Nga Vivra
I dashur, i gëzofshim 50 vite martesë…
10/8/1965- 10 /82015
Ps: të vendoset fotua jonë- prill 1966
Dashuria …
Më e bukura fjalë zemre,
më e veçanta dëlirësi
më e përzgjedhura …
ndër gjithë ndjesitë…
më e kristalta
ndër ndjenjat e shpirtit
më brilantja…
shprehje mendimi,
më e zjarrta…
çmenduri frymëzimi,
ti…,je logjika
më e paarsyeshme.
E tillë je, o Dashuri…!”
Fite, dashuria e jetës sime, a e mban mend ?!
Ejjj…, shoku im i mirë, Fitim, me shikimin drejt së nesërmes, pa ma lëshuar dorën , të lutem eja të ecim mbrapsht në pesëdhjetë vite martesë, për të parë ku ishim dhe ku jemi…Cila ndjenjë na solli deri këtu vallë?!
Ps:këtu duhet Kartolina dhe shkrimi pas saj
I dashur !
Gëzuar Vitin e Ri 1965!
Më lejo që me anë të kësaj dhurate kaq të thjeshtë, të të sjell urimet më të mira për Vitin e Ri , i cili po troket në çdo zemër dhe vatër të universit.
Shpirti im, tani është dimër, por ka akoma lule që të joshin me aromën e tyre të këndshme të cilat kundërmojnë me përkëdhelje natyrën e egër.
Oh ,çfarë paradoksi!
A nuk është ironi e fatit, kur bukuria joshëse …përkëdhel egërsinë?!
Eh e tillë, është jeta…Herë-herë e pabesë, idhnake ,shpirtkazëm, por e bukur…për ta jetuar!
Uroj të të shoh përherë të qeshur e të gëzuar! Në çaste të trishta e pa shpresë, ose me shpresa të pakta, kujto këto lule të mjera dhe të pambrojtura që kaq bukur mbijetojnë, edhe pse ndodhen nën fshikullimat e tufaneve të kohës.
I dashur, ki besim se do të vijë pranvera dhe lulet do të ripërtërihen. Lumturinë atyre ua ka falur natyra, ndërsa për ëndrrën tonë duhet durim dhe shpresë.
Mos harro se shpresa vdes e fundit. Jeta pa dashuri nuk ka kuptim dhe ngjason me ngricën polare. Kjo ndjenjë e bukur dhe sublime sapo të ka çuar në parajsë dhe papritur të zhyt në ferr. Sepse dhembja me lumturinë bashkëudhëtojnë në të njëjtat shina.
Ditët që jetojmë na përkasin neve, sepse të ardhmen nuk e dimë. Ndaj gëzoje çdo çast që të ofrohet, sepse e mira dhe e bukura trokasin rrallë ndër zemrat e etura për paqe dhe mirësi . Kurse dashuria e vërtetë vjen vetëm njëherë në jetë, ndaj mos i kyç portat e shpirtit! Dashuria jonë është lulja, kurse ne jemi bletët, që kemi nevojë për nektarin e saj. A ka natyrë pa lule? Kështu s’mund të ketë as jetë pa dashuri…I dashur, Gëzuar Vitin e Ri 1965!
Me mall e me dashuri!
Përjetësisht! Buçi
31 dhjetor 1964
Dashuria e parë…
Për ty!
Kjo ndjenjë sublime
nuk vë kushte,
nuk kërkon deklarata…
nuk njeh norma…
Nuk respekton rregulla,
Nuk njeh urdhra,
as kohë…
as moshë
S’njeh zakone dhe as ligje.
Para saj…
ndërgjegja hesht…
arsyeja errësohet,
gjykimi ngelet memec…
gjymtyrë e muskuj breshtohen…
Aq sa vetqenia
nuk është në gjendje as të kapërdihet.
Mendimi…
Ah, mendimi…
hyn tinëzisht në trup,
gëlon shqetësues në gjak,
lëvrin si i marrë…
vrullshëm në çdo qelizë
Të rrëmben zemrën.
të verbon shikimin
të drithëron shpirt e kurm
E papritur…
ti bëhesh një me natyrën
dhe jeton ekstazën…
Pa pyetur…
se veç dashurisë tënde
nëse ekziston ose jo…
tjetër qenie në Univers!
E tillë…e çmendur…
është dashuria e parë…
Vivra
I dashur, të kujtohet kjo kartolinë?! Atëherë ishte e re, si mosha jonë, ishte e brishtë si vet rinia, që shpreson se e nesërmja është drita e së bukurës, rruga që të çon drejt mirësisë.
