Sipas një motivi të njohur në jug
Maleve, përtej mbi Janinë, një trim ishte bërë zot. Nuk la ushtar turku e tabor që të vinte e të shkelte ndër ato anë. Asnjë taksë dhe asnjë nizam për pushtuesin. Kishte hyrë në vitin e tretë dhe komandantët turq, nuk po i a gjenin anën. Me një grusht shokësh, kaçaku ngrinte prita e godiste si rrufe. Por, edhe karvanët që kalonin ndër ato anë. Banorët, që jetonin në ato lartësi, ndjeheshin të lirë. I gëzoheshin punës se tyre, mbillnin e korrnin, dhe rrisnin fëmijët në hallin e vet, pa i rënë në qafë, askujt.
Atje poshtë buzë liqenit, Valiu i Janinës, ishte bërë pikë e vrer. Bënte mbledhje në zyrën e tij me ushtarakët e lartë të ushtrisë turke, që ishin vendosur në atë trevë e merrte premtime, se kjo punë, ishte çështje orësh. Po ku do t’i a dinte Trimi? Ata ngjitu lart, dhe ai, së bashku me shokë, me jataganë e shigjetë, i korr… Valiut, durimi i u sos. Mblodhi sërish të parët e ushtrisë. Ishte bërë dyllë i verdhë në fytyrë dhe nuk e mbante vendi. Shtrëngoi dhëmbët, e ngriti lart vetullat e zeza dhe të trasha, si shuka leshi. Shau mbarë e prapë. Gjithë vrerin seç e derdh mbi tabor.
– E dua këtu, pa u thyer hëna ! Ja të ma bini të lidhur – tha ai me zemërim – ja me këtë pallë, do t’ju vë që të gjithëve në satër! Me premtimet tuaja jam deri në grykë. Tunduni dhe nisuni, që në këtë çast ! Krihni malet pëllëmbë e pëllëmbë !
Vetë liqeni u drodh dhe valët heshtën nga ulërimë e tij..
Hëna u thye. U bë dhe u thye përsëri…Kaloi një vit dhe erdh tjetri, por trimi qendronte si zot në ato male. Taborët me ushtarë, nuk lanë shkrepa, brinja dhe gërxhe. Nuk lanë shkëmb, gurë dhe guvë, por trimin nuk e zunë. Ai, si një sorkadh mali, shfaqej mbi ta, godiste me kordhë, si vetëtimë, dhe u ngrinte sërish pusi. Humbjet ishin të mëdha. Ndoshta, më shumë se në fillim.
Valiu dërgoi kartë në Stamboll.
– Dua të tjerë ushtarë. Po na i grin një fajkua.
Dhe Sulltani derdh flori. Nis taborë të tjerë.
Përsëri malet u mbushën me mizëri. Trimi si trim, ashtu, si më parë. Pa i u trembur syri, sulmonte e korrte. Përsëri ushtarët pakësoheshin. I gjeje pa jetë, në shtigje, brinja, nëpër shkurre, a pas ndonjë prite.
I dërgon e shoqja fjalë.
– Si do të rriten djemtë, a ditëzi?
Trimi ia kthen:
– Me barishte mali moj grua, me lëpjetë, siç jemi rritur edhe vetë. Do të kenë më shumë nder, nuk do të kenë as të huaj në derë.
Atëherë, Valiu vendos, që të luaj edhe gurin e fundit. I nis një lajm atje në mal.
– Në se ti do të më dorëzohesh mua, do të të bëj komandant , me grada dhe tuje. Do të të jap plaçkë dhe pasuri, sa të lodhesh. Në këtë botë, që ka shumë halle, mos të të dhëmbë koka ndonjëherë. Hë, si thua, a vjen tek unë, këtu në Janinë?
Por trimi, në vend të përgjigjes, i dërgoi një jatagan. Kjo e tërboi përsëri Valiun. Shfryu dhe mallkoi, duke u drejtuar andej nga malet, atje, ku rrinte trimi.
Iu duk sikur dëgjoi zërin e tij:
– Nuk kam dalë për ofiqe, maleve kaçak.
Qëndroi për një çast dhe vuri veshin. Ishte era…Tundi kokën, e shfryu përsëri. Këtë herë, u duk se gjethet ranë nga pemët, e mali zu thinjë aty mbi liqen. Atëherë, Valiu mbyllet brenda në dhomë, dhe bën një kartë tjetër për në Stamboll.
Sulltani, së bashku me nizamët, nis edhe një ferman
“Një nga dy kokat tuaja, e dua në sini”!
Ky ishte urdhri, që mbërriti nga Porta e Lartë.
Ishin pesëmijë. Në krye të tyre, edhe vetë Valiu, që e braktisi zyrën e tij, atje buzë liqenit të Janinës.
…Më në fund e zunë. E sollën përpara Valiut në shesh. Ky u habit kur e pa. “Qenka një pëllëmbë njeri”, tha me vete, “dhe më griu gjithë ushtrinë”
Fryu bulçitë e u drodh gjithë inat e mllef.
– Të kam vënë nën vete, tani, bjer këtu në gjunjë, kaçak !
Po më gjunjë trimi nuk i ra.
Valiu ngriti vetullat përsëri. Shfryu me egërsi.
– Ja ta ula hundën, ja në hell të shkova, si dashin e kopesë, harramsëz!
– Më shko! – i tha trimi qetësisht, pa i u dridhur qerpiku. Bëri një hap përpara dhe e pa drejt në sy.
Tjetri zgjati dorën dhe gishtërinjtë i mblodhi grusht, sikur ta kishte vënë aty, njeriun që i shoi ushtrinë.
– Do të ta shqyej atë kraharor dhe do të ta marr zëmrën.. Ja, me këto duar !
– Vërtetë, do të bësh festë sot. Merre, se të duhet, ta ndash për meze.
Dhe turqit kështu bënë. E kërkuan brenda kraharorit, përpara se t’ia merrnin kokën për në Stamboll, po më kot. E kërkuan, në çdo cep të trupit, por edhe atje, nuk e gjetën dot.
Zemra e Trimit, zog ishte bërë. Kishte marrë fluturimin ndër male.
Thonë: fluturon, e fluturon… Fluturon dhe sot…
Komentet