PREOKUPIME TË VAZHDUESHME PËR KËRKIME ETNOGRAFIKE
Me At Antonio Belluscin bisedoi Faruk Tasholli (Revista „Fjala“ 1 tetor 1982, Prishtinë)
Etnografi arbëresh Antonio Bellusci, i lindur më 1934, është nga fshati Frasnitë i Kozencës, Krahina e Kalabrisë, në të cilin u lind edhe Vinçenco Dorsa (1823-1885) folklorist i madh, ndërsa tash nga ky katund janë punëtorët më të vlefshëm të gjuhës e të kulturës arbëreshe, si Dushko Vetmo, profesor në Universitetin e Kozencës, Jordano Gjordano, përpilues i një fjalori të arbëreshëve të Italisë; Vorea Ujko, poet dhe Gjyzepe Ferrari, autor i një gramatike të gjuhës arbëreshe. Ky katund ka rreth 3000 banorë , të cilët e flasin mirë gjuhën shqipe.Mësimi në shkollën fillore zhvillohet në gjuhën shqipe dhe funksionojnë tri shoqata kulturore: Vinçenco Gramshi, Vinçenco Dorsa dhe Skënderbeu, që janë vatrat më besnike ku tubohen arbëreshët.
Me kete rast bëmë një bisedë me Antonio Beluscin, etnograf, i cili ishte një nga pjesëmarrësit e shumtë të Seminarit VIII ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që para do kohe përfundoi punimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës.
I nderuri Antonio, në fillim mësuam se ju merreni me kërkime etnografike, prandaj na intereson të dimë kah e keni orientuar punën tuaj studimore në këtë fushë?
BELLUSCI: Unë jam i lidhur ngusht me hulumtimin e kulturës popullore të arbëreshëve të Italisë dhe të arbërorëve të Greqisë (kështu ata e quajnë vetën). Për ta njohur më mirë prejardhjen dhe ngulimet e tyre, për në katundet arbërore të Greqisë kam bërë tri udhëtime hulumtuese. Me këto udhëtime jam ndalur te banorët e Moresë, Korintit, Atikës, Agrolidhës dhe të Beltit, ku kam mbledhur në terren këngë popuLlore që janë kënduar dhe ekzekutuar gjatë punëve të ndryshme të motmotit dhe ato i kam incizuar me manjetofon. Kam mbledhur shumë materiale që kanë të bëjnë rreth punëve shtëpiake, për shembull, si përgatit amvisja bukën në shtëpi, ose si i bën disa ushqime dhe punët që lidhen me bujqësi dhe me blegtori.Një rëndësi të madhe ua kam kushtuar përshkrimeve toponimike dhe antroponimike. Pastaj një pjesë të madhe të këtyre kërkimeve i kam publikuar në revistën „Shenjëzat“ që botohej në Romë në gjuhën shqipe dhe italiane, te revista „Zgjimi“ e Shën Benediktit etj.
Kohëve të fundit publikimet e këtyre materialeve vazhdoj t’i bëj te revista “Lidhja“ të Kozencës që unë e themelova para do kohe dhe jam drejtor i saj.Kjo revistë del çdo gjashtë muaj, boton shumë materiale mbi kulturën popullore, jo vetëm të arbërorëve te Greqisë, por edhe të shumë katundeve të arbëreshëve të Italisë. Qëllimi im kryesor për këto ekspedita kërkimore në këto dy diaspora të së folmes shqipe, para së gjithash, është që të vë në dukje lidhjet e ngushta që ekzistojnë ndërmjet tyre, si në leksik, në folklor në topothesi e në fusha të tjera.Duhet të theksojmë me këtë rast se arbërorët e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë kanë të njëjtin rit fetar bizantin dhe të njëjtin besim ortodoks.
Në kërkimet etnografike që keni bërë deri tash, me çka e keni kurorëzuar punën tuaj disavjeçare dhe sa keni arritur ta realizoni qëllimin tuaj?
