-Çfarë halli ke o, i gjorë, – thotë me keqardhje boshnjakja Sabina sa hapi derën e apartamentit.
-Më doli një punë në Tennesse, – e gënjej – por nuk kam para për benzinë.
-Sa mirë që t’u ringjall dëshira për punë, – shton, më këqyr disa sekonda me dhembshuri dhe habitem kur bën shenjë, me të dyja duart, të hyj në apartamentin e saj; një gjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë. Pa kapërcyer ende pragun dalloj dy kopsa të pa mbërthyera në rrobdeshambër dhe kur shoh pulpat e gjunjët e bardha, kujtohem se sot është e diel.
-Më kish marrë malli për ty, – dëgjoj të thotë Sabina dhe elokuenca e zërit të saj më siguron se ajo do më japë borxh edhe po t’i kërkoj një mijë dollarë.
Fillimisht, kur Sabina bëri shenjë të hyja në apartament, pandeha se ajo mezi priste të më tregonte për piramidën ilire, zbuluar në Bosnjë, ose, për varrin me treqind boshnjakë, masakruar nga serbët, por buzëqeshja e dytë ishte tej femërore dhe kopsat e pa mbërthyera më nxitën pandehmën se edhe për Sabinën kjo e dielë është ditë e shënuar.
-Për dhjetë minuta piqet byreku, – tha e u përkul të hapë trinën e stufës. Në hapësirën trekëndëshe midis pulpave e kofshëve, shoh tepsinë me byrek. Aroma e gjalpit të skuqur më gudulis flegrat e goja më lëngëzohet. Megjithëse jam i uritur, mania për të shpikur hipoteza ma heq mendjen nga byreku. Nuk kam dyshim se Sabina e di se, që kur më braktisi Suzi, jam në krizë financiare, fle në makinë e ushqehem me mbeturina restorantesh. Pabesia e Suzit më zhyti në trishtim, më veniti dëshirën për punë dhe sa herë rrëmoj nëpër kazanët e plehrave për hekurishte e kanoçe kokakole e pepsi, psherëtij si lypsar e përsëris shprehjen mallkuese të time mëje:
“Mallkuar qofsh, moj, Zuskë Kapitaliste!”
Mirëpo, kur dëgjoj Sabinën të thotë për së dyti “më kish marë malli për ty,” m’u zgjua muza e aktorit:
-Të siguroj se, që kur më braktisi Suzi, nuk kam shkuar me femra të tjera, – por Sabina, pa kthyer kokën nga unë, psherëtin e përgjigjet:
-E di që je i çiltër e i sinqertë, por, që s’ke shkuar me femra, nuk e besoj, – dhe ashtu, përkulur lopthi, ndërsa ajo rrotullon tepsinë në furrën e stufës, mua më vjen të qesh e t’i them se femrat, kur duan të flladiten, nuk i mbyllin këmbët e as i mbërthejnë të gjitha kopsat.
“Sa i pacipë je,” – thoshte Suzi kur e kundroja lakuriq, por mbase edhe Sabina, pikërisht tani, mendon të njëjtën gjë. Ose, nga që është e dielë dhe të dielat janë erotike, përfytyron që mua më janë mbërthyer sytë mbi të thelluarën, si ulluk, në vithet e saj të gjëra.
Megjithëse lufta sërbo-boshnjake kish mbaruar njëzet vjet më parë, Sabina ende mban zi për prindërit e dy motrat e masakruara. Gjithnjë e kisha parë të veshur me fustane të gjata, ngjyrë gri, ose me pantallona, edhe ato grizo, por në gri të çelur është edhe rrobdëshambri mëngjesin e sotëm.
Nga që kam maninë të eksploroj të tjerët, kjo mani sa vjen e më shtohet edhe për veten time e pikërisht tani zbuloj se mënyra si i lëviz duart, si e tund kokën e gjunjët, si hetoj Sabinën e orenditë e sallonit, është natyrshmëri e lindur çarlçapliane e nuk kam për të shpëtuar prej saj sa të jem gjallë. Hija e Çarli Çaplinit më është qepur nga pas që në fëmijëri, por ajo ishte prezente edhe kur lexova mesazhin kobzi të Suzit, “shpirt, më tako para se të vras veten;” e ndjeva se po më ndiqte edhe kur ngjita shkallët e kur trokita në derën e apartamentit të Sabinës.
Sabina jep e mer me tepsinë në furrë, unë dyshoj për veten se jam telepatik i lindur dhe, nga që genet telepatike i kam trashëguar nga ime më, kësaj here ime më më fanitet e veshur me të zeza dhe më kërcënon me gisht:
“Akoma nuk të është mbushur mendja, biro, se Zuskës Kapitaliste nuk i duhet besuar?!”
