Porosia e Ramës drejtuar vajzave socialiste për të shitur trupin në këmbim të votave, nuk është lajthitje. Është programi i Rilindjes i thënë në parim. Nuk është aspak fyerje për ata që e dëgjojnë dhe e pranojnë. Mund të jetë fyerje për femrën si institucion, po. Por jo për fresh-in, jo për prindërit e tyre të ekzaltuar dhe shuplakapërflakur nga duartrokitjet. Se Rama NUK KA FAJ. Ka pjesa rilindase e shoqërisë e cila ka etje për vetëposhtërim. Se një udhëheqës a një parti nuk mund ta poshtërojë, përdhosë, denigrojë, pështyjë, çnderojë pamëshirë një popull nëse populli e refuzon një gjë të tillë. Çfarë do të ndodhte nëse prindërit e vajzave rilindase do e abandononin masivisht kënetën morale dhe gjuhësore ku Rama po i zhyt të kapura për fyti vajzat e tyre? Do humbte Rama. Mirëpo duket sheshit se, tragjikisht dhe për turp, asnjë prind shqiptar i majtë nuk ka reaguar. Më e bukura është se Rama gjatë fjalimit nuk ju la asnjë ekuivok që porosia për joshje trupore në këmbim të votës, mund të ishte figurative. A do e zbatojnë në praktikë vërtet apo jo socialistet e reja, unë nuk e di. E ndoshta kjo nuk ka rëndësi fare. Por gjithsesi, duket se ato e kanë edhe lejen e prindërve që nëpërmjet resurseve antropologjikë të mbushin kutinë e votimeve të Sulltan Surrelgjatit. Në këtë vend ku prej 12 vitesh sundon nudokracia, nuk tingëllon i çuditshëm as instalimi i një haremi elektoral. Se nuk është çudi asgjë. As ndonjë harem miks në saraje. Se Rama NUK KA FAJ.
Rama gjithashtu iu drejtua gjithë entusiazëm shpërthyes një gruaje që tha se jam e divorcuar : ” bravo, ti na duhesh, keshtu na duhesh”. Thirrja indirekte Ramës drejtuar grave për divorc, nuk tregon problematikën dhe diametralizmin e kontradiktave që ka ai me gruan, me femrën si nocion. Ai e quan të natyrshme, emancipuese. Sepse Rama ashtu e ka të përshkruar femrën në regjistrin e vet psikik. Ai nuk di. Ai, ndaj femrës nuk është armik i bërë gjatë jetës. Ai është armik i lindur. Ndaj nuk e kupton se çfarë thotë nëpër mitingje. Se Rama NUK KA FAJ. Por pjesa rilindase e shoqërisë që ka nevojë ideologjike, e pse jo dhe fizike për vetëposhtërim. Të krijohet përshtypja sikur ata e votojnë Ramën vetëm e vetëm se nuk ka ndonjë tjetër që t’i prangosë, t’i lidhë me zinxhirë e t’i rrahë me rrip.
Rama i tha një gruaje në moshë gjatë fushatës së kaluar se “demin do e sjellim për lopën, jo për ty”. Vetë gruaja dhe familiarët e saj u ndërkryen nga të qeshurat. Të nesëmen me siguri, nën kumbimin e të qënit të asistuar me “dem”, ngazëllenin fitoren e ardhshme të mister Batutaxhiut pa e ditur se çdo i priste trotuareve të Tiranës kur viçi i Bashkisë t’u shkatërronte dhe konfiskonte bidonat e mbushur me qumështin e lopës së Ndroqit. Se Rama NUK KA FAJ.
Batareja dhe përroi psikik i Ramës i pasqyruar në fjalorin zooElektoral kundër opozitës, nuk është asgjë. Njeriu nxjerr nga goja atë që i gatuhet në shpirt me ato që ka. Poshtërimi publik që Rama ju bën të vetëve është kulmi i histerisë antietike dhe antisociale. Këtë e ka bërë gjithmonë që kur mori pushtet. Historitë e tij me gratë e qeverisë e të bashkisë janë të padenja edhe për çdo lloj pornografie a pornofonie. Këtë nuk ka nevojë ta dish nga brenda. Mjafton të shohësh rastet publike që përmenda si dhe qindra të tjerë po ashtu publikë dhë kuptosh se në çfarë kuplaraje është shndërruar administrata dhe qeveria. Por askush nuk reagon. Askush nuk reagoi kurrë. As njëra nga ish ministret të cilën e përshkroi erotikisht në publik. Se një pjesë e popullit është e atrofizuar, e kontaminuar në mënyrë të pashërueshme nga nevoja patologjike për poshtërim, për përdhosje, për çnderim, për shkelje me këmbë. Se Rama NUK KA FAJ. Se popujt gabojnë si dreqi, se popujt shpesh tregohen dele, se popujt shpesh verbohen dhe vetëshkatërrohen. Egzaktësisht siç bën ky i yni tani. Siç bëmë dhe në vitin ’45.
Prandaj sidomos rilindasit duhet të përgatiten për kërkesa të reja nga Rama. Si çdo despot edhe Sulltan Harem Surreli do kërkojë taksa, femra dhe nizamë.
Se Rama NUK KA FAJ.