BELLUSCI: Deri tash kam përpiluar dhe botuar një përmbledhje artikujsh mbi jetën blegtorale të Frasnitës me titullin e përbashkët „Blegtoria në Frasnitë“, që kanë dalë në revistën „Shenjëzat“, e që të gjitha janë tekste shqipe.Për ta bërë këtë punë jam angazhuar 12 vjet dhe nga biseda që kam bërë me Anton Çettën dhe Hasan Mekulin dhe me disa të tjerë, shpresoj se këto punime do të botohen edhe këtu, në Prishtinë, si tërësi.Këto punime japin një informacion të mirë që ka e folmja e një katundi arbëresh nga ana blegtorale dhe të leksikut në tërësi. Një vepër tjetër që bëri jehonë në botë e edhe këtu në Prishtinë, për të cilën u shkruan shumë recensione në opinionin shkencor të vendeve të ndryshme, është „Argalia“ (avlëmënti, veku) ndër tekstet origjinale arbëreshe – kërkime etnografike midis shqiptarëve të Kalabrisë, të Bosilikatës e të Greqisë. Kjo u botua në vitin 1977 në Kozencë. Në këtë vepër shënohen të dhëna, këngë, përgëzime, mallkime; pastaj ekzekutimi i avlëmentit, ku të gjitha këto janë të shkruara në gjuhën e së folmes së katundit Frasnitë.
Një vepër tjetër që e kam botuar është edhe „Kanti Sakri“,e cila përmban këngë fetare të shekujve XVII e XVIII që të gjitha në gjuhën shqipe. Atyre iu bashkangjiten edhe skemat muzikore. Të theksoj se ne në Itali kemi pasur Jul Varibobën, i cili ose i ka mbledhur në popull ose i ka qenë vetë autor i këtyre këngëve. Në këtë vepër shihet se arbëreshët kanë krijuar shumë këngë që flasin për dashurinë e tyre ndaj gjuhës shqipe dhe që ne i quajmë Kalimere ( Nga greqishtja -dita e mirë). Janë një pasuri e veçantë leksikore dhe vërehet kronologjia e trashëgimit besnik të zakoneve. Edhe kjo vepër lidhet me kulturën popullore arbëreshe. Ndërkaq, tash, vepër e fundit e kësaj serie që tash ndodhet në shtyp është edhe ajo me titull „Magji, mite e besime popullore“ – kërkime etnografike në terren, në katër katunde arbëreshe: në Shën Palin Arbëresh, Frasnitë, Shën Konstandinin Arbëresh dhe në Shën Sofi të Epiros. Për ta përfunduarkëtë punë k m’u deshën 15 vjet. Pjesa e parë e këtij libri është e plotësuar me 50 tekste në gjuhën e së folmes katundare me përkthim në italishte, ndërsa pjesa e dytë lidhet me etimologjinë, ku analizohen dhe interpretohen këto tekste, ku, si në veprën „Argalia“ kemi paraparë një përmbajtje me pikëpamje etnografike.
Si duket, kontributi i juaj në fushën e kulturës shqiptare është tejet i madh. Çfarë pune bëni në fushën shoqërore e kulturore në Kozencë?
BELLUSCI: Si ju thashë edhe më parë, kujdesem për daljen e revistës gjashtëmujore „Lidhja“, e cila hedh dritë në kulturën arbëreshe, arbërore dhe shqiptare, që përnga lidhja kombëtare e kulturore paraqet nje unitet trilogjik. Duke u nisur nga kjo do të kisha thënë se te ne arbëreshët në të njëjtën kohë interferojnë tri kultura:greke, italiane dhe shqiptare. Te arbëreshët është një fenomen interdisiplinar, e kjo lidhje punon në këto tri drejtime, kështu që çdo artikull që botohet në revistën në fjalë është një kontribut i madh për njohjen e historisë sonë. Çdo program mësimor nuk vjen nga shkollat italiane, por nga djersët tona, nga gjaku ynë dhe nga dashuria e madhe për ruajtjen e identitetit kombëtar, që karakterizohej edhe në kohën De Radiane. Aktiviteti i gjerë kulturor që bëjmë ne me siguri në zemër, na bën gjithnjëe më optimistë se e ardhmja do të jetë me ne, se problemet që i trasojmë në kuadër të traditës kulturore kombëtare, gjithnjë e më tepër na forcojnë.