Heq mendjen nga pandehma telepatike me time më dhe lajkatoj Sabinën:
-Ti je mikja ime, e shtrenjtë e zemërmadhe.
Atëherë ajo drejton trupin dhe kthehet nga unë; i janë përskuqur pulpat, llërët, gusha e fytyra.
Sabina më ish shfaqur në gjumë para dy muajsh, bëra seks me të, por nuk munda ta puth në buzë.
“Bëj çfarë të duash, por mos u mundo të më puthësh, – kish thënë ajo dhe e pati mbuluar fytyrën me palat e fustanit. – Dhëmbët i kam bërdhok e goja më mban erë si fasule të thartuara.”
Gjer pa më braktisur Suzi, Sabinën e takoja zakonisht të premteve, tek sporteli i Bank of Amerika, ku ajo punonte kashiere dhe unë thyeja çekët e klientëve të mi. Në ato pak minuta të dyve na pëlqente të përzjenim anglishten me fjalë të përbashkëta boshnjake, shqiptare, e turke.
“Aman, shyqyr shpëtove nga ajo, kurvica e tërrbuar,” – kish thënë Sabina nga përtej sportelit një vit më parë, por të njëjtën shprehje e përsërit edhe tani, pa përmendur emrin e Suzit. Nëdrsa sytë e saj të kafenjta më këqyrin me dhembshuri, unë kujtohem se sytë e mia janë si të sajat. Megjithëse nuk pëlqej të krahasoj diçka timen me të tjerëve, e kurrë ndonjëherë me seksin e kundërt, por ja që sot, mbase nga që është ditë e shënuar për mua, pa hequr nga mendja Suzin, dalloj se kam shenja të ngjashme me Sabinën.
“Shpirtkë, ti je e tëra femër, nga maja e flokëve e gjer në thonjtë,” – i thosha Suzit, jo për t’ia bërë qejfin, sepse e tillë ishte dhe e tillë është pa dyshim edhe tani pas pesë viteve, dhe ajo pret me padurim të takohet me mua.
Ndërsa Sabina pastron duart me pecetë të lagur e më vështron drejt në sy, mua më shkon mendja se edhe ajo, njëlloj si Suzi e ka kuptuar se fati im është në mëshirën e femrave. Nga që jam i çiltër më vjen t’i tregoj Sabinës të vërtetën e t’ia bëj tragjike mesazhin se nuk po shkoj në Tenessee për punë, por të takoj Suzin e ta bind që të mos vrasë veten. Ajo është penduar që më braktisi e, në mos pranoftë të bashkëjetojë sërish mua, për mua mjafton të më kthejë kursimet e dhuratat që më grabiti. Unë mendoj këto, Sabina më peshon me sy e më ndërmend zëri i saj:
-Lëkura të është zverdhur si e kinezëve. Nga pesha ke rënë njëzet kile. Tiparet të janë mprehur dhe mollëzat të kanë kërcyer si të armenëve e mongolëve. E mar me mend: fle ku të ze nata e ushqehesh keq. Më dhimbsesh sikur të kam byrazer – dhe, pasi u mëshon fjalëve “duhet të shkosh urgjentisht tek doktori,” kujtohet përse unë ndodhem në apartamentin e saj, hap çantën e dorës e pyet:
-Që mos të mbetem në rrugë, bëji dyqind, – përgjigjem e pendohem përse nuk thashë “bëji treqind.” Sabina më lëshon në dorë dhjetë kartëmonedha njëzet dollarëshe dhe mua më vjen mirë kur gishtat e saj prekin pëllëmbën time. Pastaj ajo mbledh grillën e dritares e tregon me dorë apartamentin përballë, ku unë e Suzi bashkëjetuam tre vjet. Ajo mërmërit në gjuhën boshnjake, unë kap fjalët e përbotshme: “kurva, sida, ebola.” Pa m’i ndarë sytë ulet në kolltukun përballë meje e lidh nën gushë cepat e shamisë të kokës. Fytyra e rrumbullt, si luledielli, u kthye në vezake e atëherë kujtohem se Sabina është tridhjetë e pesë vjeçe, njëlloj sa unë, ose pesë vjet më e madhe se Suzi. Rrathët e errëta qark syve tregojnë se është në periudhën menstruacioneve. Pavarësisht se salloni erëmon nga gjalpi i skuqur, më bëhet se dalloj aromën ndjellëse të pubisit, por që sot më ngjason edhe me aromën djathit kaçkavall prej qumësht deleje. Sytë më shkojnë sërish mbi pulpat e gjunjët e saj, por ajo e ve re shikimin tim, buzëqesh si e zënë në faj dhe i mbulon me cepat e rrobdëshambrit.
