pika të çështjes për të cilën Ju kam shkruar disa herë me radhë në këto kohët e fundit. Ju njoh shumë mirë edhe e dij se si e kuptoni miqësinë edhe lirinë e fjalës e të bisedimit, e pra munt të Ju flas sheshazi e pa nevojë dredhimesh e nënkuptimesh, ashtu si mund t’i flitet nji burri të ndershëm e nji miku besnik.
Ndonsè Ju më thoni se “rashë jashtë dyke besuar se nota mbi doktorët u botua kundër Mustafajt” unë prapë ngul mbi mendimin e përparshëm. Me këtê nuk dua të vê në dyshim fjalët t’uaja edhe e besoj plotësisht se Juve nuk Ju ka shkuar as nëpër mend se ato kritika ishin drejtuar kundër mikut t’onë të përbashkëm, po kjo nuk do me thënë se qëllimi i shkronjësit nuk ka qenë ai që thom unë. E ja përsè.
Ai, të cilit i vajti mê parë mendja se nota e përmendur ishte drejtuar kundër Mustafait, qe Z. Lef Nosi, i cili e lidhi kuptimin e tij me këto fakte. Z. Lef Nosi na tregoi se kur paska ardhur Mustafai në Romë në Korrikun që shkoi, paska shkuar e i paska lënë një kartë vizite auktorit të notës i cili, jo vetëm që nuk i a paska këthyer, po qenka tallur në mes të shqiptarvet me titullin “doktor” të përdorur prej Mustafait. Po ato fjalë e ato të tallura që Z. Lef Nosi kishte ndëgjuar në Romë mbi kurrizin e mikut t’onë, i gjeti pikë për pikë në notën për të cilën flasim. Përveç këtij fakti të pakundërshtuarshëm, duhet të vërejmë edhe se nota e dënuar nuk kritikonte përgjithësisht Shqiptarët që titullohen “doktorë” po vetëm ata që kanë dalë nga Sholla e Shqensavet politike e shoqërore të Stambollit. Cilët janë Shqiptarët e tjerë, përveç Mustafait, që kanë dalë prej kësaj Shkolle e që përdorin titullin “doktor” në kartat e tyre?
Po përsërit edhe një herë se unë nuk e vê kurrë në dyshim kthielltësinë e mendjes e të zemrës s’uaj në këtë çështje, po dua të besonj edhe se, mbas këtyre shkoqitjeve, edhe Juve do të Ju mbushet mendja se auktori i notës nuk ka pasur qëllim tjetër veçsè që të tallej me Mustafanë, e se vetëm këtë kuptim i kanë dhënë notës të gjithë ata që njohin djallzinë e auktorit të saj e që dijnë se si kanë rrjedhur punët.
Sot kam të Ju bënj edhe një vërejtje tjatër për sa i përket numrit të veçantë të gazetës që keni nxjerrë në rasën e të kremtes kombëtare. E dij mirë se jam duke u mërzitur herë për herë me vërejtje këso dore, po, mbasi janë për të mirën e Atdheut e mbasi Ju vetë më keni dhënë lejen, nuk po Ju a kursenj edhe kësaj here.
Është e ditur se traditat e një populli nuk i përgjigjen kurdoherë historisë së tij, po, me gjith këtë, të gjithë popujt sado të zhvilluar e të përparuar që të jenë, i ruajnë edhe i nderojnë këto tradita e me to ushqejnë zemrat e djemurisë së tyre. Kritika historike i flet ftohtësisht mendjes, në vend që traditat ushqejnë ndjenjat e zemrës pa të cilat një popull, cili do që të jetë, nuk mund të ngjallet e të formojë njësinë e tij kombëtare, e cila mbetet gjithënjë shkalla e parë e qytetërimit dhe e përparimit. Lufta e madhe që mbaroi na jep një shëmbëll të shkëlqyeshëm të kësaj të vërtete. (…..) [1]
- Gurakuqi
Roma, 21 gusht 1920
I dashur mik,
Ju dinja n’Helvetí. Gëzohem që sëmundja nuk ju shtrëngoi të duronit dhêmburit’e thikës. U këtheva nga Shqipëria në Romë më 5 të k.m. Atje diç pësova. Letra prej Shkodre: Ҫ’po bâhet në Tiranë? (v. Kuvêndi n-2 82), e pati zëmëruar Ahmet Zogollin e një qarkëtore e Ministrit të Brëndëshëm urdhëronte zyrat e postës, të policisë, të prefekturave dhe nënëprefekturavet që t’a ndalojnë hyrjen e Kuvêndit në Shqipërí! E zënë që ditët e para edhe për mua udha e Tiranës: u nisa më 28 të Korrikut që doli, për në kryeqytet e më këthyen, me shumë komplimenta, që nga Shijaku. Në Tiranë munda të vete vetëm ditën e tretë të Gushtit. Kryeministri pothuaj se më kërkoi ndjesë për ç’kishte ngjarë. Gjëra të vogla, që s’duhen as përfillur! Të rronte Ariosto-i do të mos e linte pa i derdhur një profil burrit me grushtin e hekurt! Fund’i fjalës s’munda të piqem me Bajram Currin: ditën që vajta në Tiranë Curri ishte në Krujë e një automobil e shpuri, mun atë ditë, në Shkodër.