Ta them edhe këtë se në qytetin e Kozencës kryej edhe punën e një famullitari të një komuniteti arbëresh, ku shumë arbëreshë janë vendosur si profesionistë me përgatitje të larta shkencore e kulturore. Në Kozencë jemi rreth 400 arbëreshë. Që edhe atje ta mbajmë gjallë kulturën arbëreshe, kemi formuar shoqërinë kulturore “Gjergj Kastrioti“, ndërsa „Lidhja“ është organ i kësaj shoqërie. Aty funksionon edhe biblioteka, e cila është e pasur me literaturë dhe në të ndodhen dorëshkrime të ndryshme me interes.
Përpos këtyre, Antonio, çka do të thoshit për kontaktet tuaja me Kosovën dhe sa kanë ndikuar në ngritjen tuaj profesionale, shkencore e kulturore?
BELLUSCI: Mund të them se duke punuar në veprat e sipërpërmendura, gjithnjë kam mEnduar për Kosovën.Në e shikon bibliografinë e revistës letrare „Jeta e re“ do të shihni se që më vitin 1970 më janë botuar ca këngë popullore dhe ky rast ka qenë lidhja ime e parë me Kosovën. Në Prishtinë për herë të parë kam ardhur më 1972. Ndërkaq takimet e mia me këtë trevë u shpeshtuan qyshse mora pjesë për herë të parë edhe në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në të cilin vij rregullisht. Në këtë seminar edhe i kam lexuar disa kumtesa…Unë mendoj se kur arbëreshi vjen këtu në Kosovë, vërtet me kulturë pasurohet shumë. Edhe unë, po këtu, arrita që ta flisja e ta shkruaja gjuhën letrare shqipe, përdorimi i së cilës është shumë i nevojshëm edhe për ne ërbëreshët, sepse është edhe një mundësi më e madhe për ta lidhur kuturën tonë në një qarkullim më të gjerë.
Më në fund, na thuani se çka ju preokupon në momentin e pikërishëm në punën tuaj kërkimore e shkencore?
BELLUSCI: Pas botimit të një sërë artikujsh lidhur me kulturën popullore në disa revista shkencore albanologjike, jam duke përgatitur edhe tezën e doktoraturës, për të cilën Universiteti i Kosovës më ka bërë mundësi që ta mbroj këtu. Këtë punë shpresoj se do ta kryej shpejt, meqë ka kohë që më është caktuar edhe tema me titullin „Tematika e punës në poezinë arbëreshe të Italisë dhe të Greqisë“. Kur t’i dal në krye kësaj pune, vërtet do të shihet një rëndësi e madhe e saj, pasi materialin folklorik e kam mbledhur nga goja e 200 punëtorëve e punëtoreve arbëreshe të më se 50 katundeve, kështu që përpara kam një material të veçantë dhe të pasur në shqyrtim. Gjithasht në masë të madhe më kanë ndihmuar edhe orientimet që m’i kanë dhënë mentorët e mi, si dr.Rexhep Qosja, dr.Shefqet Pllana dhe dr. Latif Mulaku. Për mundësinë që ma ka afruar Universiteti i Kosovës që të doktoroj këtu, i pari ndër arbëreshët, jo vetëm se më ka nderuar mua, por gjithë diasporën arbëreshe në Itali. Besoj se këtë më së miri do ta arsyetoj me punën time në fushën e shkencave albanologjike.
Komentet