Shaban Nokshiqi i ka kaluar tashmë të 90-tat, por kur e pyet endet diku tek ky kufi i moshës, pa treguar vitet e sakta, ashtu siç bëjnë shpesh malësorët e vjetër.Ka kaluar një jetë të dhimbshme, me plot ulje e ngritje jetësore, në sfiden e qënjes dhe të nderit, që nga fëminia në Nokshiqin e tij të shtrenjtë, deri në Teksasin e largët, ku kalon dimrat, për tu kthyer gjithmonë në Tropojën e dashur, ku e presin me padurim miqtë dhe të afërmit.
Por sidomos kujtimet, kujtimet e tij të pafundme, që duket sikur e mbulojnë me një tis trishtimi portretin e tij fisnik saherë kalon në ekranin e kujtesës vuajtjet dhe gezimet e kohrave që kaluan dhe i duken sikur janë veç disa minuta që sapo kaluan pa u ndjerë në orën e tij të jetës, të gdhendur në rrudhat e tij si dhe në hapat tashmë të ndrojtur që hedh rrugave të botës.
Ka shumë nostalgji, shumë rrëfime që ja rrëmbejnë gjumin dhe duan të shpërthejnë jashtë qënjes së tij si vargje të cilat një ditë nisen të gdhenden në memorien dhe monologun e gjatë të vetëdijes së vet të përditshme.Vargje të ndrojtura, modeste, por që brenda tyre, në atë formësimin e veçantë kanë ritmin dhe vulën e ngjarjeve, perjetimeve, humbjeve dhe fitoreve individuale dhe jo vetëm, janë padyshim nga një fragment i sinqertë jete, të cilat ai i ndan me ata që e njohin, e duan dhe e respektojnë në ndjenjat dhe dilemat e tij. Të cilat përmblidhen në fatin historik të atdheut, në tjetersimin moral të individit në kohën moderne dhe në andrrën e kahmotshme të bashkimit kombëtar.
Duke ndjerë sesi minutat vrapojnë tinzare në pasqyren e kohës, ai nxiton të shprehet së paku poetikisht, anipse bisedat dhe komunikimi i tij me bashkëkohësit është shumëformësh dhe i pandalshëm.Ndihet komod tashmë me lapsin e tij, teksa i mbështetur në shtratin e vet, kur dita thyhet, shkruan kujtimet e tij në vargje, duke mos pretenduar ta konsiderojnë si njeri të vargjeve, por së paku ta kuptojnë dhe ta respektojnë në mesazhin dhe sinqeritetin e tyre, ku ai pasqyron veten, mendimin e tij dhe dhembjen e perendimit që bie tej dritares së tij të jetës.Tej parregullsive, humbjes per nje moment te ritmit, historive në dukje të vjetra dhe gjuhës ndonjëherë arkaike, vlon padyshim një shpirt i trazuar i njeriut, i cili nga lartësia e viteve dhe historisë së vet guxon ta thotë andrrën dhe shqetsimin e tij, ashtu siç ai di dhe shpreson të jetë mirë.
Duke u përpjekut ta gjejë dhe respektojë lexuesin e tij të ndjeshëm, që di të hyjë dhe ti gjejë dhe përcaktojë dritëhijet e fateve të tij dhe të veta jetësore në hullinat delikate të këtij shekulli.
