Voal – Xhozef DioGuardi u lind në Bronx, New York, më 20 shtator 1940. Ai u diplomua nga Fordham Prep në vitin 1958 dhe nga Fordham University me rezultate të shkëlqyera në vitin 1962. Babai i tij, i cili emigroi në Amerikë në vitin 1929, ishte shqiptar i lindur në Greçi afër Napolit, fshati më i vjetër shqipfolës në Itali. Nëna e tij ishte italianoamerikane e brezit të parë të emigruar në Nju Jork më 1910. Joseph DioGuardi u martua me Shirley Cloyes në vitin 1998.
Joseph J. Dioguardi prej rreth dyzet vjetësh është i përkushtuar dhe ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme ndaj çështjes shqiptare. Zotëri Joseph J. Dioguardi dhe e shoqja zonja Shirley Cloyes DioGuardi janë liderët e lobit më të fuqishëm shqiptar në Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbrojtës të flaktë dhe të paepur të të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Çamëri.
I pari shqiptaro-amerikan i zgjedhur në Kongresin Amerikan, në vitet 1985-1989, Joseph J. DioGuardi do të ishte i pari kongresist që do të sillte çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan në vëmendjen e qeverisë së SHBA nëpërmjet një Rezolute të Kongresit të sponsorizuar prej tij më 1986, si dhe do të fuste në rendin e ditës seancën e parë të Kongresit për Kosovën në vitin 1987, ku për herë të parë shpalosi barbarinë serbe kundër shqiptarëve të pambrojtur.
Pas largimit nga Kongresi, si themelues dhe president i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, DioGuardi ka bërë më shumë se dyzet udhëtime në Ballkan. Lidhja Shqiptaro-Amerikane u krijua në përgjigje të krizës së shkaktuar në Ballkan nga agresioni dhe pushtimi që kreu në Kosovë më 1989 diktatori i atëhershëm serb Sllobodon Millosheviç.
Me zgjuarsi dhe vizion të pashoq, duke vënë në pah ndihmën që shqiptarët dhanë për hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, DioGuardi arriti të bënte partnerë të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane lobet më të fuqishme amerikane, çka do të ndikonte fuqishëm edhe në rritjen e përkrahjes amerikane veçanërisht ndaj Kosovës dhe do të jepte ndihmesë vendimtare në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Kështu do t’i sfidonte lobet serbe, ruse dhe greke tejet armiqësore e të pakursyera kundër shqiptarëve dhe çështjes së tyre.
Nga qershori 1988 DioGuardi do të udhëhqite demonstrata masive të shqiptarëve nga e gjithë Amerika në Nju Jork para Kombeve të Bashkuara dhe në Uashinton para Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitolit për të sensibilizuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj gjendjes së dëshpëruar të shqiptarëve në jugosllavi, sidomos në Kosovë. Në nëntor 1989, DioGuardi shkon në Qendrën e Shtypit Ndërkombëtar në Beograd dhe në zyrën e Millosheviçit me një letër të nënshkruar nga Senatori Bob Doll dhe dymbëdhjetë senatorë të tjerë amerikanë për të çlirimin e Kosovës, pastaj bëri udhëtimin e parë në Kosovë si dëshmitar fizik i pushtimit brutal serb dhe u përzu nga Hotel Grandi pse mbajti një konferencë shtypi atje.
Falë aftësisë dhe talentit të tij si politikan DioGuardi do të kishte përkrah në çështjen shqiptare Senatorin Robert Doll, Joe Biden, Claiborne Pell, Larry Pressler, Al D’Amato,Joseph Lieberman, Charles Schumer, John McCain, Kongresmenin Tom Lantosh, Benjamin Gilman, Henry Hyde etj. DioGuardi do të sillte në Kongresin Amerikan Ibrahim Rugovën, Bujar Bukoshin, Adem Demaçin, Arbër Xhaferrin, Riza Halimin dhe pothuaj të gjithë liderët kryesorë politikë të hapësirës shqiptare. Për të siguruar përkrahjen e politikës ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare, DioGuardi do të organizonte udhëtime dhe takime në kryeqytete të ndryshme, të cilat do t’i shfrytëzonte edhe për bashkimin e Diasporës Shqiptare në botë.
