TIRANE- Plot 250 infermierë do të nisin trajnimin për punësim në Gjermani, në kuadër të një projekti i cili synon edukimin e mëtejshëm profesional të tyre. Kësaj faze të parë të projektit pritet t’i bashkohen më pas edhe profesionistë të tjerë të fushave të ndryshme. Kryeministri Edi Rama duke folur në aktivitetin për trajnimin e infermierëve për punë në Gjermani, ka folur edhe për shqiptarët që kërkojnë azil në Gjermani, duke theksuar se rruga më e mirë për të shkuar atje është ajo e ligjshme, por edhe atë shans e kanë shumë pak veta.
“Në Gjermani të shkohet në rrugë të ligjshme. Cila është rruga e ligjshme, dhe pse sot janë shumë pak shqiptarët që mund ta ndërmarrin që sot? Rruga e azilit është një rrugë e shkurtër e cila të kthen këtu”, tha Rama.Sipas tij, prioritet i qeverisë është arsimi profesional.
“Kemi drejtësinë më të degjeneruar në Evropë. Kemi juristë me diplomë por s’kemi gjyqtarë e prokurorë”.
Çdo vit gjermania ka nevojë për 10 mijë infermierë, tha Rama dhe për këtë duhet përgatitje.
Infermierët shqiptarë që do të trajnohen, do të përfitojnë një vend pune minimalisht për dy vitesh në Gjermani.
HOFFMANN: JO AZIL POLITIK NË GJERMANI, POR MUNDËSI PUNËSIMI
Ambasadori gjerman në vendin tonë Helmut Hoffmann tha se kjo është një mundësi e drejtë punësimi në Gjermani, dhe jo nëpërmjet emigrimit ilegal. Hoffmann tha se qytetarët shqiptarë duhet të aplikojnë për politikat e duhura të punësimit në Gjermani, dhe të mos kërkojnë azil.
“Mos iu drejtoni ambasadës për azil politik, por tentoni punësimin e duhur në Gjermani, nëpërmjet politikave të duhura”, tha Hoffmann.
KLOSI: MUNDËSI TË REJA PUNËSIMI DHE AFTESIM PROFESIONAL PER TE RINJTE
Këtë e ka shprehur sot ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi, i cili tha se një projekt i tillë synon të përgatisë profesionistët nëpërmjet kurseve të ndryshme, për t’i kualifikuar ata për tregun ndërkombëtar të punës.
“Projekti i cili nis me 250 infermierët e parë, përfshin kurse të ndryshme për kualifikimin e qytetarëve për tregun ndërkombëtar të punës. Për ne është me rëndësi lidhja e arsimit profesional me tregun e punës. Edhe tregu shqiptar ka nevojë për punonjës të kualifikuar, dhe ne do të hartojmë një ligj për t nxitur punësimin”, tha ministri Klosi.
Infermierët që do t’i nënshtrohen këtij kursi do të mësojnë edhe gjuhën gjermane, pasi synohet punësimi i tyre në Gjermani për të paktën 2 vite.
Komentet