“Ne sot e kishim mbledhjen e kryesisë së Partisë. Biseduam edhe për kandidatin e partisë për kryeministër të vendit. Unë jam interesuar që të hap një proces që LDK’ja do të del me një kandidat tjetër për kryeministër të vendit. Kemi vlerësuar se ky nuk është një proces i thjeshtë. Dhe për këtë është vendosur që te kandidohet Abdullah Hoti për kryeministër”, tha kryetari i LDK’së, Isa Mustafa”, ka thënë kreu i LDK-së Isa Mustafa, raporton Express.
Ndërkohë që sa i përket koalicioneve parazgjedhore, kreu i LDK-së tha se partia e tij ka saktësuar disa parti tjera, por që ende nuk kanë vendosur përfundimisht se cilat do të jenë partitë që LDK do të bëjë koalicion.
“Sa i përket koalicioneve, po punojmë, kemi saktësuar mjafte shume kushtet për disa partner, por nuk do te flas për ta derisa te mos i kemi marrëveshjet definitive”, tha Mustafa. Ai tutje tha se është i bindur se Hoti do të jetë fitues i zgjedhjeve karshi kandidateve tjerë
Edhe Hoti tha se “koalicioni i djathtë do të fitojë”, por pa treguar se kush janë pjesë e këtij koalicioni.
Kujtojmë se deri në mesnatën e të martës, partitë politike kanë për obligim të deklarojnë në KQZ koalicionet garuese në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit.
16 maji është paraparë afati i fundit nga KQZ’ja që partitë politike të deklarojnë koalicionet garuese në zgjedhje, derisa të hënën ka përfunduar afati për deklarimin për mospjesëmarrje eventuale në zgjedhje.
Kosovarët do t’u drejtohen të dielën e 11 qershorit 2017 kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi ato u shpallën javën e kaluar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, menjëherë pas shkarkimit të Qeverisë Mustafa me anë të një mocioni të votuar në Kuvend, të iniciuar nga opozita dhe përkrahur nga PDK-ja.
Biografia e Avdullah Hotit:
Arsimi: Ka studiuar menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1994-1998. Studimet e magjistraturës (2001-2002) dhe të doktoratës (2003-2007) për ekonomiks i ka përfunduar në Staffordshire University, Britani e Madhe. Më 2008 është certifikuar nga Staffordshire University për metoda hulumtuese dhe mentorim të studentëve të doktoratës.
Përvoja akademike dhe hulumtuese: Ka filluar angazhimin si asistent mësimor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1998. Në vitin 2008 është zgjedhur Profesor Asistent, ndërkaq më 2012 është zgjedhur profesor i asocuar. Në këtë fakultet ligjëron disa kurse në studimet bachelor, master dhe të doktoratës. Në Kolegjin Dardania në Prishtinë ligjëron mikroekonominë dhe makroekonominë. Ka ligjëruar në Universitetin e Pejës gjatë vitit 2008-2009. Gjatë viteve 1999-2004, ka punuar si hulumtues, me kohë të pjesshme, në Institutin Riinvest në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 2007-2009. Ka qenë anëtar i disa këshillave profesionale dhe akademike në vend dhe jashtë. Ka publikuar gjashtë tekste, në gjuhën angleze, prej tyre dy si autor i vetëm dhe katër si bashkautor. Ka publikuar 16 artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, migracionin dhe remitancat dhe fusha të tjera. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare dhe vendore.
Angazhimet politike: Gjatë viteve 2006-2007, ka qenë Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës. Gjatë viteve 2008-2009, ka qenë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës. Për një mandat (2010-2013) ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Nga viti 2006 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2010, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2011, ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në qershor 2014, është zgjedhur Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Është i martuar dhe ka dy djem, Ledionin dhe Antianin.
Komentet