Në vitin 1993 Joe DioGuardi ka përkrah edhe të shoqen Shirley Cloyes, botuese në Lawrence Hill Books, e cila po shkruante një libër për tmerret etnike në Jugosllavi, e para që sillte në vëmendjen e lexuesit amerikan këndvështrimin kundër Millosheviçit dhe luftërave të tij në ish Jugosllavi. Shirley Cloyes do të përkushtohej si Këshilltare për Çështjet e Ballkanit pranë Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Zonja Cloyes do të realizonte takimin e parë të Presidentit Ibrahim Rugova dhe Kryeministrit Bujar Bukoshi në Washington, DC, me Presidentin Bill Clinton, në një takim privat në Lutjet e përvitshme të Mëngjesit. Ata do të mbanin konferencë shtypi në Kapitol Hill për pushtimin e Kosovës nga Millosehviço dhe do të merrnin pjesë në një veprimtari dhe pritje speciale në Muzeun Përkujtimor të Holokaustit të sapohapur të SHBA. Cloyes dëshmoi në Seancën e Kongresit për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Shqipëri dhe shpalosi rolin e Nicholas Gage të Federatës Panepirote dhe të komunisteve Shqiptarë në përpjekje për rrëzimin e qeverisë shqiptare.
Në mars 1998 Lidhja Shqiptare vuri në qendër të Seancës dëgjimore të Kongresit Robert Gelbardin, i dërguar në Bosnjë dhe Kosovë. Përballë argumenteve të Lidhjes Shqiptare, Gelbardu detyrua të tërhiqte deklaratën e mëparshme se UÇK ishte një organizatë “terroriste”. Cloyes i tha Gelbardit se “UÇK nuk ëshë një grup terrorist dhe se 500000 shqiptar në Amerikë janë të gjithë UÇK”.
Pas sencës dëgjimore Lidhja Shqiptare mbante mitingun e parë në Kapitol Hil në përkrahje të UÇK. Zotëri DioGuardi dhe Zonja DioGuardi do të flisnin në Komitetin Kongresional të Helsinkit, në Komitetet e Jashtme të Dhomës Përfaqësuese dhe Senatit, do të merrnin pjesë në debate mediatike, do të jepnin intervista në 50 mediave kryesore amerikane e perëndimore, përfshirë CNN International, CNN, Fox-TV, BBC-TV, NBC, MSNBC, WPIX, e CNBC, në përkrahje të Kosovës. Roli i tyre do të ishte i rëndësishëm edhe në unitetin e liderëve të Kosovës në Rambuje, si dhe në vendimin e administratës amerikane për fushatën e bombardimeve ajrore që çoi në çlirimin e Kosovës.
Ata do të vazhdonin të ishin tejet aktivë në zyrtarizimin e pavarësisë së Kosovës, në lirimin e pengjeve shqiptare në burgjet e Serbisë, në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, duke mos e pshuar asnjëherë aktivitetin në përkrahje të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Çamëri dhe për demokratizimin e kësaj hapësire dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Në deklaratën e hapjes në Hagë, Millosheviçi do të akuzonte Lidhjen Shqiptare dhe Joe DioGuardin për përkrahjen ndaj “terrorizimit dhe separatizmit shqiptar”, si dhe për kontribut të madh për “satanizimin e popullit serb në sytë e opinionit publik amerikan”.
Në prill 2002 DioGuardi dhe Cloyes udhëtuan në Hagë, ku DioGuardi u intervistua nga Zyra e Kryeprokurores si dëshmitar kundër Millosheviçit. Më herët Cloyes kishte dhënë një dëshmi të hollësishme 300 faqe kundër deklaratës së Millosheviçit që fajësonte NATO-n dhe Perëndimin për masakrat dhe genocidin në Bosnjë dhe Kosovë.
Më 2006 LQSHA do të mblidhe një peticion me një milion firma ku do të këkonte nga President Bush njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës.
Joseph J. Dioguardi është gjithnjë aktiv në politikë, duke pasur gjithnjë përparësi çështjen shqiptare, përparimin e saj të gjithanshëm në hapësirën kombëtare në Ballkan dhe në Diasporë.
Ne i urojmë zotëri DioGuardit shëndet, jetë të gjatë dhe fat për të mirën e çështjes shqiptare.
ELIDA BUÇPAPAJ
Komentet