Lajme fill nga Shkodra s’kam marrë gjer minutën që po shkruanj. Po kanë marrë këtu letra Lec Kurti e Daragjatajt. Unë mora një letër nga Bari (17 Gusht). Këtë letër j’a dhashë, të përkthyer, gazetës Il Messaggero: këtu ju mbyll villarin. Përgjithësisht punët t’ona venë mirë gjer më sot në rredhin e Shkodrës. Jam i mendjes se Qeveria jonë do të gjejë dot një farë ndreqje me Belgradin. Po, gjithsesi, rreziku s’është mërguar. Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat për të mos e lënë armikun të futet në Shkodër.
Këtu presim dita me ditën t’ardhurit e dërgatës që do të dërgonjë Qeveria jonë për të plotësuar marrëveshjen t’onë me Italinë; prej së cilës marrëveshje uroj edhè unë t’i vijnë Shqipërisë gjith’ato të mira që besoni e shpresoni. Këtu erdhën, përpara tri ditësh, dy priftër shqiptarë nga Amerika. Pritet, dita me ditën, të vijë edhè Peshkopi, Fan Noli, i cili u-ndal ca ditë më tepër në Paris. Fan Noli me priftërit venë në Shqipërí. Do të vijnë në Romë (siç dëgjoj) këto ditë (e ndofta bashkë me peshkopin shqiptar) edhè Dr. Turtulli, Mehmet Konitza, Kol Tromara, Ilias Vrioni, dhe Gurra. Mid’hati do të vejë n’Amerikë për húan kombëtare. Të shohëm pra se ç’ka për të dalë në shesh. Mentaliteti turk që po i drejton punët t’ona kombëtare mua m’a mban frikën të gjallë për të nesërmen e për të pastajmen e Shqipërisë.
Kuvêndin e pushova (që me n-rin 84) për një kohë të shkurtër, po të pacaktueme. Kaqë për sot.
Ju falem me mall e me dashurí.
Juaji me besë
Sotir Gjika (firma)
Ime shoqe ju falet me shëndet e Leka ju puth dorën. A kini ndër mënt t’hidhi gjer në Romë pasi të kini sosur kurën?
A.Q.SH. F. 34 D. 35 Fl. 195
Roma, 27 gusht 1920
I dashur mik,
Pra. Më këthyen nga Shijaku me shumë komplimenta, vërtet: nënëprefekt’i Shijakut, gostivaras, njeri i mirë, u prur me mua shumë fisnikërisht, e m’u-lut që mos të kem ndonjë mërí për tê i cili u-shtrëngua të verë në punë urdhërin që mori (atë çast me telefon nga Tirana) nga zyra prej së cilës urdhërohet. E njerëzisht më përcolli gjer në Durrës, aq nëpunës i mirë, me një xhandar, të cilin m’a dhá, afërmënç, vetëm për shigurí personale. I erdhi edhè fort keq për masën që kish marrë kundër meje e kundër gazetës s’ime ministria e punëvet të brëndëshme.