LULZIM LOGU, TROPOJE
PRILL 2017
NANES TIME
Nanë, erdha prapë se u merzita
Koha po ikën, vitet po zvogëlohen
Erdha me ty të rri dhjetë dakika
Prej mallit tënd shpirti po m’vlon
Dashnia për ty e shtrenjta nanë
Pleqnisë mi dha të shtyme përpjetë
Emni yt hala më mban në kamë
Ngrohtësi tjetër s’pata në këtë jetë
Ditëlindja ime fluturon me vrap
Shumë shekuj me duket se s’tkam pa
Kryet e kthej, kujtoj se vjen prapë
Shpirtin ma rrënqeth ma i ambli za
Sa tan Amerika vorrin e kie
Je thesari i botës mbulue me dhe’
Pa ty s’kam gjetë kurrë rehati
Sa nevojë pata për ty, ike, më le
Kqyr ku jam, te kryet ka t’rri
Tu kam idhnue, pse s’po flet
S’di a po më sheh, po kaj si fëmijë
I arratisur larg në kurbet
Ndrequ nanë, puthma fort ballin
Nina nana përkundem në djep
Si gurit të furrës shkrima mallin
Mbajëm n’prehën, tash jam veç dy vjeç…
B.Curri, 29/06/2016
PER MASAKREN E TIVARIT
Flladit me lot e kam kujtesën
Me çupurit me laps harresën
Me ja shkund pluhnin historisë
Me ja shplue ftyrën mizorisë
Fundit t’detit me i hi n’kamë
Me mbledh eshtnit gjithkah janë
Kur t’notojnë kafkat mbi ujë
Tivari n’mend me i ra gjithkuj
Gjysëm shtize me u ngrit flamuri
Me u ngrit uji, me u shkri guri
Me u dhezë toka, me u ba hi
Me u veshë malet korb i zi
Fushë as mal mos me çelë lula
Tym n’oxhak mos me qitë kulla
Mos me ju gzue flutura pranverës
Mos me u shkel kurrë pragu i derës
Me e harrue kangën bylbyli
Me vyshk petlat trandafili
Nata e zezë me i rrudh sytë
Pishman dielli që qet dritë
Toka e zezë qysh nuk asht ça
Serbët e zi brenda me ra
Ajri flakë qysh nuk u ndez
Me u shkrumue pushtuesit malazezë
I kan mashtrue e çarmatosë
I kam mytë shkijet, si kanë varrosë
Në rrjesht për katër i kan shti
Si kan lanë as ujë me pi
Brenda avllisë e n’kullë ngujue
Me breshni armësh i kanë masakrue
Me i hupë gjurmët, hajmedet
Tan me kerre i kan lshue në det
Kurrnji gjallë mos me pshtue
Tjerët me helm i kan helmue
Katërmijë shpirtra si bubrrecë
N’rrugë me kanë, s’mundesh me ecë
Në masakrën e Serbisë plakë
I lanë duert shqiptarët e ngratë
Vdesin nanat me sy çelë
A mos djali ndoshta vjen
Rriten fmija po i thonë nanës
Ku e kem vorrin e babës
Se kem pa n’andërr kijamet
Ka i hanë peshqit nëpër det
Djemtë e çikat i marrin n’grykë
Pse nuk dalin për me i lypë
Me i gjetë nanë, te shpia me i pru
Me i ngjit kiet, me lavru
Kur u ndien fjalët e fmisë
Kanë pikë ujë dhe trentë e shpisë
Gjimon Shkelzeni e Gjallica
Pashtriku, Tomorri e Gjerovica
Kta djem nanash i qitën fare
Me ulë rezistencën e shqiptarëve
N’emën t’luftës i kan pre n’besë
T’vraftë Serbi kokrra e resë
Sa herë pranvera t’veshin kunorë
Sa herë bjeshkët t’mbushen me borë
Sa herë frymë të marrë çdo shqiptar
Çojeni mendjen te Tivari!
POEZIA IME
Si zog shpendi në shtegtim perherë
Jetoj në Amerikë, por kthehem çdo verë
Kthehem n’fole, takoj miq e shokë
Zemra ime e re, kurrë nuk plaket dot
E mban dashuria, flakë ndezun në zemër
Për vllaznitë e mia, për folenë e vjetër
Endrra e kthimit nuk më le të plakem
Porsi shqiponjë gjithmonë i hap krahët
Hedh vargje rend me rend në defterë
Pleqnia s’ka qasje për mua në derë
Dhe kur vjen koha për Amerikë
Shpresoj prapë të kthehem nji ditë
Të përqafohem sa të vijë vera
Në kthim të sjell libra , të tjera
Unë Nokshiqas si skifter mali
Jam plak i urtë me zemër djali!
TEKSAS, SHBA, 2017
Komentet