Në kopertinën e librit prej 230 faqesh , që përmbledh krijimtarinë e një djali të ri që habit me pjekurinë dhe stilistikën e tij letrare, është fotografia e një djaloshi të hijshëm, të qeshur, me floknaje dëbore mbi flokët e tij të dendur e të errët, duket si një pamje engjëllore e ardhur nga tejbota…
“Për atë që dua(m)” është libri i parë i Atjon Zhitit ,i cili u promovua ditën e djeshme në mjediset e Universitetit Europian, në ditën ku i riu i cili humbi jetën pak muaj më parë, do të festonte ditëlindjen e tij të njëzetë. I përgatitur nën kujdesin e prindërve, ky libër është një përmbledhje me përmbledhje me ese, statuse në Facebook, recensa, poezi e përkthime të një 19-vjeçari të përjetshëm…

Mamaja, Eda, i kishte premtuar vite më parë se më 30 gusht, ditën kur ai të mbushte 20 –vjeç ajo do të pajtonte një kuartet harqesh që do të shoqëronin gjithë mbrëmjen e gëzuar…
Mbrëmjen e kaluar data shënonte 30 gusht, muzika e qetë që dilte nga kuarteti i harqeve të linte të kuptoje se mamaje e kishte mbajtur premtimin…edhe pse Atjoni, djali i ditëlindjes nuk ishte aty, i ndarë nga jeta disa muaj më parë në moshën 19 –vjeçare, ishte libri i tij i parë “Për atë që dua(m)”, një përmbledhje me ese, statuse në Facebook , recensa, poezi e përkthime të një 19-vjeçari të përjetshëm…një botim i përgatitur nga shtëpia botuese “UET Press”, që mblodhi në këtë mbrëmje që duhet të ishte festë e një të riu njerëz të letrave, intelektualë, akademikë e shumë miq të Atjon Zhitit.
Në kopertinën e librit prej 230 faqesh , që përmbledh krijimtarinë e një djali të ri që habit me pjekurinë dhe stilistikën e tij letrare, është fotografia e një djaloshi të hijshëm, të qeshur, me floknaje dëbore mbi flokët e tij të dendur e të errët, duket si një pamje engjëllore e ardhur nga tejbota…
Sipas drejtores së “UET Press”, shtëpisë botuese që përgatiti këtë botim, ky libër mund të ndahet në dy pjesë të mëdha; krijimtarinë e tij të shprehur në formën e dhjetë traktateve si edhe përkthimet që Atjoni ka bërë nga Zai Fundo, Giuseppina Scalisse dhe Adonis.
“E lexova librin disa herë sepse mendimet, argumentet dhe idetë që shkruan Atjoni të mahisnin për çka sjellin. Dy traktatet e para të këtij libri dolën kur Atjoni ishte me ne dhe u botuan për herë të parë në gazetën “Mapo”, të tjerat janë përmbledhje të shpërndara në gjuhë të ndryshme, e gjeografikisht, ai fliste rrjedhshëm disa gjuhë të huaja” –u shpreh Nathanaili, e cila shtoi se nga traktati i parë tek i dhjeti ka parë një djalë që rritet dhe piqet në mendimet e tij nga idealiste, tek ato filozofike, dega që ai kishte zgjedhur të studionte në Itali.
“Përkthimet të mahisnin jo vetëm për gjuhën por edhe për mënyrën sesi luan me fjalën, diçka e veçantë për n ë djalë kaq të ri”. ka përfundua ajo.
I ftuar i veçantë në këtë promovim ishte edhe aktori i mirënjohur Mirush Kabashi, i cili lexoi disa pjesë nga libri i Atjon Zhitit, në një atmosferë emocionuese.
“Nëpërmjet këtij libri njoha një djalë të ri, që ma shtoi dhimbjen, sepse nuk kishte humbur biri i dy të njohurve tanë, por një i ri që përbënte një shpresë të ardhme e një mundësi të fuqishme jo vetëm në letërsi, por edhe për të ardhmen e këtij vendi, për formimin dhe mendësinë…” –u shpreh Mirush Kabashi.
Botuesi i “UET Press”, Henri Çili shprehu konsideratën për stofin e filozofisë që ky i ri shpërfaq në librin e tij.
“Do ta lexoj me kënaqësi librin, sepse edhe pa e njohur e ndjej një lloj miku Atjonin, pasi studionte filozofi dhe duket në shkrimet e tij që ka pasur një stof dhe unë jam një fans i filozofisë. Ky libër na ka bërë të mblidhemi të shumtë sot, por është kujtimi i një ylli të këputur në plot kuptimin e fjalës dhe dashamirësia e dashuria për dy miq, Visarin dhe Edën” –përfundoi Çili.
Shkrimtari Ylljet Aliçka e quajti këtë libër një mozaik stilistikor.
“Në fillim mendova se bëhej fjalë për një libër homazh, homazhin e një të riu jo të zakonshëm, por libri është një mozaik stilistikor, dhembjeje, por nga ana tjetër një libër që qëndron mbi veten e tij, nuk është një homazh për të nderuar kujtimin e një djali jo të zakonshëm, por përfaqëson një frymë të re. Sheh me këtë libër se Shqipëria ka një brez të fuqishëm që dinë ta dashurojnë jetën. Libri është një model i të menduarit dhe zgjidhjes së problemeve nëpërmjet dashurisë, një turravrap për zbulimin e botës dhe të vetes, por çdo zgjidhje në çdo element, e sheh që bëhet nëpërmjet dashurisë dhe këtë e thotë një i ri, që të bën përshtypje” –është shprehur Aliçka, duke vijuar se ky libër, i një djali që e dashuronte jetën, hap diskutime e debate.
“Raporti i tij me kohën e ka përmbushur misionin e jetës; intensiv i dashuruar me vlerat e jetës dhe nga pasioni për ta ndryshuar. Libri sa pesimist, aq edhe optimist është. Kur sheh këta të rinj…Shqipëria a një brez që do ta çojë këtë vend drejt së mirës, por nëpërmjet dashurisë…”- ka përfunduar Aliçka, duke e quajtur librin jo një homazh, por një libër të hapur.
Visar Zhiti dhe e shoqja, Eda, falënderuan të gjithë të pranishmit që ishin në një ditë të shënuar e të mbushur plot dhimbje e trishtim për ta.
“Në një ditë si kjo në datëlindjen e djalit tonë, nuk do të kishte gjë më të mirë sesa kjo sonte. Ju jemi mirënjohës për praninë, e çmojmë shumë. Eda, mamaja e Atjonit i kishte thënë se kur të bëhej 20 vjeç do t’i sillte një kuartet harqesh. Mamaja e mbajti fjalën . U jam mirënjohës atyre që kontribuuan për daljen e këtij libri. Fjala ime është dhembja. Për mua tani ka mbetur heshtja, dhe në këtë heshtje secili që ia dëshiron vetes ia kam dëshiruar edhe unë. Mirënjohës për gjithçka.”, -u shpreh Zhiti, ndërsa Eda, e ëma falënderoi të pranishmit për dashurinë që ndanë për djalin e saj, Atjonin. Të pranishëm ishin edhe miq të Atjonit, që ndanë eksperienca nga njohja me të./MAPO











Komentet