E kush mund ta besonte se do t’ia dilnim mbanë?! Kurse tani 50 vite e 7 muaj është e zverdhur, e mpakur dhe e drobitur si ne. Çuditërisht fytyra engjëllore e asaj vajze ruan freskinë, bukurinë dhe rininë e dikurshme. Ndoshta ajo foto e ëmbël personifikon dashurinë që, edhe pse e penguan, i nxorën pengesa e barriera të pakalueshme, madje kaloi nëpër labirinte të errëta, të pashpresa dhe ende i dalin të përpjeta e të tatëpjeta qafëthyese, dhe ajo ndjenjë përsëri ka ngelur stoike. Paskemi qenë të fortë…! Në rrugë e pa rrugë, me streh e pastrehë, me punë e pa punë dhe përsëri ne ia dolëm, e sfiduam kohën e egër.
Si dëshmi e plagëve që kemi marrë e po marrim në jetë, janë vragat e verdha të asaj fotoje simbolike. E megjithatë ndjenja jonë vazhdon me atë buzëqeshjen e pafajshme të rinisë së dëlirë që pasqyrohet më së mirë aty , pasi e tillë është dashuria. Koha si dëshmitare e të mirës dhe e së këqes, e dashurisë dhe e dhembjes, e të bukurës dhe e të shëmtuarës, e të vërtetës dhe e gënjeshtrës, e pafajësisë dhe e krimit, e realitetit dhe e mashtrimit, e jetës dhe e vdekjes, ka treguar se dashuria e vërtetë nuk vdes kurrë. Ajo ndjenjë e bukur na rriti, na madhoi, na mësoi për të qenë vetvetja, por duhet të pranojmë se jeta e vështirë na ka bërë tekanjoz. Ndoshta e ka fajin mosha e tretë, kur nervat janë shndërruar në tel të sertë e të tendosur…që nuk kthehet pas kollaj .
Në këto 50 vite nuk vumë pasuri, por thesarin më të vyer, dy fëmijë, dy engjëj që nuk kanë shkelur askënd në kallo, që askujt nuk i kanë hyrë hakut. Ndaj Unë dhe Ti duhet të jemi krenarë si asnjë prind tjetër për ta. Ishin ata të dy që e shumuan genin e familjes sonë. Pasi zgjodhën shokët e tyre të jetës duke na bërë prindër të katër fëmijëve, pasi për ne, edhe nusja me dhëndrin janë si ata, kanë po ato vlera.I dashur, jeta e tyre nuk ka kuptim pa partnerët. Ata janë gjysma e njëri-tjetrit që plotësojnë të tërën. Kurse ardhja në jetë e dy nipave dhe e mbesës sonë na ka plotësuar, sepse jemi dy gjysha të lumtur. Mendjet e ndritura nuk kanë thënë kot:
“nuk ka ëmbëlsi më të madhe se mjalti i mjaltit që shëron çdo plagë trupore, shpirtërore dhe mendore!”
Në kushte të tjera sot duhet të bënim dasmën e martesës së artë. E meritojmë miku im,por…?!
**Foto Çifti Vilhelme e Fitim Haxhiraj të ftuar në Presidencë 28-11-2012
Në 65 vjetorin tënd…
Bashkëshortit dhe mikut tim,
Fitim!
Sa mall ndiej për atë çast,
kur për herë të parë…
u pamë
dhe pa dashur
“Të dua!
-shqiptuam të dy bashkë.
S’gjetëm fusha me lule,
as kurora dafine rrethuar,
as qilima Persie shtruar…
Veç vuajtje pa fund e pa anë,
Maja pengesash radhë-radhë…
gjithsesi ne të dy mbijetuam
sot belbëzojmë këto fjalë:
“Prej halleve të sfilitur,
të leqendisur,
bëmë dhe thamë,
jo gjithçka të përkryer.
Veç dy yjeve që ndriçojnë,
realitetin në sy ta shikojmë,
barasvlera më e vyer…!”
A s’ ia vlen për thesaret që koha…
na dhuroi,
të mos jemi krenar…?!
Ndaj për gjithçka kemi mall…”
Vivra
Kurse sot, i dashur, bashkëudhëtojmë si pjesë të një trupi për të vjelë mundin dhe djersën tonë, pasi të vetëm , pa njëri-tjetrin , nuk bëjmë dot asgjë. Apo jo ?
Mos vallë e kam gabim menaxheri dhe fotografi im personal? Çfarë do të isha vallë unë pa ty? Asgjë! Ndaj botërisht të shpreh nderimin dhe mirënjohjen time që i dhe jetë krijimtarisë sime të vonuar!
10 gusht 2015
Komentet