Nga libri i ri
Tiranë – Zyrih – Bernë, 15 Mars 1996
Në Zürich arritëm nga Tirana me Swissair. Një nga linjat më të njohura të botës, që tani nuk është më.
Ishte 15 Mars 1996. Aty na priste Sekretari i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë sot i ndjeri Bujar Marikaj. Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Zvicër ishin vendosur që më 1970, por në rang Ambasade vetëm pas 1992.
Familja jonë në 15 Marsin e 1996 atëherë kishte tre anëtarë. Endriti do të lindte më vonë në Bernë. Nga Tirana u nisëm pasdite, na përcollën miq pa fund, natyrisht Muja. Aty rastisi edhe Azem Hajdari që kthehej nga një udhëtim jashtë. U përqafuan me Skënderin. Azemi i shkonte shpesh Skënderit në zyrë në RTSH. Në të njëjtin avion me ne udhëtonte edhe Ambasadori Amerikan Joseph Edward Lake, që e kish përfunduar detyrën pa mbushur as dy vjet.
Tirana është shumë e bukur në pranverë. 15 Marsi i 1996 ngjante me një ditë të bukur Maji nga ato pranë qershorit, që i japin mbrëmjeve aromën e dorëzonjave, akacieve e blirit.
Një ditë më parë, gjatë përgatitjeve të fundit në prag të udhëtimit, afër ATSH tek një dyqan nga ato të privatizuarit pa rënë mirë diktatura, si tregues se bashkë me pushtetin politik do t’i msynin ekonomisë, bleva një servis të bukur pjatash. Ende pa u nisur për në Zvicër, fantazoja kthimin në shtëpi me drekat e darkat që do të na përgatiste me aq shije, një përzierje e orientit me oksidentin, Lili, my Mom, që posa të shërbeheshin në tavolinë, im atë do t’ia ngrinte menjëherë në qiell, pa i prekur kush ende me pirun.
Në Zürich si mirëseardhje na priti e njëjta pranverë që lamë në Tiranë. Ishte një mot jo i zakonshëm për Zvicrën, por që përsëritet ciklikisht.
Nga Aeroporti Kloten morëm trenin drejt Bernës. Do të banonim përkohësisht në një garsonierë të madhe në Alpenstrasse, një nga rrugët më të bukura berneze me plot rezidenca të Ambasadave të huaja, ku aty do të qendronim deri më 15 maj.
Prej 1992, na kishte rënë rruga të ndalonim në Zvicër, herë tranzit, herë të ftuar nga komuniteti shqiptar dhe LDK, që ishte një model i disiplinuar organizimi për t’u marrë sot shembull.
Shqipërinë e lamë me plot shpresa, duke u ringjallur, në ripërtëritje. Ndërsa nga ish Jugosllavia ndihej era e barutit, posa kish dalë nga flakët e luftës me marrëveshjen e Dayton-it të nënshkruar në dhjetor e Sarajeva në shkurt ish çngujuar nga rrethimi tragjik pothuaj 4 vjeçar.
Ishim të lumtur që Shqipëria, po përparonte.
Një diplomat kroat që e vizitoi Ambasadën e na tregonte me dhimbje plagët e gërmadhave të luftës në vendin e tij, na thosh me zili “Shqipëria ishte me fat”.
Ishim vërtetë me fat.
Shqipëria zyrtarisht e kishte nënshkruar marrëveshjen e Partneritetit për Paqe me NATO-n më 23 shkurt 1994. Do të duhej të ishim vendi i parë që do t’i bashkoheshim Aleancës Verio-Atlantike nëse…
Nëse zgjedhjet e 26 majit 1996 nuk do të tjetërsoheshin;
nëse qeveria do të merrte masa të mos lejonte piramidat financiare të fitonin terren deri kur do të plaste kriza
dhe Sali Berisha nuk do të mbante qendrimin konstant se Shqipëria do ta mbronte Kosovën si shtet nëse do të sulmohej…
Si të mos e kishte këtë qendrim!
Cili ishte shkaku i vërtetë që do të lejohej nga SHBA 1997!
Kur as një vit më vonë kundër shqiptarëve të Kosovës në 5 mars 1998 makineria pushtuese serbe do të niste fushatën genocidiale e të spastrimit etnik. Pushtuesi fillimisht do të mbyllte shkollat, Universitetin, Rilindjen, RadioTelevizionin e Prishtinës e do të hidhte në rrugë të madhe gjithë elitën!
Pushtuesi deri në fund sa e larguan ishte i egër antishqiptar.
Shqiptari antishqiptar përse!
Por në 15 Marsin 1996 kur ne vumë këmbën në Zvicër, Tiranën që mbeti pas, e lamë të qetë duke u përkundur në djepin e ëndërrave të së ardhmes me sloganin “si gjithë Europa”, që më vonë do të na dukej lavazh demagogjik,
ndërsa realitetet që e prisnin t’i kalonte Shqipëria dhe shqiptarët, nuk i imagjinonte kush.
Nuk parashikonim asgjë të mbrapshtë !
Si thosh diplomati kroat.
Shqipëria ishte me fat.
Më vonë do të më ngulitej në kokë se fati i shqiptarëve është i përbashkët në Shqipëri, Kosovë e kudo ku gjallojnë!
Po përse shqiptarët kundër shqiptarëve, këtë nuk e kam zgjidhur dot! Magjia e zezë ka nisur prej Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës. Kjo magji duhet të prishet. Që të futen në rrjedhën e përbashkët vullnetet.