Krejt papritur shkuan 59 vite nga jeta ime
Kujtoj se sapo kam hapur portën e hyrjes së botës
Bile ndjej prapë kuisjen e saj pas meje, e rëndë
Anipse vetja më duket akoma i parritur mirë
Dhe andrrat i shoh me sy prej adoloshenti gazmend
Këndoj tinëz pas një xhami, duke ndjekur borën
Që bie pas kujtimeve të mia të pafundme
Të përziera në kohë të ndryshme , një simfoni
Me ngjyra të çmendura dhe të përflakura
Në afshin e pasosur për jetën dhe ngjarjet
Me ritmin e çartur prej Fred Merkuri…
59 letra dashnie krejt vitet e mia tash
Shumëçka brenda tyre konservuar mirë
Që nga shija e parë e puthjes së nanës, kur linda
Kripa e lotit të saj të gëzimit , pakëz frikë
Kur pija cerkun e parë të gjinit, fillim korriku
Gati duke u mbytur në shijen e bardhë
Me rrezet e diellit mbi shpinën e shpluar
Dhe stërkalat e Valbonës, kur ma lagën kokën…
Në gjumë më vunë bulkthat e muzgut
Në odën e vjetër prej druri, ku për lodër fëmije
Kishin varur mbi djep një ftua të verdhë si hana
Dhe kallzi gruri me aromë buke të sapopjekur
Binin tek druri i djepit si lavjerrës i hershëm
Prapë mi shënon ditënetët e mia pa u ndalur…
Shumë letra si gjethet po zverdhen ritmit të stinëve
Si ngjyra e flokëve tek tëmthat e mi mavi,dukshëm
Dhe bien fund sëndukut të jetës, shlyejnë shkrimin
Të palexueshme bëhen, humbasin kuptimin e kohës
Dhe sytë tashmë nuk shquajnë shumë larg siluetat
Siç shquaja dikur të kaltrën e syve dhe sytë e shkruar
Dhe lojën e magjishme të ngjyrave teksa dielli po lindte
Honeve të maleve dhe luginave të buta të agut…
Por urrej syzet dhe lentet, thellë syve të mi të etur
Shpalosen rrjeshtat dhe brendia e letrave të dashnisë
Urrejtjet dhe vuajtjet i kanë bërë gjithmonë e më gri, më errët
Si të ishte derdhur ai kungulli i bojës së klasës së parë
Kur dorën ma goditi vjedhurazi një mike e vogël, në bankë
Duke dashur të mi kaplojë kaçurrelat e pabindur…
59 letra dashnie krejt vitet e mia tash
Kryemalit të andrruar , duke u ngjitur me shije triumfi
Padashur ti dal kurrë në majë, edhe pse më josh pejsazhi
Me ethe të së panjohurës pastaj fillon teposhtëza e largët
A thua më lehtë të ngjitesh a të biesh, gjithsesi rrugë është
Dhe unë mbeta udhëtar i pangopshëm , kalorës i pabindur…
Shpesh jeta si kalë i idhnuar më ka gjuajtur në shtigje të idhta
Prapë jam ngritur dhe më ka joshur shala e ngrohtë dhe jele e hazdisur
Pakt kam shënuar për rikthimin tim, duke thyer rregullat e ngurta
Më fal zoti im se kam mëkatuar, netve me dikë kam dialoguar
Dhe një zë i fshehtë më pëshpëriste para gjumit, i prajshëm
Të guxosh të jesh ndryshe nuk është mëkat biri im…
Ndoshta kam mëkatuar, duke dashur ta shtrydh jetën
Për të gjitha shijet dhe lëngjet e saj, siç shtrydhja gjirin së pari
Për një copë diell mbi shpinën time dhe nuancë hane në fytyrë
Për të qënë mbi të gjitha i pranuar, pjesë universi në trajtë dashnie
I butë si bari i sapolagur në mungesë të gjatë të shiut të shenjtë
I egër si veriu që bredhat i shndrron në babadimra të ngrirë
I dashur si muzgu që mbulon si parajsë gjallesat dhe trojet
I kthjellët si lumi funddimri, kur shquan trupin e peshkut
Dalldisur në treninë e valës, i mbytur në shkumën si tamël…
Dashnor i fjalës që mpleks të sotmen dhe të ardhmen me fill
Të lidhur nyje, në djepin që më përkundi andrrat dhe shpresën
Në kupën e qiellit si lot të korrikut dhe hanës si vetull
Nën shiun që derdh shkumën e lumit mbi rranjë dhe gjethe
Në kreshtën e malit, ku pushon pak dielli, para rreknimit…
59 letra dashnie krejt vitet e mia tash
Sa do kisha dashur që një ditë të largët, pas shumë kohësh
Kur unë thjesht do të marr mungesë në kronikat e ditës
Sejcila prej tyre të shndrrohej në farë, brenda një dore të dashur
Në dhimbjen e fisme të vetmisë dhe kujtesës, të hapë pëllëmbët
Ti hedhë në ajër përpjetë a në baltën e pranverës, ku zogjtë çukisin të uritur
Të jem një varg për një zemër të dashnuar, një hop fryme ndërsa puth
Shpresën, duart dhe buzën, që ka përballë si statujë që shkrin malli
Të jem një gaz i pandalshëm i një fëmije që sapo trokiti në botë
Në vend të një të qare të rëndomtë, të jem zgjatja e duarve drejt diellit
Kur e kujtojnë si një top, si një zjarr i ngrohtë, sy i madh drejt hanës
Shkallë imagjinare, karusel gjigand që thyen largësitë
Silueta e Krishtit që befas bie prej kryqi, shmang gozhdët e përgjakura
Dhe kthehet si qytetar i zakonshëm i botës…
59 letra dashnie krejt vitet e mia tash
Edhe 59 të tjera duhet ti shkruaj skaj diellit dhe hanës
Skaj honeve dhe luginave, kryemaje dhe teposhtëzës
Kapur dorëpërdore me të dashurit e mi, me zërin e prajshëm në natë
Për të merituar atë çfarë andërroj të jem një ditë, kur lavjerrësi të ndalet
Ftoi të bjerë prej djepi përdhe,kallzit e grurit të jenë shuar, lumi nuk ndihet
Dhe muzgu si parajsë pushimi bie mbi krijesat dhe trojet…
Eh sa kohë duhet, ndoshta nostalgjia shkroi fjalë të çuditshme
Ndoshta edhe mosha ndjeu pak tinguj të rrallë
Tinguj të largët
Parakohe…
Janar 2020
Urime Luli
Një poemë mjaft e arrirë.
E lene ma, kur të shkruhet e 60-ta leter dashurie! Droe edhe Hedieja do të bahet “xheloze”.
Miqësisht,
Z. L.