Me të këthyer – herën e fundit – nga Shqipëria këtu, unë kisha mejtuar të botonja nja trí numra të Kuvendit e pastaj t’a pushonja cazë gazetën edhè për çlodhje; se, të vërtetën, të gjashtë vjetët punë të paprerë, më kanë lodhur e më kanë drobitur fort. Munda të nxjerr vetëm një numër (84, që t’a dërgova) dhe, kur po pregatitnje tjetrin, nga Konsulta më thanë që t’a pushoj gazetën, provizorisht, e domethënë gjer sa të vijë edhè Dërgata shqiptare në Romë…… Fola për këtë punë me Kol. Vincenzin, i cili qe porositur të më thotë për pushimin e gazetës. Me gjith që Kuvêndi s’ká të bëjë fare me ardhjen e Dërgatës e të tjera, unë, duke pritur ministrin Kastoldi, Vicenzi-t s’e pashë t’arësyeshme t’i them as gjysmë fjale. E vërteta është se kundër gazetës s’ime kanë bërë dhe po bëjnë propagandë shumë njerëz nga t’anët, dhe italianë – këta të fundit janë prej atyrevet që s’dëshëronin një zgidhje të çështjes shqiptare ashtu si e mendon e si e deshi Qeveria e sotme e Italisë. Të shoh, tani, se si do të më vejë filli. Kam shpresë që t’a vê punën më mirë në vijë. Ndryshe Kuvêndi do të pushonjë përfare. Ahére do të më vinjë keq pse më hiqet doresh arma me të cilën luftoj për ditë luftën e shenjtë. N
Në Romë neve na duhet doemos një shtyp e, pas mëndjes s’ime, një zyrë shtypi. Kam frikë se Qeveria jonë do të mos e kuptojë këtë nevojë në tërë gjerësin’e rëndësin’e saj.
Nuk e di se kush do t’a formojë Dërgatën. Pas lajmevet të mia, këtë të shtunë, nesër, do të mbështillet këshilli i ministërvet në Tiranë për të biseduar mbi zgjedhjen e delegatëvet dhe mbi problemet që vijnë të bisedojnë në Romë. Vërtetoj se Mehmet Konitza pritet të vijë këto ditë në Romë, me qëllim që të vejë në Tiranë, po nuk dí gjë akoma a do të figurojë a jó si delegat i zgjedhur në bisedimet me Qeverinë italiane. Për të tjerat, Italisë i kanë bërë luftë t’ashpër thuajse të gjithë burrat e qeverisë s’onë, po gjithsesi, me këta j’u desh doemos të trajtojë. Po t’a vriste aqë mëndjen e po të tirte aqë hollë, Mehmet Konitza duhej të hiqej nga puna e tij si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. E italianët u mësuan, më duket, të shkeleshkojnë…
Pardje, mbrëmanet, shkuan që këtej për në Shqipërí Dr. Turtulli, Kol Tromara dhe Ilias Vrioni.
Lufta e Taraboshit s’ësht’e vërtetë. Të vërteta fare janë lajmet që përkasin veprimet t’ona n’anë të Dibrës. Këtu i thyem mirë sërbët. Të shohim si do të dalim, gjer më në funt, n’anë të Shkodrës. Ka për të na ndihur shumë, diplomatisht, Italia. Kam arësye të besoj se Giolitti e solli Lloyd George-in që të bashkohet me pikëpamjen italiane në çështje të Shqipërisë, pikëpamje e cila, duket sheshit, qëllon t’i shpëtojë shtetit shqiptar kufijtë e 13-ës. Dí pastaj se këto ditë Qeveria e këtushme i dërgoi, me anë të përfaqësonjësit të vet, në Durrës, Qeverisë s’onë këshilla që zyrtarisht fuqitë shqiptare të mos e kapërxejnë vijën e 13-tës në luftimet e tyre kundra sërbëvet. Besonj se Giolitti ka për t’a bërë për vete edhè zotin Millerand, në pjekjen që do të ketë me Kryeministrin e Francës, nga mes’i Vjeshtës së parë.
Qeveria sërbe ka zën’e internuar gjithë klerin mysliman e katolik të Kosovës, bashkë me kryepeshkopin e Shkupit, Monsignor Mjeda.
Ime shoqe, e cila dje, ndaj të gdhiri, u bë për së dyti herë nënë, e është mirë nga shëndeti, të falet me shëndet; Leka e foshnja e ré, Elena, të puthin dorën.
Të përqafoj me mall,
Sotir Gjika (firma)
P.S. Do të pyes për Dizionario latino-epirotico.
A.Q.SH. F. 34 D.35 Fl. 196 – 202
[1] Letra nuk është e plotë mbasi është nxjerrë kështu nga arkivi. (E.M.)
Komentet