“Kapaku e gjeti tenxheren,” – më kishte thumbuar Sabina nga ballkoni i saj, që ditën e parë kur Suzi erdhi të bashkëjetojë me mua.
“Unë jam kapaku dhe Suzi tenxherja?”
“Po,” – ish përgjigjur Sabina e më pati kthyer shpinën.
Por, edhe pa u pleksur me Suzin, Sabina ndonjëherë nuk më përshëndeste, ose bënte sikur nuk më kish parë. Njëherë, kur ajo pa çekun me pesë mijë dollarë, tregoi me dorë rimorkion e makinës time, mbushur me veglat e mirëmbajtësit të oborreve dhe tha:
“Vë bast me njëqind dollarë se djersën tënde e përpijnë stiptistet.” Mirëpo, pavarësisht se bashkëjetoja me Suzin, Sabina më kish parë kur kapërceja kangjellat e ballkonit dhe hyja në dhomën e gjumit të komshies koreane. Mulaten Kelly, edhe ajo striptiste e klubeve të natës, që mburrej se vithet i kish më të bukura se të Kim Kardashianit, e pata njohur pesë vite më parë se të pleksesha me Suzin. Kelli banonte në godinën tjetër dhe, asokohe, mjaftonin njëzet dollarë për gjysmë ore erotizëm me të.
Të gjitha këto më shkojnë ndër mend por, edhe se Sabina bën, të paktën, dymijë dollarë në muaj, vë re se televizori, kompjuteri e telefoni celular janë nga të markave të vjetra. Dalë boje janë edhe mobiliet e sallonit, tavolina e bukës e karrigia e vetme. Nuk kam nevojë të kthej kokën, mbasi edhe në ballkon e di se është një karrige prej thuprash ku ende ajo vetmuar e pi kafen, tradicionale turke dhe tymoste cigare Gamel.
“Femrat e shëmtuara zgjedhin vetminë për vetëvrasje ” – thoshte Suzi për Sabinën kur e shihnim të rinte në ballkon gjer pas mesnate, sidomos në netët me hënë të plotë.
Unë palos kartmonedhat, Sabina mbyll çantën e dorës e po më sqaron se virusi i ebolës shpërrthen për njëzet ditë. Pjesëtoj me mend treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditët, braktisur nga Suzi, me njëzet ditët e shpërthimit të virusit të ebolës e them duke qeshur:
-Që kur ja mbathi Suzi, duhej të kisha vdekur tetëmbëdhjetë herë.
Atëherë Sabina vë pëllëmbën para gojës, që unë të mos ia shoh dhëmbët, por, për pak humbi ekuilibrin dhe u mbështet me të dyja duar mbi tavolinë.
-O Zot, erdhi dita të qesh edhe unë si njerëzit e tjerë!, – dëgjoj të thotë me zë kumbues femëror.
Sabina ka gojën e madhe. Kur qeshi iu përveshën buzët e unë dallova kapset e nikeluara dentare; kish dhëmbë të rregullta, në ngjyrën e lajthive kur formojnë kokrrën.
-Mbrëmë të kam parë në ëndërr, – tha e ndërpreu të qeshurën.
-Nuk ta tregoj; qesharake. Po ti më ke parë ndonjëherë në ëndërr, – u bë kurioze ajo.
-Para një a dy muajsh, – i thashë, – por nuk ta tregoj.
-Zemërohesh e s’kam si vij të kërkoj para për së dyti.
-E mar me mend, – tha e u përkul vrulltas të shohë byrekun në stufë; një kopsë, nga të rrobdëshambrit a, të sytjenave, u rrokullis mbi pllakat e dyshemesë të kuzhinës.
Megjithëse jam i uritur, nuk e kuptoj pse nuk pres të piqet byreku, por them “nxitoj se jam për rrugë të largme” dhe i premtova:
-Kur të kthehem nga Tennessee do të darkojmë së bashku.
Pa mbërritur ende tek dera dëgjoj Sabinën të thotë se unë, po të mos isha pleksur me Suzin, llogaria ime bankare sot do të ishte me njëqind mijë dollarë. Mirëpo Sabina nuk e di se shpulla dhe kërcënimi, “më braktise plumbi të pret,” ishin ato që e zemëruan Suzin e ajo mori hak ndaj meje duke luajtur me mua si macja me miun.
Komentet