Në Kosovë, po vazhdojnë debatet lidhur me nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, por edhe pasojave në rast se kalon një nismë e tillë. Edhe zyrtarët qeveritar tashmë po flasin për pasojat e paralajmëruara nga diplomatët perëndimorë të cilët kundërshtojnë ashpër çdo mundësi për zhbërjen e gjykatës. Në një diskutim mbi këtë çështje lëvizja Vetëvendosje tha se pasojat e shfuqizimit të gjykatës do të ishin më të rënda sesa vet padrejtësia e ngritjes së saj.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie, tha të mërkurën se populli i Kosovës nuk e mbështetë nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme. Në një postim në rrjetin social twitter, ai i përgëzoi politikanët dhe të tjerët të cilët po flasin publikisht në emër të qytetarëve të Kosovës, edhe pse kjo është e vështirë, për atë se çfarë është e drejtë për të ardhmen e Kosovës.
Për më shumë se një muaj me radhë, debatet dhe zhvillimet politike në Kosovë janë mbizotëruar nga reagimet që nxiti një nismë e një grupi deputetësh për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme për krime lufte. Nisma tashmë i është dërguar qeverisë për të dhënë mendimin e saj për të, një procedurë e zakonshme që vazhdon ta mbajë këtë çështje në rend dite. Diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë paralajmëruar për pasojat e rënda që mund të ketë për vendin miratimi i mundshëm i saj por edhe për pasojat e drejtpërdrejta për udhëheqësit politikë që e mbështesin atë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, tha gjatë një raportimi në komisionin parlamentar për politikë të jashtme, se paralajmërimet e tilla po përsëritën vazhdimisht nga diplomatët.
“Duhet të ndalen këto iniciativa, mos miratimi i shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe peticioni për (Gjykatën e Posaçme) i cili është duke kaluar nga një tavolinë në një tjetër, parandalojini ato sepse këto iniciativa janë fatale për Kosovën”, tha zoti Pacolli.
Ai tha se çdo ditë e më shumë Kosova po përballet me izolim nga miqtë ndërkombëtarë.
“Unë e shoh se çdo ditë e më shumë ka një izolim të heshtur për Kosovën dhe përgjigja është se po vërtetohemi se dikush ka pasur të drejtë se kosovarëve nuk u besohet dhe kjo është thënë disa herë”, tha zoti Pacolli.
Ndërsa, në një tryezë të organizuar nga lëvizja Vetëvendosje me temën “Dhomat e Specializuara dhe raporti me institucionet e Republikës së Kosovës”, u tha se me gjithë padrejtësinë që sjellë Gjykata e Posaçme, pasojat nga zhbërja e saj do të ishin më të mëdha.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se nisma e tillë nuk mund të pranohet pasi që sipas tij as nuk ishte përgatitur mirë dhe as nuk ishte e sinqertë.
“Në momentin që do të kalonte ky projektligj në një rresht atëherë votat e deputetëve të parlamentit do të ndodheshin në majën e lapsit kimik të presidentit për dy javë, i cili duke mos na dëshmuar paraprakisht që ka dalw nga pazari do të shfrytëzoheshin për vazhdimin e tij. Përfundimisht unë jam i bindur që kjo iniciativë e presidentit aktual nuk ka për synim që ta heq Gjykatën e Posaçme nga Kosova por eventualisht emrin e tij nga Gjykata e Posaçme”, tha zoti Kurti.
Nismëtarët e saj thonë se Gjykata e Posaçme është diskriminuese meqë do të trajtojë vetëm pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Diplomatët pohojnë se ajo nuk duhet të preket dhe se do të trajtojë krimet individuale dhe nuk është e drejtuar as kundër Ushtrisë Çlirimtare e as kundër shqiptarëve.
Komentet