THIRRJA E VDEKJES ËSHTË THIRRJE E DASHURISË
Thirrja e vdekjes është thirrje e dashurisë.
Vdekja mund të jetë e ëmbël nëse ne
I përgjigjemi pozitivisht, nëse e pranojmë
Si një nga format e mëdha të përjetëshme
Të jetës dhe të transformimit.
Nëse ti urren një njeri, ti urren tek ai
Diçka që është pjesë e jotja. Ajo që nuk është
Pjesë e jona nuk na shqetëson ne kurrë.
Nuk ka asnjë realitet tjetër përveç atij
Që na përmban ne. Ja pse
Shumë njerëz bëjnë një jetë joreale.
Ata i marrin përfytyrimet jashtë vetes si realitet
Dhe kurrë nuk e lejojnë botën
Brenda tyre ta pohojë dhe pranojë veten.
Ta studiosh historinë do të thotë të pranosh
Kaosin dhe gjithsesi të mbash
Besimin te rregulli dhe kuptimi. Ky
Është një qëllim shumë serioz, djalë,
Dhe ka të ngjarë të jetë më tragjiku.
Të gjithë njerëzit janë prirur të bëjnë të papërfytyrueshmen
Nëse idealet e tyre janë kërcënuar.
Unë e kam ditur këtë prej kohësh, por vetëm
Tani e kam përjetuar. Tani unë e di
Nuk e kam arritur nëpërmjet zgjuarsisë sime,
Por me anë të syve të mi, zemrës dhe stomakut tim.
Përjetësia është thjesht një çast,
Aq i gjatë sa të mjaftojë një lojë.
Çfarë e përbën një qenie reale, jetësore njerëzore
Është më tepër mister i pazgjidhur se
Ato ditë dhe njerëz – secili prej tyre është eksperiment
I përshtashëm, i pashoq mbi një
Pjesë të natyrës,- ato janë një e tërë e vetme.
Gjithçka bëhet pak më e ndryshme nga çfarë ishte
Sapo dikush flet për të botërisht.
MAENNERGESICHT
DJALËRIA, ËNDËRR E ËMBËL?
Netë të tëra përkulur pa gjumë
Kam shfletuar libra gjithnjë
Atë që kërkoja nuk e kam gjetur
Atë që e kam gjetur pas vitesh e kam harruar tashmë.
Netë të tëra, me shpirt të përvëluar
Iu jam vardisur grave bukuroshe
Dhe i zbulova deri në fund misteret e dashurisë
Velur nga kënaqësitë dhe joshjet.
Netë të tëra mendueshëm e vetmitar
Nga vera dhe dalldia i turbulluar në terr
Tani unë rri dhe vështroj si fundosem
Dhe dritat e dashurisë më përshëndetin si ylberë.
Aq fjalë kam mësuar në jetë,
Aq këngë janë përftuar në shpirt këtu
Por unë ato i lë të pathëna
Duke u luhatur drejt perëndimit blu.
VALSE BRILANTE
Një vals i Shopenit merr vrull në sallë
Një vals i çmendur, i shfrenuar lëshohet,
Dritaret pasqyrojnë ajrin e furtunës
Një kurorë e vyshkur zbukuron pianoforten.
Pianoforte je ti, violinë jam unë.
Kështu kumbojmë dhe nuk mbarojmë asnjëherë
Dhe presim me ankth ne të dy
Kush do të shpëtojë nga magjia më herët.
Kush do të ndalet i pari në mes të valles
Dhe do të burojë drita të pafund,
E kush do të bëjë i pari pyetjen
Së cilës nuk mund t’i përgjigjet askush.
PRINCI
Donim të ndërtonim së bashku
Diçka të bukur krejt tonën
Të lartë si një kështjellë
Për të parë tej lumenjve dhe livadheve
Tej pyjeve të heshtur.
Të gjithë donim të çmësojmë
Atë që është e vogël dhe e shëmtuar
Donim të zbukuronim me këngë gëzimi
Afërsish dhe largësish,
Kurorat e lumturisë në flokët tona.
Tani kam ndërtuar një kështjellë
Në zgripin e lartësisë së heshtur;
Nostalgjia ime rri atje e na vështron
Deri sa mërzitet, dhe dita bëhet gri
-Princeshë, ku je zhdukur vallë?
Tani unë ua besoj të gjitha erërave
Këngëve të mia përvëlimtare.
Ato duhet të kërkojnë dhe të gjejnë
E ta shpalosin dhimbjen
Nga e cila vuan zemra ime.
Duhet edhe të të tregojnë
Për një lumturi të pafund dhe tunduese,
Duhet të të puthin deri në çmendje
Duhet të ta vjedhin gjumin –
Princeshë, kur do të rikthehesh vallë?
NGAQË TË DUA
Ngaqë të dua, natën kam ardhur tek ti
Kështu vrullshëm dhe marramendas
E ti nuk mund të më harrosh më kurrë
Shpirtin tënd kam ardhur për ta vjedhur
Tani ti je e imja – tani më përket e tëra
Në mjerim e lumturi, sot
Nga dashuria ime e vrullshme dhe e valë
Asnjë engjëll nuk të shpëton dot.
SY TË ERRËT
Është nostalgjia ime dhe dashuria ime
Tani në këtë natë të nxehtë
E ëmbël si parfumi i luleve ekzotike,
Shpaluar nga një jetë që përvëlohet.
Nostalgjia ime dhe dashuria ime
Janë fati dhe fataliteti im krejt
Janë shkruar si një këngë memece
Në sytë e tu të errët si përrallë.
Janë nostalgjia ime dhe dashuria ime
Ikur nga bota dhe nga çdo rrëmujë e saj,
Ato kanë lartuar në sytë e të të errët
Një fron sekret mbretëror.
ELIZABETËS
Unë dua të të them
Se nata ka mbetur shkretë –
Dashke të zemërohesh me mua
E bukura Elizabetë?
Edhe pse unë poezi shkruaj
Edhe pse ti shkruan poezi
Historia e dashurisë sime
Është kjo natë dhe ti.
Ti mos më bjer në qafë
Rimat mos m’i merr. Mos.
Shpejt do t’i dëgjosh ato
Do t’i dëgjosh e s’do t’i kuptosh.
Komentet